PERSONAZH/ Flet modelja dhe arkitektja Atalanta Kërçyku

- Vajzat po bëhen si copy paste të njëra-tjetrës dhe individualiteti po humbet

- Aty ku ka punë të palodhshme, respekt e dashuri nuk ekzistojnë kufijtë e shteteve

- Vetëbesimi bën te arrish të pamundurën
- Italia mbetet high class në fushën e modës

- Për një femër të emancipuar vlen me shume se çdo gjë arritja e idealit te saj të jetës

- Arkitektura është profesioni, hobi e dëshira ime e parë

- Jam e dashuruar me jetën, vlerat e vërteta, të bukurën dhe të vërtetën

- Vajzat veshin syzet e xhelozisë e verbohen me to

- Dhurata më e mirë për këtë fundvit ishte kurora si më e bukura e Ballkanit

- Unë mendoj se "Djalli është Femër"


Albert Z. ZHOLI


Pasaporta

Atalanta Kërçyku
Mosha : 23 vjeçe
Vendlindja : Elbasan, Shqipëri
Shkollimi : Viti 5 studim në Arkitekturë
Hobi : Modeling, Miss
Gjatësia : 1.75 cm
Pesha : 55 kg
Përmasat : 90-60-90
Sytë : Të gjelbër
Titujt :
1- "Miss International Automoto Sport 2014"
2- "Next Top Model of Albania 2014"
3- "Beauty of Albania 2015"
4-"Miss Ballkan 2015"

-Si lindi dëshira për të konkurruar si modele?

Modelizmi ka qenë dëshirë e fshehur thellë në mua. Ashtu si çdo vajzë, bota e modës na tërheq kaq shumë. Isha përqendruar kaq shume në shkollimin tim, sa vitet ikën tutje. Ishte këmbëngulja e një menaxheri të huaj që ndryshoi jetën time. Falë tij, edhe pse pak vone, u futa fuqishëm në botën e modës.

-Kush ju mbështeti më shumë nëna apo babai?

Nëna ime ka qene gjithmonë pranë meje. Ka luftuar kundër mentalitetit shqiptar e kundra vetes se saj, jo vetëm qe ta pranonte atë që unë po bëhesha por ta nxiste për më shumë. Ajo ka qenë mbështetja ime, pa të cilën s’do mundesha. Në fund të fundit, s’ka asgjë të keqe të jesh pjesë e kësaj bote kaq të bukur të modelingut. Babai im e ka ende të vështirë, ama unë e di që thellë-thellë është krenar për arritjet e mia e faktin që po çaj përpara vetëm.

-Cila ishte sfilata e parë dhe ku?

Çuditërisht ka qenë Serbia, shteti që më ka hapur krahët i pari. Belgrade Fashion Ëeek 14' ka qenë sfilata e parë. Aktualisht jam imazh i "Kryoline Make Up Serbia" dhe bashkëpunimet e mia me këtë shtet janë të shumta. Njerëzit çuditen kur i them këtë detaj, ndërsa për mua s’përbën çudi. Të gjithë ne jemi njerëz të një bote dhe përfaqësojmë vlerat individuale e jo mërite shtetërore. Aty ku ka punë të palodhshme, respekt e dashuri nuk ekzistojnë kufijtë e shteteve.

-Si u ndjetë kur mbaruat sfilatën e parë?

Shkëlqyeshëm. Nuk ka pasur ndjenje me te bukur sesa ajo qe lindi menjëherë në mua, si diçka që kishte kohë që donte të shpërthente. Publiku më mirëpriti. E profesionistët në skenë më lavdëruan sikur të kisha një jetë në pasarelë. Vetëbesimi bën te arrish të pamundurën.

-Cilat janë aktivitetet tuaja të fundvitit dhe çmimet?

Sapo jam kurorëzuar si "Miss Ballkani 2015" eveniment që u mbajt në Shkup, Maqedoni, natën e ndërrimit të viteve. Mendoj se është çmim i lartë që ndërthur krenarinë time si e para shqiptare qe marr këtë çmim. Përveç këtij jam gjithashtu fituese e "Miss Automoto International 2014" në maj, në Vodice, Kroaci, ndërmjet 25 vajzave nga Europa dhe "Beauty of Albania 2015" në Pejë, Kosovë në muajin dhjetor.

-Në këto aktivitete ku je ndjerë më mirë?

Evenimentin në Kroaci nuk kam për ta harruar. Ishte çmimi im i parë, arritja më e lartë në nivel europian. Kam njohur njerëz që më kanë ndryshuar jetën me këshillat e ndihmesat e tyre. Përballja me vajza nga e gjithë Europa dhe triumfi mbi ta. Vajzat ishin shumë të sjellshme dhe udhëtimet ishin të shpeshta ...

-Kush ishte nxitësi në këto aktivitete?

Kam punuar shume për gjithçka që kam, ama mbështetja pa të cilën s’do isha këtu është ajo e menaxherit tim Aleksandar Rajkov. Ai ishte i pari që pa aftësitë e mia. Që më shndërroi nga një studente e thjeshtë shkolle në një mis të vërtetë, më mësoi pafund gjëra e më bëri të aftë të përballoj tensione të mëdha e konkurse botërore. E falënderoj që më ndryshoi jetën në mënyrën që gjithmonë kam dashur. Qe thjesht fati im që i tërhoqa vëmendjen një njeriu aq profesionist e të lartë në fushën e modës si ai.

-Në këto aktivitete kishte vetëm stimuj moral apo dhe material?

Diçka që më ka dalluar gjithmonë nga "modelet" shqiptare është se asnjëherë nuk harxhoj kohën, energjitë e dëshirat e mia kundrejt asgjëje materiale. Modelingu është një profesion me vete e si i tillë n.q.s është profesionist është i aftë për të përballuar jetesën. Gjithçka lidhet me sesa e vlerëson veten, përpjekjet e tua dhe aftësisë për ti thënë "Jo" joprofesionalizmit e shfrytëzimit.

-Cili është vendi më i mirë që ju pëlqen për mënyrën e organizimit?

Italia mbetet high class në fushën e modës nga çfarë kam provuar deri tani. Uroj që edhe në Shqipëri të mund të përvetësojmë pak nga arritjet e tyre pasi potencial kemi shumë.

-Jeni supersticioze dhe tek cilat numra, sende apo fenomene besoni?

Nuk besoj kollaj. Mendoj qe gjithçka që ndodh në jetë ka lidhje me vendimet që marrim. Unë krijoj jetën qe dua e nuk mund të ankohem për atë çka më ndodh. Vërtetë disa gjëra janë përtej fuqive tona, por mënyra sesi i përballojmë përbën atë çka jemi. Të fillojmë të ankohemi pse na ndodhi diçka e keqe s’ka për të na bërë më mirë.

-Njeriu ka dhe s’ka idhuj në jetë, ose më mirë të themi ka dhe udhërrëfyes të së mirës, ju keni të tillë. Apo cilat modele keni më për zemër?

Normal qe kam si çdo kush në fushat me të cilat merrem. Është mirë të kesh një idhull e të mësosh se ia dolën nga 0 vetëm nga puna e dëshira e mirë. Në modeling mbetet e papërsëritshmja Adriana Lima dhe në arkitekturë Zaha Hadidin e adhuroj për mileniumin e ri të dekonstruktivizmit që po ndërton.

-Çfarë është më e shtrenjtë sot për një femër të emancipuar?

Për mendimin tim, për një femër të emancipuar vlen me shume se çdo gjë arritja e idealit te saj të jetës. Për të, gjërat monetare s’janë asgjë përpara qëllimeve që i ka vënë jetës. Ajo kërkon atë që s’blihet e që çmohet kaq shumë, idealin e përsosmërisë. Prandaj dhe mbetet kaq e frikshme në sytë e njerëzve të thjeshtë, nuk kënaqet me të rëndomtën por me vlerat dhe emocionet e vërteta.

-Në sa sfilata keni marrë pjesë?

Nuk i kam numëruar ne fakt. Modelet humbasin fillin e numërimit pas kënaqësisë së fillesave të para. Dua të sqaroj këtu se unë nuk merrem shumë me sfilata, por me mise e imazhe kompanish e reklamash.
Sfilatat më pëlqejnë por arti i fotografisë, kamerave dhe miseve mbetet kaq emociondhënës për mua.

-Përveç modele keni ndonjë profesion, apo hob, që ngjitet në nivelet e një talenti të dytë?

Modelingu ne fakt është profesion e hob në rol të dytë. Unë studioj në vit të pestë në fakultetin e Arkitekturës. Gjithashtu punoj në këtë profesion sa herë që jam e lirë në aredime, interiere, bare, lokale, shtëpi etj... Pra Arkitektura është profesioni, hobi e dëshira ime e parë.

-Jeni e dashuruar dhe ç’ është dashuria për ju?

Jam e dashuruar me jetën, vlerat e vërteta, të bukurën dhe të vërtetën. Vlerat e vërteta janë dashuri për mua. Dashuria është shumëngjyrëshe dhe e papërshkrueshme ... Çdokush është i dashuruar në ndjenja, njerëz e bukuri të ndryshme.


-Cilat janë lidhjet me muzikën dhe librin?

Muzika është arti më qetësues që të largon çdo stres në minuta tingujsh e fjalë zemre. Më pëlqen shumë të dëgjoj e kërcej nën tingujt e saj. Por libri mbetet pika ime e dobët me të cilin gjithmonë kam qenë e lidhur. Leximi të fut në botën pafundësisht të bukur, saqë kur kthehesh vjen nga një realitet i dikujt tjetër, me bagazhe te mbushura me kaq ndjenja saqë te mjaftojnë të përballosh të ftohtin e realitetit tone të hidhur. Bota po humbet vlerat e vërteta, e me kaq copëza dashurie sa të dhurojnë shkrimtaret ia vlejnë çdo shpenzimi.

-Si e ideoni princin e kaltër?

Në fakt jam pak skeptike në këtë pjesë. Uroj, e mendoj, që një dite të njoh atë gjysmë që të kuptojë 100% botën time të vërtetë e jo të gënjehet nga paraqitja ime, të cilën nuk e zgjodha unë. Princi mund të ketë shumë ngjyra, mjafton të kuptojë ngjyrën time të veçantë...

-Kur çoheni në mëngjes në dimër?

Varet nëse kam qenë në ndonjë eveniment një mbrëmje më parë. Por përgjithësisht fle herët e zgjohem sipas agjendës së ditës, asnjëherë nuk zgjohem shumë vonë. Të kisha mundësi të rezistoja pa gjumë, do ta bëja vetëm për të shfrytëzuar çdo sekondë jete.

-Mendimi juaj për operacionet plastike?

Operacionet janë te pranueshme për sa kohë që janë funksionalisht të nevojshme, ose kur plotësojnë faktorin e vetëbesimit tek një njeri. Por nuk më pëlqejnë kur ekzagjerohen, e me idenë qe zbukurohen shëmtohen më shumë. Vajzat po bëhen si copy paste të njëra-tjetrës dhe individualiteti po humbet. Mendoj se kur të bëhen te gjithë njësoj me idenë se janë "të bukura", më tërheqëse do kthehet ajo që nuk ka kryer operacione. Kështu që "vajza rezistoni ..."



-Më shumë ju pëlqen shoqëria me femra apo me meshkuj?

Nuk kam një ndarje të saktë. Secila palë të dhuron më të mirat e të veçantat e saj. Por, përsëri më së shumti më pëlqejnë djemtë. Djemtë janë më të pastër në shpirt, thonë atë që mendojnë e dinë çka duan. Vajzat veshin syzet e xhelozisë e verbohen me to. Përjashtime gjithmonë ka, por unë mendoj se "Djalli është Femër" ...


-Ku i kaluat festat e fundvitit?

Këtë fundvit kam qenë në një eveniment bukurie në Shkup, Maqedoni ku përfaqësova Shqipërinë në "Mis Ballkani 2015". Në datën 31dhejtor 2014, pata finalen e eventit, e dhurata më e mirë për këtë fundvit ishte kurora si më e bukura e Ballkanit. U shpalla "Mis Ballkani 2015" e nuk kishte më shumë kënaqësi e krenari për mua që më në fund Shqipëria doli triumfuese.

-Cila është gardëroba juaj?

Normal qe si çdo vajzë në këtë fushë, jam shumë e pasionuar pas firmave e modës. Zotëroj rroba me çmime marramendëse deri tek ato më të lirat. Nuk përbën problem për mua asgjë për sa kohë di ta kombinoj e të ndjehem mirë në të. Fundja them gjithmonë "Një trup i mire e bën një rrobe edhe më të mirë, e një rrobe e shtrenjtë nuk mund të të dhurojë më shumë shkëlqim seç ke në të vërtetë".

-Çfarë pëlqen më shumë tek një mashkull?

Vizioni i tij për jetën dua te jete i afërt me timin. Mënyra sesi i shpreh ndjenjat për atë çka kane më shumë rëndësi për të. Inteligjenca dhe një zemër e mirë dinë gjithmonë të godasin në shenjë.

Telegraf