Intervista, Liam Neeson rrëfehet për revistën GQ

27 Mars 2014 | : LAJMI FUNDIT,ShowBiz | Autor: Ivana Dervishi

Provo. Dështo. S`ka rëndësi. Provo përsëri. Dështo përsëri. Dështo më mirë

GQCV00100X50-hi res.jpg

Revista mujore për meshkujt, Gentlemen`s Quarterly, ka në kopertinën e muajit prill aktorin e njohur Liam Neeson. Në një intervistë të dhënë për GQ, ai tregon për karrierën dhe jetën e tij si një baba i ve pas vdekjes së gruas në vitin 2009.

Më poshtë do të mund të lexoni një pjesë të shkëputur të intervistës.

GQ: Si e morët vendimin për të bërë filmin Taken?

LN: Doja të bëja më shumë gjëra fizike. Mendova se do të ishte një rrugicë në të ashtuquajturën karrierë. U habita kur rezultoi të ishte një gjë e madhe.

GQ: Cili është ai person me të cilin do të donit të punonit?

LN: Do të doja të punoja me Denzel. Kam shumë adhurim për të si aktor. Ai është shumë rehat përpara kamerës dhe ka inteligjencë. Kjo është një e vërtetë absolute. Nuk e kam parë atë njeri të portretizojë gjë tjetër veç së vërtetës. Nuk mund të gjesh tek ai shenja aktrimi, që quhen ndryshe “përtypje skenari”.

GQ: Si ishte të punoje me Woody Allen tek filmi Husbands and Wives?
LN: Ishte një eksperiencë e mirë. Ashtu si Eastwood, ai ishte madhështor. Qetësia mbizotëronte kur vinte ai në shesh xhirimi dhe fillonte punën duke rregulluar gjithçka.

GQ: Cila është motoja juaj?

LN: Është disi pesimiste, por ka edhe optimizëm brenda. Mendoj se është: “Provo. Dështo. S`ka rëndësi. Provo përsëri. Dështo përsëri. Dështo më mirë”.

GQ: Kush është miku juaj më i mirë?

LN: Është një mik që e kam njohur që kur isha 8 ose 9 vjeç. Ai është një mësues në pension.

GQ: Çfarë karakteristike të tij respektoni më shumë?

LN: Besnikërinë. Ne flasim për gjithçka. Gjithnjë e kemi bërë. Në moshën 8-vjeçare, kur takon dikë është sikur të biesh në dashuri. Mendon: “Uau, ky njeri do të qëndrojë në jetën time përgjithmonë.”

GQ: Keni ndonjë kujtim të çmuar prej atyre viteve të hershme të miqësisë me të?

LN: Kur kemi aktruar Rob Roy MacGregor. Morëm hua një nga fundet e motrës së tij. Të dy po luftonim me shpata. Nuk e di nga na erdhi ideja, duhet të kemi parë filmin e nxjerrë nga Disney në atë kohë.

GQ: Si është të jesh një baba beqar?

LN: Unë kam dy djem, një 17 dhe një tjetër 18 vjeç. Pyetja është e vështirë sepse varet nga ngjarjet e përditshme. Djemtë e mi janë në adoleshencë dhe po eksperimentojnë. Ndonjëherë mendoj se nëse gruaja ime Natasha do të ishte akoma gjallë, do të mund të na shihte sesi po jetojmë. Jam krenar për djemtë e mi, ata kanë sjellje të mira.

Aktori irlandez aktualisht po merret me xhirimin e filmit Taken 3, që pritet të dalë në kinema në vitin 2015.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/0...r-revisten-gq/