Gjendet i vdekur në rrugë “bosi” i drogës së Lazaratit, policia: U vra me 3 plumba
GJIROKASTER-Gjendet i pajetë në rrugë një i ri i njohur me epitetin, ‘bosi” i drogës në Lazarat. Policia e Gjirokastrës ka bërë me dije se Shpendi Basha, 25 vjeç është vrarë në rrugë me armë zjarri. Viktima është gjetur nga një bari në Kërcullë të Gjirokastrës. Sipas bluve të Gjirokastrës, viktima njihej si kultivues lëndësh narkotike. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas korrespondentes së News24, Eri Muço bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 minuta. Viktima e identifikuar tashmë dhe nga policia ishte nga Lazarati. 25-vjeçari është gjendur i vdekur në pikën më të lartë të kësaj zone, në afërsi të Kërcullës. Në bazë të informacioneve, viktima ishte kontingjent i njohur edhe për policinë e Gjirokastrës. Sipas ekspertizës, Shpendi Basha ishte qëlluar me pistoletë të kalibrit të vogël në kraharor, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Rreth orës 22.00 ka përfunduar ekspertiza mjeko-ligjore, ku nga kqyrja e kufomës rezultoi se viktima është vrarë me tre plumba dhe për pasojë ka humbur menjëherë jetën.
Pista e policisë
Sipas të dhënave të policisë, mendohet se pista kryesore e kësaj ngjarje është prishja e pazareve të biznesit të paligjshëm të lëndëve narkotike.
Viktima është plagosur me armë zjarri edhe dy vjet më parë dhe njihet si kontigjent i policisë në fushën e kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike .
(e.m/d.b/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt