Kë shqetëson nderimi për Aristidh Kolën

Kolec Traboini

Postuar më: 5 Janar, 2016 tek Lajme Flash


Një panik i çuditshëm ndjehet këto ditë pas kuintave në Athinë për nismën shqiptare për shpalljen e Aristidh Kolës “Nderi i kombit”, sa i ka detyruar të nxjerrin nga strofka e tyre gjithfarë grafomanësh të vonuar që na u gjendën një ditë edhe gazetarë, me ose pa diplomë nuk ka rëndësi. Mjafton që të llomotisin. Ky panik nuk është një gjë e re për ne që e njohim klimën greke sa i përket qëndrimit ndaj shqiptarëve dhe shqetësimit të madh kur shihnin se emigrantët shqiptarë në Greqi kishin krijuar lidhje krejt të natyrshme me arvanitët, lidhje që kanë për bazë gjakun, kulturën, gjuhën e traditat shqiptare. Këtë panik e kemi ndjerë që në vitin 1991 kur për arsye ekonomike u gjendëm si emigrantë në Greqi, e jo pak, por mbi gjysmë milioni shqiptarë.

Frika e qarqeve ultranacionaliste ishte se mos vallë arvanitët që përbëjnë shifra milionëshe mund të zgjohen, nëse mund të huazojmë një titull libri të një autori arvanitas të shekullit të kaluar dhe kësisoj do t’i ktheheshin identitetit të vet, pra origjinës së vet arbërore. Gjysmë shekulli izolim i Shqipërisë ishte një behar për ultanacionalistët grekë, të cilët nuk dëshironin asnjë lloj marrëdhënie me Shqipërinë e shqiptarët. Dhe sot e njëjta gjë, ata mohojnë çdo lidhje mes shqiptarëve e arvanitëve përsa i përket prejardhjes, gjakut e kulturës, duke përhapur soj-soj teorish, madje duke nxitur urrejtje dhe konfrontime në mes emigrantëve shqiptarë dhe arvanitëve të Greqisë, gjë që e bënë në Kriekuq, një fshat në periferi të Athinës. Për ultranacionalistët, arvanitët nuk kanë asnjë lidhje me shqiptarët. Shqiptarët sipas tyre janë një komb tjetër. Natyrisht në Greqi nuk është gjithçka e zezë, sepse këta ultranacionalistë nuk mund ta dominojnë shoqërinë greke. Në Greqi ka edhe intelektualë të mirëfilltë që i kuptojnë lidhjet e arvanitëve me shqiptarët dhe i respektojnë këto lidhje. I konsiderojnë si faktor miqësie e mirëkuptimi mes dy popujve më të vjetër të Ballkanit. Po ata të cilët kërkojnë që mes dy popujve tanë të ketë vetëm grindje e urrejtje nuk pushojnë në ligësinë e tyre, për këtë qëllim i denigrojnë shqiptarët, i paraqesin si popull i pazhvilluar, shprehen ndaj tyre me një urrejtje të papërmbajtur. Ka plot dëshmi për këtë, por ne kësaj herë do të ndalojmë tek një farë Kristo Zharkalliu, që këto vitet e fundit e në moshë të shtyrë, nga Athina ku jeton, përcjell më së shumti nëpër web-site shkrime në të cilat gjen sebepe për të krijuar tymnaja te lexuesit, të cilët nuk e njohin dhe as e kanë idenë se është fjala për një ish të arratisur nga Shqipëria aty nga vitet ’50-të, i greqizuar me taban, një tregtar i vogël shitblerës e amator shkrimesh na është kujtuar në pleqëri të thellë të trazojë ujrat e shtypit shqiptar.

Çfarë thotë e çfarë e shqetëson Kristo Zharkallin në Athinë?

Ajo çfarë bie në sy në shkrimin e tij “Arvanitasit Aristidh Kola dhe Jorgo Maruga” botuar në gazeta “Dita” 26 dhjetor 2015, nuk është portreti i këtyre dy arvanitasve të mëdhenj, përkundrazi i ka vënë në titull për të tërhequr vëmendjen në një problem që anipse nuk shfaq krejt hapur, nënkuptohet. Një tundim i madh i autorit të shkrimit, se pse në Shqipëri zhvillohen veprimtari për Aristidh Kolën, madje shkon deri atje duke kërkuar që në Shqipëri të mos bëhet asnjë veprimtari për arvanitasin e madh. Mundësisht në Shqipëri, sipas shitblerësit Zharkalliu, të mos përmenden fare, anipse tashmë Aristidh Kola është figurë me dimension mbarëkombëtar. Por Kristo Zharkalliu nuk e njeh fjalën komb, ai njeh vetëm shtet dhe këmbëngul se Aristidh Kola i përket Greqisë e vetëm Greqisë. Krejt e kotë kjo përpjekje, e kjo sfilitje zharkalliane, sepse figura të tilla në historinë e popujve nuk mund të ndahen aq lehtë, as të përvetësohen, as të tjetërsohen. Nuk mund, ta zëmë, të ndash Marko Boçarin nga Greqia, ashtu siç mund ta ndash nga Shqipëria. Dhe për më tej asgjë të keqe nuk ka nëse një figurë e tillë të vlerësohet nga Greqia dhe po aq nga Shqipëria. Po Kristo Zharkalliu, që mesa duket i ka të cunguara njohuritë historike, as nuk e di ndoshta se Sami Frashëri është i nderuar në Shqipëri po aq sa në Turqi dhe asnjërin prej këtyre shteteve nuk e shqetëson ky nderim që i bëhet këtij personaliteti të madh. Koncepti i Zharkalliut, që kërkon të ndajë me hanxharë arvanitët nga trungu arbëror, nga origjina e tyre dhe vendi i të parëve është anakronik, një mendësi e ndikuar nga grafomania e Kapsalit në gazetën ultranacionaliste “Stohos”, të cilën me siguri e ka lexuar në çdo numër.

Zharkalliu pretendon se inisiativa me moton “Aristidh Kola- Nderi i Kombit”, e një grupi intelektualësh shqiptare, duke përfshirë edhe studiues me tituj shkencorë si profesorë të tjerë në Tiranë e Prishtinë, është një përpjekje egoiste që këta, siç thotë Zharkalliu , e bëjnë me qëllim që t’i ngrenë vlerat vetes e jo arvanitasit të madh. Një mendim mjeran ky që mund ta gjesh vetëm në nivelet e ulta të gjykimit, sepse nuk di të dallojë respektin e shoqërisë shqiptare për njeriun që ia kushtoi tërë jetën e vet kulturës e traditave arvanite. Ky Zharkalliu, i arratisuri nga Shqipëria në vitin 1951, i cili fitoi indentitet grek, është vënë në panik sepse, siç shkruan ai, nismëtarë si Kolec Traboini paskan shkuar nga Tirana deri në Prishtinë dhe kanë bërë mbledhje me disa njerëz, për të cilët pretendon nuk i ka takuar asnjëherë Aristidh Kola. Ky Zharkalliu bën kinse nuk di që Aristidh Kola ka bërë një vizitë në Prishtinë dhe është takuar me plot intelektualë shqiptarë, të cilët i konsideronte vëllezër dhe pikërisht këta ishin të pranishëm në përkujtimoren. Ja kujtojmë se ndër të tjerë ishte dhe deputetja e Kosovës Flora Brovina, që e ka takuar personalisht Aristidh Kolën dhe ajo e dëshmoi këtë edhe në intervistën televizive që dha. Sikur të kish qenë Kristo Zharkalliu në Institutin Albanalogjik të Kosovës, në Prishtinë më 30 tetor 2015 ,do t’i ish lidhur goja, sepse gënjeshtra vërtet e ka gjuhën e gjatë, por këmbët i ka të shkurtra e nuk shkon larg.

Zotëriu i metamorfuar në grek, por që pështjellon në shtypin shqiptar herë pas here dhe si i do oreksi miqve të tij në Athinë me të cilët gatuan çorbë e skrop, ngre dyshime mbi gjithçka. Është krejt i kuptueshëm veprimi dhe qëllimi i Kristo Zharkalliut që në vend të përmendë me respekt emrin e Aristidh Kolës thotë “Ky” për një njeri që ka 15 vjet që nuk jeton më. Madje duke e zvogëluar figurën e udhëheqësit arvanitas, sikur ky Zharkalliu i paska bërë vërejtje për veprën “Arvanitët” që ditën kur ka parë dritën e botimit ai libër më 1983. Ja xhevahiret e Zharkalliut që nuk ka pasur guximin t’i shkruajë këto fjalë në kohën kur Aristidh Kola ka qenë gjallë. “Në këtë libër u vunë re mjaft pasaktësi dhe unë e kritikova… ai e pranoi kritikën”. Por për ta bërë gënjeshtrën më të sheqerosur, Kristo Zharkalliu, ky shitblerës i vogël i Athinës, siç janë ca tregtarë të vegjël në pazarin çam të Tiranës, shkruan kinse edhe Jorgo Maruga kishte vërejtje për librin “Arvanitët” të Aristidh Kolës. Po përse e përzien emrin e Jorgo Marugës si kritikues i librit të Aristidh Kolës. Sikur të mos t’i dinim marrëdhëniet disi të acaruara të Jorgo Marugës me disa veprimtarë arvanitas ne nuk do të arrinim të kuptonim intrigën tinzare të Kristo Zharkalliut. Jorgo Maruga ka qenë nisiator për themelimin e shoqatës së Arvanitëve, ndaj u zgjodh fillimisht si kryetar i parë, deri sa të formohej statut-programi dhe të bëheshin zgjedhjet e rregullta. Pikërisht për statut-programin lindën mosmarrëveshje. Platforma që shtroi Jorgo Maruga, prej disave u konsiderua shumë i avancuar për kohën. Të tjerët nuk donin të shkonin deri atje edhe për shkak të frikës. Meqenëse programi avancuar i paraqitur nga Maruga që kërkonte një indentit të fortë, nuk u pranua në disa pika dhe nuk u vendosën në programin e ri, ai dha dorëheqjen. Gjithsesi ai ishte dhe mbeti në historikun e shoqatës si themelues. Pikërisht për këtë hakmarrja ndaj tij prej ultranacionalistëve ishte mizore.

Po pse pas 33 vjetëve, pasi kanë vdekur të dy presidentët arvanitas kujtohet Zharkalliu i Athinës për të na treguar grindjet apo kritikat e ndërsjella mes Marugës e Aristidh Kolës? Kjo padyshim e ka një qëllim. Dhe ky qëllim është të vënit sa të jetë e mundur e më shumë në hije dyshimi të figurës së Aristidh Kolës dhe në vend të tij të dalë ky Zharkalliu që na qenka gjendur, kurdoherë aty ku shkruhej historia. Thotë se Aristidh Kola na paska ardhur më vonë. Një hap pas Zharkalliut, siç po nënkuptohet. Edhe ky është një mashtrim, në mos e pastë lënë kujtesa fare Zharkalliun e Athinës dhe këput kopaçe. Aristidh Kola ka qenë që në fillim në themelimin e shoqatës së arvanitasve. Në vitin 1983 Aristidh Kola botoi kalendarin arvanit me 12 kryeministra grekë me origjinë arvanite-arbërore, po atë vit botoi “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” çfarë e konsolidoi atë si figurë në lëvizjen arvanite për identitet dhe kulturën e trashëguar brez pas brezi. Po këtë vit Aristidh Kola ngarkohet për hapjen e gazetës “Besa” që do të vazhdonte deri në vitin 1995. Dhe gjatë kësaj kohe Kristo Zharkalliu nuk është askund, por veç i përdorur për përkthimin e ndonjë materiali të shkurtër nga greqishtja në shqip.

Kur lexon në shkrimin e Kristo Zharkalliut, njeri pa kurrfarë shkollimi, tregtar i vogël i Monastiraqit, se ai e Jorgo Maruga paskan qenë në krye të punëve të arvanitëve në themelimin e shoqatës “Marko Boçari”, vihesh ndër mendime se si na qenka gjendur ky njeri kudo ku ka ndodhur një tragjedi. Kristo Zharkalliu paska qenë afër e hap pas hapi mbas Jorgo Marugës e papritur veprimtari arvanitas vdiq në 1985, në moshën 49-vjeçare nga leuçemia, e dyshuar se ajo sëmundje vdekjeprurëse i është injektuar nga dikush pranë tij. Zharkalliu i Athinës pretendon se paska qenë krejt pranë Aristidh Kolës dhe ky i vdekur krejt papritur me të njëjtën sëmundje, leuçemi në vitin 2000, por, ky tregtari i vogël, i kudogjendur, nuk e përmend fare profesorin arvanitas Lluka Çiçipi, që edhe ai ka vdekur nga leuçemia greke në vitin 2008. Një rastësi jo e rastësishme kjo leuçemia greke kudo ku vdesin udhëheqësit arvanitë, të gjithë këta në fatin e Anastas Kulluriotit nga Salamina, i helmuar prej ultranacionalistëve në vitin 1887. Mirë është që Kristo Zharkalliu të na thotë diçka më shumë se cili ka qënë misioni i tij pranë këtyre njerëzve. Por me atë çfarë dimë nga miqësia jonë me Aristidh Kolën, të cilën miqësi më kot e vë në dyshim greko-shqiptari i vonuar Kristo Zharkalliu, duhet t’ia themi se presidenti i arvanitasve, miku ynë Ari, siç e thërrisnim në afërsi, nuk kishte ndonjë lidhje të veçantë me Zharkalliun madje i rrinte larg. Diçka me siguri dinte rreth këtij njeriu Aristidh Kola, më shumë sesa dimë ne sot pas zgjimit të vonuar të Zharkalliut të Athinës, sigurisht me porosi nga pas kuintave ku thuren intriga ogurzeza.

Kristo Zharkalliu më ka takuar edhe mua kalimthi në Athinë, por nuk isha nga ata që kisha kohë për të humbur sepse punoja vërtet çdo lloj pune si emigrant, siç thotë ai, por ama nxirrja dhe gazetën shqipe “Egnatia” që kam krijuar në vitin 1993. Më duhej të përballoja luftën e egër që më është bërë nga organizatat vorio-epirote të Athinës, të cilat i njihte shumë mirë Kristo Zharkalliu, në mos ka qenë ndonjëri prej tyre. Mund t’i kem botuar ndonjë shkrim, por që të sjellë në shkrimet e pleqërisë së thellë gënjeshtra është e turpshme. Meqë vë në dyshim gjithçka, çdo veprimtari që kemi bërë për Aristidh Kolën në këto 15 vjet pas vdekjes së arvanitasit të madh, duam t’i themi se veprimtaritë kanë qenë për nderim të tij e jo për të fituar ndokush famë prej tij. Është e vërtetë se edhe unë Kolec Traboini, si dhe miqtë e mi bashkemigrantë në Greqi, Albert Zholi, Arben Llalla e të tjerë e kemi pasur një qëllim, e ky qëllim ka qenë që Aristidh Kola të mos harrohet, as ai e as vepra e tij, sepse kështu ishte dëshira e shfrenuar e megaloidhesë shoviniste, ta vrisnin për së dyti, pra të vrisnin edhe veprën e tij e për këtë nuk kanë lënë gur pa lëvizur. Tani po lëvizin dhe gurin e fundit kundër dekorimit të Aristidh Kolës.

E kemi mbajtur gjallë kujtimin e Aristidh Kolës me çdo mjet që kemi pasur mundësi e mund të themi se nëse në vitin 200o kur e vranë, njohja ishte relativisht e vogël dhe kryesisht ndër emigrantët e Greqisë. Sot Aristidh Kolën e njohin rreth 10 milion shqiptarë në të gjithë botën (sa ç’ pretendohet të jemi) nga Europa në Amerikë e Australi, falë kjo edhe teknologjisë moderne të komunikimit. Kemi botuar një seri shkrimesh përkujtimore në 5-vjetorin e vdekjes në gazetën “Drita”, në 10-vjetorin e vdekjes kemi organizuar një përkujtimore në sallën e Ministrisë së Kulturës në Tiranë. Në 70-vjetorin e lindjes në korrik 2014 kemi organizuar një mbledhje përkujtimore në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë, me ç’rast u botua libri “Aristidh Kola”, po kështu u organizua në Tiranë e Prishtinë në tetor 2015 përkujtimorja e 15-vjetorit të vdekjes së arvanitasit të madh. Po përse ky shqetësim i madh e ky panik i Kristo Zharkalliut dhe i tutorëve të tij në Athinë tani që ne kemi nisur fushatën sensibilizuese me motivin “Aristidh Kola – Nderi i Kombit”. Pse ngulmon ky njeri të shkruajë se Aristidh Kola është grek e vetëm grek dhe nuk na qenka aspak shqiptar? Kush nga ne miqtë e tij në ndonjë shkrim a të folur e kemi mohuar të qenit e Aristidh Kolës një qytetar grek. Në asnjë rast. Ai ishte e do të mbetet një nga qytetarët më të mëdhenj të Greqisë sepse kërkonte që shqiptarët e grekët, si popujt më të vjetër në Ballkan, të ishin në miqësi e fqinjësi të mirë. Ai ishte një njeri i paqes e jo i luftës. Ai ishte modeli i një qytetari me kulturë perëndimore e me vizion të madh e largpamës. Por kemi saktësuar se ai vërtet ishte një shtetas e qytetar grek, por ishte me origjinë shqiptare. Po këtë nuk është se e shpikëm ne. Atë e ka pohuar me qindra herë me krenari Aristidh Kola. Mjafton t’ju sjellim një paragraf nga libri “Aristidh Kola” botim i vitit 2014:

“Jam arvanitas dhe flas gjuhën e perëndive dhe të heronjve të Greqisë dhe nuk pyes fare nëse më kërcënojnë, në më shpotisin, në më ndalojnë. Jam arvanitas dhe jam krenar për prejardhjen time, sepse i di paraardhësit e mi, e di se që ta vërtetosh që je një grek, mjafton ta vërtetosh se je arvanitas.” (Aristidh P. Kola “Besa” Nr.24, f.163, dhjetor 1992, Athinë)

Pikërisht origjina shqiptare e Aristidh Kolës, por edhe shumë personaliteteve të tjera greke i tërbon ultranacionalistët. Po çfarë t’i bëjmë ne që edhe tani së fundi zbuluam se Dushmanët, konsujt e ishujve jonianë, gjeneralët e admiralët e Greqisë na paskan qenë me origjinë shqiptare, nga Dushmanët e Shkodrës, bashkëluftëtarë besnikë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Kujt i dhemb e kujt i djeg për këtë, që klithmat na i lëshon Kristo Zhargalliu ynë i greqizuar. Po ka edhe më i nderuar Kristo. Së fundi kam zbuluar, gjatë kërkimeve në disa dorëshkrime historike se edhe poeti i njohur grek Lorenco Mavili ka pasur në damar gjak shqiptar, sepse nëna e babait të tij ka qenë shqiptare nga familja Dushmani. Çfarë të bëjmë ne tani kur historia na i sjell faktet që nuk mund të përgënjeshtrohen. Çfarë të themi, o Zharkalli për nobelistin Odisea Elitis që thoshte se në suksesin tim në jetë ka ndikuar karakteri i trashëguar tek unë nga gjyshja ime arvanite dhe unë kam temperamentin e këmbënguljen e saj.

Që ka humbur shumë cilësi si shqiptar Kristo Zharkalliu, kjo duket sheshazi kur përdor një sërë shpifjesh të ulta duke shkruar se ne shqiptarët e Tiranës a Tetovës, të Prishtinës apo Bostonit, që merremi pra me ruajtjen në kujtesë të Aristidh Kolës qenkemi njerëz të panjohur fare, pa dije, pa kulturë, pa profesion e pa identitet. Nëse është fjala për të shpifur, se kështu i kanë axhendat ata të pas kuintave prej ku merren direktiva, Zharkalliu i Monastiraqit është në rregull fare, por nëse do të vërtetën, i kujtoj se kam një diplomë universitare në degën e gazetarisë të Universitetit të Tiranës të vitin 1975. Koha në Greqi më ka dhënë mundësi të njoh shumë karaktere dhe të kuptoj se çfarë e ushqen urrejtjen patologjike të ultranacionalistëve grekë për shqiptarët ashtu siç kam mësuar se popull grek, njerëzit e thjeshtë, artistët grekë me shpirt të madh human janë të mrekullueshëm, janë miqtë e mi të mirë e në asnjë rast nuk duhen përzier me falangat e megaloidhesë kapsalliote të ngecura me mendësi mesjetare. Por edhe ajo shpifja e Zharkalliut sikur unë paskam shkruar se qeveria greke e ka vrarë Aristidh Kolën është një marrëzi, sepse fjalët e mia janë të shkruara në libra apo në faqet e gazetave dhe i mbetem besnik edhe më tej asaj çfarë kam shkruar. Në të vërtetë zyrtarisht nuk gjendet asnjë lidhje e qeverisë greke në këtë krim, por janë të implikuar qarqet nacionaliste greke, individë apo organizata jashtë kontrollit qeveritar. Por brenda fshehtësisë së plotë mund edhe të jenë inkuadruar në institucionet e shtetit. Për këtë nuk vëmë dorën në zjarr dhe nuk i japim alibi as Zharkalliut dhe as qeverisë greke e cila për të qetësuar ndërgjegjen e vet e ka për detyrë të ngrejë një ekip hetimor për të zbuluar së çfarë ka ngjarë me Aristidh Kolën të cilin, siç na mëson Zharkalliu, e kishte qytetar të shtetit të vet.

Në vend të shohin brenda vetes, segmentet mjerane të mashtrimit nga Athina shfrytëzojnë gazetën shqiptare “Dita” për të dhënë të kuptohet sikur ne po duam të fitojmë pikë me kauzën për Aristidh Kolën dhe se kjo kauzë është e pakuptimtë. Sepse, siç shkruan Zharkalliu, këtë nuk e do Greqia, as familja e Aristidh Kolës dhe as familja e Jorgo Marugës. E natyrshme, sepse këto familje janë të terrorizuara nga klima antishqiptare, nga urrejtja që tregojnë ultranacionalistët grekë që janë të pa parimtë dhe agresorë të pandreqshëm. Nuk ngurrojnë të përdorin çdo lloj mjeti për të shuar frymën dhe dëshirën e arvanitasve për kulturën, gjuhën e traditat e veta arbërore.

Kumtin që na përcjellim këto falanga të shovinizmit, mjerisht edhe nëpërmjet gazetave shqiptare, ne arrijmë ta deshifrojmë. Ata na thonë hapur dhe pa asnjë ekuivok nëpërmjet kasnecëve të vet; mos guxoni të dekoroni Aristidh Kolën me titullin “Nderi i Kombit”. Po a do të mposhtemi ne nga ata fytyra të errëta e qëllime mesjetare. Kurrsesi. Jemi në kauzë të drejtë. Duke i bërë Aristidh Kolës nderimin e duhur, ne nuk i dobësojmë por i forcojmë lidhjet e miqësisë në mes të dy popujve, Shqipërisë e Greqisë, të paqes e prosperitetit për të cilën luftonte Aristidh Kola.

Në fund të fundit kauza e Aristidh Kolës është kauza e nderit të çdo shqiptari, ashtu siç është dhe Anastas Kullurioti, Jorgo Maruga, Luka Çiçipi, Vangjel Liapi e plot arvanitas të tjerë të mëdhenj. Ne shqiptarët nuk i harrojmë figura të tilla që i tejkalojnë kufijtë e shteteve, e tejkalojnë dimensionin familjar e i përkasin gjithë kombit dhe kryekreje janë faktor miqësie e paqeje në mes popujve.

dita