“Banda e tritolit”, Julian Sinanaj vë në vështirësi Prokurorinë: Më bënë presion mua dhe familjes

Julian Sinanaj, i pandehuri kryesor i dosjes me shtatë të pandehur te Krimet e Rënda, e njohur si “banda e tritolit”, vë në vështirësi Prokurorinë për Krimet e Rënda. Që prej nisjes në procesit, i akuzuari Sinanaj, njëkohësisht i penduar dhe bashkëpunëtor i Drejtësisë, ka vijuar me përplasje të forta me përfaqësuesit e akuzës në sallën e gjyqit.

Emri:  Vrasesi-me-pagese-Julian-Sinanaj-gjate-nje-seance-ne-Gjykaten-e-Krimeve-te-Renda-e-cila-eshte-sh.jpg

Shikime: 1509

Madhësia:  18.0 KB
Julian Sinanaj, i shoqëruar nga Policia në Gjykatë

Burime brenda procesit të zhvilluar me dyer të mbyllura thonë se thuajse në të gjitha seancat i penduari Sinanaj ka shfaqur kundërshti të forta, duke u tërhequr edhe nga thëniet e tij të bëra gjatë hetimeve paraprake.

Në një nga seancat e kaluara të procesit, Sinanaj nuk pranoi të përfaqësohej nga avokati kryesisht, që ka caktuar gjykata për të. Ai ka pretenduar se avokati nuk përfaqësonte më interesat e tij dhe se ishte palë me Prokurorinë, e cila sipas Sinanajt i ka bërë presion.

Kjo situatë duket se vë në pikëpyetje dëshminë e tij, një nga provat kryesore të Prokurorisë në proces. “Avokati që është prezent më ka bërë presion me prokurorët në ambientet e paraburgimit. Nuk mund të caktoni një avokat të tillë, përndryshe mos më quani bashkëpunëtor të drejtësisë, ndërkohë që më shkelni të gjitha të drejtat e mia. Më është bërë mua dhe familjes sime presion për jetën dhe, kjo që po ju them, nuk është shaka. Nuk kam bërë zgjedhje për avokat, nuk kam mundësi”, mësohet të jetë shprehur Sinanaj.

Më herët, ai ka hedhur akuza ndaj përfaqësuesve të Prokurorisë në sallë, duke pretenduar se nuk ishte bërë një hetim i plotë dhe se disa persona, emrat e të cilëve ai i ka rrëfyer, nuk janë arrestuar nga Policia apo Prokuroria. “Nuk bëhet drejtësi me Polici dhe Prokurori të korruptuar”, u shpreh Sinanaj në një nga seancat e para të procesi.

NGËRÇI
Për shkak të mosbindjes së të penduarit Sinanaj dhe problemeve me avokatin, në seancën e 21 majit gjykata vendosi ndërprerjen e momentit procedural të pyetjes së tij në gjyq dhe vazhdoi me pyetjen e të penduarit tjetër, Ndriçim Gjokona.

“Ndryshimi i kursit” nga ana e Sinanajt ka bërë që avokatët mbrojtës në proces të ngrenë pretendime për pabesueshmëri të thënieve të tij gjatë hetimeve paraprake. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se ekziston mundësia që Sinanaj të humbë statusin e të penduarit. Disa nga të pandehurit në proces janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale, vetëm bazuar në thëniet e të penduarit Sinanaj.

Një prej këtyre rasteve është edhe biznesmeni Ilir Karçini, i cili dyshohet se ka porositur te Sinanaj eliminimin e një biznesmeni nga Durrësi. Prova e vetme e Prokurorisë kundër tij është dëshmia e Sinanajt, provë e vënë në pikëpyetje tashmë. Sipas burimeve, organi i akuzës nuk ka prova të tjera ndaj këtij të pandehuri në lidhje me momentet e përmendura nga Sinanaj në dëshmi, si një takim mes tij dhe biznesmenit Karçini, apo që ky i fundit t’i ketë kaluar një sasi lekësh përmes bankës.

Përfshirja e të pandehurit Karçini është mohuar edhe gjatë dëshmisë së të penduarit tjetër në proces, Ndriçim Gjokona. Gjatë dëshmisë së tij, Gjokona ka pohuar se në dijeninë e tij vrasja e një biznesmeni në Durrës ishte porositur nga grupi i H… të Durrësit.

Panorama