Rama: Energjia vidhet gjatë shpërndarjes, frenim e ndëshkim hajdutërisë
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot grupin e Task Forcë për energjinë që udhëhiqet nga zv/kryeministri. Rama gjatë fjalës së tij theksoi problematikën me sistemin energjitik sidomos në kuadër të humbjeve gjatë shpërndarjes.
“Taske Forcë nis punën sot nën drejtimin e zv.kryeministrit, punë që shkon përtej nivelit të humbjes dhe fitimit. Dua të nënvizoj 3 aspektet kryesore që lidhet Task Forca dhe gjithë operacioni që nis sot, e para gjendja alarmante që bie në shpërndarjen e energjisë. Së dyti ndërhyrja e domosdoshme në një fushë më jetike, që sot është fushë e minuar dhe nesër kërcënon të kthehet në fushën e një fatkeqësie kombëtare në rast se ne sot nuk bëjmë atë që na takon për ta ndaluar njëherë e përgjithmonë këtë fatkeqësi, së treti është domosdoshmëria për të ripërtërirë përgjegjshmërinë që mbron dhe zhvillon bashkëjetesën tonë në këtë vend, këto aspekte të ndërlidhura mes njëra-tjetrës sa i takon gjendjes alarmante”.
Kryeministri theksoi një shifër tepër të lartë të konsumatorëve që janë borxh me energjinë dhe po kështu dhe biznesesh.
“Më lejoni të them sot se 93% e kontratave të konsumatorëve familjarë dhe bizneseve rezultojnë me borxhe ndaj sistemit të shpërndarjes. Në tetor të vitit 2012 rezulton e humbur 36% e energjisë së blerë, vjedhja në dhjetor ka kapur shifrën 55.46% e energjisë së blerë. E pra energjia që duhet të shkonte për shërbimin e ndriçimin e një vendi qartazi ka shpuar nga të 4 anët xhepat e këtij vendi. Gjendja është përkeqësuar në vijim, gjatë këtij viti dhe krahasuar me një 1 vit më parë, humbja dhe vjedhja janë thelluar, ndërkohë që me fillimin e punës nga administratori i ri i CEZ Shpërndarje ka nisur një frenim paraprak, por kurrsesi përfundimtar dhe kurrsesi të pranueshëm”.
Sipas Ramës, kjo Taske Forcë ka detyrimin të vendosë të gjitha strukturat e shtetit në shërbim të një misioni shumë të qartë.
“kthimin e grafikut të frenimit të humbjeve dhe të vjedhjes në një grafik me rënie të vazhdueshme dhe nga ana tjetër transformimin e kësaj krize të thellë me një situatë normale”.
Sipas Ramës duhet të nisë një aksion i fuqishëm dhe i pandalshëm për frenimin e humbjeve.
“Një aksion pune sistematike e pandalshme që do shtrihet deri në fund të mandatit të qeverisë sonë dhe jo paarsye jetëgjatësia e kësaj Task Force e përcaktuar në një vit për t’i dhënë vetes mundësinë që pas një viti të bëjmë analizë të saktë dhe të kuptojmë cfarë duhet të bëjmë më tutje, është një sfidë për të gjithë ne që duhet të jemi këtu në këtë tavolinë. Operimi i një Task Force ka të bëjë me rezultate afatgjata”.
Sipas kryeministrit, një ndër debitorët më të mëdhenj kanë qenë vetë institucionet shtetërore dhe se kjo praktikë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
“Papërgjegjshmëria qeveritare ka marrë fund. Do të ngremë gur pas guri murin e përgjegjshmërisë së përbashkët kolektive që do ta mbrojë sistemin tonë energjetik nga kolapsi dhe do të vendosë në themel përgjegjshmërinë ndaj këtij sistemi jetik në cdo aspekt të mbarëvajtjes se jetës së vendit. Kjo task force në përmbajtje është rezultat i një vendosmërie të re, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që paguajnë rregullisht.
Të gjithë bashkë në mbrojtje të interesit qytetar dhe për të kerkuar përgjegjshmëri qytetare nga të gjithë, duke e nisur nga qeveria që duhet të kryejë pikë për pikë detyrën e saj dhe duke ngritur zërin bashkarisht për raste flagrante dhe më pak flagrante ku bashkëveprimi mes institucioneve ngjan i dështuar.
Frenim hajdutërisë në çdo nivel të institucioneve buxhetore dhe jo buxhetore, kompanive të medha e të vogla e për të shkuar pastaj tek konsumatori, duke lënë me mirëkuptim ata të cilët janë të fundit që duhet tu kërkohet llogari, njerëzit në nevojë”.
Rama mbylli apelin mbi energjinë me një mesazh. Kreu i qeverisë garantoi se do të marrë fund praktika e vjedhjes së energjisë dhe se ndëshkimi do bëhet në rrugë ligjore përmes gjykatave. Kreu i qeverisë bëri thirrje gjithashtu që të marrë fund praktika që ata që paguajnë të mbingarkohen me fatura të personave që nuk e paguajnë energjinë.
“Dua ta mbyll këtë me një mesazh të qartë për qytetarët. Historia kush i është nënshtruar ligjit parimit bazë të edukatës dhe të marrë nga të parët në familje, duhet të paguajë gjithnjë e më shumë kush e paguan dhe të vjedhë sa më shumë ai që nuk e paguan do marrë fund. Për këtë jemi këtu dhe kjo është vendosmëria dhe duhet ta përballojmë këtë detyrë kaq të vështirë. Dhe do e fillojmë në dy nivele, paralelisht në raport me institucionet buxhetore dhe publike me sistemin e shpërndarjes dhe paralelisht në raport me biznesin dhe sistemin e shpërndarjes. Do e fillojmë aty ku energjia vidhet për arsye fitimi dhe me shpresën e plotë se jo vetëm prokuroria, por edhe gjykatat do të jenë në krahun e ligjit ashtu sikundër ne ketu jemi në krahun e ligjit dhe me shpresën se çdo vjedhës i energjisë do marrë ndëshkimin sipas ligjit”.
PELESHI: JA SI DO TË VEPROJË TASK FORCA
Kryetari i Task Forcës për energjinë, zv/kryeministri Niko Peleshi argumentoi mënyrën se si do të funksionojë kjo Task Forcë, duke theksuar se ajo duhet të konceptohet si një punë sistematike, që do të vazhdojë si një kulturë e re e instaluar në institucionet tona.
“Për vitin 2013, humbjet në sistemin e energjisë elektrike, kanë arritur 45% të sasisë së energjisë të futur në rrjetet e operatorit të shpërndarjes. 30% e energjisë në Shqipëri vidhet. Niveli i ulët i arkëtimeve për atë pjesë të energjisë që nuk vidhet është një tjetër element i rëndësishëm i punës që na pret. Kordinimi dhe harmonizimi i punës mes institucioneve të ndryshme, përfshirë CEZ-in. Le të shikojmë mundësinë që qëndron pas kësaj sfide. Task Forca do të shtrijë aktivitetin e saj në çdo qark, ku do të veprojnë njësitë e drejtuara nga prefekti i qarkut.
Aktiviteti do të shtrihet përgjatë gjithë vitit 2014. Rezultatet e kësaj Task Force do të maten me një grafik, i cili duhet të jetë në një rënie të vazhdueshme. Raportimi do të jetë mujor dhe do të afishohen edhe përmes grafikeve për publikun. Synojmë rritjen e eficenës në shfrytëzimin e burimeve tona, edhe nëpërmjet zgjidhjeve inteligjente dhe inovacionit", – theksoi zv/kryeministri.
(d.b/er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt