Divorci, ky fenomen shoqëror shumë i përhapur në kohën e sotme, si term teknik vjen nga anglishtja, që në shqip përkthehet ndarje, prishje martese, veçim, shkëputje, por, kur fjala përdoret specifikisht për një çift heteroseksual, të bashkuar emocionalisht dhe fizikisht, unë personalisht dua ta quaj divorcin edhe si një “shqyerje” shumë të dhimbshme e me mjaft pasoja, për arsyet e mëposhtme:
1) Kur dy njerëz, mashkull e femër, bashkohen emocionalisht dhe fizikisht, ata nuk janë më dy trupa, por një mish i vetëm. Prandaj, edhe pse ky çift ka pasur një marrëdhënie të rastësishme, të çastit dhe pa premtim besnikërie, divorci, ndarja e shpejtë, përsëri ka pasoja, sepse secili nga partnerët ka dhënë dhe ka marrë nga tjetri sipas masës së tij dhe, ai që ka dhënë më shumë, ndihet më i fyer e më i tradhtuar. Por, mbi të gjitha, të dy kanë marrë hidhërimin e mëkatit të kurvërisë me pasoja në vetë trupin e tyre, siç edhe thuhet: “Sepse çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit, por ai që kurvëron, mëkaton më mishin e tij” ( 1 Kor. 7:18).
2) Kur bashkimi i dy personave, burrë e grua, bëhet mbi disa parime më të larta, përtej instiktit seksual, me qëllimin human për të krijuar familje – qeliza e shoqërisë njerëzore – dhe, kur ky bashkim legalizohet nga Zoti dhe shteti, së bashku me të afërmit e çiftit dhe me shoqërinë që, si një trup, e pranon këtë qelizë të sapokrijuar me gëzimin e ripërtëritjes dhe përjetësimit të njerëzimit, përgjegjësitë e çiftit janë shumë më të mëdha dhe pasojat e divorcit nuk janë më vetëm në rrafshin personal, por ato prekin edhe shumë faktorë të tjerë, siç i përmendëm më sipër, duke krijuar fraktura midis tyre, gjë që tashmë përbën një problem social për shoqërinë.
3) Kur nga martesa e çiftit vijnë fryte të natyrshme, fëmijët, divorci i burrit me gruan, që tashmë janë baba e nënë, nuk është më thjesht një problem personal, familjar apo social, por kthehet në një fatkeqësi me shumë dhimbje e brenga, peshën më të madhe të së cilës e vuajnë dhe e mbajnë mbi vete ata që janë më të pafajshmit në këtë situatë, fëmijët. Askush nga prindërit e divorcuar, sado fajtor apo jo që të jetë, nuk mundet dot ta kuptojë dhe ta peshojë hidhërimin e shpirtit të fëmijës, ngarkesën psikologjike që përballon dhe pasojat që do të vuajë për gjithë jetën. Kur ai sheh se dy personat më të dashur për të, që përbënin një njësi dhe që i quante prindër të dashur, papritur ndahen dhe largohen në mënyrë të tejskajshme me ftohtësi e urrejtje, si i pafajshëm në këtë situatë, shokohet dhe ndihet përbrenda si i shqyer në mes, i tërhequr githnjë e më shumë nga njëri skaj në tjetrin, ku divorci ia degdisi prindërit, sepse çifti nuk do të jetë më burrë dhe grua pas divorcit, por, për fëmijën, ata do të jenë deri në fund babai dhe nëna e tij.
Janë të shumta problemet psikologjike që vuajnë fëmijët. Le të përmendim disa:
1- Divorci ndikon në formimin normal të fëmijës, sepse fëmija ka nevojë për dy modele, të babait dhe të nënës, për autoritetin e babait dhe për dhembshurinë e nënës. Një fëmijë me prindër të divorcuar, djalë apo vajzë, do të ketë konfuzion në formimin e personalitet të tij, sepse, siç thamë, mungon modeli i prindit që ai duhet të imitojë.
2- Te fëmijët krijohet një stres i vazhdueshëm në kërkim të shkakut se pse prindërit e tyre u ndanë. Fëmija, duke qenë i paaftë për të gjykuar sjelljet e të rriturve, mund të krijojë një gjykim të gabuar për prindërit, deri në urrejtje . Ose, fëmija ndihet fajtor dhe shkaktar i këtij divorci dhe i paaftë për t’i bashkuar prindërit dhe kjo e torturon çdo ditë zemrën e tij.
3- Fëmijët me prindër të divorcuar ndihen të ndryshëm nga fëmijët e tjerë me familje të rregullt. Kjo gjë u krijon stres, i mbyll në vetvete, i bën të mos jenë të çiltër në të shprehur, gjë që krijon çrregullim psikologjik dhe marrëdhënie jokorrekte me të tjerët.
4- Divorci krijon probleme ekonomike dhe fëmijët me prindër të divorcuar detyrohen të rriten në kushte të vështira, jo me arsimimin e duhur, ose detyrohen të punojnë që në moshë të mitur për të plotësuar mungesat ekonomike që vijnë për shkak të divorcit të prindërve.
5- Fëmijët rriten pa dashurinë natyrale të të dy prindërve së bashku dhe kjo do të ndikojë në jetën e tyre private, sidomos kur ata do të krijojnë familjen e tyre, duke rrezikuar të bëjnë të njëjtën gjë në jetë si prindërit e tyre. Kështu shembulli i keq divorcit rrezikon të përsëritet e të përhapet nga brezi në brez.
Por krahas fëmijëve, të cilët janë më të sinqertë në shprehjen e ndjenjave të tyre, edhe vetë çifti i divorcuar ka pasoja të pariparueshme. Ata që u bënë më parë nga dy një, tani, të ndarë pas divorcit, ndihen si dy gjysma të shqyera. Ndoshta do të përpiqen të bashkohen me dikë tjetër që të plotësojnë vetveten ose do të përpiqen të harrojnë atë që ka ndodhur, por përsëri problemi qëndron, sepse, siç thuhet: “Plaga mbyllet, por shenja mbetet”. Divorci, si plagë shpirtërore, qëndron në ndërgjegjen e njeriut. Ai që ka fajin më të madh, kurrë nuk do të jetë i qetë dhe kurrë nuk do të arrijë lumturinë me një zgjedhje tjetër. Dhe ai që ndihet i tradhtuar, kurrë nuk do ta harrojë e ndoshta kurrë nuk do ta falë atë. Prandaj, pas divorcit, personat e tradhtuar e të braktisur bien në trishtim deri në dëshpërim, gjë që krijon neuroza dhe mund t’i çojë deri në vetvrasje ata që janë të dobët emocionalisht. Ose shfaqin reagim me kundërsulm, si “mbrojtja më e mirë”, por që çon shpesh në urrejtje të pakontrolluar, deri në krim.
Pavarësisht këtyre dhimbjeve dhe pasojave të hidhura që lë divorci, ky fenomen, që në kohën e sotme është bërë, modë, vazhdon të rritet në mënyrë progresive në të gjithë botën, sidomos në atë me zhvillim të lartë ekonomik e me liri veprimi, si p.sh. në SHBA, në Kanada dhe në Evropën Perëndimore. Por edhe në Shqipëri, pas viteve ’90, ky fenomen ka gjetur terren dhe po përhapet gjithnjë e më shumë nga viti në vit. Nga studimet e INSTAT-it dhe nga Gjykatat në Shqipëri, si edhe nga studimi i agjencisë “Nation Master”, vendi ynë deri në vitin 2013 renditet i katërmbëdhjeti në botë, i pesti në Evropë dhe i pari në Ballkan për numrin e divorceve. Më konkretisht, në vitin 1990 janë divorcuar zyrtarisht 2675 çifte, ndërsa në vitin 2013 janë divorcuar 3747 çifte; pra, në vitin 1990 koeficienti ishte 9.2 divorce për 100 martesa, ndërsa në vitin 2013 ishte 15.7 për 100 martesa. Po nga INSTAT-I, në vitin 2015 regjistorhen 5255 divorce, nga 4240 në vitin 2014, duke shënuar një rritje vjetore prej 23.9%.
Shkaqet e divorcit janë nga më të ndryshmet, nga më seriozet e më të pakapërcyeshmet, deri te më banalet. P.sh., i pari është tradhtia bashkëshortore, fyerja e personit, keqtrajtimi i partnerit, vështirësitë ekonomike, që vijnë shpesh nga papunësia ose nga abuzimi me ekonominë familjare, siç është bixhozi (i cili është shkaktar për 7% të divorceve), sëmundjet që e bëjnë partnerin të mos i përgjigjet kushteve për një bashkëjetesë normale të çiftit, sëmundjet mendore, braktisja, dënimet penale afatgjata, mospërputhja e karaktereve etj.
Jo më kot e përmenda në fund si shkak mospërputhjen e karaktereve, pasi është shkaku më i palogjikshëm i divorcit. Në martesën mes dy personave, karakteret jo domosdoshmërisht duhet të jenë të njëjta; përkundrazi, karakteret e njëjta shtyhen dhe e kanë të vështirë të bashkëjetojnë, por karakteret e ndryshme plotësojnë njëri-tjetrin dhe e tërheqin më shumë çiftin.
Mendoj, dhe jo vetëm unë, se shkaku i parë dhe për shkaqe të tjera, që frymëzojnë për divorc është egoizmi, karakteristikë e brezit tonë, siç thuhet në Shkrimin e Shenjtë: “Brezi i fundit do të jetë një brez egoist” (2 Tim. 3:2). Arsyeja pse divorcohen edhe çiftet që ironikisht shpenzojnë shumë për shfaqjen, anën e jashtme të martesës së tyre, është se motivi i kësaj lidhjeje është i dobët dhe kështu nuk mund të rezistojë gjatë. Çifti është bashkuar ose thjesht nga një tërheqje seksuale, pamja e jashtme, pasuria, karriera, ose për të krijuar një qoshe të rehatshme për veten. Të gjitha këto lidhen me egon e njeriut, e cila nuk funksionon në një martesë, sepse martesa nuk është një “shëtitje në park”, por është një sfidë që përballohet me dashuri flijuese, ku personi nuk mendon dhe nuk kërkon vetëm për vete, por për tjetrin, dhe së bashku për fëmijët.
“Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës” (Mat. 12:39) i kapërcen kufijtë e egoizmit, sepse edhe këtë gjë kaq të madhe për jetën e tij, siç është martesa, ia beson vetvetes e jo Perëndisë së kudondodhur. Ai, Perëndia, krijoi çiftin e parë, Adamin dhe Evën, e më pas i bekoi duke thënë: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni e mbusheni tokën dhe nënshtrojeni” (Zan. 1:28). Vetëm Perëndia, që është përmbi çdo njeri dhe njeh secilin prej nesh në mënyrë personale, është i aftë të bëjë kombinimin e një çifti heteroseksual, ashtu siç bëri me Adamin, njeriun e parë, i cili, kur u zgjua nga gjumi dhe pa Evën të krijuar prej Zotit nga brinja e tij, tha: “Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mish nga mishi im dhe ajo do të quhet grua, sepse është nxjerrë nga burri” (Zan. 2:23). Ato çifte që ia besojnë vetes lidhjen e martesës, pa u këshilluar me Perëndinë, mbajnë vetë përgjegjësi nëse nuk gjejnë njeruin e përshtashëm dhe pastaj divorcohen duke mos duruar më, kombinimin e tyre egoist.
Aq shumë është rritur egoizmi i këtij brezi, sa thuajse po humbet edhe dëshirën për martesë, pasi ajo u duket sot disave si angari dhe shkak detyrimesh dhe barrash që duhet të ngrejë një çift i martuar me dashuri të sinqertë dhe përulësi. Kjo po çon në ftohjen e ndjenjës amësore në përgjithësi edhe te femrat, të cilat ndrydhin instiktin femëror të riprodhimit dhe nuk duan as të lindin fëmijë e të bëhen nëna, sepse kjo u prish rehatinë, karrierën dhe look-un. Këtë e tregojnë edhe statistikat e INSTAT-it se, në vitin 2015, numri i lindjeve ka rënë në 8.5% dhe është ritur numri aborteve me 0.8%. Edhe kur ato i kanë fëmijët, janë gati t’i braktisin për egon, kënaqësinë e çastit dhe karrierën. Po kështu, në përgjithësi edhe disa burra janë shndërruar thjesht në “hamshorë” dhe për këtë instikt të papërmbajtur janë gati të sakrifikojnë çdo gjë, duke tradhtuar jo vetëm gruan, por edhe fëmijët, sepse tradhtia nuk prek vetëm bashkëshortët, por edhe fëmijët që janë farë, mish dhe gjak i tyre. Këtë na e tregon edhe natyra, sepse, kur priten rrënjët e një peme, nuk thahen vetëm degët, por edhe frutat e tyre.
Krahas këtyre, në brezin e sotëm po humbet edhe ndjenja dhe tërheqja natyrale në çift dhe njerëzit po tërhiqen nga marrëdhënie jashtë natyre dhe perverse, të pafryta. Të gjitha këto janë të paralajmëruara në Shkrimin e Shenjtë, ku na thuhet: “Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria” (Mat. 24:12), “Dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet” (Mat. 10:36), “Dhe Shpirt I Shenjtë e thotë hapur, disa do të bien nga besimi… të cilët do të ndalojnë martesën” (1 Tim 4.3), “Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasione të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës. Në të njëjtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre” (Rom. 2:26-27).
Kisha Orthodhokse e konsideron Martesën një nga shtatë Misteret, të cilin e themeloi Vetë Krishti, kur shkoi i ftuar në një dasmë të nxënësve të Tij në Kanë të Galilesë. Aty Ai, si Zot dhe Njeri, bëri mrekullinë e parë, shndërroi ujin në verë, gjë e cila ka kuptimin simbolik se, me ardhjen e Krishtit, martesa nuk është vetëm një marrëdhënie biologjike natyrale për të riprodhuar jetën njerëzore, siç është uji që ndihmon jetën, por martesa në Krishtin do të jetë plotësi e çiftit dhe mjet që ai të bashkohet në mister me Zotin, i Cili gjithmonë mbetet Dhëndri dhe njeriu Nusja. Ky bashkim sjell gëzim të vazhdueshëm, ashtu si “vera gëzon zemrën e njeriut” (Psalmi 103). Kisha e shenjtëron martesën në emër të Krishtit me lutje dhe bekime.
Në Misterin e Martesës, simboli i unazave, i kupës së përbashkët dhe i kurorave të çiftit tregojnë domethënien e martesës si një bashkim i çiftit në plotësi shpirt-trup dhe përjetësimin e saj jo vetëm në këtë jetë, por edhe në përjetësi. Unazat që këmben çifti tregojnë se çdo person, mashkull a femër, është një gjysmë e paplotë dhe me mungesë, që plotësohet dhe përsoset nga bashkimi në çift në martesë, duke u bërë një rreth i plotë i mbyllur, duke dhënë e duke marrë nga njëri-tjetri. Kupa e përbashkët e verës është simbol i gëzimit dhe i hidhërimit të kësaj jete dhe që duhet të pihet së bashku deri në fund me vetëmohim. Kurorat janë nderi që mori çifti nga Zoti, si mbreti dhe mbretëresha në mbretërinë e tyre të vogël (familjen), në të cilën do të mbretërojnë së bashku me dashuri, drejtësi, urtësi, përulësi dhe përkushtim. Kurora u referohet edhe kurorave të martirëve të Krishtit, sepse martesa e vërtetë përfshin vetëmohimin dhe vetësakrifikimin, të cilët janë të nevojshëm që të qëndrojë një martesë deri në fund.
Martesa në Kishën Orthodhokse është e pandashme, sepse Zoti tha: “Atë që Perëndia bashkoi, njeriu të mos e ndajë”. Ajo është e përjetshme dhe çifti qëndron i bashkuar si në këtë jetë, edhe në përjetësi, në qoftë se nuk tradhtojnë njëri-tjetrin. Sipas këtij konteksti të fjalës së Zotit në lidhje me martesën, Kisha Orthodhokse nuk bie dakord me divorcin ligjërisht, por e lejon me dhembushri. Pas këshillave të përshtatshme për çiftin që është kurorëzuar në Kishë, divorci mund të lejohet dhe martesa mund të zgjidhet vetëm kur mundësitë për t’u afruar kanë shteruar plotësisht. Prandaj, në Kishën Orthodhoske, kjo lejohet me dhimbje në disa raste. Rasti i parë është tradhtia bashkëshortore, sepse Vetë Krishti tha: “Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën” (Mat. 5:32). Ky është i vetmi rast që e lejon prishjen e martesës, jo nga Zoti dhe Kisha, por nga pamundësia e çiftit për të vazhduar së bashku, për shkak të ngurtësisë së zemrës. Edhe në këtë rast këshilla për çiftin është që të falin njëri-tjetrin; ai që ka bërë mëkat të pendohet e të rrëfehet me sinqeritet, dhe ai që ndjehet i tradhtuar, të falë me dashuri, që mbulon shumë faje, sepse Krishti mëson; “Falmi dhe do jeni të falur”(Luk 6. 37) Ka edhe disa raste të tjera ekstreme kur mund të lejohet divorci më Kishën Orthodhokse, si keqtrajtimi dhe dhuna, kur kjo është e pamundur për t’u korrigjuar ose kur personi largohet nga familja pa njoftuar për një periudhë trevjeçare. Në të gjitha këto raste, ai që mund të lejojë prishjen e martesës është vetëm episkopi i dioqezës, i cili, në emër të Krishtit dhe të Kishës, ka lidhur martesën që duhet të jetë e pandashme, e cila, sipas këndvështrimit orthodhoks, nuk është qëllim në vetvete, por një mjet, një shkallë që të ngjit drejt dashurisë së Perëndisë, i Cili e mëson çiftin brënda martesës: “Doni njëri-tjetrin si veten” (Mk 12.31).
Fatkeqësisht ka edhe çifte të cilat kanë vënë kurorë në Kishë dhe janë ndarë, por kjo ka ndodhur jo sepse Mister i Kishës është i pavlefshëm,ose Zoti nuk ka fuqi t’i mbajë të bashkuar, por sepse çifti e ka kryer Misterin e Martesës me hipokrizi dhe pa besim, thjesht për dukje, ose ka prishur lidhjen me Perëndinë, për shkak të mëkatit. Por pavarësisht këtyre rasteve, divorcet e çifteve që kanë bërë martesë në Kishë, kanë propabilitet më të vogël për ndarje dhe janë shumë herë më të pakta në numër, se divorcet e çifteve që e përjashtojnë Zotin nga lidhja e tyre.
Në fund, divorci është një e keqe, një ndarje, “një shqyerje” me shumë dhimbje dhe pasoja, jo vetëm për çiftin, por në mënyrë të veçantë për fëmijët, që kanë kaq shumë nevojë për të dy prindërit, atë e nënë. Çdo çift, prind, që, për shkak të egos, të tekave, të tradhtisë, të dobësisë dhe të çdo vështirësie, dëshiron divorcin si zgjedhjen më të mirë, le të mendojë për fëmijët, të cilët nuk e duan divorcin e prindërve, në çfarëdo rethane që mund të justifikohen. Krishti thotë: “Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve(fëmijë) që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për të, t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të zhytet në thellësi të detit ” (Mat. 18:6). Për këta fëmijë, Zoti ka një përkujdesje të veçantë, do t’u falë shumë gabime dhe do ti lehtësoj nga shumë barra, që ata do të kenë dhe mbajnë në jetë, jo për faj të tyre, por për shkak se u braktisën nga prindërit e divorcuar. Ashtu siç shkruhet: “Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte” (Psalmi 27:10). Amin.

Nga Miron Çako, Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, KOASH
Botuar online në gazetën "Tirana Observer", dt. 13.11.2016 & Balkanweb online me titull: Dëshiron divorcin? Mendo për fëmijët ..., dt. 14.11.2016