Close
Faqja 0 prej 206 FillimFillim 121050100 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2056
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    15-08-2002
    Postime
    31

    Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës

    Biografi e shkurtër

    Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë.

    Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.

    Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

    Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare.


    Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.

    Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.

    Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

    Autor i dhjetë librave (shih më poshtë), Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve "Bota e re" dhe në revistën shkencore "Dituria" (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut.

    Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

    Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

    LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera.

    Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

    Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

    LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.

    Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.

    Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.


    Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

    - Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

    - Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.

    - Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

    - Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).

    - Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë "Manuel Carrasco i Formiguera", në Barcelonë, Spanjë.

    - Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004. Bartës të mëhershëm të Çmimit të Evropës janë:

    - Mbreti i Spanjës Huan Karlos, - Helmut Kol, - Ronald Regan-i, - Oto fon Habsburg dhe - Emil Konstantinesku.

    - Në vitin 2004, Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it Lindja, i cili ishte për një vizitë lamtumirëse te Presidenti i Kosovës ditën e hënë më 16 shkurt 2004, ia dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, znj. Kethrinë Bejkër Noll (Catherine Baker Knoll).

    “...Në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, dua t'ju shpreh lavdatë për arritjet tuaja të jashtëzakonshme dhe t'ju falënderoj për miqësinë tuaj ndaj Shteteve të Bashkuara.” (znj. Kethrinë Bejkër Noll)

    - Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.

    "Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajon që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit".

    "Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t'i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet". (Z. Oto fon Habsburg)

    - Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 24-01-2013 më 14:15

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    273
    KUSH PO I SULET PIRAMIDËS SË RUGOVËS?

    [Shkruar nga: Nexhmedin Spahiu[/b]

    Këtyre ditëve kanë filluar gjyqet sërbe ndaj dhjetra të rinjëve shqiptarë nga Kosova nën akuzën se janë pjesëtarë të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Disa ditë më parë në zemër të Kosovës, në Skënderaj, qendër e krahinës së Drenicës, u plagosën dy policë sërbë. Përgjegjësinë për këtë akt e mori Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Po këtyre ditëve doli proklamata e UÇK-së lokale të Prishtinës me anën e të cilës ata "pushojnë" hiç më pak as më shumë se veprimtarinë e LDK-së dhe gjithë partive tjera shqiptare në Kosovë dhe kërkojnë nga popullata e Kosovës që trepërqindëshin të mos e hedhin në llogaritë e Rugovës dhe Bukoshit, por në llogarinë e tyre, si e vetmja forcë liridashëse dhe liriprurëse e Kosovës. Me fjalë tjera, tani e tutje Rugova dhe e gjithë klasa politike kosovare që drejtohet nga ai, u shpallën tradhtarë.
    Pse ndodh kështu? Në fakt, kur filloi të rrokullisej gjeopolitika e Ballkanit, Perëndimi ishte i interesuar që këto procese të mos dilnin jashtë kontrollit. Promotorë të kësaj rrokullisjeje ishin sërbët dhe sllovenët. Sllovenët, si populli më i qytetruar dhe më perëndimor ndër gjithë ish vendet komuniste, në mënyrën më të përsosur shpallën dhe realizuan aspiratën e tyre për pavarësi, demokraci dhe Evropë. Në anën tjetër, sërbët, të cilët me shumë sakrifica krijuan miniperandorinë ballkanike të quajtur Jugosllavi, reaguan për ta mbrojtur atë. Kjo ishte nisma e këtij procesi. Derisa po zhvillohej ky konflikt, Perëndimi e në radhë të parë SHBA-të, ishin të interesuar që t'i mbanin të fjetur të tjerët. Natyrisht, Tugjmani e më pastaj Izetbegoviqi, u zgjuan kur u erdhi radha. Fati i gjeografisë së drejtimit të këtyre proceseve deshi që Kosova të priste më gjatë radhën e saj. Në këtë sens u zhvillua piramida politike e Rugovës.

    Deri në Dhjetor 1989, kur edhe u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, Rugova bashkë me Zekiria Canën, konsiderohej njëri ndër intelektualët më të fortë, më liberalë dhe më të guximshëm të Kosovës. Këtë autoritet ai e gëzonte vetëm brenda qarqeve intelektuale. Në publik ai ishte pothuaj i panjohur. Ajo që e bëri të njohur ishte deklarata e tij, tejet e guximshme për kohën, për gazetën gjermane "Der Shpigel", se nëse Perëndimi nuk do të ketë mirëkuptim për kërkesat tona, atëherë ne do t'i drejtohemi për ndihmë Shqipërisë. Ishin këto fjalët më heretike që opinioni i atëhershëm kosovar pati rastin t'i dëgjojë nga goja e një intelektuali. Në fakt, biografia e Rugovës ishte shumë tipike për intelektualët kosovarë. Babai dhe gjyshi të vrarë nga partizanët, i shkolluar me shumë mundime, anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, pakëz i indoktrinuar nga titizmi e pak më shumë nga enverizmi, e megjithatë i brumosur me patriotizëm tradicional. Ky pra ishte Ibrahim Rugova.

    Hyrja e bujshme e Rugovës në politikë u shoqërua dhe u kondicionua me gjeopolitikën e Perëndimit në Ballkan. Ata që bën që Rugova të humbiste sensin për realitetin, ishin pikërisht amerikanët, duke i dhënë një vend më të madh nga ai që i përkiste në atë kohë. Pikërisht vajtja e tij në Amerikë dhe pritja spektakolare që i bën amerikanët duke i siguruar një ekskortë më dinjitoze se ministrit të jashtëm sovjetik të atëhershëm, Shevarnadze, ishte ajo që ngriti piramidën politike të Rugovës. Që këtu Rugova filloi të jepte premtime pa mbulesë. Ai ofronte zgjidhjen më joshëse: "Kini durim se me ndihmën e Perëndimit dhe, në radhë të parë të SHBA-ve, çdo gjë do të bëhet mirë". Para këtij opcioni, opozita reale e tij nuk kishte asnjë shansë. Opozita e vërtetë e Rugovës ishte në pozitën e një banke serioze (që ofron kamatë 4-5 % në vit), përballë firmave dhe fondacioneve mashtruese piramidale që ofronin kamata 25 % në muaj. Partitë politike që u krijuan para dhe pas kësaj ngjarjeje, detyrimisht u bën satelitë të tij. Në fakt, Rugova qysh në fillim e ndjente nevojën e opozitës, e sidomos asaj me prirje radikale, madje i ftonte ata që nuk pajtoheshin me të që t'i bëheshin opozitë, por nuk e kuptonte se me premtimet e tij pa mbulesë, po ia zinte frymën asaj. Autori i këtyre rreshtave në një artikull të datës 20.12.1990 të botuar në revistën "Republika", ka shkruar se opozita e vërtetë e Rugovës mund të lind vetëm duke shkruar me grafite nëpër mure: LDK - parti tradhtare. Në fakt u deshën 7 vite që kjo gjë të ndodhte.

    Në ndërkohë, dy ishin përpjekjet kryesore për t'i zënë karriken Rugovës, përpjekje këto që nuk kishin të bënin aspak me ndryshim thelbësor të kursit politik, por vetëm me lëvizje të brendëshme karrikesh të motivuara për synime karriere politike.

    E para qe ajo e vitit 1990, kur me arsyetimin se Perëndimi do të kishte më tepër simpati për Kosovën, në rast se ajo do të udhëhiqej nga një shqiptar katolik, u bënë përpjekjet që Rugova të zëvendësohej nga prifti katolik, dr. Dom Lush Gjergji. Rugova nuk u dorëzua thjesht duke e injoruar këtë përpjekje.

    Përpjekja e dytë qe ajo e vitit 1996, kur Berisha u përpoq ta zëvendësonte Rugovën me Demaçin. Kjo përpjekje dështoi për shkakun se Berisha e kishte humbur autoritetin e vet në Kosovë, qysh një vit më parë, duke e zbutur kërkesën e tij për Kosovën nga pavarësia në autonomi, si dhe për faktin se, në kohën kur po përkrahte Demaçin, përkrahte edhe Vuk Drashkoviqin, çka për kosovarët bëhej edhe më i dyshimtë në qëllimet e tij.

    Orvatja e tretë anti-Rugovë, që, si duket, ka të bëjë jo vetëm me karriken e tij, por edhe me kursin e tij politik, është ajo e përfaqësuesit të Zyrës Amerikane në Kosovë, McCllellen, i cili kohëve të fundit, nëpër zyrat e Bashkësisë Islame të Kosovës, po u thotë hoxhallarëve se Rugova po gënjen dhe se është i pafe, pasi ka deklaruar në shtypin francez se është vetëm formalisht musliman.

    Në fakt, gabimi kryesor aktual i Rugovës duhet të jetë shtyrja e zgjedhjeve. Deklaratat e zyrëtarëve amerikanë ishin se janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve shqiptare në Kosovë. Ata thanë se kishin qenë edhe kundër zgjedhjeve të para, por në fund të fundit për këtë gjë le të vendosnin vetë shqiptarët e Kosovës. Shumëkush në Kosovë këtë mesazh e kuptoi si shenjë: po jua mbajti mbani zgjedhjet ashtu si i keni mbajtur edhe herën e parë. Kështu nuk e kuptoi apo nuk deshi ta kuptojë Rugova. Ai i shtyu zgjedhjet për Dhjetor duke u thirrur pikërisht në këshillat amerikane. Rugova sikur harroi se ishin pikërisht zgjedhjet 1992-shit ato që i dhanë autoritet atij që të takohej me burrashtetas që nga Demireli, Mocku, Kinkeli e deri të Christoferi, Al Gore e Clintoni. Shtyrja e zgjedhjeve, duke nënkuptuar këtu vështirësitë dhe rreziqet që ato mbartin për situatën aktuale në rajon, i bëri të huajt të mendojnë se Rugova po hamendet në rrugën e nisur për pavarësi dhe se është më tepër i interesuar për një shoqëri kosovare klandestine, se sa për një shoqëri me institucione. Po e njëjta gjë po ndodh në opinionin e brendshëm. Fatëkeqësia më e madhe në këtë drejtim është se asnjëri, me sadopak autoritet, nuk po merr guximin ta sfidojë Rugovën për postin e Presidentit. Të gjithë ata që e kritikojnë Rugovën mbesin vetëm deri te kritika. Ndërsa, ata që po e sfidojnë Rugovën, po e fshehin identitetin e vet pas emrave buçitës të çlirimtarëve. Këta të fundit, po e përdorin me sukses argumentin: "kur nuk bëhen zgjedhjet, atëherë legjitimiteti del nga gryka e pushkës."

    Kush janë çlirimtarët e Kosovës?

    Ishin pikërisht mediat perëndimore (BBC, The Washington Times, etj.), ato që u dhanë publicitet organizatave të fshehta në Kosovë. Në fillim dyshohej nëse këto organizata të fshehta ekzistonin vërtetë apo ishin fiktive. Prononcimi i parë i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës u bë përmes një interviste të Sejdi Veselit, zëdhënës i kësaj organizate, në gazetën "Koha Jonë" në Tiranë, në korrik të vitit 1995 . Prononcimi i organizatës tjetër, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë përmes një marrjeje përgjegjësie për një akt të kryer dhe shpalljes së aleancës me Lëvizjen Popullore të Kosovës, që është organizatë e enveristëve kosovarë në Zvicër.

    Që në paraqitjet e para, kishte një dallim në qasjet e shqiptarëve ndaj këtyre dy organizatave. Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, edhe pse ishte kundër politikës pacifiste, nuk mori përsipër asnjë akt dhune.

    Për aktet e organizatës tjetër fillimisht mendohej se janë vepër direkte e UDB-së. Dyshimin e shtonin akoma më tepër vetë aktet e tyre. Në fakt, ata vrisnin më shumë shqiptarë se sa sërbë. Viktimat ishin, kryesisht, njerëz pa peshë politike: hallexhinj shqiptarë që detyroheshin të bashkëpunonin më sërbët nga gjendja e rëndë ekonomike dhe dobësia e karakterit të tyre, si dhe policë sërbë. Në fakt veprimi i parë me peshë politike, atentati ndaj rektorit sërb, Radivoje Papoviq, hasi në reagimin e rreptë sërb, me burgosjen e dhjetra të rinjëve shqiptarë nën akuzën se janë anëtarë të organizatave të lartpërmendura.

    Një pjesë e madhe e popullatës në Kosovë dyshonin dhe ende dyshojnë se mos vrasja "kuislingëve shqiptarë" është një përgaditje e terrenit për likuidimet që mendon t'i bëjë vetë UDB-ja në të ardhmen. Natyrisht, UDB-ja ka mundësi që për secilin shqiptar të përhapë opinione se gjoja është bashkëpunëtor sërb e më pas ta vrasë e ta vajtojë, dhe për këtë të thotë se e kanë bërë organizatat e fshehta shqiptare. Deri ku mund të zgjasin këto lojëra varet shumë edhe nga serioziteti i këtyre organizatave. Duke qenë se nuk dihet se kush i udhëheqë dhe cilët janë anëtarët e këtyre organizatave, është shumë e vështirë të flitet se çfarë peshe dhe orientimesh politike përfaqësojnë ata.

    Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës ka organin e saj "Çlirimi", ku bëhet kujdes që, pos atdhetarizmit, të mos zbulohet asnjë orientim tjetër politik i saj. Kjo ka të ngjarë që bëhet me qëllim që njerëzit të mos largohen prej saj për shkak të bindjeve të ndryshme politike. Kështu është vepruar në lëvizjet partizane në Jugosllavi, e deri diku edhe në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore. E vetmja shenjë dalluese është fakti se në organin "Çlirimi" përdoret paksa shpesh fjala popull si nocion leninist. Kjo gjë të le të mendosh se orientimet e tyre janë të majta. Kjo organizatë është deklaruar botërisht kundër Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Cili do të jetë identiteti i saj fizik dhe politik mbetet të shihet nga veprimet e saj në të ardhmen.

    Në anën tjetër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përmes motos së saj: "Për ZOTIN dhe për KOSOVËN", të bën të kuptosh se fjala është për njerëz me orientime politike të djathta (sepse marksistët e leninistët nuk kanë ZOT), por bashkëpunimi i tyre me Lëvizjen Popullore të Kosovës (organizatë e njohur, përmes organit të saj "Zëri i Kosovës", si enveriste dhe e vetmja organizatë kosovare që përkrahë rebelimin e armatosur në Jug të Shqipërisë), nuk të lë prap të paragjykosh. Sidoqoftë, bashkëpunimi me LPK-në mund të jetë edhe për shkak të orientimit të përbashkët jopacifist, por është e zorshme të besohet se enveristët përkrahin dikënd që nuk është i llojit të tyre, të paktën jo në mënyrë të sinqertë.


    --------------------------------------------------------------------------------
    "Klan", Tiranë, 25.05.1997
    "Koha e Re", Tiranë, 06.06.1997
    "Republika", Lubjanë, Qershor 1997


    Durimi është më e madhja trimëri.


  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    273
    PAFUQIA E TË SHPREHURIT TONË - FISHEKZJARRE TË MILOSHEVICIT

    Shkruar nga: François Mastrangela

    Edhe po të krijohet përshtypja se Milosheviçi është „harruar politikisht“, efektet helmatisëse të ndërmarrjes së tij vazhdojnë edhe më tutje të përhapen. Origjinën e fishekzjarreve të përpunuara nga Milosheviqi e shoh në pafuqinë e të shprehurit tonë, veçmas po të shihet ngarendja për shkrime në akull. Kjo mënyrë shkrimi mëson se, përdorimi i athët i ideve, në mënyrë të veçantë pëlhurëzon pandërprerë fëtyrën e shtetit; ajo ndërlidhë në vazhdimësi dinjitetin e pafund të personit me konfliktin e pashmangshëm që i përqanë. A është e pamundëshme të vendoset thelbi i Ligjit, që pasohet nga përftimet e politikës!

    Nëse unë ia mveshi Miloshevicit se e ka krijuar UCK-në si përfaqësuese të qëndrimit të tij mohues në Kosovë, më duhet që, logjikisht, t’i shikoj si fatale partitë „politike“ që e pasojnë. Në gjiun e Parlamentit të ri kosovar (me kompetenca simbolike!) krimbi politko-mafaioz përpiqet me ngulm, duke mos synuar asgjë tjetër, të vendoset rehatshëm e përgjithmonë në mishin e butë të frytit institucional që po piqet; është kohë e kalkulimeve të ndyta dhe mashtrimeve qytetare. Për t’i bërë benë kësaj mënxyre, a s’do të ishte absurd që t’a quanim vetëm Milosheviqin industrialist dinak ? Poashtu, në shpalosje të këtyre faqeve, do të shohim të dali në pah, për më tepër, një adresë tjetër: është vet Ibrahim Rugova të cilit i drejtohem. Por, shtrëngohem të rrëfehem pikllueshëm se, deri më tashti, përgjigja e tij më bëhet se mungon kafshueshëm.

    I paisur me një bagazh universitar në gjuhësi, shpikës i një strategjie të matur që daton prej viteve të zeza, i pasur me një konsideratë ndërkombëtare, me një fjalë - Ibrahim Rugova, a nuk e kishte, pikërisht ai, vokacionin e zhbërjes së dredhisë së Milosheviçit? A s’do të duhej që ai, i pari, të denonconte mashtrimin qytetar që së shpejti do të krijonte mullëzën e qelbur? Tashti kur të korruptuarit e UCK-së kanë lëmuar vetitë e tyre, tashti kur kanë mësuar të sakrifikojnë kodet e shenjta të Komunikimit, nuk lejohet që edhe më tutje të përtypet avazi i njëjtë i „dialogut“ i „tolerancës“, i „koncensusit“, apo edhe për më shumë:- të predikot pa të drejtë fashitja: kjo fjalë e ndjeshme tashmë është bërë cfilitëse, poshtëruese. Pas vrasjes së miqve politikë nga më të sigurtët e më të saktët të Ibrahim Rugovës, recitimi i ngushtë i formulave të përshpirtshme, që sot e tutje, mbështjellin në turp dhe padenjësi; shërbimi ndaj së vërtetës është një detyrë e rëndë. A s’do të ishte e domosdoshme që më shumë të karakterizohet e vlerësohet se sa të varroset sakrifica e Enver Malokut, ajo e Fehmi Aganit, e Shaban Manajt, apo e Xhemajl Mustafës?- e shumë të tjerëve që ranë në rrethana të pandriçuara. I ngatërruar në petkun prestigjioz të „Presidentit historik“, Zotëri Rugova a i ka edhe më tutje duart e lira që të kryesoj jetëfatin e vendit të vet? Apo s’është bërë lodër e një faune të dyshimtë? E, batërdisja mafioze - a nuk i ka kapur tashmë sferat e larta të LDK-së? Konstatimi i këtillë, pa pikë dyshimi, do të kundërshtonte vartësinë e përzishme: për spastruesit e së djeshmes, për kriminelët e veshur në petk festiv tashmë do të ishte më me leverdi që në personin e Ibrahim Rugovës, më parë të shihnin një simbol për shpërdorim, se sa një „tradhtar“ për t’a likuiduar...

    Më 15 qershor 1999, në Bernë u prita nga Ibrahim Rugova. Për katër orë (e ndryshe nga ç’pritej, ç’kënaqësi!) pata privilegjin e shquar që, në praninë e të shquarve të LDK-së, të bisedoj plot kënaqësi me të,. A do të ishte e vlerëshme që nga veçantitë e popujve të nxirrej një parim modern vetjakimi? Projekti politik i Ibrahim Rugovës a ishte për të nxjerrur mësime e rregulla të traditës së një “gramatike fillestare“ përshtatur ushtrimit demokratik? Një luftë civile e intensitetit të ultë, megjithatë, a mos nuk e brente mbyturazi bashkësinë shqipfolëse? Garantimi perëndimor pas zgjedhjeve formalisht demokratike, a s’do të ndrynte zemërgursisht shërbyeshmërinë e principit institucional të Kosovës? A s’do t’a ndalonte deri në ****ëtim nga një Europë vërtetësisht politike?

    Fjalëmbrojtja ime për një Kosovë të pavarur përbën shtrirjen e lirë të këtij diskutimi.
    Diskutimi nuk është mbyllur, e është pikësynimi ai të cilit s’pranoj që t’i caktoj një afat, por, për aq sa dëshiroj të besoj se lojërat që po vijëzohen, mundësojnë për të apostrofuar ndërhyrës tjerë të mundshëm. Më pëlqen të paramendoj se kontributi i tyre do t’i përqaset interesit, gjë që mungon në shikim tim të gjërave! Poashtu, a i është lënë taktit të tyre dyfarësh për t’u paraqitur: përdorim i një letre të lirë elektronike, apo mbështetës formulari të fatit. Në këtë kuptim, unë rezervoj kënaqësinë që të publikoj, bashkëngjitur me tekstin tim, ato reagime që do të më duken më të plleshme- vizita e rregullt e kutisë sime të letërkëmbimit do të më bëjë me dije, së paku, në banoj apo jo në një shkretëtirë!
    Ndryshuar për herë të fundit nga kosovar : 03-09-2002 më 22:43


    Durimi është më e madhja trimëri.


  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    273

    Rugova shkrimtar

    VEPRA E BOGDANIT" E RUGOVËS - MONUMENT I REBELIMIT INTELEKTUAL

    Ambicja e këtij shkrimi nuk është ta analizojë veprën e Pjetër Bogdanit e as studimin që i bëri dr.Ibrahim Rugova kësaj vepre madhështore. Ambicie e këtij shkrimi është që nga një kënd i caktuar ta paraqesë rolin dhe rëndësinë e këtij studimi, që paraqet nismën e një etape të re të mendimit intelektual shqiptar.

    --------------------------------------------------------------------------------

    Vjeshtë 1984. Në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Prishtinë formohej grupi letrar. Për emër të grupit u dha propozimi për emrin e Pjetër Bogdanit. Këtë emër nuk e mbante asnjë grup letrar, shoqatë, shkollë, institucion shkencor, rrugë, lagje, monument, fshat, qytet, etj., dhe prapëseprapë ky ishte propozimi më i kundërshtuar në mesin e dhjetëra propozimeve të tjera. Disi menjëherë u formua koalicioni "antibogdanian". U harruan propozimet dhe grindjet e mëparshme, duke kundërshtuar me ngulm emrin e Pjetër Bogdanit. Shumica e studentëve mendonin se Pjetër Bogdani ishte sërb, një pjesë kundërshtonin duke thënë se Bogdani s'kishte shkruar asgjë, duke qenë një prift i thjeshtë, derisa pjesa tjetër e studentëve mbronte tezën se nuk mund të bëhemi më të mençurit në botë dhe ta pagëzonin grupin letrar me një emër që nuk e ka asnjë institucion. Me vetë faktin që ky emër u kundërshtua më së shumti i la në hije propozimet e tjera dhe kështu faktikisht pa dashjen e shumicës së të pranishmëve çështja u shndërrua vetëm në një dilemë: për ose kundër emrit të Pjetër Bogdanit. Më në fund propozuesi përdori bllofin: "Propozimi ka ardhur nga lart". Studentët heshtazi pranuan këtë emër "të padëshiruar" për grupin e tyre letrar. Por, puna nuk përfundoi me kaq. Me të kuptuar se propozimi nuk na qenkësh "nga lart", rifilluan tentimet për heqjen e këtij emri. Të hiqej emri i Pjetër Bogdanit! Për të riun që kishte lexuar veprat e shkrimtarëve shqiptarë prej Barletit e deri te librat e parë të shkrimtarëve të rinj dhe shkrimtarëve të huaj prej Homerit e deri te Markesi, kjo ishte njësoj sikur të zhvarrosej një njeri të cilit nuk i kishte mbetur gjë tjetër përveçse emrit. Dhe vërtet, në hapësirën tepër të vogël që Dhimitër Shuteriqi kishte rezervuar për Pjetër Bogdanin në Historinë e Letërsisë Shqipe nuk kishte vend as për varrin e veprës së tij. Tani përgatitej zhvarrimi i sërishëm i Bogdanit, pagëzimi me emër tjetër i grupit të vetëm letrar që e mbante emrin e tij. Më në fund, pas disa muajsh përhapje thashethemesh, kërkim arsyesh pse dhe si erdhi ky emër, erdhi edhe zgjidhja përfundimtare për eliminimin e emrit të Bogdanit; u gjet emri me të cilin ai duhej të zëvendësohej. Mirëpo, në këtë kohë, vitrinat e librarive të Prishtinës filluan të shkëlqenin nga libri i posadalur nga shtypi: Ibrahim Rugova - vepra e Bogdanit 1675-1685. Në një libër dy emra provokativë! Bogdani dhe Rugova! Pjetër Bogdani diktonte një misteriozitet që s'kishte se si të shpjegohej. Ky misteriozitet reflektohej diku nga të çarat e kohës që në të njëjtën hapësirë e bënin gjithnjë e më të kuptimtë. Ibrahim Rugova provokonte në radhë të parë ngaqë dallohej nga kritikët e tjerë letrarë shqiptarë: Derisa më 1980 në parathënien e kompletit të veprave të Kadaresë vërente se "Kadare shkruan pa kurrfarë kompleksi inferioriteti apo të urrejtjes ndaj rezultateve poetike e artistike që njihen me teorinë e krijimit dhe të eksplikimit dhe del fitues në çdo teori dhe përvojë artistike, sepse disponon autonominë e vet krijuese", te Rugova vërehej një mospërfillje e normave të standartizuara me skemat e deriatëhershme të studimit letrar në shqip. Dhe tani ende pa u shpaluar libri, mbresat për Bogdanin dhe Rugovën shtoheshin paralelisht. Në mbledhjen që ishte caktuar për t'u ripagëzuar grupi letrar i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore të Prishtinës, shumë studentë erdhën me librin për Bogdanin nën sqetull. Emri nuk u hoq. Ai mbeti sinonim për mbrëmjet letrare në Universitetin e Prishtinës, ku morën pjesë dhjetëra-mijëra studentë dhe jo vetëm studentë.

    --------------------------------------------------------------------------------

    Ky ishte rrëfimi për librin e Rugovës para 5 vjetësh. Tani, më 1990, ky libër shihet në një dritë me të fortë dhe më të shumanshme. Ështe e qartë pse është lënë aq pak hapësirë për Buzukun, Budin, Bogdanin në "historinë" e Shuteriqit. Është e qartë pse asnjë shkollë, rrugë a lagje nuk është pagëzuar me ndonjërin prej këtyre emrave. Nga tekstet shkollore, shtypi, RTV mbetej të nënkuptohej se socializmi distancohet nga ato personalitete historike "që nuk kanë pasur bindje të shëndosha politike, por vlerat e tyre artistike, kulturore, historike, etj., nuk ua mohon. As që mund të merrej me mend se socializmi ishte akullnajë që mbulonte çdo gjë me të bardhë, që provonte ta linte në mëshirën e harresës dhe të injorancës çdo gjë me çka mund të kacafytej. Për kulturën socialiste dhe për Bogdanin së bashku, hapësira ishte e pamjaftueshme.Bogdani ishte i mbuluar nga akullnaja, i kishte mbetur vetëm emri. (Me gjasë Bogdani do të përjashtohej tërësisht sikur të mos ekzistonte interesi i studimit gjuhësor. Aspekti letrar, pedagogjik, filozofik, ishin të përjashtuar me një arsye të thjeshtë injorance. Nuk mund të pranohej se një prift ka udhëhequr rezistencën kombëtare. Filozofia e një prifti, etj.).
    Ja, pra, pse Bogdanit i kishte mbetur vetëm emri në "historinë" e Shuteriqit. Thjesht, nën kushtet e diktatit të "partisë" nuk ishte e preferueshme që ndokush t'i afrohej Bogdanit, Budit, Buzukut, etj.. Kjo hata e katandisur në Tiranë, në emër të "patriotizmit", u bart edhe në Prishtinë. Këtu hataja ishte e dyfishtë dhe pikëtisht këtu, hiq shkrimet modeste për shkrimtarët e përmendur, u bë shkëputja e parë e një hallke të rëndësishme të prangave mbi kulturën shqiptare. Botimi i librit të Rugovës "Vepra e Bogdanit" (1675-1685), qe guri themeltar i nismës së një mendimi të ri intelektual shqiptar që nxiti procese vargore, deri te mendimi i ri politik shqiptar. Botimi i kësaj vepre dinjitoze prej një kritiku letrar serioz, me origjinalitet dhe autonomi të theksuar, me korrektësi maksimale, pa hyrë në ujërat e injorimit, por edhe pa prekur në vorbullën e romantizmit nacional, u bë provokim i kohës për intelegjencinë e re shqiptare. Kësisoj, shfrytëzimi i potencialeve kulturore të fshehura nën akullnajën e socializmit, u bë domosdoshmëri e kohës. Ndodhi ajo që në 300-vjetorin e vdekjes së Bogdanit, në solemnitetet letrare të organizuara nga studentët, të marrin pjesë edhe punëtorë e fshatarë të ardhur enkas nga të gjitha viset e Kosovës. Ndodhi ajo që edhe muslimanët, edhe ateistët, të vinin në Kishën Katolike për të nderuar Bogdanin e Madh. Ndodhi, pra, lindja e mendimit të ri intelektual, i cili implikoi mendimin e ri politik dhe, ky i fundit, veprimin politik. Për veprën e Bogdanit, Rugova thotë: "Vepra e Bogdanit është Monument Letrar".

    Po rezervohem të them se libri i Rugovës, "Vepra e Bogdanit", është monument i studimit letrar në shqip, për të thënë se ky libër është Monument i Rebelimit Intelektual.


    --------------------------------------------------------------------------------
    "Fjala", Prishtinë 06.02.1991
    "RD", Tiranë, Korrik 1991
    "Koha e Re", Tiranë, Dhjetor 1996
    "Flaka", Shkup
    "Republika", Tiranë, 29.12.


    Durimi është më e madhja trimëri.


  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    FJALIMI BRILANT i RUGOVES me rastin e 11 Shtatorit.
    ------------

    -----------
    Fjala e Presidentit Rugova e mbajtur në Mbrëmjen përkujtimore në Prishtinë kushtuar viktimave të 11 shtatorit në SHBA


    --------------------------------------------------------------------------------

    Prishtinë, 12 shtator 2002 (QIK) - Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, mbrëmë në Pallatin e Rinisë dhe Sportve në Prishtinë foli në Mbrëmjen përkujtimore kushtuar viktimave të 11 shtatorit në SHBA. Në vazhdim po japim në tërësi fjalën e Presidentit.

    Ju falënderoj për ftesën që më keni bërë të jemi së bashku në këtë Mbrëmje përkujtimore në njëvjetorin e 11 shtatorit 2001, të përkujtojmë të keqen që u bë mbi kullat e bukura binjake të Nju Jorkut dhe mbi ndërtesën e Pentagonit, mbi njerëzit e mirë të vendit Tuaj. Kjo ishte ngjarje që tronditi gjithë botën e qytetëruar dhe qytetarët e vendit tim.

    Që në fillim dëshirojmë të themi në këtë njëvjetor se 11 shtatori 2001 ishte shpërthim, sulm i të keqes dhe sot mund të themi se 11 shtatori 2002, i gjithë ky vit është fitore e të mirës mbi të keqen. SHBA dhe bota e qytetëruar kanë dalë më të forta, më të fuqishme.
    Presidenti I. Rugova



    Më 10 shtator nga Prishtina via Vjenë udhëtoja për një vizitë në Kanada. Gjatë gjithë udhëtimit, sidomos mbi Atlantik, më dukej se kishte më shumë turbulenca se sa herave të tjera. Posa zbritëm në Toronto, duke u përshëndetur me mikpritësit kanadezë dhe duke pritur për t'u nisur për Otava, në bisedë e sipër u thashë se udhëtuam mirë, por më dukej se sot patëm shumë turbulenca mbi Atlantik. Ishte bisedë rasti dhe nuk dëshiroja ta bëja këtë sugjestion.

    Të nesërmen më 11 shtator u zgjova herët në mëngjes, ndërsa përgatitesha për ditën e punës, bashkëpunëtorët e mi hynë shpejt në dhomë e më thanë ta ndezë televizorin. E bëra këtë, më dukej se ishte CNN apo Fox News, dhe pashë tmerrin mbi kullat binjake. Nuk u besoja syve. Po pastaj fillova të kthjellëm se ishte bërë një terror dhe horror i madh.

    Atë ditë u pajtuam me miqtë kanadezë të mos punojmë në shenjë solidarizimi. I bëra një telegram ngushëllimi Presidentit Bush. Të gjithë ishim të prekur. Të nesërmen u njoftova se i gjithë populli i Kosovës ishte prekur nga këto ngjarje tragjike dhe kishte shprehur solidaritetin dhe miqësinë me SHBA.

    Pas disa ditësh qëndrimi u ktheva me avionët e parë për Evropë. Në sytë e udhëtarëve në aeroporte vërehej brengosja po edhe dëshira, aspirimi për të mirën. Posa u ktheva në Prishtinë i bëra një vizitë Zyrës – Ambasadës amerikane dhe u nënshkrova në librin e zisë.

    Kështu e përjetova 11 shtatorin, këtë ditë të prekjes e të solidaritetit të njeriut me njeriun.

    Pas këtyre refleksioneve, themi se 11 shtatori 2002 është fitore e SHBA dhe e aleatëve si dhe e botës së qytetëruar, botës liridashëse mbi të keqen. Është një vetëdijësim i përgjithshëm mbi pasojat e të keqes, terrorit, horrorit, të terrorizmit, si e keqe globale.

    Njeriu dhe njerëzimi gjithmonë ka qenë dhe ka vepruar kundër së keqes, i vetëdijshëm se ajo mund të arrijë. Gjithmonë ka ndërtuar e aspiruar të mirën. Me filozofinë e të mirës e ka kundërshtuar filozofinë e të keqes, edhe në planin praktik e shpirtëror.

    Presidenti Bush me të drejtë, me forcën e dhembjes dhe të krenarisë e të arsyes për të mirën, terrorizmin e quan të keqe të kohës tonë që duhet t'i kundërvihemi. Vërtet kjo është një e keqe e kohës sonë, si pasojë e luftës së ftohtë, kur njerëzimi po ribashkohet në idealet e të mirës, të njerëzisë, të lirisë, të vlerave të përbashkëta qytetëruese. Kjo nuk është një manikeizëm i konfrontimit të së mirës me të keqen, apo manikeizëm ideologjik, që e patëm gjatë kohë, po vision i filozofisë të së mirës që kundërshton të keqen.

    Në kontekst të 11 shtatorit Kosova solidarizohet me SHBA dhe aleatët, sepse neve na e hoqën te keqen – terrorizmin aktiv të organizuar më se 10-vjeçar dhe qindravjeçar. Dhe sot, ky popull me miqtë e vet është në dritën e lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë, që po bëhet popull i lirë në bashkësinë e popujve të lirë. Ne e kuptojmë më së miri 11 shtatorin.

    Historia përsëritet, po ne duhet të përfitojmë nga këto përsëritje, të mësojmë. Ajo shpesh i bënë korrigjimet me përsëritjet e saj, apo i kthen gjërat në burim, në Zotin, që duhet të kalojmë nëpër tragjedi të vogla e të mëdha. Për ne kosovarët kësaj radhe falë Zotit dhe miqve tanë u kthyen në burim përsëritjet e historisë, duke zhdukur të keqen. 11 shtatori na obligon se duhet të punojmë e kultivojmë shpirtin e të mirës.

    I nderuari Ambasador,

    Në këtë Mbrëmje të përkujtimit të 11 shtatorit, në emër të popullit të Kosovës i shprehim mirënjohje vendit të madh SHBA dhe popullit amerikan për gjithë atë që kanë bërë për Kosovën dhe popullin shqiptar.

    Mirënjohje të madhe kemi për Presidentin Uilson, i cili në fillim të viteve '20 lansoi parimin e vetëvendosjes dhe të Pavarësisë për popujt, me ç’rast këtë parim ua njohu edhe shqiptarëve.

    Në kohën e Presidentit Nikson, doajeni i diplomacisë amerikane Henri Kisinxher u interesua për ne, që obligon mirënjohjen tonë.

    Në kohën e Presidentit Regan, kur filluan kohërat më të vështira për Kosovën, Kongresi dhe administrata amerikane nisën të mbrojnë popullin e Kosovës. Presidenti Regan meriton mirënjohjen tonë.

    Në kohën e rënies të Murit të Berlinit dhe të rënies së luftës së ftohtë Presidenti Bush – tash Bushi Plaku - gjithnjë e më shumë u kujdes për Kosovën.

    Është i njohur "Kërcënimi i Krishtlindjeve" i vitit '92 kur e vendosi vijën e kuqe mbi Kosovën, që ishte një dritë shprese për ne. Kjo meriton mirënjohje të veçantë.

    Vijën e kuqe të Presidentit Bush, e mbrojti Presidenti Klinton dhe zonja Ollbrajt, Zonja e diplomacisë amerikane, që e shpien Kosovën në rrugën e lirisë, të pavarësisë e të demokracisë, çfarë meriton mirënjohjen tonë, po ashtu speciale.

    Dhe vitin e kaluar, në korrik të vitit 2001, Presidenti Bush, pra Bushi i Riu, posa mori detyrën e vizitoi Kosovën dhe kampin shkëlqyes Bondstill, që e zbukuron dhe forcon Kosovën. E meriton admirimin dhe dashurinë e popullit të Kosovës dhe dëshirën që Kosova me progesin që ka bërë të njihet sa më shpejt si vend i pavarur në bashkësinë e popujve të lirë.

    Në këtë mbrëmje të 11 shtatorit, mund të themi se Kosova nuk harron, nuk është bukëpërmbysëse, solidarizohet dhe ndien me miqtë e saj – me mikun historik me SHBA dhe aleatët e saj europianë e të botës së qytetëruar.

    I nderuari Ambasador,

    Në njëvjetorin e 11 shtatorit, kur po bisedohet se çfarë të bëhet me kullat e bukura binjake, ne mendojmë se ato duhet të ngriten edhe më të mëdha seç ishin, me një lapidar përkujtimi për viktimat. Ne kështu vepruam në Kosovë tash tri vjet pas luftës në liri, i ndërtuam shtëpitë që i kishim, i bëmë më të mëdha e më të bukura me ndihmën e miqve tanë dhe me shpirtin e fortë të popullit e të qytetarëve tanë. Ky është vetëm një sugjerim i vogël për mikun tonë të madh.

    Ndoshta fola pak me sensibilitet për shumë gjëra si President i një vendi me origjinë të vjetër i Dardanisë antike e me status të ri të Pavarësisë. Ndoshta isha tepër patriotik për Kosovën dhe për Amerikën, për miqësinë tonë, por do shtuar se pak patriotizëm na bën mirë.

    Në këtë Mbrëmjë përkujtimi të 11 shtatorit, do thënë se SHBA dhe bota e qytetëruar pas një viti janë më të fuqishme, me vision të qartë për fitoren mbi të keqen dhe hapjen e visionit dhe forcimit të së mirës që i duhet njerëzimit.
    T'i kundërvihemi të keqes.
    Të forcojmë të mirën.
    Zoti i bekoftë viktimat e 11 shtatorit.
    Zoti e bekoftë Amerikën.
    Zoti e bekoftë Kosovën.
    Zoti e bekoftë miqësinë tonë.
    Nga kjo Mbrëmje përkujtimi, përshëndesim Presidentin Bush dhe popullin amerikan.
    Ne lutemi për Ju.
    Ne jemi pranë Jush.


    Trepca.net
    -------------------

    rrofte miqesia shqiptare-amerikane !
    rrofte Presidenti Moisiu!
    rrofte Presidenti Rugova!

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723

    Programi politik e kombëtar i Ibrahim Rugovës të jetë themel i mendimit tonë politik

    Si njeri intelektual, si ish - i burgosur politik i viteve të 90-ta, si krijues publicistik e analitik dhe i angazhuar politikisht në mënyrë publike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, gjithnjë në bazë të përcaktimeve politike të shumicës së popullit shqiptar të Kosovës, pa pretendime për ndonjë post politik në çfarëdo instance të organizimit institucional të shtetit të Kosovës apo të ndonjë subjekti politik, dhe duke qenë vazhdimisht i preokupuar me rrjedhat politike para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, opinionit tonë të brendshëm dhe të jashtëm, nëpërmjet publikimeve të mia, i kam ofruar pikëpamjet e mia politike.

    Këtë e kam bërë për t'i kontribuar drejt organizimit politik të shqiptarëve në përgjithësi, për realizimin e një qëllimi të përbashkët të shqiptarëve të Kosovës, që siç dihet tashmë është Pavarësia e Kosovës!

    Në këtë kontekst, tendencave të ndryshme manipuluese me opinionin tonë të brendshëm dhe të jashtëm të disa individëve të specializuar për propagandë dhe agjitacion si dhe të disa grupeve politiko-ushtarake rreth statusit politik të Kosovës rrespektivisht rreth ardhmërisë politike të shqiptarëve në trojet e veta etnike mendoj se atyre duhet:
    - (ri)përsëritur pozicionin politik të dr.Ibrahim Rugovës dhe LDK-së, emra këta me të cilët po shërbehen keqas individë dhe grupe të lartpërmendura për interesa të ngushta vetiake dhe grupore, e që në fakt nuk kanë për qëllim mbështetjen e interesave politike të qytetarëve shqiptarë të Kosovës dhe trojeve tjera etnike;
    - (ri)kristalizuar shkaktarët e armiqësisë së UÇK-së me dr.Rugovën dhe LDK-në;
    - (ri)qartësuar pozitën e vështirë të LDK-së në të cilën po e vejnë qarqe të ndryshme individësh dhe grupe ilegale ekstremiste në rrugën e saj drejt realizimit të programit të saj politik;
    - si dhe duhet shprehur interesat e armiqve të Kosovës në dështimin e filosofisë politike të dr.Rugovës dhe LDK-së drejt pavarësisë së Kosovës.


    LDK-ja i dha Kosovës identitet politik


    Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe zgjedhja e njërit ndër intelektualët e guximshëm të kohës, dr.Ibrahim Rugovës për kryetar të saj, për të gjithë qytetarët e Kosovës së robëruar dhe të shkelur ka qenë akti i parë historik drejt realizimit praktik të programit politik të shqiptarëve të Kosovës për çlirim dhe mëvetësim të Kosovës nga okupimi qindravjeçar serbosllav.

    Pra, ky akt historik është edhe i ashtuquajturi "fati historik", i cili i priu shqiptarëve të Kosovës drejt faktorizimit politik të shqiptarëve të Kosovës në instancat më të larta ndërkombëtare dhe daljes së emrit të Kosovës nga anonimiteti i pafund, ku e kishte futur politika margjinalizuese e antishqiptare e jugoserbisë titiste e millosheviqjane!

    E veçanta e këtij "fati historik" të shqiptarëve të Kosovës është se përkundër ekzistimit të shtetit zyrtar shqiptar "nënës Shqipëri" dhe propagandës trilluese e trumbetuese për kinse interesimin e Tiranës zyrtare për vuajtjet e "vëllezërve të Kosovës", tragjedia, dezintegrimi dhe sakrifikimi i shqiptarëve të Kosovës nuk kishte të ndalur, prandaj edhe themelimi i LDK-së gjeti mbështetjen e shqiptarëve anembanë Kosovës si një lëvizje më e rëndësishme politike e shqiptarëve që nga periudha e Lidhjes së Prizrenit e këndej.

    Në anën tjetër, programi i prezentuar politik i LDK-së në kohërat më kritike, i përpiluar nga intelektualët shqiptarë të kohës, kuptohet nën drejtimin e dr.Ibrahim Rugovës, ishte program i tillë politik që përputhej decidivisht me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës për çlirim dhe ndarje përfundimtare nga shteti artificial jugoserb, dhe se ishte program kombëtar i cili pavarësinë e Kosovës haptazi e vinte në rend të parë, si zgjidhje e cila do t'i kënaqte synimet politike të qytetarëve të Kosovës pas më se tetëdhjetë vite të rënda e plot sakrifica.

    Ky program politik e nacionalist është edhe themeli i mendimit politik të shumicës së shqiptarëve të Kosovës, dhe kjo argumentohet me vetë faktin se të gjitha subjektet politike shqiptare në Kosovë pavarësinë e Kosovës e proklamojnë si pika më esenciale e programeve të tyre partiako-politike, edhe pse shumë nga këto subjekte politike opcionin për pavarësinë e Kosovës e përdorin si "alibi" për të mbijetuar në skenën e pluralizmit politik të Kosovës.

    Në fund të fundit, cili shqiptar i Kosovës do të pranonte të anëtarësohej në ndonjë parti tjetër politike, nëse ajo parti politike nuk e parasheh pavarësinë e Kosovës si zgjidhje të vetme e të drejtë politike për Kosovën!?

    Nuk do të shfrytëzojmë kohën këtu duke i përmenduar meritat politike të LDK-së dhe të dr.Ibrahim Rugovës (edhe pse ndoshta do të duhej ripërsëritur ato merita për hir të disa "harrestarëve" të taborreve të tjera politike), por janë pikërisht veprimtarët e LDK-së anembanë botës dhe kryetari i Kosovës dr.Ibrahim Rugova të cilët në mënyrën më dinjitoze artikuluan vullnetin tonë politik brenda kancelarive të politikanëve më të njohur dhe më të fuqishëm të politikës ndërkombëtare, e që në fjalorin politik kjo quhet internacionalizim i çështjes së Kosovës, rëndësinë e së cilës po tentojnë ta zhvlerësojnë kundërshtarët politikë të LDK-së për hesape të veta politike.

    Me internacionalizimin e çështjes së Kosovës fillon edhe njohja e bashkësisë ndërkombëtare me identitetin politik të Kosovës, identitet ky i humbur nëpër peirudha të rënda kohore për shqiptarët.

    Dr.Ibrahim Rugova dhe LDK-ja mbetën edhe sot e kësaj dite sinonim i një politike të urtë, të mençur, largpamëse dhe kombëtare, me të cilën i janë kundërvënë represionit dhe dhunës serbe, pa e përjashtuar asnjëherë mundësinë për rezistencë aktive, por një mundësi e cila nuk është proklamuar asnjëherë publikisht, sepse vetë përcaktimi i LDK-së ishte për një politikë aktive në kuadër të instancave të larta të bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo politikë e "butë" apo siç kanë dëshirë ta quajnë kundërshtarët e LDK-së "politikë pacifiste", afronte qendrat ndërkombëtare të vendosjes politike pranë "çështjes së Kosovës"!

    Ndërsa, sa i përket përgatitjeve dhe organizimit të rezistencës së armatosur nga ana e LDK-së, do të ishte më e udhës të flasin e të shkruajnë publikisht ata që ishin në kuadër të këtyre organizimeve siç ishin Bujar Bukoshi, Rexhep Gjergji, Anton Kolaj, Jonuz Tërstena, Sheremet Ahmeti, Hajzer Hajzeri, Hafiz Gagica dhe shumë bashkëpuntorë dhe figura tjera politike të LDK-së, në mënyrë që të mos i jepet rasti propagandës majtiste të kritikojë LDK-në me terma bajate sikurse ky për "politikën pacifiste" të LDK-së rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës!


    Taborri LPK-ist armiqësoi UÇK-në me LDK-në


    Kundërshtari më destruktiv i politikës së dr.Ibrahim Rugovës dhe i LDK-së gjatë tërë periudhës së ekzistimit të LDK-së si subjekt politik i shqiptarëve, brenda dhe jashtë Kosovës u tregua LPK-ja (Lëvizja Popullore e Kosovës), ish-LPRK (Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës), e cila programin e saj politik e mbështeste tek krijimi i Republikës së Kosovës dhe bashkimi i saj me Shqipërinë, por që në fakt, për shkak të ideologjisë enveriste e staliniste të cilën e shprehnin me pankarta dhe fotografi të postulateve të kësaj ideologjie antidemokratike, protestat e tyre nuk nëpër rrugët e shteteve të Perëndimit nuk gjetën përkrahjen e qendrave të vendosjes, kështu që edhe efekti i kësaj "veprimtarie" të LPK-së në perëndim le që nuk shkonte në dobi por edhe i bënte dëm çështjes së Kosovës, sepse diplomacia ndërkombëtare nuk e dëshironte edhe një "republikë komuniste" në Ballkan.

    LPK-ja tashmë e margjinalizuar nga programi politik dhe veprimtaria aktive politike e LDK-së, e cila vepronte politikisht në Kosovë (më vonë edhe jashtë Kosovës), sikur e harroi Serbinë si shkaktare e dhunës dhe terrorit kundër shqiptarëve dhe iu kthye luftës politike kundër LDK-së dhe liderit të saj dr.Rugovës, i cili ishte njëkohësisht njihej edhe si lider i mbarë shqiptarëve të Kosovës nga shqiptarët e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

    Loja e LPK-së dhe simotrave të saja me emrat e lavdishëm të dëshmorëve të Kosovës dhe keqpërdorimi i emrave të tyre për ta përfocuar imazhin e partisë së caktuar politike apo të liderëve të caktuar politikë duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë, sepse asnjë shqiptar nuk i beson më atyre që tentojnë të ngrisin karrierën e tyre politike shumë shpejt dhe në mënyrë jodinjitoze. Aty edhe filloi armiqësia e imponuar e UÇK-së me LDK-në dhe kreun e saj politik, qëllim ky i paraparë me kohë nga LPK-ja e margjinalizuar.

    Pastaj, ambiciet e LPK-së për monopol politik dhe pushtet absolut si dhe përfaqsimi i interesave antikombëtare të zyrtarëve të Tiranës nëpërmjet saj, janë faktorët primar që ndikuan në armiqësimin e LDK-së dhe të dr.Rugovës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një pjesë e së cilës fatkeqësisht udhëhiqej nga eksponentë të lartë të LPK-së, të lidhur ngushtë me "Sigurimin" (anti)shqiptar.

    "Sigurimi" dhe politika e Tiranës zyrtare e 97-tës i dha përkrahje të plotë LPK-së në reklamimin e saj para opinionit si "Shtab i UÇK-së" dhe në luftë kundër politikës së dr.Rugovës dhe LDK-së, duke i eliminuar edhe fizikisht pikërisht ato figura politiko-ushtarake të UÇK-së që nuk i takonin LPK-së dhe ideologjisë enveriste, por që përfaqsonin interesat e popullit shqiptar të Kosovës brenda UÇK-së.

    Viktimë e kësaj lufte politike plotësisht absurde padyshim është edhe koloneli Ahmet Krasniqi, i emëruar nga Bujar Bukoshi si Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, vrasje kjo akoma e pasqaruar nga ana e drejtësisë shqiptare.

    Ndërsa pallavrave majtiste se kinse "LDK nuk e përkrahu UÇK-në dhe luftën" duhet përkujtuar se sot na bie të dëgjojmë dhe të lexojmë se "UÇK-ja ka dalë nga gjiri i popullit", atëherë dihet se edhe shumica e popullit shqiptar të Kosovës e ka votuar Lidhjen Demokratike të Kosovës në të gjitha zgjedhjet e lira, andaj edhe mund të shprehemi lirisht se LDK-ja e ka përkrahur më së shumti UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare, por ishin struktura të caktuara politike që e futën përçarjen në mes!


    Dr.Rugova dhe LDK-ja si "fajtorë kujdestarë"


    Pas çlirimit të Kosovës, përveç goditjeve të brendshme që kishte LDK-ja, sikurse ishte rasti i largimit të nxituar të Bujar Bukoshit (ky edhe ashtu politikisht i harxhuar) nga kjo parti politike, LPK-ja "revolucionare" nëpërmjet "degëve" të saja politike, të cilat i formoi në mbarë territorin e Kosovës, e që sot ato "degë" politike njihen si "parti të dala nga lufta", me një intensitet më të shtuar vazhdon aktivitetin e saj anti-Rugovë dhe anti-LDK, duke i krijuar procesit të pavarësimit pengesë pas pengese.

    Si rezultat i këtij aktiviteti antikombëtar, dr.Rugova dhe LDK-ja (edhe në liri) i humbi aktivistët e saj të devotshëm për pavarësinë e Kosovës sikurse që ishin Haki Ymeri, Ismet Rraci, Ukë Bytyçi, Smajl Hajdaraj, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Tahir Zemaj, Hasan Zemaj, Azem Delia e shumë aktivistë tjerë politik, por edhe përkrahës të së djathtës shqiptare siç ishin Bekim Kastrati, Besim Dajaku etj.

    Ndërsa, në kuadër të veprimeve politike, LDK-ja po sfidohet me opsione politike që janë në kundërshtim me të gjitha aktet historike të krijuara me gjak, sikurse janë "Ballkania", "Shpallja e pavarësisë për herë të dytë", "Unioni i Kosovë-Shqipëri", pastaj "Moratoriumi i Pavarësisë së Kosovës" etj. fenomene këto që zbulojnë para opinionit fytyrën e vërtetë "të degëve" të LPK-së, degë këto me emra të modifikuar demagogjikë dhe që tregojnë për faktin se disa parti politike nuk kanë "Program politik kombëtar" por veprojnë sipas sygjerimeve të Tiranës zyrtare dhe sipas tekeve lideriste të liderëve të tyre partiakë.

    Kjo tregon edhe mjerimin adoleshent të liderëve partiakë, për mossuksesin e të cilëve dr.Rugova dhe LDK-ja janë "fajtorë kujdestarë"!

    Andaj, si përfundim, duhet theksuar se është më se e qartë se duke i bërë dr.Rugovës dhe LDK-së "luftë të pakompromis" politike në emër të kinse "pluralizmit politik", pa zgjedhur forma dhe mjete dhe pa menduar fare mbi barrën e përgjegjësisë historike që bart me vete kjo luftë e shpallur politike, e gjithë kjo shkon në harmoni të plotë me interesat e skenarëve antishqiptarë dhe kundër homogjenizimit të klasës politike të Kosovës në drejtimin politik në të cilin janë nisur, kush më herët e kush më vonë.

    Kosova ka nevojë si kurrë për lirinë e mendimit, për shumësi mendimesh, për platforma të shumëllojshme politike, për pluralizmin politik, por asnjë nga ato nuk guxojnë të bien ndesh me "Programin kombëtar" të filozofisë politike të dr.Rugovës dhe LDK-së, program ky i përgjakur me gjakun e ideatorëve të tij si Fehmi Agani, Adem dhe Hamëz Jashari, Latif Berisha, Bajram Kelmendit, Ismet Rracit, Haki Ymerit, Sali Çekut, Ukë Bytyçit, Smajl Hajdarajt e të tjerëve.

    Por secili program i ri politik do të duhet ta ndihmojë përshpejtimin e procesit të pavarësimit të Kosovës, duke mos rënë në kundërshtim me principet themelore të këtij synimi politik, në mënyrë që në momentin e duhur politik (kjo padyshim varet nga rrethanat e ndryshme politike) të mos dështon ky finalizimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës mu për shkak të karrierizmit, liderizmit, inateve partiake që vijnë nga prapaskenat e organizuara antishqiptare.

    Në këtë kontekst, nga individë dhe grupe të reja e të vjetra politiko-ushtarake shpresojmë të vetëdijësohen sa më parë dhe t'i bashkangjiten karvanit të pandalshëm dhe të pandërprerë të pavarësisë së Kosovës, sepse nomenklatura politike të cilën e përkrahin ata, ka mbetur peng i "baballarëve" ideologjikë dhe i bindjeve të stërvjetruara e kontradiktore kundruall vullnetit të lirë politik të popullit shqiptar të Kosovës.

    KIC
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Agim Doçi
    Anëtarësuar
    23-05-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, Ministria e Mbrojtjes
    Postime
    2,799

    Nga takimi në takim!...

    Pa politikë


    Demokraci – do të thotë me hangër gurë të nxehtë!…

    Të shkruash për Presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugosa nuk është e lehtë, sepse Ai ka dimensione të atilla, që penda e gazetarit tepër e vogël asht. Ndërsa të përshkruash me sinqeritet dhe me vërtetësi emocionet që të ngjallen nga takimi me Atë, është detyrë e kujtdo që din me shkrue dhe ka patur fatin të mirëpritet prej Tij. Nuk ma don mendja që “dikush” do të mendojë se artikullshkruesi po kryen një xhest servilizmi. Kjo ngase argumenti im është domethënës – unë nuk kam president as gjeneral Moisiun e Shqipërisë dhe as Dr. Rugovën e Kosovës. Tashmë dihet se presidenti im dhe i 10 mijë shqipëtarëve që punojnë nën drejtimin e tij është Mgr. Behgjet Pacolli i Mabetex Group Lugano.
    Sapo jam kthyer nga një shërbim pune nga kryeqyteti i Kosovës – Prishtina – emri i së cilës rrjedh nga dyfjalëshi i lashtë shqiptar: - “Prish Stinë”! Vërtetë qielli i Prishtinës është si “mendja e budallallës” – ndrron 4 herë në ditë(!)
    Disa herë isha takuar me njeriun dhe me Liderin e Kosovarëve,Kryetarin Rugova, falë shoqërisë dhe miqësisë së ngushtë me Heroin e Demokracisë Azem Shpend Hajdarin, në Tiranë, qyshse nisën proceset demokratike. Shpesh zbardhnim natën në mjediset e Vilave Qeveritare, kur endé nuk kishte ardhur në pushtet partia demokratike. Na qëllonte bile që në ato mjedise teksa pritnim të vinte Dr. Sali Berisha, të ndjeheshim shumë më mirë kur Berisha ndodhte që të vonohej. Kjo ngase Dr. Rugosa krijonte një mjedis tepër vllaznor dhe ndoshta kishte një “defekt” që nuk i merrte fort seriozisht shfaqjet e zellit tonë demokratik. Padyshim ne sforcoheshim që të tregonim sesa të “mënçur” ishim, sesa “vizionarë” ishim, sesa “adrenalina” të rritur kishim, kur harronim që ishim bijtë e etërve jo pak të zhyer me sistemin diktatorial, duke humbur bile sadopak edhe koeficientat e besimit. Shkurt tregonim një zell jo fort të pëlqyeshëm për cilindo që me të drejtë mund edhe të mendonte: - po këta ku ishin deri dje?…
    Në fundprillin e vitit 1991 (sa shpejt kalojnë vitet!…), na ftoj Azem Hajdari disa intelektualë që të shkonim në Vilën nr.31 ku sapo kishte mbrritur nga Kosova delegacioni i LDK-së me në krye Dr. Rugovën. Gëzimi i ynë ishte tepër i madh, për më tepër sepse atë fat mund t’a meritonin intelektualë shumë herë më të mëdhenj sesa Kujtim Çashku, Spartak Topollaj, Safet Zhulali, dhe aq më tepër unë!…Po ja që ky është fakt dhe personalisht i jam mirënjohës për jetë të jetëve Azem Sh. Hajdarit. Kishte dhe njerëz të nderuar nga „pala kosovare“, që fatkeqësisht sot gjënden në parti „të reja“...
    U fol gjatë në atë takim. Mbaj mend që çiltërsia e Dr. Rugovës, entuziazmi dhe gëzimi i tij ishin jashtë „protokollit“ që për 50 vite ishim mësuar dhe mëkuar. Presidenti Rugova as nuk merrte poza, as nuk fryhej dhe krekosej, fliste dhe komunikonte krejt i barabartë me të gjithë aty, por ajo që na befasoj ishte memorija dhe informacioni që ai kishte për sejcilin të pranishëm. Përmendi disa emra akademikësh dhe profesorësh të nderuar të Tiranës, por ne të zellshmit dhe të përkushtuarit për demokraci, ia merrnim fjalën nga goja kryetarit Rugova duke lëshuar ndonji moskënaqësi ashiqare ndaj disave, duke ngritur si shqetsim të madh indiferentizmin e asaj elite intelektuale që flinte gjumë në atë kohë shndrrimesh të mëdha.
    Kryetari Rugova na dëgjoj me vëmëndje, dhe me durim. Pastaj e morri fjalën me atë qetsinë e vet tipike, duke na lënë përshtypje të jashtëzakontë sidomos kur e hapi fjalën e tij me mesazhin filozofik: - Demokraci do të thotë me hangër gurë të nxehtë!…
    Mbas disa orësh bisede mbërriti Dr. Berisha që na “trembte” me principet e tija. Ndonse dr. Rugosa na luti të qëndronim edhe më tepër, u ngritëm që të linim sëbashku të dy kryetarët…Në ikje e sipër shtërnguam fort duart, por meqënse “arma” ime ka qenë përherë humori, thashë një fjali mbas së cilës Dr. Rugosa qeshi me të madhe, ndërsa Dr. Berisha rrudhi ballin… Kjo më kushtoj shtrenjtë, sepse në pushtetin e Sali Berishës ndenja 5 vjet pa punë(!)
    Për të mos mbetur e pa dijtur p¨r lexuesit ajo fjali që thashë atë takim të parë me Dr. Rugovën, po ua citoj besnikërisht: - Zotri President Rugosa, hiç mos t’a ndij, Kosova do të bahet Republikë, atë ditë kur Shqypnija të bahet Krahinë Autonome!…
    ...Kjo kishte ndodhur më 11 prill 1991.
    Shqipërija avash avash po kthehet në Krahinë Autonome që mvaret prej Athinës!...
    Më ndihu fati që me 11 prill 2003, të takohem me Presidentin Rugosa. Biseduam gjatë, na kishte marrë malli.
    - nuk paske ndryshuar Agim!, - konstatoj Ai burrë i madh.
    - As ju zotri Kryetar, - ia ktheva unë aty për aty.
    - Të kam ndjekur në krijimet e tua, kangët që ia ke thurun Kosovës dhe trimave të saj, Marrshin e Arifit…Leonorës,…Edonës me “Borxhin e Dashurinë”…Po. Po! Të gjithë i kemi borxh Kosovës, Lirisë dhe gjakut të derdhun për lirinë e saj. I falënderohemi posaçërisht SHBA-ve dhe Anglisë, NATO-s. Aleatëve tanë…
    - Zotri President, nëse është e nevojshme dhe e domosdoshme që urgjent të privatizohet ekonomija e Kosovës dhe të bëhen tendera të ndershme ku të fitojnë kompanitë shqiptare dhe jo atë të huajat (larg qoftë se nuk jam rracist) më brengos zotri Kryetar një fakt i hidhur dhe një sherr që vërtitet si skifter midis nesh! Po ndodh privatizimi i dëshmorëve!!.. Po atyre populli që i nderon dhe u është mirnjohës për jetë të jetëve u thotë: - u qoftë i lehtë Dheu dhe jo “dheu i PFK-së, PRK-së, PZHK-së apo YZZH-së!…
    - Ashtu asht Agim! Krejtësisht ke të drejtë !, - dhe psherëtiu Njeriu i Madh.
    - Goja m’u thaftë zotri President, por më duket se po më del fjala që u kam thanë para 12 viteve kur ju trokisnit dyerve të Institucioneve Botërore duke kërkuar Statusin e Republikës së Kosovës se : - Kosova tash bahet Republikë kur Shqipnija të bahet Krahinë Autonome e Greqisë !…- ia ktheva me atë « suo generis » që kanë letrarët apo poetët e krisur…
    - Do bahet mirë Agim ! E ardhmja flet për ne, durim dhe maturi, se Demokraci do të thotë me hangër gurë të nxehtë!…
    Po e mbyll këtu shkrimin tem, me mbresat e atij takimi në këtë fillim pranvere të Kosovës, duke besuar dhe shpresuar në Institucionet e saj të zgjedhura nga Vota e Shqiptarëve në Kosovë.

    Agim Doçi
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e RTP
    Anëtarësuar
    26-03-2004
    Postime
    1,756

    Arrow Rugova është një patriot i madh dhe Kosova është fatlume që ka atë si lider

    Kongresisti Engell tha se Rugova është një patriot i madh dhe Kosova është fatlume që ka atë si lider


    Prishtinë, 7 korrik - President i Kosovës Ibrahim Rugova në një ceremoni rasti i dorëzoi sot kongresisti amerikan Eliot Engell Medaljen e Artë të Lirisë me të cilën e ka dekoruar vitin e kaluar, në 5-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
    "Presidenti i Kosovës e dekoron me Medaljen e Artë të Lirisë, kongresmenin Eliot Engel për meritat e tij në afirmimin dhe mbrojtjen e çështjes së Kosovës dhe të çështjes së shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për përkrahjen e fuqishme të lirisë dhe pavarësisë". Kështu shkruan në motivacionin e Presidentin Rugova për ta dekoruar zotin Engell.
    Presidenti Rugova, ndërkaq në një takim pati me kongresistin Eliot Engell, atë e cilsoi si mikun e madh të Kosovës dhe të shqiptarëve dhe për të cilin tha se më shumë se 15 vjet punon për çështjen e Kosovës.
    Në këtë takim është biseduar progresin e shënuar në Kosovë, për gjendjen e sigurisë që është e mirë, për stabilittetin e përgjithshëm, si dhe për vlerësimin që do të bëhet për bisedohet për të ardhmen e Kosovës, për të cilën Presidenti Rugova tha se do të jetë pavarësia.
    Edhe me këtë rast Presidenti kërkoi për një njohje direkte të pavarësisë së Kosovës nga SHBA të, Unioni Evropian, në mënyrë që Kosova të jetë një vend i integruar në Bashkimin Evropian në NATO dhe në strukturat euroatlantike dhe në miqësi permenanete me SHBA të.
    Presidenti Rugova falënderoi të gjithë miqtë e Kosovës në Amerikë dhe SHBA-në që e ka ndihmuar Kosovën dhe po e ndihmon edhe pas luftës, në liri, në rindërtimin e saj, me prezencën ushtarake, civile, diplomatike. Ai shprehu bindjen se Kosova është në rrugë të mirë për ta ndërtuar lirinë, të ardhmen dhe pavarësinë e saj.
    Nga ana e tij, kongresisti Engell tha pas takimit se sa herë që vjen në Kosovë e ndien veten si në shtëpi, ngase, siç u shpreh: "Jam këtu me miq për të diskutuar për të ardhmen e vendit. Jam këtu së bashku me djalin tim, sepse ai ka dëgjuar shumë për Kosovën kur ishte fëmijë, për përpjekjet e saj për liri e pavarësi".
    Kongresisti Engell tha se Rugova është një patriot i madh dhe Kosova është fatlume që ka atë si lider.
    Duke krahasuar vizitën e tij të fundit para disa vjetëve, ai tha se sheh shumë ndryshime që e bëjnë optimist. "Kur kamë ardhur këtu pas bombardimeve në vitin 1999 kamë parë vdekje, shkatërrime etj. Tani në vitin 2005, shoh jetë, shpresë, energji shoh fillimin e një shteti të lirë dhe të pavarur".
    "Jam i sigurt, ashtu siç marr frymë, se Kosova do të bëhet një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik, sepse qytetarët e Kosovës nuk meritojnë më pak, sepse qytetarët e Kosovës duan t'i bashkohen demokracive të të gjithë botës", u shpreh Engell, duke i vlerësuar marrëdhëniet e popullit amerikan dhe të Kosovës të mrekullueshme dhe të fuqishme.
    "Kur Kosova të bëhet e lirë dhe e pavarur, atëherë SHBA dhe Republika e Kosovës do të kenë një bashkëpunim të gjatë mes vete", nënvizoi ai, duke shtuar se në SHBA e dinë se qytetarët e Kosovës janë miqtë e amerikanëve.
    Engell tha se ka ndjekur përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi. "Kjo nuk ndodhi brenda natës, sipas meje madje zgjati shumë", tha ai.
    "Unë e kam thënë shumë herë se njëqind për qind e mbështes pavarësinë e Kosovës. Do të jem i lumtur kur kjo do të ndodhë dhe do të ndodhë shpejt, dhe unë do të jem në Prishtinë për ta festuar së bashku shtetin e lirë dhe të pavarur".
    Engel premtoi se do të vazhdojë me përpjekjet e tij në Uashington, për të ndihmuar popullin e Kosovës.
    "Unë do t'i them edhe UNMIK ut edhe BE së se standardet para statusit janë të papranueshme. Ne duam standardet bashkë me statusin dhe që ky status të zgjidhet shpejt. Ne duam një datë për këtë. Ne duam që kosovarët të udhëheqin me qeverinë e tyre, me ministritë, me jetën e tyre. Ka gjëra të dhimbshme gjatë rrugës, por kur ta shihni rrugën e gjatë nëpër të cilin ka ka kaluar Kosova është një mrekulli", u shpreh në fund Eliot Engell. Pesidenti Rugova dhe kongresisti Engell pastaj vizituan varrezat e hebrenjve afër lagjes Velania në Prishtinë.
    Me respekt
    rtp-ja


    ps. "........Te gjithe kane te drejte te mendojne..
    por ka shume njerez qe i kursejne mendimet!"


  9. #9
    i/e regjistruar Maska e Era1
    Anëtarësuar
    19-12-2004
    Postime
    1,307
    RTP qe ta njohin ata qe nuk e njohin po vendos nje biografi te shkurter te Presidentit te Kosoves Zotit Ibrahim Rugova.


    Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.

    Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971. Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare.

    Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.

    Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.

    Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

    Autor i dhjetë librave. Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve "Bota e re" dhe në revistën shkencore "Dituria" (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut.

    Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

    Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe parti e grupe të tjera.

    Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

    Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

    LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.

    Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.

    Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000, si dhe zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe zgjedhjet e dyta lokale më 2002.


    Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

    Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

    Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.

    Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

    Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).

    Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë "Manuel Carrasco i Formiguera", në Barcelonë, Spanjë.

    Më 2003 në Belgjikë mori Çmimin Senator Nderi i Evropës.

    Më 2004 u shpall Honoris Causa (Doktor Nderi) i Universitetit të Tiranës.

    Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 në bazë të zgjedhjeve nacionale të zhvilluara në nëntor të 2001.
    Firma ime eshte : SHQIPTARE

  10. #10
    i/e regjistruar Maska e RTP
    Anëtarësuar
    26-03-2004
    Postime
    1,756

    Thumbs up Eliot Engell: Rugova - president historik i Kosovës




    Eliot Engell: Rugova - president historik i Kosovës



    Prishtinë, 7 qershor 2005 - Xhorxh Uashingtoni ishte presidenti i parë i kombit amerikan, kurse Ibrahim Rugova do të jetë presidenti i parë i shtetit të pavarur të Kosovës. Kështu tha sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kongresisti amerikan, Eliot Engell.

    Engell, megjithëse siç tha, nuk kishte përgatitur ndonjë fjalim, pasi donte t'u fliste atyre nga zemra. "Derisa hyja, shikoja këtë objekt të bukur, dhe sot them se ky është një parlament i një kombi të lirë dhe të pavarur, dhe sikur që keni ardhur deri këtu ju them me bindje dhe siguri të plotë se Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur, kurse unë do të vij dhe do të festoj me ju lindjen e një kombi të lirë" u shpreh Eliot Engell.

    Ai theksoi se historia do të flasë për këta patriotë që drejtojnë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës dhe se fëmijët e gjeneratave të shumta do të lexojnë nëpër libra për emrin e Kosumit, Rugovës, Dacit etj., që do të llogariten si themeltarë të shtetit të Kosovës.

    Engell tha se para gjashtë vjetësh në Kosovë ka parë zhgënjim, vdekje, dhe njerëz që kërkonin ndihmë për jetë, kurse tash ai sheh shpresën, jetën ardhmërinë dhe faktin se njerëzit shkojnë drejt së ardhmes, të vetëdijshëm se pas pavarësisë i pret punë e madhe.

    I bindur se ardhmëria në këtë vend është e sigurt, Engell, theksoi se sapo është kthyer nga Shqipëria, ku kishte qenë dëshmitarë i zgjedhjeve shumë demokratike.

    "Ka mospajtime por kjo është demokratike", tha ai.

    Duke folur për rolin e tij në Kosovë, ai tha se qëllim kryesor ka nxitjen e miqësisë, dhe se në këtë parlament të gjithë janë duke punuar për qenie të njëjtë.

    Ai tha se në Kosovë kishte marrë edhe djalin e tij Xhonin, të cilit, siç tha, i kishte folur shumë për këtë vend, dhe se e kishte marrë me vete që të shohë së afërmi se si po lindte një komb i ri.



    "Populli i Kosovës që iu është nënshtruar tiranisë dhe shtypjes e din se çka do të thotë të jesh i shtypur, prandaj është duke luftuar për demokraci, që të garantojë edhe të drejtat e minoriteteve".

    Engel përkujtoi se para tridhjetë vjetësh nga Kosova në Amerikë kishin migruar shumë shqiptarë, kontributi i të cilëve sipas tij është i pamohueshëm si për Kosovën, ashtu edhe për Amerikën.

    Po ashtu ai theksoi se edhe Presidenti Rugova ka shkuar në kongres dhe i ka treguar për së afërmi atyre se ç'po ndodhte në Kosovë. "Kam ardhur edhe unë që t'ju drejtohem juve me shpresën se fëmijët e këtij vendi të shkëlqyeshëm, pavarësisht cilit komb, apo kombësi i përkasin të kenë ardhmërinë e shëndoshë dhe të gëzojnë lirinë dhe pavarësinë. Them kështu pasi e vetmja gjë që funksionon është pavarësia", nënvizoi Engell.

    Ai tha se lidhjet e qeverisjes së Beogradit mbi Kosovën nuk duhet as të mendohen. Beogradi të mos pretendojë për një gjë të tillë, sepse rrota e historisë nuk duhet kthyer prapa.

    Ka të atillë, tha ai, që mendojnë se Kosova duhet të mbetet përgjithmonë protektorat. "Unë u them atyre se Kosova mund të kërkojë kredi vetëm si e pavarur dhe si e tillë ajo mund të përfitojë, dhe se asgjë tjetër nuk funksionon përveç pavarësisë së Kosovës", tha veç tjerash Engell.





    Kongresisti Engell tha se Rugova është një patriot i madh dhe Kosova është fatlume që ka atë si lider



    .
    Me respekt
    rtp-ja


    ps. "........Te gjithe kane te drejte te mendojne..
    por ka shume njerez qe i kursejne mendimet!"


Faqja 0 prej 206 FillimFillim 121050100 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Kështu foli Tahir Zemaj
    Nga Nice_Boy në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 123
    Postimi i Fundit: 01-01-2014, 18:52
  2. Tahiraj: Rrefime mbi luften ne Kosove
    Nga Kuksjan_forever në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 09-11-2010, 14:42
  3. Vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit..
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 04-10-2010, 04:41
  4. Kushtetuta e Republikës së Kosovës
    Nga YlliRiaN në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 01-04-2009, 19:17

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •