UEFA, Platini tregon: Shqipëria s'ka lekë për stadiumin

Nga Nisa, Ervin Baku
UEFA, Platini tregon: Shqipëria sTIRANE-Me konferencën e djeshme për shtyp, mori jetë dhe startoi zyrtarisht Europiani i Francës 2016. Përgatitjet avancojnë me shpejtësi. Hedhja e shortit të eliminatoreve zhvillohet sot në Nisë. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, është i kënaqur nga puna e realizuar për të garantuar një festival të vërtetë futbolli gjatë fazës finale që do të zhvillohet në Francën e tij. Ndeshjet eliminatore, që do të luhen pothuajse gjatë gjithë javës, do të ndiqen nga milionat e telespektatorëve në mbarë Europën. Natyrisht që kjo kërkon një infrastrukturë moderne. Dhe natyrshëm, erdhi pyetja ime për stadiumin e ri, që u bë vërtet një legjendë. "Folëm për stadiumin e ri, diçka që kryeministri e ka konsultuar së bashku me presidentin Armand Duka, e që do të realizohet sapo të jenë krijuar të gjitha kushtet", - këtë na deklaroi Platini ne gazetarëve, kur doli nga takimi me Ramën. Dhe pikërisht këtë i kërkova presidentit të UEFA-s. Dekortikimin e "sapo të jenë krijuar të gjitha kushtet".

PLATINI
Mora tekstualisht këtë përgjigje: "Situata financiare në Shqipëri është shumë e komplikuar. Rama më tha që nuk ka lekë. Kështu që do të duhet të prisni disa vjet për stadiumin e ri në Tiranë. Për momentin do të luani në Elbasan. Shpresoj të jetë i standardeve të kërkuara". Pra, ka ende kohë për stadium të ri. Urojmë të gjithë që rikonstruksioni i stadiumit të Elbasanit të arrijë standardet ndërkombëtare. Sepse me "javën e futbollit", ndeshjet tona do t'i shikojnë të gjithë. Ndërkohë, të gjithë presim me padurim shortin e sotëm. Këtu në Nisë, gjithçka është gati. Rud Gulit dhe Visente Lizarazu do të drejtojnë nesër hedhjen e shortit, me ndihmën e 13 portierëve të mëdhenj europianë të së kaluarës, midis të cilëve edhe pesë fitues të Europianëve. Shqipëria jonë do të jetë në vazon e 5-të, së bashku me Islandën, Irlandën e Veriut, Lituaninë, Moldavinë, Maqedoninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe Qipron.

RISIA
E veçanta e këtyre eliminatoreve, apo më mirë revolucioni i vërtetë, do të jetë implementimi i konceptit të ri: "java e futbollit". Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino, tha se koncepti i ri "java e futbollit", zgjedhur nga UEFA, sipas të cilit ndeshjet eliminatore për Europianin do të ndahen në ditë të ndryshme, nga e enjtja deri të martën që pason, do të ndihmojë në rritjen e frymëzimit për futbollin në nivel kombëtar. "Ka qenë një vendim politik, - deklaroi Mishel Platini. - Që t'i vendosim eliminatoret në nivelin e kampionateve më të forta dhe në nivelin e Ligës së Kampioneve". "Kur luaja me Francën, jepja gjithçka që të luaja po aq mirë sa edhe me Juventusin apo Saint-Etien", - shtoi Platini në lidhje me këtë revolucion të ri të UEFA-s.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

http://www.balkanweb.com/kryesore/1/...in-174145.html