INTERVISTA/ FLET ISH MËSUESI IMER BAJRAM GJANA


- Patriotë të mëdhenj, kundër gjenocidit serbomadh në vitet 1912-1913

-Formimi i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar datë e shënuar historike në rrethin e Kukësit

- Rrethimi i Muharrem Bajraktarit dhe arratisja e tij në Belgjikë

- Zhdukja e traditave, ku dolli ngriheshin për Enverin, Titon, Stalinin dhe Mao Ce Dunin

- Kapiten dhe gjeneral mund të bëhesh, por njeri s’bëhesh dot

- Në familjet e cilësuara armike nuk merrje pjesë as në gëzime, por as në hidhërime

- Shkollimi dhe puna në Hidrocentralin e Bistricës për të blerë pantallona

- Në Delvinë në mes të ferrave me këmbë për të marrë gazetat

- Frika nga rojat e kufirit, kur po flinim mes kashtës me pluhura në një kabinë elektrike

- Takimi me Hysni Milloshin, donte t’i flisnin vetëm “Shoku!”

- Jashar Menzelxhiu, urdhër të shkoni në shtëpi me makinë ushtarake

- Në aksion në Krumë të Hasit, ku u nxorën hajdutë Tolstoi, Gorki, Esenini, etj..

- Tahir Minxhozi dhe heqja e çitjaneve të grave



Albert ZHOLI


Gabrica nga ku është Imer Gjana, është një fshat i vogël me bukuri natyrore, me njerëz të punës, të besës, të pushkës, të etur për miqësi, arsim e kulturë. Ky fshat ka qenë dhe mbeti model për rrethin e Kukësit. Dallohej, në radhë të parë, për unitetin, dashurinë dhe respektin që njerëzit ushqenin për njëri - tjetrin, për mikpritje e bujari. Ky fshat dallohej për rritjen e blegtorisë, veçanërisht të dhisë e të vreshtave. Të parët tanë që bënin pazarin në Prizren tregonin se dhia dhe rrushi ynë shitej menjëherë. Tregtarë të ndryshëm nxirrnin në pazar mall nga Gabrica. Kanionet e Gabricës rrethoheshin nga pyje të lartë, mund të them – shekullorë, sepse ruheshin dhe riprodhoheshin nga prona private. Kryesisht mbizotëronte dushku, shkoza, frashëri. Kodrat, fushat, luginat ishin të emërtuara, si Maja e Pjeshkës, Bulqiza, Maja e Shpatit, Lugu i keq, Boka e burrave, Ara Lanë, Bojdane, Rrëzë, Laki i Kodrës, Lugji i Denit etj.. Gjatë gërmimeve për ndërtime, për themelet e stallave të kooperativës, në një pjerrësi, shpat, në thellësi mbi dy metra u zbuluan dy varre, që ishin ndërtuar me gurë gëlqerorë në formë kubike një llullë për pirjen e duhanit dhe një kryq alumini, që vërtetoi se ky vend ka pas qenë i banuar që në kohë të hershme nga njerëz të besimit katolik.


Patriot të mëdhenj, kundër gjenocidit serbomadh në vitet 1912-1913

Në perëndim, ku na ndante Drini i Zi, qëndrojnë bjeshkët e Tejdrinës. Gabrica mbarti traditat e atdhetarisë, të cilat u përcollën nëpër flakët ë historisë. Ato nisin me rezistencën antiturke, marrin përmasa më të mëdha kundër genocidit serbomadh në vitet 1912-1913, manifestohen në idealet për demokraci 1924, përtërihen në mënyrë të shkëlqyer gjatë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesit italian e nazizmit gjerman ne vitet 1939-1944 dhe shpalosen me tërë fuqishmërinë edhe në periudhën e pasçlirimit, 1944 – 1990.


Formimi i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar datë e shënuar historike në rrethin e Kukësit

Duke qenë një pozicion gjeografik i rrethuar nga malet dhe pa asnjë rrugë kalimi tranzit për në fshatrat apo qytetet e tjera dhe, njëkohësisht, me njerëz punëtorë e të besës, fshati qe përzgjedhur viteve të luftës si vendi ku do të formohej Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar. Dhe kjo ngjarje e shënuar historike ndodhi në shtëpinë e Shaban Hajdarit. Pavarësisht nga rrethanat politike, kjo është një datë e shënuar historike në rrethin e Kukësit edhe pse edhe sistemi socialist i asaj periudhe nuk ia dha vlerat e duhura deri vonë! Vetëm me kërkesën e brezit pasardhës, veçanërisht të Tasimit, i cili qe arsimtar, u arrit të vlerësohej dhe të vendosej Pllakë Përkujtimore pranë kësaj shtëpie, duke ia dhënë vlerat që pat merituar. Sipas thënieve të ish-pjesëmarrësve në këtë mbledhje, u zgjodh pikërisht kjo shtëpi, pasi ishte e madhe dhe e besës. Shabani kishte katër djem; Myftarin, Shaqirin, Bardhin dhe Hajdarin. Në atë kohë ishin të rritur, kështu që edhe këta garantonin sigurinë e punimeve të kësaj mbledhjeje.


Rrethimi i Muharrem Bajraktarit dhe arratisja e tij në Belgjikë

Njëkohësisht, në po këtë fshat, në vendin e quajtur Bulqizë, u bë rrethimi i Muharrem Bajraktarit në vitin 1946. Me sa kam lexuar dhe dëgjuar, Muharrem Bajraktari asnjëherë nuk u pajtua me sistemin komunist dhe kështu u bë prijës i atyre që ishin arratisur maleve, duke qëndruar në krye të tyre për disa vjet. Për disa kohë ai pat zgjedhur edhe Gabricën për t’u fshehur. Një pjesë të kohës e pat kaluar edhe në vendin e quajtur Bulqizë. Ky vend ishte një humnerë në breg të Drinit të Zi, me pyll të dendur dhe i rrethuar nga kodrat. Pasi një pjesë e shokëve iu vranë, ai mundi të çajë rrethimin dhe të largohej njëherë e përgjithmonë nga vendi ynë, duke përfunduar në Belgjikë.


Zhdukja e traditave, ku dolli ngriheshin për Enverin, Titon, Stalinin dhe Mao Ce Dunin

Aq brutalisht dhe egërsisht veproi sistemi monist në jetën e popullit, sa ia zhduku traditat popullore e ato historike të tij, sa që në çdo rast, në ceremoni të ndryshme, në rast gëzimesh apo hidhërimesh, në qoshe e në krye për drejtimin e muhabetit nuk vihej më ndonjë nga burrat më të moshuar e më të zgjuar, por kryetari i kooperativës, kryetari i Këshillit, sekretari i Byrosë së Partisë, oficeri operativ i Sigurimit etj. Ishin këta që hapnin muhabetin dhe ishin po këto që mbyllnin gëzimet familjare! Ishin krejt artificiale dhe tingëllonin krejt false urimet dhe dollitë që ngriheshin për Partinë dhe shokun Enver, për Byronë Politike, për Komitetin Qendror etj. Dikur ngriheshin dolli për Titon, pastaj për Stalinin dhe Mao Ce Dunin. Kur u prishëm dhe u divorcuam me ta, doli teoria të ecim në rrugë të pashkelura! Në këtë kohë, duke zbatuar këto artificialitete, qenë krijuar deri edhe situata komike. Ndodhi që djali, duke respektuar gradën Kapiten, ulet në një odë kuksiane në qoshe, ndërsa i ati - te dera! Gjatë bisedës, dikush i drejtohet babait: “T’u bë djali Kapiten, o ...” Tjetri iu përgjigj: “Kapiten dhe gjeneral mund të bëhet, por njeri s’bëhesh dot”. U harruan dhe u braktisën këngët e vallet e trashëguara në breza në ceremonitë e ndryshme gëzimi apo hidhërimi. Në familjet e cilësuara armike jo vetëm njerëzit e fshatit apo të lagjes nuk merrnin pjesë, por edhe njerëzit e afërt, si farefis, miq apo ish-shokë nuk u shkelnin në derë nga frika e luftës së klasave!


Shkollimi dhe puna në Hidrocentralin e Bistricës për të blerë pantallona

Erdhi edhe dita kur unë do të shkoja në shkollë, në klasën e parë, me mësues Hebib Gjanën, bashkëfshatarin tonë. Më kujtohet edhe sot kur nëna më qepi çantën e shkollës në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes ma vendosi në krah dhe më shoqëroi deri te shkolla. Kuptohet, emocioni fëmijëror, kushdo i ka kaluar, por ai me sjelljen dashamirëse prej mësuesi më bënë që t’i nënshtrohem një disipline ,duke më shtuar kështu edhe vullnetin për të mësuar shkronjat e gjuhës shqipe. Në kohën që më njoftuan se më kishte dalë e drejta e studimit për në Pedagogjiken e Peshkopisë, ndodhi që atyre netëve të na vinte në shtëpi daja im, Idriz Bruka, nga Ujmishti. Në bisedë e sipër, babai i tha mysafirit: Dua ta çoj djalin në shkollë, por s’kam mundësi t’i blej një palë rroba!!! Dajë Idrizi i tha: “Unë jam duke shkuar në Hidrocentralin e Bistricës për të punuar dhe ma jep djalin ta marr me vete këto dy muaj. Atje ai do t’i nxjerrë vet rrobat e tij.” Dhe kështu u bë. Isha 14 vjeçar. Ja, kështu arritëm në Bistricë. Pas dy ditëve dajë Idrizi më dërgoi që të punoja me një brigadë që hapte rrugë makine. Nuk njihja njeri. Të gjithë punëtorët ishin nga ana e jugut. Mezi u kuptoja të folurit! Puna ishte e rëndë: heqje e dheut me lopatë apo shtyrje e karrocave. Brenda një kohe të shkurtër m’u vranë dhe m’u enjtën duart. Dajë Idrizi, duke më parë në atë gjendje, më mori e më dërgoi te drejtori, Sali Vata, që ishte edhe Hero i Punës Socialiste. Kur drejtori pa duart e mia, iu drejtua me ashpërsi dajë Idrizit: “Përse e ke sjellë këtë fëmijë këtu?!” I zënë ngushtë, daja ia kthen: “Do të shkojë në shkollë të mesme këtë vit, kështu që i duhet të blejë një palë pantallona!”

Në Delvinë në mes të ferrave me këmbë për të marrë gazetat

Kur dëgjoi se çfarë i tha daja, atëherë ai menjëherë ndryshoi qëndrim. Që në atë çast dha urdhër që unë të shkoja në Delvinë për të marrë gazetat. Kështu fillova të merrem me postën.

Rregullisht shkoja në Delvinë, merrja aty letra e telegrame që niseshin nga të katër anët e Shqipërisë. Zakonisht Posta vinte vonë nga Tirana, në mbrëmje. Merrja materialet në Postë dhe kthehesha me vrap monopateve. Kodrat e përrenjtë ishin me ca shkurre mareje të shpeshta. Rruga mbante afërsisht dy orë. Një ditë prej ditësh më tha daja, se do të shkojmë të takojmë Shukrinë, vëllain tim të madh, që ishte ushtar në Jergucat të Gjirokastrës. Ashtu bëmë. U nisën makinë më makinë dhe pasdite arritëm në një qendër të vogël. Ishte Jergucati, rrëzë dy pyjeve me drurë të lartë. U paraqitëm në postbllok te një oficer. Ky na premtoi, se të nesërmen do ta zbriste për takim nga maja e malit ku kryente shërbimin.

Frika nga rojat e kufirit, kur po flinim mes kashtës me pluhura në një kabinë elektrike

Për të kaluar natën shkuam në një kabinë elektrike që nuk funksiononte. Sistemuam si shtresë ca bar, se nuk gjetëm rrugëzgjidhje tjetër. Na duhej të mos flisnim, madje as të mos kolliteshim, pasi ishte zonë kufitare. Ushtarin e Shërbimit e kishim afër, kështu që rrezikoheshim se mund të na merrnin për tentativë për arratisje. Të nesërmen erdhi Shukriu dhe u takuam me mall. Kishim më se një vit pa u parë dhe pa u takuar. Qëndruam tërë ditën me Shukriun dhe u çmallëm. Pasdite vonë Shukria iku për në majën e malit, pasi atje shërbente si kufitar, ndërsa ne u kthyem për në Jergucat.

Mbrëmjet e vallëzimit dhe meshkujt e bujqësores që u shkelnin këmbët vajzave

Duke qenë se “bujqësorja” nuk kishte vajza, më kërkonte mua që të sajoja sebep për organizim të mbrëmjeve të dëfrimit me klasën time, pasi edhe unë isha sekretar rinie në klasën time. Ishte një orientim i asaj kohe shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet organizatave të rinisë. Klasa ime kishte më shumë vajza, se sa djem. Këto mbrëmje u realizuan disa herë, zakonisht të shtunave. Kuptohet, organizoheshin me rregull e disiplinë. Mirëpo, kalonin minutat, të rinjtë e të rejat josheshin nga muzika dhe atëherë ... vajzat nuk dëgjonin më! Sapo fillonte muzika, çdo vajzë kishte para dy – tre djem! Dhe këto ndiheshin keq dhe nuk dinin se si të vepronin. Njëkohësisht, vajzat thoshnin: bujqit nuk dinë të vallëzojnë! Ata na dërrmuan nga këmbët!

Takimi me Hysni Milloshin, donte ti flisnin vetëm shoku

Këtu po hap një parantezë: Rastësisht duke kaluar te stacioni i trenit në Tiranë, nga një lokal më thërret dikush. Kthej kokën dhe, ç’të shoh? Ishte Aqifi. Më thirri t’i shkoja pranë, në atë lokal, për të pirë kafe. Shkova. Sapo u futa në të, gjeta në tavolinë Hysni Milloshin, kryetarin e PKSH, të cilin, ç’është e vërteta, e njihja nga ekrani. Nderi e donte që t’i drejtohesha me kulturë Hysniut, prandaj i them: “Zoti Milloshi, ndihem i kënaqur që Ju takoj!” Mirëpo paskësha gabuar, madje rëndë! Liderit komunist iu dashkej drejtuar ndryshe. Këtë ma tregoi shoku im, Aqifi, teksa m’u drejtua me ton tepër serioz: - Nuk ka zot këtu! - Po çfarë ka?! – Këtu ka vetëm shok! Duke bërë autokritikë dhe duke iu rikthyer edhe një herë përshëndetjes, por tani duke zëvendësuar fjalën “zot” me fjalën “shok”, vazhduam bisedën. Duke më prezantuar me Milloshin, Aqifi i fliste: Ky ka qenë një komunist që i ka ec me hile Enver Hoxha. Dërgoi armiqtë dhe kulakët në shkolla dhe e rrëzuan atë.

Jashar Menzelxhiu, urdhër të shkoni në shtëpi me makinë ushtarake

Më kujtohet një rast; isha në vitin e tretë. Drejtori i shkollës nuk na lejoi vetëm ne nxënësit e Kukësit që të shkonim nëpër shtëpi, sepse kishte rënë dëborë e madhe. Në fakt, nxënësit e tjerë kishin ikur dhe ne u mërzitëm shumë. Në këtë kohë shoku ynë, Sali Onuzi, i doli para Sekretarit të Parë, Jashar Menzelxhiut, dhe i tregoi hallin që kishim. Ai urdhëroi që të nisej një makinë ushtarake me zinxhirë, shoqëruar nga një polic që ta udhëhiqte. Makina na solli deri në Muhur (fshat) dhe aty u kthye, pasi urën e kishin shembur ujërat e rrëmbyeshëm! Erdhën në këmbë deri në Reç dhe të nesërmen policia na shoqëroi deri në Bicaj.

Në aksion në Krumë të Hasit ku u nxorën hajdutë Tolstoi, Gorki, etj..

Me mbarimin e shkollës pedagogjike në korrik të vitit 1966 na dërguan në aksion në Krumë të Hasit, ku traktorët punonin, duke e kthyer këtë vend nga pyll në tokë bujqësore. Çdo mëngjes bëhej rreshtimi dhe jepeshin detyrat e ditës, sipas skuadrave dhe brigadave. Çdo të shtunë jepeshin konkluzionet javore, duke lavdëruar dhe kritikuar individë, skuadra dhe brigada. Për të dalluarit jepej një copë beze e kuqe, që në mes kishte një “S”, që do të thoshte Sulmues dhe ky ishte një stimul moral që bëhej. Një mëngjes, kur komandanti ishte Azem Kërxhalliu po shpërndante frontet e punës, ngjitet në podium roja i parcelës së frutikulturës dhe i drejtohet komandantit me një letër në dorë, duke i thënë: Këta nxënës i kam kapur duke marrë kumbulla! Komandanti, duke marrë letrën dhe pa e parë atë, i drejtohet mikrofonit dhe bën propagandë për ruajtjen e pronës së përbashkët: Shkolla nuk ju ka mësuar ta prishni pronën e përbashkët, prandaj të dalin këtu përpara nxënësit: Tolstoi, Maksim Gorki…! Kur kuptoi, se ishte duke shqiptuar një gafë që shkaktoi aq shumë humor, kthehet me rrëmbim nga roja, duke i folur me ton të prerë: janë tallur me ty, more njëri, se nuk kanë ardhur nga Bashkimi Sovjetik për të vjedhur kumbullat këtu në Krumë! E tërë masa e aksionistëve thuajse tërë atë ditë e kaloi me humor.


Tahir Minxhozi dhe heqja e çitjaneve të grave

Ishte viti 1967, vit që i gjithë brezi im duhet ta kujtojë shumë mirë, kur, me orientim partie, u zhvilluan disa lëvizje të mëdha revolucionare në fusha të ndryshme, siç ishte ai i kolektivizimit, i luftës kundër zakoneve prapanike e atyre fetare etj. Në këtë periudhë Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Kukësit, Tahir Minxhozi, kuadër shumë popullor, veçanërisht me të moshuarit, mblodhi nga i gjithë rrethi i Kukësit 72 pleq. Një ndër të mbledhurit rastisi të ishte edhe babai im. Mbasi u ul vënçe në një nga zyrat e Komitetit të Partisë, në mes të asaj zyre vendos një mangall me zjarr dhe ua pjek vet kafenë. Dhe ia nis bisedës popullorçe. Pastaj, me takt u merr mendim për luftën kundër zakoneve prapanike. Një ndër këto zakonet prapanike ishte heqja e çitjaneve. Në vend të këtyre, orientohej të futej fustani. Mirëpo, biseda sikur nuk po shkonte si duhej. Nuk ishte gjë e lehtë të hiqej çitjania. Ishte mbajtur në breza. Gjithsesi, nuk mund t’ia prishnin Tahirit. Pas dy ditësh, gazeta “Zëri i Popullit” shkruante me shkronja të mëdha për përkrahjen e iniciativës së 72 pleqve të Kukësit! Dhe filloi kështu lëvizja mbarëkombëtare për ndryshimin e veshjes. Të moshuarit e asaj kohe mblidheshin në odën e shtëpisë sime dhe në mes të bisedave të ndryshme, i thonin babës: “Ç’na bëre, o Bajram!” Ai u thoshte, se “S’i patëm fjalët të tëra kështu, por ... nejse”. Megjithëse, qe përkrahës i iniciativës, babai im nuk e zbatoi asnjëherë. Nëna derisa vdiq mbajti veshje tradicionale.