Klodian Ndreca dhe Tauland Prendi, 28 dhe 25 vjeç, nga Pllana, humbasin jetën në pritë. Plagoset Aurel Prendi 21 vjeç. Policia: Hetohet pista e konflikteve, dyshohet se mjeti nuk ka qenë i viktimave, por i një personi me precedentë penalë

Nikoleta Kovaçi

Lezha u trondit mbrëmë nga një atentat ku mbeten të vrarë dy të rinj dhe u plagos një tjetër. Dy vëllezër dhe një shoku i tyre kanë rënë pre e një prite të ngritur vetëm pak minuta larg fshatit ku banonin. Tre djemtë të cilët udhëtonin brenda një mjeti, janë qëlluar me breshëri kallashnikovi. Si pasojë dy prej tyre kanë humbur jetën në vend, ndërsa i treti ka mundur të mbijetojë e deri mbrëmë vonë është bërë me dije se është në gjendje të rëndë. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka identifikuar dy viktimat, të cilët janë Klodian Ndreca dhe Tauland Prendi, ndërsa është dërguar për në spital vëllai i Taulandit, Aurel Prendi, i cili ka marrë plagë të rënda.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.45 minuta në dalje të Lezhës, rrugës së vjetër që lidh Lezhën me Milotin dhe mësohet se mjeti ka qenë nisur në drejtim të Laçit. Policia që ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ka verifikuar se mbi të rinjtë është qëlluar me dy lloje armësh, një kallashnikov dhe një pistoletë. Nga lloji armëve i përdorur në atentat pretendohet se kanë marrë pjesë më shumë se dy persona, ndërsa policia e Lezhës nuk është shprehur ende për motivin e ngjarjes së rëndë. Referuar informa- cioneve të pakta që vijnë nga policia saktësohet se mes dy vëllezërve dhe Klodian Ndrecës ekziston edhe një lidhje familjare.

Ngjarja sipas policisë

Referuar të dhënave të policisë saktësohet se persona ende të pa identifikuar i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar me armë zjarri drejt një automjetit tip ‘Golf 5’ me targë AA047VM . Nga plumbat kanë humbur jetën Klodian Ndreca 28 vjeç dhe Tauland Prendi 25 vjeç si dhe është plagosur Aurel Prendi 21 vjeç, vëllai i Taulandit. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku ka gjetur një pistoletë dhe një kallashnikov.

Autorët e atentatit ende nuk janë identifikuar ndërkohë që efektivët e policisë kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen. Sipas policisë 21-vjeçari Aurel Prendi është ende në jetë dhe është shpresa e vetme për të marrë një dëshmi në lidhje me pritën fatale që iu ngrit mjetit me të cilin udhëtonin. Nga sa mësohet nga burime të policisë së Lezhës saktësohet se dy djemtë e familjes Prendi kanë një punishte guri oxhaqesh në zonën e tyre, pra në Pllanë.

Dy vëllezërit dhe kushëriri i tyre ishin duke u kthyer në shtëpi në momentin që u është zënë pritë në hyrje të qytetit të Lezhës dhe janë qëlluar me breshëri automatiku. Sipas policisë, viktimat dhe i plagosuri dyshohet të jenë qëlluar nga dy persona. Forcat e policisë po ushtrojnë kontrolle në gjithë zonën për kapjen e autorëve. Nga burimet e policisë mësohet se hetimet janë përqendruar në ndonjë sherr që mund të kenë mbartur viktimat, pasi mësohet se si dy vëllezërit Prendi, ashtu edhe kushëriri i tyre nuk njihen për ndonjë precedent të mëparshëm penal. Njëkohësisht saktësohet se djemtë punonin në punishten e tyre dhe nuk janë shquar si problematikë në zonën e tyre apo edhe në Lezhë.

Dyshimet e policisë, djemtë mund të jenë vrarë gabimisht


Policia e Lezhës mbrëmjen e djeshme ka shpërndarë një informacion krejt të pakët në lidhje me ngjarjen e rëndë ku humbën jetën dy të rinj dhe mbeti i plagosur një tjetër. Djemtë nuk udhëtonin me mjetin e tyre. Ky është një fakt ku policia ka hedhur dyshime të forta për motivin e atentatit.

Janë marrë në pyetje edhe familjarët e dy palëve, por ata kanë mohuar në mënyrë kategorike të kishin patur përplasje me ndonjë person dhe aq më pak ndonjë hasmëri të vjetër. Kështu, grupi i hetimit është fokusuar tek i zoti i mjetit, i cili sipas të dhënave dyshohet se është një person i njohur në Lezhë dhe se ndaj tij kanë ekzistuar edhe precedentë të mëparshëm penalë. Njëkohësisht policia ka kryer edhe krehjen e zonës duke bërë të mundur edhe shoqërimin e dhjetëra personave, që të gjithë nga zona e Zejmenit dhe e Milotit.

Ndërkohë pritet marrja në pyetje edhe e të zotit të makinës, i cili është një njeri i njohur i dy familjeve. Gjithashtu, policia po heton edhe në pistën e ndonjë përplasjeje për shkak të punës që kanë dy vëllezërit duke kaluar në sitën e hetimit të gjithë personat që kanë kryer punime në punishten e të rinjve. Janë ngritur postblloqe të shumta, por asnjë gjurmë e autorëve nuk është fiksuar, ndërsa dy armët e atentatit janë sekuestruar dhe do të sillen në laboratorin kriminalistik të Tiranës për ekspertim gjurmësh. Policia e Lezhës pretendon se nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve të shkohet tek autorët e vrasjes së dyfishtë dhe të plagosjes së 21- vjeçarit.

Shekulli