Emri:  10.jpg

Shikime: 3524

Madhësia:  14.8 KB

Mbrëmjen e së premtes, një nga pikat më të frekuentuara turistike, Kalaja e Ulqinit ka dhuruar një spektakël të përmasave të mëdha. 31 vajza bukuroshe të mbledhura nga të gjitha trevat e Shqipërisë kanë ndezur qytetin turistik të Ulqinit dhe kanë kthyer vëmendjen tek një tjetër monument i rëndësishëm i historisë shqiptare. Kombinimi i mureve të vjetra, të larta, me skenografinë madhështore të ndërtuar nga Rebus Studio dhe ndriçimin e Franco Ferrarit i kanë dhënë mundësi, “Deliart Association” të mendojë një spektakël të përmasave të mëdha, i cili është ndjekur me një interes të jashtëzakonshëm jo vetëm nga qytetarët e Ulqinit, por edhe nga një numër i madh qytetarësh të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova. Kështu spektakli i së premtes ka mbledhur si asnjëherë tjetër spektatorë pasionantë rrëzë kalasë madhështore të qytetit bregdetar.

Pas disa sfilatave të vajzave konkurrente, përzgjedhjes së dhjetë më të mirave dhe një votimi të menduar nga juria e këtij viti, fituese e këtij edicioni të spektaklit të bukurisë është shpallur 19-vjeçarja nga Tirana, Anisa Petrela. Ndërkaq shoqëruesja e parë e Miss-it është shpallur Kristi Pejo, 20 vjeçe nga Tirana dhe shoqëruese e dytë, 22-vjeçarja nga Shkupi, Sara Ymeri.

Si destinacion final të këtij edicioni të “Miss Shqipëria”, organizatorët zgjodhën këtë vit kalanë e Ulqini. I dëshmuar si vendbanim që nga periudha parahistorike të dhënat arkeologjike dhe histori-grafike mbi Ulqinin flasin qartë se historia më e lashtë e këtij qyteti mijëvjeçar zë rrënjë në truallin e qytetërimit ilir dhe si i tillë, ky është një nga qytetet më të vjetra dhe më interesante të Adriatikut që zhvillimin më të lartë e arriti në kohën e mbretërisë së Ilirëve. Pra, një destinacion që i vjen për shtat misionit të konkursit shqiptar të bukurisë një Miss-një kala. Nën këtë efekt u ideuan edhe elementët e show-, të cilët ofruan një spektakël me të ftuar dhe surpriza të shumta. Nën drejtimin e prezantueses e këngëtares Orinda Huta në “Miss Shqipëria” performuan disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, si Irma Libohova, Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Redon Makashi, Mihrije Braha etj, të cilët krijuan tjetër atmosferë mes vajzave që konkurronin për titullin e më të bukurës shqiptare, por edhe në publik. Ndërsa anëtarët e jurisë së këtij viti ishin emra të rëndësishëm në artit, kulturës, medias, etj., të cilët ndanë disa fasha fituesesh. Prania e tyre këtë vit, ishte konceptuar krejt ndryshe nga herët e tjera. Kledi Kadiu, Arlinda Dudaj, Virgjil Kule e Ylljet Aliçka, si anëtarë të kësaj jurie u bënë paksa edhe prezantues, ndërsa ndanin disa prej trofeve të këtij eventi si, “Miss Inteligjenca”, “Miss Kinemaja”, “Miss Press”, “Miss Buzëqeshja”, etj.. Pjesa tjetër e jurisë, Holta Dulaku, Amarda Toska, Mark Frroku, Ardit Cela, kryetari i komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka dhe Miss Shqipëria 2013, Florenza Lekstakaj kanë dhënë votat dhe vlerësimet e tyre për më të bukurat e këtij edicioni. Një çmim special u dha sivjet nga sponsori zyrtar i “Miss Shqipëria 2014”, Cotonella. Vajza e përzgjedhur për të mbajtur fashës e “Miss Cotonella” ishte 17-vjeçarja nga Elbasani, Lindita Idrizi, nxënëse për flaut në Liceun Artistik, e cila ka fituar njëherësh edhe një kontratë ekskluzive si imazh i Cotonella-s në Shqipëri. Ndërsa për fituesen e “Miss Shqipëria”, si çdo vit edhe sivjet Universiteti “Marin Barleti” ofron një bursë studimi. Me të tilla çmime, nata finale rrodhi shumë shpejt, nën ethet e një gare që sivjet u duk të ishte e fortë, por edhe një spektakli të bukur që ofruan të ftuarit specialë, artistë të kësaj mbrëmje.

Kështu është mbyllur rrugëtimi i këtij viti i “Miss Shqipërisë”, i cili si çdo vit edhe sivjet ka nisur tre javë më parë me rrugëtimin e bukurosheve nëpër trevat historike dhe kulturore të vendit tonë. Të premten e javës së kaluar konkurrentet kanë shijuar turin e Malit të Zi, pasi vizituan për dy javë të tjera zona historike dhe turistike të Shqipërisë. Rrugëtimi i “Miss Shqipërisë” sivjet filloi në qytetin e Vlorës, ku për dy ditë vajzat kanë vizituar bazën e Pashalimanit, duke prerë në një farë mënyrë edhe shiritin e moraturiumit, i cili deri tani ndalonte udhëtimin me mjete të motorizuara përgjatë bregut. Me anije turistike, ndryshe nga vitet e tjera ku vajzat janë shoqëruar nga policia dhe kanë udhëtuar me anije luftarake, ato kanë parë Karaburunin, bregun e pastruar të Vlorës dhe bukuritë natyrore të bregut shqiptar. Më pas turi ka vazhduar në Berat, ku janë vizituar dy qendra biznesi, partnere të “Deliart Association” dhe kanë ndalur në kala ku janë pritur nga banorët. Mali i Shpiragut ka qenë destinacioni i radhës ku janë realizuar etyde,janë vjelë qershitë, frutin e stinës nëpër frutoret e zonës, kanë parë Osumin dhe më pas i janë drejtuar qendrës së Shqipërisë. Në Kavajë janë zgjuar sërish emocionet e edicionit të dy viteve më parë në vizitën e bërë në Gosë, ku u realizua “Miss Shqipëria 2012”. Në Durrës gjithashtu vajzat, konkurrente të këtij viti, mbrëmjen e 12 qershorit kanë qenë protagoniste të një feste të organizuar në Los Locos Beach me veshjet e skuadrave më të njohura të futbollit në botë, me rastin e çeljes së kampionatit Botëror Brazil 2014. Pas kësaj grupi i është drejtuar Veriut, për herë të parë qytetit të Pukës, ku janë mirëpritur nga banorët dhe kanë qenë mysafiret speciale të haneve, vizitore të Muzeut të qytetit, bukurive natyrore dhe historike që ruan ky qytet me shtrirje të madhe gjeografikë. Më tutje në Malësinë e Bogës, vajzat kanë qenë protagoniste të një really, destinacioni final i së cilës ka qenë Thethi. Të tjera bukuri natyrore dhe mikpritje janë shijuar në Theth e më pas në Shkodër për t’u përmbyllur përtej kufirit me mbrëmjen finale të së premtes, në të cilën u shpall një tjetër mbretëreshë bukurie. Florensa Lekstakaj i ka dorëzuar kurorën Anisa Petrelës, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në "Miss Globe 2014".

Koha Jone