Kadare: Nuk u jap rëndësi xhuxhëve dhe spiunëve


“Shumica e njerëzve kanë dashuri për shkrimtarin. Por kjo është e pabujshme”

Emri:  ismail kadare.jpg

Shikime: 405

Madhësia:  15.0 KB

Vetëm gjykimit të popullit të vet nuk do të donte dhe nuk do të mundte t’i shmangej, ndërsa “xhuxhëve e spiunëve” Ismail Kadare ka mësuar të mos u japë më shumë rëndësi seç duhet. Kështu shprehet ai gjatë një bisede me arkitektin e piktorin Maks Velo, botuar në librin “Zhdukja e ‘Pashallarëve të kuq’ të Kadaresë, anketim për një krim letrar” (“Onufri” 2002). Në një kohë kur është ende i nxehtë debati mes Kadaresë dhe shkrimtarit e studiuesit Nasho Jorgaqi, si një lloj kundërpërgjigjeje kundrejt gjithë situatës së krijuar, shtëpia botuese “Onufri” publikon në faqen e saj në facebook këtë bisedë. Një mënyrë jo e drejtpërdrejtë, që lë të kuptojë arsyen pse Kadare nuk iu përgjigj personalisht letrës së hapur, drejtuar nga Nasho Jorgaqi. Për këtë ai i referohet një episodi të gati 20 viteve të shkuara, gjatë një vizite në Luksemburg, me rastin e themelimit të Akademisë së Poezisë. Një grup bashkatdhetarësh kishin shkuar ta takonin, e kishin shoqëruar deri te shkallët e ndërtesës, në të cilën zhvillohej ceremonia, çka kishte tërhequr vëmendjen e dhjetëra poetëve që ndodheshin atje. “Shumica dërrmuese e njerëzve kanë dashuri për shkrimtarin. Por kjo shumicë, ndryshe nga zhgani tjetër, është e pabujshme. Madje, kjo dashuri e shumicës shkakton nervozizëm te disa”, thotë Kadare.

* * *

Nga Ismail Kadare

Ti e di mirë se kudo në botë çdo shkrimtar a artist i shquar krijon vetvetiu kundërshtarë. Me arsye, pa arsye, me kinse arsye. Në qoftë se kjo është një e vërtetë botërore, gjitheuropiane, mendo se ç’trajta groteske merr në Ballkan e sidomos në vendin tonë të dashur. Të marrin inat njerëzit për gjëra që s’të vete mendja: për kapelën që ke vënë, ose nuk e ke vënë, për ecjen, për të fejuarën, për kanapenë, për romanin, për një Zot e di çfarë. Më kujtohet se ty të merrnin inat pse rrije i pikëlluar në kafene. Madje, më ke thënë se ta kanë përmendur edhe në hetuesi. Këto gjëra unë i di prej kohësh dhe nuk më shqetësojnë. Nuk më shqetësojnë, sepse di gjë tjetër: që shumica dërrmuese e njerëzve kanë dashuri për shkrimtarin. Por kjo shumicë, ndryshe nga zhgani tjetër, është e pabujshme. Madje, kjo dashuri e shumicës shkakton nervozizëm te disa. Të tillët fillojnë të mos të duan pikërisht se të duan të tjerët. Meqenëse e zbuluam se jemi në një ngecje e zvarritje kafkiane, më lejo të të tregoj një ngjarje që lidhet me dashurinë për letërsinë.

Më 1995, në Luksemburg u themelua Akademia e Poezisë. Ceremonia ishte luksoze. Kishte shkrimtarë e poetë të njohur nga gjithë bota. Unë mbajta fjalën e hapjes. Ditën e tretë në mbrëmje, pak përpara darkës së lamtumirës, më thanë se te hyrja e hotelit më kërkonin. Ishin një grup shqiptarësh, rreth 30 veta, të gjithë mërgues në viset përreth. Shumica kosovarë. Kishin marrë vesh në TV praninë time dhe deshën thjesht të më takonin. Ndonëse ishin të ndrojtur e fjalëpakë, qëndruam rreth një orë bashkë. Pastaj u thashë se duhej të shkoja në darkën e mbylljes. U ngritëm të gjithë dhe më kërkuan leje të më shoqëronin gjer te ndërtesa ku bëhej darka. Kaluam kështu mespërmes parkut. Kur iu afruam sallës, pas qelqeve të së cilës rrëzëllenin dritat, ngadalësuam hapat. Kështu, unë përpara, ata pas, iu afruam hyrjes. Aty u thashë natën e mirë dhe ngjita shkallët. Kur ktheva kryet, pashë se rrinin ende aty, si një mur i heshtur, në këmbë, me sytë nga qelqet e sallës. Ndërkaq, shumë të ftuar ishin bërë kureshtarë për ta dhe ishin afruar te qelqet për të marrë vesh se ç’ndodhte. Organizatorët e darkës gjithashtu. U thashë se ishin shqiptarë refugjatë, shumica nga Kosova, ndaj dukeshin aq të zymtë.

Po mbërrinin të ftuarit e fundit, pritej dukesha e madhe që do të kryesonte darkën. Te qelqet ndërkaq ishin shtuar poetët që vështronin përjashta grumbullin e shqiptarëve. Ishin krejt të mahnitur nga ajo pamje epike, nga ai seriozitet, nga ajo përzitje madhështore. E kishin ëndërruar, siç më thanë pas pak, një lidhje të tillë me lexonjësit e tyre. Një marrëdhënie të tillë, që ngjante e rrezikshme dhe funebre, ngaqë poezia përzihej me lirinë ose, më saktë, me mungesën e saj.

Kështu, për një farë kohe të dy palët vështruan njëra-tjetrën, të ndarë nga qelqet e mëdha. Kur i pashë të largoheshin, ashtu si një mur i errët, i huaj për këtë botë, moskuptues, antik, mendova se ky ishte muri i popullit tim, që një ditë mund të më zinte nën vete e unë kësaj as do të mundja e as do të doja t’i shmangesha. Ta tregova këtë që të më kuptosh se përse unë nuk u jap rëndësi më shumë se ç’duhet xhuxhëve dhe spiunëve. Janë këto qoka (referenca) të mëdha që na kanë mbajtur gjallë. Ndryshe prej xhuxhëve mund të çmendeshim. Ose të bëheshim edhe ne xhuxhër, si ata.

Është kjo arsyeja që unë kam falur shumë gjëra. Ti më njeh, unë s’jam natyrë e butë. Veç kësaj, vij nga një qytet që ka qenë shquar për mëritë e gjata. E megjithatë, është falja ajo që më ka kthjelluar shpirtin.

(Marrë nga libri: Zhdukja e “Pashallarëve të kuq” të Kadaresë, anketim për një krim letrar, nga Maks Velo, Onufri, Tiranë, 2002)

* * * * *