Korrupsioni, Qeveria ligj për “spiunët” në shtet dhe te privati




Nëse punoni në një insitucion publik me 80 të punësuar apo në një kompani private me 100 punonjës, atëherë duhet të ruheni. Bashkë me ju, do të punojnë edhe spiunët, që do të denoncojnë nëse ju korruptoheni.
Qeveria ka miratuar ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesit, që parashikon ngritjen e dy mekanizmave për denoncimin e korrupsionit, sinjalizimin e brendshëm dhe të jashtëm.
“Për qëllim sinjalizimi të brendshëm, parashikohet të ngrihen njësi përgjegjëse në çdo autoritet publik ku ka më shumë se 80 të punësuar dhe pranë çdo subjekti privat ku rezultojnë më shumë se 100 të punësuar. Nga ana tjetër, Inspektorati i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) është caktuar si organ i sinjalizimit të jashtëm”, saktësohet në pr.ligj.
Denoncimi do të jetë për çdo formë të korrupsionit aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës ose kompetencave, ushtrimi i ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave apo marrjen e vendimeve, shpërdorimi i të ardhurave të buxhetit të shtetit, përfitimi i paligjshëm i interesave, dhënie apo marrje mite, si dhe çdo akt tjetër i ngjashëm.
Njësia përgjegjëse apo ILDKPKI do të ketë kapacitetet dhe autoritetin e nevojshëm, përfshirë burime njerëzore të trajnuar në fushën e mbrojtjes së sinjalizuesve, për të mbledhur prova, aksesuar në dokumente që do ti vinë në ndihmë pikërisht prokurorisë apo policisë dhe do të përmbushë qëllimin e përbashkët për goditjen e korrupsionit.
Projekligji ka parashikuar mekanizmat e duhur ligjor për mbrojtjen e punonjësve-sinjalizues të cilët tregojnë integritet të lartë në kontrollin e veprimtarisë shtetërore në kuadër të luftës kundër korrupsionit.
Për këtë qëllim janë sanksionuar masa mbrojtëse për sinjalizuesit cdo veprim hakmarrës që mund të të jenë: shkarkim nga puna; pezullim nga puna ose të një apo më shumë detyrave; transferim brenda apo jashtë organizatës; ulje në detyrë; ulje e pagës dhe/ose shpërblimeve financiare; humbje e statusit dhe privilegjeve; mosngritje në detyrë; heqje e të drejtës për të marrë pjesë në trajnime; vlerësime negative në marrëdhënien e punës; ankimi në gjykatë apo forma të tjera të hakmarrjes në lidhje me punën.
Projektligji është hartuar në mbështetje të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2020 dhe Planit të Veprimit kundër Korrupsionit.

ORA NEWS