Gjatë takimit që kryeministri Edi Rama zhvilloi me disa fermerë të Peqinit, e mori fjalën edhe një vajzë. Ajo i tha se edhe pse ishte profesioniste, pasi kishte mbaruar infermierinë me mesatare të lartë, ishte e papunë. Por kryeministri iu përgjigj se vajza si ajo që kishin mbaruar me mesatare të lartë dhe që janë pa punë, ka plot jo vetëm në Peqin.

Lapsi.al po sjell debatin e plotë:

Vajza: Kam mbaruar infermierinë me mesatare 8.5 dhe master shkencor me mesatare 9.2. Zotëroj edhe licensën e punës. Kam dy vite që i drejtohem drejtorisë shëndetësore Elbasan dhe Peqin dhe deri më sot asnjë vend pune. Prandaj të jam drejtuar edhe ty zoti kryeministër me letra. Kam edhe dokumentet e mira me vete…”

Rama: Nuk kam nevojë për dokumente se s’kam ardhur këtu të….

Vajza: Në rast se…

Rama: Por, por një gjë duhet ta dish. Më fal, një gjë duhet ta dish, që nuk je e vetmja që kërkon një punë si infermiere. Dhe midis dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra kërkesave… (ndërhyn vajza).. jo të lutem kaloja (mikrofonin) se nuk do bëjmë debat. E dëgjova bisedën. Dhe po thoja që nuk je e vetmja që kërkon. Ka plot që kërkojnë të punësohen infermiere dhe vendet e punës nuk janë pafund.

Vajza: Mirë, mirë, po. Por në bazë të asaj që ti ke deklaruar përpara mediave, që unë studentët e mirë do i vlerësoj dhe do i ndihmoj për vendet e punës, ndërsa për mua deri më sot asgjë nuk është bërë. Unë isha në shkollë, kërkoja bursë dhe nuk ma jepnin. Sot kërkoj punë dhe s’ma japin.

Rama: Të kuptova praaa. E dëgjova dhe ajo që kam deklaruar unë nuk është në kontradiktë me këtë që të thashë. Kur kërkon një punë në shtet për infermiere duhet të kesh parasysh se kërkesat janë të panumërta. Dhe të siguroj që sic je ti një studente e mirë ka edhe të tjerë që janë studentë të mirë dhe që punësohen dhe që presin. Jo nuk ka më fal. Jepja pa mikrofonin tani, se s’do bëjmë debat për këtë çështje. Kjo është e thjeshtë fare, çfarë diskutojmë?”

Vajzës që kërkoi punë nuk iu dha më e drejta për të folur, ndërsa kryeministri vijoi t’u tregonte fermerëve se si qeveria e tij kishte blerë nga 1 ekskavator për çdo bashki, për të ndihmuar në zhvillimin e bujqësisë. /Lapsi.al

http://www.dailymotion.com/video/x53...25-101659_news