…Familja ime është nga më të varfërat në këtë vend, në atë pikë që ne nuk arrijmë të hamë dot as bukë thatë…”

Kaluan 15 vite që nga dita kur dolën në rrugë të madhe, 3 fëmijë në duar e shumë halle mbi supe...

“Këto 15 vite kanë qenë të zeza për ne, por dita më e keqe ishte kur më kanë nxjerrë fëmijët e vegjël nga shtëpia. Ishte një ftohtë i madh e fëmijët ishin të vegjël. Fillimisht qëndruan në divan këtu te porta, pas 10 ditësh ndërtuam këtë barake ku jetojmë edhe sot“.

Vendi ku jetojnë prej më shumë se 4380 ditësh, vendi që e quajnë shtëpi është si kala prej rëre, veçse ata e kanë ndërtuar me çarçafë e plasmasë, kartona e llamarina.

Drita nuk kanë, i kanë prerë prej kohësh... rrobat i lajnë me ujë të ftohtë, enët prej disa ditësh nuk po i lajnë dot, rrobat me lagështi e të pahekurosura, kurse për t’u ngrohur në të gdhirë ndezin një zjarr anash banesës...me kartona apo drurë që kanë mbledhur gjatë ditës.

Për banesë sociale nuk arrijnë të plotësojnë dot as kushtet. Thonë se enden zyrave të punës, shkojnë vetë nëpër biznese, por kurrkund nuk kanë gjetur një punë stabël.

Fëmijët janë rritur...shkojnë në shkollë, por çdo ditë që kalon i bën më të ndjeshëm.. aq sa as miqve të tyre nuk duan t’ia thonë realitetin.

Dëshpërimisht kërkojnë zgjidhje... e çdo ditë flenë e zgjohen me një dëshirë të vetme.

“Atë ditë që do fus fëmijët në një shtëpi, i lutem zotit, atë ditë nuk ka më problem..le të mos ketë më jetë për mua“, thotë burri i shtëpisë.

/ Top Channel