Close
Faqja 4 prej 4 FillimFillim ... 234
Duke shfaqur rezultatin 61 deri 65 prej 65
  1. #61
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Lulet në Sheshin e Shën Pjetrit, sivjet, simbol i mëshirës


    Në dokumentin e tij kushtuar krijimit, Papa kujton se Françesku i Asizit ishte aq pranë natyrës, sa u predikonte deri luleve. Sot, 27 mars, lulerritësit holandezë e stolisën përsëri tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, mbi të cilën u drejtuan sytë e mbarë botës, me më se 35 mijë lule, bimë e pemë zbukuruese në lulëzim. Është tashmë viti i 30-të që sektori i lulerritësve holandezë vjen të stolisë këtë vend, në këtë solemnitet, të ndjekur nga miliona teleshikues nga të katër anët e botës. E jo më pak, nga turistët, që kalojnë Pashkët në Romë e nuk mund të largohen pa e parë këtë pranverë të jashtëzakonshme, që mbin papritmas mbi gurë.

    Mesazhi
    E sivjet zbukurimi, përveçse kornizë e kremtimit fetar, ishte edhe simbol i mesazhit të Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, shpallur nga Papa Françesku. Pashkët e Ngjalljes janë ngjarje e pashembullt, për të nënvizuar vlerën e luleve e të pemëve, pjesë përbërëse e një mori çastesh të rëndësishme të jetës njerëzore.
    E nuk kanë mbirë e as janë rritur në një ditë të vetme, këto lule: përgatitja e tyre filloi që vjeshtën e kaluar. Në shkurt, duke pasur parasysh se lulet nisin të lulëzojnë pas Pashkëve, shtegtaret drejt Romës u ngujuan në gonxhe, për të shpërthyer ku e kur duhej: në këtë Shesh e në këtë Ditë solemne. Për këtë punuan 25 lulerritës holandezë, që u nisën që të martën e kaluar nga Holanda, për të arritur në Romë të enjten, bashkë me lulet, vendosur në mjedise të përshtatshme me ajër të kushtëzuar. Çast magjik ky; çdo vit një kamion ngarkuar me lule arrin në Sheshin e Shën Pjetrit. Të premten lulerritësit krijojnë kompozimet e mëdha. Në orën 06.00 të së shtunës, nisin vendosjen përfundimtare të zbukurimeve të sheshit.

    Simbolika
    Sivjet lulet kanë dhe vlerë simbolike: nënvizojnë mesazhin e Pashkëve të Mëshirës. Si zakonisht, sundojnë ngjyra e verdhë dhe e bardhë, ngjyrat simbolike të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Ndërsa zbukurimi i tremes është kompozuar kryesisht me trëndafilë Avalanche. Ngjyra e tyre e bardhë është simbol i dashurisë së pastër shpirtërore, i besimit, pafajnisë, jetës së re e përvujtërisë, vlera, që përfshihen përsosurisht në temën e mëshirës.
    Ndërsa lozha, prej nga Papa i dha bekimin apostolik dhe ndjesën e plotë Romës e Botës, ishte stolisë me Pyrus, degë të lulëzuara nga druri i dardhës, simbol i dashurisë së Krishtit për njerëzimin. Nga kjo lozhë Françesku i falënderoi nga zemra lulerritësit e Holandës, që e përhapën në mbarë botën Mesazhin e mëshirës, shkruar me gjuhën e heshtur të luleve.

  2. #62
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Papa: Zoti i jep gjithnjë kujt mëkaton dinjitetin


    të ngrihet përsëri në këmbë




    “Ndjesa e Zotit është gjithnjë më e madhe se çdo mëkat”. E pohoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në praninë e 30 mijë vetëve. Me katekizmin e sotëm, Ati i Shenjtë përfundoi ciklin kushtuar Mëshirës në Besëlidhjen e Vjetër. Zoti e zhduk mëkatin me gjithë rrënjë, kujtoi Papa, duke theksuar, në përfundim: “Nëse ti dëshiron të falesh, fal!”.

    Shtrije dorën drejt qiellit, siç bën fëmija, që e shtrin drejt nënës a atit, kur rrëzohet përdhe. Shtrije kah Zoti. Sepse Ai të fal gjithnjë e ta kthen dinjitetin, duke të ndihmuar të ngrihesh përsëri në këmbë. Të ngre gjithnjë. Sa herë gabon e pendohesh.

    Më i madh se çdo mëkat
    Papa Françesku e përfundoi ciklin e katekizmit kushtuar Mëshirës në Besëlidhjen e Vjetër, duke përmbledhur në të, gjithë reflektimin e tij, që është edhe zemra e Jubileut: “Zoti nuk lodhet kurrë duke e falur atë, që lyp falje”. E, për ta shpjeguar më mirë këtë, citoi vargjet e Psalmit 51, atij, në të cilin Davidi mbret ngre zërin në kupë të qiellit, i dërrmuar nën barrën e mëkatit të dyfishtë, që ka bërë: grabitjen e gruas së gjeneralit të vet e edhe vrasjen e pabesë të tij. Davidi e ndjen veten të padenjë para Zotit. Ia rrëfen me lot në sy mëkatin. Pendohet me gjithë shpirt. Pa u turpëruar nga mjerimi i vet, ia beson gjithë vetveten mëshirës hyjnore: “Ki mëshirë për mua, o Zot, sipas mëshirës sate! Pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim! Më laj krejtësisht prej mëkatit! Më pastro prej fajit!”. Kështu lutet me gjithë forcën e shpirtit mbreti i penduar, në gjunjë para Zotit! Fjalë të denja për t’u pësëritur sa herë kërkojmë falje:
    “E vetmja gjë, për të cilën ne kemi vërtet nevojë në jetën tonë, është të falemi, të çlirohemi nga e keqja e nga pasojat e saj vdekjeprurëse. Për fat të keq, jeta na bën t’i provojmë shpesh herë këto situata: e kur na pushton ankthi, duhet t’ia besojmë krejtësisht vetveten mëshirës së Zotit. Zoti është më madh se mëkati ynë. Të mos e harrojmë kurrë këtë! Është shumë më i madh sesa të gjitha mëkatet, që mund të bëjmë”.


    Zoti e shlyen mëkatin, e shkatërron

    Papa hyri deri në skutat më të fshehta të dinamikës së mëshirës hyjnore. Psalmi, vijoi të pohojë, tregon se ta pranosh fajin tënd, do të thotë të kremtosh drejtësinë dhe shenjtërinë e Zotit. E edhe ta shikosh me sytë e tu se Zoti nuk mjaftohet t’ia shprehë dashamirësinë e tij mëkatarit. Bën shumë më tepër:
    “E shkatërron mëkatin, e shlyen. E shkul me gjithë rrënjë, jo siç bëjnë në lavanderi, kur çojmë rrobat për t’i pastruar. E ua heqin njollën. Jo! Zoti e shlyen mëkatin tonë me gjithë rrënjë, krejtësisht! Pa lënë shenjë as dukë”.
    Me ndjesën hyjnore, vijoi Françesku, njeriu e kthen plotësisht faqen e jetës, hap një faqe të bardhë, të pashkruar. Bëhet krijesë e re, përplot me Shpirtin e Zotit e me gëzim. Madje, shtoi Papa, duke e pranuar hirin hyjnor, mund t’i mësojmë edhe të tjerët të mos mëkatojnë më.
    Kur rrëzohet fëmija, çfarë bën? - pyeti Ati i Shenjtë. - I shtrin dorën s’ëmës a të atit, që ta ngrenë përsëri. Ta bëjmë edhe ne të njëjtën gjë! Nëse ti bie, sepse i ligështuar nga mëkati, shtrije dorën! Zoti do ta shtrëngojë dorën tënde me dorën e tij hyjnore e do të të ndihmojë të ngrihesh përsëri, të çohesh në këmbë, sepse Ai i krijoi burrin e gruan të rrinë në këmbë, e jo të hiqen zvarrë.


    Fal, nëse dëshiron të falesh

    Së fundi, ndaje hirin hyjnor të faljes edhe me të tjerët. Kush u fal nga Zoti, përfundoi me një ton urdhëror Françesku, nuk mund të mos sillet po kështu me njerëzit, që e rrethojnë. I faluri nuk mund të mos falë:
    “Të gjithë ata, me të cilët na rrethoi Zoti, familjarët, miqtë, kolegët, besimtarët e famullisë…. Të gjithë janë, ashtu si ne, nevojtarë për mëshirën e Zotit. Është gjë e bukur të falesh, por edhe ti, nëse do që të të falin, fal edhe ti. Fal!”.

  3. #63
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Françesku: Feja e paaftë për të qenë e mëshirshme,

    nuk është fe!




    Në prag të kremtimit të së Dielës së Mëshirës, nga faqja ungjillore e Meshës, kryesuar nga Papa, në Sheshin e Shën Pjetrit, për Jubileun e besimtarëve të përshpirtërisë së Mëshirës, doli përsëri një figurë shumë e njohur për gjithë të krishterët. Ajo e Apostullit dyshimtar. E Shën Tomës, njeriut që nuk beson lehtë. Apostullit, që nuk do ta njohë Zotin, pa ia prekur plagët. E kur e njeh, përtej identitetit njerëzor, në identitetin e tij më të thellë, brohoret: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të. Se feja jonë, po të mos jetë e mëshirshme, nuk është fe!
    Secili nga ne, mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e vënë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët - viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë?
    E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë, pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, i mori mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur. Me një fe të patundur, tejet të aftë për të qenë e mëshirshme. Prej këndej, fe e vërtetë!
    Toma mori nga Zoti e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Krishtin e Ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare .Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar! Sepse dashuria e Tij është plot me mëshirë!
    Është njëri nga ne, Toma. Që e rigjen fenë vetëm kur prek plagët e Zotit. E një fe që nuk është e aftë të prekë me dorë plagët e Zotit, nuk është fe. Një fe, që nuk di të jetë e mëshirshme, siç janë shenjë mëshire plagët e Zotit, nuk është fe: është ide, ideologji:
    “Feja jonë mishërohet në një Zot, që bëhet njeri, që bëhet mëkat, që plagoset për ne. Por nëse ne duam të besojmë seriozisht e të kemi fe të vërtetë, duhet t’i afrohemi Zotit, t’i prekim plagët e Zotit, t’i ledhatojmë plagët e Zotit e pastaj të ulim kokën e t’i lëmë të tjerët t’i ledhatojnë plagët tona”.
    E duhet edhe t’i lutemi Shpirtit Shenjt t’u prijë hapave tanë, sepse ai është Dashuri. Është Mëshirë, që komunikon me zemrat tona e na prin të ecim pa asnjë kundërshtim në shtigjet, që na i tregon Ai vetë! Me një fe të patundur, të aftë për të qenë gjithnjë e mëshirshme!

  4. #64
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Papa: Zoti i fshin mëkatet rrënjësisht,

    jo si njollat në dyqanin për pastrimin e rrobave





    “Zoti është më i madh se mëkati ynë”. Papa Françesku e kujtoi këtë gjatë katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan, kushtuar mëshirës në Besëlidhjen e vjetër. Papa i ftoi besimtarët ta përsërisin disa herë me zë të lartë e nënvizoi se “falja e Zotit është bindja se Ai nuk na braktis kurrë, me të gjitha fajet e qortimet që mund t’ia bëjmë vetvetes. Falja hyjnore – shpjegoi Ati i Shenjtë Bergoglio – është jashtëzakonisht më e madhe, më efikase, sepse nuk e fsheh mëkatin por e asgjëson, e shlyen në rrënjë, në tërësi: jo siç bëhet në dyqanin për pastrimin dhe hekurosjen e rrobave, kur i shlyejnë njollat prej rrobave tona...”.
    “Me faljen e Zotit, shpjegoi Papa, mëkatari “bëhet i pastër, çdo njollë eliminohet, e ai është më i bardhë se bora; të gjithë ne jemi mëkatarë, është e vërtetë apo jo? Të falesh prej Zotit do të thotë të na krijojë bindjen se Ai nuk na braktisë kurrë, siç pohon psalmi 51, ku psalmisti i lutet Hyjit duke kërkuar faljen, rrëfen fajin e vet, por duke e pranuar kremton drejtësinë e shenjtërinë e Zotit e pastaj kërkon hirin e mëshirën hyjnore”.

  5. #65
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Mbi lumin e urrejtjes në botë, fiton oqeani i mëshirës së Zotit



    “Jetojmë në kohë të vështira”, kohë të luftës botërore vende-vende. Por lumi vërshues i urretjes dhe i dhunës nuk mund të bëjë asgjë kundër oqeanit të mëshirës, që e përmbyt botën tonë”. Kështu shkruan Papa Françesku në parathënien e librit “Mos ki frikë të falësh”, shkruar nga atë Luis Dri, rregulltar, rrëfyes në Buenos Ajres e mik i ngushtë i Bergoglios, kur ishte ipeshkëv në kryeqytetin e Argjentinës. Vëllimi, realizuar me ndihmën e Andrea Tornielli-t dhe Alver Metalli-t, u botua nga RaiEri e do të jetë në librari më 25 tetor.
    Ati i Shenjtë kujton, në parathënie, orët e gjata kaluar nga atë Luis në rrëfyestore, në Buenos Ajres, gjestin e puthjes së dorës pendestarëve, shqetësimin se mos kishte falur në tepri. E rrëfyesin që, përballë të Shenjtnueshmit Sakrament, lypte ai vetë falje, sepse kishte falur shumë e, ashtu si Leopoldi Mandič, i lutej Zotit të kishte mëshirë për të, ngaqë në këtë mënyrë kishte dhënë “shembull të keq”.
    Sjellje, sot më e nevojshme se kurrë - shkruan Papa - sepse pendestarin - si atë që është i zakonshëm, ashtu edhe atë, që shtyhet nga ndonjë rrethanë e jashtëzakonshme, që hyn në rrëfyestore “rastësisht” (po në planet e Zotit s’ka asgjë të rastit, shpjegon Françesku) ose si pasojë e etapës përfundimtare të një udhe të vështirë - duhet ta presë menjëherë përqafimi mëshirëplotë i Zotit tonë. “Një Zoti, që na paraprin, na pret, na pranon”.
    E nuk është aspak e rastit - vijon Papa - që në rrëfyestoren e Atë Luis gjindet një riprodhim i pikturës së Rembrandit. Paraqet përqafimin e Atit me djalin plangprishës, të cilin e shtrëngojnë dy duar të ndryshme, njëra më mashkullore, tjetra më femërore. Mëshira, vijon Papa, është dashuri thellësisht amtare, që preket nga brishtësia e krijesës së vet dhe e merr ngrykë, ashtu si dhe besnikëri e fuqishme atërore, që fal gjithnjë e i vë vazhdimisht përudhë bijtë e vet, të ngatërruar në shtigjet shpesh dredharake, të jetës.
    Ripohon Papa se në “luftën botërore, që sot shpërthen vende-vende, çdo shenjë miqësie, çdo pengesë e sheshuar, çdo dorë e shtrirë, çdo pajtim, edhe pse nuk përbën lajm, është e paracaktuar të veprojë në indin shoqëror, nga familja - tek marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Lumit të urrejtjes i kundërvihet një oqean mëshire, në të cilin mund të zhytemi, për të dalë të rilindur!

Faqja 4 prej 4 FillimFillim ... 234

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •