Kordinatorja e Pd-se Reila Bozdo mban fjalim.


Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama për lidhje me ndërtuesin e objektit që u shemb një ditë më parë në zonën e kalasë në kryeqytet.

“Prej dy muajsh shkelet ligji në mes të Tiranës në zonën më të mbrojtur. Çdo qytetar e banor i këtij vendi do kishte përfunduar në burg nëse do rregullonte çatinë e shtëpisë apo murin rrethues. Miku i Edi Ramës bën mure, llaç e tulla brenda kalasë që është monument kulture i kategorisë A, dhe asgjë nuk ndodh. Ligji, IKMT dhe policia pushojnë së ekzistuari për njeriun e afërt të kryeministrit”, deklaroi koordinatorja e PD-së, Reila Bozdo.

Opozita e cilëson skandal mungesën e reagimit nga institucionet e mbrojtjes së territorit, pavarësisht se ishin njoftuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës që më datë 14 maj.

“Pse për më shumë se 2 muaj banda IKMT heshti për ndërtimin e mikut të Edi Ramës ?! Pse nuk është arrestuar në flagrancë ndërtuesi për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”? Pse policia nuk e ka proceduar penalisht ndertuesin siç ka vepruar me dhjetëra e qindra raste të tjera kur qttetarët kanë qënë vetëm duke kryer rregullime në shtëpitë e tyre?”, deklaron opozita.

PD akuzon kryeministrin Rama se po zbaton një standard të dyfishtë për qytetarët burgun dhe për miqtë e tij ndërtimin ku dhe kur të duan.

“Këtë standard të dyfishtë, këtë korrupsion e klientelizëm ka ndërmend të instalojë tashmë në Tiranë e kudo me ushtarët e tij bindur të pushtetit lokal”, mbyllet deklarata e PD.

/ Top Channel