Vizitë e përfaqësuesve të Eparkisë së Ungros (Kalabri), në Kishën tonë



Në Javën e Ndritshme të Pashkës, vendin tonë e vizitoi një përfaqësi e Kishës bizantine të arbëreshëve të Italisë, Eparkia e Ungros, që sot është pjesë e Kishës Katolike. Ajo përbëhej nga Episkopi i saj, Imzot Donato Oliverio, nga Protosingjeli, Protopresviteri Pietro Lanza, Prtopresviteri Antonio Belushi dhe atë Sergio Straface. Ata bënë takime me komunitetet fetare, politikanë dhe vizituan disa nga vendet simbolike për kujtesën e largimit të tyre në shek. XV, si varrin e Gjergj Kastriotit dhe kalanë e Krujës. Një nga pasuritë shpirtërore që ata morën me vete dhe që ka qenë thelbësore për ruajtjen e identitetit ishte dhe besimi orthodhoks i të parëve, të cilin me gjithë ndryshimet e detyruara që sollën shekujt dhe trualli i huaj, janë përpjekur ta ruajnë në ritet bizan-tine dhe traditat. Ndaj, vizita në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ishte mjaft e ndjerë dhe plot emocione.



Ata u pritën me ngrohtësi nga Kryepiskopi Anastas, në zyrën e tij, në selinë e Sinodit të Shenjtë. Fortlumturia e Tij shoqërohej nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, Episkopi i Krujës, Andoni, Episkopi i Amantias, Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit, Asti etj. Ndër të tjera, Kryepiskopi Anastas, do të thoshte:
Është gëzim që jeni këtu sot me ne…. Tradita jonë ishte tradita që ju la edhe juve Gjergj Kastrioti. Të tjera dukuri dhe ngjarje ishin te mëvonshme... Në shek. XXI kushtet janë të ndryshme dhe Perëndia ka planet e Tij për secilin nga ne.
Arritjet tona në një farë mënyre janë edhe tuajat, sepse zhvillimet dhe ngjarjet brenda një kishe i përkasin gjithë Kishës në përgjithësi… Ju e dini gjendjen e këtushme. Para 22 vjetësh nuk kishte mbetur pothuajse asgjë nga Kisha e mëparshme. Edhe ato pak kisha që kishin mbetur ishin kthyer në depo, kinema, muze dhe për qëllime të tjera…
Pastaj, Kryepiskopi Anastas bëri për miqtë një përmbledhje të rrugës dhe përpjekjeve për ringritjen e Kishës sonë, që nga viti 1991 e deri më sot.
Më pas, fjalën e mori Imzot Donato Oliverio, i cili theksoi ndër të tjera:
...Është kjo e para herë që vijmë në Shqipëri dhe në shpirtin tonë ndiejmë shumë emocione, sepse kjo është edhe toka dhe vendi ku etërit e etërve tanë kanë lindur dhe janë të varrosur.
Por, besa e tyre e madhe në Trininë e Tërëshenjtë na dha fuqi dhe na mbajti gjallë gjatë shekujve në emigrim në Kalabri.
Erdhëm deri këtu për t’ju njohur personalisht dhe për t’ju nderuar Ju, si Primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me të cilën ne kemi lidhje shpirtërore, rituale dhe historike që në shekullin XV, megjithëse ngjarjet politike dhe fetare na kanë larguar dhe na kanë bërë si bij të panjohur e të vdekur nga historia dhe deri sot jemi të ndarë nga Liturgjia Hyjnore.



Kjo Kishë e Shenjtë Autoqe-fale Orthodhokse për ne arbëreshët me ritin bizantin në Itali ishte dhe qëndron si një pikë referimi i përditshëm dhe si një dritë e madhe, që na ndriçon rrugën tonë si besimtarë orthodhoksë mërgimtarë arbëreshë.
...Ne nuk kemi asnjë interes material ose territorial dhe fetar këtu në Shqipëri, ku Kisha Orthodhokse e bën shumë mirë e me nder shenjtërimin e popullit. Ne këtu në Shqipëri nuk kemi asnjë prift arbëresh dhe nuk jemi pronarë të as një pëllëmbe dheu, për respektin e madh që kemi për Kishën tuaj Orthodhokse dhe për Kishën tonë arbëreshe. Ne arbëreshët, si mirë na tregon historia, jetojmë në Kalabri që në shekullin XV dhe kemi historinë tonë dhe vuajtjet tona për të mbajtur të gjallë, në mes italianëve latinë, identitetin tonë si arbëreshë, me ritin bizantingrek dhe me spiritualitetin lindor....
Në fund, pati një bashkëbisedim të ngrohtë dhe u shkëmbyen dhuratat dhe botimet e ndryshme të të dyja Kishave.