Shuhet në moshën 86-vjeçare "Donika e Skënderbeut"

NGA: FATMIRA NIKOLLI

Shuhet në moshën 86-vjeçare "Donika e Skënderbeut"TIRANE-Ka ndërruar jetë dje në orët e vona të pasdites, "Artist ja e Merituar", Besa Imami. Ajo prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, konfirmoi mbrëmë për "GSH" se homazhet mbahen sot nga pra 13:00 deri në orën 14:00 në Teatrin Kombëtar. E njohur si Donika në filmin "Skënderbeu", Imami prej kohësh qe shkëputur nga skena duke bërë një jetë të tërhequr.

Në karrierën e saj numërohen më shumë se 100 role, shumica e të cilëve dramatike. Nëna e gazetarit të njohur Artur Zheji, 7 ditë më parë, nga një propozim i Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar "Nermin Vlora Falaschi" është nderuar nga Gjakova, vendlindja e saj, me titullin "Nderi i skenës shqiptare". Pas një shkëputjeje të gjatë, Imami qe kthyer në skenë në vitin 2004 për të interpretuar në dramën "Streha e të harruarve" të Ruzhdi Pulahës në rolin e malësores. Roli i saj më i fundit është ai i gruas myslimane në filmin "Eduart" në vitin 2006. Në vitet e para të rinisë së hershme gjatë kohës së luftës, Imami qe aktivizuar në grupet rinore dhe ishte anëtare e organizatës "Debatik". Pas çlirimit të vendit punoi në Kryeministri.

Qe në këtë kohë që ajo u zbulua si aktore. "Mbaj mend që në periudhën kur punoja në Kryeministri, fill pas çlirimit, një grup amator ishte duke përgatitur një shfaqje teatrale 'Burri, burrë'. Personazhet e pjesës ishin katër, ndërsa organizatorëve nuk po u ecte puna me gjetjen e goditur të personazhit të shërbëtores. Në një moment më kërkuan edhe mua ta provoja njëherë. Unë nisa të luaj, ndërsa dëgjova që organizatori kryesor thirri: Eureka! Kështu shkëndija e fatit duket se po më buzëqeshte. Ndërsa dhamë shfaqjen që konkurronte me të disa institucioneve të tjera, regjisori i njohur, një nga themeluesit e Tetarit Kombëtar, Pandi Stillu, më zbuloi dhe m'u lut me ngulm që të mos i ndahesha kësaj rruge", ka thënë ajo në një prej intervistave të saj.Në vitin 1945, aktorja Imami luan të parin rol në teatër me regjisorin Pandi Stillu.

Më 1946, Besa Imami bëhet pjesë e ish- "Teatrit Popullor", të cilit i përkushtohet deri në vitin 1990. Në një prononcim për "GSH" regjisori e aktori Alfred Bualoti, tha mbrëmë se "Besa Imami ka qenë një grua dhe aktore serioze në punë. Ajo luante role dramatike dhe role karakteri. Kemi punuar bashkë në pjesën 'Bashkë me agimin' të Kolë Jakovës. Ka qenë një njeri që i mbante afër të rinjtë. Më vjen keq që kisha pothuaj një vite pa e takuar. Ishte e sëmurë dhe nuk dilte shpesh. Po edhe ne kolegët e saj e kemi fajin që nuk i kemi ruajtur marrëdhëniet me njëri-tjetrin". A la Imami pengje? Në një intervistë dhënë në vitin 2008, ajo qe shprehur: "Nuk kam pengje, por kam një ëndërr në sirtar. Dua të realizoj një dramë të djalit tim. Arturi ka shkruar shumë drama dhe pak prej tyre i ka bërë publike. Në veprat që ai ka shkruar, gjithnjë ka një personazh të krijuar për mua. Më thotë se është duke shkruar një skenar filmi dhe mendoj se do kem një rol fantastik. Të shohim...". AKTORJA Aktorja Besa Imami ka lindur më 8 gusht të vitit 1928 në Gjakovë.

Në vitin 1937, familja e saj u shpërngul prej andej për t'u vendosur në Tiranë. Që nga shtatori i vitit 1946 e deri në 1 shtator të vitit 1988, "Artistja e Merituar", Besa Imami i ka dhënë publikut mbi 90 role, midis të cilave përmendim rolin e Mbretëreshës Teuta te "Artani" e Selman Vaqarrit, rolin e Nënë Zyrasë te "Bashkë me Agimin" e Bashkim Kozelit, rolin e Prendës tek "Cuca e Maleve" e Kolë Jakovës, rolin e Klara Gaberit te "Procesi i Lajpcigut-Gjergj Dimitrovi", rolin e Rushës te "Halili dhe Hajria" e Kolë Jakovës, rolin e Lajes tek "Lulet e Shegës", rolin e Nënës te "Monserati", rolin e Gjinervës te "Rrënjët e thella" etj. Pas një shkëputjeje, Imami u rikthye përsëri në skenë në vitin 2004, për të interpretuar në dramën "Streha e të harruarve" të Ruzhdi Pulahës në rolin e malësores. Në kinematografi ajo do u bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin "Skënderbeu" të realizuar në vitin 1953. Më pas do të vijonin role të tjera si roli i Martës në filmin "Brazdat" në vitin 1973, roli i Nënë Tanës në filmin "Në fillim të verës" në vitin 1975, roli i Nënës së Gurgenit në filmin "Balada e Kurbinit" në vitin 1989 etj. Ajo gjithashtu ka interpretuar edhe në operën "Kavaleria Rustikane" të Pietro Maskanjit të vënë në skenë nga Teatri i Operës dhe i Baletit. Në vitin 1961, kur ishte vetëm 33 vjeç, Besa Imami për meritat e saj artistike do të vlerësohej me titullin "Artiste e Merituar".

(o.d/ BalkanWeb)

http://www.balkanweb.com/kultur%C3%A...ut-212340.html