“Kaubojsi” me pistoletë në Rinas dhe si deputet lezhjan i parlamentit (FOTO)
Ende pa hyrë në sallën e Kuvendit, Eduart Ndocaj është kthyer në një fenomen politik. Jo vetëm për shkak të etiketimeve që i ka vënë media duke u njohur gjerësisht me emrin "Kaubojsi i Lezhës", por edhe për mënyrën sesi po feston marrjen e mandatit.
Ditën e sotme ai ka mbërritur në Rinas ku është pritur në një ceremoni të denjë për një Hero, me flamuj kombëtar, parrulla dhe dhjetëra mbështetës që thërrisnin emrin e tij. Nuk ka munguar dhe një gazetare e Fiks Fare e veshur si kaubojse që i ka dorëzuar Rrotën e emisionit të njohur satirik. Deputeti më i ri i Kuvendit ka pozuar për mbështetësit e tij me Rroten e Fiks Fare dhe me një pistoletë në dorë.
Fenomeni ri politik Ndocaj ka shkaktuar reagime dhe në politikë. Pasi KQZ-ja i dha mandatin kreu i PDK-s Nard Ndoka deklaroi se deputeti i ri do të ishte pjesë e partisë së tij, duke shtuar se “deputetët po na bien nga qielli”.
Gazetari Andi Bushati në një shkrim të sotëm tek “Lapsi.al” e cilëson si një personazh grotesk. “Në parlamentin shqiptar po hyn një personazh grotesk drejt e nga listat e Partisë Socialiste. Ky njeri të cilit i pëlqen të afishohet me një kapele kaubojsi, i cili nuk lë rast pa treguar faturat e verave të shtrenjta më të cilat ka dehur Edi Ramën dhe menutë e pasura me të cilat e ka nginjur atë në restorantet përtej Adriatikut, është simboli më perfekt për të shenjuar atë çka po ndodh. Ky personazh të cilin mediat e po e emërojnë një zëri si kaubojsi, është emblema më e mirë për të kuptuar progresin cinik që ka bërë Shqipëria: nga një qeverisje hajdutësh arrogantë dhe vrasës deri në 2013, tek një qeverisje hajdutësh qesharakë pas kësaj date”,- shkruan Bushati.
Në zgjedhjet e vitit 2013 ai ishte një nga kandidatët që bëri fushatë për Partinë Socialiste. Pas zgjedhjeve ishte ndër të parët që u zhgënjye nga Kryeministri Edi Rama. Zhgënjimi arriti deri në atë pikë sa në qëndrimet e tij publike, Ndocaj i kujtonte Ramës drekat dhe darkat që i kishte paguar kur kreu i PS-së në opozitë vizitonte Italinë. Çështja e menuve të darkave u diskutua gjatë në media, pasi për të mbrojtur kryeministrin dolën disa shoqata të emigrantëve në Itali që pretendonin se ishin ato mikpritëset e kryeministrit.
Debati duket i mbyllur, pasi tashme socialistët dhe Rama do ta presin Ndocaj në tavolinën e Kuvendit dhe Grupit Parlamentar. Pas ndryshimeve në listën e kandidatëve në Lezhë me largimin e Arben Ndokës, Ndocajt i ra radha për të qenë përfaqësues i Lezhës në Parlament. Në 26 tetor KQZ-ja vendosi që mandati i Ndokës ti kaloj Ndocajt. Formalisht ai është deputet dhe pritet vetëm betimi në Kuvend për të marrë mandatin zyrtarisht.
Ndocaj ka një biznes ndërtimi në Itali dhe mësohet se pas marrjes së mandatit do të qëndrojë më shumë në Shqipëri, për t’ju përkushtuar jetës aktive politike në radhët e mazhorancës dhe PDK.
Koha Jone
Krijoni Kontakt