Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 13
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Preç Zogaj rrëfen për historinë Lëvizjen e Dhjetorit 1991-1992

    “Fillimet”, Preç Zogaj: E vërteta ime për vitet ‘90-‘92

    8 dhjetor 1990

    Emri:  prec_zogaj_libri_fillimet_levizja_dhjetorit.jpg

Shikime: 1967

Madhësia:  19.4 KB

    Kopertina e librit “Fillimet” botimi i dytë

    E ka quajtur libri i fillimeve, edhe pse është shkruar i fundit në librat eseistikë dhe publicistikë mbi tranzicionin shqiptar.
    Preç Zogaj, një prej protagonistëve të ngjarjeve që kulmuan me rrëzimin e diktaturës komuniste dhe lejimin e pluralizmit, jep kontributin e vet në zbardhjen e historisë. “Fillimet”, botimet “UET Pres”, libri i tij më i ri në fushën e publicistikës, u promovua dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Miq, kolegë, njerëz që kanë qenë bashkë me të në radhët e para të lëvizjes demokratike, 24 vjet të shkuara. Botuesi Henri Çili e përfshiu ciklin publicistik të Zogajt në kolanën e librave më të rëndësishëm mbi historinë politike të Shqipërisë, krah të librave: “Kujtimet” e Eqerem Bej Vlorës, “Ballafaqime politike” të Sejfi Vllamasit 12-45, “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit dhe “Përkulja dhë Rënia e Tiranisë” të Spartak Ngjelës. Çili e interpreton botimin e fundit të librit “Fillimet” me distancën kohore, që i është dashur autorit, për të qenë më i ftohtë në përshkrimin e ngjarjeve. Gazetari Blendi Fevziu, në radhë të parë do të vlerësonte stilin me të cilin është shkruar libri i Zogajt. “Individual dhe i identifikueshëm”, do thoshte Fevziu. “Ngjarjet e këtij libri lidhen me një moment shumë të rëndësishëm në jetën time personale, por edhe shumë prej nesh që ndodhen këtu. Një moment ndryshimi, ku Zogaj ka qenë dëshmitar i rreshtit të parë”, tha Fevziu. Ai e quajti librin e Zogajt si më të mirin e ciklit të tij publicistik, një libër realist, që dëshmon për periudhën ndoshta më dinamike në 100 vjetët e shtetit shqiptar.

    Emri:  prec2.jpg

Shikime: 1667

Madhësia:  24.0 KB

    Ai e quajti “Fillimet” dëshminë më të sinqertë që Zogaj do t’i lërë ndonjëherë së ardhmes. Për vetë autorin, ky libër i fillimeve nuk është gjë tjetër, veçse rrëfimi i një dëshmitari, i një shkrimtari dhe publicisti për periudhën 1990-1992. “Kjo nuk është historia e atyre viteve. E vërteta është në numrin njëjës, por që prodhohet nga shumë këndvështrime dhe unë jap kontributin tim në të, duke qenë i hapur edhe për këndvështrime të tjera”, tha Zogaj. Duke u kthyer pas në kohë, ai do të shprehej se idetë e tij dhe të një brezi që u vu në krye të lëvizjes, ndanin të njëjtat ideale me disidentin dhe publicistin polak Adam Michnik, për lirinë, demokracinë, mirëkuptimin, dashurinë, tolerancën.

    Emri:  prec1.jpg

Shikime: 1609

Madhësia:  17.6 KB
    Gjatë promovimit të librit të Preç Zogajt

    “Shumë prej protagonistëve të lëvizjes së Dhjetorit dhe viteve të para të shoqërisë së lirë, kishin në mendje dhe në zemër jo vetëm ato ideale, por edhe ato qëndrime, atë kulturë demokratike për të cilën luftuan Michnik apo Vasllav Havel në një Poloni shumë më të hapur dhe në një Çeki shumë më të hapur se Shqipëria e telave me gjemba, në një Poloni apo në një Çeki ku kryengrietësit e parw si puna e Michnikut, Lech Valeses apo Haveslit u ndihmuan fuqishëm nga Perendimi. Në izolimin dhe mjerimin tonë ne shkuam te këto koncepte pa asnjë mbështetje, me njëri tjetrin, hap pas hapi. Ashtu si Michnikun me shokë, edhe ne na kishte bashkuar ëndrra për liri, ëndrra për një botë të mbushur me tolerancë, shpresë, respekt për dinjitetin njerëzor, mospajtimi me heshtjen konformiste ndaj së keqes. Për këto vlera luftuam dhe u përpoqëm në ato fillime”, tha Zogaj.


    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Preç Zogaj rrëfen për historinë Lëvizjen e Dhjetorit 1991-1992

    Zogaj: Dhuna policore ndaj studentëve në protestat e Dhjetorit ‘90

    Emri:  dhjetor1990shqiperia.jpg

Shikime: 1848

Madhësia:  20.3 KB

    Konfrontimi i studenteve me policine ne dhjetor 1990

    Ngjarjet e ndodhura 24 vite më parë në librin “Fillimet”

    “Një oficer policie thirri ‘më vodhën pistoletën’ dhe ministri i Brendshëm, Hekuran Isaj dha urdhrin ‘bjeruni’”


    Kanë kaluar 24 vjet që kur ndodhi e pandodhshmja. Mijëra studentë ngritën krye kundër diktaturës komuniste. Kishte ndodhur më parë në mënyra sporadike, por asnjëherë më parë nuk ishte parë një ngritje krye e këtij lloji. Regjimi i vjetër ndiente se nuk po i mbanin më këmbët. Një nga protagonistët e atyre ditëve kujton se ç’ndodhi në atë dhjetor që duket si një kohë e largët tashmë. Poeti, publicisti dhe politikani Preç Zogaj na kthen në vëmendje dimrin e vitin 1990 kur shpërtheu ajo që do të quhej Lëvizja Studentore. Në librin e tij “Fillimet”, i cili pas suksesit të botimit të parë, është ribotuar së dyti, ai përshkruan me hollësi këtë ngjarje, që do të shënonte një kthesë të fortë dhe pa kthim pas, në historinë e Shqipërisë. Atmosfera e ndezur në Qytetin Studenti, rebelimi, protagonistët e kohës, që nga Azem Hajdari, Blendi Gonxhe, Arben Imami, Lisjen Bashkurti, etj., vërshimi drejt qendrës së kryeqytetit, përplasja me forcat e policisë, urdhri i Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Hekuran Isaj për të qëlluar mbi protestuesit, deri tek takimi me Ramiz Alinë, vijnë përmes rrëfimit të Zogajt. Pas një takimi të shkurtër në mbrëmjen e rrahjes së studentëve, këta të fundit lanë një tjetër me Presidentin e Republikës, siç preferuan t’i drejtoheshin ata, duke mënjanuar emërtimin sekretar i parë i Partisë së Punës. Ishte një takim i tensionuar, i cili u zhvillua mes replikash mes Alisë dhe studentëve e pedagogëve që morën pjesë në të. Kryetema e bisedimeve ishte pluralizmi politik, që Alia i doli para, duke “ua përplasur” të pranishmëve vendimin e Komitetit Qendror për lejimin e tij, ende pa dëgjuar kërkesat e tyre.

    Më vonë, nga protagonistë dhe dëshmitarë të besuar të ngjarjeve të asaj nate historike, do të mësonim detaje të grumbullimit, marshimit dhe përballjes së parë në terr të grupit të studentëve me policinë pranë Rrugës së Elbasanit. Rreth njëqind e pesëdhjetë studentë kishin dalë të parët nga godinat dhe ishin mbledhur në sheshin e vogël para drejtorisë së konvikteve duke thirrur “duam drita”. Asnjë përgjigje nga ndërtesa e shurdhuar dhe errësira e thellë. Ashtu në terr ishin kthyer me fytyrë nga qyteti i Tiranës me njetin për t’u ndeshur me dikë që nuk e dinin çfarë ishte apo për të bërë diçka që nuk e kishim bërë kurrë dhe që gjithashtu nuk e dinin çfarë ishte. I kishin dhënë betejë natës me daljen e tyre në arenë dhe po rrinin pa fjalë dhe si të mpirë pranë njëri-tjetrit në pritje të kundërgoditjes që do t’i njihte me armikun e tyre. Një vajzë kishte filluar të këndonte ndërkohë në dritaren e dhomës së saj të konviktit këngën e njohur “se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri/ o djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri”. Studentët e arenës e kishin vazhduar me zë të lartë këtë këngë, që ishte përhapur dalëngadalë në shumicën e godinave të kredhura në terr. Një si dridhje kishte pushtuar qytetin. Dhjetëra silueta, një nga një e dy nga dy, kishin filluar të dilnin nga godinat dhe të bashkoheshin me ata të bërthamës së parë, duke e shumëfishuar numrin e tyre. Pse po shtoheshin ashtu? Ç’kishin ndërmend të bënin? Në ketë moment, një djalë me xhakavento ishte ngjitur mbi bordurën e një vazoje betoni dhe kishte thirrur:
    -Nuk kemi punë me dritat! Po jeni trima, hajdeni të zbresim në shesh. Unë jam me ju. Dijeni. Kam dy fëmijë! Po të jetë për të vdekur, le të vdes unë. Fëmijët do të ma marrin hakun.

    Ishte studenti i vitit të katërt të Fakultetit të Filozofisë, Azem Hajdari. Një tjetër student, i njohuri i tij me sa duket, i futi krahun. “Nisemi”, i tha. Dhe u nisëm të gjithë nëpër terr drejt Tiranës. Institucionet e regjimit ishin vënë në alarm ndërkohë. Lajmi për një grumbullim dhe marrshim studentësh drejt sheshit kryesor të kryeqytetit ishte tronditës. Dritat ishin ndezur si rrallëherë natën vonë në ndërtesat e Komitetit Qendror, Komitetit të Partisë së Tiranës, Ministrisë së Brendshme. Disa funksionarë të lartë qenë nisur me makina drejt Qytetit Studenti për të parë e kuptuar nga afër ç’po ndodhte. Atë ditë kishte qenë atje vetë Kryeministri Adil Çarçani dhe tani se si u dukej që, me rënien e natës, vizita e rrallë, madje e para në histori e një Kryeministri në Qytetin Studenti, ishte pasuar me një rebelim. Askush s’po kuptonte ç’po ndodhte realisht. Studentët demonstrues kishin marrë një rrugë që rrihej pak nga makinat. Ministria e Brendshme kishte mobilizuar trupa për t’i ndaluar. Marshimi i ndërsjellët dhe afrimi si në betejat e lashta i këtyre trupave shënonte përfundimin e metrave të rrugës së gjatë që kishte përshkuar regjimi komunist në Shqipëri. Në librin e tij “Piedestale pa statuja”, publicisti dhe shkrimtari Blendi Fevziu, dëshmitar dhe hulumtues i shumë prej episodeve kyçe nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990, ka ndërtuar përmes dëshmive të shumta kronologjinë dhe tablonë e përballjes së studentëve demonstrues me policinë natën e 8 dhjetorit, tablo e cila duket shumë më afër realitetit të kohës sesa idealizimet nga distanca. “Kur grupi u gjend përballë trupave speciale të policisë pranë gardhit të Ambasadës Italiane, dy-tre rreshtat e parë deshën të kthehen. Por rreshtat e fundit, që ishin shumë herë më shumë, shtynin drejt qendrës me idenë o sot, o kurrë. Në këtë mënyrë pjesa kryesore mbeti e bllokuar mes policisë që kërkonte t’i shtynte drejt Qytetit Studenti dhe shokëve të tyre që i shtynin drejt qendrës së Tiranës”, shkruan Fevziu.
    Mes këtij bllokimi, në pamje të parë të rëndomtë, ishte shtrënguar të nxirrte kokën historia e re e vendit. Atë çast, si për ta bërë edhe më sureale situatën, mbiu nga dheu ministri trupvogël me kokë të madhe i Punëve të Brendshme, Hekuran Isaj. I ardhur në krye të këtij dikasteri pas dështimit të paraardhësit të tij Simon Stefani, Isaj rrekej t’i priste dhe të përballej me ngjarjet në fushë të hapur, duke bërë kryepolicin e turnit të tretë. Kjo do ta ndihmonte të ishte më pranë ngjarjeve dhe të kuptonte pak më mirë se pleqtë e Byrosë Politike shpërthimin antikomunist në Shqipëri. Isaj deshi të bisedonte me studentët, por këta, pasi e kaluan duke ndezur e thithur cigare habinë e parë me praninë e ministrit, i thanë atij se pranonin të bisedonin vetëm me Presidentin Ramiz Alia. Ishte bërë si një zakon i periudhës që kundërshtimi ndaj së vjetrës të kursente Ramiz Alinë, madje të paraqitej si mbështetje e reformave të nisura prej tij. E reja kësaj radhe ishte referimi me tendencë i funksionit shtetëror që mbante Alia, duke injoruar funksionin e tij të gjithëpushtetshëm të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë. Ramiz Alinë e donin asnjanës. Hekuran Isaj nuk bëri komente. Me gjasë ai hezitoi për një moment, por pastaj u lidh me shtëpinë e Ramiz Alisë, ku transmetoi gjendjen dhe kërkesën e studentëve. Alia, sipas kujtimeve të tij të mëvonshme, po flinte kur e zgjuan për t’i dhënë njoftimin nga ministri i Brendshëm, çfarë duket vërtet e çuditshme, po të mbajnë parasysh faktin se shkëndija e demonstratës së parë studentore në historinë e vendit ishte ndezur rreth orës 21:00, ndërsa parashikimet për një shpërthim të tillë ishin bërë më herët. “Mirë”, tha. “Do t’i takoj”. Ai u ngrit nga shtrati, u vesh dhe u nis me këmbë drejt korpusit qendror të Universitetit, ku po e priste një përfaqësi prej trembëdhjetë-katërmbëdhjetë studentësh. Biseda ishte e thatë, gati-gati si në jerm:
    -Ç’kërkoni?, foli i pari Alia.
    -Duam t’ju takojmë, ia kthyen disa nga studentët.
    -Po ç’kërkoni, ç’kërkesa keni? Më thanë që ju mungojnë dritat dhe ngrohja!, tha Alia, duke i vështruar me radhë sikur kërkonte nxirrte ndonjë sekret prej tyre.
    -Ne nuk kemi ardhur për një pjatë groshë apo pak sheqer me shumë në çaj, se edhe fëmijët e mi në Bajram Curr nuk hanë më mirë. Ne kemi probleme të tjera!, e plasi Azem Hajdari.
    -Aaaa, kjo është tjetër gjë, kjo është serioze, e kapi fluturim Alia.
    -Po, ne duam të hartojmë kërkesat tona dhe të flasim me ju!, e përforcuan dy-tre studentë.
    -Kur doni? Pse nuk flisni me organizatën e rinisë?
    -Nuk kemi punë me atë organizatë, ajo nuk na përfaqëson. Pohimi ishte i prerë, i padëgjuar.
    -Ç’domethënë kjo?, reagoi Alia. -Ju e keni organizatën e rinisë!
    -Nuk kemi asnjë punë me të. Nesër? Takohemi nesër në Qytetin Studenti?
    Takimi që kishte nisur si në jerm, po zhytej përsëri në jerm.
    Alia u la një takim tjetër, pasi të hartonin kërkesat e tyre. Po bëhej me ta, me idenë se po i bënte për vete. Po nisej edhe ai drejt së panjohurës me ata studentë të pasmesnatës.
    Përfaqësia e studentëve mbërriti me një lajm të mirë në vendin ku policët dhe studentët protestues kishin lënë pezull korridën e tyre. Ora po shkonte dy pas mesnate. Azem Hajdari u ngjit mbi një mbajtëse peme dhe filloi t’u shpjegonte takimin me Presidentin e Republikës. Nuk kishte mbaruar së rrëfyeri dhe nuk dihej si do të kishte vazhduar ajo mbrëmje sikur një oficer policie në radhët e para të turmës të mos thërriste papritur “më vodhën pistoletën” dhe ministri i Brendshëm, Hekuran Isaj, akoma i pranishëm në kostumin e tij të policit të turnit të tretë, të mos lëshonte po aq papritur dhe me egërsi urdhrin “bjeruni”. Dhjetëra sampistë u hodhën sakaq mbi studentët e kreut duke i goditur fort me shkopinjtë e gomës. “Grupi u kap i papërgatitur”, shënon Blendi Fevziu në librin e tij. “Disa mundën të kthehen e të ikin, disa u penguan në disa stola të betontë, të tjerë që vinin pas shkelëm mbi ta, vajzat ulërinin, djemtë rënkonin… Në kaos, pa e kuptuar ç’po ndodhte, studentët nisen të tërhiqeshin drejt qytezës së tyre. Ata më të guximshmit, nisën të hidhnin gurë mbi sampistët dhe makinat e Hekuran Isajt e Pirro Kondit. Shumica ikën me nxitim, por të tjerët nisën të organizohen e të tërhiqen thuajse në formacion luftimi, drejt fjetoreve, aty ku besonin se nuk do t’i arrinte askush”.
    Në fakt policia nuk i ndoqi më tej dhe studentët u kthyen në qytezën e tyre si nga një betejë, të cilën nuk kishin ndërmend ta linin përgjysmë. Prej atij çasti u barrikaduan me parullat e tyre të reja në sheshin midis konvikteve dhe shpallen de fakto të parën zonë të lirë në Shqipërinë e kohës. Incidenti i revoltës, që u bë shkak për shpërthimin e dhunës policore mbi studentët, mbeti enigmë përgjithmonë. Revolja nuk u gjend kurrë dhe oficeri që thirri në errësirë “më vodhën revolen” nuk doli nga anonimati as më vonë në vitet e gjata të tranzicionit, kur do të ishte në modë rrëfimi i çdo hollësie nga ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990. Ramiz Alia u vu moralisht në pozitë të vështirë para studentëve të rrahur pak pas takimit që kishte pasur më ta. Ai bëri gjithmonë të pafajshmin për dhunën e asaj nate dhe përmendi gjithmonë episodin me revolen si shkakun e saj. Hekuran Isaj gjithashtu mohoi vazhdimisht zërat se incidenti ishte porositur për të krijuar pretekstin e përdorimit të forcës ndaj studentëve. E vërteta është gjithnjë si një mirazh në ngjarje të tilla. Dikujt i duket kështu, dikujt ashtu…

    Takimi i Alisë me përfaqësinë studentore
    E kishte rregulluar punën të ishte rreth gjashtë orë para studentëve në garën me kohën. Në lidhje me pluralizmin, mëtimi i tij i vetëm kishte qenë ta jepte, jo t’ia merrnin. Ai do ta niste takimin duke lexuar një për një të pesë pikat e vendimit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës si për t’u thënë “shihni se ç’masa po merr Partia e Punës që është partia jonë e përbashkët”. Studentët e dëgjuan pa folur. Ç’u hynte në punë atyre se Komitetit Qendror kishte vendosur të mblidhte Kongresin e parakohshëm në muajin qershor? Indiferenca ishte replika dhe refuzimi i tyre ndaj tundimit të Alisë për t’i trajtuar si njerëz të interesuar për reformimin e Partisë së Punës. Ata duartrokitën vetëm kur Alia lexoi pikën e pestë që fliste për lejimin e organizatave të pavarura politike. Por sakaq, duke u njoftuar nga Alia se për këtë arritje ishte dashur të merrej miratimi i anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë, studentët u përballën me ironinë e parë të politikës. Disa prej tyre u detyruan t’i linin mënjanë fjalët që kishin menduar t’i thoshin Presidentit në skenarin e debatit për nevojën e pluralizmit. Tani pluralizmi ishte vendosur. Për çfarë të flitej tjetër? Hutimin, platitjen dhe çarmatosjen e tyre të parë përballë sihariqit të beftë, që kishin mejtuar ta fitonin në një mënyrë më epike, si dhe ndjesinë e kapjes në rrjetën e dinakërisë së presidentit, e shprehën më mirë se asgjë fjalët e studentit të Institutit të Arteve, Blendi Gonxhe:
    -Zoti President! Ne kishim marrë një detyrë tjetër kur erdhëm këtu. Të vinim e të paraqisnim kërkesat tona dhe të iknim në rast se ju nuk na i pranonit. Ju na e dhatë sihariqin pa ardhur mirë. Do bëhet apo s’do të bëhet kjo? Është gënjeshtër apo jo, kjo nuk dihet…
    Me dyshimin e fjalëve të fundit, shprehur me sinqeritet nga ky student, takimi kishte rifituar konfigurimin e mjegulluar të palëve.
    -Ne kemi ardhur këtu t’ju takojmë si President dhe jo si sekretar i Partisë, tha studenti Tefalin Malshyti. – Kjo që na lexuat është vendim Partie. Nuk dihet kur do të shpallet me ligj, këtë e ka në dorë Kuvendi Popullor dhe jo Partia. Prandaj ne duhet të diskutojmë në këtë plan dhe jo në planin e partive.

    Kishte kapur një çështje kyçe që e hidhte Alinë të gjithin, si me hobe, në kampin e tij të partisë-shtet, duke e zhveshur nga ekuivokët e funksioneve të dyfishta partiake dhe shtetërore. Ky u pre, por i mbajti nervat. Por jo deri aty sa të evitonte kundërthëniet e tmerrshme mbi të cilat funksiononte shteti i tij. Tha se Kushtetuta në fuqi e lejonte pluralizmin politik. Që do të thoshte se gjithë ata që ishin pushkatuar e dënuar si kundërshtarë politikë të regjimit apo me nenin famëkeq të agjitacionit dhe propagandës antiparti ishin dënuar kot!
    “Ky vendimi i Komitetit Qendror të Partisë nuk e plotëson atë që kërkojnë studentët”, tha Arben Imami. “E plotëson plotësisht”, ia ktheu Alia. “Pra kjo nënkupton se lejohen parti politike?”, ndërhyri Malshyti. “Po, edhe parti politike”. “Mund të shpallim parti politike?”, “Parti politike”.
    U duk se pingpongu i studentit me Presidentin mbaroi këtu. Malshyti mori frymë i lehtësuar. E kishte arritur atë që donte të arrinte. Sakaq, nga mesi i radhëve të përfaqësisë u dëgjua një zë: “Mund ta quajnë Partia e Rinisë Shqiptare, meqë është edhe shoku Lisen Bashkurti këtu?”. Ata që ishin përpara kthyen kokat për të parë kush kishte folur. Ishte pedagogu i Fakultetit të Inxhinierisë Arben Demeti. “Po mirë, krijojeni!”, tha Alia. Me këto fjalë pati shpresë se do të dilte nga simultania ku e kishin përfshirë bashkëbiseduesit e tij, por tjetri vazhdoi midis pyetjes dhe pohimit: “Mund ta quajnë “Partia?”, “E kanë quajtur këta, e kanë quajtur”, pohoi Alia me nerv dhe bezdi. Demeti sërish nuk deshi t’ia dinte. Ishte nga ata tipat që nuk parapëlqejnë t’i lënë gjërat as një milimetër pezull. “Ju jeni para mikrofonit, pohojeni!”, i tha Presidentit. “Mund ta quajnë si të duan, parti mund ta quajnë, shoqatë mund ta quajnë”, i vuri kapak Alia.
    Në përfaqësinë studentore dhe në sallë kishte mjaftueshëm njerëz të partisë që duartrokisnin replikat, batutat pikante apo sentencat në formë citatesh të Ramiz Alisë. Këta kishin duartrokitur e brohoritur nja shtatë herë deri sa u tha edhe kjo fjali e fundit, të cilën Arben Demeti ia kishte nxjerrë Presidentit si me grep, pa shumë takt, nga fundi i shpirtit. Kësaj radhe duartrokitjet ishin unanime. Askush nuk dëshironte ta shihte Presidentin të frustruar dhe në siklet. Por logjika e palëve ishte vendosur tashmë plotësisht. Atëherë, në shenjë respekti ndoshta për ata djem që dinin më shumë se ai për pluralizmin dhe ishin të qartë e të kthjellët në qëllimet e tyre të mira demokratike, Ramiz Alia, u hapi zemrën duke u folur për gjendjen e rëndë ekonomike të vendit dhe si kishte mbijetuar ekonomia e mbyllur socialiste duke shfrytëzuar koniunkturat dhe ndihmat e huaja. Koniunktura kishte vite që ishte e disfavorshme për Shqipërinë komuniste, ndihma nuk kishte, vendi ishte në prag të kolapsit. Vetëm demokracia mund ta shpëtonte. Jo thjesht demokratizimi. Kjo nuk u tha shprehimisht, por u la nënkuptohej. Siç u la të nënkuptohej edhe fakti tjetër se lëshimet e Ramiz Alisë dhe regjimit në përgjithësi ishin ndikuar nga situata ekonomike. Atij regjimi mund t’i merrej gjithçka në kushte e krijuara. Në thelb nuk ishte Alia që po u bënte lëshime kundërshtarëve, por e kundërta. Alternativa e re politike ishte ideale për ta marrë në karrocën e saj nga e shkuara në të ardhmen edhe atë pjesë të së vjetrës që përfaqësonte pasuesi i parë dhe i fundit i Enver Hoxhës në krye te shtetit shqiptar. Se deri ku mund ta çonte ajo karrocë, kjo ishte një çështje e së ardhmes së afërt. Por për momentin, të gjithë bashkë, studentë dhe pedagogë, ministra dhe sekretarë të parë, po dilnin nga e djeshmja e Shqipërisë me flamurin e hapjes dhe Europës në duar.

    Shënim: “Panorama” ka botuar pjesë nga libri “Fillimet” me autorizimin e botuesit UET Press, duke përzgjedhur në funksion të hapësirave që ka gazeta fragmente që nuk pasqyrojnë tërësinë e episodeve siç janë zhvilluar në libër.

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Preç Zogaj rrëfen për historinë e Lëvizjes së Dhjetorit 1991-1992

    Rrëfimi i Zogajt për Dhjetorin ‘90: Debati me “njerëzit” e Ramiz Alisë


    Emri:  prec-zogaj.jpg

Shikime: 1398

Madhësia:  12.5 KB
    Preç Zogaj

    Preç Zogaj boton librin publicistik “Fillimet”, nga UET PRESS

    Si e sulmoi Shinasi Rama Sali Berishën: Ti s’je këtu për të mbajtur anën e studentëve.

    Si e organizoi Hajdari takimin për dialog mes studentëve dhe Presidentit


    Gjinushi me studentët: Kushtet për dialog me Alinë “Studentët të ndërprisnin protestën e të shkojnë në mësim”

    Duhej të ishte libri i parë nga rendi kronologjik, por është botuar i fundit. Një botim prej 13 kapitujsh që duhet të kishte një mbyllje, por në vend të saj ka një hyrje. Ky është “Fillimi”, libri i ri me zhanrin e esesë politike, që Preç Zogaj ka nisur të shkruajë që prej vitit 1996. Atëherë ai mori shtysë nga zgjedhjet politike të atij viti, për të vijuar me një kolanë botimesh kohë pas kohe nga UET-PRESS, deri në vitin 2012. Por mungonte “zanafilla”, ngjarjet e periudhës 1990-1992, të cilat kanë qenë vendimtare për dy dekadat që lamë pas. “Fillimet” është pikërisht libri që duhej. Preç Zogaj ka qenë atje, në sheshin ku u bë historia në vitin 1990. Si shumë të tjerë, ai është dëshmitar i ngjarjeve që përmbysën diktaturën, por ndër të rrallët që di të rrëfejë me stil…

    PJESË NGA LIBRI “FILLIMET” I PREÇ ZOGAJT
    NJË NGA MBLEDHJET DECIZIVE


    Emri:  PashkoBerishaZogajSelami.png

Shikime: 1455

Madhësia:  73.8 KB

    Eduard Selami, Preç Zogaj, Sali Berisha, Gramoz Pashko para Ambasadës Amerikane, në vitin 1991

    Rreth orës 18:00, mes një shiu të dendur, mbërrita në Qytetin Studenti. Bërthama e studentëve në protestë ishte sërish në sheshin prapa mensës kryesore, aty ku kishte qenë paradite. Turma dukej anonime nën morinë e çadrave të hapura, që krijonin një mozaik të madh kupolëzash të vogla, të zeza dhe me ngjyra, mbi të cilat derdhej shiu i njëtrajtshëm i mbrëmjes, vezullues në pjesët ku binte drita e ndonjë neoni të ndezur.
    Qyteti ziente nga një lëvizje dhe energji e pacilësueshme. Silueta studentësh e ndoshta edhe qytetarësh të Tiranës kryqëzoheshin me nxitim në teposhtet dhe termalet e rrugëve të brendshme, neonet e ndezura aty-këtu grisnin errësirën, aq sa për të zbuluar në fytyrat që shfaqeshin pak çaste në dritë pahitjen e një ngazëllimi të panjohur. Shumica e këtyre siluetave vinin drejt sheshit, ndoshta për të ndërruar turin me të lodhurit, të lagurit, të uriturit. E kishin fituar betejën, e kishin bërë kapërcimin e madh në çastin e marshimit drejt qendrës së Tiranës, kur të ndaluar me dhunë nga forcat e policisë ishin njohur si zotër të Qytetit Studenti dhe kishin vendosur aty kufirin e parë të lirisë me pjesën tjetër të kryeqytetit.
    Në korridorin e godinës ku ishte lënë të zhvillohej mbledhja mbërrita pothuajse në një kohë me Sali Berishën. U takuam përzemërsisht, pa habi, si të ishim marrë vesh me kohë për t’u takuar në atë start apo udhëkryq të historisë së re. Njiheshim prej disa vitesh, isha një admirues i kryelartësisë së tij, megjithëse vetë nuk pëlqeja ta mbaja kokën lart. Berisha kishte diçka nga personazhet e romaneve heroike, në mënyrën si kërkonte ta sfidonte realitetin e bukosur të kohës. Më kishte thënë se ishte një lexues dhe adhurues i poezive të mia. Gjatë muajve të fundit, në një rreth më të gjerë miqsh të përbashkët kishim folur disa herë për ndryshimet në Europën Lindore, kishim ndarë shqetësimin që Shqipëria po vonohej, kishim diskutuar e inkurajuar njëri-tjetrin për shkrimet dhe qëndrimet e frymës së re, ku intervista e tij e bujshme në gazetën “Drita” kishte vendosur një kufi të ri të guximit dhe oponencës intelektuale të kohës. Përgjatë verës dhe vjeshtës kishim besuar se ishim, madje kishim qenë para ngjarjeve me gjestet që kishim bërë. Lëvizja studentore për pluralizëm politik, liri dhe demokraci na kishte kaluar. Por falë Azem Hajdarit dhe studentëve të tjerë që na kishin ftuar për mbështetje dhe këshilla, kishim rastin të viheshin në një hap me ngjarjet e reja që po përcaktonin drejtimin e ri të vendit.


    Emri:  studenter_ramiz_alia.jpg

Shikime: 1493

Madhësia:  23.7 KB
    Takimi i dhjetorit 1990 i Ramiz Alisë me studentët

    Azemi kishte ftuar edhe shtatë-tetë intelektualë të tjerë, përfshirë dy profesorët e tij, që s’po vinin e s’po vinin, edhe pse u kishte dërguar një lajmës të posaçëm. Unë e mirëkuptoja dëshirën e tij për të pasur pranë në ato orë kritike këshillat e profesorëve të tij, me të cilët komunikonte çdo ditë si student. Natyrshëm, ndihej më i afërt me ta se me ne. Por e merrja me mend se nuk do t’i vinin. Lëvizja e re studentore nuk ishte për reforma brenda regjimit, por për një regjim të ri, pra ishte nga ato që i rreshtojnë politikisht njerëzit, që krijojnë menjëherë kampin pro dhe kundër. Ose me Lëvizjen, ose me Partinë e Punës. Ose me demokracinë, ose me demokratizimin. Ose me pluralizmin politik, ose me pluralizmin e mendimit… Kjo ishte dikotomia e re që kishte marrë jetë mesnatën e datës tetë dhjetor, me t’u nisur toga e parë e studentëve drejt Tiranës me thirrjet “Liri-demokraci”. Profesorët e Azemit, njerëz të lexuar dhe të sjellshëm, ishin për liberalizimin e sistemit politik në fuqi. Po të shtrohej çështja e krijimit të një partie të re, alternativë e Partisë e Punës, ata nuk ishin kundër, por nuk do të bëheshin me të. Ishin në anën tjetër të barrikadës në këtë ndarje. Së paku njëherë përnjëherë, sa të kuptohej më qartë ç’po ndodhte. Më erdhi zor t’i thosha Azemit “mos i prit, nuk do të vijnë”. Ndoshta do më duhej të jepja një shpjegim dhe nuk doja të shpjegohesha.
    Studentët e “shtabit” kalonin duke na përshëndetur. Pas pak mbërritën edhe të dërguarit e Presidentit Ramiz Alia. Ishin ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të BRPSH-së, Lisen Bashkurti, sekretari i Komitetit Qendror të BRPSH-së, Luan Bregasi. Ndërkohë kishte ardhur Remzi Lani, i cili ishte ftuar nga Azemi, por si kryeredaktor i gazetës “Zëri i rinisë” ishte vartës direkt i Lisen Bashkurtit.
    Ndriçimi në zyrën ku do të zhvillohej takimi ishte i dobët. Jashtë binte shi, hije njerëzish dukeshin e zhdukeshin përtej xhamave. Studentët kishin zënë vend rreth një tryeze të gjatë, në karriget me skelet hekuri, me ndenjëse dhe shpinore kompensate. Të dërguarit e Alisë u ulën në karriget e lëna bosh për ta, diku nga kreu i tryezës. Berisha, Lani dhe unë zumë vend përkarshi, diku afër derës.
    Takimin e hapi Azemi, që paraqiti edhe dy çështjet për të cilat do të diskutohej. Ishin lista përfundimtare e kërkesave të studentëve dhe forma e dialogut me Presidentin e Republikës. Lista e kërkesave mori fare pak diskutime. Të dërguarit e Alisë nuk shfaqën ndonjë rezervë për kërkesat me karakter politik. U kuptua se çështja e pluralizmit politik jo që nuk ishte më një tabu, por ishte kapërcyer pozitivisht nga pala tjetër. Kjo ishte një ngjarje e madhe, që kishte filluar të konsumohej pjesë-pjesë, si festë e epokës në lojën e lëshimeve dhe tërheqjeve të Alisë, por që meritonte të përjetohej si një zbulim. Ishin akoma të pakët njerëzit në Shqipëri që e dinin në atë orë se çështja e vendosjes së pluralizmit politik kishte marrë udhë.
    Studentët patën disa mospajtime të vogla mes tyre për vendin ku do të zhvillohej dialogu me kryetarin e shtetit. Disa, në inercinë e zemërimit për pabesinë që u ishte bërë natën e tetë dhjetorit, kërkuan që Alia të vinte në Qytetin Studenti, por shumë shpejt e pranuan edhe ata se nuk mund të bëhej dialog me katër-pesë mijë njerëz të mbledhur në shesh, se nuk ishte as e sjellshme, as e hijshme t’i shtrohej një kërkesë e tillë Presidentit të Republikës. Si përfundim, u vendos që dialogu të zhvillohej në Pallatin e Brigadave.
    Debatet dhe sherret shpërthyen kur zoti Gjinushi parashtroi kërkesën e fundit, më saktë kushtin e fundit të Presidentit Alia, që studentët duhet të ndërprisnin protestën dhe të shkonin në mësim ndërkohë…
    Studentët e “shtabit” nuk pritën që ministri të mbaronte fjalën e tij. Kundërshtuan njëzëri, njëri më i pezmatuar se tjetri:
    - Në mësim? Pa u bërë dialogu? Pa parë rezultatin e dialogut? Në asnjë mënyrë!
    Gjinushi kishte përvojë në komunikim me studentët. Bashkurti gjithashtu. I lanë ata të shfrynin si t’u vinte për mbarë.
    - Shkoni dhe thojuni nuk jemi dakord. Dialogu, siç është pa kushte për atë, është pa kushte edhe për ne.
    - Nëse ngul këmbë, le të prishet fare.
    - Po, po, po. Të prishet fare. Të bëhet, ç’të bëhet!
    “Të bëhet ç’të bëhet”! Ishte një student nga Lushnja që sikur i vuri kapak më këto fjalë shpërthimit të shokëve të tij. Pasoi një heshtje e rëndë. Për dreq u fikën dritat, errësira na përpiu të gjithëve një copë herë, duke na zhytur në një heshtje edhe më të pashpresë. Dëgjohej zhurma e shiut jashtë dhe jehona e bubullimave që shuheshin, kushedi në cilën anë të qiellit dimëror. Leskrat e disa vetëtimave na nxirrnin sa çel e mbyll sytë nga errësira, sa për të pikasur pamjen e ngrirë prej kukudhësh të njëri-tjetrit dhe për të na lënë përsëri në mëshirën e territ, që dukej edhe më i ngjeshur nga kjo lojë e shkarkesave elektrike mes reve… Erdhën dritat.
    - Nuk mund të flitet kështu, – e mori fjalën menjëherë Bashkurti, si të kishte frikë se dritat mund të fikeshin përsëri dhe ajo “të bëhet ç’të bëhet” të mbetej një kërcënim me shumë të panjohura, varur mu në mes të territ të madh të vendit. Dhe vazhdoi: – Ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje.
    - Ramë dakord për pikat. Ramë dakord edhe për mbajtjen e dialogut. Kjo është e rëndësishme. Dialogu të bëhet për ato pika që shtroni ju dhe të arrihet një marrëveshje. Çfarë ndryshimi ka për ju, në mësim apo pa mësim?! – tha Gjinushi.
    - Po për ju, domethënë për zotin President, çfarë ndryshimi ka? – ia ktheu Azemi.
    - Ka sepse, kuptohet, ai është kryetari i shtetit që njohim të gjithë. Studentët nuk mund të rrinë në shesh, ndërkohë që një përfaqësi e tyre po pritet nga Presidenti. Kjo është një formë kushtëzimi për Presidentin. Madje është edhe fyese për personalitetin e tij, gjë që vetë ju si studentë nuk duhet ta lejoni, sa kohë që po mban me ju një komunikim të hapur e të vazhdueshëm dhe ju vetë e keni shkruar në krye të kërkesave tuaja se mbështesni reformat e nisura prej tij.
    Kjo ligjëratë krijoi një si stepje në radhët e studentëve. Heshtja që pasoi nxori në pah në një fraksion të shkurtër kohe epërsinë që kishin marrë të deleguarit e Ramiz Alisë. Azem Hajdari kërkoi një mendim nga të ftuarit e tij: A mund të konsiderohej fyerje për Presidentin mosshkuarja në mësim, siç kishte thënë ministri i Arsimit?
    Vështrimet e studentëve u kthyen nga Berisha, Lani dhe unë. Berisha foli i pari. Ai e konsideroi të një rëndësie historike faktin që studentët do të dialogonin zyrtarisht me Ramiz Alinë për vendosjen e pluralizmit politik. E shihte pothuajse të arrirë këtë ngjarje madhore në jetën e vendit, përndryshe pse do të mbahej dialogu. “Sa për atë, të shkojnë apo të mos shkojnë studentët në mësim, për mua kjo nuk është thelbësore”, shtoi pastaj. “Edhe mund të shkojnë. Unë nuk shoh ndonjë të keqe. Këto janë rregullat. Nëse dialogu nuk prodhon atë që duam të gjithë, përgjegjësinë e merr pala tjetër. Studentët do të dalin prapë në shesh”.
    Në këtë pikë, edhe pse Berisha e kishte shtruar logjikshëm pikëpamjen e tij, unë nuk e mbështeta. Jo se mendoja se duke i dashur studentët në mësim, Ramiz Alia kërkonte t’ua hidhte. Për aq sa i njihja të dërguarit e tij, njerëz seriozë që të tre, dhe nga leximi që u kisha bërë ngjarjeve shqiptare të atij viti, Ramiz Alia vështirë se mund të luante më me çështjen e pluralizmit. Mëtimi i tij i vetëm ishte ta jepte, jo t’ia merrnin. Por gjithsesi, përballë të panjohurave, prapaskenave dhe rebuseve politike të momentit, studentët sheshin kishin armën e tyre, nuk kishin tjetër, atë nuk kishin pse e dorëzonin. Aty po shkruanin historinë e tyre që s’mund ta shkruanin në bankat e shkollës. Ramiz Alia po kërkonte shumë, ndërkohë që mund të humbte edhe atë që kishte marrë nga studentët, si personi më i kredituar i regjimit për të negociuar kërkesat e tyre politike. Alia kishte një shans të përfshihej në sfidat e politikës së hapjes nëpërmjet studentëve, ndërkohë që këta të fundit nuk e kishin të domosdoshëm mirëkuptimin me të për të shkuar përpara. Kështu ishin raportet e palëve me të ardhmen e re që po lindte.
    - Këta sheshin kanë armën e tyre, – thashë unë, jo pa keqardhje, që dukej të kundërshtoja pak parafolësin, edhe pse ai nuk është se kishte qenë i prerë në mendimin e tij. Sakaq, Shinasi Rama iu kthye Berishës me fjalë të rënda, duke e akuzuar se nuk ishte aty për të mbajtur anën e studentëve, por për të bërë punën e Ramiz Alisë. Berisha mbajti gjakftohtësinë, por Shinasiu nuk u ndal. E ngriti edhe më shumë tonin, teksa i kërkoi tjetrit të ikte në punën e tij. Ik, ik, nuk ke vend këtu! Sytë e ndezur dhe zëri i ngjirur nga të folurit me zë të lartë gjatë dyzet orëve të fundit e tregonin një lloj jakobini të sertë, çfarë nuk kuadronte me përshtypjet e mia për të, si ithtar i poezisë anglosaksone. Azem Hajdari, ftuesi i drejtpërdrejtë i Berishës në atë mbledhje, u vu në siklet. Nuk ishte dakord me Berishën, por nuk ishte dakord as me shpërthimin e Shinasiut. Edhe në vlerësimin tim, Shinasiu po e tepronte. Duke shfrytëzuar miqësinë që kisha me të, u ngrita dhe iu drejtova me ton: “Si mund të flasësh kështu për doktor Berishën? Ai shfaqi mendimin e tij. Ç’do të thotë kjo ‘je komunist’”? Ai po thërret ndryshimin prej disa muajsh”.
    Remzi Lani mbajti të njëjtin qëndrim, duke shfrytëzuar edhe ai miqësinë me Shinasiun. Ky u step, për të mos thënë u pataks. Një dëshirë e egër për të më ftilluar mbushi rrëmbyeshëm sytë e tij. U mblodh sikur po mbyste një klithmë. Për disa çaste mbretëroi një heshtje e rëndë, Shinasiu u mbyll në dëshpërimin e tij dhe mua se si më erdhi. Sali Berisha ishte ulur në një karrige të vjetër afër derës. Ajo karrige ishte e vogël për trupin e tij të madh dhe banale për staturën e tij intelektuale. S’merrej vesh si ishte gjendur aty, në kufirin që ndante të qenët pjesë e mbledhjes me të qenët jashtë mbledhjes. Nuk mund ta përfytyroja Berishën në atë cep, të mbledhur në krahët e tij të gjatë, me shikimin e palëvizshëm të mbërthyer përdhe. Më dukej një shenjë e keqe për vetë Lëvizjen e re. Ku do t’i gjenin studentët intelektualët e pagabueshëm, nëse kishin nevojë për ta? Ah, intelektualët! Shumë kishin ecur, shumë kishin bërë mes kufizimeve ku kishin jetuar e jetonin! Intelektualët, po të flasim me gjuhën e mëvonshme, nuk ishin ende alternativa politike e Partisë së Punës. Ishin diferenca dhe oponenca e asaj partie. Vetë studentët ishin një shprehje më e avancuar e kësaj diference, ishin shpengim dhe shpejtësi, por akoma jo alternativë. Po kërkonin një gjë që mundësonte lindjen e alternativave legale, siç ishte pluralizmi, por nuk ishin parti e re politike. Atëherë? Si ta shpjegoja faktin që ylli publik dhe politik i asaj periudhe, njeriu që kishte artikuluar i pari me fjalë të matura nevojën e pluralizmit politik, kishte përfunduar në një karrige afër derës së një zyrë gjysmë të ndriçuar, ku po zhvillohej një nga mbledhjet më të rëndësishme të epokës?
    Më ishte prishur humori dhe mua, më kishte ikur qejfi të rrija më tej në atë mbledhje. E çfarë se kisha mik Shinasiun apo respektohesha nga Azemi? Dikush tjetër nga ai grup studentësh, i panjohur prej meje, mund të më sulej dhe të më kërkonte të shporresha prej aty në çastin më të parë nëse shprehja një mendim ndryshe apo të gabuar.
    Nuk do të kujtohesha sot se dritat u fikën përsëri, po të mos kem ruajtur të stampuar në kujtesë bashkë me zhytjen e përsëritur të mbledhjes dhe botës mbarë në një pus të errët e të zi, profilin e ngrirë të Sali Berishës, si të Dante Aligerit, që iu zbulua shikimit tim sa çel e mbyll sytë në dritën e një vetëtime. Është e pamundur të ndërtohet një histori e “ç’do të kishte ndodhur” nëse do të kishte ikur atë çast. I duroi fyerjet dhe poshtërimin mu sikur e ardhmja po e provonte me një mundim, për të kuptuar sa të trashë e kishte lëkurën, sa të thellë vështrimin dhe sa i mbante kurrizi. Në ambicien e tij, Berisha ishte më i qartë e më i papërkohshëm se të tjerët që ishin aty. Qëndroi. Për t’i përcjellë të gjithë, për t’i nxjerrë të gjithë nga fusha e lojës kur të binte ora e tij.

    Publicistika e Preç Zogajt
    Librat me natyrë eseistike nga zhanri i esesë politike që shkrimtari Preç Zogaj ka nisur të shkruajë që prej vitit 1996, janë përmbledhur në kuadër të kolanës “Scripta Imanent” (E shkuara mbetet), botuar nga UET- PRESS. Në vitin 2009 është botuar libri “Institucionet e Tranzicionit” 1 dhe 2, një përmbledhje e publicistikës së tij politike që nis me “Rënien e zgjedhjeve” e deri te “Paradhoma e një presidenti”; të gjitha këto janë një fotografim e refleksion i ngjarjeve politike të kohës. Prania e autorit gjatë këtyre ngjarjeve që përshkojnë periudhën e gjatë të tranzicionit në Shqipëri, ka bërë të mundur që përmbledhjet të vijnë me një frymë realiste, duke sjellë bashkë me faktet një pjesë të mirë të përjetuar prej tij. Përshtypjet e dikujt, i cili mund të dëshmojë që në gjenezë periudhën e tranzicionit, përbëjnë kështu një dëshmi unike të kësaj periudhe për lexuesin. Në vitin 2012 vjen një tjetër vepër, “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”, pjesë e së njëjtës kolanë. Të dy këta libra tashmë të botuar, rrëfejnë për “Shqipërinë e tranzicionit” dhe atë të pas viteve 2000, ndoshta qëllimisht për t’u mbyllur me atë që duhet të ishte hapja e kësaj historie 24-vjeçare, viti i brishtë 1990. Viti ku filloi gjithçka…

    Panorama

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Preç Zogaj rrëfen për historinë e Lëvizjes së Dhjetorit 1991-1992

    Preç Zogaj boton librin publicistik “Fillimet”, nga UET PRESS

    Zogaj: Kthimi i Edi Ramës nga Greqia 4 ditë pas themelimit të PD

    “Më vonë Rama më rrëfeu: E kisha menduar si një duel politik për jetë a vdekje takimin me Alinë”

    Viti ‘90, ngjarjet e bujshme të 13 dhjetorit për ligjërimin e Partisë Demokratike

    Hajdari kryetari provizor, si u legalizua PD në miting

    Pse Komisioni Nismëtar vendosi që mos shahej Ramiz Alia

    Edi Rama mbërriti në Tiranë më 13 dhjetor 1990, katër ditë pasi ishte themeluar Partia Demokratike. Ai ndodhej për një vizitë familjare në Greqi, teksa në Shqipëri po shkruhej historia… E sot, 24 vite më pas, kjo histori vjen e rishkruar në librin “Fillimi”. Është Preç Zogaj që me fatin si protagonist, talentin si shkrimtar e me përvojën si politikan, ka arritur të sjellë ngjarjet e bujshme të Dhjetorit ’90 me një freski detajesh, sikur të kishin ndodhur dje. Gjithsej janë 13 kapituj që përbëjnë librin e ri “Fillimi”, botim i UET PRESS. Ky duhet të ishte libri i parë për nga rendi kronologjik i Preç Zogajt, por që është botuar i fundit në kolanën e veprave të tij të zhanrit të esesë politike, që zënë fill që nga viti 1996 e deri më 2012.

    PJESË NGA LIBRI “FILLIMI” I PREÇ ZOGAJT
    MBËRRITJA E EDI RAMËS NGA GREQIA


    Emri:  EdiRamaKristaqRama.jpg

Shikime: 1330

Madhësia:  32.5 KB
    Edi Rama dhe babai i tij, Kristaqi, në vitin 1990
    (Foto Petrit Kume)


    Në mbledhjen e parë të Komisionit Nismëtar, që u zhvillua menjëherë pas kostituimit të tij, u vendos me unanimitet, pa votim, që Azem Hajdari të kryente funksionet e kryetarit provizor të partisë. Mua m’u ngarkua detyra e themelimit të një gazete të re dhe e krijimit të zyrës së shtypit. Ishte e natyrshme të më ngarkohej kjo detyrë dhe po aq e natyrshme ta pranoja. Kisha qëlluar të isha i vetmi shkrimtar dhe njëri prej dy gazetarëve të vetëm në takimin e asaj pasditeje. Do të vinin të tjerë me kalimin e ditëve. Duhej të vinin. Duke e konsideruar zgjedhje praninë apo daljen e nismëtarëve të njohur në krye të Lëvizjes dhe PD-së, unë mendoja se disa prej tyre i kishte ndihmuar edhe fati, duke u ruajtur shëndetin dhe duke i mbajtur pranë vendit të duhur në kohën e duhur.
    Fati, që nuk kishte ndihmuar e kënaqur disa të tjerë, kishte ulur perden e aktit të parë të takimit me historinë, për të ngritur sakaq perden e aktit tjetër. Dhe kështu po mbërrinin edhe këta të orës së dytë, pasi nuk është rasti dhe s’mund të jetë rasti ai që determinon pjesëmarrjen dhe rolin e individëve në një lëvizje të madhe për liri dhe demokraci, por janë edhe vetë individët e lirë e të fortë që përfshihen kush më shpejt e kush më ngadalë në një lëvizje të tillë. Në fund të fundit, në rrjedhën e saj në kohë, çdo lëvizje arrin në pikën kur prurjet e të gjitha drejtimeve dhe periudhave shkrihen në shtratin e saj të gjerë. Fillimi nuk i diktohet vazhdimit dhe vazhdimi nga ana tjetër nuk mohon fillimin.
    Mendoja atë mbrëmje, më 13 dhjetor, për ardhjen e miqve të mi të penës dhe ëndrrës; e përjetoja si një rastësi apo keqkuptim banal mungesën e tyre në mbledhjen e asaj pasditeje, kur ja, si për të vërtetuar me shembullin e parë parandjenjën time, në mbledhjen e Komisionit Nismëtar që po zhvillohej në katin e dytë të kinoklubit “Studenti”, ia mbërriti drejt e nga Greqia ku kishte përfunduar i shtyrë nga erërat e liga të Eolit, në ditët më të shumëpritura të jetës së tij, profesori i ri i pikturës në Institutin e Lartë të Arteve, Edi Rama. Ky dhe disa studentë të degës së Arteve Figurative e kishin shndërruar këtë institut në një aulë të gojëve të hapura, në një arenë të ballafaqimeve të para të ashpra me zyrtarët e lartë të regjimit. Në fillim të muajit dhjetor 1990 besohej se kushtrimi i rebelimit rinor antikomunist do të vinte nga Artet; pishtari i demokracisë do të ndizej së pari atje dhe në fakt kjo profeci nuk ishte e gabuar, pasi pikërisht më 8 dhjetor pasdite, disa orë përpara se në Qytetin Studenti të niste marshimi i parë i protestës studentore në historinë e Shqipërisë, në sallën e shfaqjeve të Institutit të Arteve qirinjtë e ndezur në 10-vjetorin e vrasjes se këngëtarit të grupit të famshëm “Beatles”, Xhon Lenon, homazhet, përshpirtjet dhe këngët në kujtim të tij kishin kaluar si preludi i stuhisë që po ngrihej dhe marshimit që po nisej në krahun tjetër të qytetit, edhe pse dy ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Edi Rama nuk ishte në Tiranë atë mbrëmje. Ishte nisur në Greqi me të atin, mu sikur fati të kishte dashur t’i punonte një rreng, apo mu sikur familja të kishte nuhatur apo ditur diçka, duke e dërguar e mbajtur djalin plëngprishës larg Shqipërisë, të verbër dhe të shurdhuar ndaj përmbysjes që po niste në Tiranë. Kur u njoftua dy-tri ditë më vonë nga Blendi Gonxhe, Edi Rama, siç ka dëshmuar vetë më vonë, qe bërë helm përballë hilesë së destinit. Kishte javë që po përgatiste me kujdes përballjen e tij dhe të studentëve të tij me Ramiz Alinë. “E kisha menduar si një duel politik për jetë a vdekje atë takim”, më rrëfeu mua më vonë. Mendonte, me sa dukej, se vendi nuk kishte forca të tjera përveç tij dhe mbështetësve të tij për të prodhuar një ballafaqim politik antagonist si ai që kishte konceptuar. Besonte se ishte ai antagonisti i arenës dhe askush tjetër, prandaj edhe nuk kishte dyshuar mos po humbte ndonjë gjë, kur babai e tij e kishte ftuar të vizitonin një kushëririn e tyre në një qytet të vogël të Greqisë. Edhe atje e kishte ndjekur shajnia e përballjes, edhe atje kishte bërë ndërhyrje dhe rregullime të tjera në planin e tij të duelit me Alinë. Ndoshta pikërisht në orën ballafaqimit të vërtetë të Ramiz Alisë me përfaqësinë studentore, mbrëmjen e 11 dhjetorit, ai, Edi Rama, kishte qenë duke u ndeshur virtualisht me Presidentin e Shqipërisë në ndonjë ballkon shtëpie të Greqisë. Fati nuk ishte mjaftuar ta dërgonte larg teatrit të ngjarjeve, por edhe e kishte përqeshur. Kur e mori vesh ç’kishte ndodhur gjatë mungesës së tij, i ishte dashur të bënte një betejë të fortë mendore për të zmbrapsur zulmën e flaterive që e kishin sulmuar, sikur Alia me frotën e tij e kishin larguar me kast larg Shqipërisë, për të prodhuar në kulisa atë që Rama kishte planifikuar të prodhonte në arenë. Me të mbërritur si një fantazmë në Tiranë mbrëmjen e 13 dhjetorit, e mbajti hapin e tij të gjatë dhe frymëmarrjen e tij të rëndë pikërisht në katin e dytë të kinoklubit “Studenti”, ku ishin mbledhur drejtuesit e rinj të partisë së re. Kishte një padurim t’i shihte me sy kush ishin ata. Kush ishin ata që kishin marrë rolin që ai kishte ëndërruar! Ngjarjet e kishin kaluar, kjo ishte e qartë. Por nuk mund ta kishin përjashtuar. Mjaft prej drejtuesve të partisë së re qenkëshin të njohurit e tij. Moj (Gramozi), Beni (Arben Imami), Gonxhja po se po, Preç Zogaj, poeti i grupit të trekëndëshit “Zëri i rinisë-Lidhja e Shkrimtarëve-shtëpia botuese ‘Naim Frashëri’”, grup me të cilin miqtë e tij nga bota e letrave ishin në një armiqësi të ftohtë, por ç’rëndësi kishte, sa kohë që talenti nuk u mungonte gegëve dhe toskëve të asaj bande! Kishte edhe të tjerë të njohur, me të cilët mund të shtrëngonte pa vështirësi një solidaritet miqsh. Ata që nuk i njihte, e njihnin. Por prapëseprapë nuk ndihej mirë. Indiferenca e disave e bezdiste më shumë se lutjet dhe ftesat e disa të tjerëve për t’u ulur, për t’u njohur me zhvillimet, për t’u bashkuar me nismëtarët. Arben Demeti, i heshturi që nuk lejonte t’i shpëtonte rasti më i vogël, ishte entuziazmuar nga prania e tij dhe e kishte përfshirë menjëherë, pa e pyetur, në grupin e punës për organizimin e partisë. Por Edi Ramën nuk e ngrohte që nuk e ngrohte vëmendja dhe dashamirësia e dashamirësve. Katërditëshi i mallkuar i mungesës sikur kishte hapur një humnerë mes tij dhe atyre. Ishte shumë pretencioz dhe hiç fare diplomat për të pranuar pasojën e lojës së rrethanave. Historia s’duket asgjë kur e kemi përpara dhe na bën asgjë kur na lë prapa. Edi Rama futi këmbën në PD për të parë, fytyra e tij tradhtonte pamjen dhe nervin e një të bastisuri, sikur ata njerëz atje i kishin marrë diçka që ai e kishte lënë në ruajtje, që i përkiste, apo për ta thënë më butë, i bashkëpërkiste. Vetvetiu bëri hapin tjetër brenda për të qortuar, për të provokuar… Ç’është ajo që kam dëgjuar që nuk i keni rënë ballit Ramiz Alisë! Jo vetëm nuk i keni rënë ballit, por e keni ngritur në qiell! E kujt është kjo parti që ngre në qiell sekretarin e parë të Partisë së Punës?
    Nuk mund ta them a u thanë ekzakt këto fjalë apo të tjera të përafërta nga Edi Rama. Nuk mund ta them a u thanë aty, atë natë, më 13 dhjetor, apo më vonë. Po largoheshim bashkë me Arben Imamin për të dorëzuar në RTV një komunikatë shtypi, të parën në historinë e Partisë Demokratike, në të cilën do të dënonim vjedhjen dhe djegien “në emër të demokracisë” të dyqaneve në Shkodër nga një hordhi plaçkitësish. Kur dolëm nga zyra ku ishin mbledhur thuajse të gjithë anëtarët e Komisionit Nismëtar, pashë Ramën afër derës, duke shkëmbyer fjalë në këmbë me Gramoz Pashkon. Ishin të tendosur që të dy. Diçka nuk po shkonte mirë mes tyre. Kur u kthyem nga RTV mora vesh se në të ikur, pasi ishte zënë me Gramozin, Rama kishte lëshuar thagmën se Partia Demokratike nuk qenkësh parti opozitare, por thjesht një parti oponente e Partisë së Punës. Mund të kishte paksa të drejtë në rrafshin e terminologjisë së matur që po përdornim ato ditë, por nuk kishte të drejtë në substancë. Partia Demokratike nuk ishin disa pak fjali të kujdesshme tranzicioni që oratorët demokratë i përdornin për të nderuar kalimin pa gjakderdhje të vendit në sistemin shumëpartiak, por ishin bazat e programit të saj, në të cilin kishin gjetur shprehje parimet themelore të shoqërisë së hapur liberale dhe një qasje e re ndaj çështjes kombëtare. Edhe retorika ka kohën e saj. Ashpërsia e saj është funksionale kur përligjet me natyrën e pengesës që duhet të mposhtë. Por edhe duhet të zbutet kur pengesa zbutet apo bie. Përndryshe ajo bëhet disfunksionale, e kërkuar, e dëmshme. Besoj se kur erdhi dhe iku duke shfryrë nga PD, Edi Rama ishte jo vetëm në inercinë e duelit të ëndërruar me Ramiz Alinë, por perceptoi, pagabueshëm më thotë mendja, se disa nga zotërinjtë ambiciozë të Komisionit Nismëtar ishin të gëzuar që kishte mbërritur vonë dhe nuk e donin nëpër këmbë. Ndiheshin më mirë pa karizmën, mendjemadhësinë, ironinë dhe madje edhe pa shtatlartësinë e tij prej gjiganti. Duke ndier në fjalët e Gramozit se nuk kishte vend të mjaftueshëm për dy disidentë nga periferia e Bllokut në kreun e partisë së parë antikomuniste të vendit, Edi Rama kishte kthyer majat nga thembrat me pamjen e dikujt që nuk po e dëbojnë, por po largohet në shenjë mospajtimi me oportunizmin ramizist të themeluesve të Partisë Demokratike. Pas kësaj, në përputhje me këtë mëtim dhe duke dashur t’i jepte koherencë aktit të tij, ai do të fliste si një antikomunist radikal, por pa krijuar një korrent apo grupim politik të kësaj fryme. Si për të provuar tezën se pinjollët rebelë të familjeve të regjimit nuk e kishin me partinë, madje as me komunizmin që i kishte privilegjuar, por me pushtetin, me luftën e kastave brenda llojit dhe se radikalizmi i tyre ishte para së gjithash shprehje e një proselitizmi politik, Edi Rama do të merrte trembëdhjetë vjet më vonë teserën e Partisë Socialiste ish-komuniste dhe do të zgjidhej edhe kryetar i saj.

    MITINGU I LEGALIZIMIT TË PD-së


    Emri:  mitingu_qyteti_studenti_pd_dhjetor_91.jpg

Shikime: 1354

Madhësia:  20.7 KB
    Nga mitingu në Qytetin Studenti, 13 dhjetor 1990

    Pritej një miting madhështor – ku ka leje shtohen njerëzit – dhe në fakt, rreth orëve të drekës të datës 22 dhjetor, u vu re një shpërngulje e paparë e banorëve të Tiranës drejt Qytetit Studenti. Në këtë miting themeluesit e partisë se re do të shfaqeshin për herë të parë të gjithë bashkë, në pamjen e ekipit që do të udhëhiqte opozitën dhe Shqipërinë e re në sfidat e reja. Përveçse për emrat dhe fytyrat që ishin bërë pak a shumë të njohura për publikun e gjerë, do të kishte një kërshëri të veçantë edhe për vendosjen e tyre në tribunë, për radhën e të folurit, për përmbajtjen e fjalimeve. Nga Komisioni Nismëtar ishte vendosur të flisnin Berisha, Pashko, Hajdari, Zogaj, Imami, Selami dhe Meksi. Ishte vendosur gjithashtu të ftoheshin në tribunën qendrore studentë të Lëvizjes së Dhjetorit që nuk ishin zgjedhur anëtarë të Komisionit Nismëtar, intelektualë të njohur, mbështetës të PD-së, si Neritan Ceka dhe Dhimitër Anagnosti, përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit që ishte krijuar ato ditë nga Besnik Mustafaj, Kujtim Çashku dhe disa intelektualë të tjerë. Një vendim tjetër, që ishte marrë jo pa debate, ishte ai për të mos sulmuar me emër Ramiz Alinë. Shkaku ishte dyfishtë: në një anë, popullariteti që gëzonte Ramiz Alia në atë periudhë si protagonist i ndryshimeve pa dhunë; në anën tjetër, gradimi i moderuar i luftës politike nga ana e Partisë Demokratike. Vendi po ziente. Vuajtjet e varfërisë, padurimi dhe keqkuptimet për demokracinë, plagët e vjetra të mizorive dhe shtypjes komuniste që po hapeshin gjithandej me thirrje të egra që të rrëqethnin mishtë – të gjitha këto jepnin në pleksjen e tyre imazhin e një vlimi vullkanik, që kishte më shumë nevojë për kontroll se për nxitje. Nuk do ta harroj atë që pashë, dëgjova dhe ndjeva në një miting në Bajzë të Kastratit, vetëm pak ditë pas themelimit të PD-së në Tiranë. Shkuam atje me Berishën, Azem Hajdarin dhe disa nismëtarë të degës së PD-së në Shkodër. Fusha e futbollit ku do të zhvillohej mitingu ishte plot me njerëz, burra dhe gra që prisnin brenda një qetësie vibruese dhe enigmatike. Në një tribunë të improvizuar u ngjit një mesoburrë i gjatë dhe i hequr. Ishte Dodë Kaçaj, një mësues gjuhe që shkruante poezi. Disa sekonda u mor pa kuptuar me pëllëmbët e duarve të tij sikur kishte stigmata, pastaj i lëshoi krahët në punën e tyre, si një gjë të tepërt dhe drejtoi trupin. Mes heshtjes përthithëse dhe xixëlluese të turmës ai filloi të shqiptonte një nga një me zë të lartë, si në apel, emrat e rreth pesëmbëdhjetë a njëzet malësorëve, vrarë si kryengritës antikomunistë në vitet 1945-1946. E ndjeva se po mblidhej një mallëngjim i rrallë në fushë, një shkrepje a plasje shpirti që nuk e përcaktoja dot. Ata emra të largët, që ishin përmendur vetëm si armiq në tribunat e regjimit, që i ishin hedhur si pre e fundit harresës që rrafshon dhe zhduk çdo gjë, po ktheheshin me thirrjen e Dodë Kaçajt si atëherë kur ishin vrarë, të rinj, të përgjakur, të pavajtuar e të pakënduar, si të kishin qenë strehuar në cipën e heshtjes dhe pritjes klandestine dyzetepesëvjeçare të vendlindjes së tyre, të prindërve, vëllezëve, motrave, kushërinjve, të afërmve, bashkëfshatarëve të tyre. Një çast Doda ndaloi se përmenduri emra. U mbush me frymë, u prish në fytyrë përpara se të nxirrte nga goja fjalët që kishte ndërmend dhe briti sa mundi: “Ku i kanë varret? Ku i kanë lapidarët?”. Britma e tij pluskoi disa çaste mbi një si valëzim të turmës, sikur i thërriste “dil jashtë” një gjëmimi që po u shpërthente atyre njerëzve nga sytë, nga flokët, nga gjymtyrët, nga poret e fytyrave. Zanoret e para tingëlluan si çakërritje, pastaj kërcitën disa pushkë në fushë dhe unë pata përshtypjen se kryengritja e Malësisë së Madhe u ngrit nga vendi dhe mori rrugën drejt Shkodrës, me të vrarë e të gjallë bashkë, për të vijuar aty ku ishte ndalur dyzet e pesë vjet më parë. I tillë ishte konteksti i vendimit për të mos e përmendur fare Ramiz Alinë në mitingun e legalizimit të PD-së, as për mirë, as për keq, pasi Eduard Selami kishte refuzuar sugjerimin për të thënë një fjalë të mirë për të, vendim i shumëpërfolur më vonë kur do të shpërthente në forumet e PD-së beteja qesharake se kush kishte qenë më antikomunist se tjetri. Në atë kohë, siç do të thoshte disidenti i madh polak për Poloninë e tij, ne “nuk kemi qenë fanatikë të një antikomunizmi shpellar. Te komunizmi shihnim një dukuri historike, kurse te komunistët, njerëz që mund të transformoheshin në demokratë. Ne mendonim për lirinë, jo për hakmarrjen. Mendonim për liri dhe tolerancë, dhe jo për zëvendësimin e ortodoksisë komuniste me një ortodoksi tjetër”.
    Dy-tri orë para se të fillonte mitingu i legalizimit të PD-së në Qytetin Studenti, kalova nga shtëpia e Berishës, një apartament modest në lagjen “Brakë” të Tiranës. Salloni i vogël apo dhoma e ndenjes, siç quhej në atë kohë, shkëlqente nga rregulli dhe pastërtia, binin në sy pikturat e varura në mure, ku unë njoha nga stili flu disa peizazhe të piktorit tropojan Avni Hoxha. Studioja ku punonte më la përshtypjen e një garsoniereje që lëngonte nga ngushtësia dhe rrëmuja. Aty në studio më dha për të lexuar fjalimin që do të mbante atë pasdite në Qytetin Studenti. E kishte shkruar bukur, qartë, me frymëzimin dhe patosin që kërkonte momenti historik. E dinte ai, e dija dhe unë se ai fjalim, kryesori që do të mbahej atë ditë, ishte një lloj uverture e së ardhmes se re ku po futej historia e vendit. Së folurës politike të Berishës i shkonte përdorimi i gjuhës poetike. Në fjalimin e tij ai kishte ditur ta përdorte me masë këtë gjuhë, pa dalë nga shtrati i politikës. Kishte identifikuar “demonin e hakmarrjes dhe urrejtjes”, si rrezikun më të madh për demokracinë e brishtë shqiptare. U stepa kur e lexova këtë fjali, u mbusha me shpresë. Respekti që kisha për atë njeri mori papritur një ngjyrim edhe më të fortë. Me një lider që po i shpallte luftë hakmarrjes dhe urrejtjes, antivlerave që kishin prishur racën tonë, Shqipërinë e prisnin ditë të bardha. I dhashë edhe unë t’i hidhte një sy fjalimit tim për lirinë e shprehjes dhe shtypit. E mbajti letrën e bardhë para syve, filloi të lexonte duke lëvizur nga pak buzët, sikur po lexonte me zë të brendshëm dhe duke miratuar me tundje të kokës.
    Prej aty u nisëm drejt Qytetit Studenti bashkë me disa studentë që po prisnin jashtë. Tirana atje ishte mbledhur e vazhdonte të mblidhej… Gjithçka pastaj vijoi si një festë me fjalimet që u mbajtën sipas radhës, mes thirrjeve dhe ovacioneve që nuk ishin dëgjuar ndonjëherë në tokën e Shqipërisë. Me një të folur prej pastori Berisha lajmëroi pranverën e demokracisë. Pashko lajmëroi epokën e re të lirive ekonomike. Zëri dhe fjalët e tyre kishin diçka apostolike, që duheshin besuar, edhe kur nuk kuptoheshin mirë. Azem Hajdari, Arben Imami, Eduard Selami u shkëmbyen njëri pas tjetrit para mikrofonit, duke thënë secili të vetën në atë nisje të re të historisë. Unë fola për lirinë e shprehjes dhe shtypit. “Prej sot, askujt nuk mund t’i shqiptohet asnjë lloj dënimi për fjalën e lirë”! E kisha vënë si refren shprehjen “prej sot, askujt” në një enumeracion shpalljesh e pohimesh të kësaj natyre. S’mund ta imagjinoja atë pasdite, se pas tre vjetësh, regjimi i njeriut që mbante me gëzim ritmin e shpalljeve të mia “prej sot, askujt”, “prej sot, askujt”, do të shkelte mbi këto shpallje…

    Panorama
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 08-12-2014 më 12:02

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Preç Zogaj rrëfen për historinë e Lëvizjes së Dhjetorit 1991-1992

    Preç Zogaj boton librin publicistik “Fillimet”, nga UET PRESS

    “E vërteta për atentatin ndaj Berishës në ‘90”

    “Studentit Ndue Lugja i ra shorti ose e zgjodhi vetë të qëndronte si mburojë njerëzore para Berishës”

    Votimi i fshehtë për kreun e PD në shkurt 1991, Meksi i merr partinë Hajdarit

    Shkarkimi i Azemit, Meksi kryetar i PD në pak minuta

    Zhgënjimi i Hajdarit: Kjo s’është PD që krijuam me studentët


    “Ka një tension që vjen duke u rritur në Komisionin Nismëtar. Disa prej anëtarëve e kanë me Azemin, me gjestet dhe deklaratat e tij ekstravagante. Në shenjën e pakënaqësisë ndaj Azemit dhe me mëtimin për të rivendosur një marrëdhënie të re me publikun, këta anëtarë kishin diskutuar e pjekur me njëri-tjetrin mendimin për të zgjedhur me votim të fshehtë një kryetar të ri të Komisionit. Arben Demeti dhe gruaja e vetme në Komision, zonja Merita Zaloshnja, dolën të parët hapur: ‘Kryetari i partisë duhet të legjitimohet urgjentisht me votë, përndryshe partia rrezikon shumë’. I prekur në damarin e krenarisë, Azem Hajdari u hodhi dorashkën: ‘Votohem kur të doni dhe me kë të doni’…” Ky është një fragment i shkëputur nga libri më i ri, “Fillimi”, me autor Preç Zogajn, botim i UET PRESS. Libri është i zhanrit të esesë politike, përmban 13 kapituj, ku peripecitë e themelimit të Partisë Demokratike vijnë ashtu siç e paralajmëron edhe titulli: Nga fillimi. Një përshkrim i arrirë në detaje, që duket se do të mbetet në histori si për nga pesha e dëshmisë nga ana e shkrimtarit protagonist në ngjarjet e atyre viteve, ashtu edhe për nga vlerat e rralla artistike se si është kompozuar vepra. Në fakt, nga rendi kronologjik, ky libër duhej të ishte i pari për Preç Zogajn, që nisi të lëvronte esenë politike në vitin 1996 dhe tashmë ka disa botime të këtij zhanri. Por e rëndësishme është që erdhi… dhe erdhi si një libër që duhet lexuar patjetër.

    PJESË NGA LIBRI “FILLIMI”, I PREÇ ZOGAJT
    ZËRA PËR ATENTAT NDAJ SALI BERISHËS


    Emri:  liderat_e_dhjetorit_91.jpg

Shikime: 2547

Madhësia:  27.1 KB
    (Në rreth) Preç Zogaj në një nga tubimet e Partisë Demokratike, pas themelimit të saj

    Por befasia e madhe e atij mitingu madhështor ishte rezervuar në pjesën e dytë të tij. Dikush, që nuk u mor vesh kurrë kush qe, solli lajmin se në turmë kishte hyrë një burrë që donte të vriste Sali Berishën. Lajmi përshkoi si një ftomë e menjëhershme gjithë tribunën, përfytyrimi i plumbave që nuk ishin shtënë kur i kishim pritur pushtoi brutalisht mendjen time. Dhe një shkrepje e rrufeshme ironie në mendimin tjetër, që për dyzet vjet me radhë, askush, me sa dija, nuk kishte guxuar të futej brenda turmës për ta shkrepur mbi Enver Hoxhën dhe ja, në daljen e parë publike të drejtuesve të partisë së re, dikush po guxonte ta bënte këtë me kryesorin e tyre. Azem Hajdari, unë dhe disa nga studentët e tribunës shkëmbyem shpejt në të nxehtë mendimet që kishim për vlerësimin e situatës. Kishte një ide për ta larguar Berishën nga tribuna – ai e kishte mbajtur fjalën e tij, mungesa e tij nuk do të binte dhe aq në sy, duke qenë se folësit alternoheshin vazhdimisht në rreshtin e parë. Si të papërvojë që ishim, ndoshta nuk e kuptonim se në rrethanat e krijuara tribuna ishte një mbrojtje më e mirë sesa veçimi i të shënjestruarit në ndonjë dhomë konvikti a tjetërkund. Atëherë u morëm vesh që Berisha të zhvendosej më në thellësi të tribunës. Tre-katër studentë shtatlartë u bënë gardh para tij. Studentit nga Mirdita, Ndue Lugja, i ra shorti ose e zgjodhi vetë të qëndronte si mburojë njerëzore para Berishës. Ktheva kokën dhe e pashë Lugjen dy-tri herë me bisht të syrit. Kishte ngrirë si gur, nuk i lëvizte asnjë muskul, dukej i pashpueshëm në pozën që kishte marrë. Minutat e mbetura të mitingut nuk kishin të sosur. Shikonim me sytë katër përpara, majtas, djathtas, afër, larg… Turma e stërmadhe para nesh vazhdonte të valëvitej në festën e çlirimit dhe shpresës, ajo kishte bërë kapërcimin e madh në kufirin midis topitjes robëruese dhe zgjimit të ri. Asgjë, asnjë forcë nuk mund ta kthente më atë turmë në të djeshmen e braktisur. Atentatori, edhe pse ngjallte frikë si emër, ngjante një gjë e vogël, e papërfillshme në mes të asaj dallge njerëzore gjigante që s’pushonte së brohorituri për Shqipërinë e re, për partinë e re dhe për drejtuesit e saj. I vogël zvarritet si gjarpër, diku mes këmbëve të njerëzve, në mëtimin për t’iu afruar tribunës sonë dhe për të marrë shenjë… E mendoja kështu, në mënyrë figurative, që ishte mënyra ime e animimit të lajmeve për t’i bërë më lëndore, më të besueshme. Por për shkak të madhësisë dhe haresë së turmës nuk arrija të besoja njëqind për qind në ekzistencën e tij, atje tutje. Dhe duke shëtitur vështrimin sa në drejtim të turmës, sa në drejtim të Ndue Lugjës, nuk u rezistoja dot përsiatjeve që kërkonin t’i jepnin formë një mendimi, sipas të cilit magma apo vegimi i atentatorit në turmën e stërmadhe kishte dështuar e do të dështonte një mijë herë në tentativën për të qëlluar Sali Berishën, por e kishte ndihmuar ndërkaq për t’u bërë, më saktë për t’u afirmuar si numri një i Komisionit Nismëtar. Ja, ata studentët që kishin bërë Lëvizjen e Dhjetorit ishin rreshtuar tani për ta mbrojtur me jetën e tyre, duke rikrijuar sa çel e mbyll sytë me atë gjest hierarkinë e re, ku ata, prej çiltërsisë dhe zemërbardhësisë, kishin zgjedhur të ishin truproja. Edhe unë do ta bëja, në kuptimin që nuk do të lejoja me sa kisha mundësi që Sali Berishës t’i prekej një fije floku. Por unë isha tjetër, isha miku i tij, njohës dhe pranues i cilësive të tij prej lideri. Hija e atentatorit e kishte ndryshuar krejt vendosjen e njerëzve në tribunë. Pse nuk e kapte policia që na kishte sjellë lajmin? Pse? Pse? Mendimet kundërthënëse më kishin tendosur si tel. Studentët e shndërruar në truproja ishin tendosur e zverdhur gjithashtu. Folësve të mbetur iu kërkua me mirësjellje të flisnin sa më shkurt. Besnik Mustafaj doli dhe njoftoi krijimin nga një grup intelektualësh të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Njoftimi tij u prit me entuziazëm. Mbrojtja e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut kishte qenë një mollë e ndaluar për shqiptarët. Mitingu u mbyll me një krisëm xhamash, që sigurisht nuk u dëgjua në zallamahinë e festës. Azem Hajdari urdhëroi të thyheshin xhamat e vetratës së mensës prapa kurrizit tonë, me qëllim që Berisha dhe engjëjt e tij mbrojtës të futeshin menjëherë në një godinë të mbrojtur, derisa turma të shpërndahej. Një pjesë e anëtarëve të Komisionit Nismëtar shkuam pas atyre që kaluan të parët, përmes vetratës së thyer. U mblodhën të gjithë rreth Berishës. Në fytyrat e secilit vibronte pyetja “ç’po ndodh?”. Berisha dukej i menduar dhe i qetë. Figura e tij imponuese sikur po rritej më shumë me ato shenjat e pacilësueshme të njeriut të përndjekur nga një përbetim armiqësor. Nuk tha ndonjë gjë të veçantë si ishte puna. Qëndruam një copë herë të mbërthyer në kundërthëniet e atij paralajmërimi fantazmë. Kur pamë se pjesëmarrësit në miting ishin shpërndarë dhe në rrugët e Qytetit Studenti ishte rikthyer qarkullimi i zakonshëm i një mbrëmjeje dimri, dolëm siç ishim nga dera e përparme e godinës dhe u nisëm drejt Tiranës. Rruga ishte e gjatë, unë kisha kohë tani të merresha me enigmën e atentatit të paralajmëruar. Që kishim krijuar e po krijonim armiq politikë, kjo pritej e dihej. Që Berisha kishte tërhequr e do të tërhiqte mbi vete një dozë më të fortë urrejtjeje dhe armiqësie se të tjerët, edhe kjo pritej posaqë po dilte në pah si numri një i PD-së. Që Partia e Punës mund të përdorte fanatikë kokëkrisur apo edhe të shtyrë, që gjoja motivoheshin kundër nesh për arsyet e tyre personale, edhe kjo duhej pritur. Enigma ishte pse nuk e kishin neutralizuar e ndaluar menjëherë atentatorin ata të policisë, meqenëse normalisht duhej ta dinin kush ishte dhe ku ndodhej, sa kohë që e kishin dhënë ata të parët lajmin? Apo na kishin çuar fjalë që ne të merrnim masat tona, ndërsa ata, nga ana e tyre, na kishin marrë në mbrojtje nga larg për të mos rënë në sy të publikut? “Më shumë se blof është një intrigë”, më tha atë mbrëmje Azem Hajdari. Ai më shpjegoi turbull se nga të dhënat që kishte bëhej fjalë për një ish-pacient të Berishës mjek, pak i metë nga trutë, që me demek ishte revoltuar kur kishte parë Berishën në krye të mitingjeve dhe kishte mejtuar të merrte hak për një inat a padrejtësi të mbartur. Intrigën me “pacientin e përdorur” ma konfirmoi edhe Berisha të nesërmen. Po pa dhënë hollësi. Tani po. Atentatori po tretej si vegim dhe po bëhej njeri i gjallë, i vërtetë. Për mua që vija dorën në zjarr për ndershmërinë e Berishës ishte e qartë se segmente të caktuara brenda kupolës së Partisë se Punës dhe Sigurimit të Shtetit kishin dashur të shfrytëzonin ndonjë keqkuptim apo hatërmbetje të ish-pacientit për të dëmtuar reputacionin e opozitarit më të spikatur. Ky nuk i bëri jehonë kësaj hamendjeje. Madje e rrëzoi me indiferencën e tij. Disa anëtarë të Komisionit Nismëtar, dyshues se mos ishte fjala për një inskenim politik të qëllimshëm, kërkuan dy-tri herë të mësonin më shumë për këtë rast. Por askush nuk foli më. Berisha dëshironte ta konsideronte të mbyllur atë histori, prej së cilës kishte përfituar falas edhe më shumë lartësi, se sa kishte në Komisionin Nismëtar të Partisë Demokratike. Praktikisht filloi të shihej si numri një edhe prej atyre që e kishin konsideruar të barabartë me të tjerët.


    SHKARKIMI I AZEMIT, ZGJEDHJA PËR PAK MINUTA E MEKSIT KRYETAR PARTIE

    Gazeta më merrte kohë më shumë se sa kisha menduar, duke më larguar paksa nga zhvillimet e tjera brenda përbrenda partisë. E ndieja, megjithatë, se po konturoheshin fraksionet e para, po zienin ethet e rivaliteteve për lidershipin, po merrnin jetë intrigat e para. Me përjashtim të Azemit, studentët e tjerë anëtarë të Komisionit vinin rrallë e më rrallë në mbledhje. Edhe kur vinin nuk e gjenin veten, dukeshin mish i huaj në atë bord nismëtarësh, nuk ishin dakord me maturinë plot kalkulime, kërkonin që partia të kishte vazhdimisht iniciativën politike. Intelektualët në Komision besonin se partia e kishte iniciativën, por studentët kishin alergji të bënin jetë partie dhe nuk duronin disiplinën! Shinasi Rama dhe Blendi Gonxhe ishin ndër studentët e parë që e lanë Partinë Demokratike. U kthyen për të riorganizuar Lëvizjen e tyre studentore të fillimit, ku do të përgatisnin goditjen e madhe kundër figurës së Enver Hoxhës. Nga shtatë studentë që kishte Komisioni Nismëtar i 13 dhjetorit 1990, në Komitetin Drejtues që u zgjodh dy muaj më vonë do të mbeteshin vetëm dy: Azem Hajdari dhe Tefalin Malshyti. Në fund të muajit mars do të largohej edhe Tefalini. Por jemi ende në shkurt të vitit 1991. Studentët e kanë akoma një këmbë brenda e tjetrën jashtë PD-së, kurse Berisha nuk është ende kryetar i Partisë. Ka një tension që vjen duke u rritur në Komisionin Nismëtar. Disa prej anëtarëve e kanë me Azemin, me gjestet dhe deklaratat e tij ekstravagante. Në shenjën e pakënaqësisë ndaj Azemit dhe me mëtimin për të rivendosur një marrëdhënie të re me publikun, këta anëtarë kishin diskutuar e pjekur me njëri-tjetrin mendimin për të zgjedhur me votim të fshehtë një kryetar të ri të Komisionit. Arben Demeti dhe gruaja e vetme në Komision, zonja Merita Zaloshnja, dolën të parët hapur: “Kryetari i partisë duhet të legjitimohet urgjentisht me votë, përndryshe partia rrezikon shumë”. I prekur në damarin e krenarisë, Azem Hajdari u hodhi dorashkën: “Votohem kur të doni dhe me kë të doni”. Ngjarjet precipituan falë një sherri që shpërtheu në Komision pasditen e datës 10 shkurt, në lidhje me përbërjen e një delegacioni që do të shkonte në një takim me Ramiz Alinë. Kontestatorët e Azemit e kundërshtuan me forcë përfshirjen e tij në delegacion, duke më propozuar e zgjedhur mua në vend të tij. Në fillim nuk i dhashë rëndësi. Por kur e pa se nuk po kundërshtoja, Berisha më tha mënjanë: “Mospërfshirja e kryetarit të partisë në këtë delegacion do të thotë se e kemi shkarkuar”. Kishte të drejtë. Nuk u mendova dy herë për t’u tërhequr, duke i lënë të zhgënjyer kontestatorët e Hajdarit. Emocionet, qofshin edhe të bazuara, nuk mund ta cenonin në atë shkallë solidaritetin tone, sa të shkarkonim de fakto drejtuesin e Lëvizjes, kryetarin formal të partisë, të cilin e kisha mik dhe e pranoja si një kryetar kalimtar me veset e tij të lartësisë së virtyteve, me defektet e tij të lartësisë së meritave. E doja dhe e çmoja Azemin pikërisht se nuk ishte linear, se jetonte brenda aventurës, dyzimeve dhe një guximi më shumë të verbër se të matur. Pa të gjitha këto nuk do të kishte qenë e nuk do të ishte Azemi që kishim njohur e do të njihnim. Azem Hajdari ishte lehtësisht i zëvendësueshëm si kryetar partie, madje drejt me e thënë, ai nuk e kishte ushtruar asnjë ditë funksionin e drejtimit të një grupi njerëzish më të mëdhenj se ai në moshë, të cilët nuk i shihte as si rivalë, as si vartës, as si rrezik. Azemi konkurronte, sipas meje, në sfera të tjera, për sfida të tjera më popullore, më të epërme, që nuk kishin lidhje me jetën e partisë në atë kuptimin që kishte ngulitur doktrina puniste e partisë mbi të gjitha. Në këto sfera ma merr mendja se e kishte vetëdijen e të qenit unik, i pazëvendësueshëm. Me mëtimin se kupa ishte mbushur e nuk mbante më kontestatorët e tij kërkuan me forcë, do thosha në një formë ultimative, po atë pasdite, votimin e kryetarit të partisë. Caktuan edhe datën: të nesërmen paradite. Kush ishte për një kryetar të votuar, le të vinte të hidhte votën. Kush ishte për xhungël e rrumpallë, le të vazhdonte rrugën e tij! Të nesërmen, më 11 shkurt, Komisioni u mblodh në selinë e vogël të partisë. Azemi dhe Imami rrinin në një kafe aty afër. Nuk donin të vinin. Dikur erdhën. Azemi kishte një pamje të vrarë. Mundohej të qeshte dhe ndoshta i vinte përnjimend për të qeshur: fati po e përballte me një shaka që ishte e huaj për natyrën e tij prej tribuni. E qeshura i dilte sterile dhe sikur e tjetërsonte. Kontestatorët e tij ishin të qetë, madje paksa të ndrojtur. Nuk kuptohej fare se kishin konceptuar një akt nga ato që ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve. Ishin marrë vesh si do të procedonin, e kishin ndarë mendjen t’i shkonin në fund asaj që kishin në mendje. Me gojën e Merita Zaloshnjës rikapituluan qëndrimin e tyre, duke theksuar se partia nuk mund të vazhdonte asnjë ditë më tej me kryetar të pavotuar. Ne të grupit tjetër dëgjonim në heshtje mendjetretur. Nuk ishte kurrkush kundër zgjedhjeve në parim, e dinim të gjithë se me krijimin e degëve në rrethe po shkonim drejt forumeve të votuara, se të gjithë do të kalonim në kudhrën e votimit të fshehtë. Pse duhej të nguteshim për kryetarin? Çfarë tagri kishim ne të votonim një kryetar, kur vetë ishim të pavotuar? Nga grupi përballë u përgjigjën se kishim tagrin e nismëtarëve, të themeluesve, të njëjtin që kishim pasur kur kishin zgjedhur Azemin kryetar. E kotë t’u kërkoje të përmbaheshin, të prisnin edhe ca kohë. Në vështrimin e tyre kishin ndodhur gjëra të patolerueshme për atë që populli na dinte. “Populli ka varur shpresa të mëdha te ky komision, populli na njeh për heronj, kurse kryetari ynë…”. “Nëse populli na njeh për heronj, na njeh para së gjithash për shkak të Azemit”, – replika jonë. Donim ta shtynim votimin, me qëllim që të fitonim kohë e të përgatiteshim dhe “ne”, siç duhej qartë se ishin përgatitur “ata”. Por Azemi, vetë Azemi, i nxehur dhe konfuz si ata luftëtarët që ftohen në arenë me provokime, ngulmoi të votohej. “Ata” propozuan Aleksandër Meksin si kandidat për kryetar partie. Kandidati tjetër ishte kryetari në detyrë, Azem Hajdari. U përgatitën pusullat e votimit me emrat e të dyve. Demeti i shpërndau si letra loje për secilin prej anëtarëve të pranishëm. U votua shpejt e shpejt, dikush duke u kthyer me shpinë, dikush duke mbuluar me pëllëmbën e hapur të dorës pusullën e vet. Votat u hodhën në tryezë, u hapën dhe u numëruan në sy të të gjithëve. Meksi fitoi. Atë çast ai ishte kryetari i ri i Partisë Demokratike. I votuar. Unë kisha ngrirë. Në vetminë time, kur kisha hamendësuar se kush mund të ishte kryetari i votuar i Partisë Demokratike, nga “grupi i tyre” kisha menduar Gramoz Pashkon, jo Meksin. Meksi më kishte ngatërruar keq kur e kishin propozuar dhe vazhdonte të më ngatërronte me atë heshtjen e tij timide, sikur nuk besonte as vetë se sapo ishte zgjedhur kryetar i një partie që kishte lindur e vazhdonte të ngrihej në imazhin e një shkëmbi mes tallazeve të periudhës. Po e shikoja me habi, siç nuk e kisha parë ndonjëherë. Më dukej paksa si ëndërr ajo që sapo kishte ndodhur. Vetvetiu mendja ime krijonte një pranëvënie mes urtësisë së Meksit dhe gjëmimit të Shqipërisë përjashta. Përfytyrimi i mëtejshëm sikur binte në masë me kontrastin e krijuar. Ndërkaq, një shpërthim po fryhej mes heshtjes që kishte pllakosur. Azem Hajdari dhe Arben Imami brofën në këmbë njëri pas tjetri, duke deklaruar largimin e tyre nga Partia Demokratike. “Kjo nuk është më Partia Demokratike që krijuam me studentët në Qytetin Studenti”, tha Azemi me një zë të mpakur, që nuk m’u duk si i tij. “Mbajeni”, thirri në të ikur. Nuk më kujtohet a shtoi “nuk do ta gëzoni dot”, por ky paralajmërim-kërcënim po nxirrte flakë në vështrimin e tij prej të vjedhuri. Ikën. Ai dhe Imami. Sali Berisha dhe unë mbetëm minorancë akoma më e vogël në atë dhomë. Nuk mund ta dija ç’kishte menduar dhe ç’humbje kishte njohur Berisha gjatë gjithë atyre minutave. Më ishte dukur si në jerm gjatë gjithë kohës. E shikova me bisht të syrit për të kuptuar nëse kishte ndër mend të thoshte diçka. Ikja e Azemit dhe Arbenit kishte lënë pas një lloj fikjeje apo stakimi të të gjithëve. Meksi me mbështetësit e tij dukeshin të tronditur, e njihnin forcën e dy të ikurve, nuk e kishin pritur me sa duket që ata të reagonin ashtu. Rrinim kokulur e pa fjalë të gjithë, jo sikur sapo kishim zgjidhur për herë të parë me votë të fshehtë kryetarin e partisë – çfarë do të ishte vërtet një ngjarje për t’u festuar – por sikur na ishin vrarë shokët. U ngrita dhe thashë se duhej ta konsideronim të paqenë votimin që kishim bërë. Ne ishim Komision Nismëtar, nuk ishim zgjedhur me votim të fshehtë, e dinim të gjithë si ishim zgjedhur, e dinim të gjithë pse kishim pranuar Azemin kryetar provizor. Ngulmova se nuk kishin tagër të bënim atë që kishim bërë, se nuk do të arrinim asgjë me atë që kishim bërë. Por meqë kishim ardhur në këtë pikë sa të rrezikonim çarjen e Partisë, atëherë le të shkonim drejt zgjedhjes normale të kryetarit në aktivin e partisë që do të mblidhej pas pak ditësh. Berisha mbështeti propozimin tim për t’u votëbesuar të gjithë në aktiv dhe paralajmëroi reagime të publikut nëse nuk kthehej arsyeja, domethënë nëse nuk anulohej votimi. Zot i madh! Do të ngriheshin dy PD kundër njëra-tjetrës. Meksi me shokë nuk e mbrojtën fitoren e tyre. Ndoshta i përfshiu katastrofizmi i përçarjes së partisë edhe ata. Por nuk përjashtohej mundësia të ndiheshin të kënaqur edhe duke e lëshuar për momentin postin e porsafituar të kryetarit. Kishin arritur shumë. E kishin rrëzuar Azemin. Me votë të fshehtë. Votimi mund të anulohej për atë që kishte fituar, por nuk kishte sens të konsiderohej i anuluar për atë që kishte humbur. Na kishin dhënë një mësim edhe ne të tjerëve, Berishës, mua, Imamit. I kishin hapur ndërkaq rrugën zgjedhjes me votë të fshehtë të një kryetari legjitim. Po e ngrinin organizimin dhe funksionimin e partisë në një stad cilësisht të ri, ku drejtuesit e çdo niveli do të zgjidheshin me votë. Meritonin përgëzime. Po ta kishin kalkuluar si lojë atë që kishin bërë meritonin dyfish përgëzime.

    vijon…

    Panorama

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Preç Zogaj rrëfen për historinë e Lëvizjes së Dhjetorit 1991-1992

    Preç Zogaj boton librin publicistik “Fillimet”, nga UET PRESS

    Zogaj: Si e ndali Neritan Ceka gjakderdhjen


    “Ceka ngriti mbi turmë djalin e vogël: Po shkoj unë i pari dhe le të sakrifikohet edhe djali im!”

    Zogaj tregon përshtypjet për Kadarenë: Ai ndihet dhe është mbi liderin


    Takimi në Paris me Kadarenë pas arratisjes
    Kadare: Të vonuarit çfarë s’bëjnë për të fituar kohën e humbur


    “Prova më e afërt po konsumohej tek Ura e Lanës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një turmë e madhe demonstruesish antikomunistë ishte ndaluar në hyrje të urës nga një gardh policësh me skafandra, prapa të cilëve rrinin në gatishmëri tanket dhe trupat e Gardës së Republikës. Një oficer po përpiqej të prapësonte turmën me megafon, përfaqësuesit e PD-së po rrekeshin të bënin të njëjtën gjë me lutjet e tyre, por shtytjet dhe kakofonia e thirrjeve në turmë nuk premtonin tërheqje. Sakaq, nga ana e Unazës mbërriti me makinën e Institutit të Arkeologjisë Neritan Ceka. Me parukën e flokëve të bardhë që stoliste një pamje fisnike, ai ishte prej atyre burrave që nuk harrohen, pasi e ke parë një herë. Mbërritja e tij krijoi për momentin një stepje në turmë”… Ky është një fragment nga 21 shkurti 1991, vetëm një ditë pas rrëzimit të monumentit gjigant të Enver Hoxhës, në sheshin “Skënderbej”. Një ngjarje me përmasa të mëdha historike që e rrëfyer me stilin e Preç Zogajt në librin “Fillimi”, vjen si “déjà vu” edhe për atë që nuk e ka përjetuar. Një botim i ri i Zogajt me 13 kapituj, ku në vend të mbylljes ka një hyrje. Në fakt, për nga rendi kronologjik “Fillimi” duhej të ishte libri i parë i Zogajt në zhanrin e esesë politike që ka nisur ta shkruajë nga viti 1996, por po publikohet i fundit. Librat e Zogajt, ashtu si edhe vepra e tij më e fundit “Fillimi”, janë një kolanë botimesh kohë pas kohe nga “UET-PRESS”.

    PJESË NGA LIBRI “FILLIMI” I PREÇ ZOGAJ
    CEKA NDALON TURMAT TEK URA NË BULEVARD


    Emri:  Neritan-Ceka-djali-shkurt-91.jpg

Shikime: 1384

Madhësia:  17.4 KB
    Neritan Ceka duke mbajtur djalin në krahë, mbi turmën e mbledhur për mitingun e 21 shkurtit 1991

    Blloku, kuartieri ku kishte jetuar e jetonte akoma kupola e regjimit, ishte në top-listën e këtyre simboleve. Mirëpo Blloku, ndryshe nga simbolika prej bronzi e statujës së Enver Hoxhës, ishte një lagje e banuar nga njerëz të gjallë, anëtarë të Byrosë Politike, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të kupolës së regjimit. Në rastin më të mirë këta do t’ia mbathnin, në mos ia kishin mbathur pa zbardhur drita drejt vendstrehimeve të sigurta. Në këto kushte, turmës që do të sulmonte Bllokun, nuk do t’i mbetej gjë tjetër veçse të shfrynte mbi vilat dhe kopshtet, çfarë do të rezultonte në fund të fundit një vandalizëm i padobishëm, madje i dëmshëm, pasi Blloku nuk ishte pronë private e bllokmenëve. Në rastin më të keq, banorët e Bllokut, qoftë ata që kishin kërkuar përdorimin e dhunës qysh në orët e para të protestës studentore, qoftë ata që u kishin hapur rrugë me arsye të shëndoshë ndryshimeve, do të merrnin vendim të mbroheshin sipas ligjit nga Garda dhe repartet speciale të Ushtrisë. Nuk do të fitonin – ata ishin dënuar të humbnin edhe po t’i mbushnin me kufoma pragjet e vilave ku banonin, sepse nuk kishin më kohë në histori, pa llogaritur faktin e përbotshëm se gjakderdhja nuk ka kaluar kurrë si gjakhumbje. Por, pikërisht për këtë arsye nuk ia vlente të jepeshin jetë kundër tyre, nuk ia vlente të mundeshin duke u kaluar të drejtën e vetëmbrojtjes.
    Me këto mendime arrita në PD. Në zyrën e informacioni kishin mbërritur e mbërrinin lajme nga më të çuditshmet, të cilave zoti Nazarko kishte talentin e lindur t’u jepte një lustër sarkazme. Shqipëria e rretheve, ndryshe nga ajo e kryeqytetit, ishte zgjuar në shenjën e zemërimit dhe revanshit të atyre që ishin goditur në shpirt nga rrëzimi i statujave dhe busteve të Enver Hoxhës. Këta po rropateshin të ngrinin në këmbë kundërpërgjigjen e tyre për të vënë në vend kujtimin, nderin dhe lavdinë e “udhëheqësit të pavdekshëm”. Po mobilizoheshin në kazerma, po lëviznin andej-këndej me bustet e vegjël të Enverit në duar, në një lloj procesioni dhe anabasi të përbetimeve pesëdhjetëvjeçare, që s’dinin ku t’i shkarkonin dhe si. Po organizoheshin në Jug me kushtrimin e gjëmës që kishte ndodhur, po trokisnin derë më derë për të ftuar e regjistruar njerëzit në “Bashkimin e Vullnetarëve të Enverit”. Në krye të kësaj lëvizjeje ishte vënë Hysni Milloshi, një oficer nga Mati, që shkruante poezi, që fliste me theksin lab, si shumica e ushtarakëve të kohës. Unë isha çuditur kur kisha dëgjuar ç’po bënte, siç mund të ishte çuditur edhe ai me mua, sepse njiheshim, banonim në një lagje. Nuk ishim miq, kishim diferencë moshe dhe konceptesh për poezinë, por shkonim mirë, ishim si të thuash të lidhur në solidaritetin e të jetuarit thjesht dhe ndershëm. Ndershmëria e tij m’i bënte gjërat lëmsh kur e mendoja në krye të “Vullnetarëve të Enverit”, por sa gjëra ishin lëmsh, sa gjëra ishin në vendin e gabuar pas tërmetit politik që kishte tundur e vazhdonte të tundte shoqërinë shqiptare. Besoja se Hysni Milloshit nuk i bënte zemra të vriste një mizë, pra nuk ishte në thelb enverist. Ishte në keqkuptimin e komunistit idealist dhe ndoshta në sindromën e besnikërisë së ushtarit të thjeshtë, kur tradhtojnë kolonelët. Lajmet e freskëta se enveristët po përgatiteshin gjithandej për marrshim, duke rrahur tokën e gjoksin e duke kënduar këngë si në ritet e dervishëve dhe lajmet e kundërta të vënies në shënjestër të Bllokut nga turmat e mbledhura në sheshin “Skënderbej”, paralajmëronin një javë shumë të vështirë për Shqipërinë. Profetët e luftës civile, ata që kishin klithur kundër pluralizmit “mosni, se do të vritemi vëlla me vëlla” ndoshta po qanin, ose po fërkonin duart.
    Prova më e afërt po konsumohej tek Ura e Lanës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një turmë e madhe e demonstruesish antikomunistë ishte ndaluar në hyrje të urës nga një gardh policësh me skafandra, prapa të cilëve rrinin në gatishmëri tanket dhe trupat e Gardës së Republikës. Një oficer po përpiqej të prapësonte turmën me megafon, përfaqësuesit e PD-së po rrekeshin të bënin të njëjtën gjë me lutjet e tyre, por shtytjet dhe kakofonia e thirrjeve në turmë nuk premtonin tërheqje. Sakaq, nga ana e Unazës mbërriti me makinën e Institutit të Arkeologjisë Neritan Ceka. Me parukën e flokëve të bardhë që stoliste një pamje fisnike, ai ishte prej atyre burrave që nuk harrohen, pasi e ke parë një herë. Mbërritja e tij krijoi për momentin një stepje në turmë.
    -Ç’po ndodh?, – pyeti Ceka njërin prej njerëzve të PD-së, Pëllumb Karametën. Ky e sqaroi se flitej për një grusht shteti, sikur Sulo Gradeci ka vrarë Ramiz Alinë dhe pushtetin e ka marrë Nexhmije Hoxha me grupin e saj. Ishte një thashethem kundërthënës, që kishte vënë në lëvizje lloj-lloj njerëzish dhe ndjesish. Por ishte edhe një alibi e gjetur për të sulmuar Bllokun.
    Neritan Ceka shkoi drejt gardhit të policëve dhe kërkoi të fliste me komandantin e tyre. Oficeri që mbante megafonin në dorë hoqi skafandrën:
    -Më quajnë Sejdo Brahimaj dhe jam shok i Faik Dinos, mikut tënd nga Ballshi, – iu prezantua komandanti, duke shtuar: – Nuk kam garanci tjetër të më besosh, të lutem tërhiqeni popullin, ne jemi të paarmatosur, ndërsa pas nesh është Garda e Republikës. Mund të na vrasin, nëse tërhiqemi dhe do të shtinë mbi popullin. Neritani i kërkoi megafonin që kishte në dorë, u kthye në drejtim turmës, hipi mbi kofkën e një veture të bardhë, që do të shndërrohej sakaq në piedestalin e momentit të parë epik të këtij njeriu, dhe thirri me zë të lartë:
    -Jam Neritan Ceka, anëtar i Komitetit Drejtues të Partisë Demokratike. Duhet të largohemi prej këtu që të mos u japim shkas provokimeve! Ne dje kemi fituar, sepse rrëzuam monumentin e Enver Hoxhës. Tani do të fitojmë kauzën tonë jo me dhunë, por me vota. Le të shkojmë në sheshin “Skënderbej”, aty ku fituam dje!
    Turma, megjithatë, nuk po lëvizte nga vendi, mu sikur busulla e kthyer drejt Bllokut ta kishte mbërthyer në një mision pa kthim. Në minutin delikat të asaj dileme, dikush hodhi një gur në drejtim të policisë me qëllimin e qartë që kjo të provokohej, të kundërpërgjigjej dhe të fillonte përleshja. Disa qytetarë e vunë re atë që kishte hedhur gurin dhe u turrën ta kapnin. Ishte një mesoburrë me pardesy gri, që e paditi veten e tij si provokator, teksa nxitoi me vrap të gjente strehë në hotel “Dajti”, që njihej nga të gjithë si një rezidencë e Sigurimit të Shtetit. Ky fakt dhe ndërgjegjësimi i menjëhershëm i shumë njerëzve për rebuset e momentit, bënë që turma të fillonte të lëvizte drejt sheshit “Skënderbej”, duke hedhur parulla e duke kënduar këngë. Vazhduan kështu deri sa mbërritën aty, ku një ditë më parë ishte regjistruar ngjarja e madhe: rrëzimi i monumentit të Hoxhës. Disa njerëz e ngritën Neritan Cekën në bazamentin bosh të përmendores. U ngjitën edhe të tjerë në krah të tij, që filluam të mbajnë fjalime. Por, intriga dhe keqkuptimet kishin shumë kokë atë ditë. Dikush solli lajmin se pranë Urës së Lanës kishte përsëri grumbullime. Siç do më thoshte më vonë, Neritan Ceka e ndjeu se po luftonte me një kundërshtar të padukshëm që kërkonte t’i çonte njerëzit patjetër drejt tankeve të Gardës. U kthye dhe një herë në bulevard, ku pati ndjesinë sikur turma që sapo kishte udhëhequr drejt sheshit, i kishte rrëshqitur si hije e stërmadhe dhe ishte kthyer sërish aty, ku e kishte marrë.
    -Të sulmojmë! Policia nuk na ndalon dot, do të tërhiqet!, po thoshin disa.
    -Mund të tërhiqet policia, por Garda do të qëllojë. Përse na duhet gjakderdhja!, replikonin disa të tjerë.
    Njerëzit e ndarë në dy grupe po i kryqëzonin arsyet e tyre me zë të lartë, në ritmin e kohës që shtrëngonte. Nuk dihej cili opsion do të fitonte. Neritani dalloi mes grumbullit të njerëzve, aty ku lidhej ura me Unazën e Tiranës, të shoqen, Angjelinën, që mbante në krahë djalin e tyre të vogël Redonin, të cilin sapo e kishte marrë nga çerdhja. Saora i shkoi në mendje një gjë, që do të dukej e kërkuar dhe teatrale duke u treguar një natë dimri pranë zjarrit, por në rrethanën e dhënë ishte epike dhe patetike deri në çmenduri. Mori djalin nga krahët e gruas, e ngriti lart dhe u thirri atyre që po shtyheshin përpara:
    -Shikoni! Ky është djali im. Ju thoni se ata nuk shtijnë, por unë ju them se janë të etur për gjak. Po shkoj unë i pari dhe le të sakrifikohet edhe djali im!
    Për një çast njerëzit ngrinë në vend, pastaj me hapin e parë çmendurak të Cekës në drejtim të Bllokut, shpërthyen si në një urdhër gjëmimtar “te sheshi, te sheshi”, thirrje që do të shndërrohej për shumë vite në një lloj fjalëkalimi për çdo protestë popullore në Shqipëri. U kthyen dhe vazhduan si një procesion drejt sheshit “Skënderbej”, duke kënduar në kor “se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”. Mitingu i dytë, që ngjante të ishte mesha e dytë për popullin e urës, u zhvillua para shkallëve të Muzeut Kombëtar. Folën shumë njerëz, u zbrazën shumë dufe, u çliruan shumë shpirtra. Pati edhe një edicion të tretë të tërheqjes së një grumbullimi të ri pranë urës, por ky qe më i lehtë, sepse njerëzit qenë shumë më pak. Vetëm atëherë, pasi kishte kaluar rreth dy orë duke marrë demonstrues nga bulevardi e duke i çuar në sheshin “Skënderbej”, Neritan Ceka u kthye në PD. E pritën krahëhapur, iu hodhëm në qafë të gjithë. Atë ditë, tek Ura e Lanës ai mori dhe mbajti për disa muaj shenjat e heroit që kishte shmangur një masakër të pasionit.
    Por, merita nuk rrotullohet kurdoherë rreth së vërtetës. Nganjëherë ajo përfundon në orbitën e koniunkturës politike, ku sipas rastit, fryhet më shumë sesa është, ose, në të kundërtën, trajtohet si lapërdhi dhe tradhti. Pas largimit të Cekës nga Partia Demokratike në dhjetor të atij viti, skribët e rinj të kësaj partie do të fillonin ta akuzonin sikur me aktin e tij të 21 shkurtit kishte shpëtuar bllokmenët nga urrejtja e ligjshme e popullit! Kështu poshtërsia, që as zbret as ngjitet ndonjëherë në arenën e ngjarjeve heroike, u pa të shfaqet nga skutat si një hardhucë dhe të tregonte njërën prej fytyrave të saj, atë të ligësisë.

    TAKIM ME ISMAIL KADARENË PAS ARRATISJES

    Emri:  Kadare_Paris_1991.jpg

Shikime: 1360

Madhësia:  15.0 KB
    Shkrimtari Ismail Kadere

    Në Paris unë do të shkëputesha dy pasdite nga pjesa tjetër e grupit dhe do të takoja shkrimtarin Ismail Kadare. Qeshë lidhur me Kadarenë nga shtëpia e Dalip Zyberajt, në numrin që më kishte dhënë Shahini. Kishte rënë një heshtje e plotë në shtëpinë e emigrantit plak kur unë kisha folur me Helenën, bashkëshorten e shkrimtarit.
    “Mirë përpara arratisjes nuk na takonte dot se i bënin gjëmën në Tiranë, po as tani që është bërë si ne”?, e theu heshtjen Nushi.
    Të gjithë e pranonin se Kadare ishte më i shquari i ekzilantëve politikë shqiptarë, e njihnin si mbretin e tyre, gjenin në arratisjen e tij të vonë provën e re të drejtësisë për aktin që kishin përmbushur ata vetë apo prindërit e tyre njëherë e një kohë – nuk jetohej si njeri i zotit në komunizëm. Por nuk kuptonin e nuk justifikonin mungesën nga ana e tij të disa gjesteve që afronin të mëdhenjtë me të vegjlit, të jashtëzakonshmit me të zakonshmit, gjeste të cilat janë të natyrshme dhe të domosdoshme për një njeri që shfaqet dhe flet si udhëheqës shpirtëror i popullit të tij dhe, më tej, janë në kodin e tërë të diturve, të urtëve, të fuqishmëve gjithashtu. Ata e shikonin dhe do të vazhdonin ta shikonin Kadarenë si politikan, në mos si një politikan karriere, si një burrë shteti pa poste reale, që ishte arratisur jo për të shpëtuar kokën se nuk kishte qenë në rrezik koka e tij në tramontin e regjimit të Alisë, por për të dhënë një kushtrim, për të tronditur statusquonë dhe balancat, për të përshpejtuar kohën e ndryshimeve. Ata kishin pretenduar e pretendonin prej tij gjestet që bënin në Francë, Belgjikë dhe kudo në Perëndim figura të staturës së tij.
    Oh, edhe emigrantët e vjetër, sikurse shumica e bashkatdhetarëve të tyre në Shqipëri, ishin në keqkuptim me Kadarenë. Ai kishte qenë dhe ishte një shkrimtar dhe intelektual apopullor, në kuptimin vulgar që kishte marrë fjala popullor në Shqipëri. Kadaresë i pëlqen të ndikojë, të orientojë mendësi kolektive në një drejtim të caktuar, por nuk dëshiron të jetë politikan, as lider popullor i asnjë sfere. Ai ndihet dhe është mbi liderin, po të shprehemi kështu. Duke kërkuar strehim politik në Francë, Kadare ishte distancuar nga regjimi komunist i Tiranës, por kjo nuk do të thoshte se ishte afruar apo do të afrohej automatikisht me mërgatën e vjetër antikomuniste. Ai nuk e kishte në natyrën e tij afrimin spontan, afrimin si invers i largimit, afrimin si shprehje e një kredoje politike. Thellë-thellë misioni i jetës së tij kishte qenë dhe mbetej ruajtja e dhuntisë, bartës i së cilës ishte. Të tjerat ishin kompromise, sakrifica apo zgjedhje për të mos munguar në diktimin e engjëllit Gabriel për penën e tij. Kjo i thoshte të gjitha në lidhje me konceptin e tij për përkatësinë publike apo hyjnore të dhuntisë. Duke e lejuar dhe mundësuar dhuntinë të punonte, Kadare ishte në rregull me publikun dhe Zotin.
    Të nesërmen Nushi do të më çonte me makinën e tij në vendtakimin që më kishte lënë Kadare, në hollin e hotelit “Breila”. Isha i emocionuar. Duke qenë Kadare idhulli i padiskutueshëm i brezit tim, Perëndimi dhe Lindja, historia dhe ardhmëria, moderniteti dhe përjetësia, kisha menduar se ishte zhdukur në asgjë kur kishte ikur. Ashtu m’u duk, sikur sapo kishte mbirë nga një botë e pakapshme, e ndërfutur në botën tonë, kur u shfaq në derë i mbështjellë me pardesy dhe përparoi drejt nesh me të ecurën e tij të ngadalshme dhe pak të shtrembër. Dukej i lodhur, zymtësia e tij me blatoi shkreptimën e një mirësjelljeje prekëse, të praruar me falënderime, sikur kisha shkuar ta vizitoja në një ekzil shumë më të rëndë se ai ku ndodhej. Ishte kureshtar të dëgjonte lajme nga Shqipëria, por nuk kishte shumë kohë atë ditë. Një çast më pyeti a mund të takoheshim përsëri të nesërmen. U përgjigja “Po” pa e vrarë mendjen, duke e ditur se do të qëndronim edhe një ditë tjetër në Paris, para se të zhvendoseshim në Bruksel. Kadare caktoi orën dhe vendin, kafenenë “Rotonde” në bulevardin “Montparnas”, ku Nushi do të më çonte sërish të nesërmen pasdite me makinën e tij. Hyra brenda në kafene, zyra vend në një tryezë pranë xhamit dhe ia ngula sytë rrugës. Pas dy-tri minutash ndodhi diçka që sytë e mi dhe mendja ime e përjetuan si një çrregullim, si një kurth tjetër të vendit të panjohur. Ismaili dhe gruaja e tij Helena mbinë në rrezen e shikimit tim, sikur i zbriti dikush me dorë drejt e nga qielli në afërsi të kafenesë. Kur do të ngriheshim pas me shumë se një ore, do ta kuptoja se ishte një stacion metroje aty afër. Ata kishin ardhur dhe do të ktheheshin nga ajo metro…
    Dhe unë shkova t’i përcillja. Po u tregoja në ecje detaje të tjera nga skeçet dhe filipiket e studentëve kundër Enver Hoxhës në grevën e tyre dhjetëditore, po qeshnim me gjithë shpirt, sidomos Elena. Hyra bashkë me ta në gojën e metrosë, zbritem një palë shkallë të nëndheshme, pastaj një palë të tjera që shkonin më thellë akoma në atë lloj abisi që ishte metroja e Parisit. Dikur Kadare më tha të kthehesha. Të kthehesha se ai kishte pak punë…në varreza. Copa fjalish e vegimesh nga prozat e tij vërtiteshin ngadalë dhe pa rregull në kujtesën time. Nuk u ktheva. Qëndrova në këmbë duke i ndjekur me sy, teksa largoheshin nëpër shkallë të tjera – ku shkojnë ata? – derisa nuk i pashë më. Ndeza cigaren. As më zbritej, as më ngjitej. Një shtrëngim i madh po më mblidhej në gjoks. “Nuk është ky që shikoni Parisi”, kishte thënë Ismaili. “Nuk janë këto që shikon parisienët. Parisi i vërtetë është në disa kënde e basifonde që nuk t’i merr mendja. Parisienët e vërtetë bëhen a s’bëhen nja njëzet mijë”, kishte shtuar me atë humorin e tij të pakopjueshëm gri në të zi. Megjithëse kishim biseduar për gjëra që ngjanin edhe të rëndomta – po filani? Po filania? – kishte pasur gjithnjë diçka të pazotërueshme dhe fantazmagorike në atë bashkëbisedim, gjë që patjetër lidhej me faktin se ne ishim takuar për herë të fundit në Shqipërinë tjetër, në atë pesëdhjetëvjeçaren, kurse tani gjithçka ishte ndryshe, përmbysja dhe ndryshimi kishin shkuar shumë më larg sesa pritshmëria jonë dhe e folura jonë dykuptimëshe në muajt e fundit të Shqipërisë së vjetër. Tani mund të flisnim lirisht pa ndjerë megjithatë shijen dhe tërheqjen e bisedave alegorike, mu sikur të ishim zgjedhur për të qenë mjeshtrit dhe dëshmorët e shprehjes shumëkuptimëshe, që paraprin dhe parapërgatit epokën e shprehjes së lirë. Një çast, kur si një kujdestare e shkrimtarit heshtja ishte ndalur mbi tryezë, si për të më lajmëruar mua se koha po mbaronte, Kadare më ishte drejtuar gjithë rezervim për të mos u dukur këshillëdhënës: “Tani ju duhet qetësi dhe urtësi. Në këtë periudhë të vonuarit bëhen shumë të rrezikshëm… Të vonuarit çfarë nuk bëjnë për të fituar kohën e humbur, për t’u dukur demokratë e trima të mëdhenj. Ata s’kanë principe humane”.
    Nuk kisha menduar më parë për të vonuarit. Në parim besoja se njerëzit nuk janë të njëjtë dhe si të tillë as mund të ndërgjegjësohen, as mund të distancohen në të njëjtën ditë, muaj apo vit nga tirania dhe e keqja. Nga kjo pikëpamje të vonuarit ishin në mikpritjen, mirëkuptimin, mirëdashjen dhe, pse jo, në bujarinë e nismëtarëve. Por, si gjithnjë, nuk pata vështirësi t’i fiksoja në mendje si një porosi për Sali Berishën dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Drejtues fjalët e Ismail Kadaresë. Pa më shkuar mendja se profecinë e tij për të vonuarit, demokratë të orës njëzet e pesë, siç do t’i quaja më vonë në një shkrim, do ta provoja disa herë në lëkurë pas ndarjes sime të parë me kryetarin e Partisë Demokratike.

    Panorama
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 08-12-2014 më 13:51

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Preç Zogaj rrëfen për historinë e Lëvizjes së Dhjetorit 1991-1992

    Preç Zogaj: Ju tregoj “Fillimet” e viteve ‘90-’92

    Intervistë me Preç Zogajn, autorin e librit “Fillimet”, që do të botohet së shpejti nga UET- PRESS

    “Fillimet” nis pikërisht me vitin 1990, një vit pas rënies së Murit të Berlinit. Ky libër do të jetë botimi i ardhshëm i UET- PRESS, që mban autorësinë e Preç Zogajt.


    Librat me natyrë eseistike nga zhanri i esesë politike që shkrimtari Preç Zogaj ka nisur të shkruajë që prej vitit 1996, janë përmbledhur në kuadër të kolanës “Scripta Imanent” (E shkuara mbetet), botuar nga UET- PRESS. Në vitin 2009 është botuar libri “Institucionet e Tranzicionit” 1 dhe 2, një përmbledhje e publicistikës së tij politike që nis me “Rënien e zgjedhjeve” e deri tek “Paradhoma e një presidenti”; të gjitha këto janë një fotografim e refleksion i ngjarjeve politike të kohës. Prania e autorit gjatë këtyre ngjarjeve që përshkojnë periudhën e gjatë të tranzicionit në Shqipëri, ka bërë të mundur që përmbledhjet të vijnë me një frymë realiste, duke sjellë bashkë me faktet një pjesë të mirë të përjetuar prej tij.

    Përshtypjet e dikujt, i cili mund të dëshmojë që në gjenezë periudhën e tranzicionit, përbëjnë kështu një dëshmi unike të kësaj periudhe për lexuesin. Në vitin 2012 vjen një tjetër vepër; “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”, pjesë e së njëjtës kolanë. Të dy këta libra tashmë të botuar, rrëfejnë për “Shqipërinë e tranzicionit” dhe atë të pas viteve 2000, ndoshta qëllimisht për t’u mbyllur me atë që duhet të ishte hapja e kësaj historie 24-vjeçare, viti i brishtë 1990. Viti ku filloi gjithçka. Viti ku Shqipërisë nuk i ishin tharë ende mirë “lotët” e vdekjes së diktatorit e ku kryetari i ri Ramiz Alia, një vazhdues besnik i stereotipeve komuniste, ishte gjendur në kohën dhe vendin e gabuar sepse mesa duket, regjimi ishte në grahmat e fundit. Protestat e studentëve të dhjetorit, intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë ishin bërë një zë tashmë i fortë që dashje padashje do të përcaktonin rrjedhën e ngjarjeve në vazhdim…

    Intervistoi: Silvi Bakiri

    Çfarë përfaqëson për ju libri “Fillimet” në raport me librat e tjerë të zhanrit politik?prec zogajNë raport me librat e tjerë që siç e dini, ndjekin rendin kronologjik të ngjarjeve nga një periudhë në tjetrën, “Fillimet” është libri i parë që shkruhet dhe botohet i fundit. Kam nisur të shkruaj ese politike në vitin 1996, duke marrë shtytje nga zgjedhjet politike të atij viti dhe kam vazhduar deri në vitin 2012. Mungonte libri i fillimeve, i ngjarjeve të periudhës 1990-1992, në të cilat, sipas meje, është plazmuar njëzetvjeçari që jetuam më pas. “Fillimet” është ky libër.

    Libri ka trembëdhjetë kapituj, një hyrje dhe një “në vend të mbylljes”. Çfarë është lënda e tij? Janë kujtime, dëshmi, histori, apo refleksione? Çfarë?

    Çdo ngjarje e jetuar, posaqë shkruhet pasi ka ndodhur, qoftë edhe po të ketë ndodhur dje, është kujtim, në fund të fundit. Por as që më ka shkuar në mendje të shkruaj kujtime. Në këtë libër, sikurse në librat e tjerë të së njëjtës kolanë, ka dëshmi, ka episode, ka kronikë, ka histori për aq sa mund të precipitojë histori nga shoshitja në kohë e dëshmive. Ka padyshim refleksione që tentojnë të përtojnë kuptime dhe mendime të caktuara rreth një përvoje të caktuar. Reflektimet janë ato që i “sjellin” në aktualitet ngjarjet e dikurshme.

    A mund të themi se kemi në këtë libër një histori më të sistemuar të ngjarjeve të startit të demokracisë së re shqiptare?

    Ngjarje ka shumë, por nuk pretendoj se janë të gjitha këtu. Nuk më shkon mendja. Nga ana tjetër, dua të nënvizoj se unë nuk jam historian, as i kam vënë vetes për qëllim të ulem e të shkruaj një libër historik. Jam një shkrimtar dhe publicist që ka qëlluar të jetë edhe pjesëmarrës në disa prej ngjarjeve më të rëndësishme politike të viteve nëntëdhjetë dhe më vonë. “Fillimet” është thjesht libri im, nuk është historia e fillimeve. Janë shkruar disa libra për vitet nëntëdhjetë. Sekush ka shkruar librin e tij, por edhe sikur t’i shkrinim në një libër të vetëm gjithë librat e botuar nuk mund të themi se kjo është historia. Deviza e shkrimtarit është e vërteta për ngjarjet që fut në libër, jo tërësia e tyre.

    Cili mendon se është raporti midis ngjarjeve të jetuara dhe ngjarjeve të hulumtuara në librin tuaj?

    Ndoshta pesëdhjetë me pesëdhjetë? Eh, nuk e kam bërë në fakt këtë llogari. Ka ngjarje, episode dhe fakte që i kam marrë nga dëshmitarë dhe autorë të tjerë, nga konsultimi i dokumentacionit të ruajtur në arkiva privatë, partiakë apo të shtetit. Tabloja do të ishte e mangët dhe e varfër nëse do të mbështetej vetëm mbi çfarë kam parë unë.

    Libri nis me ngjarjet e vitit 1990 në Shqipëri, vit ky që kishte pasuar rënien e Murit të Berlinit? Cilat janë momentet kyç që përcaktuan të ardhmen e vendit në atë kohë?

    Në rrafshin ndërkombëtar janë përmbysjet në Europën ish-komuniste. Në planin e brendshëm mendoj se si momente kulmore, flas gjithnjë për vitin 1990, janë tentativa e një grupi shkodranësh për të rrëzuar bustin e Stalinit në lulishten kryesore të qytetit të tyre, protestat dhe demonstratat e qytetarëve të Kavajës, ngjarjet e ambasadave, disa intervista, shkrime dhe qëndrime të reja të intelektualëve dhe krijuesve të avanguardës, ku veçohen për rrezen e re të guximit në kontekstin e kohës dhe për impaktin e madh në publik artikulli i profesor Ylli Popës “Në kërkim të kohës së humbur”, intervistat e Ismail Kadaresë dhe Sali Berishës, dhënë përkatësisht gazetave “Zëri i rinisë” dhe “Drita”; ikja e Kadaresë në muajin tetor, konferenca letrare e Korçës në fillim të muajit nëntor, aktet e rebelimit në Institutin e Lartë të Arteve, për të mbërritur te ngjarja më madhore, Lëvizja studentore e dhjetorit 1990.

    Çfarë nënkuptoni saktësisht kur e quani Shqipërinë e asaj periudhe as Lindje, as Perëndim?

    Deri në vitin 1990 Shqipëria në fakt kishte qenë Lindje, sa i takon sistemit. Komuniste si Rumania, Bullgaria e tjerë. Ashtu edhe ishte mbajtur në këmbë. Në vitin 1990, me rënien e komunizmit në Europë, Shqipëria ishte për herë të parë në historinë e saj realisht as Lindje, as Perëndim. Vetmia e saj kishte dalë e pritej të dilte në pah si asnjëherë tjetër, një vetmi në sytë e mbarë botës, që ka qenë më e rralla e vetmive. Vendi më i mbyllur, më i braktisur dhe më i harruar i Europës, doli papritur në pahun e kohës si guri i fundit i dominosë në lojën e madhe të përmbysjeve demokratike, duke tërhequr mbi vete një vëmendje të panjohur më parë.

    Çfarë i bashkon dhe i ndan më së shumti këta tre emra: Azem Hajdari, Eduard Selami dhe Sali Berisha?

    Po përpiqem të kuptoj cili mund të ishte interesi publik për përgjigjen e kësaj pyetjeje. Të tre, Azemi, Berisha dhe Selami janë personazhe të një protagonizmi që nuk është i njëjtë dhe kanë secili vendin e vet, besoj të merituar, në librin tim. Ata dhe themeluesit e tjerë besoj se i kishte lidhur ëndrra e demokracisë. Azemi ishte një tribun dhe më kujtonte gjithnjë një përcaktim që kam lexuar diku për heroin, që ka diçka irracionale në besimin dhe guximin e tij për të hapur rrugën. Ishte një njeri i pambledhshëm në kornizën e partishmërisë. Ai konkurronte sipas meje në sfera të tjera, për sfida të tjera më popullore, më të epërme, që nuk kishin lidhje me jetën e partisë në atë kuptimin që kishte ngulitur doktrina puniste e partisë mbi të gjitha. Në këto sfera ma merr mendja se e kishte vetëdijen e të qenit unik, i pazëvendësueshëm. Berisha ishte projektimi i liderit politik prej kohës, formimit dhe natyrës së tij. Eduardi ka spikatur me moderacionin dhe finesën. Në libër këto skicime lexuesi i gjen më të zhvilluara.

    Në libër rrëfeni për një takim të Berishës, Hajdarit, Selamit dhe tuajit me Ramiz Alinë një natë përpara demonstratës që çoi në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Një ditë që sot konsiderohet në mënyrë simbolike si “shpartallimi” përfundimtar i imazhit të paprekshëm të diktatorit Hoxha. Çfarë ndikimi pati PD dhe zoti Berisha në gjithë këtë ngjarje?

    Delegacioni i PD-së qe thirrur në takim nga Presidenti i kohës, Alia, për të diskutuar situatën e krijuar në vend nga greva e urisë e studentëve që kërkonin heqjen e emrit të Enber Hoxhës universitetit. PD i mbështeste studentët, por rrëzimi i monumentit dhe heqja e emrit të Enver Hoxhës ka qenë vepër e studentëve grevistë, e sindikatave të pavarura, e qytetarëve të lirë dhe antikomunistë të Tiranës, ku janë shquar si protagonistë grupi i ish të përndjekurve politikë të rrugës së Kavajës dhe disa individë të tjerë që guxuan më shumë se të tjerët. Kjo ngjarje e madhe është trajtuar me hollësi në librin tim, duke e zhvendosur “ fokusin” sa në shesh, sa në Komitetin Qendror.

    Në libër gjithashtu përmendet edhe momenti i ardhjes për herë të parë në Shqipëri i Sekretarit të Shtetit amerikan, Xhejms Bejker. Ju madje e quani këtë çast si shfaqjen më madhështore proamerikane të bërë ndonjëherë. Kur i riktheheni sot: ai çast u glorifikua nga etja e shqiptarëve për liri, apo sepse pati vërtet rëndësi strategjike në fatet e vendit?

    Nga të dyja. Shqiptarët u kthen në aleancën e tyre natyrale gjeostrategjike. Ende e kam parasysh momentin kur në shoqërinë e kryeministrit Ylli Bufi, Xhejms Bejker u ngjit në tribunën e ngritur para monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe prej aty, përballë detit njerëzor që valëzonte deri në thellësi të bulevardit dhe rrugicave, i drejtoi Shqipërisë fjalët e paharrueshme “mirësevjen në familjen e kombeve të lira”. Akoma më rrënqethet mishi kur e kujtoj. Nuk ishim ne që po prisnim Amerikën, ishte Amerika që kishte zbritur në Tiranë dhe po na uronte mirëseardhjen. Nga gjithë një pështjellim pamundësie për të dhënë diçka të denjë në shkëmbim, kisha ngushëllimin e vogël të kisha marrë pjesë në përgatitjen e fjalës që do të mbante në atë miting madhështor kryeministri Ylli Bufi. Kur ishim ulur për të shkruar fjalimin, edhe pse të vetëdijshëm për rëndësinë historike të vizitës së Sekretarit të Shtetit, nuk e kishim imagjinuar dot gjithë atë masë të stërmadhe njerëzish dhe atë shpërthim të jashtëzakonshëm të mikpritjes popullore në sheshin “Skënderbej”. Më pat pushtuar një frikë se mos fjalimi do të stononte me muzikën madhështore të sheshit, por kur dëgjova kryeministrin, kuptova se kishim qenë në një gjatësi vale me bashkatdhetarët tanë dhe kishim kapur nga zyrat tona akordet e ndjeshmërisë popullore..

    Ftohja me z. Berisha është një moment që ka ngjallur gjithnjë shumë debat. I kujt ishte vendimi për t’u shkëputur? A ishte ky vendim i shtrirë në kohë?

    Me Berishën kemi hyrë pothuajse njëkohësisht në Lëvizjen e Dhjetorit. Jemi takuar në një mbledhje shumë të rëndësishme të shtabit studentor me një delegacion të Ramiz Alisë në datën 10 dhjetor në mbrëmje. Mua më kishin ftuar Azem Hajdari dhe Shenasi Rama. Berishën e kishte ftuar Azemi gjithashtu. Në korridorin e godinës ku ishte lënë të zhvillohej mbledhja mbërritëm pothuajse në një kohë. U takuam përzemërsisht, pa habi, si të ishim marrë vesh me kohë për t’u takuar në atë start apo udhëkryq të historisë së re. Njiheshim prej disa vitesh. Unë e kam mbështetur atë për t’u bërë kryetar i PD-së. Momenti i parë i thyerjes erdhi kur ai më kërkoi të shkarkoja F. Çupin pas një interviste që ky i fundit i kishte dhënë një gazetari nga Kosova për gazetën “Koha jonë”. Ka qenë fillimi i muajit gusht 1991, Çupi punonte drejtor i QNK-së, Berisha ishte lënduar jo pa të drejtë, por unë kisha disa arsye etike për të refuzuar kërkesën e tij. Folëm në telefon shumë gjatë dhe si përfundim, më tha ndershmërisht se nuk do të kisha më mbështetjen e tij. Pastaj erdhi Kuvendi i parë i PD-së, ai u ngrit nga llozha dhe erdhi në foltore për të replikuar me mua, e kështu me radhë.

    “Fillimet që jetuam gjatë” shkruani diku. A vazhdojnë akoma fillimet?

    Shqipëria është sot përpara përfytyrimeve që kam patur unë dhe miqtë e mi të ngushtë në dhjetor të vitit 1990 për të ardhmen e saj pas njëzet vjetësh, fjala vjen. Por disa gjëra kanë mbetur siç kanë qenë ose janë përkeqësuar. Manipulimi i zgjedhjeve është akoma problem i madh në tapet, nëna e gjithë të këqijave, që na ka privuar nga shija e të jetuarit në atë që duhet të jetë mrekullia e zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa të cilat nuk ia vlen të jetohet, siç ka thënë Izajak Berlin. Po na shkon jeta pa i jetuar. Tjetër! Është e njëjta gjuhë e ashpër e politikanëve në tribuna dhe ekrane, e njëjta mungesë e lëmimit dhe etikës së përsosur nëpër shekuj që do të lejonte bisedën, e njëjta traditë për t’u ujitur si lule të zeza në saksi të zeza me lajmet e këqija për kundërshtarin politik edhe kur lajmet janë shpifje, e njëjta pamundësi për t’u shprehur me respekt për kundërshtarin, për të kërkuar kompromis në emër të së mirës së përbashkët apo thjesht për të biseduar me të pa bindjen e brendshme se kundërshtari është një mashtrues cinik, e njëjta mungesë totale e përpjekjes për të kuptuar arsyet e tij dhe për të gjetur diçka të pranueshme në to, por vetëm tentativë për ta asgjësuar atë, e njëjta mosmarrëveshje për tema dhe çështje që nuk e përligjin mosmarrëveshjen, i njëjti acar, e njëjta ndërprerje e komunikimit dhe bashkëpunimit, e njëjta tërheqje në llogoret dhe bunkerët e konfliktualitetit dhe luftës së ftohtë, të njëjtat tema në shqyrtim, të njëjtat trajtime, të njëjtat tone, të njëjtat grimasa që gjuha nuk ka fuqi t’i shprehë, të njëjtat fytyra të klonuara të padijes, dinakërisë dhe lëbyrjes, që duket qartë se kanë bërë e po bëjnë lekë me këtë zanat, e njëjta vështirësi për të pranuar ndarjen e pushteteve dhe kufizimin e fushës së veprimit të politikës, e njëjta histori me të shkuarën që nuk mbetet asnjëherë prapa por u del kurdoherë përpara aktorëve politikë të radhës… A nuk është kështu? Kemi bërë zgjedhje të mira në vitin 2013, kemi patur një rotacion normal të pushtetit, por sot, një vit pas ardhjes në pushtet të koalicionit Rama-Meta, shumica dhe opozita janë në krizën më të rëndë të komunikimit dhe bashkëpunimit. Sërish e sërish, siç ka ndodhur gjatë 23 viteve të hapjes dhe siç ka pas ndodhur edhe më parë në komunizëm dhe në parakomunizëm, tradita e klaneve, kioskave dhe bajraqeve politike vazhdon ta mundë përpjekjen për një shoqëri të hapur e të drejtë, politika në plan të parë vazhdon ta mundë lirinë në plan të parë, sundimi i parisë vazhdon ta mundë sundimin e ligjit, sektarja vazhdon ta mundë liberalen, partishmëria vazhdon ta mundë intelektualen…

    A ka zgjidhje, a ka rrugëdalje, sipas jush? Ç’duhet të bëjnë intelektualët?

    Duke referuar një situate të përafërt në Poloninë e tij dhe duke shtruar të njëjtën pyetje, eseisti i madh polak Adam Michnik ka përdorur një përgjigje, që meriton të ripërdoret e “të vidhet”. “Me ç’duket, në situatën e sotme inteligjenca ka tri rrugë për të zgjedhur: bashkëfajësinë, frikën ose sakrificën. Ekziston ndoshta edhe një rrugë e katërt: të mos tradhtohet disiplina shpirtërore individuale në momentet më të vështira dhe nën kurrfarë presioni. A mund ta ndihmojmë njëfarësoj botën? Sikur ta dija se nuk mundemi, do t’i kisha dorëzuar armët dhe do të trishtohesha, por ja që e ndjej se ka ende për të fituar apo humbur”.

    Ka ende për të fituar apo humbur…


    MAPO

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Preç Zogaj rrëfen për historinë e Lëvizjes së Dhjetorit 1991-1992

    Zogaj: Demostrata e 14 janarit 1990 në Shkodër për të rrëzuar bustin e Stalinit

    Pjesë nga libri i ri “Fillimet”

    Sinjalin e parë të kryengritjes shqiptare do ta jepte Shkodra me mëtimin legjendar të disa qytetarëve të saj për të rrëzuar më 14 janar 1990 një bust të Stalinit në lulishten kryesore të qytetit. Rindërtimi më vonë i ngjarjes nëpërmjet dëshmive të protagonistëve dhe procesve gjyqësore kundër tyre do ta vendoste dhe mbante përgjithmonë 14 janarin në kufijtë e të pabesueshmes. Duket si përrallë, sot e sot e kësaj dite, një përrallë e çuditshme me njerëz realë, me data reale, me ndeshje dhe plagë reale. Dedë Kasneci dhe Rin Monajka ishin dy punëtorë mes të tridhjetave e dyzetave që kishin menduar të rrëzonin bustin e diktatorit mustaqelli nga Gjorgjia e largët në qytetin e tyre. E kishin menduar shumë të tjerë para tyre. E veçanta e Dedës dhe Rinit ishte se ata e kishin biseduar me njëri tjetrin si një përbetim këtë gjë dhe kishin konceptuar një rrëzim spektakolar të bustit me pjesmarrjen e një numri të madh njerëzish. Pra kishin konceptuar një demostratë, një shenjë të zgjimit të Shqipërisë dhe bashkimit të saj me vendet që kishin flakur robërinë komuniste. Ideja e demostratës kishte pushtuar mendjet dhe zemrat e tyre, kishte vrarë gjumin e tyre. E dinin çfarë lëvizte dhe ziente prapa qetësisë së jashtme të qytetit. Shumica e shkodranëve nuk e donin rregjimin, të cilin e kishin gërryer dhe vazhdonin ta gërryenin nga brënda me barcaleta. E gjithë kjo kishte shërbyer për t’i dhënë hapësirë përqeshjes si mjet lufte kundër se keqes. Por kur mbetet në vend e nuk gërshetohet me forma të tjera të shprehjes së kundërshtimit, përqeshja merr format e një konformizmi të ri. Kishte ardhur koha që Shkodra të jepte një goditje force. Deda ishte një burrë trim dhe i vendosur, Rini kishte trup atleti dhe mendje intelektuali. Nga babai i tij, Zef Dukagjini-Monajka, bir i një oficeri austriak me një vajzë shqiptare, kishte trashëguar pasionin për gjuhët e huaja dhe leximin. Besohet se ideja e rrëzimit të bustit të Stalinit i feksi në kokë pikërisht këtij djali të dyfishtë të Shqipërisë dhe Austrisë, që lufta e egër e klasave ua kishte privuar si talent të lindur shkencave dhe sportit. Kasneci, Monajka dhe miqtë e tyre të ngushtë, që ishin përfshirë ndërkohë në përbetimin e famshëm, caktuan fillimisht 11 janarin si ditën e rrëzimit të bustit. Në kalendarin e rregjimit 11 janari ishte festa zyrtare republikës, ditë pushimi. Njerëzit e kishin zakon të dilnin në qendër të qytetit për të shtyrë kohën. Ideja ishte që me serhirxhintë e shumtë të bashkoheshin të thirrurit kasten për të bërë sëbashku një mur njerëzor rreth bustit që do të rrëzohej. Por në ditën e Republikës u mblodhën pak njerëz në qendër të qytetit.

    Pikërisht atë ditë bëri një vizitë private në Shkodër ambasadori i Gjermanisë Perëndimore, Verner Daun. Zërat midis legjendës dhe së vërtetës përhapen lajmin se Rin Monajka foli me ambasadorin, ndërsa makina me xhama të ulura e këtij të fundit po rrëshqiste ngadalë në qendër të qytetit. Me gjasë, ambasadori gjerman u tha shkodranëve që po ecnin ngjitur me makinën e tij “ hë, çfarë prisni”. Dukej pak e çuditshme kjo për statusin e një diplomati të huaj në Shqipërinë e bunkerëve, por këto ishin fjalët që u përcolli Rin Monajka shokëve të tij të përbetimit. Ndoshta i kishte përkthyer me korrektësi fjalët e ambasadorit, ndoshta i kishte menduar vetë, por e kishte parë të udhës t’ja atribuonte gjermanit për t’u dhënë zemër bashqytetarëve të tij. Sakaq, qoftë duke i përkthyer, qoftë duke ia atribuar ambasadorit gjerman ato fjalë, Monajka u vesh para të tjerëve me petkun dhe hirin e kasnecit të demostratës.

    Ambasadori i Gjermanisë nuk reklamoi në vitet në vijim ndonjë rol në nxitjen e demostratës së 14 janarit në Shkodër, ndërkohë që do të pohonte publikisht inkurajimin e eksodit të 2 korrikut të po atij viti nga ambasada gjermane në Tiranë. Nuk u vërtetua pra versioni i një kushtrimi gjerman në Shkodër, por fakti ishte se fjalët e ambasadorit, të vërteta apo të rreme, u përhapën me shpejtësi në gjithë qytetin dhe ngritën peshë qindra-mijëra zemra. Bota nuk e kishte harruar Shqipërinë dhe Shkodrën.

    “ Ambasadori e plasi thirrjen e tij. Ej, është Gjermani ajo, të shkul! Po e ka ndarë mendjen Gjermania, ka mbaruar kjo punë. Të ngrihemi! S’kemi ç’të presim më”!

    Të përbetuarit, numri i të cilëve ishte rritur ndërkohë, vendosën datën e re të demostratës për rrëzimin e bustit të Stalinit: 14 janarin. Dedë Kasneci, Rin Monajka, Flamur Elbasani, Gjergj Livadhi, vellëzërit Haxhi, Ndoc Liqejza, Viktor Martini, Nikolin Thana, Gjovalin Pala, Tonin Dema, Nikolin Margjini, Bac Bilali, Ylli Gërshana, Klaudio Daka, Aldo Perizi, vëllezërit Alibali- për të permendur me të njohurit e përbetimit- u shpëndanë lagje me lagje për të takuar, njoftuar, nxitur e ftuar njerëz. Morën kudo përgjigje pozitive, por dështuan të gjenin një intelektual që pranonte të mbante një fjalim para turmës. Një prift trim, dom Simon Jubani, që s’kishte shumë që ishte liruar nga burgimi i gjatë politik, u tha se ishte gati të thoshte një meshë për ta, pa marrë parasysh pasojat por statusi i njeriut të fesë ia ndalonte të merrte pjesë në veprimtari të karakterit politik. Atëherë, ndërsa asnjë prej intelektualëve të njohur nuk po i dilte zot, leximin e fjalimit e mori përsipër një djalë i ri, Kolec Ublina.

    Të përbetuarit s’po ruheshin më si në fillim. Kishin dalë pothuajse hapur. Ndërkohë trupa policie shtesë dhe vetë krerët e Sigurimit të shtetit kishin zbarkuar në Shkodër. Të dyja palët po përgatiteshin për përballjen e paralajmëruar. Të parët duke u bërë thirrje njerëzve të dilnin në demostratë. Të dytët duke vëzhguar lëvizjet e të parëve. Nganjëherë subjekt i thirrjeve për të dalë në demostratë ishin vetë oficerët e panjohur të Sigurimit të ardhur nga Tirana. Në datën 13 janar Gjergj Livadhi me shokun e tij Nikolin Thana u futen në një kafene. Në banak panë një burrë me kasketë që po pinte kafe dhe po dëgjonte i qetë ç’po thuhej. Gjergji iu drejtua edhe atij si gjithë të tjerëve të mos mungonte në demostratë. I panjohuri me kasketë doli pa thënë asnjë fjalë. Disa orë më vonë, kur kishte kaluar mesnata dhe kishte hyrë data 14 janar, forca të shumta policie zbarkuan në shtëpinë e Gjergj Livadhit dhe e arrestuan. Në Degën e Punëve të Brënshme, ku e dërguan me duart në pranga, u përball me burrin me kasketë, të cilit i kishte kërkuar të mos mungonte në demostratë. Aty e mori vesh se ishte vetë zevendëministri i Punëve të Brëndshme, Zylyftar Ramizi.

    “Jemi takuar bashkë sot paradite”? i tha Ramizi me një ton mes pyetjes dhe ironisë. “Diku jemi parë ”, ia ktheu Livadhi. Fati i tij ishte shkruar. Në pranga dhe tortura do të përfundonin të gjithë krerët e përbetimit, që do të arrestoheshin gjatë natës së trëmbëdhjetë janarit, duke u gdhirë katërmbëdhjeta. Të gjithëve do t’u kërkohej të tregonin shërbimin e huaj që qëndronte pas tyre. Partia e Punës dhe Sigurimi shqiptar nuk mund të besonin se një përbetim si ai 14 janarit mund të ishte vepër e një bërthame qytetarësh, malësorësh e punëtorësh të thjeshtë. Të nesermen zbardhi në Shkodër një nga ato ditët më vranësira të pjesshme që duket sikur nuk do të lindin kurrë tamam, ndërsa qielli as mbyllet, as hapet. Rreth tre mijë njerëz dolën nga shtëpitë me njetin për të marrë pjesë në demostratën e parë të jetës së tyre. Ishin marrë vesh pa fjalë se kishte ardhur ora, se duhej të dilnin, se duhej të mblidheshin rrathë-rrathë në heshtje rreth bustit të Stalinit në lulishten kryesore te qytetit, jo për t’i hedhur lule, por për t’ju bërë mburojë disa trimave që ishin përgatitur t’i hidhnin litarin. Ata të pararojës u afruan dhe qëndruan përballë bustit të dikatorit gjeorgjian, të cilin Enver Hoxha, përveçse si ikonë të pushtetit të tij, e kishte përjetësuar në Shkodër edhe si një fyerje për qytetin e vjetër të lulevileve, kopshtijeve, arieve, kambanave dhe çdo gjëjë tjetër që ishte zhdukur apo tjetërsuar në këtë qytet të vjetër me ardhjen në pushtet të komunistëve. Qëndrimi në heshtje i shkodranëve përkarshi bustit të Stalinit ishte pamja më absurde, por edhe kryengritja më origjinale që ajo ditë e 14 janarit shqiptar të vitit 1990 i ofronte botës mbarë.

    Bota nuk ka fat me ngjarjet e papërsëritshme dhe ngjarjet e papërsëritshme nuk kanë fat me botën. Vetmia është zakonisht tagri i tyre. Demostruesit qëndruan gjatë në pritje, në kufi të demostrimit dhe rutinës së zakonshme sikur kishin dalë për të vrarë kohën në qendër të qytetit. Asnjë lëvizje, asgjë. Demostrata merte frymë e shkrehur. Oficerët e sigurimit, të hallakatur nëpër turmë, rrinin në përgjim gjithashtu për të parë nëse do të lëshohej njeri në drejtim të bustit. Ata e dinin se njerëzit kishin dalë për demostratë, pavarësisht se hiqeshin si serhirxhinj. Potencialisht ishin të tërë për t’u arrestuar. Busti i Stalinit në qytetin verior të Shqipërisë së vitit 1990 dukej akoma më absurd dhe jashtë kohës në ethen e policëve dhe oficerëve për ta mbrojtur. Dikur u hap fjala se krerët e demostratës ishin arrestuar në fshehtësi gjatë natës. Atëherë u kuptua pse demostrata nuk ishte ngritur dot në këmbë. Njerëzve nuk kishte patur kush t’u printe, kush t’u fliste. Ata filluan të shpërndaheshin, duke e paditur vetem e tyre si demostrues të hidhëruar, që i kishin dhënë ashtu betejën e parë Stalinit, domethënë rregjimit.

    Atë ditë, të nesermen, të pasnesermen dhe në ditët në vazhdim censura e heshtjes mëtoi të shtypte si një rul i rëndë gjithçka kishte lidhje me 14 janarin e Shkodrës. Por lajmet, edhe pse të ndrojtura e amorfe, e çanë perden e territ.

    “Në Shkodër? Disa njerëz kishin dashur të rrëzonin bustin e Stalinit, por i kishin plasur brenda dhe po u merrnin shpirtin”.

    Netët e Tiranës i veshi papritur një heshtje fajtore. Si në një replikë me bubullimat, presidenti i Republikës dhe Sekretari i Parë I Komitetit Qëndror të Partisë, Ramiz Alia, thirri ato ditë me një zë luftarak: “Taraboshin nuk e tund era”. Një erë ishte ngritur pra në Shkodër. Rregjimi e kishte ngrenë karremin e demostratës, duke treguar natyrën e vet të pandryshuar. Por kishte dhënë edhe një mesazh: ndryshimet në Shqipëri, aq sa do bëheshin, do të bëheshin nga Partia e Punës, me Partinë e Punës. Jo pa të, jo kundër saj!

    Kush ishin ata njerëz në një qytet me emër të madh në histori, por periferik në sistemin e centralizuar komunist të Hoxhës, që planifikuan, organizuan dhe çuan në prag të finalizmit rrëzimin e bustit të Stalinit? Për shumë jave dhe muaj emrat e tyre mbeten të panjohur për publikun e gjerë në vend. Thuhej se ishin njerëz të thjeshtë, por trima, që nuk ishin kujdesur dhe aq për të ruajtur konspiracionin e planit të tyre, se ishin torturuar pa mëshirë, se ishin mbajtur të izoluar si alienë, pa asnjë kontakt me botën dhe as më njerëzit e tyre të afërt. Regjimi kishte bërë çomos t’i bëntë të paqenë si rracë kryengritëse. Kur do të pyetej nga Sali Berisha në takimin me intelektualët në gusht të atij viti, Ramiz Alia do të mohonte se kishte ndodhur ndonjë gjë në Shkodër me 14 janar. Në fakt, ditën kur do të mbahej ai takim organizatorët e demostratës së 14 janarit, Dede Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Ublina, Kolec Daka, Aldo Ferrizi, Flamur Elbasani dhe Nikolin Maligjini kishin hyrë në muajin e tetë të izolimit dhe vuajtjeve. Dënimet e tyre të rënda me burg ishin një njollë turpi për Tiranën që po bënte makiazhin e demokratizimit. Por ishin një brerje ndërgjegjeje me vete për inteligjencën shqiptare që nuk arriti të depërtonte për asnjë çast në dramën e madhe të kryengritësve shkodrane. Me keq nga të gjithë e pati Rin Monajka. Dyshimet se ishte ai koka e grupit u mblodhën e ranë rrufeshëm mbi të me shterrimin e shpresave të Sigurimit për të zbuluar lidhje mes të përbetuarve dhe shërbimeve të huaja. Rini ishte më i lexuari i shokëve, ishte edhe i pashëm, çfarë e shtonte me sa është thënë më vonë urrejtjen e ndaj tij. Xhelatët e tij nuk mund të duronin që një peng në duart e tyre të mbante një dinjitet shpirtëror dhe fizik që vetë ata nuk e kishin. A nuk ishte kjo urrejtja që kishte gjymtuar e trasformuar në një copë mishi pa këmbë e pa duar katër dekada më parë Lazër Shantojën, priftin-poet, një nga burrat me elegantë e të hijshëm të Shqipërisë së kohës, aq sa kur e ëma shkoi për ta vizituar në burg dhe e pa ashtu si një trung të flakur përdhe u llahtaris nga tmerri dhe u kërkoi policëve t’i jepnin pushimin e pasosur djalit të saj me një plumb në ballë.

    Xhelatët e rinj të vitit 1990 i kërkuan shumë gjera Rin Monajkës. Për çdo kërkesë të paplotësuar, më saktë të paplotësueshme, i hapen plagë të ndryshme në trup. Kërkesa e fundit që i bënë ishte të pranonte se 14 janari ishte një organizim vagabondësh dhe pijanecësh të paditur e naivë. Dhe të shtonte se ndihej i penduar.

    -Thuaj “po”! Thuaj “po” të shpëtosh!

    Rini nuk e hapi gojën, nuk e tundi asnjëherë kokën për të formuar shenjën e vogël të pohimit të asaj që oficerët e sigurimit ia kishin servirur si formulë shpëtimi. Atëherë e goditen me mjete të forta, i hapen një frakturë shtatë centimetra në kokë. Në seancat gjyqësore ishte i vetmi prej të akuzuarve që nuk qe në gjendje të fliste. Por folën të tjerët edhe në emër të tij. Foli Dedë Kasneci, Flamur Elbasani, Gjergj Livadhi…Me krenari heronjsh pohuan vendosmërinë e tyre për ta filluar nga e para, po të mundnin, atë që nuk kishin arritur të bënin. U dënuan nga tre në dhjetë vjet heqje lirie me akuzën e krijimit të organizatës kundërrevolucionare me karakter antisocialist për përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë.

    Fati kishte rezervuar një ironi të fundit me këta shkodranë, para se të shihnin dritën e lirisë pas përmbysjes së diktaturës. Natën e njëzet dhjetorit, duke u gdhirë njëzet e njëshi, me urdhër të Ramiz Alisë statuja hijerëndë e Stalinit u hoq nga pidestali ndanë bulevardit “Dëshmorët e kombit” dhe u trasportua në magazinat e fonderisë së veprave të artit në perëndim të qytetit. Njeherësh, bustet e tij u hoqën në gjithë vendin. Tirana, Shkodra dhe Shqipëria, pas disa dekadash, u zgjuan pa Stalinin. Krerët e rregjimit nuk u kujtuan ose nuk deshën të kujtoheshin se antistalinistët e Shkodrës ishin në burg ndërkohë. Finsikëria minimale e donte që këta të liroheshin para se të hiqej përmendorja e Stalinit, madje të thirreshin për të asistuar në përmbushjen e këtij akti nga ndërmarrja komunale e Tiranës. Vetëm pasi unë do të botoja në numrat e parë të gazetës së parë opozitare “Rilindja demokratike” dy-tre javë më vonë një shkrim-fejton për këtë paradoks të madh, duke i përmendur me emër dhe mbiemër të dënuarit e e 14 janarit të Shkodrës, këta do të liroheshin nga burgu dhe do të ktheheshin në qytetin e tyre të çliruar ndërkohë nga tirania.

    Ushtarë të gjallë të lirisë, me plagë në trup, ata u shkrinë më lëvizjen mbarëpopullore për demokraci. Por mjaft prej tyre nuk e morën dot mbrapsht shpërblimin për atë që kishin dhënë dhe nuk e gjetën dot paqen e merituar. Rin Monajka i vuajti më rëndë se të tjerët pasojat e gjymtimit nga torturat. Një ditë prej ditësh mori rrugën e Austrisë, si në ndjekje të një vegimi që kishte përndritur dhe shkatërruar njëkohësisht rininë e tij. Ishte padyshim vegimi i origjinës, por Austria nuk kishte mbajtur shënime për ketë djalë të humbur dhe historia e re e Shqipërisë nuk ia kishte kaluar kërkujt akoma shënimet e veta për Rin Monajkën. Ndërroi jetë në Austri në 1 maj të vitit 1997, “pa pas afër askënd dhe tuj qenë i harruem prej gjithë atyne që sakrifica e tij ndihmoi pa dyshim me fitue demokracinë”, shënoi studiusi Adrian Ndreca në një artikull nekrologjik për të ndjerin.

    Në fakt, viti i stuhishëm 1990 kishte filluar me Rinin dhe me gjithë atë elektrizim spontan që krijoi 14 janarin e Shkodrës. Duke shpresuar në zgjimin e ri të shkrimtarëve, publicistëve dhe intelektualëve të njohur, kritikë të autorizuar apo kontestatorë të paautorizuar të regjimit, historia ishte vënë ndërkaq në kërkim të fytyrave të reja dhe emrave të rinj, shpërthyes prej anonimatit.

    MAPO

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Preç Zogaj rrëfen për historinë e Lëvizjes së Dhjetorit 1991-1992

    Rrëzimi i monumentit/ Zogaj: Sheshi ‘Skënderbej’ përballë mbledhjes së KQ të PPSH

    Mapo boton një fragment nga libri “Fillimet” i publicistit, Preç Zogaj

    “Edhe njëherë tjetër ngjarjet reale po ecnin më shpejt se ata burra të kapur në kundërkohë nga historia. Disa prej tyre qenë shkëmbyer në rrugë, pa u njohur, me protagonistët e rrëzimit të pakmëvonshëm të monumentit të Hoxhës. Ishte një si garë me kohën dhe epokën mes palës që po nxitonte ta mbante dhe palës që po përparonte ta hidhte Enver Hoxhën”.

    Për 20 shkurtin e vitit 1991 është folur e shkruar shumë. Por Preç Zogaj s’mund ta linte kurrsesi jashtë librit të tij të ri “Fillimet”. Duhej një gjetje e tillë që ngjarja e madhe, e rrëzimit të vërtetë të diktaturës në Shqipëri, të vinte e treguar në përmasat reale, pa firon e kohës, pa ekzagjerimet e rastit, por edhe me ndjesitë e papërsëritshme të njerëzve që atë ditë kanë qenë në shesh. Zogaj në stilin e njohur të kolanës së librave të tij politikë, zgjedh t’i vendosë ngjarjet e asaj paraditeje si skenat e një filmi, ku fokusi i kameras kalon sa në sheshin “Skënderbej”, aq edhe në godinën e Komitetit Qendror të PPSH-së. Fragmenti i mëposhtëm është një kontrast mes gjendjeve dhe akteve të qytetarëve të Tiranës, ish-të burgosurve politikë, djemve të Rrugës së Kavajës, sauksave, studentëve përballë frikës, ankthit e dilemave të anëtarëve të Komitetit Qëndror. Nga Ramiz Alia i pari, te Nexhmija Hoxha e fundit që kuptuan se thirrjet prej brigandi të Haxhi Lleshit për të marrë armët prej vërteti ishin thjesht lektisjet e një plaku…

    Nga Preç Zogaj

    Pati përleshje fragmentare në gjithë gjatësinë e vijës mbrojtëse apo penguese që kishte krijuar policia dhe garda e Republikës. Disa gra u goditën egërsisht me shkopinj gome, në këtë lloj korride ku secila palë përpiqej të shtynte palën tjetër, një grup gardistësh të rinj përfunduan të tmerruar mes turmës, të shkëputur nga shokët e tyre. Por nuk u ndodhi asgjë. Disa demonstrues morën zemër nga “kapja e pengjeve” dhe po kërkonin me ngulm- të bëhej ç’të bëhej- çarjen e mbrojtjes policore dhe daljen në Bulevard, përballë Komitetit Qendror të Partisë. Shenjestra e tyre ishte Blloku, lagjia rezidenciale ku kishte banuar e banonte kasta e regjimit. Por ndërkaq mbrojta ishte përforcuar me trupa dhe mjete të reja, të shtënat në ajër me fishekë luftarakë ishin shtuar e po shtoheshin si për të dhënë mesazhin se sulmi ndaj Bllokut do të lahej me gjak. Në një çast, nga një grup qytetarësh që dukeshin më të organizuar se pjesa tjetër e turmës, u dëgjua thirrja e fortë e një mesoburri: “Pas meje drejt sheshit, të hudhim monumentin”. Ai u shmang i pari djathtas dhe ia doli të krijonte njëfarë hapësire të lirë më zërin dhe lëvizjet e tij të fuqishme. Një tjetër pranë tij kishte ngritur një flamur kombëtar pa yllin e kuq të komunizmit mbi kokat e shqiponjës, katër-pesë gra u vunë në radhë përbri njëra- tjetrës, hapën një banderolë të madhe prej basme ku ishte shkruar “Liri-Demokraci” dhe filluan lëvizjen paralel me trupat policore prapa burrit që kishte thirrur “pas meje”. Më vonë do të mësohej se ishin “të rrugës së Kavajës”, rreth tetëdhjetë ish të burgosur politikë dhe familjarët e tyre. Burri që kishte thirrur ashtu dhe që do të merrte një rol protagonisti në ngjarjen e asaj dite ishte inxhinieri Saimir Maloku, i dënuar për shumë vite nga regjimi, ndër të tjera edhe si “shpikësi i kanoçes” së famshme, kutisë artizanale që u kishte mundësuar shumë shqiptarëve të kapnin ilegalisht sinjalin e Radiotelevizionit italian gjatë viteve të izolimit. Personi që kishte ngritur flamurin pa yll ishte Artur Zadrima, ndërsa banderolën e kishte shkruar me bojë këpucësh Albert Risilia, një djali i ri nga qyteti i nxënësve.

    Ndërsa turma po zhvendosej tashmë nga të gjitha drejtimet drejt sheshit “Skënderbej”, disa nga anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe drejtues të tjerë të lartë të asaj partie, që ishin kapur me telefon në atë orë, po nxitonin në drejtimin e kundërt për të marrë pjesë në një mbledhje tjetër urgjente të thirrur nga Ramiz Alia. Edhe njëherë tjetër ngjarjet reale po ecnin me shpejt se ata burra të kapur në kundërkohë nga historia. Disa prej tyre qenë shkëmbyer në rrugë, pa u njohur, me protagonistët e rrëzimit të pakmëvonshëm të monumentit të Hoxhës. Ishte një si garë me kohën dhe epokën mes palës që po nxitonte ta mbante dhe palës që po përparonte ta hidhte Enver Hoxhën.

    Njeriu që kishte detyra ligjore për të përmbushur në atë orë të historisë ishte Hekuran Isaj, Ministri i Brendshëm. Ky ishte në siklet. Ramiz Alia e kishte lenë të drejtonte operacionin në terren, në darën e direktivave kundërthënëse. Në një anë i duhej të zbatonte dekretin për mbrojtjen e monumenteve. Nga ana tjetër nuk duhej të derdhte gjak. Ministri, siç do të pohonte vetë më vonë, ishte në terr dhe në vështirësi për të vepruar edhe për një arsye tjetër: megjithëse kishte edhe Sigurimin nën urdhër, institucionin e frikshëm që mendohej se dinte çdo gjë që ndodhte në vend, ai nuk kishte informacion nëse vërtet kishte apo nuk kishte një plan paraprak për rrëzimin e përmendores së Enverit, kush e kishte bërë planin nëse kishte një plan, kush e udhëhiqte zbatimin e planit në terren, cilët ishin ata që kishin marrë përsipër ta realizonin. Do ta kishte më të lehtë po t’i kishte këto të dhëna, siç i kishte patur ministri paraardhës kur disa shkodranë kishin planifikuar një vit më parë rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër. Arrestimi natën i organizatorëve kishte bërë që të dështonte plani i tyre. Koha kishte ndryshuar. Ishte vendosur pluralizmi. Nuk flitej për arrestime të tipit të vjetër, por asgjë nuk mund ta pengonte policinë t’i hiqte nga teatri i ngjarjeve organizatorët e rrëzimit të monumentit të Hoxhës, nëse do t’i kishte emrat e tyre. Ç’duhej të bënte me tërë ata njerëz, ku secili e kishte të lehtë të hiqej sikur e kishte çuar apo zënë hera në turmë dhe të gjithë shtynin njëri-tjetrin përpara drejt aktit? Të pyeste Ramiz Alinë do të thoshte te dekonspironte një mëdyshje të vetën dhe njëherësh ta provokonte tjetrin. Të urdhëronte mbrojtjen e monumentit me armë zjarri, ishte përtej fakulteteve të tij. Përfytyrimi i të vrarëve para një monumenti prej bronzi e turbullonte, i ngrinte mornica. Nga familja e tij e telefononin herë pas here duke i kërkuar me të lutura të mos lejonte vrasje njerëzish. Familja kishte të drejtë. Familjen kishte ndërmend të dëgjonte, edhe pse mëdyshjet i rëndonin si gurë në qafë.

    Forcat speciale dhe disa njësi të gardës ishin pozicionuar në sheshin “Skënderbej” përpara se atje të mbërrinte pararoja e lumit të madhe të njerëzve që ishin nisur nga qyteti “Studenti”. Ata të rrugës së Kavajës dhe masa e njerëzve që kishin tërhequr pas vetes ndaluan në pjesën jugperëndimore të sheshit në rrugën që ndante bankën e shtetit me monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Sakaq nga sheshi i Ushtarit të Panjohur u pa të mbërrinte lumi i madh i njerëzve që kishin ardhur nga rruga e Elbasanit. Pa drejtim, pa komandë, kjo turmë e stërmadhe bëri një ndalesë të shkurtër në shkallët e Pallatit të Kulturës si për të matur me sy shkallën e rrezikut në shesh. Pastaj zinxhiri i njerëzve rrëshqiti brinjazi në drejtim të hotelit “Tirana”, si një varg rruazash që hapen e hapen e s’kanë të sosur. Erdhi një çast kur pararoja e këtij rreshtimi të vetvetishëm forcash zbriti në shesh duke vijuar lëvizjen në formën e krahmarrjes në drejtim të Muzeut Kombëtar. Ngjante kjo hapje si një manovër e rrethimit të kujdesshëm të sheshit dhe platformës ku ishte vendosur statuja e Enver Hoxhës. Tutje, rruga e Durrësit dhe ajo e Kavajës prapa statujës po mbusheshin me njerëz që nuk kishin qenë në qytetin “Studenti”, por kishin ardhur e po vinin nga lagjet e pjesë perëndimore të qytetit. Praktikisht rrethimi i sheshit ishte përmbyllur. U mundova të kuptoj nga vinin urdhrat, ku ishte komanda. Nuk pikasa gjë dhe s’mund të pikasja asgjë. Siç është vërtetuar me vonë, kishte grupe dhe kryetar grupesh të vogla, siç ishte për shembull, grupi i rrugës së Kavajës me Saimir Malokun, grupi i Saukut me Lulzim Brajen, sindikatat e pavarura ku ishin afirmuar si drejtues Eqerem Kavaja, Gëzim Shima, Gëzim Kalaja, Albert Xholi, Fiqiri Xibri e të tjerë, por nuk kishte një komandë unike. Turmën e lëvizte ashtu kushtrimi i një qëllimi i përzier me instinktin e vetëmbrojtjes. Përparonte valë-valë me ndalesa dhe kthime, në vartësi të sulmeve që ndërmerrnin kundër saj forcat e policisë dhe gardës.

    Pasi dështuan në sprapsjen dhe shpërndarjen e turmës, duke përdorur makinat ujëhedhëse me presion, shkopinjtë e gomës, qentë e kufirit, plumbat plastikë dhe disa diagaçë që dhanë një provë force me vërtitjen e tyre si brumbuj në shesh, forcat e policisë, të sulmuara edhe me gurë nga disa prej demonstruesve, u rigrupuan dhe u pozicionuan në rrethin e ngushtuar të platformës në mes të së cilës ngrihej monumenti i Enverit. Në atë çast, duke ndjekur përparimin e protestuesve më të guximshëm në atë ring të betejës finale, pata përshtypjen se ajo që ishte quajtur rruga shqiptare e ndryshimit pa përmbysje dhe pa gjak kishte mbërritur në fundin e saj. Shqipëria nuk mund ta mbante më maskën e një pax romana pa larë asnjë hesap me të shkuarën e vet. Qytetarët nuk mund të mos i sulmonin monumentet e Enver Hoxhës. Ishte detyra, më saktë detyrimi i tyre. Nga ana tjetër, qeveritarët që drejtoheshin akoma nga garda enveriste, nuk mund ta linin pa mbrojtje zotin e tyre në bronz.

    Ndjesinë se do të luftohej e derdhej gjak e kishin të shkuar në ballë të gjithë njerëzit që shihja rreth e rrotull. Kolegu im Mitro Çela gjithashtu. Ishte parathënë me kohë, kishte ardhur çasti dhe s’kthehej më. E donte një betejë, e meritonte një betejë rrëzimi i Enverit.

    Lufta kishte zbritur në sheshin më të madh të Shqipërisë, një protestues, një tjetër mbajtës i flamurit pa yllin komunist mbi shqiponjë, Fatmir Mërkoçi, do të plagosej me armë zjarri, një anëtar i grupit të rrugës së Kavajës, Hysen Berberi, do të gjakosej në kokë nga një goditje me gur, një polic i thjeshtë do të plagosej me gur gjithashtu dhe do të dërgohej me urgjencë në spitalin ushtarak nga protestuesit Adrian Heta dhe Ingrit Sukaj, që kishin rrëmbyer një makinë IFA të braktisur në shesh, por kasaphana nuk po ndodhte dhe nuk do të ndodhte. Komiteti Qendror ishte mbledhur. Situata ishte kaotike, mbretëronte një rrëmujë e pazakonshme për zakonet spartane të atij forumi. “Pesë anëtarë të byrosë politike ishin në këmbë, prapa tryezave të parregulluara të presidiumit”, do të kujtonte më vonë Marash Hajati, drejtor i Radiotelevizionit Shqiptar dhe anëtar i Komitetit Qendror. Mbledhja nisi me një fjalë të shkurtër të Ramiz Alisë. “Demonstruesit në fillim donin të vinin këtu në Komitetin Qendror e në Këshillin e Ministrave”, tha ai dhe vazhdoi: “Ju e kuptoni përse donin të vinin. Për të marrë pushtetin si në vendet e tjera. Meqenëse panë rezistencën e forcave ushtarake janë drejtuar nga sheshi. Duan të heqin monumentin e Enver Hoxhës. Çfarë mendoni ju, si të veprojmë”? pyeti. Heshtja rëndoi si plumb në sallën ku Enver Hoxha kishte lënë kujtimin e eliminimit të pamëshirshëm të shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Haxhi Lleshi, ish Presidenti në pension, u ngrit me një hov më të madh se sa e lejonte mosha dhe jeli i pleqërisë. Priti pak sa mori njëfarë drejtqëndrimi dhe thirri: “Të marrim armët! Emrin e Enverit do ta mbrojmë me gjak. Nuk do të lejojmë që të dëmtohet monumenti i tij”. Thirrja e tij prej brigandi plak e ngriu edhe më tej atmosferën e mbledhjes. Disa nga anëtarët më të rinj të Komitetit Qendror shkëmbyen me njëri tjetrin vështrime mosmiratuese. Nuk ishte e drejtë të lëshoheshin thirrje për luftë nga dikush që nuk ishte në gjendje të luftonte vetë. Por replika i erdhi Haxhiut andej nga nuk e priste: nga moshatarët e tij Manush Myftiu dhe Rita Marko, që bënë thirrje për kujdes dhe evitim të gjakderdhjes. Thirrjes për mospërdorimin e armëve të zjarrit kundër demonstruesve iu bashkuan edhe ministrit i ri Ismail Ahmeti dhe skulptori Muntaz Dhrami. Haxhi Lleshi i akuzoi si tradhtarë.

    Ndihmësi i Ramiz Alisë, Nexhmedin Dumani, solli për shefin e tij një copë letër që ia vuri mbi tavolinë. Ishte një njoftim nga Ministri i Brendshëm, Hekuran Isaj. Alia e lexoi vete, para se tua lexonte fjalë për fjalë gjithë të tjerëve: “E thyen mbrojtjen tonë, është rrethuar monumenti i shokut Enver dhe duan ta rrëzojnë. Presim përgjigje si të veprojmë”. “Të mbrohet”! thirri i pari Alia duke lënë pusullën e porsalexuar në tryezë. Pasoi një heshtje varri, të cilën e theu e folura e mbytur e kryeministrit Adil Çarçani: “Si erdhi Partia deri këtu”? Ish presidenti Haxhi Lleshi u përpush në karrigen ku ishte ulur sikur po grindej me pleqërinë që i kishte marrë anën. “Pse nuk qëllojnë me fishekë luftarakë”? thirri me hidhërim.

    Ishte çasti kur në ringun e ngushtuar të sheshit “Skënderbej” afër shtatores së Hoxhës disa dyzina protestuesish, kryesisht të rinj, po sulmonin me gurë dhe copa mermeri policinë që përpiqej t’i prapsonte. Në një moment dikush thirri me zë të lartë: “Mos u trembni, policia ka fishekë manovre”. Kjo thirrje pati efektin e kushtrimit dhe çlirimit të turmës nga frika. Njeriu që e lëshoi humbi brenda vërshimit të fuqishëm të njerëzve përpara. Nuk u mor vesh kush qe dhe nuk doli kurrë të thoshte “isha unë”, siç dolën me radhë përgjatë viteve të mëvonshme të gjithë ata që kishin bërë diçka të pazakonshme për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Policia dhe Garda hoqën dorë nga rezistenca e mëtejshme, u tërhoqën. Sheshi “Skënderbej” ra i gjithi nën sundimin e turmës që u tre-katërfishua sa çel e mbyll sytë; disa policë dhe gardistë që nuk arritën të tërhiqeshin në mënyrë të rregullt me shokët e tyre mbeten të bllokuar mes civilëve. Tre-katër prej tyre, ushtarë të vitit të parë ndoshta, qanin nga frika. Njerëzit që u kalonin pranë u hidhnin ndonjë fjalë të mirë, por askush nuk kishte kohë për të humbur me ta, sekush dëshironte t’i afrohej sa më afër monumentit ku demonstruesit e pararojës kishin mbërritur tashmë dhe po ndërtonin si në ethe planin e rrëzimit të monumentit. Nga rruga e Durrësit mbërritën dy djem të rinj me një rrotull litari prej lini. As këta nuk u mor vesh kurrë kush qenë. Ish të burgosurit e rrugës së Kavajës, i panë, folën me ta, por nuk i pyetën për emrat. Sakaq Adrian Heta ishte kthyer nga spitali ushtarak bashkë me makinën IFA, të cilën e kishte ndaluar nga ana e pasme e monumentit.

    Nexhmedin Dumani solli një pusullë tjetër, të cilën Alia e lexoi si të mos i drejtohej atij: “Në piedestalin e shtatores ndjehen goditje. Monumenti po lidhet me kavo çeliku. Policia dhe ushtria mundohen me kot të afrohen, të shtënat me armë as që përfillen”. “Ç’të shtëna janë ato? thirri Haxhi Lleshi. “Të shtëna manovre”, shtoi me përbuzje dhe u nder në karrige si të kishte zbuluar komplotin më të madh të jetës së tij të cilin nuk kishte fuqi dhe moshë ta ndalonte. Ai dhe gjithë të tjerët aty kishin arsye ta konsideronin të humbur davanë, sa kohë që protestuesit kishin kaluar përtej forcave të policisë dhe Ministri i Brendshëm i raportonte kryetarit të shtetit si një për tingujt që vinin nga goditja e shtatores, si të bëhej fjalë për një objekt të fshehur në qendër të tokës. Të shkonte mendja se po të mos ishin bukosur edhe vetë nga rutina dhe atavizmat shumëvjeçare, Alia dhe Isaj po talleshin me pleqtë e byrosë politike.

    Në shesh, rreth monumentit të Enverit, përpjekja e parë për ta rrëzuar dështoi. Litari prej lini nuk mbante. Nën trysninë e sekondave dhe minutave që binin si gjyle nga klepsidra e kohës, dikush solli një kavo nga makina IFA e ndaluar pak më tej. Një burrë i quajtur Astrit Hatellari u ngjit mbi supet e një qytetari dhe arrite ta lidhte kavon te parakrahu i dorës së majtë të shtatores. Filloi tërheqja. Një, dy, tre, katër, pesë… Shtatorja pesëmbëdhjetë metra e lartë u hepua pjerrtas nga e majta dhe ra në tokë si trung nën peshën e vet. Ishte ora 14.06. Një brohoritje e pagjasë u ngrit sakaq në gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e sheshit “Skënderbej”, deri tutje në shkallët e Pallatit të Kulturës dhe akoma më tutje në thellësi të rrugëve hyrëse në shesh, ku turma të reja njerëzish sikur kishin mbirë nga dheu bashkë me thirrjet e tyre të papërmbajtura që kishin tingëllimin e kujeve të vjetra. Ata të rrugës së Kavajës dhe ata të Saukut dhe sa e sa të tjerë, burra dhe gra, e kishin hak të festonin të parët mbi broncin e monumentit të rrëzuar. Por vërshimi i pagjasë i masës qindramijëshe, pa pjesëmarrjen e të cilëve nuk mund të imagjinohej ajo që kishte ndodhur, e përfshiu në vorbullën e anonimatit popullor rolin e tyre. Prej atij çasti, për shumë kohë, rrëzimi epik i monumentit të Enver Hoxhës do të trajtohej kryesisht si një vepër e qytetarëve të Tiranës. Do të duhej të kalonin shtatëmbëdhjetë vjet që në më në fund një pjesë e këtyre protagonistëve, Saimir Maloku, Haredin Fratari, Astrit Hatellari, Adrin Heta, Gjovalin Cokani, Albert Risilia, Hygerta Borova, Linda Bezhani, Liljana Llapaj, Lindita Hamiti, Sanije Vojka dhe Vera Rada, Lulzim Braja dhe Sindikatat e Pavarura të nderoheshin me urdhra dhe tituj nderi nga Presidenti i pestë i Republikës, Bamir Topi.

    Në Komitetin Qendror të Partisë Ramiz Alia u ngrit nga karrigia me një sforcim të dukshëm për të mos u dukur i ligështuar dhe shkoi të fliste vetë me telefon me Ministrin e Brendshëm. Ngjarja e re duhet të ishte e tillë që nuk mund të njoftohej me copa letrash.

    Ministri i Brendshëm raportoi nga zyra e tij:-E rrëzuan shoku Ramiz!

    Alia u gëlltit. – U rrëzua? Ja, po njoftoj shokët e Komitetit Qendror,- tha dhe e mbylli telefonin. Alia u dha të pranishmëve lajmin se monumenti i Enver Hoxhës ishte rrëzuar. Të gjithë sa ishin aty, instiktivisht, kthyen kokën në drejtim të Nexhmije Hoxhës a thua se prej atij çasti i rrëzuari nuk ishte gjë tjetër veçse ish burri i saj. E ulur diku në mes të kolonave të rënda, Nexhmije Hoxha u ngrit në këmbë, vuri çantën poshtë krahut dhe iku duke mbajtur lotët.

    MAPO

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Preç Zogaj rrëfen për historinë e Lëvizjes së Dhjetorit 1991-1992

    Preç Zogaj: Biseda e fundit me Kadarenë, para arratisjes në Francë

    Publicisti dhe politikani Zogaj evokon ditët e fundit të Kadaresë në Tiranë, para se të largohej drejt Francës. Dyshimet e shkrimtarit të madh për regjimin dhe vargjet që paralajmëruan largimin e tij. “Këtu do të shpërthejnë gjirizet! – shpërtheu papritur me një ton të rëndë plot pikëllim, që nuk ia kisha dëgjuar ndonjëherë”

    Preç Zogaj

    ….Në fillim të shtatorit 1990, Kadare erdhi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku kishte sjellë për botim librin dorëshkrim me novela e tregime “Ëndrra mashtruese”. Unë isha emëruar në muajin mars shef i redaksisë së prozës së shkurtër atje. Ishte në nderin tim ta prisja dhe t’i shprehja admirimin dhe mirënjohjen e redaksisë për librin e ri. Më dëgjoi, nuk foli një copë herë, pastaj pyeti për botimin. I shpjegova procedurën, që me siguri ai e kishte dëgjuar sa e sa herë: nëse nuk kishte vetë ai ndonjë gjë për të shtuar a hequr si autor, dorëshkrimin e redaktuar nga redaktorja Lumturie Prizreni do ta firmosja unë, pastaj do t’ia kaloja për firmën e fundit drejtorit, Gaqo Bushaka. “Kaq!” m’u bë se tha mes pyetjes dhe pohimit vështrimi i tij vezullues prapa xhamit të trashë të syzeve optike që mbante. E mundonte diçka dhe unë po ndihesha vërtet në siklet se nuk dija çfarë mund t’i thosha tjetër për t’i hequr çdo merak. Zbritëm pa fjalë shkallët e brendshme të ndërtesës, isha në dilemë ta ftoja apo jo për kafe, si përfundim vendosa për “jo”, kafeneja e vogël e ndërmarrjes sonë në një aneks të katit të parë ishte plotësisht e padenjë për lartësinë e tij. Pasi bëmë edhe disa hapa në oborr, Kadareja u ndal pak dhe tha:

    -Piramida si t’u duk?

    “Piramida” ishte titulli i njërës prej novelave të përmbledhjes së tij të re.

    -E mrekullueshme, – iu përgjigja aty për aty.- Më e mira e gjithë librit.

    -Ashtu mendoj dhe unë, – tha pasi heshti sërish disa sekonda. Por nuk u duk më i lehtësuar.

    U ndamë. E pashë si po largohej bashkë me atë mundimin e tij të brendshëm, të pakuptueshëm, të pazbërthyeshëm. “Që ndoshta e ka gjithmonë”, thashë me vete; ndoshta ishte në natyrën e tij të jetonte dhe të mos e fshihte dot kurdoherë të jetuarit në gjendjen prej të munduari. Ja, kjo ishte. Mendova se gjeta shpjegimin e enigmës që Kadare sikur ma kishte lënë barrë, teksa ishte larguar. Por po atë ditë poeti Agim Isaku, me të cilin ndaja një pjesë të mirë të kohës në diskutime letrare dhe politike, më dha një shpjegim tjetër për mundimin e Kadaresë kur i tregova për vizitën e tij në redaksi. Ka dashur të mësojë a e ke kuptuar nëntekstin e novelës, – tha. Dhe shtoi:- Ka dashur të kuptojë atmosferën e përgjithshme, a është marr vesh lart në Komitetin Qendror se ka dorëzuar një libër të ri, a ka interesim, a ka ndërhyrje prej andej. Kjo ka qenë jeta rutinë e Kadaresë me botimin, nuk ka përse të mos e ketë përsëri, – e mbylli Isaku me atë mënyrën e tij të veçantë të të folurit, që ngjyroste me ironi edhe gjërat e zakonshme. Duke dëgjuar këtë shpjegim, ajo që unë e kisha quajtur me vete “mundim natyror i shkrimtarit” u rrotullua si një gur para kaleodeskopit, duke m’u shfaqur në një pamje krejt tjetër. Ia dhashë një të qeshure të madhe të cilën Isaku e miratoi plotësisht. Sigurisht që e kishim kuptuar nëntekstin e novelës “Piramida”, përndryshe pse do ta pëlqenim kaq shumë, si mund të na mrekullonte një subjekt i stisur nga Egjipti i lashtë pa alegorinë e hollë dhe paralelizmin invadent kësaj radhe me muzeun në formë piramide të faraonit të kuq Enver Hoxha në mes të Tiranë! Pse nuk po interesohej njeri? Pse nuk po alarmohej njeri? Nga ta dija unë. Libri po ndiqte rrugën e tij normale të botimit: nga redaktorja te unë si shef redaksie, pastaj te Gaqo Bushaka si drejtor i shtëpisë botuese dhe pastaj drejt e në shtypshkronjë, ku vështirë se do të haste pengesa në rrugën drejt librarive të vendit. Për çdo të papritur e kisha alibinë: novela e merrte temën nga Egjipti i lashtë dhe ishte një akuzë kundër mundimit dhe therorive njerëzore në shoqëritë e shtypura. Në rastin më të keq do të më shkarkonin për naiv dhe sylesh.

    Kadare erdhi sërish një ditë tjetër. Kisha lajme për të. Librin e kishte lexuar edhe drejtori. Nuk doja ta gënjeja duke i thënë se ishte mrekulluar a diçka të tillë. Sipas meje, Gaqoja , një nga shkrimtarët më të mirë për fëmijë, nuk mrekullohej kurrë me letërsinë për të rritur. Por më kishte lavdëruar për “ thithjen” e një libri nga Kadareja, që do ta firmoste pa i hequr asnjë presje. Kadareja u tkurr sërish në atë mundimin e tij. Po unë tani e kisha kodin për të lexuar enigmën e tij prej të habituri dhe të palumturuari me lajmin e mirë. Ndoshta mendonte se aludimet dhe diversioni që kishte bërë me novelën “Piramida” nuk ishin të kapshëm, siç dëshironte ai dhe kjo e rrëzonte në themel atë novelë. Por ishte më e logjikshme të mendoje të kundërtën, që nuk dyshonte se ne të gjithë, nga i pari te i fundit, i kishin kuptuar shumë mirë nëntekstet dhe domethënien e novelës së tij “Piramida”, por nuk ishim ndjerë dhe askush mbi ne nuk ishte interesuar të dinte paraprakisht çfarë kishte brenda libri i tij i ri dhe gjithë kjo, në mos vibronte si vegimi i një kurthi në mendjen e tij të superndjeshme ndaj rreziqeve, ishte zbulimi i beftë i një realiteti tjetër që kontrastonte me zakonet brutale të kontrollit dhe censurës nga zyrat e posaçme të Partisë së Punës, shenjestër e përhershme e të cilave kishin qenë pikërisht librat e Ismail Kadaresë. Në episodin shumë domethënës të kalimit pa ndalesa dhe kontrolle drejt makinave të ofsejtit të librit të tij të fundit “Ëndrra mashtruese”, ku kishte jo një, por disa novela dhe tregime të pabotueshme sipas kritereve dhe standardeve ende në fuqi të metodës dogmatike të realizmit socialist, bota kishte ndryshuar më shumë dhe më shpejt se pritshmëria e tij. Duke ndjerë t’i rrëshqiste toka nën këmbë, regjimi, me sa duket, e kishte lënë pasdore, e kishte braktisur, për të mos thënë e kishte lënë në fatin e vet letërsinë për t’u fortifikuar në llogore të tjera më të rëndësishme, ku luhej fati i mbajtjes së pushtetit. Drejtësisht, logjikisht, por edhe paradoksalisht kjo ere reale lirie në oazin e letërsisë po verifikohej dhe po sendërtohej si e tillë me dorëshkrimin e shkrimtarit më të madh të vendit, i cili më shumë se kërkush tjetër brenda sistemit e kishte pohuar mungesën e lirisë me talentin e tij të rrallë. Në të njëjtin oborr ku ishim ndarë herën e parë dhe, mu sikur ta kishte lënë pezull aty merakun që kishte patur, më pyeti drejtpërsëdrejti a ishte kapur “drejt” prej meje mesazhi i novelës “Piramida”.

    Plotësisht,- i thashë dhe që të mos krijoja asnjë ekuivok shtova aty për aty në një formë të pazakontë për mënyrën time të komunikimi : Unë dhe miqtë mi, Agimi, Remziu, Besniku, Iliriani, e dimë se e ke për muzeun e Enver Hoxhës por si botues unë nuk përgjigjem për aludimet, për leximin midis rreshtave. Rreshtat më duheshin. Letërsia është një tokë e mbushur me parabola. Botuesi s’ka përse vihet me tendencë në kërkim të nënkuptimeve të tyre. U tha, u dëgjua, u harrua. Të dy bëmë sikur nuk e kishim hapur atë temë. Herën e tretë Kadareja erdhi në redaksi kur libri “Ëndrra mashtruese” ishte bërë gati për t’u nisur në shtypshkronjë. Isha me Agim Isakun. Ky dhe Kadareja kishin një lidhje të veçantë, të dy kishin qenë miq të shkrimtarit Bashkim Shehu, djali i ish kryeministrit të vetëvrarë Mehmet Shehu, që po vuante dënimin me burg në një prej burgjeve politike të Shqipërisë. Kujtimi i kësaj miqësie ishte në një farë mënyre sekreti i tyre i përbashkët. Isaku fliste shumë hapur me Kadarenë, pa shumë kujdes sipas kritereve të mia idolatriste, që nuk do të thoshte pa respekt. I drejtohej me emër “Ismail”, i drejtonte pyetje si i barabartë, njëlloj siç më drejtohej mua, e korrigjonte, e kundërshtonte, çfarë ma hiqte trurin nga një anë. Por kur shihja se Kadaresë i pëlqente ky lloj komunikimi, që me sa dukej e tërhiqte në sferat e moshës së shpenguar rinore, ndjeja edhe zili për mikun tim. Kadareja na ftoi për kafe në hotel Dajti. Për mua ishte një nder, por edhe Isaku u befasua pak. Kadareja nuk e kishte zakon të ftonte njeri për kafe. Me sa dukej ishte shumë i gëzuar për librin e ri dhe kishte dëshirë të na shprehte mirënjohjen mua si botues dhe Isakut si mik, idhtar dhe avokat i flaktë i tij . Ecëm më këmbë nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, që ndodhej në pjesën perëndimore të unazës së re, deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Biseda vërtitej rreth temave të tij të parapëlqyera të asaj periudhe, si për shembull liria e fesë ( ç’janë këto kafshë që rrinë e mendohen t’i hapim sot, t’i hapim nesër kishat e xhamijat!), liria e lëvizjes ( po, po kam të dhëna se vazhdojnë të vrasin në kufi si xhelatë, pavarësisht se çfarë thonë!), pluralizmi politik ( na thirri, me demek për konsultë dhe na tundi grushtin pa pikë turpi se pluralizmin është kali që ka shaluar reaksioni për të rrëzuar pushtetin popullor!). Ndryshoi duke folur, u bë nevrik, dukej qartë se ishte gjer në grykë me mëdyshjet dhe hipokrizinë e regjimit. Nuk e dinim atëherë dhe nuk na tha se i kishte shkruar një letër të gjatë Ramiz Alisë në të cilën e nxiste të shpejtonte në rrugën e reformave demokratike dhe në shkëmbim kishte marrë nga kryetari i shtetit, pas shumë ditësh, një përgjigje të ftohtë, të kalkuluar, si të shkruar me grup pune, në të cilën Presidenti i vinte në dukje shkrimtarit se ky nuk e kishte përmendur asnjëherë fjalën “parti”në letrën e tij. Kadareja ishte shumë skeptik se do të kishte hapje reale të vendit dhe vuante për ketë. Kur arritëm si pa kuptuar nën degët e varura rëndë-rëndë të pishave në oborrin e hotel Dajtit, ai pushoi se foluri. Të tre ngjitëm të heshtur shkallët e jashtme, hymë në sallonin e madh me tavan të lartë dhe llambadarë të kohës së “paraçlirimit”, morëm djathtas, ecëm disa metra në një korridor te gjatë e të gjerë me tapet të kuq, përsëri djathtas përmes një derë të hapur dykapakëshe me kuadrate xhami dhe ja ku përfunduam në bar-bufenë e hotelit. Ato pak njerëz që po pinin kafe apo po shtynin kohën atje ngritën kokat dhe panë me kureshtje në drejtim të Kadaresë, me njetin për t’i tërhequr vëmendjen dhe për ta përshëndetur. Kadare nuk ua hodhi sytë, u ul në një tryeze të lirë afër derës. Unë e Isaku u ulën anash tij. Një copë herë qëndruam pa folur duke pritur të na vinte porosia dhe duke gjerbur pastaj kafetë me njëfarë tensioni të çuditshëm. Një çast, papritur, Kadare nxori nga xhepi i pantallonave një letër të shtypur me makinë shkrimi dhe na e dha ta lexonim. Ishte poezia “ Kohë e pamjaftueshme”. Unë e kisha të njohur atë poezi. Ishte botuar në librin e tij të fundit “Ftesë në studio”. Edhe Agimi e kishte lexuar. Për të nderuar autorin u hoqëm sikur po e lexonim për herë të pare. Se si më erdhi pastaj, kur si të ishte shoku im i fëmijërisë, Kadare më tërhoqi vëmendjen me një prapamendim të dallueshëm te strofa e fundit:

    I munduar gjer në çastin e fundit/Nga mosthënia, nga pengu tragjik/Një shenjë ndoshta të pakuptueshme /Do t’ju bëj të gjithëve e do ik…

    Mendja jonë e stërvitur në leximin dhe artikulimin e dykuptimësive nuk kishte asnjë vështirësi t’i deshifronte këto vargje. Të lidhura me zhgënjimin e autorit, me faktin se ai kishte një ftesë për të shkuar në Francë bashkë me të shoqen, Elenën, dhe me hollësinë që qe përmendur shkarazi se edhe dy vajzat e tij kishin udhëtuar apo po udhëtonin jashtë shtetit, këto vargje ishin njoftimi i qartë i ikjes për të mos u kthyer kësaj radhe. Domethënë i arratisjes. Pasoi një heshtje gati-gati liturgjike, në të cilën u konsumuan marrja dijeni prej të treve përse ishte fjala, përbetimi për të ruajtur sekretin, tronditja ime e brendshme dhe e Isakut gjithashtu që do të humbnim kushedi për sa kohë nga jeta jonë shkrimtarin më të madh të vendit , miratimi dhe falenderimet tona të thella, megjithatë, për atë që kishte vendosur të bënte më në fund, mirënjohja që na e kishte njoftuar e besuar atë sekret, lutjet e heshtura që t’i shkonte puna mbarë…Dolëm nga bar-bufeja e hotel Dajtit dhe morëm rrugën drejt shtëpisë së tij në rrugën e Dibrës. Përbetimi i nënkuptuar na kishte ndryshuar të treve. Mua dhe Isakut na dukej sikur po e përcillnin Kadarenë në arratinë e tij, ndërsa ai e kishte përmbushur sakaq shpirtërisht largimin që do të përmbushte edhe fizikisht pas disa javësh. Në trotuarin para librarisë “Flora”, Kadare u ndal në tendosjen për të thënë diçka që me sa duket po e bluante prej kohësh në mendje.

    -Më foli një ditë dikush ana tjetër e rrugës: “Shoku Ismail, ç’po bën, populli pret nga ty një akt të madh”. E kishte më ligësi, a më të mirë- ç’rëndësi kishte! Mirë, mo mirë, thashë me vete, po pse nuk bën ti një akt të madh, pse nuk shkon ti të digjesh me benzinë m’u në mes të sheshit si Jan Palash në Çeki, ë? Pse s’e bën ti që s’ke bërë asgjë, pse i prisni të gjitha nga unë që kam bërë atë që ishte e mundur të bëja me librat e mi…

    Ngjante sikur po replikonte me hijen e atij dikushit dhe me sa e sa vegime të tjera të ngjashme. Ishte lodhur nga barra e pritshmërive dhe thirrjeve që ai, pikërisht ai, shkrimtari që kishte mbajtur e mbante Shqipërinë pjesë të botës me librat e tij, të bënte diçka të madhe, një sakrificë, një therori, çfarë mund të ishte tjetër? Dallonte jo vetëm mungesë realizmi, por edhe keqdashje e ligësi në kallëpin e atij dikushit që kishte guxuar t’i thoshte “ bëj diçka të madhe”. “Hidhu në zjarr, domethënë . Hidhu në zjarr të ngrohim duart ne, askushët! Mirë, atëherë, po e bëj gjënë e madhe, po iki, po hiqem nga skena, po ju lë vetëm për vetëm me regjimin”.

    -Këtu do të shpërthejnë gjirizet!- shpërtheu papritur me një ton të rëndë plot pikëllim që nuk ia kisha dëgjuar ndonjëherë. E kishte përfshirë profecia e tij që s’mund të mos e çonte deri në fund: – Do të shpërthejnë, siç nuk mund ta merrnin me mend, të gjithë do të vërsulen të bëjnë pis njëri tjetrin, do të jetë e shëmtuar, e padurueshme! Këtë nuk e kuptuam menjëherë, as unë , as Isaku, por brengën dhe parashikimin e tij për shperthimin e gjirizeve, do ta gjeja të zbërthyer në veprën e parë që do të shkruante në ekzilin e tij në Francë, “Pranvera shqiptare”, në të cilën, duke pikasur rreziqet e reja të një daljeje primitiviste nga robëria dhe tragjedia e tyre pesëdhjetëvjeçare, shkrimtari do të merrte dhe do të gdhendte në portën e exit-it të shqiptarëve psalmin e vjetër të Lekë Matrëngës:

    Për ju të gjithë lutem: kërkoni ndjesë!

    Kristianë të mirë, burra e gra.

    Në emër të Zotit, gjejeni mëshirën

    Sepse asnjë prej nesh nuk është pa mëkate.

    Kishim arritur afër “kufirit”, domethënë afër shtëpisë së Kadaresë. Ishte çasti për t’u ndarë. U ndamë, ai u zhduk në hyrjen e pallatit ku kishte apartamentin e tij, e përfytyruam duke ngjitur ngadalë shkallët e brendshme të atij pallati, ndërsa i kishin pohuar ndërkaq njeri- tjetrit me një frymë ndjesinë e ndërsjelltë se Kadare nuk do të kthehej në Shqipëri kësaj radhe. Se si na dukej. Në botën opake të kohës unë dhe Isaku dinim një gjë që nuk e dinin të tjerët, një gjë që padyshim do të shkaktonte tërmet të madh për regjimin e Tiranës. Ndiheshim të privilegjuar, pse jo më të fortë se të tjerët me sekretin tonë. Nga dita kur Kadare mori avionin, filluam të numëronim ditët, në pritje të çastit kur ai do njoftonte nga Parisi moskthimin e tij….


    MAPO

  11. #11
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    05-02-2013
    Postime
    111

    Për: Preç Zogaj rrëfen për historinë Lëvizjen e Dhjetorit 1991-1992

    do te perpiqem ta lexoj librin e Precit edhe pse ka kohe qe interneti nuk me len kohe te lezoj nje liber nga fillimi deri ne fund...

  12. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Shkolla e Bashkuar: “Ramiz Alia të dorëhiqet, nuk mbrojti me armë shtatoren e Enverit”

    “Ramiz Alia të dorëhiqet, nuk mbrojti me armë shtatoren e Enverit”

    Preç Zogaj rrëfen shkurtin 1991: Ç’ndodhi te Shkolla e Bashkuar, takimi me Neritan Cekën e përfaqësues të PD


    Emri:  pjimage-124.jpg

Shikime: 866

Madhësia:  76.1 KB

    Pas rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej”, në shkollën e bashkuar “Skënderbej” kishte shpërthyer revolta. Ishte ngritur “Komisioni Nismëtar për Rivendosjen e Monumenteve dhe Figurës së Enver Hoxhës”, që kërkonin takim me përfaqësues të Partisë Demokratike.

    Pasi u dorëzuan një letër, Sali Berisha nisi Neritan Cekën të dëgjonte Komisionin.

    Çfarë ndodhi në këtë takim nën plumba dhe se si iu kthye ushtarakëve në të kundërt, na tregon Preç Zogaj në librin e tij “Fillimet”, botim i UET Press.

    PREÇ ZOGAJ

    NGJARJET E SHKOLLËS SË BASHKUAR TË OFICERËVE

    Të nesërmen, më 22 shkurt, ishte radha e enveristëve të nxirrnin dufin dhe të tentonin revanshin. Në Ministrinë e Mbrojtjes po kërkohej rivendosja me forcë nga trupat e ushtrisë e një statuje të re të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”, kurse Ramiz Alia po akuzohej hapur si tradhtar. Shkolla e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha” ishte bërë qendra e reaksionit dhe rebelimit enverist. Rreth orës 10:00 të mëngjesit në selinë e PD-së mbërritën dy oficerë të kësaj shkolle. Kërkuan takim me kryetarin, Sali Berisha. Njëri prej tyre, më i shkurtri, që tërhiqte vëmendjen edhe për shkak të uniformës së zhubrosur që dukej qartë se nuk e kishte hequr nga trupi prej disa ditësh, i dorëzoi Berishës një letër. Dy oficerët u larguan kryelartë pa pritur që kryetari i PD-së ta lexonte letrën e tyre. Ky i hodhi një sy dhe ia kaloi Neritan Cekës ta shihte edhe ai. Ishte një ftesë për të marrë pjesë në një mbledhje që do të mbahej atë ditë në mjediset e Shkollës së Bashkuar. Mbledhjen e kishte thirrur “Komisioni Nismëtar për Rivendosjen e Monumenteve dhe Figurës së Enver Hoxhës”. Berisha dhe Ceka nënqeshën me emërtimin “Komision Nismëtar”, që ushtarakët e kishin zgjedhur me siguri si një imitim revanshist të emërtimit që kishte pasur forumi i parë drejtues i Partisë Demokratike. Por kur panë kërkesat që i bashkëngjiteshin ftesës, nuk nënqeshën më. Përmbajtja e tyre ishte shumë seriozë. “Komisioni Nismëtar” kishte zëvendësuar komandat e Shkollës se Bashkuar dhe Akademisë Ushtarake dhe nuk e njihte më autoritetin e Ministrit të Mbrojtjes, Kiço Mustaqi. Komisioni kërkonte dorëheqjen e Presidentit Ramiz Alia me motivacionin se nuk kishte urdhëruar mbrojtjen me armë të monumentit të Enver Hoxhës dhe rivendosjen provizorisht në sheshin “Skënderbej” të një statujë të Enverit që gjendej në hyrje të Shkollës së Bashkuar. Më tej, kërkohej që Komisioni të merrte në ruajtje RTSHnë, stacionin e trenit dhe ndërtesat qeveritare. Mbledhja do të bëhej pasdreke, rreth orës 16:00. Ishin ftuar të merrnin pjesë edhe përfaqësues të Komitetit Qendror të PPSH, të Ministrisë së Brendshme, asaj të Mbrojtjes, të Kryeministrisë, të Komitetit Shqiptar të Helsinkit…

    -Ky është një puç ushtarak,-tha Berisha.- Neritan, do të shkosh ti dhe t’ua thuash mendimin tonë.

    Neritan Ceka u nis nga selia e PD-së me makinën e Institutit të Arkeologjisë, të cilën e ngiste Agim Arapi. Mori me vete Agron Çikën dhe skicografin e Institutit, Pullumb Naipin, anëtar i PD-së. Rrugës, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, morën Abdi Baletën, që ishte angazhuar me Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Kishte marrë edhe Baleta një ftesë nga “Komisioni Nismëtar”.

    Te Shkolla e Bashkuar gjendja ishte ajo e një kuartieri që përgatitet për luftë. Mbi tarracat e ndërtesave rreth e rrotull ishin vendosur mitralozë të rëndë, ndërsa përpara tyre qëndronin në gatishmëri trupat e Brigadës së Kombinatit të Tekstileve dhe shkollës ushtarake dyvjeçare të Zall Herrit. Disa dhjetëra sambistë të repartit 326, të armatosur deri në dhëmbë, vigjilonin pranë hyrjes kryesore. Në oborrin e brendshëm të shkollës kadetë dhe ushtarakë të tjerë ishin grumbulluar para një tribune, ku mbaheshin fjalime histerike të shoqëruara herë pas here nga kënga e njohur “Enver Hoxha tungjatjeta/ sa këto male, sa këto shkrepa/ zanin shqipes lart ia ngjite/ gjithë këtë popull në drite e qite”.

    Të gjithë, folës dhe dëgjues ishin të armatosur me armët që kishin marrë nga depot e shkollës.

    Ceka, Baleta, Çika dhe Naipi u ngjitën në një sallë në katin e dytë ku do të mbahej mbledhja. Anëtarët e “komisionit nismëtar, njëri më agresiv se tjetri, ishin ulur rreth një tryeze. Neritan Ceka do rrëfente më vonë se anëtari më i ri atij komisioni, një “beks”, siç quheshin kadetët e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, ishte ulur pranë tij dhe po e vështronte kërcënueshëm.

    “Vëllain tim që është me ju, po më doli para, do ta vras”, i tha beksi.

    “Ku është vëllai yt dhe pse do ta vrasësh”? e pyeti Ceka.

    “Është student në Institutin e Arteve”, iu përgjigj tjetri. “A e shef këtë pallto”, vazhdoi, duke treguar kapotën e tij prej cohe të ashpër si gur smerili. “Këtë ma ka dhënë partia mua”! Për atë kapotë mejtonte të vriste vëllanë. Ishte një detaj kuptimplotë për të kuptuar atmosferën dhe shkallën e indoktrinimit dogmatik të nxënësve e studentëve atje.

    Mbledhja zgjati rreth dy orë. Folën anëtarët e Komisionit, përfaqësuesit e Komitetit Qendror, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme. Të gjithë kundër PD-së që po tregohej me gisht si shtriga e madhe. Neritan Ceka dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës në atë mbledhje e ndjenin shtrëngimin e rrezikshëm të rrethimit nga ana e ushtarakëve puçistë, që për momentin besonin se kishin marrë komandën e mund të bënin ligjin.

    “Kjo që po ndodh sot në Shkollën e Bashkuar, ka një emër dhe quhet puç ushtarak”, ua plasi pa hyrje-dalje Neritan Ceka. Dhe vazhdoi: “Për këtë do të mbani përgjegjësi ligjore, prandaj kërkoj të kthehen nxënësit dhe studentët nëpër fjetore dhe klasa, të dorëzohen menjëherë armët në depo, të rivendoset komanda e Shkollës dhe e Akademisë, t’i bindeni ligjit dhe Komandantit të Përgjithshëm. Përndryshe, do të shkoni në gjyq ushtarak!”. Nga jashtë vinte jehona e zhurmave kërcënuese të ecejakeve, ndërsa ushtarakët e Komisionit Nismëtar brenda ishin stepur nga fjalët e përfaqësuesit të Partisë Demokratike. E kishin thirrur për ta paralajmëruar dhe po paralajmëroheshin prej tij. Avdi Baleta u ngrit pas Cekës dhe argumentoi si jurist se veprimet e të ashtuquajturit Komision Nismëtar ishin të paligjshme dhe të rrezikshme.

    Të shtëna armësh në oborr dhe nga tarraca e Shkollës së Bashkuar pasuan fjalët e tij mu sikur dikush nga brenda mbledhjes të kishte arritur t’u njoftonte oficerëve jashtë qëndrimin e përfaqësuesve të opozitës. Këta vendosën të largoheshin pasi i kishin thënë të gjitha ato që duheshin thënë. Jashtë i priste një furgon i blinduar i Policisë. Po futeshin në furgon, kur disa sampistë të repartit 326 i panë dhe u sulën për t’i kapur. Oficeri i Policisë që shoqëronte Neritan Cekën tërhoqi derën dhe furgoni u nis nën goditjen e qytave të automatikëve. Porta e jashtme e shkollës u hap. Përmes plumbave që shtiheshin nga tarraca e shkollës kaloi në fillim makina e Institutit të Arkeologjisë, pastaj makina e blinduar e Policisë.

    Televizioni shtetëror lajmëroi në mbrëmje se një vajzë e re që po shihte televizor në apartamentin e saj ishte plagosur rëndë nga të shtënat kuturu të ushtarakëve. Plumbat e verbër do t’i merrnin jetën gjithashtu një polici nga Pogradeci, që po kalonte rastësisht në rrugën para kampusit të shkollave ushtarake.

    Ndërkohë, lajmi se në atë bunker fanatikësh po përgatitej një grusht ushtarak shteti dhe rivendosja e një statuje të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej” ishte përhapur në mbarë Tiranën. Qindra mijëra njerëz, burra dhe gra, të rinj e të moshuar dolën nga shtëpitë dhe vendosen në një rrethim civil të pashembullt kampusin e shkollave ushtarake, duke u ndërprerë ujin dhe energjinë elektrike të rrethuarve që i konsideronin “golpistë”. Por nuk u mjaftuan me kaq. Pati edhe plane e organizime për t’i sulmuar, por kjo nuk u pranua nga më të urtët e rrethuesve. Shumë shpejt u pa qartë se nuk ishte e nevojshme të shkohej me tutje. Rrethimi civil e kishte bërë punën e vet. Pjesa më e madhe e ushtarakëve ia kishin gjetur anën të iknin nga kampusi, ndërsa “beksat”, siç u tha atëherë, qanin nga frika.

    Të nesërmen rreth mesditës, në selinë e PD-së trokitën përsëri përfaqësuesit e “Komisionit Nismëtar”. Kësaj here ishin të trembur dhe kokulur. Kërkuan ndihmën e PD-së për të ndaluar sulmin e mundshëm dhe heqjen e rrethimit nga ana e qytetarëve. Berisha i dëgjoi me keqardhje dhe me një përqeshje të brendshme që nuk donte ta tregonte. Thirri sërish Neritan Cekën. “Shko dhe një herë, Neritan, dhe shiko si mund ta zgjidhim situatën”. Azem Hajdari që kishte qëlluar në zyrën e tij në atë moment, nuk ishte dakord. “Doktor, nuk mund të dërgosh në çdo rrezik Neritanin!”, i tha. Berisha i dha të drejtë. Ngarkoi Azemin, Arben Imamin dhe Leka Meksin të shkonin dhe të provonin heqjen e rrethimit qytetar të Shkollës së Bashkuar. Këta organizuan po atë ditë një miting me rrethuesit, të cilëve u bënë thirrje të ktheheshin në shtëpi duke qenë se rreziku i revanshit apo grushtit të shtetit me pikënisje nga Shkolla e Bashkuar kishte dështuar. Me këtë miting revolta e ushtarakëve enveristë brenda kampusit të tyre u shua. Por enveristët në pjesën tjetër të vendit ishin në kulmin e organizimit dhe përpjekjeve për të bërë diçka të padëgjuar. Shqipëria kishte hyrë në javën më të mjegullt, më të turbullt dhe më të rrezikshme të historisë së saj të dekadave të fundit, kur groteskun e anabasit enverist nga lufta civile i ndante një fije floku.

    Panorama
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  13. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Shkolla e Bashkuar: “Ramiz Alia të dorëhiqet, nuk mbrojti me armë shtatoren e Enverit”

    “Të marrim armët! Enverin do ta mbrojmë me…”- Nga urdhri për gjak, tek orientimi i turmës, Preç Zogaj kujton rrëzimin e monumentit të diktatorit: Pasi Alia dha lajmin, Nexhmija iku duke mbajtur lotët

    Emri:  pjimage26.jpg

Shikime: 840

Madhësia:  59.9 KB

    Në librin e tij “Fillimet”, shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj sjell dëshmi dhe ngjarje të viteve 1990-1992. Në pjesën e librit që po gazeta “Panorama” po boton sot, pjesën që tregon situatën e nxehtë politike kur për shkak të zvarritjeve të presidentit Ramiz Alia për të mos hequr emrin e Enver Hoxhës nga universiteti dhe institucionet e tjera, sindikatat, studentët dhe qytetarët e Tiranës vendosën t’i drejtohen sheshit Skënderbej.

    Edhe pse u ndaluan tek Liceu Artistik, turma e protestuesve arriti të shesh dhe mundi të rrëzonte monumentin e Enver Hoxhës. Interesante në libër janë debatet që bëheshin në një mbledhje të Komitetit Qendror të PPSH të thirrur nga Ramiz Alia gjatë kohës që turma sulmonte monumentin.

    Nuk mungojnë aty thirrjet e ish-presidentit Haxhi Lleshi për të marrë armët në mbrojtje të Enver Hoxhës, apo përdorimi i plumbave luftarakë nga policia.

    PREÇ ZOGAJ

    RRËZIMI I MONUMENTIT TË ENVER HOXHËS

    Të nesërmen, në datë 20 shkurt, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, një federatë e fuqishme antikomuniste, në krye të së cilës kishin spikatur Fiqiri Cibri nga miniera e Valiasit, ish-i burgosuri politik, Eqerem Kavaja, inxhinieri gjeolog Gezim Shima, Albert Xholi, Gëzim Kalaja, Valer Xheka e të tjerë, kishin thirrur një miting solidariteti me grevistët e urisë. Mijëra qytetarë të Tiranës filluan të mblidheshin qysh në orët e para të mëngjesit përpara kinoklubit të qytetit “Studenti”. Në një tribunë të improvizuar në ballkonin e konviktit përkarshi mori jetë një maratonë fjalimesh. Sindikalistë dhe qytetarë të ndryshëm ngjiteshin pa protokoll për të shprehur solidaritetin me grevistët.

    Një çast, kur u duk se nuk kishte mbetur gjë pa u thënë dhe mitingu po rrezikonte të binte në rutinë me fjalime të përsëritura dëgjohet nga tribuna zëri i kulluar i një gruaje që thirri: “Gra, motra, nëna! Të fillojmë zbritjen në bulevard nga ky moment”. Ishte artistja e mirënjohur, Rajmonda Bulku. Zhvendosja e epshme e turmës filloi përpara se aktorja e bukur të largohej nga tribuna, mu sikur të gjithë, gra dhe burra, të rinj e të reja, gjimnazistë dhe pensionistë, kishin qenë duke pritur atë thirrje që i ftonte të ndryshonin pa humbur kohë vendin e betejës, t’i dilnin ballëpërballë një kundërshtari të vjetër që e dinin mirë kush ishte dhe ku ishte, t’i jepnin pa humbur kohë betejën e shkruar në të gjitha llojet e profecive…

    * * *

    Ndërsa turma po zhvendosej tashmë drejt sheshit “Skënderbej”, disa nga anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe drejtues të tjerë të lartë të asaj partie po nxitonin në drejtimin e kundërt për të marrë pjesë në një mbledhje tjetër urgjente të thirrur nga Ramiz Alia. Ishte një si garë me kohën dhe epokën mes palës që po nxitonte ta mbante dhe palës që po përparonte ta hidhte Enver Hoxhën.

    Njeriu që kishte detyra ligjore për të përmbushur në atë orë të historisë ishte Hekuran Isai, ministri i Brendshëm. Ky ishte në siklet. Ramiz Alia e kishte lenë të drejtonte operacionin në terren, në darën e direktivave kundërthënëse. Në një anë i duhej të zbatonte dekretin për mbrojtjen e monumenteve. Nga ana tjetër nuk duhej të derdhte gjak. Ç‘duhej të bënte me tërë ata njerëz, ku secili e kishte të lehtë të hiqej sikur e kishte çuar apo zënë era në turmë dhe të gjithë shtynin njëri-tjetrin përpara drejt monumentit. Nga familja e tij, siç ka dëshmuar më vonë, e telefononin herë pas here duke i kërkuar më të lutura të mos lejonte vrasje njerëzish. Mëdyshjet i rëndonin si gurë në qafë: po të vriteshin njerëz do të dënohej nga historia. Po të lëshohej Enveri pa cak e pa bam mund të dënohej si tradhtar nga shokët e Byrosë Politike. Vetë dekreti për mbrojtjen e monumenteve kishte ekuivokë në lidhje me përdorimin e armëve të zjarrit.

    * * * Forcat speciale dhe disa njësi të gardës ishin pozicionuar në sheshin “Skënderbej” përpara se atje të mbërrinte pararoja e lumit të madh të njerëzve që ishin nisur nga qyteti “Studenti”. Grupi i rrugës së Kavajës ndaluan në pjesën jugperëndimore të sheshit në rrugën që ndante Bankën e Shtetit me monumentin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Një grup tjetër, ai i Saukut, që drejtohej nga Lulzim Braja, po shtynte përpara. Sakaq nga sheshi i “Ushtarit të Panjohur”, në pjesën veriore, u pa të mbërrinte lumi i madh i njerëzve që kishin ardhur nga rruga e Elbasanit. Pa drejtim, pa komandë, kjo turmë e stërmadhe bëri një ndalesë të shkurtër në shkallët e Pallatit të Kulturës si për të matur me sy shkallën e rrezikut në shesh. Pastaj zinxhiri i njerëzve rrëshqiti brinjazi në drejtim të hotel “Tirana”, si një varg rruazash që hapen e hapen e s’kanë të sosur. Erdhi një çast kur pararoja e këtij rreshtimi të vetvetishëm forcash zbriti në shesh duke vijuar lëvizjen në formën e krahëmarrjes në drejtim të Muzeut Kombëtar. Ngjante kjo hapje si një manovër e rrethimit të kujdesshëm të sheshit dhe platformës ku ishte vendosur statuja e Enver Hoxhës. Tutje, rruga e Durrësit dhe ajo e Kavajës prapa statujës po mbusheshin me njerëz që nuk kishin qenë në qytetin “Studenti”, por kishin ardhur e po vinin nga lagjet e pjesës perëndimore të qytetit. Praktikisht, rrethimi i sheshit ishte përmbyllur. Turma përparonte valëvalë me ndalesa dhe kthime, në vartësi të sulmeve që ndërmerrnin kundër saj forcat e Policisë dhe Gardës.

    Pasi dështuan në sprapsjen dhe shpërndarjen e turmës, duke përdorur makinat ujëhedhëse me presion, shkopinjtë e gomës, qentë e kufirit, plumbat plastikë, që dhanë një provë force me vërtitjen e tyre si brumbuj në shesh, forcat e Policisë, të sulmuara edhe me gurë nga disa prej demonstruesve, u rigrupuan dhe u pozicionuan në rrethin e ngushtuar të platformës në mes të së cilës ngrihej monumenti i Enverit.

    Ndjesia se do të luftohej e derdhej gjak përforcohej me zvogëlimin dramatik të distancës midis demonstruesve të pararojës dhe trupave policore në zonën e monumentit. Ishte parathënë me kohë, kishte mbërritur çasti dhe s’kthehej më. E donte një betejë, e meritonte një betejë rrëzimi i Enverit.

    * * *Beteja kishte zbritur në sheshin më të madh të Shqipërisë. Një anëtar i grupit të rrugës së Kavajës, Hysen Berberi, do të gjakosej në kokë nga një goditje me gur; flamurmbajtësi, Fatmir Merkoçi, do të plagosej me armë zjarri; një polic i thjeshtë do të plagosej me gur dhe do të dërgohej me urgjencë në Spitalin Ushtarak nga protestuesit Adrian Heta dhe Ingrit Sukaj, që kishin rrëmbyer një makinë IFA të braktisur në shesh. Por kasaphanë nuk do të kishte.

    Komiteti Qendror ishte mbledhur. Situata ishte kaotike, mbre-të-ronte një rrëmujë e pazakonshme për zakonet spartane të atij forumi.

    “Pesë anëtarë të Byrosë Politike ishin në këmbë, prapa tryezave të parregulluara të presidiumit”, do të kujtonte më vonë Marash Hajati, drejtor i Radiotelevizionit Shqiptar dhe anëtar i Komitetit Qendror. Mbledhja nisi me një fjalë të shkurtër të Ramiz Alisë.

    “Demonstruesit në fillim donin të vinin këtu në Komitetin Qendror e në Këshillin e Ministrave”, tha ai dhe vazhdoi: “Ju e kuptoni përse donin të vinin. Për të marrë pushtetin si në vendet e tjera. Meqenëse panë rezistencën e forcave ushtarake, janë drejtuar nga sheshi. Duan të heqin monumentin e Enver Hoxhës. Çfarë mendoni ju, si të veprojmë?”, pyeti.

    Heshtja rëndoi si plumb në sallën ku Enver Hoxha kishte lënë kujtimin e eliminimit të pamëshirshëm të shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

    Haxhi Lleshi, ish-Presidenti në pension, u ngrit me një hov më të madh se sa e lejonte mosha pleqëria. Priti pak sa mori njëfarë drejtqëndrimi dhe thirri:

    “Të marrim armët! Emrin e Enverit do ta mbrojmë me gjak. Nuk do të lejojmë që të dëmtohet monumenti i tij”. Thirrja e tij prej brigandi plak e ngriu edhe më tej atmosferën e mbledhjes. Disa nga anëtarët më të rinj të Komitetit Qendror shkëmbyen me njëri-tjetrin vështrime mosmiratuese. Nuk ishte e drejtë të lëshoheshin thirrje për luftë nga dikush që nuk ishte në gjendje të luftonte vetë. Por, replika i erdhi Haxhiut andej nga nuk e priste: nga moshatarët e tij Manush Myftiu dhe Rita Marko, që bënë thirrje për kujdes dhe evitim të gjakderdhjes. Thirrjes për mospërdorimin e armëve të zjarrit kundër demonstruesve iu bashkuan edhe ministri i ri Ismail Ahmeti dhe skulptori Muntaz Dhrami. Haxhi Lleshi i akuzoi si tradhtarë.

    Ndihmësi i Ramiz Alisë, Nexhmedin Dumani, solli për shefin e tij një copë letër që ia vuri mbi tavolinë. Ishte një njoftim nga ministri i Brendshëm Hekuran Isai. Alia e lexoi vetë, para se tua lexonte fjalë për fjalë gjithë të tjerëve:

    “E thyen mbrojtjen tonë, është rrethuar monumenti i shokut Enver dhe duan ta rrëzojnë. Presim përgjigje si të veprojmë”.

    “Të mbrohet!”, thirri i pari Alia duke lënë pusullën e porsalexuar në tryezë.

    Pasoi një heshtje varri, të cilën e theu e folura e mbytur e Kryeministrit Adil Çarçani:

    “Si erdhi partia deri këtu?”.

    Ish-Presidenti Haxhi Lleshi u përpush në karrigen ku ishte ulur sikur po grindej me pleqërinë që i kishte marrë anën.

    “Pse nuk qëllojnë me fishekë luftarakë?”, thirri me hidhërim.

    * * * Ishte çasti kur në ringun e ngushtuar të sheshit “Skënderbej” afër shtatores së Hoxhës disa duzina protestuesish, kryesisht të rinj, po sulmonin me gurë dhe copa mermeri Policinë që përpiqej t’i prapësonte. Në një moment dikush thirri me zë të lartë: “Mos u trembni, Policia ka fishekë manovre”. Kjo thirrje pati efektin e kushtrimit dhe çlirimit të turmës nga frika. Njeriu që e lëshoi humbi brenda vërshimit të fuqishëm të njerëzve përpara. Nuk u mor vesh kush qe dhe nuk doli kurrë të thoshte “isha unë”, siç dolën me radhë përgjatë viteve të mëvonshme të gjithë ata që kishin bërë diçka të pazakonshme për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Policia dhe Garda hoqën dorë nga rezistenca e mëtejshme, u tërhoqën. Sheshi “Skënderbej” ra i gjithi nën sundimin e turmës që u tre-katërfishua sa çel e mbyll sytë, disa policë dhe gardistë që nuk arritën të tërhiqeshin në mënyrë të rregullt me shokët e tyre mbeten të bllokuar mes civilëve. Tre-katër prej tyre, ushtarë të vitit të parë ndoshta, qanin nga frika. Njerëzit që u kalonin pranë u hidhnin ndonjë fjalë të mirë, por askush nuk kishte kohë për të humbur me ta, se kush dëshironte t’i afrohej sa më afër monumentit ku demonstruesit e pararojës kishin mbërritur tashmë dhe po ndërtonin si në ethe planin për ta rrëzuar. Nga rruga e Durrësit mbërritën dy djem të rinj me një rrotull litari prej lini. Sakaq Adrian Heta ishte kthyer nga spitali ushtarak bashkë me makinën IFA, të cilën e kishte ndaluar nga ana e pasme e monumentit.

    * * * Nexhmedin Dumani solli një pusullë tjetër, të cilën Alia, e lexoi si të mos i drejtohej atij:

    “Në piedestalin e shtatores ndjehen goditje. Monumenti po lidhet me kavo çeliku. Policia dhe ushtria mundohen me kot të afrohen, të shtënat me armë as që përfillen”.

    “Ç’të shtëna janë ato? thirri Haxhi Lleshi. “Të shtëna manovre?!”, shtoi me përbuzje dhe u nder në karrige si të kishte zbuluar komplotin më të madh të jetës së tij, të cilin nuk kishte fuqi dhe moshë ta ndalonte. Ai dhe gjithë të tjerët aty kishin arsye ta konsideronin të humbur davanë, sa kohë që protestuesit kishin kaluar përtej forcave të Policisë dhe ministri i Brendshëm i raportonte kryetarit të Shtetit si një informator i rëndomtë për tingujt që vinin nga goditja e shtatores, si të bëhej fjalë për një objekt të fshehur në qendër të tokës. Të shkonte mendja se Alia dhe Isai, po të mos ishin bykosur edhe vetë nga atavizmat shumëvjeçare, po talleshin me pleqtë e Byrosë Politike.

    * * * Në shesh, rreth monumentit të Enverit, përpjekja e parë për ta rrëzuar dështoi. Litari prej lini nuk mbante. Nën trysninë e sekondave dhe minutave që binin si gjyle, dikush solli një kavo nga makina IFA e ndaluar pak më tej. Një burrë i quajtur Astrit Hatellari u ngjit mbi supet e një qytetari dhe arriti ta lidhte kavon te parakrahu i dorës së majtë të shtatores. Filloi tërheqja. Një, dy, tre, katër, pesë… Shtatorja pesëmbëdhjetë metra e lartë u hapua pjerrtas nga e majta dhe ra në tokë si trung nën peshën e vet. Ishte ora 14:06. Një brohoritje e pagjasë u ngrit sakaq në gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e sheshit “Skënderbej”, deri tutje në shkallët e Pallatit të Kulturës dhe akoma më tutje në thellësi të rrugëve hyrëse në shesh, ku turma të reja njerëzish sikur kishin mbirë nga dheu bashkë me thirrjet e tyre të papërmbajtura që kishin tingëllimin e kujeve të vjetra.

    * * * Në Komitetin Qendror të Partisë, Ramiz Alia u ngrit nga karrigia me një sforcim të dukshëm për të mos u dukur i ligështuar dhe shkoi të fliste vetë në telefon me ministrin e Brendshëm. Ngjarja e re duhej të ishte e tillë që nuk mund të njoftohej me copa letrash.

    Ministri i Brendshëm raportoi nga zyra e tij:

    -E rrëzuan shoku Ramiz!

    Alia u gëlltit.

    – U rrëzua? Ja, po njoftoj shokët e Komitetit Qendror,- tha dhe e mbylli telefonin.

    Alia u dha të pranishmëve lajmin se monumenti i Enver Hoxhës ishte rrëzuar. Të gjithë sa ishin aty, instinktivisht, kthyen kokën në drejtim të Nexhmije Hoxhës, a thua se prej atij çasti i rrëzuari nuk ishte gjë tjetër veçse ish-burri i saj. E ulur diku në mes të kolonave të rënda, Nexhmije Hoxha u ngrit në këmbë, vuri çantën poshtë krahut dhe iku duke mbajtur lotët.

    *** Prej atij çasti, për shumë kohë, rrëzimi epik i monumentit të Enver Hoxhës do të trajtohej zyrtarisht si një vepër e njerëzve pa emër. Do të duhej të kalonin shtatëmbëdhjetë vjet që një pjesë e këtyre protagonistëve, Saimir Maloku, Haredin Fratari, Astrit Hatellari, Adrin Heta, Gjovalin Cokani, Albert Risilia, Lulzim Braja, Eqerem Kavaja, Gëzim Kalaja, Gani Lami, Jonuz Gjetani, Hygerta Borova, Linda Bezhani, Liljana Llapaj, Lindita Hamiti, Sanije Vojka dhe Vera Rada të nderoheshin me urdhra dhe tituj nderi nga Presidenti i pestë i Republikës, Bamir Topi. Pas shumë vitesh do të dekoroheshin gjithashtu operatorët Agim Buxheli, Bujar Kore dhe Fatmir Çepani, të cilët filmuan rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, si dhe fotoreporteri ATSH-së, Gani Xhengo.

    (“Fillimet” është një libër me dëshmi dhe ngjarje të viteve 1990-1992, botuar nga shtëpia botuese “UET PRESS” në vitin 2014)

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •