Droga nga Shqipëria, mediat në Itali: Një avion është ulur në veri të vendit
ITALI - E përditshmja italiane “Corriere della Sera” shkruan sot se disa zëra të pakonfirmuara nga hetimet, bëjnë të ditur se orët e fundit një tjetër avion me ngarkesë të madhe droge, është ulur në Emilia Romanja.
Gazeta nuk jep vendin e saktë të uljes së avionit, pasi në këtë rajon ka 60 aeroporte të vegjël. Veriu i Italisë është territori më i mundshëm i uljes se avionëve, për shkak të numrit të aeroporteve dhe pistave. “Trafikantët fluturojnë nën 450 metra lartësi, për t’iu shpëtuar radarëve”- shkruan më tej “Corriere della Sera”.
E përditshmja italiane ka bërë gjithashtu një pasqyrë për trafikun e drogës që vjen nga Shqipëria, duke përmendur sasitë e sekuestruara kohët e fundit. “Corriere della Sera” i referohet policisë shqiptare, sipas së cilës që nga janari deri në prill të këtij viti në Itali janë sekuestruar 9734 kg kanabis sativa të ardhur nga Shqipëria. Po në të njëjtën periudhë janë kapur në Greqi 13 mijë kg kanabis sativa.
Ndërkohë, në shkrim përmenden edhe 5600 kg kanabis që janë sekuestruar në Gjermani nga policia e Bavarisë. Ndërkaq, gazeta përmend edhe rastin e shumëpërfolur të pilotit italian Xhorxho Riformato, 58-vjeçari nga qyteti Vareze, i cili ndodhet në arrest me burg për akuzën e trafikimit të drogës në tentativë, pasi bëri një ulje emergjente me avionin e tij, rreth 80 km larg Tiranës, zonë ku u gjendën dhe u sekuestruan 460 kg marijuanë.
Përveç pasqyrës që ka bërë kjo gazetë për trafikun e drogës që prodhohet në Shqipëri, aty është përmendur edhe fakti që nga vendi ynë transportohet edhe heroinë e blerë nga Turqia.
(er.nu/news24/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt