Të gjithë ata persona që duan të pajisen me leje drejtimi, do t’i nënshtrohen rregullave të reja. Qeveria ka ndryshuar Kodin Rrugor ku janë përcaktuar qartë rregullat, kushtet dhe afatet e marrjes së patentave dhe vlefshmëria e tyre. Qeveria ka miratuar dje ndryshimet në Kodin Rrugor, ku thuhet qartë se nuk mund të drejtohen automjete dhe motomjete pa marrë leje drejtimi të parashikuar nga ky Kod. Sipas ndryshimeve të reja në Kod, përgatitja e kandidatit për leje drejtimi bëhet në auto-shkolla dhe provimet e aftësisë për leje drejtimi duhet të bëhen pranë drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor, pasi të plotësohen kërkesat e caktuara fizike e psikike. “Ministria përgjegjëse për transportin përcakton procedurën për lëshimin, përditësimin dhe dhënien e dublikatës, përmes një sistemi informatik, të leje drejtimit si dhe certifikatave të kualifikimeve profesionale, duke pasur si qëllim thjeshtimin e procedurave administrative. Kandidati për drejtues mjeti mund të regjistrohet dhe të kryejë kursin e teorisë e të praktikës në çdo drejtori rajonale të shërbimeve të transportit rrugor, pavarësisht nga regjistrimi në gjendjen civile”, thuhet në projektligj.
Kontrolli shëndetësor
Kodi i ri Rrugor parashikon që të ketë kontrolle shëndetësore dhe psikike për kandidatët që do pajisen me leje drejtimi. Kështu, sipas ndryshimeve të reja, personi, që është i prekur nga sëmundje fizike a mendore, që ka paaftësi organike, apo të meta psikike, anatomike ose funksionale të tilla që e pengojnë të drejtojë në mënyrë të sigurt një mjet me motorr, nuk mund të pajiset me leje drejtimi dhe/ose autorizim për t’u ushtruar në drejtim mjeti. “Aftësimi i duhur dhe përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve është parakusht për rrugë më të sigurta. Për këtë, disa prej ndryshimeve të miratuara sot në Kodin Rrugor konsistojnë në përafrimin e legjislacionit europian për lejet e drejtimit të mjeteve rrugore. Më konkretisht, do të ketë kërkesa të përmirësuara ndaj kandidatëve për leje drejtimi përsa i përket kontrollit shëndetësor dhe psikik. Gjithashtu, sistem i ri i lejeve të drejtimit do të konsistojë në zbatimin e sistemit të pikëve për leje të drejtimit, duke synuar kështu rritjen e përgjegjshmërisë së drejtuesve. Së fundmi, ndryshimet në Kod do të detyrojnë drejtuesi të pajisin mjetet me ndenjëse të posaçme për transportin e fëmijëve deri në 12 vjeç”, thuhet në projektligj.
Vlefshmëria e lejes së drejtimit
Vlefshmëria e lejes së drejtimit ndahet sipas kategorive. Leje drejtimi e dhënë për kategoritë C1E, CE, D1E ose DE është e vlefshme për kompleksin e mjeteve të kategorisë BE; leje drejtimi e dhënë për kategorinë CE është e vlefshme për kategorinë DE, me kusht që titullari të jetë i pajisur me leje drejtimi të kategorisë D; leje drejtimi e dhënë për kategoritë CE dhe DE është e vlefshme përkatësisht për komplekse mjetesh të kategorive C1E dhe D1E; leje drejtimi e dhënë për çdo kategori është e vlefshme për mjetet e kategorisë AM; leje drejtimi e dhënë për kategorinë A2 është e vlefshme edhe për kategorinë A1; dh) Leje drejtimi e dhënë për kategoritë A, B, C ose D është e vlefshme përkatësisht për kategoritë A1 e A2, B1, C1 ose D1.
Sinjalistika rrugore
Qeveria do të vendosë sanksione të forta për të gjithë ata persona që dëmtojnë sinjalistikën rrugore. Ky ndryshim vjen edhe në kuadrin e uljes së numrit të aksidenteve rrugore, pasi dëmtimi i sinjalistikës është shndërruar në një problem serioz për jetën e drejtuesit të mjeteve, por edhe të këmbësorëve. “Dëmtimet, shkarravitjet apo çdo shënimi në sinjalistikën rrugore ka rezultuar të ketë ndikim direkt në sigurinë rrugore, prandaj ndryshimet e miratuara nga Qeveria të Kodit Rrugor përfshijnë dhjetëfishimin e gjobave ndaj kundravajtësve dhe detyrim për sjelljen në gjendjen e mëparshme të gjendjes së rrugës. Krijimi i zonave të shërbimit të paautorizuara me akses në rrjetin rrugor dhe lidhjet hyrëse dhe dalëse të paautorizuara në objekte apo territore që lidhen me sistemin rrugor, kanë qenë një nga burimet kryesore të aksidenteve në rrugë, prandaj edhe masat administrative me gjobë do të 10-fishohet për kundravajtësit e kësaj natyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Neni 21
Vlefshmëria e lejes së ndërtimit
Neni 123 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 123
Vlefshmëria e leje drejtimit
1. Dhënia e leje drejtimit të mjetit u nënshtrohet kushteve të mëposhtme:
a) Leje drejtimi për kategoritë C1, C, D1 ose D mund t’u jepet vetëm drejtuesve të mjeteve të cilët e kanë një leje drejtimi të kategorisë B;
b) Leje drejtimi për kategoritë BE, C1E, CE, D1E dhe DE mund t’u jepet vetëm drejtuesve të mjeteve të cilët kanë përkatësisht leje drejtimi të kategorive B, C1, C, D1 e D.
2. Vlefshmëria e leje drejtimit të mjetit sipas kategorive është, si më poshtë vijon:
a) Leje drejtimi e dhënë për kategoritë C1E, CE, D1E ose DE është e vlefshme për kompleksin e mjeteve të kategorisë BE;
b) Leje drejtimi e dhënë për kategorinë CE është e vlefshme për kategorinë DE, me kusht që titullari të jetë i pajisur me leje drejtimi të kategorisë D;
c) Leje drejtimi e dhënë për kategoritë CE dhe DE është e vlefshme përkatësisht për komplekse mjetesh të kategorive C1E dhe D1E;
ç) Leje drejtimi e dhënë për çdo kategori është e vlefshme për mjetet e kategorisë AM;
d) Leje drejtimi e dhënë për kategorinë A2 është e vlefshme edhe për kategorinë A1;
dh) Leje drejtimi e dhënë për kategoritë A, B, C ose D është e vlefshme përkatësisht për kategoritë A1 e A2, B1, C1 ose D1;
e) Leje drejtimi e posaçme për drejtimin e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B, C1 dhe C, e cila u është dhënë të gjymtuarve apo personave me të meta fizike, është e vlefshme vetëm për drejtimin e mjeteve që kanë karakteristikat e dhëna në leje drejtim dhe në lejeqarkullim;
ë) Leje drejtimi e kategorisë B është e vlefshme në territorin kombëtar për të drejtuar mjete rrugore me tri rrota, me fuqi më të madhe se 15 kË, si dhe motomjetet e kategorisë A1, me kusht që mbajtësi i leje drejtimit të jetë, të paktën, 21 vjeç.
3. Cilido, që drejton një mjet për të cilin duhet një leje drejtimi e ndryshme nga ajo leje drejtimi që ai zotëron, ose që drejton një mjet të shërbimit publik, duke qenë i pajisur me leje drejtimi, por jo me certifikatë aftësie profesionale, kur kjo kërkohet, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë, kur nuk përbën një vepër penale.
4. Cilido, që është i pajisur me leje drejtimi të posaçme dhe drejton një mjet të ndryshëm nga ai i treguar dhe përshtatur posaçërisht sipas gjymtimit a të metave të tij fizike apo me karakteristika të ndryshme nga ato të dhëna në leje drejtimin që mban, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
5. Për shkeljet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, zbatohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të leje drejtimit nga 6 (gjashtë) deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, ndërsa për shkeljet e parashikuara në pikën 4 zbatohet masa administrative plotësuese e pezullimit të leje drejtimit nga 1 (një) deri në 6 (gjashtë) muaj.”.
Neni 22
Afati
Neni 124 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 124
Afati dhe konfirmimi i vlefshmërisë së leje drejtimit të mjetit
1. Leje drejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup-moshave, janë të vlefshme për:
- 10 (dhjetë) vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 50 vjeç;
- 5 (pesë) vjet, për ata që e kanë kaluar moshën 50-vjeçare;
- 3 (tre) vjet, për ata që i kanë kaluar të 70-at.
2. Leje drejtimet e mjeteve të kategorive C1, C1E, C dhe CE sipas grup-moshave, janë të vlefshme për:
- 5 (pesë) vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 65 vjeç;
- 2 (dy) vjet, për persona mbi 65 vjeç.
Sipas parashikimit të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 114, për personat mbi 65 vjeç, leje drejtimi e kategorive C dhe CE lëshohet për drejtimin e mjeteve, masa e përgjithshme e të cilave, me ngarkesë të plotë, nuk është më shumë se 20 tonë.
3. Leje drejtimet e mjeteve të kategorive D1, D1E, D dhe DE, sipas grup-moshave, janë të vlefshme për:
- 5 (pesë) vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 60 vjeç;
- 3 (tre) vjet, për persona nga 60 vjeç e lart.
Sipas parashikimit të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 114, për personat mbi 60 vjeç, leje drejtimi e kategorive D1 ose D, apo D1E ose DE lëshohet vetëm për drejtimin e mjeteve, për të cilat kërkohet pajisja me leje drejtimi përkatësisht të kategorisë B ose BE.
4. Leje drejtimet e posaçme të mjeteve, lëshuar për të gjymtuarit apo për personat fizikisht të paaftë, të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, janë të vlefshme për:
- 5 (pesë) vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri moshën 60 vjeç;
- 3 (tre) vjet për persona mbi 60 vjeç.
5. Leje drejtimet e posaçme të mjeteve, lëshuar për të gjymtuarit apo për personat fizikisht të paaftë, të kategorive C1, C1E, C dhe CE, janë të vlefshme për:
- 5 (pesë) vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri moshë 50 vjeç:
- 3 (tre) vjet, kur mbajtësi i saj është mbi 50 vjeç.
Këto leje nuk rinovohen pas moshës 65 vjeç.
6. Mbajtësit e leje drejtimit të automjetit, sipas pikave 2, 3, 4 dhe 5, kur mbushin 80 vjeç rifreskojnë vlefshmërinë e leje drejtimit çdo vit pas verifikimit të ekzistencës të të dhënave fizike dhe mendore nga komisionet mjekësor përkatëse, duke u bazuar në pikën 5, të nenit 117.
7. Vlerësimi i të dhënave fizike dhe mendore për rinovimin e certifikatave të aftësisë profesionale bëhet çdo pesë vjet dhe me rastin e rinovimit të leje drejtimit.