Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Ish-Presidenti Meidani: Të ikë kryeministri Rama

    "Me këtë model qeverisje, nuk vazhdohet”. I këtij qëndrimi shprehet ish-Presidenti Rexhep Meidani, mbi mënyrën se si po qeveris mazhoranca aktuale, duke hedhur madje edhe idenë e ndryshimeve në kabinet për t’u ofruar qytetarëve sipas tij, një mirëqeverisje. Në një intervistë ekskluzive për të përditshmen “Koha Jonë”, prof. dr.Rexhep Meidani , duke folur për koalicionin Rama-Meta, thotë se mandati i tyre katër-vjeçar do të përfundojë nëse do respektohet marrëveshja dy-palëshe dhe situata ekonomike të jetë e pranueshme. Por, nëse situata ekonomike do të bëhet kritike sipas tij, atëherë kryeministri duhet të japë dorëheqjen, apo do të mund të zëvendësohet brenda së njëjtës përbërje parlamentare. Madje z. Meidani thotë se mund të kalohet edhe në zgjedhje të parakohshme, nëse kriza bëhet e pakapërcyeshme. Analiza e tij u referohet edhe shteteve si Italia dhe Greqia. Ndërsa i pyetur në lidhje me moskryerjen e zgjedhjeve në PS për kreun, z. Meidani e ka cilësuar këtë si një arrogancë të pakuptimtë, por edhe si një heshtje të palejueshme të forumeve kryesore të Partisë Socialiste...

    A e sillni ndër mend me nostalgji kohën kur ishit President? Në fakt, jeni ndër të paktët Presidentë të këtyre 23 viteve demokraci, që ju respektojnë të gjitha partitë politike. Cili është sekreti Juaj?

    Nuk e di. Ndoshta jo, prandaj dhe nuk i kam shkruar ende “Kujtimet” e mia! Ndërsa, në lidhje me pjesën tjetër të pyetjes suaj, përgjigjen më të mirë mund ta japin vetë këto parti. Por, mund të shtoj se për të parën herë në jetën time, unë kam pranuar të anëtarësohem në një parti politike (në PS), vetëm pas zgjedhjeve të majit 1996, më tepër si një reagim qytetar ndaj deformimit të rrezikshëm të institucionit të votës së lirë në ato zgjedhje, por jo për të qenë një anëtar i verbër, një militant i thekur dhe agresiv i saj. Edhe më pas, unë jam përpjekur ta luaj rolin e qytetarit, si intelektual e si politikan në demokraci, duke mbetur një partizan i racionalitetit, i së vërtetës dhe së drejtës (të paktën, sipas mendjes sime); i veprimit të mirë-menduar, i qetësisë, tolerancës dhe kompromisit; i mbështetjes së më të dobëtit dhe kundërvënies ndaj arrogancës së të fortit, pa gëlltitur dot në asnjë rast si servilizmin, ashtu dhe verbërinë e militantizmit partiak, si populizmin fals, ashtu dhe demagogjinë mashtruese; dhe mbi të gjitha, i kam qëndruar besnik, pse jo dhe me fanatizëm, konceptit të pushtetit për të shërbyer dhe jo atij për të përfituar, i shpërndarjes dhe jo akumulimit të tij. Ndoshta, ky është dhe sekreti!...

    E morët Presidencën në ditë të vështira për vendin dhe gjetët mirëkuptimin e të gjitha palëve si kreu i shtetit. A ju ka mbetur peng ndonjë gjë që mund ta bënit më mirë?

    Pa dyshim, shumë gjëra! Por dhe mundësitë e asaj periudhe ishin të tilla, relativisht të kufizuara, sidomos në vitet e para në kushtet e një vendi me institucione të djegura dhe të shkatërruara, me probleme serioze ekonomike e sociale, me një goditje të rëndë të kohezionit brenda shoqërisë. Të vështira ishin edhe vitet e mëvonshme me përballimin e krizës së Kosovës apo të konfliktit në Maqedoni, por ato në vetvete i shërbyen kohezionit, jo vetëm të brendshëm, por dhe atij mbarëkombëtar. Sidoqoftë, ngjarje të mëvonshme, brenda dhe jashtë nesh, e kanë justifikuar më së miri rrugën e ndjekur, vetë përafrimin apo modelin e zgjedhur, që u rezistoi me sukses vështirësive të kohës.

    Cili është kontributi juaj për Pavarësinë e Kosovës?

    Jam vlerësuar zyrtarisht për këtë kontribut me dekoratën e lartë “Medalja e Artë e Lirisë”(2010) të Republikës së Kosovës. Por, ky vlerësim zyrtar bëhet i shumëfishtë para respektit, mirënjohjes dhe dëshirës së qytetarëve të thjeshtë të Kosovës, për të më kontaktuar e biseduar, kudo që jam ndeshur me ta, në Kosovë e diasporë, në Maqedoni dhe Mal të Zi. Për mua, kjo ka një domethënie të veçantë, që padyshim flet me elokuencë për solidaritetin, mobilizimin e angazhimin e të gjitha institucioneve të shtetit, të gjithë politikanëve dhe familjeve shqiptare të Shqipërisë, për kapërcimin me humbje sa më të vogla të asaj situate tepër kritike dhe mbi të gjitha, për ta shndërruar atë situatë të rëndë për ekzistencën e kombit shqiptar, në një mundësi të re lirie, demokracie e pavarësie. Aty e gjej dhe unë angazhimin tim, mendjen e zemrën, energjinë dhe peshën personale në këtë proces historik, jo vetëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe për zhvillimet mbarëkombëtare integruese e vetë-integruese.

    Para disa ditësh, keni qenë në Athinë me rastin e mbledhjes së “Club of Madrid” për krizën në Greqi dhe në Ballkan. Çfarë u tha për Shqipërinë dhe si parashikohet dalja e vendeve nga kriza që i ka përfshirë?

    Në fakt, ishte një mbledhje përgatitore për një konferencë të ardhshme ndërkombëtare në Baku, pikërisht mbi konceptimin e axhendës së zhvillimit të qëndrueshëm, pas vitit 2015; pra, të ndërtimit të një platforme ndërkombëtare për një veprim të mëtejshëm të përbashkët në nivel global. Në respekt të lexuesit të këtyre radhëve, po u kujtoj se 2015-ta është viti i fundit i plotësimit të Objektivave të Mijëvjeçarit (MDG-Millennium Development Goals), pra i tetë objektivave ndërkombëtare të zhvillimit (çrrënjosjes së urisë dhe varfërisë ekstreme, plotësimit të edukimit universal primar, promovimit të barazisë gjinore dhe fuqizimit të rolit të gruas, reduktimit të mortalitetit foshnjor, përmirësimit të shëndetit të nënës, luftës kundër sidës, malaries e sëmundjeve të tjera, garantimit të qëndrueshmërisë mjedisore, partneritetit global në funksion të zhvillimit); të miratuara në Samitin e OKB-së, më 2000. Këtë dokument, në emër të shtetit shqiptar, e kam firmosur unë në atë samit.

    A ndikon kriza greke në Shqipëri? Sigurisht përveç “tkurrjeve” të të ardhurave të emigrantëve shqiptarë atje...

    Në shumë drejtime, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Kjo duket qartë, sidomos në rënien e nivelit të konsumit të qytetarëve shqiptarë, në bllokimin e shitjes së apartamenteve, etj.

    A mund të përsëritet një skenar si i Greqisë në Shqipëri?

    Ka mjaft shenja që dëshmojnë se ekonomia shqiptare në vitet e fundit është luhatur, fshehur apo hapur, në “marzhe” të një spiraleje reale recesioni, ndërkohë që, nën një mbulesë e “mbrojtje” statistike, është heshtur për recesionin teknik. Në kushtet e sotme, në gjykimin tim, rritja e borxhit publik me afro +10% ose më shumë, veçanërisht brenda një kohe të shkurtër, mund të rezultojë seriozisht kritike e tepër shqetësuese, ndoshta dhe me pasoja social-ekonomike e politike vështirësisht të përballueshme...

    Z.Meidani, meqë kjo është intervista e parë që realizoj me Ju, dhe ndoshta e ndjej si një detyrim për të pyetur: Si e shihni qeverisjen e Kabinetit “Rama”?

    Ka diçka që nuk shkon! Një shikim i pakuptimtë dhe i stërzgjatur prapa, një sjellje prej opozite në pozitë! Diçka të ngjashme e kemi vënë re 8 vjet të shkuara, në vitin 2005, gjatë gjashtë muajve të parë të qeverisjes së PD-së. Duket si një sëmundje politike shqiptare e pozitës, pas shumë vjetësh në opozitë! Përveç këtij komenti “miqësor”, po ashtu, mund të them se në këto 6 muaj qeverisje, pavarësisht ç’trumbetohet, ka një humbje të qartë besimi, një zhgënjim të madh të qytetarëve përballë një pritshmërie të lartë të muajve të parë ndaj këtij kabineti. Ka shumë llafe e propagandë, demagogji e populizëm dhe pak ose aspak iniciativa konkrete, ka mungesa të dukshme në mishërim e demonstrim aftësish qeverisëse apo kapacitetesh administrimi, shumë pak lëvizje pozitive dhe ndryshime të mirëpritura. Gati-gati të krijohet, pa dashje, përshtypja e një qeverisje “OJQ-iste”, sepse për rilindje, në kuptimin e ringjalljes, as që mund të bëhet fjalë! Një situatë e tillë, në gjykimin tim, nuk mund të vazhdohet; ajo duhet të ndryshohet sa më shpejt, qoftë dhe me “sakrificën” e ndryshimit pjesor të këtij kabineti...

    Cila është arsyeja që nuk po bëhen në PS zgjedhjet për kryetar? A i druhet Rama një kandidature potenciale? A duhet të ndërhyhet në Statutin e PS-së?

    Në gjykimin tim, kjo është një arrogancë e pakuptimtë e kryetarit të partisë, por dhe një gabim i këshilltarëve të tij, një heshtje e palejueshme e forumeve kryesore të partisë, sidomos e kryesisë dhe e drejtuesve të Asamblesë. Në fakt, për çdo parti politike demokratike, statuti i saj, i miratuar me referendum partiak apo në një nga kongreset e saj, është Kushtetuta e kësaj partie. Ndryshe është puna në një organizim politik jo- demokratik! Duke e konsideruar PS-në si një parti demokratike emancipuese për spektrin politik shqiptar, u bëj thirrje këtyre forumeve që t’i planifikojnë dhe t’i organizojnë këto zgjedhje. Për mua, statuti duhet të zbatohet sa më shpejt, pavarësisht imponimit, dëshirave individuale dhe pragmatizmit të njërit apo tjetrit drejtues, përfshirë edhe situata konkrete të favorshme ose të pafavorshme. Parë me këtë sy, më duket e çuditshme, gati-gati abuzive, kjo shtyrje e zgjedhjeve për kryetar partie, sepse z. Rama, nën petkun e Kryeministrit, e ka fare të lehtë rizgjedhjen e tij në krye të PS-së. Ndryshe, ndoshta, mund të ishte puna po ta linte detyrën e kryetarit dhe postin zyrtar. Këtë kurajë politike e pati vetëm Nano, që pas dorëheqjes nga të gjitha detyrat, hyri në garën për kryetar partie si anëtar i thjeshtë i saj. Ai arriti të fitojë në kongres me një diferencë të vogël ndaj kandidatit tjetër, z.Majko. Sidoqoftë, nisur nga një rivialitet i tillë, më duhet të ripërsëris këtu mendimin tim mbi domosdoshmërinë e kufizimit të çdo mandati të rëndësishëm partiak, politik e shtetëror. Në këtë kuptim, edhe jetëgjatësia në mbajtjen e detyrës më të lartë partiake, për hir të demokracisë brenda partisë, duhet të jetë e kufizuar në 1-2 mandate, por jo më shumë. Pikërisht, një sjellje të tillë demokratike ka manifestuar z.Godo në drejtimin e PR-së. Meqë jemi këtu, ia vlen t’ia kujtojmë lexuesit faktin interesant se në fillimet e tranzicionit, ky kufizim kohor (shpesh dhe dy-vjeçar) ndeshej në të gjithë statutet e partive të reja të sapokrijuara. Pra, shumë drejtues të asaj kohe si shqetësim kryesor kishin demokracinë e brendshme partiake, por jo pushtetin e tyre të mirëfilltë. Oreksi i tyre u shtua hap pas hapi, pak më vonë! Pikërisht, ky oreks anti-demokratik duhet goditur sot me forcë nëpërmjet amendamenteve përkatëse në statutet e partive kryesore shqiptare, pra dhe të PS-së...

    Kush mendoni se mund të jetë kandidatura më e fortë në PS për të konkurruar me Ramën?

    Sapo e theksova më sipër, mungesa e emancipimit politik (e shfaqur diku si bindje servile, diku si nënshtrim, indiferencë, interes, etj.) e bën në Shqipëri, praktikisht të pamundur garën apo konkurrencën reale e dinjitoze ndaj një kryetari partie- kryeministër. Kjo edhe pse, në kushtet e demokracisë dhe pluralizmit, mund të jenë jo të pakta kandidaturat e afta e profesionale, individët karizmatikë e kapacitivë, organizatorët e administratorët e devotshëm. Veçse, në kushte të tilla konkurrence, kandidimi i mirëfilltë është thjesht pa kuptim. Edhe z.Basha, pa dorëheqjen e z.Berisha dhe “mirëkuptimin” e tij, nuk mund ta imagjinonte paraprakisht garën partiake, aq më pak, atë post politik.

    Pse nuk morët pjesë në mbledhjen e fundit të “Këshillit Politik të PS-së” apo siç njihet nga publiku si “Këshilli i të Urtëve”, në darkën me Ramën?

    Në fakt, kur më erdhi kjo ftesë nuk isha në Shqipëri. Edhe telefonin e kisha të mbyllur, por jo mjetet e tjera të komunikimit nëpërmjet internetit. Në qoftë se nuk gaboj, jam kthyer në Tiranë në mbrëmjen e darkës së shtruar nga z. Rama, deri diku edhe të papritur. Pavarësisht nga kjo, unë nuk besoj se aty të ketë pasur diskutime serioze apo konsultime për ndonjë vendim-marrje të rëndësishme. Për më tepër, në perceptimin tim, ky Këshill e kishte përfunduar prej kohësh misionin e tij, qoftë dhe të fasadës!...

    Z.Servet Pëllumbi ka deklaruar se nuk do të marrë më pjesë. Në karakterin tuaj, duket se ka më shumë gjëra që ju largojnë nga Edi Rama sesa ju afrojnë. Të tjerët janë deputetë dhe mund t’i diskutojnë problematikat në grupin parlamentar, aq më tepër që PS tani është në pushtet. A mendoni se ky Këshill e kreu misionin e tij?

    Z.Pëllumbi mori pjesë vetëm në mbledhjet e para. Madje, ai e pagëzoi atë Këshill deri me një “nofkë” nomenklature. Ndryshe prej tij, së bashku me kolegë të tjerë, ne gjykuam të vazhdonim të kontribuonim, pra, të ishim pjesë e këshillimit të forumeve të partisë. Por, me kalimin e kohës, mbledhjet e Këshillit po bëheshin gjithnjë edhe më të rralla, madje, siç ndjehej, konsultimi i mëtejshëm po konsiderohej i panevojshëm. Kjo u bë më e qartë në qeverisje, në kushtet e një informacioni të gjithanshëm për kryeministrin që, po të besosh “tezën” e Amanpurit (Christiane Amanpour- CNN), shndërrohet në ushqim force, kthehet në tipar pushteti...

    A mendoni se Edi Rama bëri mirë që refuzoi demontimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri? Armët po demontohen në një vend tjetër dhe çdo gjë po shkon normalisht e asnjëri nuk po thotë se janë shkatërrimtare për atë vend ku po demontohen. Çfarë humbi Shqipëria?

    Media sociale ishte arma kryesore mobilizuese e rinisë në Pranverën Arabe. Këtë po e kupton sot edhe politika shqiptare. Pikërisht, një uragan i tillë iu përplas papritur në fytyrë dhe z. Rama. Pra, ai, para një vale të fuqishme rinore në rritje që po mbushte sheshet dhe rrugët, ishte i detyruar të refuzonte këtë demontim në Shqipëri. Përndryshe, po të vonohej më shumë, po të mos reagonte, po të mos tërhiqej, rrezikonte edhe vetë pushtetin e tij. Aq më tepër, që deri në atë kohë, ai, duke punuar në një qark të shkurtër, jo vetëm nuk ishte konsultuar me Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin, por as me Presidentin si kryetar i Këshillit të Sigurimit. Nga ana tjetër, demontimi në Shqipëri, në atë masë të deklaruar, shfaqte rreziqe konkrete, që duhej të shmangeshin për arsye shkencore-profesionale e logjistike-infrastrukturore; ata mund të shoqëroheshin me pasoja serioze në një shtrirje kohore dhjetë-vjeçare apo më shumë, si për shëndetin, natyrën e mjedisin, ashtu dhe vetë ekonominë, sidomos turizmin. Dhe nëse shumë gjëra sot janë sqaruar më mirë në kuptimin kohor-hapësinor, por dhe detyrat janë më mirë të shpërndara e organizuara, një problem më vete mbetet trajtimi i mbeturinave apo destinacioni vendor përfundimtar i tyre.

    Të qëndrojmë pak tek nëpunësi civil. A mund të rrëzohet një ligj që u miratua në Kuvend me shumicë me një akt normativ të dalë nga ekzekutivi? Cili është mendimi juaj?

    Natyrisht, për çdo vendim-marrje, krahas aspektit ligjor (kushtetues), ka dhe një aspekt moral (politik). Veçse ky i fundit, lidhet me dinjitetin, besueshmërinë, luajalitetin dhe fjalën e dhënë, por nuk mund të trajtohet nga gjykata (Gjykata Kushtetuese). Ndryshe është puna me aspektin ligjor e kushtetues. I parë me këtë sy, akti normativ për ligjin mbi nëpunësin civil, i miratuar në mbledhjen e parë të qeverisë ishte jo vetëm një veprim emocional me pasoja të shumta, por dëshmoi, që në mbledhjen e parë të kabinetit, një inkompetencë juridiko-kushtetuese. Ai, në thelbin e vet (natyrisht, duke lënë mënjanë aspektin moral), nuk ishte as edhe i nevojshëm, sepse po i njëjti synim mund të realizohej thjesht me një ligj pjesor, apo me një amendament të ligjit bazë. Dhe në atë rast, opozita mund të reagonte fort për thyerje apo mosrespektim konsensusi, por Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte ç’të hidhte poshtë. Sot, pas vendimit të gjykatës, ndjekja e asaj rruge, përveç ngërçit në sy të qytetarit, e thellon më tej çarjen në raportin qeveri-parlament-gjykatë, madje bëhet e dyshimtë në vetë autoritetin juridik të kësaj të fundit.

    PDIU është një forcë politike me 5 mandate në Kuvend dhe është eksponent i rëndësishëm. Ajo ka një kauzë të fuqishme që sigurisht kërkon një vullnet politik, siç është ajo e Çamërisë. Ndërkohë, opozita ka vetëm fjalën, sepse edhe me votat nuk është shumë e fuqishme. Në kushte të tilla, a duhet që PDIU-ja të kalojë në qeveri për të realizuar objektivin e saj?

    Në politikë, pragmatizmi shumë shpesh shpërblehet, pavarësisht rastit konkret. Megjithatë, kam qenë dhe mbetem kundër trafikimit politik të deputetëve në Kuvend. Sipas gjykimit tim, morali politik kërkon që të respektohet sa më drejt vota popullore, aq më tepër që çdo deputet në vetvete, pavarësisht sistemit zgjedhor, mishëron një elektorat të dhënë, një orientim të tij.

    A mendoni se qeverisja Rama-Meta do të vazhdojë katër vjet?

    Koalicioni në qeverisje është kompozuar nga një mori partish politike, nga të cilat vetëm dy (PS dhe LSI) janë përfaqësuar në qeveri në rang ministrash. Në këtë kuptim, mund të flitet shkurt për koalicionin apo qeverisjen Rama-Meta, edhe pse në nivele të tjera të qeverisë e administratës apo në parlament, janë dhe përfaqësues të tjerë. Sidoqoftë, nisur dhe nga praktika botërore, ku emri i kryeministrit “pagëzon” dhe qeverinë, pavarësisht koalicionit konkret, mund të flitet thjesht për kabinetin ose qeverinë “Rama”. Dhe tani, pas këtij sqarimi, le t’i përgjigjemi pyetjes tuaj. Në gjykimin tim, ky koalicion Rama-Meta, nëse respekton kushtet politike të marrëveshjeve të ndërsjella, përfshirë edhe ato të zgjedhjeve vendore, nuk ka arsye që të mos e përfundojë të plotë qeverisjen katër-vjeçare. Por, e gjitha kjo në një situatë ekonomike të pranueshme, pavarësisht vështirësive serioze aktuale të saj. Në një situatë ekonomike tepër kritike, ashtu si dhe në vende të tjera, mund të bjerë qeveria, kryeministri mund të japë dorëheqjen apo mund të zëvendësohet brenda të njëjtës përbërje parlamentare. Nëse kriza bëhet e pakapërcyeshme, mund të kalohet edhe në zgjedhje të parakohshme. Ky ishte rasti i Greqisë, Italisë etj. Prandaj, duhet bërë çmos në kohë që të mos lejohen të trashen paaftësitë e gabimet, sidomos orientimet jo koherente ekonomike-financiare.

    Cili është mendimi juaj për opozitën? Zoti Berisha duket përsëri shumë aktiv, a mendoni se opozita do të ishte më e fortë me Berishën kryetar?

    Pas një humbjeje në zgjedhje, opozitës i nevojitet kohë për të marrë veten, për t’u orientuar, sidomos kur kjo humbje ka qenë e paimagjinueshme dhe është shoqëruar me një numër të kufizuar kartonësh opozitarë në Kuvend. Pikërisht, kjo gjë është vrojtuar brenda opozitës, gjatë muajve të parë pas zgjedhjeve, pavarësisht kryetarit të saj në dukje apo në thelb, emrit të përveçëm të tij. Sidoqoftë, këtë kohë brenda saj, po vibron, lexohet, ndjehet aty një tension, një përplasje e dukshme apo e padukshme, midis një prirjeje të re dhe moderne, nevojës për pjesëmarrje e bashkëpunim, si edhe pozicionimit të vjetër e qëndresës për refuzim e bojkot. Cila trajektore do të dominojë do të shihet më qartë në muajt e ardhshëm.

    Çfarë mendoni për sistemin e drejtësisë? Të gjithë shprehin rezerva. Kur mendoni se drejtësia do të arrijë të prangosë një deputet, apo ministër të korruptuar?

    Kur vetë politika të pastrojë barkun e saj, por dhe kur eksponentët e lartë të saj, të arrijnë ta lënë të qetë drejtësinë!...

    Intervistoi Fernanda Cenko

    Koha Jone

  2. #2
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897

    Për: Ish-Presidenti Meidani: Të ikë kryeministri Rama

    Rilindja me Gramoz Rucin.. popull pa memorie

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •