TIRANE- Kryeministri Edi Rama në një intervistë për të përditshmen austriake “Der Standard” thotë se është qesharake që Shqipëria pret ende të marrë statusin e vendit kandidat.
“Shqipëria duhet ta kishte marrë që në dhjetor statusin kandidat dhe se është qesharake lënia në pritje për një vendim që është thjeshtë instrumen inkurajimi”.Shefi i qeverisë shqiptare shprehet se “sinqerisht, jam shumë i inkurajuar dhe me shpresë pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel”.
”Pashë që vetë Kancelarja ishte shumë e vetëdijshme që Ballkani duhet ndjekur më me shumë vëmendje pasi Ballkani ka vënë në zbatim një histori suksesi ndërkombëtar, atë të rrugës nga lufta në paqe. Në këtë rajon nisi Lufta e Parë Botërore dhe këtë vit është 100-vjetori. Ky është viti i parë ku në Ballkan nuk ka konflikt. Gjithçka që po ndodh është në emër të Evropës”, deklaron Rama për gazetën “Der Standard”.
Ai shton se kur vjen fjala për statusin kandidat për Shqipërinë, dhe duhet të them se është qesharake që Shqipëria është ende në pritje, sidomos kur kjo nuk ka lidhje me anëtarësimin apo hapjen e negociatave, por është vetëm një instrument inkurajimi dhe shprese për njerëzit.
“Shqipëria e ka fituar statusin kandidat. Dhe Shqipëria duhet ta marrë atë. Ne e kemi fituar atë në dhjetor. Dhe nuk ishte e mirë që ky vendim u shty. Nuk ishte e mirë për Shqipërinë dhe kjo nuk ishte e mirë për rajonin si dhe nuk ishte e mirë edhe për Evropën”, thekson Rama.
Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë në Vjenë ku do të jetë i pranishëm në Ditën Shqiptare të Austrisë. Duke bërë të ditur detaje rreth kësaj vizite , në rrjetin social “Facebook”, Rama e cilëson ditën e sotme “një ditë e plotë për ekonominë shqiptare”, duke njoftuar “ takim me kancelarin Faymann dhe një dialog me kancelarin Vranicki në Kreisky Forum”.
Takimin e zhvilluar me Kancelarin Faymann, Rama e cilëson si një takim shumë miqësor.”Mjaft inkurajuese fjalët për progresin e kohëve të fundit.Mirënjohje për mbështetjen e madhe të Austrisë”, shkruan Rama në rrjetin social “Facebook”.
(m.a/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt