Kreu i bektashinjve - Kryegjyshi Edmond Brahimaj vizitë dy ditore në Vatikan, do takojë Papa Françeskun



Kreu i bektashinjve shqiptarë, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, do të pritet në një takim nga Papa Françesku në selinë e Shenjtë në Vatikan. Vizita historike ka për qëllim të forcojë më tej dialogun ndërfetar në një kohë bota po përballet me sulme terroriste në emër të fesë.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, është nisur në një vizitë dyditore në selinë e Shenjtë në Vatikan, ku pritet të takojë Atin e Shenjtë, Papa Françesku.

Analisti për Çështjet Fetare, Ferdinand Samarxhi, shprehet se kjo vizitë fuqizon dialogun fetar mes religjioneve dhe mbështet paqen në botë.

Ferdinand Samarxhi: Takimi me Papatin me datë 10 maj dhe me Atin e Shenjtë Papa Françeskun me datë 11 maj, vizitë kjo dy ditore do të forcojë unitetin mes besimeve dhe religjioneve të ndryshme në dialogun ndërfetar, do të përcjellë atë vizion që Ati i Shenjtë Papa Françesku vlerësoi shumë dhe çmoi lart për kombin tonë. Në Shqipëri harmonia, toleranca, mirëkuptimi, janë më shumë, janë vëllazëri.

Ky është takimi i parë i Atit të Shenjtë me një lider të komuniteteve fetare të Shqipërisë në Romë.

ORA NEWS