Emri:  Bledar-Zajmi-1.jpg

Shikime: 2291

Madhësia:  84.3 KB
Emri:  Bledar-Zajmi_1.jpg

Shikime: 1974

Madhësia:  58.2 KB

Bledar Zajmi, violonçelisti shqiptar në Teatrin Kombëtar të Pragës, rikthehet pas 22 vitesh në skenën e Akademisë së Arteve, me një koncert i cili ka nisur nga Praga e do të vazhdojë në Fier, Shkup dhe Prishtinë

Schwabische Zeitung – “…Loja e Bledar Zajmit është e mrekullueshme. Pasi arriti të shfrytëzojë plotësisht mundësitë që Bachi ka paraqitur te suitat e veta. Interpretimi i tij ishte energjik, vallëzues dhe kishte ekspresion të fortë. Nën gishtërinjtë e tij u rizgjua në jetë muzika e vjetër disa shekuj që bëri për vete dëgjuesit…”

Tingujt e Leos Janacek apo Bohuslav Martinu të çojnë gjithnjë në një tjetër hapësirë. Aty ku duket sikur gjithçka pushon për t’ia lënë vendin muzikës. Të hënën në mbrëmje, në skenën e Akademisë së Arteve, për herë të parë muzika dy kompozitorëve të njohur çekë mbushi sallën nën interpretimin në violonçel të artistit Bledar Zajmi dhe tingujt e pianos së Etrita Ibrahimit. Një koncert me emocione i dy artistëve virtuozë. Nëse Etrita e ka prekur shpesh këtë skenë, për Zajmin që prej vitesh e ndan karrierën e tij artistike jashtë Shqipërisë, ky ishte një tjetër emocion. Ishte një rikthim pas 22 vitesh në atë skenë ku dikur ishte ngjitur si student. Pas përfundimit të Liceut, udhëtimi me një bursë studimi në Akademinë e Muzikës së Pragës do të ndryshonte përgjithmonë të ardhmen e studentit shqiptar. Ai do t’i kushtohet karrierës solistike dhe interpretimit të muzikës së dhomës, duke performuar këto vite në shumë teatro të rëndësishme të Europës si dhe Japoni, Kinë apo Brazil. Në vitin 1999, ai fiton në Konkursin Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në “Palma d’Oro”, çmimin e dytë dhe çmimin special të jurisë për interpretimin më të mirë. Nga viti 2000, ai është koncertmaestër – violonçelist solist i orkestrës së Operës dhe Baletit në Teatrin Kombëtar të Pragës. Zajmi luan në një instrument të quajtur “Claurus” nga mjeshtri çek Jan Slipka. Pas interpretimit në skenën e Akademisë së Arteve, i shoqëruar nga pianistja Ibrahimi, ai do të interpretojë në një tur koncertor që vazhdon me qytetin e Fierit, për t’u ndalur në Shkup e Prishtinë…


Riktheheni në Tiranë për një recital në Akademinë e Arteve? Si është rikthimi në vendet ku keni kaluar një pjesë të viteve?

Koncerti recital në Akademinë e Arteve në Tiranë është pjesë e turneut që po zhvilloj në Çeki, Gjermani, Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Përveç kënaqësisë që luaj në Tiranë, në vendlindje, vendin ku jam rritur dhe kam hedhur hapat e parë në profesionin tim, koncerti në Akademinë e Muzikës në Tiranë është një rikthim dhe riprezantim i imi i mirëfilltë në skenën e Artit në Shqipëri prej më shumë se 22 vjetësh. Për mua është një ndjesi interesante, që më evokon shumë kujtime kur mendoj se do të performoj në sallën e Akademisë ku rikthehem pas gati 27 vjetësh. (Herën e fundit jam prezantuar si nxënës në kuadër të aktiviteteve artistike të shkollës).


Çfarë pjesësh keni zgjedhur për të interpretuar në koncert?

Programi i koncerteve përmban pjesë të repertorit violonçelistik botëror dhe shqiptar si Beethoven, Grieg, Sokoli, Dvorak, Janacek dhe Martinu. Duke qenë se 2014 ishte viti i kulturës çeke në botë, në program, një vend të veçantë e zë interpretimi i veprave të kompozitorëve çekë si Leos Janacek dhe Bohuslav Martinu, (të cilët janë nga kompozitorët më të dashur dhe të njohur të shekullit të kaluar jo vetëm në Çeki, por në të gjithë botën), vepra të cilat në këtë koncert do të luhen për herë të parë në Shqipëri…

Ju jetoni në Çeki, ku jeni dhe koncertmaestër në Orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës së Pragës… Mund të na flisni pak më tepër për aktivitetin tuaj atje?

Më shumë se 22 vjet jetoj në Pragë, në një qytet i cili me historinë, kulturën dhe traditën e tij, i ka dhënë shumë artit dhe jetës kulturore në botë. Kam pasur privilegjin të studioj në një ndër shkollat më të njohura të muzikës siç është Akademia e Muzikës e Pragës dhe të marr pjesë në kurse perfeksioni nga pedagogë të shkollave europiane si B. Pergamentschikow (Gjermani) dhe J. Chuchro (Austri). Nga viti 2000 jam spale – koncertmaestër i Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Pragë, i cili është një ndër veprat monumentale të historisë së Çekisë, ku shumë kompozitorë të famshëm çekë kanë vënë në jetë veprat e tyre. Një teatër që ka një traditë prej më shumë se 125 sezonesh. Gjithashtu ushtroj veprimtarinë time koncertale në recitale ose me formacione të ndryshme të muzikës së dhomës në Çeki dhe në shumë vende të botës.


Ndodh gjithnjë diçka që duket sikur ndan përgjithmonë të ardhmen tonë. Me ju çfarë ndodhi? Si e kujtoni lidhjen me muzikën?

Isha vetëm 5 vjeç, kur u njoha me notat e para, pentagramin dhe njohuritë bazë të interpretimit…Me shumë nostalgji kujtoj orët e mësimit në shkollën fillore Kongresi i Përmetit në Tiranë me mësuesen A. Hasa., konkurset kombëtare dhe aktivitetet e shumta që zhvillonim në kuadër të festave të ndryshme kombëtare. Vitet e Liceut ishin vitet më të rëndësishme të formimit tim si muzikant, ku një rol të veçantë ka pedagogu Xhovalin Lazri, njeriu që përgatiti në Shqipëri breza violonçelistësh, të cilët sot performojnë në orkestra dhe formacione kamerale në të gjithë botën. Më pas ndoqa për një vit studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë me prof. A. Selitën. Këto ishin disa nga periudhat më të bukura të jetës sime, të cilat i kujtoj shpesh për emocionet, koncertet, lojërat, zënkat, dashuritë e para dhe shoqërinë…

Pas koncertit në Akademinë e Arteve në Tiranë, do të interpretoni në qytetin e Fierit, më pas në Shkup e Prishtinë. Çfarë është ky tur koncertor?

Ky është një tur koncertor i konceptuar jo vetëm nga ana interpretative, por dhe nga ana pedagogjike. Koncertet e këtij turneu shoqërohen me kurse perfeksionimi për studentët në Tiranë (Akademia e Arteve), në Liceun e Fierit dhe në Universitetin e Tetovës. Në këto kurse, unë kam dëshirën të shkëmbej mendime dhe përvojat e ndryshme në fushën e interpretimit me studentët dhe kolegët. Dua të ofroj përvojën time për t’u ardhur në ndihmë sado pak në punën e tyre të mëtejshme dhe në promovimin e talenteve. Në këto koncerte do të shoqërohem nga pianistja koncertiste Etrita Ibrahimi, me të cilën kam pasur nderin të luaj koncertin e parë të këtij turneu në Pragë dhe më pas së bashku do të mbyllim turneun në Prishtinë në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës D.A.M.

Çfarë ka ndryshuar në konceptin tuaj për muzikën me kalimin e viteve?

Nuk jam nga ata njerëz që i pëlqen të bëjë filozofi për konceptin e muzikës, vetëm dua të them se është pjesë e pashmangshme e jetës sonë të përditshme, pa të cilën ajo nuk do të kishte as kuptim, është gjuha që i bashkon kombet….

E ndiqni çfarë ndodh sot me artin në Shqipëri?

Për sa kam ndjekur nga mediat dhe kontaktet me miq e kolegë, mendoj se mbështetja që u bëhet projekteve të ndryshme artistike nuk është në nivelin e duhur, në shkallën që sado pak do t’i ndihmonte artistët në performimin e veprave të tyre. Mendoj se do të duhej sensibilizim më i fortë jo vetëm ndaj institucioneve shtetërore por edhe i biznesit, në mënyrë që skena artistike të marrë jetë dhe të ketë vazhdimësi, që arti të jetë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të brezave të ndryshëm dhe shoqërisë ku jetojmë.

Shqip