Ilirët, 300 vjet në krye të Romës: Profilet e perandorëve ilirë që drejtuan botën

Emri:  illyrian_albanian2.jpg

Shikime: 1283

Madhësia:  35.7 KB

Për rreth 3 shekuj (251–565), Roma u mbizotërua nga perandorë ilirë; ishte pikërisht kjo periudhë kur fiset vandale e sllave u mbajtën larg kufijve të rajonit, i cili më pas do të quhej Ballkan. Shumica e tyre kanë ardhur nga rajoni i Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme) në Iliri. Pas shekullit VI, në listën e perandorëve romake rrallë gjendet ndonjë ilir; me sa duket ilirët, nuk ishin më të favorizuarit e Romës ose e humbën fuqinë a ndikimin e tyre; kjo gjendje e krijuar përkon me vërshimin e sllavëve në trojet ilire. A ishte ky mënjanim i ilirëve nga pushteti rastësi a konspiracion, këtë vetëm studimet mund ta tregojnë.

Trajan Decius

Në bazë të të dhënave historike, perandori i parë ilir ishte Trajan Decius. Decius (Gaius Messius Quintus Decius Augustus) ishte Perandor nga 249–251. Në vitin e fundit të mbretërimit, ai bashkëqeverisi me djalin e tij, Herenius Etruskus; të dy u vranë në betejën e Abritus (sot Razgrad, Bullgari) kundër gotëve. Decius, lindi në vitin 201 në Budalia (Mitrovicë, Kosovë). Ai është i pari në listën e gjatë të Perandorëve romakë që do të dilnin nga Iliria. Këta quhen zakonisht perandorë ilirë sepse të gjithë kishin lindur në Iliri dhe u ngjitën në shkallën më të lartë të pushtetit, duke e filluar karrierën si ushtarë në legjionet romake të stacionuar në vendlindjen e tyre. Para se të bëhej perandor, Decius kishte qenë senator, para kësaj, prefekt i qytetit të Romës, dhe radhazi guvernator në Mezi, Gjermanikë, Spanjë. Gjatë mbretërimit të tij, Decius ndërmori disa projekte ndërtimi, si për shembull: banjat termale në Aventine (Itali), të cilat mbetën funksionale deri në shekullin XVI: historikisht, Decius njihet për kujdesin ndaj Koloseut të Romës; gjatë periudhës së tij si perandor, Koloseu, i dëmtuar rëndë nga goditjet e rrufeve, u restaurua plotësisht.

Hostiliani

Hostiliani (230–251) ishte një perandor romak në vitin 251 dhe i dyti me origjinë ilire. Hostiliani lindi në Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme) në Iliri, djali i perandorit të ardhshëm Decius dhe bashkëshortes Herennia Cupressenia Etruscilla. Ishte vëllai më i vogël i perandorit Herennius Etruscus. Për të ndjekur gjurmët e të atit drejt fronit, Hostiliani mori trajnimet e duhura që një princ duhet të merrte, por gjithnjë qëndroi nën hijen e vëllait të tij Herennius, që gëzonte privilegjin e të qenit trashëgimtar. Në fillim të vitit 251, Decius i la fronin djalit të tij Herennius të bashkë-udhëhiqte Hostilianin. Decius and Herennius më pas bënë një kryengritje kundër mbretit Cniva të gotëve, për të ndëshkuar pushtimet e tij. Megjithatë Hostiliani mbeti në Romë për shkak të përvojës të paktë.

Klaudi i II-të

Klaudi II-të nga Iliria hipi në fron në vitin 268 në fillim e kishte nisur karrierën si ushtar i thjeshtë e më pas u bë komandanti i një ushtrie të vendosur në Pavia. Pasi u bë perandor, Klaudi u shqua në luftimet me gotët, të cilët i shpartalloi në Nish. Nga trimëria që tregoi në këtë luftë ai u quajt Klaud Gotiku. Mbretërimi i tij zgjati dy vjet derisa vdiq në tokën ilire.

Mbretërimi i Quintillus

Të dhënat për mbretërimin e Quintillus janë të pakta dhe kontradiktore. Disa thonë se mbretërimi i tij zgjati vetëm 17 ditë, ndërsa të tjerë thonë se zgjati 177 ditë. Gjithashtu ka mos dakordësi për shkakun e vdekjes së tij. Mendohet se ai mund të jetë vrarë nga vetë ushtarët e tij për disiplinën e rreptë ushtarake. Ekzistojnë dhe zërat që thonë se ai vrau veten duke prerë damarët. Megjithatë vetëm për diçka bien të gjithë dakord, për vendin e vdekjes, më Akuileia. Quintillus që vinte nga Iliria la pas dy djem Claudius dhe Quintillus. Djali i tij i dytë me po të njëjtin emër konsiderohej i aftë. Ai ishte një kampion i vërtetë në senat.

Aurelian, “Shpëtimtari i Ilirisë”

Pas vdekjes së Quintillus në fronin perandorak hipi Aureliani, i cili kishte lindur në Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme), që ishte kryeqendra e Panonisë, provincë me shtrirje mjaft të gjerë dhe e banuar nga ilirë. Aureliani në fillim kishte qenë ushtar i thjeshtë dhe më pas u bë kryekomandant i kavalerisë. Gjatë betejave të përgjakshme me armiqtë kishte dalë gjithmonë fitimtar dhe për këtë i kishin dhënë shumë tituj, por titulli më i lartë për të do të ishte “Shpëtimtari i Ilirisë”.

Aureliani në vitet e fundit të mbretërisë së tij nxori një dekret në 274 kundër të krishterëve. Shkaku i ediktit u bë një nga këshilltarët e tij Porfiri, i cili ishte themelues i neoplatonizmit. Ai shkruan një vepër me 15 volume “Kundër të Krishterëve”. Aureliani besonte në kultin e Mitrës dhe të hyjnisë së Diellit. Të gjithë shtetasit e Perandorisë Romake kanë qenë të detyruar t`i nënshtrohen këtij kulti. Meqenëse të krishterët nuk pranuan, u shpallën armiq të shtetit. Gjatë kësaj përndjekje u martirizua Papa Feliksi (269-274). Mirëpo edhe Aureliani vritet pas një komploti në vitin 175. Aureliani mbretëroi rreth pesë vjet dhe u vra gjatë marshimit të ushtrisë së tij nga Bizanti drejt Persisë.

Probi

Perandor tjetër ilir ishte Probi, i cili gjithashtu kishte lindur në Sirmium të Panonisë. Në moshën 44-vjeçare ai u bë perandor dhe mbretëroi për rreth gjashtë vjet. Probi u shqua në luftë kundër fiseve gjermane, franke e vandale duke i detyruar ata të largoheshin nga kufijtë e perandorisë. Në një ditë vere të vitit 282, ndërsa po drejtonte punimet për tharjen e kënetave në Sirmium, ushtarët u rebeluan, flakën lopatat dhe rrokën armët duke e vrarë perandorin.

Diokleciani, dëshmitari suprem i madhështisë

Emri:  nicomedia_diocletian_iam3.jpg

Shikime: 986

Madhësia:  66.4 KB

Në vitin 285 fronin e perandorisë romake do ta zinte Diokeliciani (284-305) i cili e kishte origjinën nga fisi ilir i Diokles. Diokleciani lindi në Salona të Dalmacisë ilire më 22 dhjetor 245. Vdiq po aty më 3 dhjetor 313

Ai kishte qenë komandant i rojeve personale të perandorit të mëparshëm. Merita e Dioklicianit ishte ndarja e pushtetit perandorak në dy Augustë dhe dy Çesarë, ku çdonjëri prej tyre ishte sundimtar fuqiplotë në pjesën e perandorisë që i takonte. Diokliciani u shpall Augusti Suprem dhe si August të dytë emëroi Maksimianin, i cili gjithashtu ishte prej gjakut iliri, ndërsa dy Çesarët kishin një gradë më poshtë se Augustët. I pari ishte Konstandini me origjinë nga Dardania (e ëma e tij ishte mbesa e perandorit Klaud). Diokleciani sundoi rreth 21 vjet derisa në moshën 59-vjeçare dha dorëheqjen.

Dihet botërisht se Diokleciani si burrështetas krahasohet vetëm me Oktavian Augustin dhe konsiderohet si njëri ndër reformatorët më të mëdhenj që ka njohur shoqëria njerëzore. Diokleciani mori pjesë gjatë gjithë periudhës së tij të sundimit në luftëra të shumta, që i kurorëzoi me fitore të bujshme, njësoj si Klaudi II, Aureliani dhe Probi. Edhe atij historia romake nuk i rezervoi asnjë humbje.

Veçanësitë:

– Dëshmitari suprem i madhështisë, njëri ndër tre perandorët që historia romane admiron më tepër.

– Ashtu si Augusti në fillim, edhe Diokleciani në kohën e tij, për revolucionin e thellë që i bëri organizimit shtetëror, konsiderohet si themeluesi i një perandorie të re.

– I vetmi perandor i Romës që e ka lëshuar vullnetarisht pushtetin.

– E kanë quajtur “Burri i shekullit të artë”, për të dëshmuar madhështinë e revolucionit dioklecianas të shtetit dhe shoqërisë.

Maximianus Herculius (Maksimiani)

Mendohet të ketë lindur mes viteve 249-250 pas lindjes së Krishtit në Sirmium, pranë Mitrovicës. Marcus Aurelius Valerius Maximianus ka qenë ushtar që në vegjëli. Ai madje ka luftuar në krah të Perandorit Dioklecian, dhe ka shërbyer në ushtri gjatë mbretërimit të Aurelianit dhe Probusit. Sipas historianëve me siguri ka qenë Diokleciani që më vonë e shpalli perandor të Nikomedeias më 20 nëntor 284. Bashkëshortja e tij Eutropia i dha atij dy fëmijë: Maksentius dhe Fausta. Kur perandori Diokleciani e kuptoi që perandoria ishte shumë e madhe për t’u qeverisur vetë, ai e bëri Maximianusin Çezarin e tij, dhe i ngriti deri në rangun e Augustit. Ndërkohë që Diokleciani sundonte në Lindje, Maksimianusi sundonte në Perëndim. Për t’u rritur në detyrë Maximianus merrte pjesë në aktivitete të shumta ushtarake. Pavarësisht se e pati të lehtë të pushtonte disa vende në vitin 286, e pati shumë të vështirë të përballej me galët në po të njëjtin vit.

Në çështjet politike, perandori dhe Çezari i tij ishin shumë të ndryshëm. Maximianusi ishte shumë i kursyer kur binte fjala për marrëveshjet me anëtarët e senatit romak, ndërsa marrëdhënia me fisnikët ishte mjaft e mirë. Më 1 maj 305 si Diokleciani, në Nicomedeia, ashtu edhe Maximianus Herculius, në Mediolanum, dhanë dorëheqjen. Kjo dorëheqje u bë për shkak të sëmundjes fatale që kapi Dioklecianin në fund të vitit 304. Mendohet se ka qenë vetë Diokleciani që i ka detyruar kolegët e tij të hiqnin dorë. Dorëheqja e Herculius nuk duket se zgjati shumë pasi në më pak se një vit më vonë më 28 tetor 306, djali i tij Maksentius u zgjodh perandor i Romës.

Galeri, perandori i fitoreve të bujshme

Galeri lindi në Ilir. Nuk dihet data e lindjes. Vdiq ne Serdica (Sofie) në vitin 311.

Sapo u emërua Çezar u nis në frontin e Danubit dhe gjatë viteve 294 deri në 295 korri fitore të mëdha mbi gotet. Në dy vitet që pasuan shpartalloi ushtritë e sarmantëve dhe markomanëve. Me këtë rast ndërtoi një fortesë në Aquincum (Budapesti i sotëm). Pjesa veriore e Panonisë së Poshtme u be provincë e re dhe u quajt Galeria Valeria, sipas emrit të gruas së tij. Kur persianët pushtuan provincën romake të Mesopotamisë, Galeri marshoi nëpër Armeni dhe i rrethoi, duke arritur që të pushtojë dhe kryeqytetin e tyre Ctesiphon. Ai imitoi Aleksandrin e Madh në betejën që zhvilloi në Narsë, duke mbajtur qëndrim miqësor ndaj familjes së mbretit persian Darius dhe duke marrë në mbrojtje fëmijët dhe gratë e qytetit. Me marrëveshjen e paqes që u nënshkrua, Mesopotamia e zmadhuar me territoret rreth Tigrit u rinjoh si provincë perandorake. Gjatë qëndrimit në fronin e Çezarit, Galeri e ndërtoi kryeqytetin e vet në Selanik, një vend strategjik ne rrugën Egnatia, që lidhte Romën me provincat e Azisë. Me ngjitjen në rangun e Augustit, ai u detyrua të shkonte në Nikomedi, në vend të Dioklecianit.

Konstandini i Madh, perandori që ndryshoi historinë

Emri:  Constantine.jpg

Shikime: 826

Madhësia:  59.0 KB

Konstandini i Madh kishte lindur më 27 shkurt të vitit 272, nga një familje fisnike ilire në Naissus të Dardanisë. I ati i tij Kostanti, ishte në kohën e Dioklecianit njëri prej dy Çezarëve, që mbretëronte në Galinë, Britaninë e madhe dhe Spanjën. Konstandini u dërgua të edukohej në oborrin e Dioklicianit. Në fakt atje mbahej si peng. Mbas vdekjes së Dioklicianit dhe Maksimianit, dy Çezarët, Galeri dhe Konstant Klori u ngritën në shkallën e Augustëve. Në këtë kohë, në vitin 305 Konstandini kthehet tek babai i tij. Por më 25 Korrik të vitit 306 i vdes babai, Konstanti në Jork dhe Konstandini shpallet August (perandor) nga ushtria, e cila përbëhej kryesisht nga ilirë (306).

Roma e re në buzë të Bosforit

Kur perandori ilir i Romës, Konstandini, e pa për herë të parë Bizantin, qyteti kishte thuajse njëmijë vjet jetë. Që në shekullin VII para Krishtit ekzistonte këtu një qytet i vogël, me akropolin në kodër, aty ku sot shtrihet Shën Sofia dhe Pallati i Sulltanëve. Në të vërtetë fillimisht Konstandini kishte në plan thjeshtë të ndërtonte një qytet, ku të përjetësonte emrin e tij, por pas vizitës së dytë në Romë, e pa se qyteti i vjetër, me tërë atë traditë republikane dhe pagane s’kishte se si të shndërrohet në zemrën e Perandorisë së re të krishterë. Prandaj në vitin 330 të erës sonë, në atmosferën e festimeve, që zgjatën katër ditë, Konstandini i Madh e transferoi rezidencën e tij perandorake në brigjet e Bosforit.

Konstandinopoja ishte e rrethuar me mure në pjesën e saj detare dhe një mur trefish në pjesën perëndimore. Për më shumë se njëmijë vjet, muret e Kostandinopojës e shpëtuan Perandorinë prej humbjeve, madje edhe prej zhdukjes së plotë prej armiqëve të saj të shumtë. Në fakt, muret e Kostandinopojës mbronin më shumë se Perandorinë; ato mbronin qytetërimin romako-bizantin. Qyteti ishte bërë prej kohësh shprehje e dëshirës konstandiniane për ndërtimin e Perandorisë së Krishterë Romake, e cila duhet të ishte shteti i të gjithë të krishterëve të botës, në kufijtë e mëparshëm të Perandorisë. Kisha dhe Shteti ishin bashkuar në një partneritet të pandashëm, që reflektonin rregullin hyjnor. Administrues i këtij rregulli ishte Perandori Romak, zëvendës i zotit në tokë dhe “Apostull i Trembëdhjetë i Krishtit”, që sundonte si një autokrat i krishterë prej selisë së tij në Kostandinopojë. Konstandini e pati lënë punën e nisur në mes dhe ndër pasardhësit, Justiniani siguroi madhështinë konstandiane. Ai shpenzoi gjithë periudhën e vet të sundimit për realizimin e madhështisë romake.

Të veçantat

- Perandori i parë i krishterë

- Themeluesi i Kostandinopojës. Vizioni i tij për Romën qytet të përjetshëm që mishërohej në Kostandinopojën jetoi për 1129 vjet.

– Ndërtuesi i objekteve më të mëdha kristiane. E quante veten përfaqësues të Zotit mbi tokë dhe i dha sundimit të vet karakter hyjnor.

– Është shpallur shenjt nga Kisha Katolikë. Kisha e Lindjes e konsideron si shenjtorin më të madh.

Maximinus II

Maximinus II (20 nëntor 270 – gusht 313), gjithashtu i njohur si Maximinus Daia ose Maximinus Daza, ishte perandor i Romës nga viti 308 deri në vitin 313. Ai u përfshi në shumë lufta civile për të mbajtur pushtetin, nga të cilat u mund nga Licinius. Një pagan i deklaruar, ai ishte i angazhuar në një nga persekutimet e fundit të krishterëve. U lind në fshatrat e quajtura Felix Romuliana, një zonë rurale në lindje të Danubit. Ai u ngrit shumë në detyrë pasi iu bashkua ushtrisë. Në vitin 305 xhaxhai i tij Galerius e adoptoi Maximinusin, duke e rritur atë në rankun e një Çezari dhe i dhuroi atij qeverinë e Sirisë dhe Egjiptit. Maximinus filloi ta stilonte veten si Augusti gjatë fushatave ushtarake. Pas vdekjes së Galerius në vitin 311, Maximinus e ndau Perandorinë Lindore mes Licinius dhe vetes. Kur Licinius dhe Konstandini filluan të miqësoheshin shumë, Maximinus hyri në një aleancë sekrete me uzurpatorin Maxentius, që kontrollonte Italinë. Ai hyri në luftë të hapur me Licinius në vitin 313; thirri një ushtri prej 70,000 burrash por pësoi një humbje të madhe. Një vit më pas ai vdiq, dhe shkaqet e vdekjes së tij nuk ishin asnjëherë të qarta. Maximinus kishte një emër të keq në radhët e të krishterëve pasi rinisi persekutimin e tyre pas publikimit të Ediktit të Tolerancës nga Galerius, duke vepruar në përgjigje të kërkesave të autoriteteve të ndryshme urbane që kërkuan të dëbojnë të krishterët.

Valentinian I

Valentinian I (lindi në vitin 321 – vdiq më 17 nëntor 375), ishte perandor romak me origjinë ilire nga viti 364 deri në vitin 375 i cili mbrojti me mjeshtëri dhe sukses kufijtë e Perandorisë Perëndimore kundër pushtimeve gjermanike. Valentinian, i cili ishte i biri i një oficeri ushtarak ilir u pozicionua në Panonia (në qendër të Europes), iu bashkua ushtrisë dhe babait të tij me shërbim në Afrikë. Nëntë ditë më vonë komandantët e ushtrisë e shpallën Valentinian perandor në. Më 28 mars ai zgjodhi vëllain e tij më të vogël, Valens, si bashkësundues, dhe e vendosi atë si sundues të Lindjes, ndërsa vetë mbajti perëndimin. Të dy pranuan të lejonin tolerancë fetare. Me energji të pashtershme, Valentiniani vendosi të fortifikojë dhe mbrojë kufijtë. Në janar të vitit 365 gjeneralët e tij u mposhtën nga gjermanikët; dhe në muajin tetor Valentinian ishte vendosur në Paris, nga ku drejtori operimet kundër rivalëve. Për të forcuar linjën e trashëgimisë, Valentinian në vitin 367, zgjodhi djalin e tij 8-vjeçar, Gratian, si bashkëperandor. Vetë vdiq si pasojë e një ataku në zemër. Pavarësisht arritjeve të tij, Valentinian portretizohej nga historiani i madh pagan Ammianus Marcellinus si nevrik, frikacak dhe supersticioz. Jerome e përshkruan atë si tolerant, trim, dhe të përgjegjshëm.

Valens

Valens (lindi në vitin 328 – vdiq më 9 gusht 378), emri i plotë i të cilit ishte Flavius Julius Valens Augustus ishte Perandor i pjesës lindore të Romës nga viti 364 deri në vitin 378. Atij iu dha gjysma e e perandorisë, ajo e pjesës lindore nga vëllai i tij më i madh Valentinian I pasi ky i fundit mori fronin. Valens, ndonjëherë i njohur si perandori i fundit i Romës, u mund dhe u vra në Betejën e Adrianopojës, që shënoi fillimin e fundit të Perandorisë së Madhe romake. Valens dhe vëllai i tij Valentinian lindën të dy në Cibalae (Kroacinë e sotme) në një familje ilire. Ata u rritën në shtëpi të mëdha që ishin blerë nga i ati i tyre në Afrikë dhe Britani. Ndërsa Valentinian kishte bërë një karrierë të kënaqshme e të suksesshme në ushtri përpara se të bëhej perandor, nuk mund të thuhej e njëjta gjë për Valensin. Ai e kishte shpenzuar pjesën më të madhe të rinisë së tij në shtëpi, dhe ishte bashkuar ushtrisë vetëm në fund të viteve 360 ku mori pjesë me vëllain e tij në fushatën ushtarake perse të perandorit Julian. Gjatë mbretërimit të tij Valensit i duhej të përballej me diversitet teologjik që në fillim të krijimit të divizionit të tij në Perandori. Valensi dhe Valentinian I kishin pikëpamje të ndryshme teologjike.

Gratian

Gratian, (Flavius Gratianus Augustus) lindi në Iliri në vitin 359- vdiq në gusht të vitit 383. Ai shërbeu si perandor i Romës nga viti 367 deri në vitin 383. Gjatë kohës së mbretërimit të tij ai e ndau sundimin së bashku me të atin Valentinian I dhe xhaxhain e tij Valens. Duke e deklaruar djalin e tij 8-vjeçar Gratian si Augusti (bashkësundues), babai i tij kërkonte të ndërtonte një trashëgimi familjare mbretërore. Arsimimi i djalit iu besua poetit Ausonius, i cili ishte një prefekt pretorian. Pas vdekjes së Valentinian I (në nëntor të vitit 375), Gratian ishte tashmë sundimtari i vetëm i Perëndimit. Pas një periudhe të shkurtër ai njohu si kolegun e tij gjysme-vëllain 4-vjeçar, Valentinian. Nën ndikimin e Ausonius Gratian kërkonte që sundimi i tij të ishte i mirë e popullor. Ai e shpenzoi pjesën më të madhe të mbretërimit të tij duke u ndeshur me fiset që kërkonin të pushtonin tokat. Në vitin 378 ai u vonua pak për të marrë pjesë në betejën e përgjakshme me Gotët në Adrianopojë. Për të zëvendësuar Valensin, që u vra në konflikt, Gratian vendosi Theodosius perandor në lindje në vitin 379. Kur në vitin 383, Gratiani dëgjoi se në Britani ishte vetëshpallur një perandor me emrin Magnus Maximus, për ta ndalur atë që të pushtonte më shumë tokë, ai vendosi të ndërhynte. Por Gratiani u dezertua nga trupat e tij, dhe ndërsa kërkonte arratisjen në Alpe, ai u vra në tradhëti nga gotët.

Marciani

Marciani (Flavius Marcianus Augustus) (lindi në vitin 392 – vdiq më 27 janar 457) ishte një perandor bizantin me origjinë ilir nga viti 450 deri në vitin 457. Sundimi i Marcianit shënjoi rikuperimin e Perandorisë Lindore, të cilën perandori e mbrojti nga sulmet dhe kërcënimet e jashtme dhe bëri reforma në ekonomi. Nga ana tjetër politikat izoluese të Marcianit e lanë Perandorinë Perëndimore Romake pa ndihma kundër sulmeve barbare, që u materializuan në fushatat italiane në Attila në vitin 455. Kisha Ortodokse Perëndimore e njeh Marcianin si një shenjtor për rolin e tij në përfshirjen në Këshillin e Kishës. Marciani lindi në Iliri dhe ishte djali i një ushtari dhe e shpenzoi jetën e tij si ushtar që kur ishte i ri, si anëtar i njësive ushtarake në Filipopolis. Maraciani u dërgua me njësinë e tij ushtaake kundër armiqve, por gjatë rrugës për në lindje ai u sëmur në Lycia. Në atë kohë ishte komandant i ushtrisë së tij. Pasi mori veten nga sëmundja shkoi në Kostandinopojë, ku shërbeu për 15 vite si gjeneral. Me ndihmën e gjeneralëve të tjerë ai u bë kapiten i linjës së mbrojtjes. Por pas vdekjes së Theodosiusit, ai u zgjodh të qeveriste Perandorinë Romake e cila ishte dobësuar disi nga sulmet e hunëve. Marciani bëri reforma në ekonomi, dhe ripopulloi qarqet e shkatërruar. Një nga punët e tij të tjera të mira ishte Këshilli i Kalcedonit në vitin 451. Marciani injoroi marrëveshjet me Perandorinë Perëndimore duke e lënë gjysmën e perandorisë në mëshirë të fatit. Pas një lufte të gjatë me prijësin e Hunëve, Atilën, Marciani ishte i lumtur që e kishte parë të vdekur Atilën para syve të tij. Marciani vdiq më 27 janar 457 nga sëmundja e gangrenës. Ai u varros në kishën Apostoli i Shenjtë në Kostandinopojë.

Anastasi

Perandori Anastas (491-518), i cili hipi në fronin perandorak në vitin 491 kishte lindur në Durrës. Anastasi e rrethoi Durrësin me mure, duke ndërtuar kështjellën e famshme me tre mure rrethuese dhe katër kulla. Gjithashtu ndërtoi edhe hipodromin. Ai sundoi gati 20 vjet dhe përmendet për disa reforma. Anastasi bëri reformimin e taksave, të cilat nuk do të mblidheshin si më parë nga këshillat, por nga nëpunësit e financës të emëruar nga prefekti pretorian. Gjithashtu ai bëri edhe reformën monetare duke vënë në qarkullim monedhat prej bronzi në vend të atyre prej bakri. Në kohën e sundimit të Perandorit Anastas u ndaluan ndeshjet midis gladiatorëve nëpër amfiteatre. Anastasi vdiq më 1 korrik të vitit 518. Ai përmendet në histori për ndërtimin e murit të gjatë përreth Konstandinopojës.

Justiniani i Madh i Ilirisë

Justiniani lindi në Bederiana të Dardanisë në vitin 482. Vdiq në Konstandinopojë më 14 nëntor të vitit 565. Perandor: 1 gusht 527- 14 nëntor 565.

Emri:  Mosaic_of_Justinianus_I_-_Basilica_San_Vitale_Ravenna.jpg

Shikime: 2063

Madhësia:  119.2 KB

Të veçantat

Justiniani dallohet për dijet e thella, vullnetin e jashtëzakonshëm për punë dhe kulturën e nevojshme për ripërtëritjen e idesë pernadoke romake. Duke marrë arsimim të plotë, Ai mundi të ishte kompetent në shumë fusha: teologji, politikë, strategji ushtarake, art, arkitekturë, shkencë.

U përgatit shumë gjatë për në fron, më me kujdes se të gjithë sunduesit e tjerë të Perandorisë Bizantine.

Ishte Perandori i fundit që bëri përpjekje për t’i bashkuar pjesët lindore dhe perëndimore të Perandorisë.

Sundimi i Justinianit u karakterizua prej autoritarizmit. Ai mendonte se ishte instrumenti i zotit në tokë. Autoritarizmi i tij shkoi deri në ekstrem, pasi i shtypte të gjithë kundërshtarët pa mëshirë, pavarësisht se kush ishin dhe çfarë meritash kishin patur në karrierën e tyre.

I dha më shumë përparësi aristokracisë së meritave. U angazhua personalisht për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve me Papën.

Teodora, bashkëshortja e tij ishte Perandoresha më e shquar e Bizantit dhe përmendet si gruaja që ka ndikuar në vendimet polotike të burrit të saj, më shumë se të gjitha bashkëshortet e perandorëve të Romës së Vjetër dhe të Romës së Re.

Sundimi i Justinianit ndahet në tre periudha: në vitet 527-533 saktësoi programin e qeverisjes, duke fituar autoritet dhe shprehur dëshirën për bashkimin e Perandorisë; në vitet 533-540 u bënë përpjekje për të realizuar objektivat dhe në periudhën e fundit, në vitet 540-565, që quhet edhe periudha e vështirësive, Perandoria u gjend përballë sulmeve të njëpasnjëshme prej barbarëve.

Idealist i flaktë


Perandori Justinian u ngjit në fron për të realizuar ëndrrën e tij të bashkimit të botës romake. Ishte një ëndërr fantastike dhe madhështore. Edukata që kishte marrë e kishte bërë një adhurues fanatik të fuqisë romake. Atij i dukej se duke u shtrirë nga Lindja, Bizanti i largohej gjithnjë e më shumë rrugës së lavdishme të fatit të tij. Justiniani nuk mund të pranonte që sovraniteti i Kostandinopojës mbi Perëndimin të mbetej sajesë oratorike dhe diplomatike. E gjithë jeta e Justinianit iu kushtua rikrijimit të trupit gjigand, koka e të cilit kishte qenë Roma dhe duke i përzënë barbarët nga territoret e pushtuara, ai do të përkulej nën flamurin e dyfishtë të Perandorit dhe të Krishtit.

Në vitin 548 e tërë Afrika e Veriut ndodhej në Perandorinë Bizantine. Pas fitoreve ushtarake në Afrikë vëmendja e Justinianit dhe e gjeneralëve të tij u kthye drejt Italisë. Dy ushtri u dërguan atje, e para nën komandën e Mundit, një gjeneral ilir, që pushtoi fillimisht Dalmacinë dhe pastaj e sulmoi Italinë nga lindja dhe e dyta, nën komandën e gjeneralit tjetër ilir, Belisarit, që zbarkoi në Siçili dhe e sulmoi Italinë nga jugu.

Italia iu nënshtrua Justinianit në vitin 555, pas 20 luftërash. Organizimi i brendshëm i Italisë u vendos të bëhej përmes vendosjes së pronës së madhe tokësore me pronarët e vjetër romako-italianë. Pas Italisë luftimet vazhduan në mbretërinë visigote në Spanjë, ku qëndresa ishte më e dobët. Bashkimi i Italisë dhe Spanjës me Perandorinë ishte padyshim një rezultat madhështor, ku Justiniani shihte justifikimin e politikës së tij. Objektivi ishte pranë realizimit, mungonin vetëm Galia dhe ishujt britanikë, që Perandoria të shkonte në kufijtë e Perandorisë Romake.

Sundues i qendrës së botës

Justiniani synonte forcimin e vazhdueshëm të shtetit, prandaj i dha një shtytje të fuqishme veprimtarisë ekonomike. Në bujqësi ai mbështeti lirimin e skllevërve dhe lidhjen e tyre me ngastrat e vogla të tokës, që i merrnin për t’i punuar. Gjatë periudhës së sundimit të Justinianit tregtia e Bizantit u rrit shumë dhe Kostandinopoja u bë qendra e botës. Deti Mesdhe, pas pushtimeve në Afrikë, Itali dhe Spanjë, u kthye në liqen romak.

Ndërtues dhe përjetësues i veprës së vet

Justiniani mundi t’u shtonte titujve të tij perandorak dhe atë të ndërtuesit. Ai ndërtoi qytete të reja, riparoi qytetet e vjetra, apo qendrat e banimit të shkatërruara prej luftërave, ngriti katedrale të mrekullueshme, pallate madhështore, sistemoi rrjedhjen e shumë lumenjëve, ndërtoi ujësjellësa, shatërvane, rrugë me portikë, e tjerë si dëshmi konkrete të madhështisë së sundimit të tij. Kostandinopoja, pjesërisht e shkatërruar pas zjarrit që kishte rënë në vitin 532 u rindërtua me një shkëlqim që nuk e kishte parë deri atëherë. Libri Ndërtimet i Prokopit është një katalog i veprës ndërtuese të Justinianit

Codex Justinianus- Kodi i Justinianit

Për të sunduar Justiniani kërkonte krijimin e strukturave administrative unike. Ai këmbëngulte që në shtet të kishte rregull të brendshëm. Sipas konceptit të tij për absolutizmin perandorak, Sovrani duhet të ishte doemos ligjvënës dhe ligji nuk i dukej atij një armë më pak e çmuar për qeverisjen e brendshme se sa fuqia ushtarake për mbrojtje, apo për pushtim. Në veprimtarinë e tij të parë legjislative përmenden ligjet kundër homoseksualëve, paganëve dhe heretikëve.

Në kohën e sundimit të Justinianit u shfaqën në qytetet e mëdha shkollat e së drejtës, si ato rajonale dhe ato perandorake. Perandoria kishte depozituar kohë pas kohe aluvionet e njëpasnjëshme të kushtetutave perandorake. Nuk ishin shfuqizuar parashkrimet e drejtësisë së vjetër, që ishin bërë për gjykatësit një lëmsh, ku zgjidhja bëhej e pamundur. Prandaj kjo tërësi ligjesh duhet të rishikohej dhe në bazë të parimeve rigoroze të bashkohej në një kod të vetëm.

Me 13 shkurt 528, me urdhërin e Perandorit u formua një komision prej 10 vetësh, nëpunës të lartë që njihnin të drejtën dhe juristë e profesorë të njohur, të cilët u ngarkuan me hartimin e Kodit, që në histori ka hyrë me emrin Kodi i Justinianit. Brenda katërmbëdhjetë muajve, komisioni perandorak përfundoi shqyrtimin e të gjitha ligjeve të mëparshme dhe pasi bëri zgjedhjet, heqjet dhe thjeshtimet e duhura, krijoi Kodin e Justinianit (Codex Justinianus), që do të shërbente si instrumenti i vetëm juridik i shtetit. Ky kod i dha madhështi Perandorisë. Kodi i Justinianit i mbijetoi kohës. Ai u mësua gjatë Mesjetës dhe Kohës së Re, si lëndë kryesore në fushën e të drejtës. E Drejta Romake, e kodifikuar prej juristëve të Justinianit, u ndikua prej filozofisë kristiane dhe u përdor në Lindje dhe në Perëndim deri në fund të shekullit XVIII.

Arti bizantin i periudhës së Justinianit

Periudha e Justinianit përfaqëson një nga epokat më të admirueshme në zhvillimin e artit dhe të shijeve artistike. Të gjitha forcat e gjalla krijuese të Lindjes, duke u kombinuar me traditën helenistike i dhanë jetë artit perandorak. Paganizmi aziatik dhe shpirti grek u përzien dhe u përshtatën në forma të reja në shërbim të lavdisë së Jezus Krishtit dhe të Perandorit, që e konsideronte veten si përfaqësuesin e vërtetë të Zotit mbi tokë.

Arti bizantin u mbështet në ikonografinë perandorake dhe mitologjinë antike. Veprat më të mëdha të artit bizantin të periudhës së Justinianit ishin katedralja e Shën Sofisë në Konstandinopojë, kisha e Shën Vitalit në Ravena dhe një kompleks ndërtimesh në Kryeqytet, për të cilat kemi folur më lart.

Shën Justiniani

Justiniani e kuptonte mirë forcën e kishës. Perandori i shihte fuqinë e kishës si një nga elementët e pushtetit të vet. Besimi fetar zinte një vend të madh në jetën dhe mendimin e tij. Aspiratat e tij universaliste nuk vinin vetëm prej frymëzimit romak, por edhe prej frymëzimit të krishterë. Që nga Teodosi e këtej asnjë sovran tjetër nuk ishte angazhuar sa ai në procesin e kristianizimit të shtetit dhe në luftën kundër paganizmit. Në vitin 529 ndaloi mësimdhënien dhe mbylli Akademinë e Athinës, djepin e paganizmit. Pedagogët u dëbuan dhe gjetën strehim në oborrin e mbretit persian. Kisha e krishterë gjeti tek Justiniani jo vetëm mbrojtësin, por edhe kryetarin e vet. Perandori i konsideronte papët dhe patriarkët si shërbëtorë të tij. Sovrani me të njëjtin stil siç drejtonte punët shtetërore, drejtonte edhe punët e fesë, duke i rezervuar vetes të drejtën për të vendosur në çështjet dogmatike dhe liturgjike. Ai drejtoi koncile kishtare dhe shkroi himne fetare. Sipas doktrinës fetare të asaj kohe, Perandori ishte caktuar nga Zoti për të qeverisur botën dhe në mes tij dhe Zotit nuk duhet të kishte asnjë ndërmjetës.

Justiniani vazhdoi t’i jepte më shumë rëndësi selisë episkopale të Romës, sipas konceptit të tij të unitetit roman të kishës, ku Roma duhet të ishte në qendër. Perandori nuk mund ta rimëkëmbte Perandorinë Romake pa iu nënshtruar Romës në aspektin fetar. Ai ishte i bindur se Roma përfaqësonte ortodoksinë. Mbrojtës i ortodoksizmit dhe i prirur për t’i dhënë Romës prova besnikërie, Justiniani u bë luftëtar kundër herezisë fetare në Lindje.

Për rolin e jashtëzakonshëm të Justinianit në mbrojtjen e doktrinës kishtare, ruajtjen e unitetit fetar dhe ngritjen e katedraleve, bazilikave dhe kishave në të katër anët e Perandorisë u shenjtërua. Festa e Shën Justinianit është me 14 nëntor. Sot përkujtohet në të gjithë botën e krishterë, veçanërisht në krishterimin e ritit lindor.

Justiniani dhe ilirët

Justiniani ka qenë shumë i lidhur me vendlindjen dhe popullin që i përkiste. Kjo nuk ishte thjeshtë lidhje shpirtërore dhe nostalgji për prejardhjen. Ai u mbështet shumë në rrethin e vet familjar dhe bashkëkombasit e vet ilirë, që përbënin një forcë kryesore në ushtri dhe në aparatin shtetëror. Në një nga mbishkrimet e gjetura në Itali bëhet fjalë për numrin e madh të ilirëve (numerius felix Illyrianorum), që shërbenin në ushtrinë perandorake. Kujtojmë edhe rolin e madh të tre gjeneralëve ilirë: Belisari, Mundi dhe Germani (kushëri i tij) për mbrojtjen e Perandorisë dhe realizimin e ambicieve të Perandorit. Por ndryshe nga perandorë të tjerë ilirë, Justiniani nuk u mjaftua me ilirizimin e kastës perandorake dhe u përpoq që Iliria të kishte një status të veçantë dhe të ishte më i privilegjuar se rajonet e tjera.

Justiniani ndërtoi vetëm në Dardani tetë qytete të reja dhe meremetoi pesëdhjetë e një qytete të tjera. Po kështu në Epirin e Ri, që i përkiste Shqipërisë së Mesme, Perandori ndërtoi tridhjetë e dy kështjella të reja dhe meremetoi tridhjetë e gjashtë ekzistuese. Ndërsa në territorin e Epirit të Vjetër, që i përket territorit të Shqipërisë së Jugut u ndërtuan dymbëdhjetë kështjella të reja dhe u meremetuan dyzet e shtatë kështjella të tjera. Perandori rindërtoi krejtësisht qytetin e Singidinumit dhe e rrethoi me fortesa shumë të rëndësishme. Po kështu ngriti një fortesë të madhe në afërsi të këtij qyteti.

Me emrin e vet, Justinianopolis, Perandori pagëzoi edhe qytetin Adrianopolis në Epir. Gjithashtu pranë Justinianës së Dytë, u ndërtua një qytet i ri, i quajtur Justinopolis, për nder të dajës së Augustit, themeluesit të dinastisë, Perandorit Justin I.

Justinani u kujdes që Iliriku të ndihej i sigurtë dhe e bëri mbrojtjen e territoreve ilire prej sulmeve të barbarëve një çështje personale. Në territoret ilire u ndërtuan 43 fortesa të reja dhe u riparuan 50 fortesa të tjera. Kur në vitin 540 hordhitë bullgare dhe sllave sulmuan Ilirikun, Justiniani ndërtoi,ose meremetoi rreth 400 vendfortifikime, shumica prej të cilave shumë larg kufijve.

Justiniani në histori

Justiniani konsiderohet si njeriu më i kulturuar i shekullit të vet. Është konsideruar si i fundit ndër perandorët e mëdhenj. Ai ishte frymëzuesi më i madh i të gjitha sipërmarrjeve të kohës së tij. Kodi i Justinianit hodhi themelet e të drejtës moderne. Gjithashtu në atë periudhë u krijua arkitektura bizantine, u ndërtuan dhjetra qytete, qindra kështjella,ujësjellës, ura, kisha, bazilika dhe katedrale, përfshirë Katedralen e Shën Sofisë që është konsideruar si njëra ndër mrekullitë e botës së vjetër.

Si askush tjetër para dhe pas tij, Justiniani u përpoq të ndalë vrullin oriental të Perandorisë, për t’i u kthyer madhështinë dhe lavdinë e Perandorisë Romake. Me Justinianin përfundon një epokë. Ai u bë Perandori i fundit romak i ulur në fronin e Bizantit, jo thjesht se e fliste keq greqishten, por sepse kishte mendësitë e një latini dhe arsyetonte me logjikën e Perandorisë së lashtë Romake. Ky burrë shteti nuk kishte dashur ta kuptonte se ajo Perandori ishte diçka e vjetruar; se kishte perënduar ajo kohë kur historia mund të vërtitej sipas vullnetit të një njeriu të vetëm. Megjithatë sa ishte gjallë ai e pothuajse e krijoi Perandorinë e njësuar Romake, të cilës i dha shkëlqim dhe lavdi të jashtëzakonshme. Në një kuptim, Justiniani ishte perandori i fundit romak. Dante e percepton Justinianin si përfaqësuesin e denjë të Perandorisë së Romës. Si përfundim, shekulli VI mbizotërohet nga personaliteti i Justinianit, kurse sundimi i tij shënon pikën kulmore të Perandorisë Romake të Lindjes. Justiniani i Madh është njëri ndër personalitetet më të shquara historikë të Kohës së Vjetër dhe padyshim sunduesi më i lavdishëm i Perandorisë njëmijë e njëqindvjeçare të Bizantit./Përgatiti: Tirana Observer


Lista me emrat e Perandorëve romakë me prejardhje nga Iliria

Decius – 249-251

Hostilianus – 251

Claudius II “Gothicus” 268-270

Quintillus – 270

Aurelian – 270-275

Probus – 276-282

Diokleciani – 284-305

Maximianus “Herculius” – 286-305

Galeriusi – 305-311

Konstandini I – 306-337

Maximinus Daia – 308-313

Jovian – 363-364

Valentinianus I – 364-375

Valens – 364-378

Gratian – 375-383

Valentinianus II – 375-392

Marcianus – 450-457

Anastasius I – 491-518

Justin I – 518-527

Justinian I – 527-565

Përgatiti: Tirana Observer