Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Zoti është i mirë !

    Françesku: Zoti na ndihmoftë të mos jemi të krishterë “po, por…”

    “Hiri që sjell me vete Java e Madhe i ndihmoftë të krishterët ta pranojnë, pa kritika e pa ankime, ndihmën, që u jep Zoti e edhe mënyrën si ua jep”. Është mësimi i nxjerrë sot nga Papa Françesku prej leximeve liturgjike të ditës, shpjeguar gjatë homelisë së Meshës, të cilën e kremtoi, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës.

    “Teka shpirtërore para Zotit, që të ofron, në njëmijë mënyra, shëlbimin. Vetëm e vetëm sepse jemi njerëz, që nuk dimë ta pranojnë stilin hyjnor e trishtohemi e shkasim në ‘mërmëritje’, gabim ky, që sot e bëjnë shumë të krishterë, ashtu siç e bënin edhe dikur. Na e tregon Bibla, duke rrëfyer ravgimet e popullit hebre, të shpëtuar nga skllavëria”.

    Papa Françesku u nis nga episodi i propozuar prej Librit të Numrave, atij, në faqet e të cilit hebrenjtë nisin rebelimin, të lodhur e të këputur, siç janë, nga endja pa cak nëpër shkretëtirë, të ushqyer tepër lehtë me mannën e rënë nga qielli. Ligështohen e tërbohen deri në atë masë, sa nisin të marrin nëpër gojë vetë Zotin. E shumë prej tyre shuhen mbi rërën e përvëluar të shkretëtirës, të kafshuar nga gjarpërinj helmues. E vetëm lutja e Moisiut, që ndërmjetëson për ta dhe larton shtagën me gjarpërin në majë - simbol i kryqit mbi të cilin do të varej Krishti - i shpëton nga helmi, ata që ia ngulin sytë, plot shpresë.

    “Kjo ndodh edhe ndër ne, të krishterët. Sa nga ne ndjehen të helmuar nga pakënaqësitë e jetës! Po, vërtet, Zoti është i mirë, por, të krishterët, po, por… Të krishterë po, por… E kanë vështirë t’i hapin zemrat për shëlbimin e Zotit e nisin e vënë vazhdimisht kushte: “Po, por kështu e ashtu…”. “Po, e si jo, dua të shëlbohem, por nëpër këtë rrugë që më pëlqen, jo në tjetrën!”. Kështu zemra nis e mbushet me vrer".

    Edhe ne, vijoi Françesku, shpesh herë themi se na është velur stili hyjnor. Mospranimi i dhuratës së Hyjit me stilin e tij: ky është mëkati, nënvizoi Papa. Ky, helmi! Kjo ta vreros zemrën, ta zhduk gëzimin, ta pret rrugën. E Jezusi, vijoi Françesku, e zgjidh këtë mëkat, duke u ngjitur në Kalvar.

    Ai vetë e merr mbi vete vrerin, mëkatin e lartohet. E merr këtë acar zemre, këtë prirje për të qenë i krishterë përgjysëm, “i krishterë, po, por…”.

    Ky entuziazëm fillestar në ndjekjen e rrugës së Zotit, pasuar nga pakënaqësia, shërohet vetëm duke ia ngulur sytë Kryqit, duke shikuar Zotin, që merr mbi vete barrën tejet të rëndë të mëkateve tona: e edhe mëkati im është atje, mbi Kalvar!
    Sa të krishteë, përfundoi Françesku, vdesin sot në shkretëtirat e trishtimit të tyre, shuhen në mërmëritjet e tyre, të pakënaqësisë së tyre ndaj stilit të Zotit.

    “Ta shikojmë gjarprin, helmin, atje, në korpin e Zotit, helmin e të gjitha mëkateve të botës, e të gjitha mëkateve tona, e të lypim hirin për t’i pranuar çastet e vështira. Ta pranojmë stilin hyjnor të shëlbimit, ta pranojmë shujtën e lehtë, për të cilën qaheshin hebrenjtë, t’i pranojmë ngjarjet, ashtu si vijnë… T’i pranojmë udhët, nëpër të cilat Zoti na çon përpara. E udhët e kësaj Jave të Madhe, që po fillon!”.
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  2. #2
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Për: Zoti është i mirë !

    Françesku: Zoti është i dashuruar me ne, "ëndërron" për ne !

    Zoti është i dashuruar me ne e ne jemi "ëndrra" e Tij e dashurisë. Këtë asnjë teolog nuk mund ta shpjegojë, ndërsa ne mundemi vetëm të qajmë nga gëzimi: ky, thënë përmbledhtas, ishte thelbi i homelisë, që mbajti sot Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

    "Ëndrra" e Zotit

    Duke u nisur nga Leximi I i Izaisë profet, ku Zoti thotë se do të krijojë “qiej të rinj e tokë të re”, Papa Françesku pohoi se krijimi i dytë i Zotit është dhe më i mrekullueshëm se i pari, sepse, kur Zoti e ‘ribën’ botën e rrënuar nga mëkati, e ‘ribën’ në Jezu Krishtin. Në këtë risim të çdo gjëje, Zoti shpreh gjithë gëzimin e tij: Vërejmë se Zoti ka shumë entuziazëm: flet për gëzim e thotë një fjalë: “Do të kënaqem me popullin tim”. Zoti mendon atë që do të bëjë, mendon se Ai, Ai vetë, do të jetë në gëzim, bashkë me popullin e tij. Të duket si të ishte një ëndërr e Zotit: Zoti ëndërron. Ka ëndrrat e veta. Ëndrra për ne:

    “Ah, sa gjë e bukur do të jetë kur të jemi gjithë bashkë, kur të jemi atje o kur ky apo ai njeri... do të ecë me mua… Po, unë do të kënaqem në këtë çast!’. Po jap një shembull, që mund të na ndihmojë për ta kuptuar këtë: si kënaqet vasha me të fejuarin, o djali me vashën, kur mendon: ‘Po kur do të jemi bashkë, kur do të martohemi… Është 'ëndrra' e Zotit”.

    Ne jemi në mendjen e në zemrën e Zotit.

    Zoti, vijoi Papa, mendon për secilin prej nesh, mendon mirë, na do mirë, 'ëndërron' për ne. 'Ëndërron' për gëzimin, që do të ketë me ne. Prej këndej Zoti dëshiron ta ‘ri-krijojë’ zemrën tonë, për të bërë që të ngadhënjejë gëzimi:

    “A keni menduar ndonjë herë? Zoti 'ëndërron' për mua! Unë jam në mendjen, në zemrën e Zotit! Zoti mund të ma ndërrojë jetën!’. E bën shumë plane: ‘Do të ndërtojmë shtëpi, do të mbjellim vreshta, do të hamë bashkë’… gjithçka që ëndërron njeriu i dashuruar… E kështu Zoti tregon se është i dashuruar me popullin e vet. E i thotë popullit të tij: ‘Nuk të zgjodha pse je më i forti, më i madhi, më i pushtetshmi. Të zgjodha sepse je më i vogli nga të gjithë. Po unë të zgjodha kështu siç je. E kjo është dashuri”.

    Dashurinë e Zotit për ne nuk mund ta shpjegojë asnjë teolog!

    Zoti është i dashuruar me ne, rikujtoi Papa, duke komentuar edhe fragmentin e Ungjillit, që flet për shërimin e djalit të nëpunësit mbretëror:

    “Besoj se nuk ka asnjë teolog, që mund ta shpjegojë këtë: nuk mund ta shpjegojë. Këtë mundesh vetëm ta mendosh, ta ndjesh e të derdhësh lot gëzimi. Zoti mund të më shndërrojë. E ç’duhet të bëj? Të besoj! Duhet të besosh se Zoti mund të të bëjë njeri tjetër. Ai është i fuqishëm. Mjafton të besosh se Ai mundet! Si babai, për të cilin flet Ungjilli. Ai besoi se Jezusi mund ta shëronte të birin. E Zoti ia shëroi. Kjo është fe. Kjo do të thotë të besosh, t’i bësh vend Zotit, që të vijë e të më shndërrojë”.
    Ndryshuar për herë të fundit nga toni77_toni : 28-03-2015 më 07:33
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  3. #3
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Për: Zoti është i mirë !

    Papa: gëzimin nuk e jep doktrina e ftohtë, por besimi në Jezusin !

    Nuk është doktrina e ftohtë, ajo që jep gëzim. Gëzimin e japin feja e shpresa, që burojnë nga takimi me Jezusin. Besimtari, që nuk di ç’është gëzimi, është gjithnjë i trishtuar. Kështu u shpreh sot Papa gjatë homelisë, mbajtur në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke u përqendruar tek besimi i patundur i Abrahamit.

    E pikërisht gëzimi i Abrahamit, që mbushet me shpresë, kur merr vesh se do të bëhet baba, siç i kishte premtuar Zoti, i priu reflektimit të Papës në komentin e leximeve të ditës. Abrahami është plak, e plakë është edhe fati i tij, Sara, por ai beson, zemra e tij është gjithnjë e hapur për shpresën, është plot me ngushëllim. JEZUSI u kujton doktorëve të ligjit se Abrahami galdoi në ditën e ëndërruar e hovi nga gëzimi, kur pa dritën djali, aq shumë i dëshiruar, i premtuar nga Hyji.

    E pikërisht këtë nuk e kuptonin doktorët e ligjit. Nuk e kuptonin gëzimin, që gurron nga premtimi; gëzimin, që buron nga shpresa, gëzimin e besës së lidhur me Zotin. Nuk kuptonin! Nuk dinin ç’është gëzimi, sepse e kishin humbur kuptimin e atij gëzimi, që vjen vetëm nga besimi në Zot. Ati ynë, Abrahami, u gëzua, sepse ishte plot me fe. U bë i drejtë, përmes besimit! Përmes besimit të plotë në Zotin. Por ka edhe më: doktorët e kishin humbur ligjin! Sepse qendra e ligjit është dashuria, dashuria për Hyjin e për të afërmin.
    Kështu u shpreh Papa, e vijoi:

    “Kishin vetëm një sistem doktrinash të sakta, të cilat i saktësonin edhe më shumë çdo ditë, që të mos guxonte t’i prekte askush. Njerëz pa fe, pa ligj, të kapur me doktrina, pas të cilave shpesh viheshin një mori pikëpyetjesh: ‘Duhet a s’duhet t’i paguhen taksat Çesarit? Kjo grua, që u martua shtatë herë, kur të shkojë në qiell do të jetë gruaja e të shtatëve, apor vetëm e njërit? E nëse e njërit, e cilit do të jetë?’. Kazuistikë…Dyshim i lindur ndërmjet zërit të ndërgjegjes e zërit të ligjit. Kjo ishte bota e tyre, botë krejtësisht abstrakte, botë e akullt, pa dashuri, botë pa fe, botë pa shpresë, botë pa besim. Botë pa Zot! E prandaj edhe nuk mund të gëzoheshin. Gëzimi ishte i huaj për ta”.

    Ndoshta doktorët e ligjit, vërejti me ironi Papa, edhe mund dëfreheshin, por pa gëzim, madje me frikë. Kjo është jeta pa besim në Zotin, pa shpresë në Zotin. E zemra e tyre ishte bërë gur. E trishtë, theksoi Françesku, të jetosh pa gëzim. E gëzim nuk mund të kesh, kur nuk ke besim. Nuk mund të kesh gëzim, kur nuk ke shpresë. Nuk mund ta kesh, kur s’ka ligj te Zotit, por vetëm rregulla, doktrinë të akullt:

    “Gëzimi i besimit, gëzimi i Ungjillit, është guri i provës, që flet për fenë e njeriut. Pa gëzim, njeriu nuk mund të jetë besimtar i vërtetë. Të kthehemi në shtëpi, por përpara të kremtojmë këtu me fjalët e Jezusit; ‘Abrahami ati juaj, galdoi në shpresë, duke parë ditën time. E pa e u mbush plot me gëzim’. E t’i kërkojmë Zotit hirin të galdojmë në shpresë, hirin që të mund ta shikojmë ditën e Jezusit, kur të jemi me Të, përplot me hirin e gëzimit”.
    Ndryshuar për herë të fundit nga toni77_toni : 28-03-2015 më 07:24
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  4. #4
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Për: Zoti është i mirë !

    Mos e ndalni atë, që kërkon Krishtin!


    Reflektimi i Papës mori shkas nga leximet e sotme liturgjike, të cilat flasin për ujin, që shëron. Ezekieli profet përshkruan bukur ujin, që rrjedh nga tempulli e që jashtë tij bëhet një përrua i fuqishëm e pastaj lumë, në ujrat e të cilit, plot me peshq, gjithkush mund të rigjallërohet. Është fjala për ujin e pishinës së Betsatasë, e cila përmendet edhe në Ungjill. Pranë saj, që prej 38 vjetësh, qëndronte një paralitik, që s’kishte njeri ta ndihmonte të zhytej për t’u shëruar. Jezusi e nxit të çohet e ai merr shtrojën e vet e ngrihet në këmbë, i shëruar. Dijetarët e ligjit e kritikuan me të madhe, sepse Jezusi e kishte shëruar ditën e shtunë. Histori e përhershme, komentoi Papa Françesku:

    “Një burrë – një grua – që ndjehet i sëmurë në shpirt, i trishtuar, që ka bërë shumë gabime në jetë, në një çast të caktuar, sheh se ujrat po lëvizin - është Shpirti Shenjt që i lëviz - ose dëgjon një fjalë… ‘Eh, dua të shkoj atje!’… Merr guxim e shkon. Po sa herë sot, në bashkësitë e krishtera, e gjen derën e mbyllur: ‘Jo, ti nuk mundesh, ti nuk mundesh. Ti ke gabuar e s’mund të hysh. Po deshe të vish, hajde në meshën e së dielës, por rri aty, mos bëj më shumë’. E të krishterët, me psikologjinë e dijetarëve të ligjit, shkatërrojnë kështu atë, që bën Shpirti Shenjt në zemrën e njerëzve”.

    Kisha është shtëpia e Jezusit.

    Kisha, theksoi Papa, duhet t’i ketë gjithnjë portat të hapura: “Është shtëpia e Jezusit e Jezusi mirëpret. E jo vetëm kaq, por shkon t’i kërkojë njerëzit, siç shkoi për paralitikun. E nëse njerëzit kanë plagë në shpirt, ç’bën Jezusi? I qorton? Jo, i merr dhe i mban mbi supe. E kjo quhet mëshirë. E kur Zoti e qorton popullin e vet – ‘Mëshirë dua, jo flijime!’ – kështu i thotë”.

    Dashuria është ligji.

    Ti që ia mbyll portat njeriut me dëshirë për t’u përmirësuar, nuk je askush, vijoi Ati i Shenjtë. Krishti, përfundoi, i ndihmofshin të gjithë të mos bëjnë të njëjtin gabim me ata, që përçmuan dashurinë e Jezusit për paralitikun, vetëm sepse ishte kundër ligjit:

    “T’i kërkojmë sot Zotit në meshë, për ne, për secilin prej nesh e për të gjithë Kishën, kthimin kah Jezusi, kthimin e zemrës kah Jezusi, kah mëshira e Tij. E kështu, Ligji do të plotësohet krejtësisht, sepse Ligj është të duash Zotin e të afërmin, si vetveten”

    vazhdon--->
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-09-2014
    Postime
    992

    Për: Zoti është i mirë !

    zoti eshte shume me teper se i mire dhe mos e kerko me kot ate ne te keqen qe ndodh....por ja qe disa engjej te shenjte dyshojne per te, dhe dyshojne te jete nje demon i races se ulet te dherave apo ish perandorise se djajve asaj perse, dmth te ngaterresave.

  6. #6
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Për: Zoti është i mirë !

    Përvujtëria është udha e Zotit !

    Nuk ka përvujtëri, pa përulje. Papa Françesku, në të Dielën e Larit, që hap Javën e Madhe, nënvizoi se Zoti përulet, për të ecur me popullin e vet. Kujtoi edhe përuljen e të gjithë atyre, që poshtërohen dhe diskriminohen për shkak të besnikërisë ndaj Ungjillit. Kjo është udha, për të ndjekur Jezusin e për ta jetuar Javën e Madhe. Përulja është, para së gjithash, stili i Zotit, sqaroi Papa Françesku. E shtoi:

    “Një stil, që nuk do të mbarojë kurrë së na habituri e së na vëni në krizë: njeriu e ka tepër të vështirë ta kuptojë një Zot të përulur”.

    Me kremtimin e së Dielës së Larit, vijoi Ati i Shenjtë, tejet festive në dukje, hapet Java e Mundimeve të Krishtit. Në udhën e dhimbshme e nën hijen e kryqit, kujtoi, do të dëgjojmë sharjet e njerëzve e fyerjet e krerëve. Do ta shikojmë Zotin të poshtëruar. Të tallur. Të tradhtuar. Të braktisur. Të përqeshur. Vetëm nëse edhe ne ecim në udhën e përuljes së Jezusit, sqaroi Papa, do të jetojmë një Javë të Madhe me të vërtetë të shenjtë. Françesku pohoi më pas:

    “Kjo është udha e Zotit, udha e përuljes. Është udha e Jezusit, e nuk ka tjetër. Sepse nuk mund të ketë përvujtëri, pa përulje”.


    Zoti përulet për të ecur me popullin e vet, vijoi, për të mbartur pabesinë e tij. E më pas citoi Librin e Daljes, ankimet e popullit, që Ati i kishte bërë të dilnin nga gjendja e skllavërisë e u printe në shtegtimin përmes shkretëtirës, kah toka e lirisë:

    “Përvujtëri, shpjegoi Françesku, do të thotë shërbim, do të thotë t’i bësh vend Zotit, duke u zhveshur nga vetvetja, ‘duke u zbrazur’, siç thonë Shkrimet e Shenjta. E kjo është përulja më e madhe”.

    Më pas Papa foli për rrugën e kundërt me këtë të Krishtit, rrugë të cilën e përkufizoi me dy fjalë: mendësi e botës. Me karakteristika të mirëpërcaktuara:

    “Mendësia e botës na ofron udhën e kotësisë, të krenarisë. Është udhë tjetër. Djalli ia propozoi edhe Jezusit, gjatë dyzet ditëve në shkretëtirë. Po Zoti e refuzoi pa ngurrim. E me Të, me hirin e Tij vetëm, me ndihmën e Tij, edhe ne mund të fitojmë mbi tundimin e kotësisë, të mendësisë së botës. E jo vetëm në rastet e mëdha, por edhe, e sidomos, në rrethanat e zakonshme të jetës”.

    Të ecim edhe ne në këtë udhë, i inkurajoi besimtarët Françesku, na ndihmon e na ngushëllon kësaj udhe shembulli i shumë burrave e grave që, në heshtje e fshehtësi, çdo ditë, e mohojnë vetveten për t’u shërbyer të tjerëve: një të afërmi të sëmurë, një plaku të vetmuar, një fqinji të gjymtuar…”. E më pas, mendimi për të gjithë ata që, për shkak të qëndrimit besnik ndaj Ungjillit, diskriminohen, duke e paguar shpesh edhe me jetë këtë besnikëri.

    Janë të krishterët e persekutuar: “Të mendojmë për vëllezërit e motrat tona të persekutuara, vetëm e vetëm pse të krishterë, martirë të ditëve tona: janë shumë! Nuk e mohojnë Jezusin e i mbartin me dinjitet fyerjet e poshtërimet. E ndjekin Zotin në rrugën e Tij. Mund të flasim për një turmë të vërtetë dëshmitarësh: janë martirët e ditëve tona”.

    Françesku nuk ka asnjë dyshim: në udhën e përvujtërisë së Zotit, na prin e na jep forcë dashuria e Tij!
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

  7. #7
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Për: Zoti është i mirë !

    Jezu Krishti u ngjall!

    Dashuria e mundi urrejtjen, jeta e mundi vdekjen, drita e dëboi errësirën!
    Jezu Krishti, për dashurinë tonë, u zhvesh nga lumnia e tij hyjnore; e zbrazi vetveten, mori pamjen e shërbëtorit, u përul deri në vdekje, e në vdekjen në kryq. Prandaj Zoti e lartoi dhe e bëri Zotëri të gjithësisë. Jezusi është Zoti!

    Me vdekjen dhe ngjalljen e tij, Jezusi u tregon të gjithëve udhën e jetës e të lumturisë: kjo udhë është përvujtëria e kërkon përulje. E kjo është udha, që çon në lumni. Vetëm kush përulet, mund të shkojë kah “sendet atje lart”, kah Hyji(cfr Kol 3,1-4). Krenari shikon “nga lart poshtë”, i përvuajturi, “nga poshtë, lart”.

    Në agun e Pashkëve, të lajmëruar nga gratë, Pjetri e Gjoni rendën tek varri dhe e gjetën të hapur e të zbrazët. Atëhere u afruan e “u përkulën” për të hyrë në varr. Për të hyrë në mister duhet “të përkulesh”, të ulesh. Vetëm kush ulet e kupton lumnimin e Jezusit e mund ta ndjekë në udhën e tij.

    Bota propozon të imponohesh me çdo kusht, të konkurosh, të vlerësohesh. Por të krishterët, për hir të Krishtit të vdekur e të ngjallur, janë lastarë të një njerëzimi tjetër, në të cilin kërkojmë të jetojmë në shërbim të njëri-tjetrit, të mos jemi arrogantë, por të gatshëm e respektues.

    Kjo nuk është ligështi, është forcë e vërtetë! Kush ka në shpirt forcën e Hyjit, dashurinë e drejtësinë, nuk ka nevojë të përdorë dhunën, por flet e vepron me forcën e së vërtetës, të bukurisë, të dashurisë.

    Nga Zoti i ngjallur lypim hirin të mos i nënshtrohemi krenarisë, që ushqen dhunë e luftëra, por të kemi guximin e përvuajtur të faljes e të paqes. Jezusit ngadhënjimtar t’i kërkojmë t’i lehtësojë vuajtjet e vëllezërve tanë të shumtë të persekutuar për shkak të emrit të Tij, ashtu si edhe të atyre, që vuajnë padrejtësisht pasojat e konflikteve e të dhunës.....
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •