Kokëdhima gju më gju me popullin. (Dikë na kujton ky imazh)
TIRANE-Deputeti socialist Koço Kokëdhima është fotografuar duke takuar banorët e zonës së Himarës. Kokëdhima u ul gju më gju me banorët, të cilët nuk ngurruan ti bënin të ditur dhe hallet që i mundojnë.
Për takimin, deputeti është treguar tepër entuziast duke e përshkruar kështu;
“Një ditë e paharrueshme në Tërbaç!
Ishte hera e parë në jetën time që vizitova këtë fshat me banorë e natyrë të mrekullueshme. Takimin me banorët e bëmë tek shkolla. Ndenjëm ulur mbi gurë, këmbëkryq, në bisht e në këmbë.
Ishte një takim i hapur e miqësor, ku dëgjuam shqetësimet e banorëve. Ato ishin të shumta, por prioritare u listuan vepra vaditëse Kallarat-Vranisht-Tërbaç dhe rruga që lidh këto fshatra me Vlorën. Më pas vizituam muzeun e djegur e të shkatërruar si dhe strukturën e mbetur nga ish-shtëpia e Kulturës. Kjo strukturë është vendosur në atë lartësi që shërben si ballkon për të shijuar gjithë peisazhin mbresëlënës të Labërisë. Më pas u ngjitëm tek lagjia e Bragjinasve, pasardhësit e të njëjtës rrënjë dhe të njëjtit gjak me Bragjinasit e Qeparoit. Bragjinasi i sotshëm, Sefret Kiçaj së bashku me zonjën e tij, Bajamen, po bënin raki. E kthyem nga një gotë e biseduam me Sefretin për disa minuta. U largova nga Tërbaçi me dëshirën e madhe për t’u rikthyer përsëri!”.
Jo më shumë se përjetimi gjatë takimit të deputetit, por pozicioni i ulur këmbëkryq, gju më gju me popullin na kujton respektivisht këtë foto.
(d.b/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt