Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shqiperia eshte Evrope Maska e iliria e para
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Cunami ne Indonezi zgjati per disa minuta, kurse ne trojet tona 500 vjet.
    Postime
    4,907

    Shtypi shqiptar për Perandorinë Osmane (gjysma e dytë e shek. XIX – fillimi i shek XX

    Emri:  00_12_1425571397163105420.jpg

Shikime: 469

Madhësia:  29.3 KB

    Nga Fitim Rifati
    Shtypi shqiptar për Perandorinë Osmane (gjysma e dytë e shek. XIX – fillimi i shek XX)

    Edhe pse artikujt që botohen në gazeta, ose vetë gazeta si burim historik nuk mund të radhitet në grupin e burimeve që përdoren në rangun e dorës së parë, prapëseprapë vlera e tyre qëndron për faktin se ato mund të shfrytëzohen si burime relevante që mund të kompletojnë studimin e një çështjeje të caktuar ose në mungesë të dokumenteve përkatëse edhe të zëvendësojnë ato në disa nuanca. Artikujt e mëposhtëm paraqesin fragmente konkrete mbi qëndrimin e shtypit progresist shqiptar karshi sundimit osman gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe dekadës së parë të shek. XX.

    Megjithëse nën sundimin osman, për kohën në fjalë pengoheshin hapur format e protestave dhe organizimeve, të cilat cenonin autoritetin dhe legjitimitetin shtetëror, atëherë ndër mënyrat e shprehjes së mendimit politik dhe shoqëror për shqiptarët ishte edhe shtypi gazetaresk.

    Për dallim nga faza e parë dhe e dytë e Rilindjes Kombëtare, shtypi shqiptar mori një zhvillim më të hovshëm në fazën e tretë dhe të katërt të saj. Në organet e shtypit të kësaj periudhe, duke reflektuar mbi gjendjen reale të kohës hartoheshin dhe botoheshin artikuj të cilët pasqyronin situatën e nderë që shqiptarët po kalonin nën sundimin osman.

    Aty shpaloseshin probleme nga fusha të ndryshme si ajo ekonomike, politike, shoqërore e kulturo-arsimore, ku kërkesat e shqiptarëve për të ndryshuar pozitën dhe statusin e tyre në Perandorinë Osmane dhe për t`u ngritur në rangun e një shteti autonom, nuk shkuan në atë shkallë sa të realizoheshin praktikisht. Sipas shtypit shqiptar të kohës, politika e Portës së Lartë karshi kërkesave të shqiptarëve dhe çështjes së tyre ishte mohuese dhe në momente të caktuara fuqishëm reaksionare. Kjo ngjalli reagime tek shqiptarët, të cilët i manifestuan ato edhe përmes botimeve të shkrimeve në gazeta të ndryshme që nxirreshin kryesisht në kolonitë shqiptare si në Rumani, Bullgari, Itali, Egjipt, SHBA etj.

    Gazeta shqiptare që përdori një gjuhë revolucionare dhe më të ashpër në raport me Perandorinë Osmane, posaçërisht ndaj regjimit të sulltan Abdyl Hamitit II, ishte “Drita”, që shtypej në Sofje (1901-1908) dhe që drejtohej nga Shahin Kolonja, mirëpo kësaj fryme nuk i munguan edhe organe të tjera të shtypit shqiptar të kohës, siç ishte gazeta “Dielli”, e cila drejtohej nga Fan S. Noli e Faik Konica dhe botohej në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Debati publik i kohëve të fundit për rektifikimin dhe ndryshimin e teksteve zyrtare të lëndës së historisë për periudhën osmane nëpër institucione mësimore dhe akademike, i cili përfshiu subjekte organesh shkencore, politike e shoqërore, nxori në pah dy grupe orientimesh dhe qëndrimesh karshi kësaj problematike. Në grupin e parë, hëpërhë u radhitën qarqe orientimesh klasike, të cilat në favorin e koniunkturave politike vazhduan ti qëndrojnë pohimit për ndryshime të kësaj lënde, por pa vënë në spikamë ndonjë arsye konkrete profesionale për justifikimin e këtij orientimi. Në grupin e dytë u pozicionua ajo strukturë kompetente për të dhënë mendimin profesional konform të arriturave më të reja historiografike mbi bazën e të cilave vlerëson ngjarje dhe personalitete të kësaj periudhe.

    Ky grup, duke konsideruar prurjet dokumentare me konsekuenca konstruktive, u shpreh i disponuar për plotësimin e kësaj lënde mësimore dhe studimore duke respektuar kriteret metodologjike kërkimore-shkencore. Në këtë diskutim me pikëpamje esencialisht divergjente, duke iu referuar shtypit shqiptar të kohës, paraqesim një pjesë nga përmasat e argumenteve historike për pikëpamjet që rrethet përparimtare shqiptare kishin për Perandorinë Osmane.

    Vlen të potencojmë që në fillim se krahasimi që mund t`i bëjmë artikujve të këtyre gazetave dhe përmbajtjes së temave të teksteve të historisë për shkolla fillore dhe të mesme përmes të cilave nxënësit fitojnë njohuri për historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe për rrethanat shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturo-arsimore në të cilat u gjendën shqiptarët nën sundimin osman gjatë kësaj kohe, në të cilat gjejmë qëndrime, klasifikime dhe përfundime karshi Perandorisë Osmane, konsiderojmë se gjuha e shtypit në raport me Perandorinë Osmane është shumë më e ashpër se sa gjuha e teksteve.

    Gjuha e teksteve vlerësojmë se është në përputhje me të arriturat më të reja shkencore në fushën e historisë dhe të historiografisë kombëtare dhe ndërkombëtare për shqiptarët, duke iu përshtatur kështu edhe kërkesave të kohës dhe moshës e aftësive psiko-fizike të nxënësve. Aq më tepër, në këto tekste gjuha e përdorur është më bashkëkohore dhe më e ekuilibruar karshi Perandorisë Osmane në krahasim me tekstet mësimore në shtetet e rajonit (Serbi, Greqi, Maqedoni, Shqipëri etj). Më poshtë po paraqesim disa fragmente nga shtypi shqiptar i kohës, duke u ndalur kryesisht në qëndrimin e tij ndaj pushtetit osman dhe në raportet shqiptaro-osmane në këtë periudhë.

    Vlen të theksohet fillimisht se këtij shtypi nuk arriti t`i shpëtonte pa u analizuar dhe trajtuar as ngjarja e madhe e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), duke nënvizuar se shkaktar i dobësimit dhe shuarjes së saj ishte Porta e Lartë (Qeveria në Stamboll), e cila e shtrëngoi Lidhjen dhe e luftoi atë politikisht e ushtarakisht. Jo vetëm kaq, pushteti osman ra dakord dhe ndihmoi kalimin e tokave shqiptare në korniza të kufijve të Malit të Zi, siç ishte rasti me qytetet e Ulqinit dhe të Tivarit. Edhe në prag të Lidhjes Shqiptare të Pejës, shtypi shqiptar ndoqi me vëmendje situatën politike dhe rrethanat shoqëroro-ekonomike nëpër të cilat po kalonin shqiptarët. Kështu, në artikullin me titull “Ajo që duan shqiptarët”, të gazetës “La Nazione Albanese” (Pellagorio (Catanzaro), nr. 7, 30 prill 1897), ndër të tjerash shkruhej: “...Marrim Turqinë me qeverinë e saj qorre dhe shkatarraqe... e brejtur nga tenja... që po jep shpirt tash sa shekuj”.

    Në artikullin me titull “Qeveria turke dhe shqiptarët”, gazeta “Drita” (Sofje, 38, 5/18 shkurt 1904), për mënyrën e shuarjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkruante: “Ajo (qeveria osmane, F. R) dërgoi pabesisht (me të pabesë) kundër shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre të mbledhur në Prizren, një ushtri me gjashtëdhjetëmijë ushtarë nën komandën e rrufjanit, birit të derrit, të quajtur Dervish Pasha. Ky me anë të njëmijë hilesh dhe intrigash djallëzore, mbasi derdhi mjaft gjak të pafajshëm dhe shkatërroi familje patriote të vendit, i dha Malit të Zi një pjesë të vilajetit të Shkodrës dhe prishi Lidhjen e Prizrenit (Ligue Albanaise)”.

    Ajo i cilësonte veprimet e saj si “... një sërë pengimesh e ndjekjesh të egra”, përmes të cilave “Turqia shqiptarëvet po u pi gjakun”, shkruante gazeta “Drita” (Sofje, nr. 39, 23 shkurt 1904). Frustrimi u ngrit në shkallë edhe më të lartë saqë në artikullin me titull “Poshtërsia e Turqisë” (“Drita”, Sofje, nr. 42, 12 prill 1904), Perandoria Osmane u cilësua një “mostër që pinte gjak shqiptari” dhe si një “qen i tërbuar” që vërsulej mbi shqiptarët.

    Ndërkohë gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit (nr. 13, 2 gusht 1897), në një artikull të saj lidhur me gjuhën shqipe, pos tjerash, për osmanët shkruante: “...Këta llauzë barbarë e të këqinj dyke vrarë e dyke prerë...” zgjeruan hartën e pushtimeve të tyre ndër popuj të ndryshëm dhe ndër shqiptarët. Në po të njëjtën gazetë, në artikullin “Turqia kotra shqiptarëve” (nr. 27, 8 nëntor 1897), në fillim administrimi osman cilësohej si pushtet që u “egërsua pa fre” kundër shqiptarëve.

    Ndërkaq në artikullin me titull “Turqit të rinj edhe shqiptarët” (nr. 35, 31 janar 1898), duke trajtuar raportet ndërmjet tyre, vihej në përfundimin se regjimi osman në tokat shqiptare kishte krijuar robëri e padituri, errësirë, ligësi, barbari dhe tirani. Demagogjia e pushtetit osman dhe zvarritja e shqyrtimit dhe realizimit të kërkesave të shqiptarëve ndikonte që kjo gazetë ta cilësonte këtë pushtet për “gënjeshtar” (nr. 45, 30 qershor 1898).

    Në artikullin me titull “E vërteta” të botuar në gazetën “Drita” (Sofje, nr. 1, 1/14 nëntor 1901), duke vënë në pah kontributin që kishin dhënë dhe po jepnin shqiptarët në historinë e Perandorisë Osmane, ndër të tjerash shkruhej: “Turqija e pabesë, q`e mbajtmë gjer më sot edhe po e mbajmë (...) këtë kërmë...”. Ndërkaq, në artikullin me titull “Më nukë gënjehemi” (nr. 2, 17/30 nëntor 1901), pos që spikatej rreziku kombëtar për shqiptarët, kjo gazetë ndër të tjerash shkruante: “...Turqi e ngordhur, halldupët e mallëkuar dëshirojnë të na humbin fare edhe emërin shqipëtar ta ngrenë e ta shuajnë”.

    Duke denoncuar sjelljen agresive që pushteti osman ushtronte ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe përpjekjeve për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe emancipimin e tyre kombëtar, me theks të posaçëm mbylljen e shkollës shqipe të Korçës, gazeta “Albanija” (Belgrad, nr. 5, 26 gusht 1902), ndër të tjerash shkruante: “Turku ka punuarë gjithnjë me dhelpëri dhe i ka gënjyarë gjer sot shqiptarët me nishane dhe të tjera, po sot, si e pa që nuk munt t`i genjenjë dot, nisi si do një egërsirë e pa ngopurë, përsëri t`thëthinjë gjaknë kombit shqiptar”. Dhe vazhdon në fund, duke konkluduar: “Sot është siekli (shekulli, F. R) q`o çdo komb lypet të rëfenjë fuqinë që ka dhe të shpëtonjë vetjen nga tirania që ep prej aqe vjet nga an` e barbarit dhe vrasës turk”.

    Po ashtu, edhe në artikullin me titull “Kur vallë Turqia do t`apë të drejtatë q`i kërkojnë?”, të gazetës “Drita” (Sofje, nr. 15, 29 gusht 1902), autori përgjigjej: “Kur të bëhet ujku bari, atëherë mund të quhet edhe Turqia mbretëri!”. Kjo gazetë aludonte në moskujdesin e madh që pushteti osman paraqiste ndaj shqiptarëve dhe kërkesave të tyre për të drejta kombëtare. Këtu potencohet edhe fakti se qëndrimi i shtetit osman ndaj shqiptarëve dhe kërkesave të tyre për emancipim kombëtar nuk ishte aspak miqësor siç e konsideronin qarqe të caktuara, por përkundrazi ai ishte fare armiqësor.

    Shtypi i kohës nuk e shihte Perandorinë Osmane si një shtet të fortë krahas shteteve fqinje dhe Fuqive të Mëdha, por sipas tij “...Turqia ma nuk munt të bahet në kamë, sot e nesër pret ditën të vdesë fare...”. Aty prerazi konkludohej: “...Turqia po vdes...” (“Albanija”, Belgrad, nr. 10, 29 tetor 1902). Pra, nuk kishte mbetur pa u trajtuar gjendja përgjithësisht e rëndë ekonomike dhe politike nëpër të cilën po kalonte Perandoria Osmane dhe natyrisht se kjo çështje nuk i ka shpëtuar as shtypit shqiptar të kohës, i cili shpeshherë kishte konstatuar se Perandoria Osmane ishte “buzë varrit, se ditëtë po i shkurtohenë, se vdes nesër, pasnesër etj” (“Drita”, Sofje, nr. 17, 20 nëntor 1902). Përmes këtyre artikujve shtypi shqiptar përgatiste opinionin shqiptar për organizim dhe për veprim në dobi të çështjes kombëtare, duke e përgatitur kështu edhe më shumë atë për aksionet e ardhshme edhe më të vendosura për të realizuar synimet programatike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të cilat do të arrihen vetëm pjesërisht me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

    Shtypi i kohës nuk linte pa stigmatizuar të gjitha abuzimet që bënte pushteti osman në dëm të shqiptarëve. Në këtë vazhdë, redaksia e gazetës “Drita” (Sofje, nr. 16, 12/25 tetor 1902), në fillim të artikullit “Të këqijat që kanë pllakosur Shqipërinë dhe shqiptarët”, e vlerësonte Perandorinë Osmane si “dhelpër” për shkak të neglizhencës dhe padrejtësive me të cilat ishin ballafaquar shqiptarët nën sundimin e saj.

    Për raportet ndërmjet shqiptarëve dhe pushtetit osman, gazeta “Drita” (Sofje, nr. 23, 15 mars 1903), shkruante: “Kujt munt t`i hapet goja të thotë se Tyrqia neve na do? Cili është ay shqiptar që të mos kupëtonjë se sa kemi humbur me anë të Tyrqisë? Ku janë shkollat që duhet t`i kishim shqip, si shqiptarë që jemi? Ku janë librat dhe fletët që duhet t`i kishim si kombet`e tjerë, të cilët... janë... nënë Tyrqinë? Ku është përparimi ynë?”.

    Prandaj gazeta në fjalë, që përfaqësonte mendimin e përparuar të shtresave të vetëdijshme dhe progresiste kombëtare shqiptare, sikurse gazetat tjera me orientim përparimtar, konstatonte se përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe pushtetit osman fillonte nga lejimi i hapjes së shkollave shqipe dhe zhvillimit të mësimit në frymën dhe gjuhën kombëtare shqiptare.

    Gazetat shqiptare të kohës nuk përjashtonin çështjen e ndërhyrjes së fuqive të tjera në punët e brendshme të Perandorisë Osmane. Në grupin e këtyre fuqive radhitej edhe Rusia, si ndër shtetet pretendente për të marrë në dorë kryeqendrën e Perandorisë, Stambollin. Në artikullin me titull “Punëtë në Shqipëri” të gazetës “Drita” (Sofje, nr. 26, 30 prill 1903), shkruhej: “...Turqia me mëndjen e pakë që ka po bën, si e verbërë, atë q`i thotë Rusija”. Prandaj, duke shprehur qëndrimin që pushteti osman kishte ndaj shqiptarëve, kjo gazetë e trajtonte sundimin osman për të egër, të rreptë, të fëlliqur, të ndyrë, të poshtër e shtazarak (Sofje, nr. 40, 3/21 shkurt 1904).

    Ndonëse i klasifikonte shqiptarët si popull besnik dhe të qëndrueshëm në ballafaqime luftarake dhe njëkohësisht si digë mbrojtëse kundër depërtimeve sllave më tej pjesës evropiane të Perandorisë Osmane e më gjerë, gazeta “Albanija” (Belgrad, nr. 29, 31 tetor 1903), për qëndrimin e sulltan Abdyl Hamitit II ndaj viseve shqiptare e cilësonte atë si “katil” i Stambollit.
    Gazetat kishin edhe bashkëpunëtorë e informatorë që raportonin pothuajse nga të gjitha viset shqiptare. Kështu, në një letër nga Janina, të botuar në gazetën “Drita” (Sofje, nr. 49, 13 gusht 1904), lidhur me shtrëngimin që ushtronte pushteti për vjeljen e taksave, shprehej pakënaqësia e popullit duke e cilësuar Perandorinë Osmane si ditëshkurtër.

    Në artikullin “Nga Kosova” të gazetës “Drita” (Sofje, nr. 70, 15 nëntor 1905), për mashtrimet që sulltani u kishte bërë shqiptarëve duke u premtuar atyre se së shpejti do t`i gëzonte vetëm në saje të besnikërisë dhe bashkëpunimit të dyanshëm, një e gjë tillë kishte kaluar kufijtë e arsyes dhe shqiptarët zemërimin e tyre ndaj sulltanit e shprehnin në këtë mënyrë, duke e cilësuar atë si “dhelpëna plak Baba Dovleti”.

    Në një tjetër artikull me titull “Letër nga Kosova (Shqipëria e Veriut)”, të botuar në gazetën “Shpnesa e Shqypënisë” (Raguzë, nr. 7, 29 dhjetor 1905), pushteti osman cilësohej si “tirania turke”. Ndër të tjerash, në këtë letër shkruhej: “Turqisë së kalbur dhe të sëmurë, fajtores më të rrezikshme, e cila... tani në mënyrën më të egër shtyp dhe terrorizon çdo gjë që i pëlqen”. Po për të njëjtën çështje (lidhur me shtrëngimin që ushtronte pushteti për vjeljen e taksave), në një letër nga Mitrovica, qeveria osmane u cilësua si faqezezë e dhelpërake.

    Viti 1905 ishte përshkuar me vrasje të shumta në Perandorinë Osmane. Për këto akte kriminele, gazeta “Drita” (Sofje, nr. 72, 15 janar 1906), në artikullin “Moti 1905 edhe Shqipëria, a moti i gjakut!”, ndër të tjerash Perandorinë Osmane e cilësonte si të “fëlliqur” me një udhëheqës “hundë-lugat” (është fjala për sulltan Abdyl Hamitin II, F. R) dhe “gjakatar e të poshtër që nuk ngopet së thithëri gjak njeriu”, i cili drejton një qeveri që praktikon politikë të “qelbur”. Në po të njëjtin numër botimi, në artikullin “Shqyptarët e Kosovës”, ndër të tjerash pasqyrohej synimi dhe dyshohej se: “...Turkia Dosë, dishiron qi shqyptarët ta harojn` nistorin` e tyne e kështu tash për tash me ja u pi gjakun me vergji të randa e mas pak kohë t`i ketë gati për n`Anadoll”. Në një formë ose një tjetër, ky konstatim aludonte në pretendimin për shkrirjen e shqiptarëve përbrenda interesave të pushtetit osman.

    Që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët përparimtarë nuk ndalën së kërkuari të drejtat kombëtare dhe autonominë e Shqipërisë. Lidhur me këtë çështje, gazeta “Drita” (Sofje, nr. 77, 1 maj 1906), në artikullin me titull “Andej këtej”, ndër të tjerash shkruante: “Kërkimet e shqiptarëvet nga qeveria tyrke s`janë të dëmçim për qeverinë; edhe kjo e mallëkuar kur të mos i kishte trutë të kalbura do t`i epte me kohë sa i kërkojnë”.

    Duke bërë thirrje për organizimin dhe bashkimin e shqiptarëve kundër pushtetit, gazeta “Drita” (Sofje, nr. 86, 10 dhjetor 1906), botoi artikullin me titull “Ndjenjat e një mëmëdhetari” të autorit patriot Çerçiz Topulli, i cili, pasi përshkruante gjendjen e rëndë të shqiptarëve, ndër të tjerash shkruante duke pyetur, pra duke shprehë mendimin e vet si veprimtar i devotshëm kundër pushtuesve osman: “Ç`dobi... kanë shqiptarëtë që venë ushtarë e që paguajnë... pagesa të mëdha për Baba-Dovletnë, për të mallkuarin` e të mallkuarvet?... Çdo njeri që gjykon punëratë me gjak të ftohtë e me urtësi, fort mirë sheh e kupëton se Shqipëria më të math armik e prishës ka Tyrqinë... Tyrqia nuk ndreqetë edhe se janë të marrë ata që presënë të mirë prej asaj. Nga murtaja a munt të vinjë ndonjë e mirë? Kaqë e mirë munt të vinjë edhe nga shtriga e e fëlliqura Turqi. Edhe ata veshgjatëtë, që mbajnë anën`e së qelburësë Tyrqi, ndë u mendofshinë pak, pa dyshim kanë për të kupëtuarë, se nukë gjëndenë fjalë, me të cilatë të tregonetë si duhetë gjëndja e tmeruarë, ndë të cilët gjëndetë sot Shiqpëria edhe ngaj`e së cilësë është vetëmë egërsira që ka ardhurë nga Asia, domethënë Tyrqia”. Prandaj për këto dhe shkaqe të tjera, shtypi shqiptar i kohës e cilësonte qeverinë osmane si “dosë” dhe “kërmë e qelbur” (“Pellasgu”, Kajro, nr. 3, 1 prill 1907).

    Në shtypin shqiptar të kohës, orientimi i shqiptarëve kah Perandoria Osmane dhe pranimi i pushtetit të saj në viset shqiptare u gjykua për gabim që solli probleme në çështjen kombëtare dhe ngecje në përparimin e tyre. Në artikullin me titull “Një përgjigje për ata që na quajnë barbarë” të gazetës “Kombi”, që në fillim nënvizohet se “Zgjedha e Turqisë ishte prishj`e tmerruar për kombinë tonë...” (“Kombi”, Boston, nr. 39, 29 maj 1907 dhe nr. 40, 7 qershor 1907).

    Gjatë gjithë kohës sa doli në botim, gazeta “Drita” e Sofjes mbajti qëndrim konstant karshi Perandorisë Osmane. Këtë më së miri e ilustruan fragmentet e paraqitura më sipër nga artikujt e botuar në këtë gazetë. Konkretisht në një artikull të saj shkruhej: “E tepër është ta thomi përsëri këtu që Turqia është një qeveri barbare pa gjyq e pa të drejtë” (nr. 99, mars 1908). Për të gjitha problemet me të cilat përballeshin shqiptarët, shtypi i kohës konstatonte se ato buronin nga “qeni tyrky” (“Shkopi”, Kajro, nr. 3, 28 prill 1908). Prandaj, shtypi i kohës në gjuhën shqipe (gjysma e dytë e shek. XIX dhe fillimi i shek. XX) nuk kursente asnjë epitet negativ për Perandorinë Osmane. Kjo tregon për ashpërsinë e qëndrimit të pushtetit osman ndaj shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në këtë periudhë të rëndë të historisë sonë kombëtare.

    Ndonëse shqiptarët luajtën një rol pothuajse vendimtar, duke dhënë ndihmesën e tyre si nga ana materiale, fizike, po ashtu edhe intelektuale, në rrugën drejt fitores së Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, gjë e cila solli gëzim dhe shpresë në gjithë popujt e Perandorisë, duke përfshirë edhe shqiptarët, të cilët e konsideruan rishpalljen e Kushtetutës nga sulltani si një akt që do t`i jepte lirinë dhe të drejtat kombëtare të shumëkërkuara sidomos nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një kërkesë e tillë, ndonëse nisi të realizohej, që në fillim hasi në pengesa, pasi që ishte vërejtur se demagogjia e xhonturqve e shprehur para ngadhënjimit të Revolucionit tashmë i kishte lëshuar vend dhunës.

    Këtë reaksion e konstatonte edhe shtypi shqiptar i kohës, i
    cili shkruante: “Gjonturqit patnë mirësinë shpejt të nxierin maskën dhe të tregojnë nër neve fytyrën e tyre të nvrejtur, të zëmëruar me sy të kërcyera nga inati, me dhëmbë të shtrënguara, me fytyrë të mverdhë...” (“Kombo”, Boston, nr. 101, 11 shtator 1908).

    Në një artikull të gazetës “Lirija” (Selanik, nr. 13, 25 tetor 1908), lidhur me hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe zhvillimin e përparimin e tyre në frymën kombëtare, për shkak të pengesave që shkaktoheshin nga regjimi i ri, qeveria xhonturke ndonëse konsiderohej e “vdekur”, por që edhe si e tillë bënte “ligësi”. Pos të tjerash, ajo shkruante: “Po në ish qeveria kaq`e humburë dhe barbare, shqiptarët s`mund të lidhninë duartë: në donte ajo qeveri të kalbetë dhe të vdesë, ne kishim detyrë që të mos rrimë në gjumë”.

    Ndërkohë që xhonturqit përpiqeshin të afroheshin dhe të favorizonin grekët dhe interesat e tyre në dëm të shqiptarëve, gazeta “Kombi” (Bosoton, nr. 98, 21 gusht 1908), shkruante: “Gjonturqit mirë do të bëjnë ta hedhin lëkurën e dhelpërës që tani, në qoftë se s`janë më të mirë nga turqit e vjetër për çështjen shqiptare”. Prandaj, nuk shkoi pak kohë kur shqiptarët nisën të zhgënjeheshin me qëndrimin negativ të pushtetit xhonturk karshi interesave të tyre.

    Reaksioni i vrullshëm i regjimit xhonturk karshi lëvizjes kulturore dhe arsimore të shqiptarëve e përgjithësisht Lëvizjes Kombëtare, ndikoi në krijimin e përshtypjeve se ky regjim ishte më agresiv dhe më i rëndë krahas atij të sulltan Abdyl Hamitit II. Lidhur me këtë gazeta “Dielli” (Boston, nr. 12, 18 qershor 1908), konstatonte se “...Absolutisma konstitucionale e zhonërve (xhonturqve, F. R) është më e dëmçime se despotisma terroriste e sulltan Hamidit”. Prandaj shqiptarët nuk ishin të kënaqur ndaj regjimit xhonturk, gjë e cila i shtyri ata të organizoheshin për të shprehur revoltën e armatosur. Mirëpo, xhonturqve u ra në sy kjo lëvizje, të cilës iu përgjigjën në mënyrën më të vrazhdë. Lidhur me keqtrajtimet, burgosjet e rrahjet e shqiptarëve në Vilajetin e Janinës, gazeta “Rrufeja” (Kajro, nr. 7, korrik 1909), i përmblidhte gjitha këto në titullin “Konstitycioni ndë Tyrqi zu të qelbet”.

    Për shkaqe të tilla shtypi shqiptar i kohës përdorte epitete nga më të ndryshmet për të shprehur pakënaqësinë lidhur me dëmet që po vazhdoheshin t`u shkaktoheshin shqiptarëve. “...Ata të ndyrë që quhen zhanër (xhonturq, F.R) dhe sot hiqen si miq, do të duan të mirën tonë? Jo! Kurrë, jo! Ata kurdoherë janë armiqtë tanë me të mëdhenjtë...”, shkruante gazeta “Dielli” (Boston, nr. 19, 6 gusht 1909). Kjo gazetë, në të njëjtin numër botimi paraqiste raportet ndërmjet qeverisë xhonturke dhe shqiptarëve, ku shkruante: “Qeveri`e re ka ca kohë që shqiptarët i vështron me sy të lik; shqiptarët e sipërmë (të Shqipërisë së Veriut, F. R) i vret me topa, të poshtërmit (të Shqipërisë së Jugut, F. R) i zë dhe i dërgon në Stamboll për të gjykuar nëpër gjykatoret ushtërore”.

    Edhe shtypi shqiptar që dilte në kolonitë shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si në Boston, në botimet e veta i kushtoi artikuj të veçantë edhe gjendjes nëpër të cilën po kalonin Turqit e Rinj, të cilët tashmë drejtonin Perandorinë Osmane. Në artikullin “Turqit e Rinj” të gazetës “Dielli” (Boston, nr. 49, 4 mars 1910), pas gjitha këndvështrimeve konstatohej se: “Turqit sot ndodhen në orë marëzije... Po u mbarohet jeta... Turqia është... faqeza që s`e ka nër mënt të jetojë. Operacja e bërë vetiu...”.

    Kjo gazetë vazhdonte ta cilësojë pushtetin osman si “kuçedër” në kohën e regjimit të sulltan Abdyl Hamitit II, mirëpo njësoj sikurse në kohën e tij po vazhdonte edhe regjimi xhonturk, ku sipas kësaj gazete, nën urdhrin e të cilit “dhelpëritë, gënjeshtrat, rrjepjet, vjedhjet, vrasjet s`kanë të sosur... nga pabesia dhe djallëzia... nga kjo administratë e kalbur, nga kjo tirani që s`durohet!”. Për këto arsye shtypi shqiptar që botohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës regjimin e Turqve të Rinj dhe Perandorinë Osmane e konsideronte si “shtet barbar” (“Flamuri”, Boston, nr. 6, 25 mars 1910).

    Për sa u paraqit më sipër në formë fragmentare, nga ky qëndrim që kishte shtypi shqiptar karshi pushtetit osman në çerekun e katërt të shekullin XIX dhe në dekadën e parë të shek. XX, nënvizojmë se ky nuk ishte qëndrim vetëm i redaksive të këtyre gazetave, por ishte qëndrim edhe i forcave progresiste shqiptare brenda pushtetit diskriminues të Perandorisë Osmane, nën tutelën e të cilit ishin edhe shqiptarët.

    Prandaj, të gjitha këto argumente që publikonte shtypi shqiptar i kohës jo vetëm që tregojnë pozitën dhe gjendjen shumë të rëndë të shqiptarëve, por tregojnë edhe qëndrimin tejet regresiv që kishte pushteti osman ndaj shqiptarëve, i cili dallonte nga qëndrimi i tij ndaj popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik./rajonipress/
    Lumi ka ujin e paster ne burim


    Kombi mbi te gjitha

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar iliria e para për postimin:

    martini1984 (27-12-2015)

  3. #2
    i/e regjistruar Maska e martini1984
    Anëtarësuar
    02-04-2009
    Postime
    5,594

    Për: Shtypi shqiptar për Perandorinë Osmane (gjysma e dytë e shek. XIX – fillimi i sh

    Artikull per tu pergezuar me te vetmin difect(gabim).
    Ne vend te potenco duhet shkruar...vendoset pika mbi T ose theksohet(shqip).
    Pastaj turku somes e ka mare kalane....fale arnauteve.

    Po ta pyetesh Skenderbeun ne varr nuk e di si do pergjigjet.
    Dhe fajin e kane ruset.
    Hallall edepsez.
    Ndryshuar për herë të fundit nga martini1984 : 27-12-2015 më 07:44
    Kush nuk mendon sipas menyres se tij,nuk ka llogjike!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •