Flet ish ushtaraku dhe basketbollisti i “Partizanit” dhe i Kombëtares, Robert Kuqo

- Kam luajtur 74 ndeshje ndërkombëtare, ku kemi fituar me të gjitha ekipet e vendeve lindore

- Si sportist nuk kam marr kurrë asnjë kartelë të verdhë, në 17 vjet basketbollist

- Kam 15 tituj kampion tek “Partizani”

- Në Paris në vitin 1974 Hysni Kapo na tha: Ju lumtë e lartësuat nderin e Shqipërisë

- Petrit Dumja futbollistëve të “Partizani” pasi humbën me “Skënderbeun”: Nisuni për Tiranë me këmbë


Albert Z. ZHOLI

Ai mbetet një ndër basketbollistët shqiptar më të dëgjuar të të gjitha kohërave. E filloi basketbollin në qytetin e lindjes Pogradec dhe më pas e vazhdoi tek ekipi i mirënjohur i “Partizani” me të cilin fitoi 15 herë titullin kampion. Ai ka një rekord absolut, pasi në tërë karrierën e tij si basketbollist, nuk ka marrë asnjë karton të verdhë. Ka qenë Shef Fizkulture i Divizionit të pestë, për më shumë se 18 vjet. Ai ka nostalgji për jetën ushtarake, për vetë faktin se kishin një shoqëri të mirë, mardhënie të mira, respekt reciprok dhe një ndihmesë të jashtëzakonshme për njeri-tjetrin, pasi vetëm kështu kaloheshin vështirësitë ekonomike dhe problemet stresante të atij sistemi. Sipas tij, sporti në atë regjim kishte përparësi ku mbi të gjitha ekzistonte loja kolektive, dashuria dhe ndihma e pafund për njeri-tjetrin, cilësi ku sipas tij janë zbehur. Ai veçon dy momente në sport, kur luajti në Bratislave ditën që i kish ndërruar jetë babai dhe në një ndeshje me Italinë kur luajti me dorë të thyer.


Lexuesi jo vetëm si sportist por edhe si ushtarak duhet të dijë diçka për jetën tuaj?

Unë vij nga qyteti i Pogradecit. Kam filluar punë që në moshën 10-vjeçare, pasi kishim një gjendje ekonomike shumë të varfër. Në kohën e pushimeve të shkollës unë shkoja punoja në fermë, pastaj fillova mekanik në fabrikën e verës. Aty më erdhi një mësues pikture Vangjo Vasili, që kishte qenë basketbollist me studentin dhe më thotë pse nuk fillon dhe ti sportin. Unë që në atë moshë isha 182 cm i gjatë. Kështu vendosa të shkoj në basketbollin e qytetit tim të lindjes ku kam luajtur rreth 3 vjet. Po nuk ishte ai basketboll modern që luhej në Tiranë, apo në Korçë, Shkodër apo Durrës. Unë i respektoj këta ekipe, pasi kishin në përbërje basketbollist që i dhanë emër jo vetëm këtyre qyteteve, por tërë Shqipërisë. Në këtë kohë unë thërritem tek të rinjtë e Partizanit. Njazi Lleshi, trajner i të rinjve të Partizanit, nuk kishte marrë asnjë titull kampion pasi nuk kishte një qendër të mirëfilltë. Pikërisht Njaziu kishte dëgjuar për mua dhe më propozoi të shkoja në Tiranë, me ndihëm e gjeneral Petrit Dumes i cili kishte shumë dobësi për sportin, madje për basketbollin në mënyrë të veçantë. Më 5 maj 1971 unë erdha tek Partizani në moshën 17 vjeç pasi kisha disa vite që luaja me ekipin e Pogradecit. Pra, erdha në ekipin e Partizanit me të rinjtë. Nga të gjithë specialistët e basketbollit, nga të gjithë trajnerët e ekipeve të tjerë, mendimi ishte se Robert Kuqo nuk do të bëhet kurrë lojtar i mirë. Ishte vetëm nxitja dhe dëshira e madhe e trajnerit Njazi Lleshi që unë të futesha në të fshehtat e basketbollit. Aty në stërvitje pashë se si luhej basketbolli modern, se si bëhej një stërvitje moderne. Falë ndihmës së madhe të qendrës së Partizanit, Nikolin Pali (veteriner, sot në SHBA), unë arrita të mësoj se si punohet, se çfarë rregullash duhej të zbatoja që të bëhesha basketbollist. Njëkohësisht falë ndihmës së kapitenit Besnik Pëllumbi (Keç), një njeri që na mbante shumë afër ne të ardhurve (edhe Kastriot Muçi), unë mundohesha të ingranohesha në basketbollin modern. Ishte një kohë kur shoqëria ishte e jashtëzakonshme, ashtu si nuk është sot. Unë po them se, punoja 3 herë në ditë nga 2 orë, pra 6 orë në ditë stërvitje. Një stërvitje që nuk mund ta përcaktoj dot. Në këtë kohë më thërrasin ushtar, ku shkoj dy muaj në karantinë. Pas dy muajsh më heqin si ushtar dhe më thërrasin në ekip. Ishte një moment i veçantë. Tashmë më kërkonin tek të rriturit. Duhej të luaja me Agim Fagun, duhej të luaja me Besnik Pëllumbin, duhej të luaje me Kushtrim Zaçen dhe figura të mëdha të basketbollit shqiptar. U detyrova të punoj më shumë dhe arrita që në vitin 1972 për një vit, të luaj me ekipin e parë. Ishte e pabesueshme, pasi dihet nga vija dhe ku po përballesha.

Kur ke luajtur për herë të parë me ekipin e parë të “Partizanit”?

Me ekipin e parë kam luajtur, përkrah Agim Fagut, në një ndeshje të vështirë, pasi u largua Kushtrim Zaçe sepse martonte motrën në Tepelenë dhe Kastriot Mushi kishte shkuar në Elbasan (1972). Në këtë ndeshje unë kam luajtur i vetëm në qendër kundër “Dinamos” dhe mbuloja Mim Rusin, i cili ishte një ndër qendrat më të mira të Shqipërisë në atë kohë. Atë ndeshje dhashë të gjitha energjitë e mia dhe e mposhta Rusin i cili ishte i një niveli shumë të lartë. Kështu duke u udhëhequr nga Agim Fagu ne bëmë një fitore shumë të vështirë, pasi na mungonin dy figura qendrore të ekipit. Më 1972 kam luajtur si rezervë i dytë apo i tretë, se trajneri i ekipit të parë Astrit Greva nuk kishte ende besim tek unë. Kjo edhe pasi kishte lojtarë më cilësorë në atë kohë. Më vonë, me punën time e binda Astrit Grevën dhe ai më mbajti në skuadrën e parë edhe mbasi mbarova ushtrinë dhe mund të kthehesha në Pogradec. Më tha se do të mbajmë si titullar, si lojtar i parë i ekipit të Partizanit.

Pra mes yjeve të basketbollit, kur e pe veten se ishe një ndër ta?

Në vitin 1974, në një ndeshje ndërkombëtare me Luksemburgun, unë kam luajtur, vetëm 5 minuta në Tiranë dhe në Luksemburg gjysmën e lojës. Kur u kthyem prej andej u larguan nga ekipi për arsye biografie (!!!), qendra e ekipit kombëtar, Nikolin Pali. Pas largimit të tij unë u futa në rolin e tij me fanellën me numër 12 që ma fali ai. Ta gëzosh më tha, pasi ti punon shumë, më shumë nga ne dhe me punë arrihet çdo gjë. Kam luajtur në këtë kohë kundër “17 Nëntorit” të Tiranës dhe kam shënuar 24 pikë. Ishte viti 1974. Ishte një ditë kur nuk do të luante Nikolin Pali dhe stoli i “17 Nëntorit” tha se “Partizani” do ta humbas ndeshjen. Në atë kohë konkurrenca më e madhe ishte “Partizani”-“17 Nëntori”. Pallati i sportit atë ditë (por jo vetëm atë ditë, por gjithmonë) ishte i tejmbushur. Nuk pritej që Nikolini të mos luante, as e besonte kush. Por në atë kohë, apo një ditë më parë, Petrit Dume u shkarkua nga Zv/ Ministër i Mbrojtjes dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm, dhe dihej që Nikolini ishte me biografi të keqe dhe e mbante vetëm gjeneral Petriti (çudira shqiptare të biografisë). Kjo ndeshje ishte deçizive. Kush fitonte dilte kampion. Në Pallat të Sportit një atmosferë e zjarrtë. Të gjithë kur nuk panë Nikolinin në fushë thanë Partizani do humbasë. Por fati ishte me mua. Më doli loja, ku me ndihmën e shokëve unë shënova 24 pikë dhe e mundëm “17 Nëntorin” me 10 pikë diferencë. Pas këtij takimi për shumë vjet rresht “17 Nëntori” nuk ka fituar asnjë ndeshje me ne. Kam 15 tituj kampion tek “Partizani”. Deri në vitin 1985 unë kam qenë kampion me Partizanin.

Si ishte Partizani i asaj kohe?

Një ekip shembull, me një frymë miqësore të jashtëzakonshme, me kulturë, me një edukatë shumë të lartë, me frymë bashkëpunuese që se gjen kurrë sot. Me këtë frymë, në sajë të ndihmës së basketbollistëve të shkëlqyer, edhe unë arrita të bëhem një ndër basketbollistët më në zë të kësaj periudhe. Që në 1974, unë fillova të angazhohem edhe me ekipin Kombëtar, njëkohësisht në këtë vit, lojtarët e përparësisë patën një përfitim tjetër, 200 lekë ushqim për trajtim të veçantë. Kjo përveç rrogës. Ishte Agim Fagu, Kushtrim Zaçe, Kastriot Mushi dhe unë që e përfituam këtë ushqim special. Këtë ushqim ne e hanim në klub. Ishte koha kur ekipi ynë, po merrte lojtarë të rinj, dhe po rifreskohej. Në vitin 1977 erdhi pranë nesh Gazmend Çaçi.

Sa ndeshje ndërkombëtare keni luajtur?

Kam luajtur 74 ndeshje ndërkombëtare. Unë kam dalë shënuesi më i mirë i shumë ndeshjeve ndërkombëtare si në Tiranë edhe jashtë. Këtu mund të përmend skuadrën “Honleti” të Budapestit, ku si aty dhe këtu isha shënuesi më i mirë. Një ndeshje tjetër interesante ishte kundër “Inter” të Bratislavës, ku për 27 minuta kam bërë 24 pikë, ku deri në fund të lojës kam shënuar 32 pikë pasi nuk luajta gjithë ndeshjen. Me këtë fitore ne zumë vend të dytë në grup. Ne luanim në grup, e pikasnim lojën dhe nxirrnim atë që duhej të gjuante në kosh. Psh kur u nisëm për në Bratislavë, mua më kishte vdekur babai dhe nuk më kishin thënë, pasi duhej patjetër që të fitonim. Në atë ndeshje më mbanin ndër kryesorët. Unë në atë ndeshje (jashtë) kam shënuar 18 pikë dhe duhej të luaja me Gaz Çaçin që kishte supermaci në gjatësi dhe në këtë ndeshje bëri 30 pikë. Ishte një fitore dinjitoze. Këtu dua të përmend fitoren me CSKA e Sofjes, që e kemi eliminuar apo disa ekipe turke. Pra kemi arritur rezultate me ekipe me emër në Evropë. Gjithë lindja është eliminuar në Shqipëri, të gjithë. Madje shumicën e ekipeve greke e kemi rrahur. Madje me rezultat domethënës. Pra ato ekipe greke që përbënin themelin e kombëtares greke që më vonë dolën Kampion Europë, ne i kemi mundur. Ne kishim vetëm një mungesë, nuk kishim një qendër (lojtar) mbi 2 metër e 4 cm. Na mungonte kjo gjatësi në ekip. Nqs do kishim dhe këtë, do ishim ndër të parët në Europë. Ne kishim sulme të shpejta, kishim kombinime të mrekullueshme, luanim në grup dhe kurrë nuk fyenim shokun që nuk bëri kosh, por vraponim sërishmi për të kapur topin, për të kthyer reston, për të bërë kosh. Ky ishte motivi ynë. Ekipin e “17 Nëntorit” që e kishim konkurrentin numër një e mposhtnim fizikisht, pasi taktikisht ndoshta nuk ishim aq lart, por bënim presing, dhe fitonim. Një gjë nuk mund të mos e veçoj si kapiten i ekipit të Partizanit dhe ekipit Kombëtar, që mbas vitit 1990, asnjë prej këtyre basketbollistëve të shkëlqyer nuk ka marr asnjë vlerësim, asnjë titull, asnjë dekoratë. Çudi!

Por ndeshje të tjera me kaq famë a ke në ndeshje ndërkombëtare?

Po, kundër ekipit italian të “Skuip Kantus”, që drejtohej nga një prej trajnerëve më të mirë në botë, ne bëmë një ndeshje të madhe. Unë në atë ndeshje u futa me vonesë. Trajneri i ekipit italian i thotë Astrit Grevës në fund të ndeshjes: Pse e futët me vonesë nr 12?! Unë atëhere kisha thyer dorën e djathtë dhe jam futur në ndeshje me dorë të thyer dhe kam shënuar 24 pikë. E pabesueshme. Kjo dorë më dhemb edhe sot (e kishte të lidhur me fashë kur bisedonim). Isha shënuesi më i mirë i asaj ndeshje dhe pse me dorë të thyer. Basketbollisti Pirro Koleka që trajneri e kishte marrë në përforcim, i thotë shokëve po Greva si i thotë bëhu gati Kuqos, kur unë jam gati për ndeshje?! Të them të vërtetën, Pirro ishte lojtar shumë i mirë. Por, vendoste trajneri...Kjo ndeshje është luajtur në Durrës në vitin 1983. Ne nuk fituam, por luajtëm aq fort sa fitorja e miqve italian me famë në botë erdhi me shumë vështirësi dhe e kishte bërë trajnerin e tyre me djersë. Humbja do ishte e kushtueshme për ta. Dua të them se kundër Italisë dhe ish-Jugosllavisë ne nuk kemi fituar asnjë ndeshje, pasi ata kanë pasur basketboll të klasit botëror. Ata kanë pasur më shumë përvojë, më shumë aktivitetet ndërkombëtare por mbi të gjitha kishin basketbollist të gjatë. Por rezultatet që kemi arritur ne nuk do arrihen kurë.

Po sot?

Ke dëgjuar për basketboll sot? Ku ka sot basketboll? Djali im është sportist Eurolige, ka mbi 10 vjet në Euroligë, ka luajtur në ekipet më të mira të Europës dhe me ekipin Kombëtar të Turqisë ku ka dalë në 6 lojtarët më të mirë të botës. Erdhi këtu për të dhënë ndihmë, por askush nuk e afroi, askush nuk i hapi derën. Sot, po të ngresh probleme në institucione që investojnë për basketbollin, të kthejnë kurrizin. Sot në Shqipëri, po s’u ngrit sporti, po s’u ngrit arti, po s’u fut turizmi masiv, ne sado të thotë ish kryeministri që kemi ngritje ekonomike pas Gjermanisë, do ngelemi të varfër. Kultura, sporti, arti, është demokracia më e bukur.

A ju kanë mirëpritur udhëheqësit e regjimit?

Ajo kohë nuk duhet të komentohet sot. Por...Të gjithë na kanë mirëpritur. Unë i kam takuar të gjithë udhëheqësit e kohës. Të gjithë udhëheqësit e asaj kohe na kanë pritur dhe na kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës. Çdo hall që kishim na e kanë qarë sidomos ne basketbollistëve. Në atë regjim, arti, kultura, sporti respektohej dhe u jepej përparësi. Kujtim Kasmi në atë kohë kishte “përbërje politike të keqe” por ne me miqësinë tonë e kemi trajtuar si të barabartë. Ministria e Mbrojtjes na ka trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Pirro Koleka me biografi të tillë e kemi marrë jashtë shtetit. Në atë kohë kishte ku të trokisje dhe si ta zgjidhje hallin. Në 1975 ne kemi luajtur me “Turin” e Francës në Francë. Na u vra Agim Fagu dhe ne na rrahën me një pikë. Në atë kohë në Francë ishte Sekretari i KQPPSH, Hysni Kapo që ndoqi ndeshjen tonë në televizion. Kur dolëm ne pas ndeshjes, rastësisht u ndeshëm me të. Ai ndaloi dhe na tha, ju jeni heronj, ju jeni lavdia e Shqipërisë. Bëtë një ndeshje që Franca e ndoqi me ankth. I thotë ambasadorit tonë në Francë, i shikon këta për një ndeshje u bënë të njohur në Francë, ndërsa ti ndoshta ende nuk njihesh. Atë që bën sporti, arti nuk ta bën diplomacia, ndaj mësoni nga këta. Ishte nëntor i vitit 1975 dhe Agim Fagu ishte me këmbën të enjtur dhe bëri të pamundurën. Ne atë ditë u bëmë heronj. Sot Andi Bushati, ironizon arritjet e atij regjimi, kur duhet të dijë se ka pasur një gjysh me personalitet, plot vitalitet që dinte të respektonte njerëzit dhe sidomos njerëzit e sportit dhe të artit që e lartësonin Shqipërinë kudo në botë. Sot këta gazetarë (të njëjtit) diskutojnë për të gjitha fushat e jetës, ekonominë, politikën, historinë, mjekësinë, agronominë, gjuhën, letërsinë, bujqësinë, astronominë, fizikën, gjeologjinë, etj...Por as vetë nuk e dinë ku janë....

Nga ana ushtarak, si ju lidhi jeta me ushtrinë?

Unë nuk kam pasur në vitet e rinisë një shkollë të mirëfilltë ushtarake. Kur isha fëmijë, gjyshi im më vuri në një tavolinë një laps, një fletore, një libër, një makinë, një lodër elefant dhe të tjera. Midis atyre dhe një pistoletë. Unë zgjodha pistoletën. Pra që fëmijë kur isha pak më shumë se një vjeç zgjodha armën, pasi kisha shumë qef rregullin, disiplinën. Që në shkollë apo ushtar kur shkonim për qitje mirja vetëm notën 10 si në pistoletë dhe në pushkë. Për këtë arsye, pasi pasi mbarova shkollën e fizkulturës u vesha nënoficer, pastaj u vesha oficer, për vetë kushtet e mësipërme (Mbarova Institutin e Fizkulturës). Si sportist nuk kam marr kurrë asnjë kartelë të verdhë, po ashtu dhe si oficer nuk kam marr kurrë asnjë vërejtje apo ndëshkim disiplinor. Isha dhe jam për rregull, disiplinë, korrektësi, saktësi dhe përparim. Vërejtje vetëm njëherë kam marrë në jetë kur ika njëherë nga puna para kohe për ti marrë qumësht dhe gjalpë fëmijëve. Unë thashë Shef Fizkulture i Divizionit të pestë.

A kishte disiplinë ushtria ën atë kohë dhe si ndiqej hierarkia?

Disiplina ishte absolute. Disiplinë që kishe qef ta mendosh sot. Por kishte dhe mirëkuptim kishte dhe mirëbesim tek shoku. Në atë kohë kishe mundësi ku dhe si të trokisje. Institucionet i kishe hallkë zinxhiri. Duhej të trokisje në derën e për deh më tej në derën e dytë. Miqësia e asaj kohe, vetmohimi njerëzor, korrektesa, ndershmëria, sakrifica, na lehtësonin hallet.

Kë mban mend nga ushtarakët e asaj kohe?

Së pari Novruz Sako. Një komisar korrekt, i gjendur, i saktë. Për çdo hall të ndihmonte. Unë kisha në atë kohë problem strehimin, pasi isha vetë i katërt, dhomë e kuzhinë. Në një mbledhje u ngrita dhe thashë se pse bëhen hyrjet dhomë e kuzhinë, kur duhet të bëhen dy dhomë e kuzhinë? Atë kohë do isha kryqëzuar nëse nuk do ishte një komisar i mirë si Novruz Sako. Kam respekt për Beqir Ballukun, njeri i dashur miqësor. Kam pasur një hallë (motrën e babait), burri i së cilës ishte futur në burg. Unë nuk shkoja jashtë shtetit për ndeshje për biografinë e hallës. I qava hallin Beqir Ballukut dhe i thashë: ç’faj kam unë se kë ka burrë halla? Ai qeshi dhe që në atë kohë mua më çuan jashtë shtetit. Maliq Sadushi, Llambi Gegprifti ishin njerëz të komunikueshëm. Njerëz QË TË QANIN HALLIN. Por...Në demokraci më quajtën të kuq, nuk e di pse. Nuk isha as komunist, as isha marrë me politikë. Më thirri dikush, një mik që mirej me sportin dhe më thotë: Hajde të të japim teserën e të persekutuarit, por unë nuk e pranova. S’kisha se pse. Ata që sot vetëquhen të persekutuar nuk janë të tillë. Janë vetëquajtur të tillë pasi marrin shpërblime. Sot nuk mer shpërblim Ymer Pampuri, shtangisti legjendë dhe marrin njerëzit anonimë..

Ju thatë që Petrit Dume ishte jashtëzakonisht i lidhur me klubin “Partizani”. Mbani mend ndonjë sjelle apo veprim që ju ka ngelur fort në kujtesë?

Ah, po. Ishte viti 1974. Si ekipi i futbollit dhe ai i basketbollit do të ndesheshin me skuadrën e Korçës, në të dy sportet. Ne si basketbollist fituam, futbollistët humbën. Petrit Dumja u nxeh shumë. Ai për sportin bënte namin. Mblodhi futbollistët pas ndeshjes dhe u thotë nisuni për Tiranë me këmbë. Dhe ata u nisën. Vetëm ku kishin bërë 10 km rrugë drejt Pogradecit erdhi autobusi dhe i mori.

Telegraf