Përgjimet e Shtëpisë me Gjethe – Komentet e diplomatëve të huaj për daljen nga Pakti i Varshavës









Për herë të parë bëhet publik informacioni tepër sekret i gushtit të vitit 1968, ku drejtori i Sigurimit të Shtetit, Rexhep Kolli, i raporton ministrit të Punëve të Jashtme, Behar Shtylla dhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Xhaferr Spahiu, lidhur me komentet që bënin diplomatët e huaj në Tiranë për ngjarjet në Çekosllovaki dhe daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Ndër të tjera në raportin e tij, drejtori i Sigurimit të Shtetit bën një pasqyrë të qartë dhe të detajuar mbi riaktivizimin e “elementit armik” dhe parullat e komentet armiqësore që ata përhapnin ato ditë në rrethe të ndryshme të vendit mbi vijën politike që po ndiqte udhëheqja e lartë e PPSH-së.

Sot për herë të parë në “Gazeta Shqiptare” po publikojmë të plota disa prej kabllogrameve sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme (të firmosura nga ministri Kadri Hazbiu, zv/ministrave dhe drejtorëve kryesorë të Sigurimit të Shtetit) në drejtim të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, (Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë), lidhur me situatën tejet emergjente që po kalonin të gjitha shtetet e Bllokut Lindor dhe veçanërisht Shqipëria para dhe pas pushtimit të Çekosllovakisë më 21 gusht 1968 nga trupat e Traktatit të Varshavës, të kryesuara nga Bashkimi Sovjetik, në të ashtuquajturën “Pranvera e Pragës”.

Kabllogramet sekrete zyrtare në drejtim të KQ të PPSH-së konsistojnë veçanërisht në ato që klasifikoheshin si “komentet armiqësore revizioniste” në drejtim të situatës kritike që po kalonte Shqipëria, gjë që do të përfundonte me vendimin për daljen e saj nga Traktati i Varshavës. Shtypja e dhunshme e “Pranverës së Pragës” nga tanket sovjetike, e ngjashme me revoltat hungareze të 1956-ës, alarmoi ndjeshëm opinionin publik ndërkombëtar për faktin e shkeljes haptazi të sovranitetit territorial të një shteti në zemër të kontinentit europian nga një superfuqi tjetër.

Vendimi serioz për daljen përfundimtare të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës u mor nga dy krerët kryesorë të shtetit shqiptar, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Dhe kjo, pasi Tirana zyrtare ndjente shpeshherë një rrezik të vazhdueshëm në lidhje me një pushtim të mundshëm sovjetik të saj. Por kjo paranojë nuk ishte e rastit, pasi të njëjtën gjë, por në një mënyrë më të butë, do ta bënte dhe kundërshtari tjetër ideologjik i Moskës brenda kampit socialist, Rumania e Nikolae Çausheskut.

Shqipëria dhe Rumania, pikërisht pas pushtimit sovjetik të Pragës, do të ndërmerrnin hapa radikalë përsa u përket përgatitjeve ushtarake për sigurinë kombëtare të sovranitetit të tyre nga një pushtim i mundshëm sovjetik. Në këtë kohë do të fillonin edhe ndërtimi i tuneleve dhe qendrave të zjarrit dhe gjithashtu do të krijoheshin edhe repartet vullnetare popullore (civilë të armatosur), të cilët do të kryenin detyrën për ruajtjen e kufijve me “Vigjilencë”. Por Tirana zyrtare pas një garancie të dhënë nga Josip Broz Tito, se Jugosllavia nuk do të përdorej si territori katapultues për trupat sovjetike për pushtimin e Shqipërisë (garanci kjo e komunikuar në rrugë jozyrtare nga Fadil Hoxha) atëherë Byroja Politike vendosi të ndërmerrte një nga hapat më të rëndësishëm të ruajtjes së sovranitetit territorial, por njëkohësisht edhe konsolidimit të mëtejshëm të pushtetit të saj në vend, daljen përfundimtare nga Traktati i Varshavës.

Në këto kabllograme tregohet qartë entuziazmi dhe habia që opinion publik shqiptar dhe veçanërisht ambasadat e shteteve kryesore të akredituara në Shqipëri, do të tregonin në lidhje me këtë veprim të qeverisë shqiptare. Nëpërmjet shtypit dhe radio “Tiranës”, Tirana zyrtare do ta komentonte atë veprim si një fitore absolute e komunizmit shqiptar mbi revizionizmin imperialist sovjetik. Ndërsa shtypi ndërkombëtar do ta komentonte pozitivisht, por ndryshe nga sensi pozitiv shqiptar, ato do ta përcaktonin këtë veprim si shpëtimin final të pushtetit komunist të Enver Hoxhës nga tutela sovjetike. Bie në sy fakti i komentimit të gjerë të pushtimit të Pragës dhe daljes së Shqipërisë nga Pakti i Varshavës nga shtresat e ndryshme të popullsisë si nga ata që kategorizoheshin besnikë të Partisë, ashtu dhe nga ata që klasifikoheshin si të deklasuar.

Shtresa e parë, pra ajo e lidhur ngushtë me regjimin, e komentonte me pozitivitet daljen e Shqipërisë nga orbita lindore, ndërsa shtresa e dytë, të ashtuquajturat klasat e përmbysura, e shihnin me një mosbesim të madh këtë largim, sepse Enver Hoxha dhe klika e tij “çimentuan” përfundimisht vijimësinë e diktaturës komuniste në Shqipëri. Gjithashtu, komente pikante do të bëheshin edhe nga atashetë diplomatikë të shteteve perëndimore dhe lindore të akredituar në Tiranë, lidhur me këtë fakt. Përfundimisht largimi i Shqipërisë nga Pakti i Varshavës do të tregonte aftësinë e manovrimit politik të Tiranës zyrtare, në çastet kritike të bllokut lindor dhe njëkohësisht do të tregonte edhe fanatizmin e ruajtjes së pushtetit diktatorial të Enver Hoxha të pacenuar nga ndikimi i Moskës apo i ndonjë superfuqie tjetër.

(vijon nga numri kaluar)

INFORMACIONI I SIGURIMIT PER MINISTRIN BEHAR SHTYLLA
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
TEPER SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME
Ekzemplar Nr 1
DREJTORIA E PARE
Tiranë, më 20.8.1968
Nr. 1533. Prot.
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
SHOKUT BEHAR SHTYLLA TIRANE

Atasheu tregtar rumun, Nikolla Matusha ka thënë: “Udhëheqja e jonë e ka marrë në mbrojtje Dubçekun. Neve ambasada këtu nuk na ka thënë asgjë mbi qëndrimin tonë për ngjarjet në Çekosllavaki, nuk po kuptoj se cilat janë pikëpamjet rumune dhe cilat të çekëve, nuk e di se me cilët jemi ne, me rusët apo me jugosllavët, në Jugosllavi kanë vajtur shumë delegacione, bile dhe vetë Çaushesku dhe vërehet se çfarë bëjnë jugosllavët dhe çfarë bëjnë tanët.

Marksizëm-Leninizmi nuk mëson se si të rrëzosh borgjezinë dhe në vend të saj të ngresh borgjezinë punëtore, kjo nuk do të thotë që të kesh diferenca të mëdha në rroga me punëtorët. Pse paskan të drejtë udhëheqësit të udhëtojnë ku të duan duke marrë me vete dhe familjet e tyre siç po veprojnë udhëheqësit tanë, të cilët siç duket kanë marrë eksperiencë nga Tito, që kudo ku shkon, merr me vete dhe Jovankën. Ndërsa kur është rasti për ndonjë punëtor apo familje punëtori, që për arsye shëndetësore kërkon të dalë jashtë shtetit për kurim, duhet të kalojë disa muaj për të marrë përgjigje. Udhëheqësit tanë janë borgjezuar, ky është realiteti. Të marrim shembullin e Çausheskut, ky është fshatar nga krahina e Oltit, nuk ka pasur trashëgim konceptesh borgjeze, megjithatë ja se ku ka arritur. Njerëzit që nga Komiteti Qendror dhe më poshtë janë borgjezuar. Në Rumani për të marrë një apartament, më parë duhet të paguash 5000 lei ryshfet, për çdo të drejtë që kërkon njeriu, më parë duhet të paguash ryshfet, drejtësia shitet me para, bëhen shumë abuzime, vjedhin paret e shtetit, falsifikojnë për të përfituar qindra mijëra lei. Më përpara në ambasadë për çdo problem që dilte bënim mbledhje dhe çdo njeri thoshte fjalën e tij, ndërsa për artikullin e “Zëri i Popullit” që fliste edhe për Rumaninë, nuk u bë mbledhje. Lidhur me marrëdhëniet tregtare, tha: “Më dërgojnë gjithnjë direktiva dhe kërkojnë që të insistoj në kërkesat tona, por u kam bërë një raport, në të cilën u them se shqiptarët nuk mund të blejnë mallra të cilësisë aq të dobët, siç janë p.sh, automjetet “GAZ” të prodhimit rumun, kur automjete të tilla kineze janë më të mira dhe më të bukura”.

Atasheu i ambasadës kubaneze, Eduart Avjes ka thënë: “Bisedimet midis amerikanëve dhe vietnamezëve për ndalimin e luftimeve janë një gjë e mirë, çështja duhet të zgjidhet drejt. Populli i Vietnamit nuk është ndihmuar drejt nga Kina, ashtu edhe nga Bashkimi Sovjetik, ndihma e dhënë ka qenë e vogël dhe me kushte. Atasheu i ambasadës franceze, Emin Guinar ka thënë: “De Goli do të lërë postin e presidentit para afatit për shkak të moshës së tij, president do të bëhet Pompidu, i cili është i ri dhe i shkathët”. Gruaja e të ngarkuarit me punë hungarez, Pal Matrai ka thënë: “Ne e kemi përkrahur Dubçekun, në rrugën që ecën Çekosllovakia së shpejti do shkojmë dhe ne. Hungaria do të shkëputet nga Bashkimi Sovjetik. Në të njëjtën rrugë do ecë edhe Polonia, por pak më vonë”.

ZV/MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME
REXHEP KOLLLI
RAPORTI I SIGURIMIT TE SHTETIT PER XHAFERR SPAHIUN
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
TEPER SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME
Ekzemplar. Nr 2
DREJTORIA E PARE
Tiranë, më 27.8.1968
Nr. 1558. Prot.
Lënda: Komente armiqësore mbi invazionin e trupave të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki
SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PP SË SHQIPERISE,
SHOKUT XHAFER SPAHIU
TIRANE

Në lidhje me ngjarjet e zhvilluara në Çekosllovaki mbas invazionit të trupave të Traktatit të Varshavës, masat e gjera të popullit e kanë aprovuar plotësisht deklaratën e Komitetit Qendror dhe të qeverisë dhe janë shprehur me fjalë të ngrohta për drejtësinë dhe vijën e Partisë dhe largpamjen e Komitetit Qendror, por në të njëjtën kohë ka pasur edhe komente armiqësore nga kategori të ndryshme njerëzish dhe nga kontingjente armike, ashtu edhe jashtë tyre:

1. Komentet armiqësore të brendshme

Në përgjithësi komentet armiqësore flasin për forcën e B.S. që pas Çekosllovakisë do t’u vijë radha të tjerëve, duke përfshirë dhe vendin tonë, bëjnë aluzion se kur nuk rezistuan dot çekët me atë potencial, ne jemi të humbur, se vendi ynë nuk ka asnjë përkrahje, se Kina është larg dhe e pazonja të vendosë gjendjen në vend, e jo të na ndihmojë neve. Aprovojnë invazionin e forcave të Traktatit të Varshavës se gjoja kështu frenohet kalimi i vendeve socialiste në kapitalizëm dhe një pjesë fare e vogël e dënon agresionin dhe shfaq mendimin se ky akt do t’i diskretitojë sovjetikët dhe vërtetojë drejtësinë e vijës së Partisë sonë.

Komente armiqësore janë zhvilluar si më poshtë:

1. Elementët anti-Parti në Tiranë, Fier, Korçë dhe rrethe të tjera thonë se Çekia shkoi drejt liberalizimit të jetës në vend dhe u dha liri të gjitha shtresave të popullsisë. Ata morën një rrugë të drejtë, mirëpo ata nuk u lanë të ecin në këtë rrugë. Një pjesë nga këta aprovojnë ndërhyrjen nga ana e forcave të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki, kurse një pjesë tjetër e dënojnë dhe mbajnë anën e Dubçekut, duke thënë se udhëheqësit çekë u treguan shumë të matur, ata e çuan vendin në atë rrugë që e donte populli, por kur u sulmuan nga trupat sovjetike, bënë thirrje për të mos rezistuar, sepse kjo qe e kotë dhe do t’u sillte dëme. Ky qëndrim i udhëheqëseve çekë është më i fortë se rezistenca.

RAPORTI: BASHKIMI SOVJETIK E TUNDI FARE, TANI DO VIJNE TEK NE

Sovjetikët në Çekosllovaki kanë derdhur gjak dhe s’mund ta linin të bënin si të donin ata. Qëllimi i sovjetikëve në këtë rast ishte që t’i frenonte ato vende që po shkojnë me ritme të shpejta drejt liberalizimit. Ky sulm nuk ka qenë në fakt kundër Çekosllovakisë, por edhe kundra Rumanisë etj., duke përfshirë edhe vendin tonë. Në vendin tonë nuk mund të ketë ndryshime po nuk pati ndërhyrje të jashtme.

2. Elementë armiq që përpunohen nga ana jonë në mjaft rrethe komentojnë se: B.S e tundi fare, ai për disa orë e mori të gjithë Çekosllovakinë, ai është shumë i fortë, e mbushi qiellin plot me aeroplanë. Karshi kësaj force, çekët nuk mund të rezistojnë dot sepse do të dëmtoheshin shumë. Tani në botë ka dy superfuqi që vendosin për çdo gjë, ata çdo gjë e bëjnë sipas interesave të tyre. Ato që themi ne janë llafe, ata nuk pyetën për Çekosllovakinë, që është 18.000.000 me armatime moderne etj. dhe e morën për disa orë, jo të pyesin për neve, por ata s’kanë pasur qëllim ta bënin këtë gjë kundër vendit tonë se po të donin ne, kishim marrë fund. Kjo situatë për ne është në favor, ne duhet ta ndjejmë veten të gëzuar, sepse kështu do të fillojnë të shkatërrohen shtetet socialiste. Këto ngjarje nuk do të mbeten vetëm me Çekosllovakinë, por do të kalojnë dhe në vendet e tjera, pasi popujt nuk janë të kënaqur nga socializmi dhe do të presin rastin për t’u ngritur dhe për ta përmbysur atë. Tani vendi ynë ka mbetur vetëm, asnjeri nuk do ta përkrahë. Udhëheqësit tanë bëjnë deklarata se ne jemi të fortë, por të shohim se ç’qëndrim do të mbajnë po të sulmohen, se të flasësh kur të keqen e kanë të tjerët në kurriz është e lehtë, etj. Pra, duhet kuptuar se sot nuk vendosin llafet, por fuqia e armëve që kanë shtetet e mëdha.

3.Disa intelektualë kanë shfaqur mendime të ndryshme për këto ngjarje. Një pjesë e dënojnë agresionin duke marrë anën e Dubçekut, duke thënë se ky bëri tamam atë që donte populli çekosllovak. Drejtësinë e masave që mori Dubçeku, e provon edhe fakti që populli çekosllovak tani spontanisht po përkrahin Komitetin Qendror me Dubçekun në krye, këta elementë bëjnë aluzione se shpejt ose vonë edhe në vendin tonë do të zhvillohet po ai proces që u zhvillua në vendet revizioniste dhe gjendja në vendin tonë do të ndryshojë patjetër: kurse të tjerët aprovojnë qëndrimin e sovjetikëve, duke thënë se ata janë shumë të fortë se dërguan menjëherë 2000 aeroplanë me nga 4 tanke secili dhe s’i lanë çekët të merrnin frymë. SHBA në fakt e aprovuan ndërhyrjen sovjetike, sepse edhe vetë deklarata e Xhonsonit nuk është shumë e ashpër, vetëm De Goli e dënoi ashpër, sepse ai i trembet Amerikës./IV KALOÇI