Emri:  Tafe-Balilaj-Malesi-e-madhe-300x231.jpg

Shikime: 954

Madhësia:  22.4 KB
Policia e Shkodrës zbuloi dje një bazë tritoli në një fshat të Malësisë së Madhe dhe arrestoi një person, Tafe Balilaj, Malesi e madheqë dyshohet se merrej me shitjen e lëndës plasëse. Në pranga u vu 75-vjeçari Tafë Bilbilaj, i njohur në zonë si besimtar mysliman. Operacioni i koduar “Gurra” u realizua nga policia e Shkodrës pas informacioneve të marra se në banesën e të dyshuarit kishte lëndë plasëse. Mëngjesin e djeshëm, dhjetëra forca policie zbarkuan në fshatin Kurtaj të komunës Gruemirë të Malësisë së Madhe, ku zbuluan dhe bazën e tritolit. Në fakt banesa e 75-vjeçarit ishte kthyer në një magazinë armatimi, ku mund të gjeje gjithçka duke filluar nga tritoli e deri tek automatikët kallashnikovë. Policia arriti të sekuestrojë një arsenal të tërë armësh, përfshirë edhe një sasi të konsiderueshme tritoli, kapsolla detonatori, fitila, si dhe granata dhe armë automatike. Fillimisht policia ushtroi kontroll në banesën e 75-vjeçarit, ku sekuestroi një pjesë të vogël të lëndës plasëse, ndërsa nga kontrolli i ushtruar në kasollen pranë shtëpisë dhe në një ambient rreth 50 metra larg banesës u gjet sasia e konsiderueshme e tritolit. Policia tha se në ambientet e kontrolluara u sekuestruan 238 kallëpe tritoli, 150 copë kapsolla detonatorë, 200 metër fitil zjarrpërcjellës, 100 copë granata dore, tre armë zjarri automatik Model 56, si dhe gjashtë arka me fishekë. I pyetur për sasinë e konsiderueshme të tritolit dhe arsenalin e armëve dhe granatave, 75-vjeçari ka deklaruar përpara hetuesve se armët i mbante për të mbrojtur familjen. Ai u ka shpjeguar hetuesve një konflikt të hershëm që ka patur me besimtarë myslimanë në zonë dhe prej asaj kohe mbante në banesë sasinë e konsiderueshme të tritolit. Sipas dëshmisë së Tafë Bilbilaj mësohet se 10 vjet më parë ka patur një konflikt dhe që prej asaj kohe ai kishte blerë lëndën plasëse dhe arsenalin e armëve, që e mbante në banesë. Por sipas policisë, versioni i dhënë nga i arrestuari është pak i besueshëm, pasi një pjesë fare e vogël e lëndës plasëse është siguruar në vitin 1997, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se është blerë nga i arrestuari me qëllim shitjen në tregun e zi. Sipas burimeve të policisë mësohet se nga të dhënat e para ka dyshime të forta se i arrestuari e shiste lëndën plasëse tek personat e interesuar në sasi të vogla. Informacionet e para të policisë flasin për një tregti të lëndëve plasëse, por këto dyshime janë ende në fazë verifikimi nga grupi hetimor. I pyetur për këtë çështje, 75-vjeçari nuk ka pranuar për asnjë moment shitjen e tritolit duke i qëndruar versionit se gjithë arsenalin e armëve e mbante për të mbrojtur familjen. 75-vjeçari mësohet se jetonte i vetëm fshatin Kurtaj, ku njihej si njeri pa probleme. Por pavarësisht dyshimeve të policisë se banesa e të arrestuarit shërbente si bazë për tregtimin e lëndëve plasëse, ende nuk ka asnjë rast të provuar ku 75-vjeçari të ketë shitur lëndë plasëse te persona që e kanë përdorur atë për qëllime kriminale. Ky është rasti i dytë brenda pak kohësh kur policia zbulon një bazë të magazinimit të lëndëve plasëse. Fundjavën e shkuar, policia zbuloi një bazë të prodhimit të bombave në Fushë-Krujë, ku arrestoi një person që dyshohet se prodhonte dhe shiste lëndë plasëse. Ky operacion dhe punonjësit e policisë të larguar nga puna janë dy nga pistat kryesore që po heton policia për shpërthimin e dy ditëve më parë në komisariatin e Fushë Krujës. Të dhëna nga grupi hetimor pohuan se hedhja e lëndës plasëse në oborrin e komisariatit dyshohet se është bërë për motive hakmarrje.

Leonard Bakillari
MAPO