Personi që denoncoi studimet e rreme rreth
qelizave burimore në Korenë e Jugut thotë se
vendi ende dominohet nga vlerat që lejuan
mashtruesin e klonimit Hwang Woo-suk të bëhej
një hero kombëtar. Pas gati 10 vjet heshtjeje,
Ryu Young-joon thotë se çmimi i të treguarit të
vërtetën ende peshon mbi të, por shton se ai
nuk është penduar që e zbuloi Hwang-un si
profet të rremë.
Ndërsa punon në laboratorin e Universitetit
Kombëtar Kangwon, Ryu Young-joon është tani
një profesor patologjie me një doktoraturë në
bioetikë. Por jeta e tij u përmbys krejtësisht në
vitin 2005, kur ai ishte një studiues i ri për
shkencëtarin e diskredituar të qelizave
embrionale Hwang Woo-suk.
Zoti Ryu i tha një gazetari se puna novatore,
atëherë e vlerësuar lartë, e shkencëtarit Hwang
mbi qelizat burimore embrionale të njeriut ishte
e falsifikuar. I konsideruar nga mbështetësit e
Hwang-ut si një tradhtar, zoti Ryu u detyrua të
jepte dorëheqjen dhe të jetonte i fshehur për
muaj me radhë.
"Edhe pse Hwang bëri veprime të këqija, disa
njerëz ende e mbështesin. Ajo që Hwang bëri
ishte pasqyrimi i vetes sonë, dhe ne nuk mund
të mohojmë vetveten. Ky është mentaliteti i
njerëzve. Kur vendosa të tregoja mbi skandalin e
qelizave të Hwang-ut, mendova se duhej të
përballoja gjithë kritikat e publikut derisa ata të
kuptonin se çfarë po ndodhte në të vërtetë. Unë
mendova se publiku reagoi në atë mënyrë sepse
ata nuk e dinin se çfarë po ndodhte. Megjithatë,
u ndjeva i keqtrajtuar," thotë ai.
Në vitin 2005, shkencëtari Hwang njoftoi se
kishte arritur një përparim të rëndësishëm në
klonimin e qelizave burimore embrionale të
njeriut. Mundësia e të qenit në gjendje për të
krijuar qeliza të reja të shëndetshme ngjalli
shpresa të shumta, si për kurimin e sëmundjeve
të shtyllës kurrizore apo Alzheimerit. Hwang nisi
të trajtohej si një hero kombëtar, derisa u
zbulua si mashtrues.
Në vitin 2006, ai iu drejtua mediave dhe kërkoi
falje për veprimet e tij:
"Unë - si autor i raportit - marr përgjegjësi të
plotë për përdorimin e të dhënave të rreme në
lidhje me tezën mbi qelizat burimore. Pranoj
çdo gjë dhe kërkoj falje edhe një herë."
Një gjykatë e shpalli zotin Hwang fajtor për
përvetësim të fondeve qeveritare dhe shkelje të
ligjeve të etikës mjekësore. Ai u dënua me dy
vjet burg dhe iu hoq licenca për të kryer
eksperimente për klonime njerëzore. Por pati një
reagim të madh nga publiku, me shumë njerëz
që ende e mbështesnin.
Han Hak-soo ishte gazetari që bëri publik
mashtrimin, pasi u njoftua nga studiuesi Ryu. Ai
shqetësohet se shumë pak ka ndryshuar për të
parandaluar që një situatë e ngjashme të
ndodhë përsëri.
"Nuk mendoj se ka përmirësim rrënjësor. Nëse
flasim për çështjet strukturore, marrëveshjet për
heshtje mes të fuqishmëve të ekonomisë,
politikës dhe akademisë, si dhe aleancat
fitimprurëse që kanë me njëri-tjetrin, janë
probleme të mëdha që nuk janë trajtuar në
shoqërinë koreane," thotë ai.
Rrjeti televiziv MBC transmetoi dy emisione që
vinin në dyshim vërtetësinë dhe denonconin
metoda joetike të përdorura për kërkimet
shkencore të zotit Hwang. Gazetari Han
shprehet:
"Ne ishim të vetëm, sepse shumica e njerëzve
ishin kundër nesh dhe ishte një situatë shumë
serioze pasi njerëzit po thoshin se nuk donin ta
shihhin programin dhe se nuk u interesonte e
vërteta. Disa këmbëngulnin që emisioni duhej të
anulohej për të mirën e kombit. Lidhur me
shumicën e njerëzve, në vend që të ndiheshim
sikur po punonim për ta, ne ndiheshim sikur
ishim të dëbuar prej tyre."
Ryu e informoi gazetarin e televizionit MBC mbi
të vërtetën sepse Hwang kishte në plan të
kryente një trajtim intensiv me qeliza burimore
ndaj një djali 10 vjeçar të paralizuar.
Hwang kishte premtuar se djali do të ecte
sërish, nëse i nënshtrohej të njëjtit trajtim që ai
thoshte se kishte qenë i suksesshëm me një
qen. Studiuesi Ryu raportoi mbi mashtrimet e
zotit Hwang në vitin 2005, sepse ai besonte se
procedura eksperimentale mund ta vriste djalin.
Pas gati 10 vjet heshtjeje, Ryu thotë se çmimi i
të thënit të vërtetën ende peshon mbi të, por ai
nuk është penduar.
Ai gjithashtu dëshiron të sigurohet që një situatë
e ngjashme të mos ndodhë sërish:
"Të gjitha faktet që shkaktuan skandalin Hwang
Woo-suk ende qarkullojnë. Edhe sot, shumë
studiues janë ende të tunduar nga këto fakte
dhe unë mendoj se në qoftë se dikush është i
tunduar, një gjë e ngjashme mund të ndodhë
sërish."
Ai thotë se nuk ishte e lehtë të mbijetonte si
personi që zbuloi mashtrimin më të madh në
historinë e shkencës në vend. Sa i përket zotit
Hwang, ai është rikthyer si studiues i klonimit të
kafshëve dhe ende gëzon mbështetjeje në disa
media të Koresë së Jugut.

Emri:  qeliza.jpg

Shikime: 5383

Madhësia:  61.5 KB

www.noa.al/mob/index.php?type=artikull&id=454249