Parakalimi i krerëve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare në Tiranë në datën 28 Nëntor 1944 nuk ishte aspak i rastësishëm, madje tepër e përgatitur dhe më së miri. Por Tirana nuk ishte qyteti i vetëm që organizoi një ceremoni për çlirimin e vendit dhe vendosjen e qeverisë së komunistëve në Tiranë. Duke shfrytëzuar ditën e 28 Nëntorit, festime të mëdha u organizuan në mjaft qytete të vendit, por kryesisht në jug të tij. Oficerët britanikë të ndërlidhjes që ndodheshin në Shqipëri në ato ditë kanë fiksuar në aparatet e tyre këto momente të veçanta jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetin e Vlorës dhe të Korçës. Duket se në Vlorë kreu i festimeve ishte Omer Dishnica, ndërsa në Korçë u zhvillua një paradë më e madhe ushtarake me 4 brigada të ndryshme partizane. Krerët e LNÇ kishin dhënë urdhër që në çdo qytet të zhvilloheshin festime. Atmosfera në to është krejtësisht ndryshe nga ç’përjetoi vendi më pas në diktaturën komuniste. Popullsia e qyteteve kishte dalë pothuaj e gjitha në rrugë me shpresën se ditë më të mira do të vinin më pas. Të veshur me kostume popullore, gra e fëmijë përshëndesin parakalimet e brigadave, parulla e të cilave ishte: “Rroftë Shqipëria e lirë, demokratike, popullore”. Atmosferën e 70 viteve më parë e sjell sot ekskluzivisht gazeta “Panorama”, me disa foto të rralla nga festimet në Tiranë, Korçë e Vlorë. Në këtë set fotografik vihen re të huajt civilë e ushtarakë të pranishëm gjatë festimeve, ku në Tiranë dallohen: majori Thorton, lejtnant Rayndird, britaniku Lion, amerikani Stefani apo rusi Ivanov. Ndërsa në Vlorë shihen ushtarakët Dawson, Dumoulin, Squires dhe Newell. Në këtë qytet bregdetar bien në sy figurat e kohës: Spiro Koleka, Hasan Pulo, Omer Dishnica, Namik Xhaferri, Rexhep Sulemani. Ndërsa në Korçë, Beqir Balluku dhe Vasil Konomi, përkatësisht komandanti dhe komisari i Brigadës II, janë fokusuar në aparatin fotografik teksa parakajojnë përmes qytetit.

Emri:  26.jpg

Shikime: 1288

Madhësia:  51.3 KB
Përfaqësuesit e huaj ushtarakë pranë LNÇ më 28 Nëntor 1944 në Tiranë. Britaniku Lion, majori rus Ivanov dhe kapiteni amerikan Stefani.


Emri:  71.jpg

Shikime: 998

Madhësia:  56.5 KB
Në podium në festimet e Vlorës. Ushtarakët e huaj janë Dawson, Dumoulin, Squires dhe Newell. Dy shqiptarët që përshëndesin me grusht janë Qasim Thanasi dhe Spiro Koleka.


Emri:  44.jpg

Shikime: 795

Madhësia:  47.4 KB
Vajza shqiptare më kostume popullore më 28 Nëntor 1944

Panorama