Kujtimet e ish-kreut të Hetuesisë për rrëzimin e bustit: Ramizi urdhër të qëllohej, Nexhmija në lot
“Onufri” boton librin me kujtime të ish-kreut të Hetuesisë
Rrëzimi i monumentit, Ramiz Alia: Të qëllohet mbi turmën.
“Nexhmije Hoxha shpërtheu në lot kur ra shtatorja”
Haxhi Lleshi: Të marrim armët. Emrin e tij do ta mbrojmë me gjak. S’lejojmë armiqtë që të dëmtojnë monumentin e tij.
Qemal Lame: Ç’ndodhi në mbledhjen urgjente të Plenumit të KQPPSH. Përplasjet mes byroistëve.
GJATE RREZIMIT TE BUSTIT TE ENVERIT (LART DJATHTAS) KOPERTINA E LIBRIT (POSHTE DJATHTAS) NEXHMIJE HOXHA
“Të qëllohet!”. Ky ishte urdhri që Ramiz Alia, pasardhësi i Enver Hoxhës, dha 20 shkurtin e vitit 1991, kur raportimet e njëpasnjëshme njoftonin se rrezikohej rrëzimi i monumentit të ish-diktatorit. Nuk iu desh shumë të mendohej. Në kor e mbështetën Haxhi Lleshi, Spiro Koleka e ndonjë tjetër… Plot 23 vjet më pas, ngjarjet e asaj dite dhe jo vetëm i tregon një prej dëshmitarëve okularë, drejtuesit të një prej institucioneve më ogurzeza të kohës. Bëhet fjalë për Qemal Lamen, ish-kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme në vitet 1981-1992, i cili së shpejti, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Onufri”, hedh në qarkullim librin me kujtime “Kur shembeshin themelet”. “Gjatë shumë vitesh të kohës së socializmit, lexuesi shqiptar ka qenë familjarizuar me shprehjen ‘kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re’, e cila ka shërbyer njëkohësisht si titull për një nga veprat kryesore të Enver Hoxhës. Libri “Kur shembeshin themelet” i Qemal Lames është, siç e tregon titulli, një antinomi, një përmbysje e asaj çka përshkruan diktatori shqiptar. I hartuar nga njëri prej drejtuesve më të lartë të mekanizmit shtypës të shtetit diktatorial, kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme të Republikës, libri është një dëshmi e saktë e vitit të fundit të rendit komunist, e panikut, tmerrit dhe çoroditjes së një kaste në prag të rënies së saj”, thotë botuesi i librit, Bujar Hudhri. Sipas tij, duke iu referuar pohimit të autorit, “burimet dokumentare të librit, përveç ditarit të përditshëm të punës si kryehetues, përfshijnë dokumente autentike të Hetuesisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë, Arkivit Qendror të PPSH, Kuvendit e Presidiumit të Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave të Republikës, të cilat ndodhen tani në Arkivin Qendror të Shtetit”. Në këtë përvjetor të rrëzimit të monumentit të ish-diktatorit Enver Hoxha, kemi përzgjedhur pikërisht atë pjesë që lihet me këtë ngjarje. Ish-kreu i Hetuesisë, Qemal Lame, tregon për një mbledhje urgjente të Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku u diskutuan masat që duheshin marrë për të zmbrapsur turmën që ishte drejtuar në sheshin “Skënderbej”, për të rrëzuar monumentin e ish-diktatorit. Lame tregon për debatet mes pjesëmarrësve në këtë takim, pjesës më radikale dhe asaj më të matur. Përplasja mes Haxhi Lleshit, që ishte për kundërpërgjigje me armë dhe Manush Myftiut e Rita Markos, të cilët ishin kundër gjakderdhjes. Raportimi pranë Ramiz Alisë minutë pas minute dhe rrëzimi i monumentit, shoqëruar me të qarët e të vesë së diktatorit, Nexhmije Hoxhës.
PJESË NGA LIBRI
Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës
20 shkurt 1991
Mbledhja urgjente e Plenumit të Komitetit Qendror për situatën e rëndë në sheshin qendror të Tiranës dhe qëllimin e demonstruesve për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës Në orën 12:00 isha duke punuar në zyrë. Ra telefoni. Ishte një punonjës i Komitetit Qendror. Më tha: – Sa mirë që ju kontaktova. Mendohej se nuk ishe në zyrë. Kam porosi nga udhëheqja të njoftoj se në orën 13:00 do të bëhet mbledhja e Komitetit Qendror, me anëtarët e Plenumit me banim në Tiranë, me ministrat dhe kuadrot e tjerë të lartë të institucioneve qendrore. Për arsye sigurie, do të vijë një makinë t’ju marrë. Dola nga zyra dhe po prisja në oborr, për të ardhur një makinë dhe për të shkuar në selinë e KQ-së. Mendoja se arsyeja e mbledhjes do të ishte demonstrata, por ndërkohë erdhën disa hetues dhe më thanë se turma e njerëzve po kërkon të lëvizë drejt sheshit qendror, para Pallatit të Kulturës. Gjendja është shumë e rëndë. Njerëzit hidhnin parulla kundër Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës. Disa persona kishin prishur parullën “Rroftë Partia e Punës së Shqipërisë!”, që ishte në tarracën e Pallatit të Kulturës. Me një mikrobus të dërguar nga KQ-ja vajta në mbledhje. Te korridori për në sallën e Plenumit në katin e tretë, pashë se kishte mbërritur pjesa më e madhe e atyre që ishin lajmëruar për të ardhur në mbledhje. Dukeshin të shqetësuar dhe prisnin me kureshtje mbledhjen që pritej të fillonte nga çasti në çast. Në pamje mund të dalloje te disa edhe ngurrimin, dilemën apo kurajën për të vlerësuar realisht situatën dhe për t’u shkëputur njëherë e mirë nga e kaluara, duke parë me besim të ardhmen. Mendoj se këta njerëz të zgjuar, që ishin në këtë forum drejtues me rëndësi për fatet e vendit, arrinin të depërtonin në mendimet e njëri-tjetrit dhe të gjenin zgjidhjen me marrjen e një vendimi që pritej të ndikonte pozitivisht në situatën e rënduar politike. Natyrshëm ishin bërë dy grupime kryesore. Shumica ishte për shkëputjen përfundimtare nga doktrina e socializmit diktatorial, vizionin e ri për socializmin dhe demokracinë e rivlerësimin e Enver Hoxhës, në bazë të analizës objektive të zhvillimit historik, të rezultateve dhe të pasojave të rënda të utopisë së socializmit diktatorial stalinist, të diktaturës dhe luftës së klasave, të gjendjes së rëndë të falimentimit të shtetit dhe ekonomisë, të izolimit, varfërisë së tejskajshme të popullit, shkëputjes nga qytetërimi bashkëkohor europian. Në pakicë ishin disa që qëndronin në forumet drejtuese të partisë, si mirënjohje për besnikërinë e treguar që nga koha e luftës dhe ishin të vendosur në mendimet e tyre se duhej të ruheshin parimet kryesore të Partisë dhe pa u cenuar roli e vlerësimi për Enver Hoxhën. Por edhe më konservatorët pranonin, në analizë të fundit, se duhej një ndryshim për të dalë nga situata e rëndë, pasi kështu nuk ecej më. Ata ishin në kontradiktë me brezin e ri, madje edhe në familjen e tyre, se koha e tyre e kaluar kishte përfunduar dhe nuk mund të pengonin ndryshimet me paragjykimet dhe nostalgjinë për të kaluarën. Mendimet e kujdesshme që shkëmbeheshin, tregonin për optimizmin e shumicës dhe gjendjen e pashpresë të më të vjetërve, të cilët tërhiqeshin dhe distancoheshin natyrshëm nga të tjerët. Mbledhja filloi pak me vonesë, pasi pritej të vinin Ramizi dhe Adili. Menjëherë e mori fjalën Ramizi dhe foli shumë shkurt: – Ju mblodha ju, anëtarët e Plenumit dhe kuadro të lartë shtetërorë, për gjendjen e krijuar. Ajo nuk do komente. Nuk ka pasur situatë më të rëndë. Trupat e Gardës kanë rrethuar për të mbrojtur Komitetin Qendror, Këshillin e Ministrave, Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe Bllokun. Ndërsa sheshi kryesor tani është në dorën e demonstruesve. Çfarë nuk thonë! Problem është ruajtja e monumentit të shokut Enver. Në fillim donin të vinin në Komitetin Qendror e në Këshillin e Ministrave. Dhe ju e kuptoni. Për të marrë pushtetin si në vendet e tjera. Meqenëse panë rezistencën e forcave ushtarake, janë drejtuar nga sheshi. Duan të heqin monumentin e Enver Hoxhës. Çfarë mendoni ju, si të veprojmë? – pyeti në fund, pa dhënë vetë mendim. – Të marrim armët, – tha Haxhi Lleshi, – duke u ngritur për të diskutuar (Këtë person e dëgjoja për herë të parë që ngrihej të diskutonte, pasi rrinte gjithmonë i heshtur.) Nuk mund të lejohet më. Emrin e tij do ta mbrojmë me gjak. Nuk lejojmë armiqtë që të dëmtojnë monumentin e tij. Unë erdha pak me vonesë në mbledhje, se nuk më lanë ushtarët. Por ata duhet të ruajnë më shumë shtetin dhe jo të më pengojnë mua të kaloj. Rita Marko dhe Manush Myftiu u ngritën menjëherë dhe thanë njëkohësisht: – Duhet të jemi më të kujdesshëm. Nuk duhet të ketë gjakderdhje… Haxhiu i kundërshtoi: – Ti Rita, dhe ti Manush, keni djemtë me Partinë Demokratike. Prandaj flisni kështu. Por tani s’ka më. O me Partinë, o me djemtë. – Mos na akuzo, – i tha Manushi. – Djali im nuk është me Partinë Demokratike. Unë kam mendimin tim. – Mos bëj akuza nga inati, – tha Rita. – Djali im nuk është me Partinë Demokratike. Gjendja është e rëndë, por armët nuk duhet t’i përdorim. – O sot, o kurrë, mbrohet pushteti, – tha Zylyftar Ramizi (E para herë që dëgjohej zëri i tij në një mbledhje Plenumi). – Nuk tolerohet më. Nuk mund të lëmë të poshtërohet Enver Hoxha. – Të jemi të kujdesshëm, – tha Ismail Ahmeti. – Nuk mund të veprohet me armë ndaj popullit. – Ti je tradhtar, – i tha Haxhi Lleshi. – Unë të dëgjoj se je i moshuar, shoku Haxhi, – iu përgjigj Ismaili. – Por më me kujdes. – Kundër popullit nuk mund të qëllohet, – tha Muntaz Dhrami. – Këtë nuk duhet ta bëjmë. Ndërkohë, nga dera përballë, hyri në sallë Nexhmedin Dumani, ndihmësi i Ramizit, dhe i vuri një letër mbi tavolinë. Ramizi e mori letrën dhe, pasi e lexoi vetë në heshtje, filloi ta lexojë dhe shpjegojë me zë të lartë, që të dëgjohej nga të gjithë të pranishmit në sallë: “Është rrethuar monumenti i shokut Enver dhe duan ta rrëzojnë. Presin përgjigje në Ministrinë e Punëve të Brendshme se si të veprojnë”. – Të mbrohet, – tha Ramizi. Pas pak, Nexhmedini erdhi përsëri dhe vuri mbi tavolinë një shënim tjetër. – Përsëri kërkojnë mendim për përdorimin e armëve. Nuk e përballojnë dot presionin. Ramizi u mendua për disa çaste dhe tha: “Të qëllohet”. – Ju lumtë, – pasuan menjëherë, me zë të përbashkët si në kor të orkestruar, Haxhi Lleshi, Spiro Koleka, Haki Toska. – Nuk kemi çfarë të presim më. Disa momente më pas erdhi përsëri Nexhmedini dhe la mbi tavolinë një letër tjetër. Ishte ora 14:05. – “Monumenti u rrëzua”, – tha Ramizi. Menjëherë në sallë u dëgjua zëri i njohur që shoqëroi menjëherë këtë njoftim. Të gjithë drejtuan kokën dhe panë Nexhmije Hoxhën, që filloi të qante dhe duke u munduar të përmbante veten. – Tani çdo gjë mori fund, – tha Ramizi. – Është e kotë të diskutojmë. Tani vendosim vetë si të veprojmë. Ramizi u ngrit dhe doli nga salla. Pas tij u largua menjëherë Adili. Në sallë mbretëroi heshtja, si në një moment zie. Një vdekje e dytë e Enver Hoxhës. Të pranishmit u ngritën dhe u larguan duke zbritur shkallët po në heshtje.
Panorama
Krijoni Kontakt