Importi i plehrave, AKIP: Rama të distancohet nga deklarata e Kokës

TIRANE- Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) i kërkoi sot kreut të qeverisë, Edi Rama që të distancohet nga deklaratat e ministrit të Mjedisit, Lefter Koka lidhur me importin e plehrave.

AKIP, gjatë një deklaratë për shtyp mbajtur në Sheshin Shopen, Prane Gardes se Republikes ne Tirane, u shpreh se deklaratat e ministrit, Lefter Koka janë në kundërshtim flagrant, pasi ndalimi i importit të plehrave ka qenë premtimi elektoral dhe vendimi i parë i qeverisë, që sapo erdhi në pushtet.

Sipas AKIP, lejimi i importit të mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë nga qeveria Rama do të ishte një mashtrim dhe provokim madhor për qytetarët shqiptar.
“Çdo tentativë për lejimin e importit do të kundërshtohet nga ne. Qeveria të reagojë dhe të distancohet nga çdo synim për të sjellë të plehrave të huaja në Shqipëri”- shprehet AKIP.

Ministri i Mjedisit është shprehur pak ditë më parë, gjatë një interviste në News 24, se: “Tashmë mbetjet janë një nga llojet që mund të monitorohen. Shumë shpejt do jemi me një platformë për tu thënë që ne tani jemi në gjendje të bëjmë këtë kontroll. Shumë biznese kanë investuar për përpunimin e disa mbetjeve të cilat fatkeqësisht me ndalimin e importit nuk kemi mundësi që këtë lëndë tua mundësojmë dhe ata këtë lëndë të parë e përpunojnë gjetkë.”

Panorama