"Mbi 6 ekspozita në një vit e gjysmë, kostoja që paguajmë për pasionin e fundit të Edi Ramës"

Berlin, ekspozita e kryeministrit Rama në Galerinë Michael Schultz (26 Prill 2015)

Mynin, Rama çon 78 pikturat e realizuara nga 2003 në 2015 (17 gusht 2016)

Hong Kong, ekspozita e kryeministrit shqiptar pëçan kritikët (31 tetor 2015)

Stamboll, ekspozita e pikturave të kryeministrit Rama (21 nëntor 2015)

Paris, “Shqiptarët nesër, ekspozita nga Edi Rama dhe Bujar Luca ( 6 dhjetor 2015)

Nju Jork, Rama hap ekspozitën në galerinë Marian Goodman (20 nëntor 2016)

Në një vit e gjysmë, prej prillit të vitit 2015 dhe deri sot, Edi Rama ka hapur 6 ekspozita në galeritë më të njohura të botës.

Shkarravinat e tij mbi kalendarin kryeministror apo bllokun e shënimeve të bashkisë kanë udhëtuar në Berlin, Mynih, Paris, Stamboll, Hong Kong e Nju Jork.

Të gjitha ekspozita të hapura pasi u bë kryeministër.

Gjatë 8 viteve që drejtonte opozitën mbahet mend vetëm një, e bërë në Prishtinë me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë, një ekspozitë flamujsh në kufinjtë e të quajturit art.

Në rrugën e artit, piktori Edi Rama kishte dështuar prej shumë kohësh, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë. Tentativat e fundit për të çarë në botën e artit vizual në Paris ishin dëshpëruese dhe nuk dihej se si do të kishte vajtur filli i këtij personazhi quasi piktor, quasi videoartist, quasi publicist apo quasi novelist, por asnjëherë asgjë e plotë, nëse Fatos Nano nuk do t'i bënte telefonatën e famshme në vitin 1998 për t'i ofruar postin e ministrit të Kulturës.

Sa i takon pikturës, Rama nuk është dalluar për ndonjë punim që nga koha kur doli nga auditorët e Akademisë së Arteve. Duhet thënë se çdo krijimtari, më shumë se për të bërë art mirëfilli e ka përdorur për të bërë zhurmë. Si përshembull instalacioni i bunkerit të rreckave në Francë, një simbolikë e komunizmit kjo, e vetmja me të cilën Edi Rama mundohet të impresionojë perëndimin. Në fakt, asetet e regjimit komunist, mbeten mjetet e vetme shprehëse që kompensojnë boshllëkun intelektual dhe artistik të Edi Ramës duke befasuar publikun perëndimor qoftë në formën e barsaletave, të rrëfimeve për kanoçet e coca- cola, apo muzeumeve e instalacioneve me bunkerë e simbole nga izolimi 50 vjeçar.

Por sot kryeministri nuk ka vetëm "çuditë" e komunizmit për t'u shprehur si artist. Ai duket se ka jo vetëm kohën, por edhe mekanizmat për t’u bërë më në fund artisti që nuk mundi të ishte kurrë. Një rast i rrallë ky, kur "talenti" shpërthen kaq bujshëm në moshën 50- vjeçare.

Vetëm se përsëri ky talent nuk është i gjithi i tiji. Ai na takon nga pak të gjithëve. Nëse nuk do ta kishim bërë Edi Ramën kryeministër, a do të mundte ai si një qytetar i zakonshëm, si një artist shqiptar të ekspozonte në galeritë më të famshme të Europës dhe botës? Por edhe nëse nuk do të ishin taksat tona, a do ta përballonte dot vetë Edi Rama, të udhëtonte me staf, me arkat e artit të tij, të qëndronte në hotele të shtrenjta, të shtronte dreka e darka për gazetarë e kuratorë të huaj, të publikonte intervista e shkrime për të në shtypin e njohur ndërkombëtar? Prandaj në meritën e ngjizjes së një artisti në moshën 50 vjeçare, kemi njëfarë hise edhe ne.

Por sa na shërben ky pasion i vonë dhe intensiv i një politikani për të qenë artist i famshëm? Ndoshta duke riparuar një kompleks të rinisë, atë të artistit që mbeti në tentativë, të mediokrit që zileps artin e të mëdhenjve, i dënuar për të mos qenë kurrë i tillë, Edi Rama mund të jetë më i qetë. Duke fshehur frustrimin e dështimit të pakthyeshëm me zhurmën dhe bujën e ekspozitave si kryeministër, Rama mund të gjejë një ekuilibër brenda vetes dhe për pasojë edhe ne mund të kemi fatin të qeverisemi më mirë.

Vërtet buja artistike e Edi Ramës nuk shkon paralel me namin e keq që ka Shqipëria në botë, vërtet ajo nuk kompenson krimin, drogën, korrupsionin e varfërinë, por tek e fundit, më mirë të flitet edhe për të.

Nëse këto ekspozita i shërbejnë shëndetin mendor e shpirtëror të kryeministrit, ateherë faturën e manifakturimit të tij si artist duhet ta paguajmë të gjithë me kënaqësi. Të paktën sa të jetë në krye të qeverisë, le ta marrim edhe për një artist me renome botërore. Pak mite të tilla kemi ndërtuar ne ndër vite? Edhe një më shumë, nuk na prish punë. Për më tepër, ka të ngjarë se sa më shumë të merret Rama me eskpozita dhe sa më pak me punët e qeverisë, aq më mirë shkojnë gjërat në këtë vend. /LAPSI.AL