Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1

    Kodikët e Shqipërisë, Përmendore Të Kulturës Njerëzore

    Kjo teme i kushtohet Kodive te Shqiperise, nje thesar i vertet kulturor. Ky material eshte botuar nga Drejtoria e Pergjithshme e Arkivave ne bashkepunim me UNESCO.

    Autorët jane:

    Alfred Moisiu, Aleks Buda, Anthimus Alexoudes, Erich Trapp, Johannes Koder, Kaliopi Naska, Koïchiro Matsuura, Kosta Naçi, Llambrini Mitrushi, Nevila Nika, Pierre Batiffol, Roderic L. Mullen, Shaban Sinani, Theofan Popa.

    Koordinatorë:

    Prof. as. dr. Kaliopi Naska, Minella Gjenerali




  2. #2

    Për: Kodikët e Shqipërisë, Përmendore Të Kulturës Njerëzore

    Kodikët e Shqipërisë, Përmendore Të Kulturës Njerëzore








    KODIKËT E SHQIPËRISË, PËRMENDORE TË KULTURËS NJERËZORE

    ALFRED MOISIU, PRESIDENT I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË


    Kodikët janë dorëshkrimet më të vjetra që janë ruajtur në hapësirën shqiptare. Tradita e shkrimeve të shenjta në Shqipëri ka vazhduar për 15 shekuj me radhë, prej paleokrishtërimit deri në kohët moderne. Shkrimet ungjillore dhe biblike në Shqipëri janë pjesë e historisë botërore të shkrimit; pjesë e
    historisë së zhvillimit progresiv të mendimit dhe të kulturës njerëzore. “Kodiku i Purpurt i Beratit”, një prej varianteve më të hershme të Besëlidhjes së Re, përbën një dorëshkrim të rrallë të letërsisë biblike në shkallë botërore. Sipas dijetarëve vendës dhe të huaj, ai numërohet i treti ose i katërti për nga kronologjia, por çmohet edhe më shumë për nga rëndësia. Të njohësh këtë dorëshkrim është njësoj si të takohesh me kohërat e mjegullta, me atë fazë të mugët të historisë, kur krishtërimi sapo kishte dalë nga fshehtësia. Në shkallë botërore ruhen gjithsej shtatë kodikë të purpurt, të periudhës së fillimeve të krishtërimit. Nuk është e rastit që dy prej tyre gjenden në Shqipëri. Vendi ynë ishte në përbërje të hapësirës burimore biblike. Tradita e dorëshkrimeve të shenjta është provë se hapësira shqiptare ka pasur në vijimësi një elitë kulturore, që ka ditur jo vetëm të krijojë, por edhe të ruajë kryevepra. Vepra të tilla, që
    janë përmendore të historisë së mendimit të njerëzimit, na bëjnë optimistë për një imazh tjetër për Shqipërinë tonë. Ato promovojnë vlerën e kulturës së këtij vendi dhe të këtij populli edhe sot, kur kanë kaluar shekuj e mijëvjeçarë nga koha e krijimit. Ato janë kontribut i njohur në historinë botërore.

    Historianët le të bëjnë të tyren dhe të na shpjegojnë se si është e mundur që në hapësirën shqiptare u ruajtën shkrime të tilla, të cilat i takojnë kohës kur krishtërimi po kalonte nga stadi i predikimit gojor në atë të predikimit kult. Por ka disa fakte të njohura, që na bëjnë të ditur se “Kodiku i Purpurt i Beratit” dhe dorëshkrime të tjera të krishtërimit të hershëm nuk janë dukuri rastësore në mjedisin shqiptar. Vetëm pak kohë para se të shkruhej kjo vepër, ishte Shën Jeronimi i Ilirisë, Shën Gjëri, siç e njohin shqiptarët, që i dhuroi Perëndimit “La Vulgata-n”, të parin tekst të Biblës të përkthyer në latinisht, rilindjen e parë shpirtërore europiane. Po në atë shekull, Shën Niketa i Remesianës ose i Dardanisë kompozoi kryelutjen e krishtërimit, “Te Deum laudamus” (“ty Zot të lavdërojmë”), që këndohet edhe sot në katedralet e Perëndimit. Perandorët ilirë të Bizantit, me fuqinë që u jepte detyra, e bënë për herë të parë krishtërimin një fe zyrtare. Ruajtja e kodikëve të Shqipërisë në këtë mjedis ku kanë kaluar rrebeshe të kohës dhe ku janë kryqëzuar ndikime mospajtuese, shpreh edhe një herë një prej vlerave etnodalluese të popullit shqiptar, tolerancën ndërfetare të tij, një model tolerance edhe për Shqipërinë e sotme. Të tilla dorëshkrime janë pjesë e identitetit kulturor të popullit, që i ka ruajtur dhe i japin emër Shqipërisë në botë. Prandaj ne përulemi me emocion dhe nderim para tyre. Shqipëria ka një të ardhme të sigurt europiane, sepse ka një të shkuar të lavdishme europiane. Në Shqipëri ka ekzistuar një frymë e fortë ekumenizmi, pavarësisht se si ka ndryshuar gjeopolitika. Fryma ekumenike, fryma e përbashkimit, që gjendet edhe në një prej vargjeve të himnit tonë kombëtar, le të gjejë një inkurajim prej kësaj tradite, që promovohet në librin “Kodikët e Shqipërisë”.

    Shkruar posaçërisht për botimin “Kodikët e Shqipërisë”.

  3. #3

    Për: Kodikët e Shqipërisë, Përmendore Të Kulturës Njerëzore

    GUR THEMELTAR NË NDËRTESËN E TRASHËGIMISË



    KOÏCHIRO MATSUURA

    DREJTOR I PËRGJITHSHËM I UNESCO-S



    Për të jetuar në paqe e harmoni ke nevojë për referenca, piketa, të cilat krijohen në mënyrë progresive përgjatë historisë. Ndërtimi i së ardhmes nuk mund të bëhet pa i kushtuar kujdes së kaluarës sonë të përbashkët. Trashëgimia e shkruar, e ruajtur në biblioteka dhe arkiva, si shembëlltyrë e shumëllojshmërisë së gjuhëve, popujve dhe kulturave, përbën njëkohësisht një dëshmi të jashtëzakonshme të së shkuarës sonë dhe të botës së sotme. Por kjo trashëgimi është tejet e brishtë. Për shembull, në Europën Qendrore dhe Lindore llogaritet që rreth 70-80 për qind e trashëgimisë dokumentare të ketë nevojë për një ndërhyrje të shpejtë për ta shpëtuar. Edhe kodikët e Shqipërisë, këto thesare të vërteta të trashëgimisë shpirtërore botërore, nuk mbeten të pakërcënuar prej këtij rreziku. Këto dorëshkrime, midis të cilëve edhe “Kodiku i Purpurt i Beratit”, një nga variantet më të vjetra të Testamentit të Ri, janë një referencë
    thelbësore e letërsisë evangjeliste dhe, më përgjithësisht, e kulturës kristiane. UNESCO i kushton një vëmendje të veçantë ruajtjes së kësaj trashëgimie unikale të zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike dhe liturgjike përgjatë historisë botërore. Ja pse “Kodikët e Purpurt të Beratit” figurojnë në regjistrin e veprave më të rëndësishme të Njerëzimit, të krijuar në kuadrin e programit Kujtesa e Botës. Nisur nga mandati i saj, si përgjegjëse e zhvillimit kulturor dhe e mbrojtjes së trashëgimisë botërore, UNESCO ka vlerësuar, në fakt, të nevojshme që të veprohet pa humbur kohë për të arritur që trashëgimia dokumentare botërore të mos pësojë dëme të reja. Përmes programit të saj Kujtesa e Botës UNESCO synon të sigurojë ruajtjen e trashëgimisë dokumentare me interes universal dhe të nxisë trashëgiminë dokumentare me interes kombëtar e rajonal, si dhe të lehtësojë komunikimin e një publiku të gjerë me to. Trashëgimia dokumentare ilustron kështu shprehjen e ndryshueshmërisë dhe pluralizmit kulturor, të cilave UNESCO u kushton një kujdes përparësor.

    Ja pse, në mënyrë krejt të natyrshme, UNESCO i dha mbështetje botimit të “Katalogut të kodikëve të Shqipërisë”. Nga kjo vepër e shënuar, kodikët e Shqipërisë do të jenë tashmë më lehtësisht të pranishëm jo vetëm për shkencëtarët, por edhe për një lexues më të gjerë. Ky katalog, informues dhe njëkohësisht shkencor, nxjerr në dritë dorëshkrimet dhe nxit në përjetimin e përbashkët të kujtesës. Gjithashtu ai vë në dukje në mënyrë parësore dhe një nga tiparet karakteristike të qytetërimit dhe të kulturës shqiptare: përpjekjen për pajtimin ekumenik, i cili ka spikatur tërësinë e historisë shqiptare dhe është reflektuar në mënyrë aq dalluese në kodikët, këto dorëshkrime kishtare. Jam i lumtur të konstatoj se përpjekjet e UNESCO-s në fushën e ruajtjes së trashëgimisë dokumentare janë pikëtakuar me një iniciativë kombëtare shembullore. “Katalogu i kodikëve të Shqipërisë” na sjell kështu një gur themeltar në ndërtesën e ruajtjes dhe shpëtimit të trashëgimisë. Ai kontribuon në nxjerrjen në pah të pasurisë, shumëllojshmërisë dhe të brishtësisë së thesareve tona të mëdha të trashëgimisë shpirtërore. Si i tillë, ai nxit në ruajtjen dhe përftimin e vlerës së saj të paçmuar.



Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •