Postuar më parë nga
Albo
I penduari në Gjermani zbuloi narkotrafikun. Policia liron njërin nga 11 të arrestuarit. Çako: Hoxha i implikuar
UPDATE-Zëvendësdrejtori i Përgjthshëm i Policisë kundër krimit të organizuar, Haki Çako, deklaroi se personat e arrestuar një ditë më parë nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, nuk kanë shumë kohë që operojnë në Shqipëri.
Në një deklaratë televizive mbrëmjen e së enjtes, Çako tha se dosja është mbajtur sekrete dhe fillimisht ka pasur një kërkesë bashkëpunimi nga jasht për njërin nga individët e arrestuar.
“Ky grup kriminal nuk ka shumë që e ka ngritur këtë aktivitet në Shqipëri dhe baza ka qenë tjetër kund”,-tha zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Sipas tij, kokaina nuk vjen në formën e një droge të pastër nga Kolumbia, por lënda narkotike vjen me përzierës të ndryshëm dhe më pas përpunohet.
Gjithashtu zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se një pjesë e të arrestuarve rezultojnë me begraund të mëparshëm kriminal. “Do të vazhdojë hetimi pasurorë deri në konfiskimin e të gjitha aseteve që kanë burim kriminal. Ky hetim ka filluar në departamentin e Krimit të Organizuar”,-deklaroi Çako për emisionin “Opinion” në “Tv Klan”.
Për sa i përket arrestimit të nipiet të Enver Hoxhës, Ermal Hoxha, Çako tha se fakti që ai është pjesë e hetimeve, e implikon në këtë ngjarje. “Lidhur me zotin Hoxha, për ne ai është i barazvlefshëm me të tjerët dhe nuk komentojmë faktorë të tjerë që nuk lidhen me çështjen. Fakti që ai është pjesë e hetimit, kjo e implikon. Ky hetim do të vazhdojë dhe nuk mbyllet këtu. Hetimi nuk ka filluar mbrëmë, ka kohë që është investiguar”,-tha ai.
Më herët, Policia e Shtetit ka liruar njërin nga 11 personat e arrestuar një nate më parë nën akuzën e trafikut të drogës.
Pas zbulimit të një laboratori droge në periferi të qytetit të Elbasanit ditën e mërkurë, policia arrestoi si të dyshuar 11 persona. Mes tyre ishte edhe Ergest Dankesi nga Elbasani.
Burime nga policia bëjmë të ditur se pas verifikimeve, 27-vjeçari Dankesi, ka qenë menaxher i kompanisë së reklamave të vëllezërve Arjan e Kelment Dalipi, (të dy të arrestuar me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike), ndërsa nuk vërtetohet që i riu të jetë i përfshirë në trafikun e drogës.
Në momentin e arrestimit thuhet se Ergest Dankesi ka qenë nën shoqërinë e dy vëllezërve Dalipi, por pas verifikimive të kryera nga forcaët e rendit, 27-vjeçari është lënë i lirë këtë të enjte.
***
Nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Durrës, pak pasi u zbulua laboratori i kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Policia e Durrësit zbardh detaje të arrestimit. Sipas saj, Ermal Hoxha u ndalua rreth orës 01:30 të datës 14/01/2015, në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes së tij.
“Më datë 14.01.2015 ora 01:30, nga ana e Specialistëve të Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, është bërë kapja dhe arrestimi i shtetasit: Ermal Hoxha i biri i Ilir-it dhe i Teutë-s, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Rruga “Foto Xhavella”, Unaza e Re, me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë në funksion të Procedimit Penal Nr. 334 viti 2014, të Prokurorisë pranë Gjykatës për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale të “Trafikimit të Lëndëve Narkotike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a-2 i K.Penal.”- thuhet në deklaratën e Policisë së Durrësit.
Panorama
Krijoni Kontakt