Nëse ankoheni nga temperaturat pak gradë nën zero që kanë goditur ditët e fundit vendin tonë, kujtoni që ka gjithmonë më keq.



Mund të ishit banor i qytetit më verior të globit, Norliskut në Rusi, ku temperaturat në këtë periudhë të vitit kanë zbritur në -55 gradë celcius dhe ku dy muaj me radhë ka vetëm natë.

Me 170 mijë banorët e tij, ky qytet i vendosur në skajet veriore të Siberisë është qendra më e madhe e vendosur më pranë Polit të Veriut. Aktiviteti kryesor i banorëve të kësaj zone është miniera.

Acari zgjat më shumë se 180 ditë të vitit, 130 ditë të tjera shoqërohen me stuhi të mëdha dëbore dhe erëra dhe dy muajt e mbetur nga errësira; që do të thotë se nata zgjat 24 orë ose ajo që njihet ndryshe si “nata polare”.

Vendosja gjeografike e bën këtë qytet më të izoluarin në botë. E vetmja mënyra për të arritur atje është përmes rrugëve ajrore ose detare dhe në pak ditë të vitit përmes lundrimit në lumenj, nëse është e mundur.

Në këto kushte ekstreme, komuniteti i vendosur në këtë zonë të Rusisë përpiqet të zhvillojë një jetë normale. Vendet e argëtimit nuk mungojnë, ndërkohë që ato pak ditë me diell dhe me temperaturat 0 gradë, shfrytëzohen në maksimum për të marrë rreze.

Transporti urban është funksional dhe në kohë stuhishë apo moti të keq, 20 autobusët që çojnë minatorët në punë udhëtojnë në kolonë në mënyrë që nëse njëri prej tyre pëson defekt, atëherë pasagjerët shpërndahen nëpër autobusët e tjerë.

Përse të zgjedhësh të jetosh në një vend të tillë? Pagesat dhe ndihmat nga shteti janë të konsiderueshme në krahasim me të ardhurat mesatare për frymë të rusëve dhe qëllimi është mbajtja në këmbë e kompleksit më të madh metalurgjik në botë, i cili prodhon 2 përqind të GDP-së së ekonomisë ruse.

/ Top Channel