Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Kahneman: të predestinuar të lajthisim

    Kahneman: të predestinuar të lajthisim

    Nga Çapajev Gjokutaj on 20/09/2014

    kahnemanKur mendoj nuk mendoj. Po ta hasja këtë thënie para disa muajsh, do ta klasifikoja në sofizmat ala Don Kishot të tipit: arsyeja e mosarsyes. Gjatë verës lexova librin e Daniel Kahneman “Të menduarit, shpejt dhe ngadalë”ndaj tashmë jam i bindur se, në një pjesë të rasteve njeriu ose nuk arsyeton, ose aplikon një të menduar gjithë defekte që jo rrallë i shpëton kontrollit të arsyes. Ky ndryshim i shkaktuar nga një libër më sjell ndër mend Bjelinskin që thoshte se librat kanë fuqi çudibërëse, pa to Don Kishoti s’do të ishte Don Kishot…

    1.

    Që lexuesi ta perceptojë sadokudo karakterin jo gjithnjë racional të të menduarit human, po riprodhoj tre nga shembujt e shumtë që sjell Kahneman.

    Një ekip zjarrfikësish hyri në një shtëpi, kuzhina e së cilës po digjej. Sapo filluan nga puna, komandanti pa e kuptuar as vetë pse, nisi të bërtiste: “Jashtë, jashtë!”. Pak çaste më vonë dyshemeja u shemb. Në fakt zjarri kishte nisur në bodrum dhe pastaj kishte arritur në kuzhinë. Vetëm kur mësoi këtë komandanti artikuloi arsyet që e shtynë të urdhëronte sprapsjen: zjarri megjithëse masiv nuk ishte i zhurmshëm, kurse nxehtësia që i përplasej në fytyrë ishte shumë më e lartë se zakonisht. Komandanti kishte marrë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës së tij, por pa menduar, më saktë pa shoshitje racionale të faktorëve dhe rrethanave.

    Rasti i dytë është një eksperiment mbresëlënës. Gjatë ditës punonjësit e një departamenti hyjnë e dalin në kuzhinë për të marrë nga automati kafe. Jo gjithnjë njeriu mund të ketë monedha me vete, ndaj prej vitesh e kanë bërë zakon që të hedhin qindarka në një “kuti ndershmërie” përbri automatit. Nuk ka ndonjë detyrim, secili hedh sa e sheh dhe kur e sheh të arsyeshme. Organizuesit e eksperimentit, pa i thënë kujt vendosën mbi automat dy postera që alternonin njëri-tjetrin çdo javë, në të parin shfaqeshin lule, në të dytin një palë sy. Në javë të posterit me sy kontributet nisin të rriten katër deri në pesë herë. Ndryshim i konsiderueshëm, i pandërmjetësuar nga ndonjë arsyetim racional, madje pa u thënë kush për posterat dhe alternimin e tyre.

    Edhe rasti i tretë është një eksperiment që Kahneman ka zhvilluar në bashkëpunim me një koleg, mjek. Pacientët që vinin për të bërë kolonoskopi i ndanë në dy grupe. Grupi A iu nënshtrua procedurës normale që përfundonte me dhimbje të mëdha. Së njëjtës procedurë iu nënshtrua edhe grupi B, por duke i shtuar në fund edhe disa minuta me dhimbje mesatare. Është e qartë se grupi B vuajti më shumë ngaqë përballoi dhimbjet e grupit A plus disa minuta shtesë. Megjithatë, më pas pjesëtarët e grupit B e vlerësuan ekzaminimin më pak të mundimshëm sesa ata të grupit A. Kemi të bëjmë me një rast të pastër lajthitjeje konjitive, ajo që mendon dhe ndjen njeriu vjen në kundërshtim me atë që ka ndodhur realisht dhe me logjikën elementare.

    2.

    Nuk është vështirë të vësh re se të tria rastet lidhen me raportet mes intuitës dhe arsyetimit, mes të menduarit intuitiv, automatik dhe menduarit arsyetues, reflektiv. Dy rastet e para ngjajnë pak si misterioze, gati-gati magjike. Me gjasë kjo ndjesi buron nga fakti që në skenë del vetëm intuita, kurse arsyetimi s’duket gjëkundi.

    Zjarrfikësi, ekspert me përvojë të pasur, ka regjistruar në memorien e vet edhe tiparet karakteristike të qindra zjarreve që ka parë. Meqë në rastin konkret dy nga këto tipare, konkretisht temperatura dhe zhurma, janë atipike, vjen në përfundiminën se zjarri nuk është i zakonshëm. Janë duke punuar në kushte risku të lartë, ndaj s’ka kohë për shoshitje logjike dhe merr vendim pa shqyrtuar argumentet, duke u mbështetur vetëm tek intuita.

    Vërtet zjarrfikësi nuk bën ndonjë arsyetim logjik, por në themel të urdhrit qëndron një operacion mendor, natyrisht tejet i shpejtë, automatik. Nëse do të hasje shifrat 2+2, menjëherë do të të vinte vetiu në kokë shifra 4. Nëse papritur do të niste shiu, pa menduar fare do të hapje çadrën. A mendon njeriu në raste të tilla?

    Truri i ngjan një rezervuari të mbushur me modele të gatshme, modele që janë përftuar nga eksperienca të mëparshme, nga kultura, trashëgimia gjenetike etj. Shpesh, sidomos në kushte rreziku, kur kërkohen zgjidhje të shpejta, këto modele gjallërohen automatikisht mbi bazë lidhjesh ngjashmërie apo asociacionesh. Në raste të tilla mungon arsyetimi, zot i plotfuqishëm është të menduarit automatik e intuitiv, por në shumicën e herëve kjo nuk na dëmton, përkundrazi na ndihmon. Pa të menduarit intuitiv jeta do të ishte e vështirë dhe tejet e rrezikuar.

    Edhe rasti i posterit me sy mbështetet mbi të njëjtin proces asociativ, paçka se situata duket më misterioze. Ndryshimi është se këtu modeli mental nuk buron nga përvoja personale, por vjen nga kultura dhe mbase edhe nga përvojat e paraardhësve trashëguar gjenetikisht. Në hullinë e gjatë të evolucionit njeriut i është dashur të jetë tejet i kujdesshëm kur haste të panjohur. Sytë e të huajit që ke përballë, njeri apo kafshë qoftë, janë burim i shpejtë informacioni për gjendjen e tij emocionale, për synimet imediate, bëhet gati të të përqafojë, të të bërtasë, të të shqyejë etj., etj.

    Me këtë superndjeshmëri të lindur për sytë mund të shpjegohet mekanizmi i fshehtë që sjell shtimin e monedhave në “arkën e ndershmërisë”, mekanizëm që strukturon disa praktika kulturore që mbështeten mbi ndikimin e ikonave, të portreteve të diktatorëve, të gjyqit të fundit ngjizur mbi besimin se syrit të Perëndisë nuk i shpëton gjë, etj. Mbi bazën e kësaj superndjeshmërie gjenetike Orwell ndërtoi ‘Big Brother’-in, që sot është bërë simbol universal i survejimit.

    Në rastin e kolonoskopisë duket sikur e kemi lënë mënjanë të menduarin intuitiv dhe kemi ardhur në mbretërinë e të menduarit reflektiv. Megjithatë rezultati është alogjik, grupi që vuajti më shumë e vlerësoi ekzaminimin më pak të mundimshëm. Po qe se matja e dhimbjes do të qe bërë çast pas çasti njëkohësisht me kolonoskopinë, vlerësimi do të ishte shumë pranë realitetit. Fakti që vlerësimi bëhet më pas, nëpërmjet retrospektivës bën të mundur ndërhyrjen tinëzare të të menduarit intuitiv. Nën ndikimin e tij pacientët nuk rrinë të peshojnë gjithë momentet e ekzaminimit njëri pas tjetrit, madje nuk marrin fare në konsideratë kohëzgjatjen, por bëjnë një vlerësim të shpejtë duke u mbështetur tek episodet më tipike e më mbresëlënëse, sidomos tek fundi dhe tek momentet kulmore.

    3.

    Rastet e mësipërme mund t’i konsiderosh të jashtëzakonshme, nga ato që ndodhin rrallë por pëlqehen e ritregohen si kuriozitete. Në fakt të gjitha rastet që kumtohen në libër, shumica eksperimente, janë të kësaj natyre dhe synojnë të vërtetojnë se të menduarit intuitiv ka rol të posaçëm dhe shpesh përcaktues mbi të menduarit arsyetues.

    Qysh në faqet e para Kahneman sugjeron që libri të lexohet si një psikodramë me dy personazhe fiktive që ai i quan dy sisteme të menduari. Sistemi 1 operon shpejt, automatikisht, me pak ose aspak sforcim dhe pa asnjë ndjesi kontrolli të vullnetshëm, pra është pak a shumë të menduarit intuitiv. Sistemi 2 është pak a shumë të menduarit arsyetues, operon me vetëdije, ngadalë, kërkon përqendrim, sforcim dhe harxhim energjish mendore e fizike.

    Dija tradicionale na ka bërë të besojmë se tek njeriu mbizotëron Sistemi 2, kurse Sistemi 1 është një aktor i dorës së dytë. Kaq e vërtetë është kjo, saqë kur flasim për veten, për unin kemi parasysh vetëm të menduarit e vetëdijshëm apo Sistemin 2; ndërkohë që besojmë se Sistemi 1, dmth e pavetëdijshmja, intuitivja, instiktivja etj., janë tej unit apo nën të, në rastin më të mirë konceptohen si pjesë e padukshme, misterioze dhe shpesh psikotike e unit. Siç e thamë, Kahneman nuk i sheh kaq të ndara këto dy pjesë dhe, ç’është më e rëndësishmja, e përmbys hierarkinë mes tyre.

    Deri në vitet 1970, kërkuesit e shkencave sociale pranonin thuajse njëzëri se njerëzit janë përgjithësisht racionalë dhe të menduarit e tyre në kushte normale është i shëndoshë. Gjithnjë sipas kësaj pikëpamjeje, rastet e shmangies nga racionaliteti janë përjashtime nga rregulli dhe kanë të njëjtin burim: ndikimin e emocioneve të tilla si frika, pëlqimi, urrejtja etj. Siç e thosh edhe metafora, ndjenja e tepruar e errëson arsyen ashtu si vaji i tepërt shuan kandilin.

    Në kundërshtim me këtë pikëpamje tradicionale dhe tejet jetëgjatë, Kahneman, miku i tij Amos Tversky dhe psikologë të tjerë konjitivistë u rrekën të vërtetonin se lajthitjet në të menduarin njerëzor nuk burojnë nga ndikimi eroziv i emocioneve, por nga vetë mekanizmi i njohjes njerëzore.

    Në libër shtjellohen bindshëm argumentet që e mbështesin këtë tezë. Sistemi 1 ka edhe një tipar tjetër: është gjithnjë i gatshëm për veprim, gjithnjë në prizë, kurrë nuk fiket, vepron në çdo çast dhe për çdo gjë. E kundërta ndodh me Sistemin 2, një pjesë të mirë të kohës është thuajse i fikur, edhe kur ndizet hyn në funksion jo aq lehtë, shumicën e kohës është disi dembel dhe tolerant.

    Të gjitha këto burojnë nga fakti që Sistemi 2 kërkon përqendrim e sforcim, rrjedhimisht harxhon energji të cilat merren nga një “buxhet” i përbashkët për gjithë veprimtaritë e organizmit. Një shëtitje meditative, dmth një të ecur i ngadalshëm gjatë të cilit shoshitim argumente rreth një teme a problemi, pushon së qeni e tillë nëse shpejtojmë hapat. Sistemi 2 fiket vetiu ngaqë këmbët, mushkëritë, zemra etj., kërkojnë më shumë energji.

    Thënë figurshëm, të menduarit human i ngjan një salle operative me dy punonjës, i pari me kohë të plotë, i gatshëm non stop, kurse i dyti me kohë të pjesshme. Vetëkuptohet se në kësi rrethanash Sistemi 1 bën shumicën e punëve pa e zgjuar Sistemin 2, duke nisur nga hapja e çadrës kur bie shi e deri tek rasti i zjarrfikëseve, posterit me sy etj. Vetëm kur informacioni nuk ngjason me modelet që ruhen në tru, Sistemi 1 zgjon Sistemin 2, i cili bën një punë më të thelluar e më seleksionuese.

    Por këtu nxjerr krye problemi i dytë. Sistemi 1 është punëtor i papërtuar, por jo edhe aq cilësor, rrjedhimisht një pjesë e informacionit që i përcjell Sistemit 2 nuk është i saktë, nuk pasqyron besnikërisht realitetin, por e rikonstrukton atë me devijime e mangësi që nuk janë rastësore por sistemike, dmth burojnë nga tipare inherente të Sistemit 1.

    Natyra automatike p.sh, bën që ky sistem të kalojë drejt e në konkluzione duke u mbështetur vetëm në informacionin e çastit, pa e vrarë mendjen për informacionin që mungon apo për alternative të tjera, rrjedhimisht nuk njeh dyshimin por është gjithnjë i sigurt. Po kështu injoron thuajse tërësisht marrëdhëniet sasiore, botën e koncepton vetëm në lidhjet shkak-pasojë, i gjen këto lidhje tak-fak dhe kur e ka vështirë, nuk mënon t’i shpikë.

    Meqë Sistemi 2 është prej natyre dembel e tolerant, shumicën e herëve i beson Sistemit 1, ndaj bota që ekziston në kokën tonë shfaqet shumë më koherente sesa ajo që ekziston realisht dhe që është shumë më kaotike e rastësore.

    Për ta bërë këtë shmangie akoma më solide ndihmon edhe një tipar evolucionar, dmth një tipar që është kultivuar tek njeriu si pasojë e luftës së gjatë për mbijetesë. Njeriu e ka të pamundur të jetojë në gjendje pasigurie të vazhdueshme, kështu që ndërton në kokë imazhe koherente e të qëndrueshme, të cilat paçka se iluzive, i lehtësojnë ankthet dhe i injektojnë optimizëm.

    Në libër shtjellohen edhe mjaft argumente të tjera që dëshmojnë se prej natyre jemi programuar që të gabojmë, lajthitja nuk është rastësi, por tipar inherent i të menduarit human, një lloj predestinimi.

    4.

    Kjo është vetëm një nga gjetjet revolucionare që qëndrojnë në themelet e librit dhe i përket fazës së hershme të punës shkencore të Kahnemanit, kur ai dhe Tversky përmes një morie eksperimentesh zbuluan një varg anshmërish konjitive, raste kur të menduarit lajthit për arsye sistemike.

    Në një fazë të dytë, gjithnjë përmes eksperimentesh dhe prapë në bashkëpunim me Tverskyn, arrijnë të vërtetojnë se shpesh, sidomos në kushte pasigurie njerëzit marrin vendime iracionale. Kjo vinte në dyshim tezën e modeleve ekonomike tradicionale se njerëzit veprojnë në bazë të parimit të maksimalizimit të fitimit. Mbi këtë gjetje zhvillohet teoria e perspektivës (prospect theory) si një fushë e re e studimeve ekonomike biheivioriste, kontribut që në vitin 2002 i dha Kahnemanit çmimin ‘Nobel’.

    Në fazën e tretë, tashmë Tversky ka vdekur, kontribuon me zbulime po kaq revolucionare në psikologjinë hedonike, dijen që studion lumturinë, natyrën dhe shkaqet e saj. Gjetjet kryesore të të tria këtyre fazave sillen në libër përmes parashtrimesh drejtuar një publiku relativisht të gjerë, pa specializim të posaçëm në psikologji.

    Është për të ardhur keq që botimi i këtij bestselleri ndërkombëtar nga Instituti i Dialogut dhe Komunikimit në përkthimin e Bashkim Shehut kaloi thuajse pa u vënë re. Me theksin e veçantë kundër vetëbesimit të tepruar libri mund të shërbente si balsam për të zbutur tipare paramoderne të debatit tonë publik si intoleranca, absolutizimet dogmatike, diskriminimet stereotipike etj.

    http://mapo.al/2014/09/20/kahneman-t...-te-lajthisim/
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-09-2014
    Postime
    992

    Për: Kahneman: të predestinuar të lajthisim

    Kthimi ne natyre, ne majmunin e gjyshit tone historik eshte i pashmangshem, mirepo na duhet te presim sa te kaloje karvani i Zotit, ai i Adamit ne sprove dhe denim!!!!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •