Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    “Mjeshtri i Madh’ dramaturgu Fadil Kraja

    INTERVISTA/ Flet “Mjeshtri i Madh’ dramaturgu Fadil Kraja

    - Në vitin 1948, Kol Jakova më botoi poezinë e parë në gazetën “Letrari i ri”

    -Në vitin 1954 zura vend të parë me vëllimin “Kënga ime”, më dhanë 40 mijë lekë

    - Me poezinë “Mjeku i Malësisë” zura vend të parë në konkursin për të rinjtë

    -Kam 60 drama dhe komedi, në skenë janë vënë 54

    - Dramën e parë e kam bërë në vitin 1967 “Fisheku në Pajë”.

    - “Fisheku në Pajë”, Fadil Paçrami e kritikoi “kanuni lufton kanunin”

    - Enver Hoxha më shpëtoi, më lavdëroi për dramën “Fisheku në Pajë”

    - Kur u dënua Fadil Paçrami, Enveri ja solli si fakt kritikën

    - Teatri i Gjakovës e fillloi punën me dramën “Fisheku në Pajë”

    - Serafin Fanko, regjisori që mbajti fjalën vepra e parë në skenë “Fisheku në Pajë”

    - Dramën “Çështja e Blertës” e ndaloi Ramiz Alia pas shfaqjes së shtatë

    - Urdhri i Mehmet Shehut të mos kritikohen drejtorët në drama, janë njerëzit e partisë

    - Në këtë kohë u ndalua dhe drama e Dritëro Agollit “Fytyra e dytë”

    - Prokop Murra, Foto Çami, Muho Asllani, e donin shumë teatrin

    - Hajrije Kraja, nëna ime në vitin 1920 u bë mësuesja e parë në Shkodër



    Albert ZHOLI

    Kur keni filluar të shkruani për herë të parë dhe çfarë keni shkruar?

    Fillimi i krijimtarisë sime nis me poezi. Ndoshta ishte mosha, ndoshta çdo shkrimtar kështu e ka nisur rrugën e krijimtarisë, edhe unë lapsin e kapa për poezi.

    Poezinë e parë e kam shkruar në vitin 1948, kur isha në gjimnaz. Më dukej se ishte poezia më e bukur në botë. Këtë poezi ma botoi Kol Jakova në gazetën “Letrari i ri”, ku ai ishte kryeredaktor. Atë ditë bleva nja gjashtë gazeta dhe ua shpërndava shokëve të mi. Unë ua hapja në faqen, ku kisha shkruar unë dhe ata si për inat shikonin poezi të tjera (qesh). Mua më vinte inat pasi prisja lavdërime. Ishte një poezi romantike për një roje kufiri. Kjo poezi më hapi disi rrugën dhe dëshirën për të ecur më tej. Pastaj në vitin 1954, kam botuar vëllimin e parë me poezi “Kënga ime” që fitoi çmimin e parë në konkursin letrar për 10-vjetorin e çlirimit. Për çudi më dhanë një shpërblim prej 40 mijë lekësh. Nuk u besoja syve. Një shumë marramendëse për kohën. Madje, pata edhe një fat tjetër. Po atë vit ishte shpallur konkursi Kombëtar i Poezisë për të Rinj, nga KQ i rinisë, ku edhe aty fitova çmimin e parë me poezinë “Mjeku i malësisë” ku me atë rast më dhuruan një aparat fotografik rus, të cilin e ruaj dhe sot. Ai nuk punon, por e ruaj si kujtim. Pra viti 1954 ka qenë viti i trofeve të mia, viti ku kam marrë çmime që s’i kisha menduar dhe që më stimuluan shumë për të shkruar.

    Kishte atëherë çmime mbi bazë njohjesh, apo miqësish?

    As që mendohet. Aspak. E kë njihja unë nga Shkodra në Tiranë. Kush do më ndihmonte mua që s’kisha dalë nga Shkodra. Vlerësimi i asaj kohe ishte real. Më pas bëra dhe 3 vëllime të tjera poetike që nuk zura ndonjë çmim.

    Po kur flasim për dramaturgjinë?

    Dramën e parë e kam bërë në vitin 1967 dhe ishte pikërisht dramën “Fisheku në Pajë”. Isha 36 vjeç. Qe një dramë që pati shumë sukses. Një dramë që më solli edhe kënaqësi, por edhe rrëqethje.

    Cili regjisor e vuri në skenë këtë dramë?

    E ka vënë regjisori i talentuar Serafin Fanko. Madje, me të kam pasur dhe një lidhje interesante. Kur do shkonte për studime në Çekosllovaki, për regji ne i dhamë fjalën njëri-tjetrit, që kur të kthehej unë do të bëja gati dramën e parë dhe ai do të vinte në skenë për herë të parë si regjisor në Shkodër dramën time. Ashtu ndodhi. Kur ai u kthye një vit më parë dhe vazhdoi studimet në Akademinë tonë të Arteve për mbrojtje diplome vuri në skenë këtë dramë. E vuri në skenë me trupën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Në fillimet e saj ajo pati pak reagime.

    Pse dhe kush e kritikoi?

    E kritikoi Fadil Paçrami, duke thënë se në këtë vepër “kanuni po luftohet me kanun”. Për kohën kjo kritikë ishte shqetësuese. U ndodha keq. Atëherë për një fjalë goje të ikte koka. Por më ndihmoi fati.

    Dhe si të ndihmoi ky fat?

    Ne kemi pasur një Sekretar të Parë në Shkodër që quhej Xhemal Dini. Ai ishte një burrë fisnik, që nuk bënte kurrë keq dhe që e donte shumë artin. Kur erdhi në qershor të vitit 1967 Enver Hoxha në Shkodër dhe konkretisht në festën e Reçit, Xhemali me guxim i kërkoi që Enveri të shihte shfaqjen time “Fisheku në Pajë”. Enveri e pranoi kërkesën. Enveri erdhi kur nuk e priste njëri. U prit me ovacione. E pa me shumë vëmendje. Unë gjatë gjithë kohës rrija si mbi gjemba. N.q.s ai do të thoshte që nuk ka vlera, aty mbaronte puna ime. Por çuditërisht, në fund të shfaqjes Enveri duartrokiti, madje, na thirri mua dhe Serafinin. Na përqafoi duke na thënë më pëlqeu shumë. Ne ende ishim duke u dridhur. Disa kohë më parë ai kishte kritikuar një shfaqje në Korçë dhe dihet se ku kishte përfunduar krijuesi dhe regjisori. Kjo më bëri që ta vazhdoj me shumë dashuri rrugën e dramaturgjisë.

    Pati reagime nga Fadil Paçrami?

    Jo. Por mbaj mend që kur u dënua Fadil Paçrami, Enveri ja përmendi këtë fakt që kishte kritikuar pa të drejtë dramën “Fisheku në Pajë”. Por më vjen mirë që kjo dramë u vlerësua, pasi kjo dramë vendosi fatin që unë të bëhem dramaturg, e dyta mban një rekord absolut të të shfaqurit në skenë plot 614 herë. Pra vetëm në teatër. Por kjo dramë ka edhe disa rekorde të tjera.

    Cilat janë ato?

    Është drama e parë, të cilën e ka filmuar Televizioni Shqiptar direkt në skenë. Pra ajo cilësohet si drama e parë e filmuar. Por kam edhe një gëzim tjetër me ‘të se teatri i Gjakovës e filloi punën po me këtë dramë. Ishte viti 1974, kur u hap ky teatër dhe drama e parë që vuri në skenë ishte “Fisheku në Pajë”. Me këtë trupë kam dhe një gëzim tjetër pasi rifillimin e shfaqjeve pas luftës e filluan me një dramë timen “Dasma e trojeve tona” që shkoi dhe e vuri Serafin Fanko në vitin 2000. Aktori Hadi Shehu ka pas rolet kryesor në të dyja dramat e mia të vëna në Gjakovë. Ai, në një intervistë te TVSH , më solli kujtime shumë të bukura.

    Cila nga dramat e tua është ndaluar të vihet në skenë në regjimin komunist?

    Atëherë kishte prova gjenerale. Në këto prova vinin të gjithë autoritete e larta të partisë, por edhe krijuese. Atëherë kishte dy gjëra, ose merrje dënimin për burg, ose merrje lavdinë. Kishte kërkesa të rrepta në anën ideologjike. Partishmëria kishte rol të madh në atë kohë. Disa herë dënimi kthehej në tragjikomedi. Për shembull për dramën “Çështja e Blertës” janë bërë 12 prova gjenerale. Ka qenë viti 1982, ku morën pjesë shumë autoritete. Mezi vendosën të dilte në skenë. Kishin rezerva. Ishin të shqetësuar pasi aty si personazh ishte një vajzë që e kishte braktisur nëna gjatë lindjes, e cila më vonë donte të bashkohej me nënën, por ajo s’donte. Dilte problemi që nuk mjafton ta lindësh, por edhe ta rritësh fëmijën. Për të lindur edhe një kafshë, por e linde duhet ta rritësh, ta edukosh, ta mësosh, ta përgatitësh për jetën. Kjo nuk u pëlqente atyre. Këtë dramë ma ndaluan në shfaqjen e shtatë. Salla për çdo ditë ishte plot. Por kur erdhi Ramiz Alia tha, mjaft është shfaqur. Ai e tha kështu pa asnjë qëllim, por ata u alarmuan pasi nuk luhej me udhëzimet e partisë. Problem ishte se aty kritikohej dhe një drejtor. Drejtuesit e teatrit e morën ndryshe kuptimin dhe e ndaluan krejt të shfaqej më. Pra do të thoshte që nuk duhej të kritikoheshin drejtorët. Nuk duhen kritikuar shumë drejtorët pasi i kemi njerëzit tanë. Janë të partisë. Në këtë kohë Dritëro Agolli kishte vënë në TK dramën “Fytyra e dytë”, e cila u ndalua për këto shqetësime, pra se kritikonte drejtorët.

    Pra drejtorët duhej të ishin të paprekur?

    Në atë kohë, Mehmet Shehu, disa drejtorë i kishin shkruar një deklaratë se në drama po shahen shumë drejtorët, sikur vijmë nga Londra. Dhe Mehmet Shehu dha orientim që në drama të kihet kujdes për rolin e drejtorëve. Pra, pasi u ndalua Dritëroi u ndalua dhe vepra ime.

    Sa vepra ke vënë në skenë?

    Unë kam krijuar 60 drama dhe kam vënë në skenë 54 drama. Por dua të them se nuk kam vënë vetëm në Shkodër, por në të gjitha teatrot shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Kam vënë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, deri në Amerikë, ku një trup amatore në Detroit vunë në skenë një dramë timen që më ftuan, por nuk munda të shkoj.

    Po Teatri Kombëtar sa nga dramat tuaj ka vënë në skenë?

    Me TK kam vënë dy drama , por kanë vënë Durrësi, Korça, Gjirokastra, Elbasani, Fieri, etj... Vjet bëra një komedi “Surprizat”, të cilën e vuri Shkodra, Elbasani dhe Gjirokastra. Tani që po flasim është duke u vënë premierë një komedi e imja në Shkodër që ka 10 ditë që shfaqet “Martesë në internet”, e cila është pritur shumë mirë, ku për habinë time biletat janë shitur të gjitha. Madje, biletat në Shkodër janë 5 mijë lekë të vjetar dhe janë shitur.

    Cilët nga udhëheqësit e asaj kohe ke takuar më shumë?

    Ramiz Alinë. Ai vinte shpesh në Shkodër. Ai ka ardhur në shumë shfaqje të miat dhe më ka përgëzuar, si p.sh tek “Gjaku i Arbërit”. Tek “Baca i Gjetajve”, e të tjera. Ishte dashamirës i dramës.

    Po Mehmet Shehun e ke takuar?

    Jo, se kam takuar. Nga ai trembeshim të gjithë, pasi ai ndalonte shfaqje, ndalonte shumë pjesë, të cilat vetëm se nuk i pëlqenin e tij. N.q.s ai shihte një shfaqje dhe nuk ishte në shijet e tij ai e ndalonte. Edhe me gazetarët ishte i rreptë.

    Po nga Sekretarët e parë, kush ishte më i lidhur me artin?

    Me thënë të drejtën Prokop Murra, Foto Çami, Muho Asllani, pra kishin dëshirë të lidheshin me ne pasi e shihnin teatrin si mjet propagande.

    Ju ku punonit në atë kohë?

    Unë isha shkrimtar në profesion të lirë, por jepja dhe mësim në Universitetin e Shkodrës. Por rrogën e merrja në teatër, pasi aty rija më shumë pasi teatrin e kam shumë afër shtëpisë.

    Si ishte trupa e Teatrit të Shkodrës?

    Ishte një trup shumë e fuqishme, kishte aktorë të nivelit shumë të lartë, kishte aktorë me emër që edhe sot emrat e tyre lakohen kudo. Por mbi të gjitha unë veçoj regjisorin dhe aktorin Serafin Fanko. Kemi Preng Konda, Lec Bushati, Tinka Kurti, Violeta Zefi, Bep Shiroka, Ymer Bala, Ndrek Luca që vinte shpesh në Shkodër, p.sh “Baca i Gjetajve” e ka luajtur duke ardhur nga Tirana. Ata mbeten aktorë që e lartësonin veprën. Shumë herë unë i shkruaja apo i përshtatja rolet për aktorët që kishim. Mund që regjisori nuk u jepte ato role, por unë nga ata nisa, frymëzohesha nga figurat e tyre dhe nisja shkruaja. P.sh komedinë e fundit që kam bërë e kam nisur duke pasur parasysh dy aktorë, Zeliha Milotin edhe Besnik Çinarin, me regji të Bruno Shllakut. Ata ma përligjin atë që kisha menduar për ta. Spektatori i ka mirëpritur.

    Kush ka qenë dita më e vështirë e juaja si krijues/

    Ajo kur më ka parë Enver Hoxha dramën “Fisheku në Pajë”. Edhe sot kur e mendoj dridhem.

    Ju keni qenë edhe pedagog si ka qenë niveli i mësimdhënies në regjimin komunist dhe a ka pasur mitmarrje në atë kohë?

    Ka qenë një mësimdhënie korrekte, me disiplinë, me shumë përgatitje. Atëherë nuk të falej asgjë. Po të sjell një shembull vulgar. Unë kam qenë 20 vjet pedagog dhe nuk di të kem pirë një kafe nga studentët. Se ku shkon ky arsim do i dalin të palarat më vonë. Unë e kam pasur shumë qejf mësimdhënien pasi kam pasur dhe trashëgimi në arsim. Nëna ime ka qenë mësuesja e parë femër në Shkodër. Hajrije Kraja quhej. Në vitin 1920 ajo vjen nga Stambolli, ku mbaroi kolegjin dhe Luigj Gurakuqi me një klerik përparimtar në Shkodër i shkojnë babës në shtëpi, duke i kërkuar që të bëhet mësuese, goca e tij. Pra ajo në këtë vit, 1920 u bë mësuesja e parë në Shkodër. Është e vetmja mësuese femër në Shkodër që ka merituar “Urdhrin e Flamurit”. Fill pas çlirimit më 1944 ajo organizoi të parin kurs kundër analfabetizmit në Shkodër dhe më vonë u bë Kryetare e gruas kundër analfabetizmit në rrethin e Shkodrës. Kështu, 5 nga fëmijët e saj, ne katër u bëmë mësues.

    Keni gjetur mbështetje në Shkodër si krijues?

    Shumë, shumë. Ndjej kënaqësi që më njohin, që më flasin, që më ftojnë në aktivitet ndaj ky respekt më mban gjallë dhe pse jam 83 vjeç.

    Nuk ju kanë kërkuar në Tiranë?

    Në atë sistem më kanë kërkuar të bëhesha Sekretar Kolegjiumi në gazetën “Mësuesi”, por unë në Shkodër kam gjithçka. E refuzova, pasi edhe gruaja që është kirurgia e parë në Shkodër pasi mbaroi në Çekosllovaki. Ne në Shkodër kemi shtëpinë tonë, kemi njerëzit tanë, miqtë tanë. Unë aty ndihem mirë. Më ka bërë përshtypje një thënie e Irma Libohovës, e cila kishte qenë diku jashtë dhe u kthye. E pyetën disa gazetarë përse u ktheve? Ajo midis të tjerave tha se, aty nuk isha kurrkush, këtu jam dikushi. Tirana është e madhe, është me shumë të panjohura, me shumë ndryshime. Në Shkodër ndihem se jam vetvetja.

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,202

    Për: “Mjeshtri i Madh’ dramaturgu Fadil Kraja


  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,202

    Për: “Mjeshtri i Madh’ dramaturgu Fadil Kraja

    Fadil Kraja: Teatri le të shembet e të ndërtohet, ne na duhen regjisorë

    Nga Valeria Dedaj - Shekulli

    Fadil Kraja, autor i 50 dramave dhe komedive, rrëfehet për Teatrin Kombëtar. Në territorin e teatrove nuk dëshiron të ngrihen kulla, por teatri i ri është domosdoshmëri. Godina, duhet të shembet përpara se dëmi të jetë i parikuperueshëm. Mungesa e regjisorëve në teatro, problemi më i madh në rang kombëtar

    Kur të gjithë artistët janë duke menduar, se si do të shkojë “fati” i Teatrit Kombëtar, nëse do të shembet apo jo godina e tij? Dramaturgu Fadil Kraja rrëfen për gazetën “Shekulli”, një tjetër problematikë për teatrot në mbarë vendin. Për të shqetësim i madh është, që në këto teatro nuk ka regjisorë. Edhe pse, kanë kaluar rreth 50 vite, nga dita që në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër u ngjit drama e shkruar prej tij, “Fisheku në pajë” (1967), edhe pse numëron rreth 50 drama e komedi që kanë parë dritën e skenës, ai ende kujton, si regjisorin më të mirë, Serafin Frankon.

    Ndërsa, përsa i përket fatit të Teatrit Kombëtar, ai nuk qëndron indiferentë. Përkundrazi! Mendon, se pavarësisht nostalgjisë, që mundet që të kenë artistët për këtë godinë, e vërteta është, që duhet të shembur, sepse Tirana dhe vet aktorët meritojnë një teatër bashkëkohor. Ai nuk dëshiron, që në hapësirën e Teatrit Kombëtar të ngrihen kulla, por dëshiron që në vend të kësaj ndërtese të vjetër, të ngrihet një godinë me kushte të favorshme dhe e denjë, ku të punojnë artistët.

    Kraja është ndër ata dramaturgë, që përherë e ka shqetësuar mungesa e të mirës si mesazh, prandaj në këtë periudhë është duke shkruar një vepër për “policin e mirë”, jo për atë që e kujtojmë kur ndahet nga jeta, por për atë që ndihmon në realizimin e ëndrrave tona pa pengesa.

    Zoti Kraja, në Tiranë këtë periudhë po debatohet për shembjen e TK, ndërkohë, artistë dhe jo vetëm kanë dalë kundër projektit për Teatrin e ri Kombëtar… Cili është mendimi juaj për këtë situatë?

    E vërteta është që ato ndërtesa nuk janë bërë me tulla, por janë bërë me pllaka prej tallashi. Ai teatër është bërë për ekzistencë, një jetëgjatësi 10 apo 15-vjeçare, ndërkohë që ka gati rreth 80 vite jetë. Mua më duket sikur çohet dallgë në një gotë ujë! Kohët kanë ndryshuar, le të bëhet teatri i ri. Artistët kanë nostalgji edhe kjo është e logjikshme, por që Tirana ka nevojë për një teatër të ri, ka nevojë. Ashtu, siç kanë nevojë edhe teatrot e tjerë në Shqipëri, që kanë probleme të tjera, të cilat janë urgjente, sepse gjendja e tyre është shqetësuese.

    Cili është problemi më shqetësues, që do të na veçonit?

    Për shembull, në Teatrin e Shkodrës, qytetit ku ka lindur teatri, ku u ndërtua edhe u krijua fill pas Teatrit Kombëtar, nëse e marrim nga ana historike, është pa regjisor prej shumë vitesh. Shumë teatro janë pa regjisor! Vijnë të rinj, që sorollaten kot, sepse duke mos pasur regjisor, s’ka as platformë ecurie për teatrot. Unë mendoj, se kjo është më e rëndësishme, sesa zhurma që po bëhet: A të ngrihet një teatër, apo mos të ngrihet? Unë nuk jam që të ngrihen kulla në territorin ku janë teatrot, por sakrifikoj për një teatër të ri, nëse është e domosdoshme për Teatrin Kombëtar.

    Artistët i shqetëson fakti, që këto kulla nuk do të jenë në funksion të artit, por do të ndikojnë për një tjetërsim nga funksioni i teatrit në tërë këto vite…

    Unë jam dakord me të gjitha këto, jam dakord, sepse historia është histori, arti ynë lidhet i gjithë me këto dy ndërtesa ekzistuese, të cilat tanimë janë rezauruar si ndërtesa, edhe kjo është një gjë e vërtetë e pamohueshme. Duhet një teatër i ri. Si duhet që të jetë, a duhet që të jetë i rrethuar nga kullat? Për këtë nuk jam dakord. Ata kanë të drejtë, që të kenë një vatër që të ketë në qendër kulturën shqiptare. Është një histori e bukur, që e lartëson kulturën shqiptare, ecurinë e një arti bashkëkohor, i cili ka bërë historinë e kulturës dhe të artit në përgjithësi, që ne kemi. Por, po e përsëris, se kjo është një zhurmë, si një dallgë, që bëhet në një gotë ujë. Teatër të ri duhet që të ketë, ato dy ndërtesa janë të rezauruar nga koha edhe duhet shembur!

    Ky problem është ngritur qëkur Edi Rama ishte ministër Kulture. Mendoj se nëse në këtë teatër do ketë një shkëndijë të vogël eklektike do të kemi një dëm të parikuperueshëm.

    Dhe së fundmi, aktualisht me çfarë po merreni?

    Kjo është një pyetje e bukur! Aktualisht unë vazhdoj që të merrem me dramaturgji. Kam në duar një monodramë, që po e përgatit për ta interpretuar një aktore e njohur. Është një vepër për policinë e mirë! Jemi mësuar që ta shohim policin me një këndvështrim krejt negativ. A ekziston në mediet tona vizive dhe jo vetëm një polic i mirë? Jo! Këtë ne e mësojmë vetëm kur ai vritet, se paska qenë guximtar, prind i mirë, familjar etj. Ndërsa, për policinë, që na ruan shpresat edhe ëndrrat tona, nuk ka asnjë gjë, sepse në medie del i korruptuar edhe i pakulturë, aq sa të gjithë tallen me të. Në çdo vend të botës policëve u kushtohet më shumë vëmendje!

    Biografia

    Fadil Kraja (1931) lindi në Shkodër. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Filologjisë. Për shumë vite punoi si mësues i letërsisë në shkolla të mesme dhe më vonë pedagog i letërsisë së huaja në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” – Shkodër. Nga viti 1972 gjer më 1992, shkrimtar në profesion të lirë, duke vazhduar si pedagog i jashtëm në fakultet dhe njëkohësisht Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Degën e Shkodrës.

    Vëllimi i parë poetik “Kënga ime” (1954) fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë. Pastaj me radhë ka botuar vëllimet poetike “Melodi malësore”, “Jehona malesh”, vëllimet me tregime “Kandidatja e fundit”, “Fajin e kishte Besa”. Mbi 40 drama dhe komedi të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diaspore.

    Mes tyre: “Fisheku në pajë”, “Sinjalet e natës”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve”, “Gjaku i Arbërit”, “Djem të mbarë”, “Çështja e Blertës”, “Flamur në dasëm”, “Rozafa”, “Kur flasin zemrat”, “Luani i shtëpisë”, “Çështje familjare” si dhe shumë drama për fëmijë, librete operash, operetash. Kontributi i tij është çmuar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, i cili i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i madh”.

    Ditën Botërore të Teatrit, artistët e presin me protestë

    Artistët vazhdojnë që të mbajnë qëndrim kundër projektit të Teatrit të Ri Kombëtar. Ata do të mblidhen sërish sonte në ambientet e Teatrit Kombëtar. “Ndërtesa e Teatrit Kombëtar (pjesë e “Ansamblit Monument Kulture” të shpallur me VKM nr. 180, datë 13.4.2000) është e lidhur pazgjidhshmërisht me institucionin e Teatrit Kombëtar dhe njëkohësisht trashëgimi kulturore dhe historike e paprekshme e Tiranës.

    Ne mendojmë që ndërtesa e Teatrit Kombëtar jo vetëm duhet ruajtur, por kërkojmë restaurimin e plotë të saj, në përputhje me parimet e njohura botërisht të restaurimit të monumenteve të kulturës”, shkruan Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

    Për këtë qëllim, sot 26 mars ora 18:00, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, në mjediset e Teatrit fton të gjithë të interesuarit, në një dëgjesë publike për trashëgiminë kulturore-historike, ku janë të ftuar: arkitektë, restaurues dhe profesionistë të fushës, dhe ku do të diskutohet mbi domosdoshmërinë e ruajtjes së këtyre objekteve me rëndësi të veçantë dhe mënyrat se si restaurohen ato.

    Nesër është Dita Botërore e Teatrit (27 mars). Por, në Shqipëri nuk ka traditë organizimi i festës. Kjo ditë u bë zyrtare në vitin 1961 nga Instituti Ndërkombëtar i Teatrit (themeluar nga UNESCO). Mesazhi i parë në ditën për teatrin ishte i Zhan Koktosë më 1962. Ky mesazh ndërkombëtar që ndryshon vit pas viti, përcillet para shfaqjeve në teatër, publikohet në radio e TV, përkthehet në mbi 20 gjuhë dhe lexohet nga mijëra spektatorë. Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.

    INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve.


    https://shekulli.com.al/http-shekull...tthisresource/
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 26-03-2018 më 11:17

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,202

    Për: “Mjeshtri i Madh’ dramaturgu Fadil Kraja



    " AUTOR " - “Mjeshtër i Madh" FADIL KRAJA

    Ben Andoni - RTSH / Maj 2020

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •