Persekutimi i klerit katolik, pikturat si dëshmi në muret e kishave

Persekutimi i klerit katolik, pikturat si dëshmi në muret e kishave
nga Aida Tuci {28/07/2014}

Në korrik të vitit 1968 në Shkodër do të hapej e para ekspozitë ateiste me temë “Mbi rolin reaksionar të fesë”. Në historinë e artit pamor piktura e shledijes 1kjo është ekspozita më jetëgjatë. Qëndroi e hapur më tepër se pesë vjet dhe do të shndërrohej më vonë në “Muzeun ateist” të Shkodrës, që zyrtarisht u hap në vitin 1973.

Propaganda dhe lufta kundër klerit katolik nga regjimi komunist nuk filloi këtu.

Kish nisur qysh më 1945 me zhdukjen e klerit me burgime e pushkatime e tortura çnjerëzore që vazhduan në mënyrë sistematike gjatë gjithë instalimit dhe konsolidimit të diktaturës në Shqipëri. Tema fetare si në art dhe letërsi do të trajtohej për 50 vjet si reaksionare, e rrezikshme, opium për popullin.

Pas viteve ’90, tabloja e persekutimit të klerit katolik u shfaq e plotë dhe e vërtetë, në kujtimet e fretërve françeskanë dhe jezuitë, në dokumentet arkivore dhe në studime të ndryshme. Për herë të parë kjo temë frymëzoi dhe në artet pamore.

Ishte vitit 1992. Në Shkodër “Lidhja e artistëve” organizonte ekspozitën e fundit, para se të zhbëhej. Në këtë ekspozitë do të prezantohej me një punë edhe piktori shkodran Pjerin Sheldija. Tabloja titullohej “Kryqëzimi i shekullit XX”.

Tabloja paraqiste dy fretër, të lidhur me litar në pemën e oborrit të Kishës së Françeskanëve në Gjuhadol (e cila deri para pak vitesh kishte shërbyer si sallë kinemaje), të sakatosur e të torturuar. Nën këmbët e tyre dy partizanë flenë të qetë.

“I pari meshtar i pushkatuem në Shqipni ka qenë Dom Lazer Shantoja në vjetin 1945. Iu banë tortura të tmerrshme në trupin e tij, tue e copëtue kambësh e duersh”…

Këto dëshmi kanë ngacmuar autorin Sheldija.

Historia e persekutimit të klerit katolik për herë të parë është trajtuar në tablonë kompozicionale “Kryqëzimi i shekullit XX”. Sot kjo tablo gjendet në mjediset e kishës së Shën Françeskut në Gjuhadol, Shkodër.

Në filmat e propagandës komuniste “gjetja e armëve” në altarin e Kishës, shërbeu për të “shpërlarë” trurin e një populli. Muralja “Shpifja e madhe” e realizuar në vitin 1996 prej Pjerin Sheldijës është ndalur pikërisht në këtë episod, në shpifjen e madhe komuniste që shërbeu si pretekst për të masakruar e torturuar dhjetëra meshtarë.

Atë Mati Prenushin, dhe gardiani i fretërve në Shkodër, Atë Çiprian Nikën, u akuzuan me shpifje se kishin futur armë në Alterin e kishës së Shënandout, në kishën françeskane të Gjuhadolit. Të dy fretërit, u pushkatuan. Janë disa tablo dhe murale të piktorit Pjerin Sheldija që flasin për histori persekutimi të klerit katolik.

Të gjitha qëndrojnë si dëshmi e atij terrori në muret e kishave në qytete dhe fshatra të Shqipërisë.

“E vërteta duhet tregu në t’gjitha mënyrat”. At Viktor Demaj, që shërben në Kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol, është i bindur për këtë. Disa prej punëve të piktorit Sheldija tregojnë këtë të vërtete në muret e saj.

Në Kishën e Martirëve Shqiptarë në Blinisht përmes tablove të Sheldijës, tregohet historia e motër Marie Tucit. Ajo u arrestua dhe provoi tortura nga më çnjerëzore. Në muralen e realizuar nga Sheldija ajo shfaqet në burg e prangosur, dhe një mace e zezë kërcënuese duket sikur sapo ka dalë nga thesi i zi.

“Dom Mark Gjanit, tue e torturue, i kërkuen ta mohonte Krishtin. Përkundrazi Dom Marku tha fjalët e fundit mes dhimbave: “Rrnoftë Krishti Mbret!” Vdiq i varun ndër shpatulla, tue ia hjedhë trupin qejve e mbeturinat e tij i lëshuen në përrue.”

“Rroftë Krishti Mbret!”- thanë dhe jezuitët Gjon Fausti e At Daniel Dajani që kanë frymëzuar pikturën realizuar në telajo dhe vaj të piktorit Sheldija, e cila ndodhet në Kapelën e Eukaristisë në Kishën e Blinishtit. Dy jezuitët u vranë së bashku me françeskanin Gjon Shllaku në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik në vitin 1946.

Sheldija i është kushtuar plotësisht temave fetare, si dhe punës në zbukurimin e kishave me tablo kavaleti e murale. Kisha e Zojës Rruzare, e Shën Françeskut në Shkodër, e Martirëve Shqiptarë në Blinisht; Katedralja Nënë Terezë në Laç-Vau i Dejës; e Familjes së Shenjtë në Balldre janë të punuar me tablo murale prej tij. Po kështu punë të tij ka në katedralen e Shkodrës, në Baqël, Krajën, Piraj, Koplik, Torovicë, Gjadër etj.

Dy punë të tij i janë dhuruar dhe Papa Gjon Palit II si dhe të tjera janë pjesë e koleksioneve private.

Pjerin Sheldija, si i pari dhe i vetmi piktor që trajton temën fetare, pa lënë mënjanë dhe tema të tjera sidomos ato historike, etnografike, shpreson që shembullin e tij ta ndjekin dhe piktorë të tjerë të brezave më të rinj. Edhe pse në moshë ai vazhdon të punojë jo vetëm për të zbukuruar muret e kishave në qytete dhe fshatra të ndryshme, por dhe për të treguar përmes tablove, historinë e persekutimit të klerit katolik nga regjimi komunist.

“Do të punoj deri në fuqinë e frymën e fundit”- thotë ai.

GAZETA MAPO