Mbi njëmijë figura të botës së teknologjisë deklarojnë se lufta po na del jashtë duarve dhe kërkojnë ndalimin e "armëve autonome sulmuese", për të parandaluar që fuqitë botërore t'i hyjnë një "gare ushtarake armësh inteligjence artificiale".

Ata kërkojnë ndalimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale për qëllime lufte dhe armësh autonome, me këto të fundit që vendosin vetë se ku dhe kë të godasin, por gjykojnë se duhet lejuar përdorimi i pajisjeve me telekomandim nga njeriu si p.sh. i dronëve.

Nënshkruesit e kësaj deklarate publike përfshijnë drejtorin ekzekutiv të "Tesla", Elon Musk, bashkëthemeluesin e "Apple", Steve Wozniak, profesorin Stephen Hawkin, drejtorin ekzekutiv të "Google DeepMind", Demis Hassabis dhe rreth 1000 figura të tjera të botës së teknologjisë.

Letra do t'i paraqitet sot konferencës së përbashkët ndërkombëtare për inteligjencën artificiale që pritet të mbahet në Buenos-Ajres të Argjentinës.

Sipas letrës: "Teknologjia e inteligjencës artificiale ka arritur në një pikë ku zhvillimi i [armëve autonome] është - praktikisht, nëse jo ligjërisht - i arritshëm brenda pak viteve, nëse jo dhjetëvjeçarëve, dhe rreziqet janë të larta: armët autonome janë përshkruar si revolucioni i tretë luftarak, pas barutit dhe armëve bërthamore."

Përveç barutit dhe bombave bërthamore, ka pasur dhe zhvillime të tjera të mëdha teknologjike që i kanë dhënë palëve luftuese avantazhe të ndryshme: mitralozi më 1862, gazi helmues dhe tanket në Luftën e Parë Botërore, bombardimi masiv nga ajri në vitet 1930 (duke e lëvizur luftën nga fronti te popullsia civile) dhe deri diku dhe substancat biologjike.

Disa armë të reja ndërkaq janë ndaluar apo anashkaluar më herë. Që prej vitit 1995, laseri verbues është nxjerrë jashtë ligjit.

Midis nënshkruesve konsensusi i përgjithshëm është se gara e armëve robotike/me inteligjencë artificiale është diçka e keqe, sidomos nga çasti që këto armë mund të vendosin vetë, çka mund të shkaktonte përshkallëzimin e luftimeve, por ka mendime të ndryshme ndaj zhvillimeve robotike në fusha të tjera.

Në përgjithësi rreth 1000 nënshkruesit bëjnë dallimin midis armëve autonome me vendimmarrje të bazuar në inteligjencë artificiale, dhe pajisjeve si dronët, të cilat janë pa njerëz por që komandohen prej njerëzve duke ua lënë këtrye vendimmarrjen.

Në prill të këtij viti, një konferencë e OKB-së në Gjenevë ka trajtuar dhe armët e së ardhmes, ku përfshihen robotët vrasës, por kufizimi dhe ndalimi i tyre është kundërshtuar nga disa prej fuqive të sotme ushtarake. Mbretëria e Bashkuar p.sh. e ka kundërshtuar marrjen e masave të tilla specifike, pasi i gjykon të panevojshme me pretendimin se mbulohen tashmë nga ligjet ndërkombëtare.