Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 29 prej 29
  1. #21
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame rrëfen për historinë

    Lame për 2 prillin në Shkodër: Ruçi kërkoi internime

    Shpallja e fitores së zgjedhjeve të 31 marsit nga PPSH

    Deklarata zyrtare e Presidiumit për 2 prillin: Terroristët i vunë flakën Komitetit të Partisë

    Vështirësitë e Hetuesisë për zbardhjen e ngjarjes

    “Ministri i Brendshëm kërkoi internime në Shkodër”


    Demonstruesit e 2 prillit 1991 në Shkodër u quajtën terroristë. Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Këshilli Presidencial e kishin firmosur deklaratën zyrtare. Teksa njoftonte për përfundimin e zgjedhjeve të 31 marsit, e cila u fitua në shumicë nga Partia e Punës, presidiumi bënte thirrje për njohje të “verdiktit të popullit” dhe zbatimin e ligjit. Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, në librin e tij me kujtime “Kur shembeshin themelet” (“Onufri”) sjell atmosferën e atyre ditëve, si po përpiqej ta fshihte ngjarjen partia-shtet dhe të parandalonte reaksionin që pritej të shkaktonte vrasja e tre demonstruesve. Sipas Lames, Ramiz Alia bënte thirrje për zbatimin e ligjit, por me këtë ai kërkonte të ruante pushtetin e tij dhe po vepronte në të njëjtën mënyrë si paraardhësi i tij, i cili eliminoi bashkëpunëtorët e tij në emër të ligjit. Ende bëheshin kërkesa për arrestime e internime në Kavajë e Shkodër, të cilat fatmirësisht hasnin në rezistencë. Kishte qenë ministri i Brendshëm, Gramoz Ruçi, që e kishte bërë një kërkesë të tillë.
    Lame tregon gjithashtu për hapjen e hetimeve për ngjarjen e Shkodrës dhe vështirësitë që hasnin hetuesit në rreth, të cilët nuk ndihmoheshin nga Dega e Punëve të Brendshme…

    Hetuesia do të ballafaqohej me forcën e shtetit në zbatimin e detyrës së saj kushtetuese të hetimit të veprave penale

    Emri:  Ramiz-Alia-300x221.jpg

Shikime: 658

Madhësia:  16.0 KB
    Ramiz Alia

    A do të mundej Hetuesia të përballonte këtë barrë të rëndë për të hetuar drejt ngjarjen dhe përgjegjësit kryesorë të viheshin para përgjegjësisë penale? Kjo ishte shumë e vështirë. Disa hetues do të qëndronin përballë presionit të mekanizmit më të fuqishëm të shtetit. Në emër të ligjit, hetuesi do të vihej para realitetit të një krimi të rëndë, të vrasjeve të kryera në mënyrë të hapur, publike, të hetonte rrethanat, shkaqet, pasojat dhe fajësinë e autorëve kryesorë që urdhëruan dhe realizuan ekzekutimin e vrasjeve.
    Policia ishte ekzekutorja e urdhrit. Autorët e dhënies së urdhrit për këtë masakër nuk ishin në Shkodër. Hetuesia duhej të ndeshej me pushtetin e autorëve, që kishin drejtimin e shtetit dhe vendosnin direkt për fatin e hetuesve. Detyra për hetimin ishte shumë e vështirë dhe përbënte provën dhe sfidën më të madhe të drejtësisë ndaj krimit të organizuar shtetëror të realizuar brutalisht dhe publikisht. Kërkohej të vepronim me zgjuarsi dhe të gjitha mundësitë për zbatimin e ligjit dhe realizimin e drejtësisë në emër të popullit.
    Isha i vendosur të realizoja detyrën. Kisha besim në mbështetjen e hetuesve.
    Vendosa dhe urdhërova fillimin e çështjes penale për ngjarjen 2 prill 1991.
    Kërkova në telefon kryetarin e hetuesisë së rrethit. Nuk mund të lidhesha, pasi nuk ishte në zyrë. Porosita radistin që ta lajmëronte për të më marrë në telefon.
    Ministria e Punëve të Brendshme nuk na dha të dhëna sipas ligjit dhe sipas kërkesës sime direkte.
    I vetmi informacion në hetuesi mbetej njoftimi në televizion si për gjithë opinionin publik.
    Qëndrimi i përbashkët i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit Presidencial

    Emri:  PAS-NGJARJES-SE-2-PRILLIT-1991-NE-SHKODER-300x223.jpg

Shikime: 694

Madhësia:  24.8 KB
    PAS NGJARJES SE 2 PRILLIT 1991 NE SHKODER

    Në revistën televizive u dha edhe njoftimi i shkurtër për mbledhjen e përbashkët të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe të Këshillit Presidencial. Teksti i plotë u botua të nesërmen në gazetën “Zëri i Popullit”.
    Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Këshilli Presidencial
    Dje paradite, nën kryesinë e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPS të Shqipërisë, shokut Ramiz Alia, u mbajt një mbledhje e përbashkët e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit Presidencial.
    Në këtë mbledhje, pjesëmarrësit u njoftuan për rezultatet e zgjedhjeve demokratike të 31 marsit. Për këtë dëgjuan një raport të shkurtër të kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prof. dr. Rexhep Meidanit. U theksua se pjesëmarrja e popullit në votime qe pothuajse tërësore. Zgjedhjet u zhvilluan në përputhje të plotë me ligjin elektoral në fuqi. Rezultatet e arritura janë pranuar nga të gjitha forcat politike që morën pjesë në zgjedhje.
    Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Këshilli Presidencial u informuan gjithashtu për vlerësimet e vëzhguesve të huaj, të delegacioneve zyrtare parlamentare, të institucioneve të specializuara e të punonjësve të shtypit rreth zhvillimit të zgjedhjeve të 31 marsit në Shqipëri. Delegacionet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës e të Parlamentit Europian, të parlamenteve të Amerikës e të vendeve të Europës, si dhe vëzhguesit e ardhur nga dhjetëra vende të botës, i cilësuan këto zgjedhje si shembullore dhe plotësisht të lira dhe demokratike.
    Ministri i Punëve të Brendshme, Gramoz Ruçi, raportoi pastaj për gjendjen e rendit publik pas zgjedhjeve. U vu në dukje që, megjithëse partitë janë shprehur për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe të rezultateve të tyre në disa qytete, si në Shkodër e gjetkë, ka pasur grumbullime të paligjshme. Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Këshilli Presidencial autorizuan organet e ruajtjes së rendit, për të vepruar me të gjitha mjetet ligjore për ndalimin e manifestimeve të paautorizuara dhe për mbrojtjen e institucioneve publike. Ata theksuan se të gjithë, pa përjashtim, duhet t’i nënshtrohen vullnetit të popullit dhe veprimit të ligjit. Në këto grumbullime, grupe terroristësh në qytetin e Shkodrës dhunuan dhe i vunë zjarrin godinës së Komitetit të Partisë së Punës dhe goditën me gurë atë të Partisë Demokratike duke hedhur parulla “Shkodra Republikë” etj. Për vendosjen e qetësisë ndërhynë forcat e rendit.
    Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Këshilli Presidencial u drejtohen të gjithëve me thirrjen për qetësi e urtësi. Askush nuk mund t’i imponohet popullit dhe të korrigjojë vullnetin e tij politik. Çdo përpjekje e tillë është antidemokratike dhe antikombëtare. Vendi ka nevojë për unitet dhe stabilitet. Kush luan me këtë, luan me fatet e Shqipërisë dhe populli nuk do t’ia falë. Të gjithë të kthehen në punët e tyre. E vetmja ndihmë që mund t’i jepet demokracisë pluraliste, që po zhvillohet në Shqipëri, është respektimi i sovranitetit të popullit, pranimi i verdiktit që ai shprehu në zgjedhjet dhe krijimin e kushteve normale për funksionimin e demokracisë parlamentare.
    Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Këshilli Presidencial u bëjnë thirrje të gjitha partive politike e organizatave të tjera shoqërore të angazhohen konkretisht për stabilizimin e situatës, që jeta e vendit të zhvillohet normalisht. Ata përkrahën qëndrimin publik të Partisë së Punës së Shqipërisë, deputetët e së cilës fituan shumicën absolute të vendeve në Kuvend, për një bashkëpunim konstruktiv të të gjitha forcave politike në qeverisjen e vendit.
    Presidiumi i Kuvendit Popullor
    Këshilli Presidencial
    Tiranë, më 2 prill 1991

    Njoftimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit Presidencial ka për qëllim presionin për të pranuar pushtetin me rezultatin e zgjedhjeve demokratike
    Njoftimi ka synuar në një qëndrim të ekuilibruar dhe evidentimin e një reagimi të drejtë dhe ka pasur qëllimin që opinioni publik të informohet për konkluzionet kryesore nga zgjedhjet dhe vlerësimin shembullor të bërë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që erdhën dhe u njohën konkretisht me zgjedhje demokratike pluraliste në Shqipëri.
    E meta esenciale kuptohet nga orientimet e qëllimshme për gjendjen e ligjshmërisë. Mbledhja është zhvilluar në një kohë me përmasat tragjike që mori ngjarja me pasojat e vdekjes së tre demonstruesve. Përmenden grupe terroristësh, por nuk flitet për pasojat me vdekje, plagosje dhe dëmtime të shëndetit të njerëzve, demonstruesve dhe forcave të rendit. Krahas dëmtimeve në Komitetin e Partisë së Punës, përmenden edhe goditje me gurë në Partinë Demokratike.
    Thirrja që bëhet për qetësi dhe respektimin e sovranitetit të popullit, të zbatimit të ligjeve, dëshmon për presionin politik ndaj forcave politike dhe cilitdo që vepron kundër sovranitetit të popullit dhe ligjit. Me anë të kësaj thirrjeje, i paraprihet informimit për përpunimin psikologjik të popullit, amortizimin e reaksionit për vrasjet e ndodhura, mbrojtjen e forcave të rendit që vepruan me urdhër nga lart dhe orientimin për zgjidhjen sipas ligjit të problemeve, që nënkupton bindjen për përfundimet dhe masat e marra, që mund të përsëriten në çdo rast, që do të reagohet kundër pushtetit në fuqi, i cili mori formën ligjore të shtetit juridik me zgjedhjet e lira pluraliste, të pranuara nga forcat politike dhe të vlerësuara në shkallën shembullore nga ndërkombëtarët.
    Zbatimi i ligjit nënkuptonte bindje, mbyllje të gojës, dënim
    Zbatimi i ligjit është një kërkesë që u shtrua sipas frymës së Kushtetutës. Për ligjshmërinë u qëndrua me kërkesa shumë të rrepta, sidomos në luftën kundër liberalizmit.
    Zbatimi i ligjit shtrohet drejt. Por, në konceptin e Ramizit zotëronte mendimi i diktatorit, për të cilin shërbeu me besnikëri dhe trashëgoi prej tij pushtetin. Me këtë thirrje, ai donte bindje, mbyllje të gojës dhe dënim për ata që nuk bindeshin.
    Zbatimi i ligjit, si kërkesë e Kushtetutës, pati rëndësi për t’i dhënë shtetit të diktaturës së proletariatit natyrën e shtetit bashkëkohor të shtetit të së drejtës.
    Së pari, kjo kishte rëndësi të posaçme në propagandën që bëhej për nivelin e lartë të zhvillimit të sistemit politik në kushtet e shoqërisë socialiste.
    Së dyti, të mbrohej me anë të ligjit dhe rreptësinë e dhunës së organeve të diktaturës pushteti në fuqi. Me këtë nënkuptohej hyjnizimi i pushtetit të udhëheqësit të dashur të Partisë dhe popullit, bindja e verbër, mbyllja e gojës. U kthye në sistem vënia e interesit të partisë, mbi interesin e individit, zhvlerësimin e pronës dhe vlerave morale, në interes të vlerave të përgjithshme të socializmit.
    Në praktikën e veprimtarisë së shtetit të diktaturës së proletariatit, zbatimi i ligjit do të thoshte bindje, nënshtrim pa asnjë të drejtë dhe ndëshkim deri në asgjësimin me dënimin me vdekje ose edhe pa gjyq, “nga ngjarje dhe fatkeqësi natyrore apo njerëzore”.
    Me këtë koncept u veprua me propagandë ideologjike shkatërruese dhe me dorë të hekurt për të dënuar kundërshtarët politikë dhe ata që paraqisnin rrezik direkt për udhëheqësin. Me ligj, u argumentua dënimi i Todi Lubonjës dhe i Fadil Paçramit në institucionet e propagandës, i Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos në ushtri, i Abdyl Këllezit, Koço Thodhosit, Kiço Ngjelës në ekonomi, dhe më pas, në organet e punëve të brendshme, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut, Llambi Peçinit etj. Këta të fundit, dinin edhe shumë krime që ishin kryer me urdhër nga lart dhe duhej të hanin dhé, që të mos kishte më dëshmitarë për të mbështetur dhe për të mos u vërtetuar më në të ardhmen akuzat ndaj diktaturës.
    Në kushtet e reformave që kryheshin nën presionin e gjendjes së vështirë të popullit dhe të kërkesave të shteteve perëndimore, si dhe të masave reklamuese për transformimin e sistemit politik, ai kërkonte të ruante me çdo mjet pushtetin personal. Me këtë koncept krijoi Këshillin Presidencial me më të besuarit, solli një kryeministër dhe një ministër të Brendshëm, si dorë të fortë që të zbatonin me bindje urdhrat e tij.
    Duke marrë pozicionin e kryetarit të shtetit, ai jepte urdhra dhe mendimi i tij transmetohej ose bëhej publik me zërin e kryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm.
    Duke ruajtur drejtimin e plotë të Partisë, urdhrat jepeshin me anë të Xhelil Gjonit që dallohej për guxim dhe vendosmëri, por ishte edhe i drejtë në mbrojtjen e parimeve politike dhe të ligjeve. Foto Çami bënte detyrën e tij politike dhe nuk prononcohej në publik.
    Kërkesa për arrestime dhe internime, në Shkodër si edhe në Kavajë, ku kundërshtimi ishte i hapur, ishte përsëritur disa herë. Ishte hedhur si mendim nga ministri i Brendshëm. Pasi nuk kishte gjetur mbështetje të plotë dhe sidomos nga qëndrimi ligjor i hetuesisë, bëhej menjëherë tërheqja, derisa të paraqitej momenti për eliminimin e atyre që nuk bindeshin verbërisht.


    HETIMI DHE VËSHTIRËSITË PËR ZBULIMIN E SË VËRTETËS, MË 2 PRILL 1991

    Në mëngjes, rreth orës 6:00 të datës 3 prill 1991, nga shtëpia, mora në telefon centralin e Hetuesisë së Përgjithshme dhe i kërkova të më dalë në telefon sa më parë kryetari i hetuesisë së rrethit të Shkodrës.
    -Në zyrë vajta para orës 7:00. Pas pesë minutash, më doli në telefon kryetari i Hetuesisë në Shkodër.
    -Pse nuk më dole më parë në telefon, – e pyeta?
    -Tani më njoftoi radisti, – u përgjigj.
    -Ç’po bëhet me hetimin e çështjes së 2 prillit?
    -Tani do të bëjmë veprime hetimore.
    -Akoma nuk keni filluar?!
    -Të na falni, shoku kryetar. Do të bëjmë menjëherë fillimin e çështjes penale kryesisht. Por nuk kemi mundësi për veprime konkrete. Kemi shumë vështirësi. Gjendja është shumë e rëndë.
    Më çuditi fakti që akoma nuk po kryheshin veprimet që mund të kryheshin. Vështirësitë ishin të mëdha në kushtet e anarkisë që zotëronte në Shkodër, por nuk mund të justifikohej moskryerja e veprimeve të mundshme hetimore.
    -Fillo menjëherë hetimin, siç të urdhërova dje. Mos e zvarritni kështu dhe mos kini frikë. Është ngjarje shumë e rëndë dhe kemi për detyrë të hetojmë. Kemi njoftim për tre të vdekur, të plagosur, të dëmtuar, shkatërrime, flakë dhe tym që duken akoma me sy dhe ju jeni në afërsi të vendit të ngjarjes. Të evidentohen provat e mundshme dhe të merret kontakt direkt me personat e pranishëm në atë ngjarje që mund të ndihmojnë, si dhe forcat e rendit, të bllokohen armët e përdorura nga policia, të merren të dhënat në institucionet shëndetësore etj. Janë shumë veprime që mund të bëhen pa u rrezikuar direkt me personat që janë të irrituar dhe paraqesin rrezikshmëri në rast kontakti me ta…
    -Hetimin do ta fillojmë tani për vrasje për motive të dobëta, sipas porosisë suaj. Por vetëm aktin për vendimin e fillimit të çështjes penale mund të bëjmë. Këtë do ta bëjmë kryesisht, vetë, si hetuesi. Nuk kemi asnjë të dhënë nga Dega e Punëve të Brendshme. Ata nuk angazhohen fare. Janë të çorientuar. Nuk dinë se çfarë të bëjnë.
    -Kërkoni të zbatohet ligji. Të bëjmë ndalimet për personat e dyshuar që kanë shkelur ligjin dhe ka të dhëna për kryerjen e vrasjeve. Të administrohen provat sipas rregullave procedurale. Mos rrini në zyrë, në pritje. Kërkoni të bëhen kallëzimet në bazë të ligjit. E vlerësojmë gjendjen e rëndë në organet e punëve të brendshme, Komitetin e Partisë së Punës, Komitetin Ekzekutiv, Partinë Demokratike etj. Veprimtaria shtetërore është paralizuar. Megjithatë, ne duhet të veprojmë. Të bëjmë atë që mundemi për zbatimin e ligjit.
    -Është shumë vështirë t’u kërkosh këtë, shoku kryetar. Çapajevi është i çorientuar fare. Shefi i Policisë, Dilaveri, është i plagosur. Në degë është gjendje e rëndë. Sot do të ketë edhe më shumë probleme me varrimin e të vdekurve.
    -Kosta Karanxha! Mos u merr kaq shumë me hallet e Degës së Punëve të Brendshme, por merru me detyrat e hetuesisë. Ne si hetuesi kemi detyrën të hetojmë edhe në vështirësi. Hetuesia e rrethit dhe grupi i hetuesve kanë detyrat e tyre ligjore. Ti do të përgjigjesh për hetimin se je kryetar i hetuesisë. Dega e Punëve të Brendshme t’i dalë për zot vetes. Ndihmoni edhe ju sa mundeni, që ata të qetësohen dhe të bëjnë detyrën ligjore.
    -Shoku kryetar, kemi vështirësi për hetimin. Nuk dimë se si të veprojmë, – foli me sinqeritet.
    -Filloni punën menjëherë e veproni me kurajë. Ne do t’ju ndihmojmë si dhe në ngjarjet e tjera të rënda. Mobilizo dhe motivo hetuesit që të punojnë dhe kujdesu për ta. Kërkoni nga policia që t’ju mbrojë dhe të keni siguri në punë. Këtë kam kërkuar edhe unë nga ministri i Brendshëm. Vepro dhe më njofto herë pas here.
    Pas pak, mori përsëri në telefon.
    -Shoku kryetar, kemi vështirësi për ekspertimet ligjore të kufomave. Mjekët ligjorë këtu nuk pranojnë të këqyrin kufomat nëpër familjet e tyre, ku ndodhen, pasi nuk janë në spital. Kufomat janë marrë nga spitali dhe janë në shtëpitë e tyre. Familjarët nuk i japin për autopsi. Të lutem, dërgo një specialist nga Tirana.
    -Jam interesuar vetë më parë, Kosta. Kemi vështirësi për makina. Janë me defekte. Do të rregullohet një makinë dhe do të niset sa më parë.
    Pas një kohe, mori përsëri në telefon.
    -Shoku kryetar, jemi në vështirësi. Nuk bëjmë dot hetime. Vajtën hetuesit në vendin e ngjarjes dhe e kryen. I kanë kërcënuar dhe goditur.
    -Po policia përse nuk ju mbron?
    -Kanë vështirësi. Nuk duan të dalin në publik në vendin e ngjarjes.
    vijon…

    QEMAL LAME

    Panorama
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 11-03-2014 më 14:11

  2. #22
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame rrëfen për historinë

    Lame rrëfen për 2 prillin e ‘91: Urdhër nga lart për të qëlluar

    Ish-kryehetuesi tregon pse ndenji në detyrë në vitin 1991

    Lame: Çfarë ndodhi më 2 prill 1991, shkaqet që çuan në demonstrata

    Raportimi nga radisti i Hetuesisë në Shkodër dhe mungesa e informacionit nga Ministria e Brendshme

    Njoftimi zyrtar për ngjarjen e Shkodrës, lajmi i thatë për të vrarët.

    “Urdhri për të qëlluar mbi turmën u dha nga lart”

    Kishin kaluar vetëm dy ditë nga zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Partia e Punës kishte fituar shumicën, duke fituar sigurinë se do të vazhdonin të mbanin pushtetin. Rezultati zyrtar ende nuk ishte dhënë, ndërsa ndihej një valë e fortë tensioni në popull, sidomos në Shkodër, ku kishin filluar grumbullimet. Në librin e tij me kujtime “Kur shembeshin themelet”, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, tregon ngjarjen tragjike të 2 prillit 1991, në Shkodër, ku mbetën katër të vrarë dhe shumë të plagosur. Lame analizon shkaqet e shpërthimit të protestave dhe mënyrën se si u menaxhua situata nga udhëheqja e kohës. Lame na njeh me raportimet nga Shkodra, orë pas ore, si u braktis hetuesia dhe cili ishte varianti zyrtar për ngjarjen. Ndërsa ende nuk ishin zbardhur rrethanat se si kishte precipituar ngjarja, çfarë kishte ndodhur me të vërtetë, përtej njoftimeve zyrtare, Lame thotë me bindje se urdhri për të qëlluar mbi turmën ishte dhënë nga “lart”…

    PËRGJAKJA E DEMOKRACISË, 2 PRILL 1991

    Emri:  NGA-NGJARJA-E-2-PRILLIT-1991-NE-SHKODER-300x260.jpg

Shikime: 647

Madhësia:  35.5 KB
    NGA NGJARJA E 2 PRILLIT 1991, NE SHKODER

    Data 1 prill 1991 hyri në historinë e demokracisë së re për reagimin masiv, për mosdhënien e rezultateve të votimit. Situata politike e kësaj dite ndikoi në mbajtjen e gjendjes së tensionuar dhe shpërthyese edhe më datë 2 prill 1991. Gjendja e rëndë politike dhe ngjarjet që dilnin jashtë kontrollit tregonin për kaosin që ekzistonte në Shkodër. Ato shkaktoheshin, në radhë të parë, nga paaftësia për të marrë masat e nevojshme dhe të gjithanshme që ishte e domosdoshme të merreshin me një program të qartë nga udhëheqja e Partisë së Punës dhe drejtuesit e lartë të shtetit. Nuk veprohej për ndryshimet që kërkonte populli në Shkodër dhe në të gjithë vendin. Merreshin masa të pjesshme vetëm nën presion dhe për të ruajtur interesat e pushtetit politik të udhëheqjes. Këtij qëllimi i shërbente edhe kërkesa për zbatimin me rreptësi të ligjit nga forcat e rendit dhe organet e drejtësisë, si masa kryesore për ruajtjen e gjendjes ekzistuese. Me këtë qëllim veprohej në rastet shumë delikate të reagimit masiv popullor dhe kur situatat e papritura shkaktonin urrejtje direkte ndaj regjimit në fuqi dhe krijonin rrezikun e degjenerimit dhe të daljes jashtë kontrollit të dhunës shtetërore dhe të kundërpërgjigjes nga populli.


    SITUATA POLITIKE KISHTE DALË JASHTË KONTROLLIT TË SHTETIT. STRUKTURAT SHTETËRORE NUK KISHIN AFTËSINË PËR TË ORGANIZUAR RENDIN

    Drejtuesit e shtetit, kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, me pushtetin që mori edhe si kryetar i Këshillit
    Presidencial, si dhe kryeministri, kishin përgjegjësinë kryesore për fatet e vendit dhe për garantimin e zgjedhjeve të para pluraliste.
    Së pari, drejtuesit më të rëndësishëm të shtetit nuk i kushtuan vëmendjen e duhur detyrës parësore që kishin për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Kuptohej qartë se ata kishin ndikimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve edhe për mosdhënies në kohë të rezultateve të votimit. Njoftimi zyrtar për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve u bë kërkesa kryesore e popullit dhe e opozitës së kryesuar nga Partia Demokratike.
    Së dyti, Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare nuk u vlerësuan si forcë me rëndësi për të qetësuar situatën. Me opozitën nuk u organizuan konsultime dhe nuk u përfshinë në marrjen e masave për të ndikuar edhe ato në uljen e tensionit politik që kishte potencialin e madh dhe të papërmbajtur në rritje. Partitë e reja shikoheshin si parti që duhet të bindeshin ndaj pushtetit dhe të bashkëpunonin sipas orientimeve dhe interesave të saj.
    Së treti, mbivlerësohej mbështetja nga masa më e madhe e popullit për Partinë e Punës, në krahasim me të dhënat më të ulëta të përqindjes për partitë e tjera opozitare. Kjo e dhënë në shifra rriti optimizmin në mbajtjen e pushtetit. U nënvlerësua me mendjelehtësi pakënaqësia dhe urrejtja për gjendjen e rëndë politike, ekonomike dhe shoqërore, në të cilën ishte vendi.
    Së katërti, sigurimi i rendit publik mbështetej në forcat e rendit, organet e drejtësisë dhe në gatishmërinë e ushtarakëve për të vepruar në çdo rast që do të kërkohej nevoja e ndërhyrjes së ushtrisë. Për këtë qëllim u soll edhe një ministër i ri i Brendshëm, që të realizonte me besnikëri urdhrat e drejtuesve më të lartë të shtetit. Mendjemadhësia dhe arroganca e udhëheqjes për të treguar forcën e ligjit dhe të armëve të forcave të mbrojtjes së rendit, ndikonte që organet e larta të Partisë dhe të shtetit të mos analizonin dhe të mos vlerësonin me qetësi realitetin që ekzistonte kudo në vend, situatat e rënda që krijoheshin, të dëgjonin forcën e zërit të popullit për ndryshime, për zgjidhje perspektive dhe me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.
    Këto ishin disa nga shkaqet kryesore që dilnin nga analiza e situatës së brendshme. Frika për humbjen e pushtetit, e bënte të paaftë udhëheqjen e Partisë së Punës për të realizuar funksionimin normal të shtetit dhe për të garantuar rendin
    publik në mbrojtje të popullit. Problem me rëndësi ishte edhe ndikimi i presionit të madh ndërkombëtar për ndryshimin sa më shpejt të sistemit politik në Shqipëri. Diplomacia perëndimore tregonte vlerësim për masat reformuese që merrte udhëheqja komuniste. Kjo i kënaqte dhe i qetësonte drejtuesit që kishin humbur mbështetjen e popullit. Politika ndërkombëtare ndërkohë mbështeste forcat e reja politike për t’i afirmuar, për të zgjeruar dhe bërë më efektiv ndikimin e tyre në popull, si dhe për rritjen e presionit të brendshëm politik, për përmbysjen e shtetit komunist.


    HETUESIA DO TË KISHTE ROL MË TË MADH NË MBROJTJEN E LIGJIT DHE ZBATIMIN E DREJTË TË POLITIKËS PENALE

    Përse vazhdova të qëndroj në krye të detyrës dhe të përballem me vështirësitë e mëdha të ngjarjeve të prillit 1991?
    Qëndrimi im për përballimin e situatës së rëndë pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991 kushtëzohej me përgjegjësinë që ndieja për shkak të funksionit të lartë që më ishte besuar nga Kuvendi Popullor. Si politikan i Partisë së Punës, ndieja po kështu përgjegjësinë që të ndikoja pozitivisht për reformimin e Partisë së Punës dhe përshtatjen e saj në kushtet e reja që diktonte kalimi në demokraci, sipas vullnetit të popullit. Pas mbledhjes së Këshillit Presidencial dhe masës së rëndë që u kërkua të merrej ndaj meje, në fakt duhej të shkëputesha dhe të mos përzihesha më me problemet politike dhe situatën e rëndë të krijuar. Por nuk mund të tërhiqesha dhe të kthehesha në rolin e vëzhguesit. Kisha akoma pushtet si organ kushtetues. Me këtë ndjenjë përgjegjësie të detyrës dhe të mbrojtjes së interesave të popullit, si dhe për një kontribut si politikan, u angazhova në mënyrë të vetëdijshme, për të dhënë kontributin e kërkuar në përballimin e situatës së rëndë të paszgjedhjeve. Gjithmonë jam ndeshur me realitetin sado të vështirë dhe me të gjitha mundësitë mendore dhe fizike, jam përpjekur të mposht vështirësitë. Me vullnetin që më karakterizonte, do të veproja aktivisht edhe në ditët e fundit të karrierës sime shtetërore dhe politike.
    Në mëngjesin e datës 2 prill 1991 nuk kishim të dhëna të reja nga qyteti i Shkodrës. Bisedova në telefon me kryetarin e Hetuesisë së rrethit dhe më konfirmoi se nuk ka shqetësime deri tani, por nga Dega e Punëve të Brendshme ka të dhëna se do të bëhet përsëri sot një demonstratë tjetër për rezultatin e zgjedhjeve.
    E porosita të ishte i kujdesshëm e të më informonte herë pas here. Po të ndodhte ndonjë vepër penale, të veproni me iniciativë duke respektuar ligjin dhe ndikuar në qetësimin e situatës me anë të respektimit të ligjit dhe parandalimin e pasojave të tjera të mundshme. Ndihmoni sa keni mundësi edhe Degën e Punëve të Brendshme, që bashkëpunimi të jetë efektiv në kryerjen sa më mirë të detyrave në këtë situatë të tensionuar.
    Pas kësaj bisede, nuk pata njoftime të tjera.
    Rreth orës 10:00, zëvendëskryetari Flamur Çato dhe drejtori për veprat penale kundër shtetit, Besnik Imeri, erdhën në zyrë dhe më informuan se gjendja në Shkodër është e rëndë. Nuk kishin të dhëna konkrete. Kërkova të lidhesha menjëherë në telefon ose me radio, por ishte e pamundur. Telefonat ishin të zënë, pasi bisedohej nga Komiteti Qendror i PPSH-së dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Edhe ndërlidhja ushtarake me Ministrinë e Mbrojtjes ishte e zënë. Radioja e Hetuesisë ishte në gatishmëri, por nuk përgjigjej radisti në hetuesinë e rrethit. Centralisti dhe radisti në Hetuesinë e Përgjithshme rrinin në përgjim dhe kërkonin vazhdimisht Shkodrën, por nuk arrihej të merrej asnjë kontakt.
    -Mora në telefon ministrin e Punëve të Brendshme, Gramoz Ruçi. M’u përgjigj ndihmësi i tij. E pyeta për ministrin.
    -Është në mbledhjen e Këshillit Presidencial, – më tha.
    -A keni njoftim nga Shkodra?
    -Nuk ka të dhëna konkrete. Situatën po e ndjek zëvendësministri, Aredin Shyti. Ai mund të sqarojë më mirë. Di se gjendja është shumë e keqe.
    Mora në telefon Aredin Shytin.
    -Shoku Aredin, si është situata në Shkodër?
    -Kemi probleme, shoku Qemal. Gjendja është e rëndë. Akoma nuk kemi të dhëna të sakta. Situata është shumë e tensionuar. Po veprojmë me të gjitha mundësitë për ta qetësuar.
    -Me kujdes, – i dhashë mendimin tim. – Po të ketë njoftime për probleme për vepra penale, të lutem më njofto edhe mua, krahas të tjerëve.
    -Patjetër, shoku Qemal, – u përgjigj Aredini dhe përfunduam bisedën.
    Në orën 12:30, radisti i Hetuesisë së Përgjithshme arriti të lidhej me radistin në Shkodër. Më vunë në dijeni se:
    -Gjendja është e rëndë. Ka të shtëna me armë. Ka të vrarë e të plagosur. Po digjet Komiteti i Partisë së Punës. Njerëzit që demonstrojnë janë drejtuar nga Radio “Shkodra”. Pritet se mund të vijnë edhe këtej nga zjarrfikëset dhe Hetuesia, pasi jemi në një territor të përbashkët. Të gjithë kanë ikur. Unë erdha rastësisht. E kam shumë të vështirë të qëndroj në ndërtesën e Hetuesisë. Në Hetuesi nuk ka njeri. Kanë ikur se nuk ka mbrojtje nga policia. Ka fjalë se mund të djegin repartin e zjarrfikëseve. Hetuesia është ngjitur me ta dhe ka rrezik të digjet. Pas këtij njoftimi, mora në telefon përsëri Aredin Shytin.
    -Aredin! Nga radisti i Hetuesisë së rrethit në Shkodër mësova se ka të vrarë e të plagosur. Është qëlluar me armë nga policia? – e pyeta.
    -Nuk është sqaruar akoma, shoku Qemal. Policia ka qëlluar me armë. Rrethanat nuk janë sqaruar akoma. Vazhdon dinamika e ngjarjes.
    -Të veprohet me kujdes. Pasojat në jetën e njerëzve janë të rënda. Kërkoj të bëhen veprimet ligjore për të sqaruar kriteret ligjore, veprimet e policisë dhe të personave të ndaluar.
    -Si urdhëron, shoku Qemal. Do të bëhen veprimet në bazë të ligjit. Dega e Punëve të Brendshme i di detyrat.
    Pas orës 14:30 mori në telefon kryetari i Hetuesisë së rrethit. I tërhoqa vëmendjen që nuk më kishte informuar për ngjarjen, me gjithë rrethanat e rënda ku ndodhej hetuesia.
    -Përse ndërpreve lidhjen? Ku ishe deri tani? Përse jeni larguar të gjithë dhe ndërtesa e hetuesisë është pa njeri?
    -Kemi shumë vështirësi, shoku Qemal. Nuk marrim dot në telefon se janë të zëna linjat me Komitetin Qendror dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Edhe linja e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore nuk na ndihmon dot të lidhemi. Hetuesinë e kemi pa mbrojtje. Nuk ka policë. Kjo dihet prej kohe. Ja erdhi pasoja. Ka të dhëna se mund të digjet reparti i zjarrfikëseve dhe hetuesia bashkë me të. Jemi në vështirësi. Hetuesit nuk rrinë dot në godinë…
    -Më fol për ngjarjen!
    -Nuk e dimë mirë. Ka të vrarë e të plagosur. Kanë qëlluar policinë me dinamit dhe gurë. Edhe policia ka qëlluar me armë. Policia u tërhoq fare. Gjendja është si në anarki.
    -Filloni kryesisht çështjen penale për vrasje për motive të dobëta, në bazë të nenit 83/a të Kodit Penal, si dhe për plagosje, rrahje, armëmbajtje pa leje, shkatërrime dhe dëmtime të pronës etj. Të vendoset për këto vepra penale që të mund të fillojë hetimi në bazë të këtyre njoftimeve që marrin direkt nga televizioni, radioja dhe shtypi i përditshëm. Mos rrini në pritje të kallëzimeve, pasi mund të vonohen për shkak të situatës së rëndë, ngjarjes së rëndë, përleshjes së demonstruesve me forcat e rendit dhe përdorimit të armëve. Dega e Punëve të Brendshme dhe veçanërisht policia janë në veprime e sipër për vendosjen e rendit dhe të qetësisë. Do t’u duhet pak kohë që të normalizohet gjendja, të mbledhin të dhëna nga raportimet, të nxjerrin konkluzionet paraprake dhe të kenë mundësi të shkruajnë një material kallëzues dhe ta dërgojnë në hetuesi. Mos prisni kallëzimet, pasi nuk do të mund të bëhen menjëherë. Veproni me iniciativë për kryerjen e veprimeve hetimore. Mos bëni asnjë lëshim për ata që kanë shkelur ligjin dhe kanë përgjegjësi penale, sidomos për vrasjet, plagosjet, përdorimin e armëve dhe shkatërrimin e dëmtimin e pronës etj. Kjo është ngjarje shumë e rëndë dhe do kurajë. Veproni me iniciativë. Të sqarojmë me hetime dhe me objektivitet rrethanat dhe pasojat, përgjegjësinë e fajtorëve. Të bëjmë detyrën tonë në bazë të ligjit! Si organ i hetimit, të kërkohet zbatimi i ligjit me rreptësi, nga forcat e rendit, demonstruesit, Partia e Punës dhe Partia Demokratike. Ligji do të veprojë ndaj secilit që ka kryer veprime të kundërligjshme dhe ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e njerëzve, sigurinë publike dhe pronën…
    -Si urdhëron, shoku Qemal. Po kemi shumë vështirësi. Nuk kemi të dhëna dhe nuk shkohet dot në vendin…
    U ndërpre papritur lidhja telefonike. Kërkova me insistim të lidheshim, por ishte e pamundur. Ministria e Punëve të Brendshme ndërpriste shpesh lidhjen kur bisedoja unë. Në këtë situatë të rëndë, vetë kuadrot e saj kishin përparësinë e tyre për vetë situatën dhe detyrat intensive, që duhet të realizoheshin për qetësimin e gjendjes. Mundësia e vetme për të marrë njoftime të tjera ishte revista televizive, në orën 20:00.
    Dëgjova me vëmendje njoftimin e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për ngjarjen në Shkodër.


    NJOFTIMI I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

    Më datë 2 prill 1991, rreth orës 7:30, grupe të ndryshme njerëzish u përqendruan para selisë së degës së Partisë Demokratike në Shkodër dhe filluan të hedhin parulla të ndryshme fyese dhe nxitëse. Pas kësaj, turma e organizuar shkoi para Komitetit të Partisë së Punës dhe atij Ekzekutiv duke hedhur parulla destabilizuese se pushtetin do ta marrim me dhunë e të tjera. Një numër personash hynë në Komitetin e Partisë me lëndë djegëse e lëndë plasëse, duke djegur atë dhe dokumentacionin. Aty morën 2 automatikë të rojës operative dhe pistoletën e një punonjësi policie. U plagosën 13 punonjës policie, dy prej tyre me armë zjarri. U vranë 3 persona e u plagosën 11 të tjerë. Gjithashtu u rrahën dhe u plagosën edhe punonjës të Komitetit të Partisë së Punës.
    Njoftimi ishte shumë i shkurtër. Bëhej vetëm komunikimi i grumbullimit dhe pasojave. Nuk jepte të dhëna për zhvillimin konkretisht të kësaj ngjarjeje të rëndë e të hidhur. Nuk sqarohej e vërteta e zhvillimit të ngjarjes dhe rrethanat e vrasjeve dhe të plagosjeve, rrahjeve dhe dëmeve.
    Formulimi i kujdesshëm të jepte përshtypjen për reagime agresive nga të grumbulluarit, që posedonin edhe armë, si dhe veprimet mbrojtëse nga policia. Mund të krijoje mendimin se për vrasjen e njerëzve nuk kishte faj policia, për ata që nuk njihnin mirë detyrat e policisë dhe për ata që nuk e kishin përjetuar direkt në vendin e ngjarjes tragjedinë e ndodhur. E njëjta metodë e informimit ishte përdorur edhe për ngjarjen para Shkollës së Bashkuar të Oficerëve në Tiranë.
    Ngjarja më preku shumë. Nuk duhej të përgjakej demokracia në Shkodër. Një krim që merrte përmasat e një tragjedie dhe masakre të kryer me ndërgjegje. Për herë të parë vihej në një ballafaqim të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë publike shteti me qytetarët. Dy forcat politike kryesore, Partia e Punës në pushtet dhe Partia Demokratike, që kërkonte të vinte në pushtet, u ndeshën dhe treguan publikisht forcën e tyre.
    Çdo njeri që e njihte mekanizmin e funksionimit të shtetit, e kishte të qartë funksionimin e shtetit dhe të forcave të rendit në këtë situatë të rëndë.
    Urdhri për të qëlluar mbi demonstruesit ishte dhënë nga lart, ishte e qartë dhe nuk kishte vend për diskutime për të sqaruar se kush e kishte dhënë. Në bazë të kompetencave, ai urdhër jepej direkt nga komandanti i Përgjithshëm.
    vijon…

    QEMAL LAME

    Panorama
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 11-03-2014 më 14:12

  3. #23
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame rrëfen për historinë

    Lame: Të ndaluar të hetonim udhëheqësit për shkak të imunitetit

    Fillimi i hetimeve për ngjarjen e Shkodrës më 2 prill 1991

    Përfundimet e ndryshme të Hetuesisë nga të Presidiumit: Policia kishte kaluar kompetencat


    Përpjekjet për të hyrë në qytetin veriperëndimor për mbledhjen e fakteve

    “Biseda me Fatos Nanon para hyrjes në Shkodër”


    Ndërsa në versionin zyrtar të Presidiumit të Kuvendit Popullor, demonstruesit e 2 prillit në Shkodër konsideroheshin “terroristë”, Hetuesia e Përgjithshme dilte në të tjera përfundime. Urdhri për të qëlluar mbi demonstruesit ishte dhënë nga lart, ndërsa policia ka tejkaluar kompetencat e saj. Ish-kreu i Hetuesisë në ato vite, Qemal Lame, në librin e tij me kujtime “Kur shembeshin themelet” (“Onufri”), tregon për fillimin e hetimeve mbi ngjarjen e Shkodrës, vështirësitë për të hetuar udhëheqjen e lartë, për shkak të imunitetit parlamentar. Lame tregon për komunikimin e vazhdueshëm me Kryeministrin e asaj kohe, Fatos Nano, për mundësinë e hyrjes në qytetin veriperëndimor, ku gjendja ishte shumë e rëndë dhe çdo përpjekje për të hyrë në Shkodër kishte dështuar.

    Hetuesia ballafaqohet me qëndrimin e rreptë të organeve më të larta shtetërore
    Hetuesia do të vihej përballë qëndrimit zyrtar të mbajtur në mbledhjen e përbashkët të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit Presidencial. Në mbështetje të tyre u shprehën hapur edhe Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

    Hetuesia kishte arritur paraprakisht në disa konkluzione që nuk përputheshin me qëndrimin zyrtar të organeve më të larta shtetërore. Mbrojtja e ligjit dhe kërkesa për të zbuluar të vërtetën do të sillnin detyrimisht qëndrime të ndryshme nga ato të organeve më të larta shtetërore. Për këtë arsye kërkohej vendosmëri në hetimin e plotë të çështjes dhe përballim të presioneve të gjithanshme nga interesat e ndryshëm dhe shmangiet ndaj përgjegjësisë direkte për ngjarjen e rëndë të vrasjes së katër personave. Njoftimet e bëra nga Hetuesia dhe ato që u bënë nga organet e punëve të brendshme për publikun, kishin ndryshime.
    Më tërhiqte vëmendjen në mënyrë të veçantë fakti që cilësoheshin si vandalistë e terroristë viktimat.
    Çështja penale u fillua për vrasje për motive të dobëta. Të dhënat tregonin për shpërdorime në detyrë dhe tejkalim të kompetencave nga policia, ndërsa për viktimat nuk ishte paraqitur ndonjë e dhënë në Hetuesi për veprime terroriste të kryera prej tyre. Cilësimi terrorist u përdor për herë të parë në njoftimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe të Këshillit Presidencial. Ky qëndrim i organeve më të larta shtetërore ishte në kundërshtim të plotë me të dhënat e administruara deri në ato çaste të para të ngjarjes, në kohën që zhvillohej mbledhja e përbashkët e këtyre dy organeve shtetërore. Hetuesia vendosi fillimin e çështjes penale për vrasje me dashje për motive të dobëta, duke u bazuar në pasojat e vdekjes. Njoftimi zyrtar i publikuar më 3 prill 1991, kur nuk ishin bërë ende veprimet e para dhe të nevojshme hetimore, i cilësonte viktimat si terroristë.
    Hetuesia dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor bashkë me Këshillin Presidencial, kishin qëndrime diametralisht të ndryshme zyrtare dhe publike.
    Njoftimi i përbashkët i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe i Këshillit Presidencial, i këtyre dy organeve të larta të pushtetit shtetëror, impononte bindje ndaj vullnetit shtetëror dhe orientim në konkluzionet e publikuara. Kërkohej bindje, ndryshe do të kishte përballje me ligjin.
    Hetuesia kishte arritur në një qëndrim tjetër, me gjithë të dhënat shumë të pakta. Përplasja midis Hetuesisë dhe drejtuesve të organeve më të larta shtetërore, ishte direkte dhe e fortë. Këto do të ndikonin edhe në vështirësimin më tej të hetimit dhe zbulimit të së vërtetës. Për hetimin dhe zbulimin e së vërtetës, Hetuesia do të ndeshej direkt me Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe Këshillin Presidencial. Në mbështetje të tyre do të ishte edhe Këshilli i Ministrave dhe reagimi i përditshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që kishte marrë dhe transmetuar urdhrat.
    Qëndrimi dhe bindja ime për të zbuluar të vërtetën dhe për të vënë para përgjegjësisë fajtorët kryesorë, cilëtdo qofshin ata, nuk u lëkund. Isha i vendosur të vazhdoja hetimin. Nuk do të tërhiqesha nga pasojat e kuptueshme ndëshkuese që do të vinin.
    Me këtë mendim të qartë vendosa të shkoj vetë në Shkodër dhe të kontribuoj konkretisht për hetimin. Me grupin e hetuesve që caktova nga qendra dhe rrethet për të ndihmuar Hetuesinë në Shkodër, do të shkoja për të parë vendin e ngjarjes dhe nxitur kryerjen e veprimeve hetimore. Menjëherë më 2 prill dhe sot më 3 prill nuk mund të shkoja, pasi rrugët ishin të bllokuara, për shkak të gjendjes së anarkisë dhe paralizimit të funksionimit të veprimtarisë shtetërore. Grupe të armatosura njerëzish kishin bllokuar rrugët për në hyrje të Shkodrës.
    Isha i vendosur të shkoja në Shkodër. Të bëhet ç’të bëhet, nesër do të vete në Shkodër. Ky ishte qëndrim i prerë.
    Duke menduar këtë në zyrë, televizioni në lajmet e fundit dha një njoftim të papritur. U bë një vlerësim, që ndryshonte shumë nga ai i dhënë në revistën televizive të orës 20:00.
    U njoftua për gjendjen, u dhanë pamje të ceremonisë së varrimit të tri viktimave të datës 2 prill 1991. Dy orë më parë, në njoftimin e përbashkët të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe të Këshillit Presidencial, ata cilësoheshin vandalistë dhe terroristë, ndërsa tani si viktima.
    Presioni i madh i popullit në Shkodër dhe i opinionit publik përgjithësisht në gjithë vendin nuk u pajtuan me qëndrimin zyrtar dhe u distancuan duke reaguar me zemërim. Udhëheqja ishte demaskuar dhe distancuar më tej nga populli. Gjendja po përkeqësohej më tej. Masat e dhunës shtetërore shkaktonin urrejtjen e gjerë popullore.


    NJOHJA DHE VLERËSIMI DIREKT I SITUATËS NË SHKODËR

    Masat për hetimin
    Në mëngjes, më datë 4 prill 1991, dola rreth orës 6:00 në zyrë. Përfundova punët më të domosdoshme.
    Në orën 7:00 thirra në mbledhje zëvendësit dhe drejtorët. Biseduam edhe një herë për masat që do të merrnim për të mbështetur dhe vënë në punë hetuesit për hetimin e çështjes në Shkodër. Kërkova mendime dhe diskutuam për hetuesit që do të caktoheshin në grupin e hetimit. Pas kësaj, caktova grupin e hetimit me në krye zëvendëskryetarin Ferit Sula.
    Zëvendëskryetarin tjetër, Flamur Çato, e ngarkova me detyrën që të organizojë lajmërimin e hetuesve të caktuar në grupin hetimor, të bisedojë në telefon me kryetarët e hetuesisë në rrethe, që hetuesit të niseshin menjëherë sot direkt në Shkodër.
    Udhëzimet për planin e hetimit të çështjes
    Shkrova vetë udhëzimet për planin e hetimit të çështjes në Shkodër. Saktësova masat hetimore, duke vënë detyra konkrete për t’u përqendruar dhe thelluar hetimi për vrasjet, autorët e tyre, ndalimin e policëve dhe oficerëve, që kishin qëlluar me armë ndaj demonstruesve, ata që dyshoheshin se kishin shkaktuar vrasje dhe plagosje etj., si dhe atyre personave nga demonstruesit që kishin goditur forcat e rendit, kishin hedhur dinamit dhe sende të tjera të forta, kishin plagosur shefin e policisë dhe policë të tjerë, kishin grabitur automatikun e sekretarit të parë, Xhemal Dymylja, kishin rrahur sekretarin e komitetit, ata që kishin realizuar djegien e ndërtesës, të dokumenteve dhe të pajisjeve etj.
    Në mënyrë të posaçme parashikoheshin detyrat për të hetuar se kush kishte dhënë urdhër për të qëlluar dhe të vihej para përgjegjësisë penale cilido qoftë ai.
    U parashikuan detyra edhe për të hetuar zbatimin e ligjit e veprimet e kryera në lidhje me ngjarjen dhe udhëzimet e urdhrat e dhëna nga personat kompetentë nga Dega e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes Popullore, komiteti i partisë së rrethit dhe Komiteti Qendror i Partisë së Punës. Sqarimi i këtij problemi do të ishte edhe në interesin e vetë këtyre funksionarëve të lartë, për të dëshmuar për transparencën dhe përgjegjësinë në zbatimin e funksioneve shtetërore. Për shkak të imuniteteve parlamentare nuk kishim të drejtë të ngrinim versione të paargumentuara me prova dhe të bëheshin hetime për drejtuesit e lartë shtetërorë, që mund të dyshoheshin për udhëzime dhe urdhra.
    Megjithatë, versioni i urdhrit nga lart dhe funksionimi i piramidës së mekanizmit të kompetencës së dhënies së urdhrit nga organi dhe personi kompetent ishte e domosdoshme të sqarohej, duke respektuar imunitetin parlamentar. Hetuesia kishte për detyrë hetimin e gjithanshëm. Unë duhej të parashikoja të gjitha detyrat, që ndihmonin në zbulimin e së vërtetës dhe përcaktimin e përgjegjësisë së fajtorëve.
    Nuk kisha të drejtë që të përcaktoja detyra që të hetohej dhe të mund të akuzohej udhëheqja shtetërore me imunitet parlamentar.
    Nuk mund të ngrija versione të njëanshme emocionale, por edhe nuk mund të shmangesha për versionet që dilnin për të bindur cilindo për korrektësinë dhe realizimin e drejtë të detyrimeve ligjore nga secili. Barazia para ligjit vihej në provë konkrete.
    Por, nga ana tjetër, kisha për detyrë hetimin e gjithanshëm dhe kërkohej të sqarohej qëndrimi në masën e mundshme. Hetuesia si organ kushtetues do të mbronte Kushtetutën dhe vepronte në bazë të Kodit të Procedurës Penale, në hetimin e akuzave të parashikuara nga Kodi Penal.
    Për këto arsye, u parashikuan detyra që me anë të hetimit të gjithanshëm të mblidheshin gjithë provat e mundshme, me dëshmitarë, dokumente etj. Për dyshimet në bazë të provave, do të gjykohej sipas konkluzioneve të hetimit.
    Porosita zëvendësin që bashkë me hetuesit të nisej menjëherë dhe i thashë se unë po vij bashkë me ju. Rreth orës 8:00, kur vinte në zyrë Kryeministri Fatos Nano, e mora në telefon. Pasi u përshëndetëm, i thashë se do të shkoja në Shkodër për hetimin e çështjes.
    -Hetuesia ka vështirësi për hetimin. Ka presione të shumta. Hetuesit nuk kryejnë dot veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, pasi nuk ka siguri të rendit. Policia më thonë se nuk vepron fare. Policia nuk ka bërë asnjë ndalim dhe nuk ka kallëzuar akoma në hetuesi. Hetuesit vetë me iniciativë nuk mund të kryejnë detyrat, pa mbrojtje nga policia dhe pa siguri për jetën e tyre. Do të vete sot në Shkodër për të parë gjendjen në vend. Kam caktuar edhe grupin e hetimit.
    -Ne si Qeveri do të dërgojmë një grup nga aparati i Këshillit të Ministrave, me në krye ministrin e Drejtësisë, Dashamir Kore. Bisedo me Dashamirin dhe shkoni bashkë.
    -Po të vijë Dashamiri, duhet të vijë edhe prokurori i Përgjithshëm.
    -Bisedo atëherë me Rrapin. I thuaj të vijë. Pasdite do të bëjmë mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të analizuar gjendjen në Shkodër. Kthehu të bisedojmë për masat që duhet të merren.
    -Mirë është të vijë edhe Gramoz Ruçi.
    -Gramozi ka probleme të tjera. Me Gramozin kemi punë këtu, s’e dërgojmë dot.
    Mora në telefon Dashamirin. E lamë të niseshim në orën 9:30, me makinën time, pasi ai nuk e kishte në përdorim atë ditë.
    -Do të vij. Hajde më merr pasi nuk kam makinë. E kam dërguar me familjen.
    Edhe Rrapi ishte dakord të nisej në Shkodër.
    -Faleminderit që më more. Do të vij. Kalo këtej, para se të nisesh.
    Para se të largohesha nga zyra, mori në telefon kryetari i Hetuesisë së rrethit të Shkodrës.
    -Shoku kryetar, duam ndihmë. Hetuesit nuk duan të hetojnë pasi kanë presione. Këta që janë shkodranë ose me banim në Shkodër kanë më shumë kundërshtime.
    -E kuptoj gjendjen shpirtërore të hetuesve. Këtë do ta zgjidhim ne. Do të dërgoj një grup hetuesish nga qendra e nga rrethet për të mos ju krijuar juve probleme. Këtë ndihmë do ta kuptojnë mirë hetuesit, që janë nën presionin direkt të situatës. Jam i bindur se ata nuk kanë frikë, por nuk duhet të ndikojmë dhe të shpërdorojmë me përkushtimin e tyre në detyrë që t’i detyrojmë shokët tanë të ballafaqohen direkt me gjendjen e rëndë të krijuar dhe kryerjen e veprimeve hetimore.
    -Faleminderit shumë, shoku kryetar!
    Kosta kishte kërkuar të largohej nga detyra në Shkodër. Ai kishte biseduar me mua se nuk mund ta përballonte dot gjendjen e rëndë të situatës dhe problemet që kishte duke qenë larg familjes, e cila vazhdonte të jetonte në Tiranë. Më datë 30.03.1991, kisha vendosur transferimin e tij, duke e kthyer përsëri në Hetuesinë e Përgjithshme dhe do t’ia komunikoja vetë në Shkodër.
    U nisa për në Shkodër.
    Ndalova në Prokurorinë e Përgjithshme dhe u takova me Rrapin. Ishte në gjendje shpirtërore të tronditur.
    -Mos ki merak, – i thashë. – Do të jetë mirë që vemi së bashku në Shkodër. Ka rëndësi që të venë nga Tirana kuadro të lartë të shtetit. Njerëzit do të kenë nevojë për praninë tonë. Jam i sigurt se nuk do të kemi probleme. Ka rëndësi të njohim vetë gjendjen në vend.
    -Nisemi me makinën time, – tha Rrapi.
    -Me gjithë kënaqësi, por më pret Dashamiri. E kemi lënë më parë të shkojmë bashkë.
    Siç kishim biseduar bashkë një ditë më parë për grupin e hetuesve dhe atë të prokurorëve, dhamë porositë për nisjen e makinave. E lamë të takoheshim në Shkodër, te Komiteti Ekzekutiv.
    Vajta takova Dashamirin në zyrën e tij dhe u nisëm për në Shkodër. Ai ishte nga ata që i njihte vështirësitë e hetimit dhe biseduam për hetimin e çështjes.
    -E keni shumë të vështirë hetimin, – shprehu shqetësimin e tij Dashamiri. – Ministria e Punëve të Brendshme është tërhequr. Ti ke ngelur vetëm përballë kësaj situate të rëndë. Jeni vetëm si organ për të hetuar. Situata është e rëndë. Më caktuan mua për të vajtur në Shkodër. Çfarë të bëj e çfarë të thuash në mbledhjen e Qeverisë. Si po na venë punët, është vështirë për t’i kryer këto detyra.
    -Ke të drejtë, – i thashë, duke mbështetur mendimet e tij. – Policia është tërhequr. Policia zbaton urdhrat nga lart. Kur gjendja përmirësohet, nuk mendojnë shumë për vështirësitë e policisë. Por kur gjendja shpërthen dhe populli reagon fuqishëm, ata që kanë dhënë urdhra nuk dalin hapur dhe nuk sqarojnë se me urdhrin e tyre kanë vepruar policët dhe oficerët e thjeshtë. Gabimet dhe fajet shkarkohen gjithmonë nga lart poshtë.

    Panorama

  4. #24
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame rrëfen për historinë

    Raporti i Policisë: Roli i Azem Hajdarit në ngjarjet e 2 prillit

    Emri:  BerishaAzemHajdariRrugaArbenBrociShkoder.jpg

Shikime: 748

Madhësia:  20.3 KB
    Sali Berisha dhe Azem Hajdari duke përuruar rrugën “Arben Broci” në Shkodër

    Informacioni i Degës së Punëve të Brendshme për Shkodrën

    Organizimi i demonstratës dhe ndërhyrja e deputetëve të zonës për qetësimin e situatës

    Mësymja mbi institucione dhe përdorimi i armëve nga ana e policisë

    Përcjellja e tre të vrarëve dhe fjalimi i Berishës


    Me të mbërritur në Hetuesinë e Shkodrës, me gjithë vështirësitë e rrugës, kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, do të njihej me një raport informues mbi dinamikën e ngjarjeve të 2 prillit 1991, firmosur nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, Çapajev Taçi. Në këtë raport të gjatë ofrohet një panoramë e ngjarjes, që nga grumbullimet e njerëzve, kontingjentet pjesëmarrëse, roli i Partisë Demokratike, fjalimet e Azem Hajdarit dhe vrasja e katër demonstruesve. Atë ditë mbetën të vrarë 24-vjeçari Arben Broci, inxhinier në fabrikën e cigareve, anëtar i PD-së, Besnik Cepa, 29 vjeç, punëtor në NSHRAK, 22-vjeçari Bujar Bishanaku, i papunë, anëtar i PD-së, ndërsa dy ditë më vonë në spitalin e Tiranës vdiq edhe Nazmi Kryeziu. Të gjitha këto, ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i sjell për lexuesin përmes librit të tij me kujtime “Kur shembeshin themelet”, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”.

    Kthimi mbrapsht i disa kuadrove të dërguar në Shkodër
    Rrugës në të dalë të qytetit të Lezhës, pamë një makinë “Fiat”. Na përshëndetën me dorë dhe ndaluan. Ndaluam edhe ne. Ishin disa kuadro të Kryeministrisë, ndërmjet tyre edhe Theodhori Bej, të caktuar në grupin për Shkodrën.
    -Po kthehemi, – na thanë. – Takuam në rrugë gjatë udhëtimit Terezina Marubin. Ajo vinte në Tiranë, pasi e kishte thirrur shoku Ramiz. Na tha se situata në Shkodër është shumë e vështirë. Nuk hyhet dot. Kështu u kthyem. Kthehuni edhe juve.
    -Unë nuk kthehem, – u thashë. – Është mirë të bisedojmë më parë me kryeministrin, që ta dijë këtë veprim, pasi ju ka dërguar vetë dhe me detyra të veçanta.
    Ata e vlerësuan këshillën time dhe ranë dakord të shkonim së bashku në Komitetin Ekzekutiv në Lezhë.
    Edhe Dashamiri vendosi të kthehej në Tiranë.
    -Unë do të kthehem, shoku Qemal, – më tha. – Nuk ka arsye përse të vij edhe unë në këtë situatë.
    -Ti e di, – i thashë. – Unë do të vazhdoj rrugën dhe do të vete në Shkodër. Hetimet duhet të fillojnë. Çdo vonesë është me pasoja…
    -Ke të drejtë. Bravo të qoftë. Do të mendoj për ty se ke një detyrë shumë të vështirë për të realizuar…
    Pasi arritëm atje dhe u takuam me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, mora në telefon Fatos Nanon. E vura në dijeni të vështirësive që kishte parashtruar Terezina Marubi, si dhe të mendimeve të saj për rrezikun ndaj atyre që vinin nga Tirana dhe duhet të ktheheshin mbrapsht. Ky ishte edhe konkluzioni i grupit prej tre personash të dërguar nga Kryeministria për të vlerësuar gjendjen në vend, të cilët donin të ktheheshin mbrapsht. E vura në dijeni, gjithashtu, edhe për mendimin e Dashamirit, i cili donte gjithashtu që të kthehej mbrapsht. Fatosi ishte dakord. Nuk ishte me vend që të sakrifikohej.
    -Mirë, të kthehen, – tha.
    -Unë vetë do të shkoj në vend, – i thashë.
    -Dakord. Unë do të pres. Pasdite në orën 17:00, do të jetë mbledhja e Qeverisë. Kije parasysh.
    -Mund të vonohem pak, në rast se nuk do të mund të jem në atë orë. Nuk i dihet se sa mund të rri e si do të venë punët.
    -Po u vonove, do të fillojmë me një problem tjetër, në pritje që të vish.
    Pimë një kafe në klubin e Komitetit Ekzekutiv, me dëshirën e kryetarit të Komitetit.
    U ndava me ta dhe u nisa bashkë me shoferin për në Shkodër.
    Vendosmëri për të shkuar në Shkodër

    Emri:  TeRenet2Prill1991.jpg

Shikime: 516

Madhësia:  12.5 KB
    Të rënët në 2 prill 1991 në Shkodër: Arben Broci, Besnik Cepa, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu

    Rrugës së Balldrenit, Zejmenit, Bushatit e deri në Bahçallëk kishte pengesa me drurë, trungje plepi të thyera nga pemët anash rrugës, për të bllokuar lëvizjen në rrugë të makinave dhe të kalimtarëve. Në afërsi të Bahçallëkut, te një kthesë e fortë, dolën disa të rinj e fëmijë. Donin që të ndalonte makina jonë. Shoferi manovroi me kujdes dhe vazhduam rrugën. Nuk na krijuan shqetësime dhe nuk kryen veprime për të na detyruar të ndalojmë, ose të dëmtonin makinën. Makina “Fiat”, e vjetër dhe e përdorur, nuk u bënte shumë përshtypje dhe nuk insistonin për ta ndaluar.
    Hymë në Shkodër pas orës 11:00.
    Në rrugë nuk dukeshin njerëz. Qyteti ishte i zbrazur, si pas një beteje ushtarake dhe në rrugë nuk dukej njeri. Ndihej një heshtje varri. Morëm drejtimin nga sheshi “Dedë Gjo Luli”. Ndalova te dera e hyrjes së hetuesisë. Më doli përpara radisti dhe më tha i çuditur:
    -Si munde të vish, shoku kryetar?!
    -Me pak vështirësi, por pa probleme.
    -Pse nuk më lajmërove, – tha Kosta, që zbriti menjëherë shkallët. – Të dilja e të të prisja në të hyrë të qytetit ose të vija më përpara, se mos ndodhte ndonjë gjë.
    -S’ka gjë, Kosta. Në Shkodër vij me kënaqësi dhe i sigurt. Këto dy ditë nuk kisha mundësi, po do të kisha ardhur që më datën 2 prill, kur ndodhi ngjarja.
    U ngjitëm në zyrë, në katin e tretë.
    Erdhën hetuesit që ishin nëpër zyra. Biseduam për ngjarjen e 2 prillit. Më vunë në dijeni për gjendjen e rëndë politike, paralizimin e veprimtarisë shtetërore, mungesën e rendit dhe të ligjit, vështirësitë e shumta për të kryer veprimet hetimore. Nuk mund të kryenin hetime. Kosta më tha se para disa çastesh, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme i kishte sjellë një informacion raportues dhe do ta administronin në dosjen hetimore si material kallëzues. Parashikuam së bashku detyrat e mundshme që duhej të fillohej të veprohej për realizimin e hetimeve.


    FILLIMI I HETIMEVE
    Materiali kallëzues i dërguar nga Dega e Punëve të Brendshme
    Raporti i protokolluar me nr. 578, datë 04.04.1991, i firmosur nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, Çapajev Taçi, dërguar kryetarit të Hetuesisë së rrethit, shokut Kosta Karanxha.

    Raport
    Për zhvillimin e ngjarjeve publike në qytetin e Shkodrës më datë 1-3 prill dhe masat e marra
    Në datat 1-3 prill 1991, në qytetin e Shkodrës ka pasur cenime të rendit publik. Fillimisht, më datë 1 prill, ora 10:00, para selisë së Partisë Demokratike janë grumbulluar rreth 200-300 persona, të cilët hidhnin parulla të tilla, si “Liri-Demokraci”, “Enver-Hitler”, “Nuk duam komunistët, jo, jo, jo”, “Poshtë PPSH” etj. Që në këtë moment, atje shkuan shefi dhe zëvendësshefi i policisë, të cilët biseduan me drejtuesit e Partisë Demokratike për parandalimin e gjendjes. Këtë gjë e morën përsipër edhe deputetët, si Azem Hajdari, i cili gjykoi se po t’u fliste njerëzve për zgjedhjet në Shkodër, ata do të qetësoheshin. Në fakt ai u foli, por të pranishmit u irrituan akoma më shumë, kësaj radhe duke thirrur: “o Azem, ti je bota”. Azemi, pasi foli për fitoren e PD-së, i ftoi që të dëgjonin në radio mbi rezultatet e zgjedhjeve në orën 15:30. Përkohësisht gjendja u qetësua, pas largimit të Azem Hajdarit nga selia e PD-së, por ajo u acarua përsëri një orë më vonë, kësaj radhe me pjesëmarrje më të shumtë, të cilët me kalimin e kohës, po shfaqeshin nga të gjitha drejtimet. Ndër ta kishte njerëz të parregullt nga pamja e jashtme, kryesisht të rinj, por edhe familjarë, njerëz seriozë, fëmijë dhe nxënës shkollash.
    Përsëri kanë shkuar shefi e zëvendësshefi i policisë dhe u kanë bërë thirrje njerëzve që të mos vepronin në këtë mënyrë, se po shkelnin ligjet dhe po sillnin shqetësime në qytet. Ndërkohë që ata vazhdonin thirrjet që u përmendën më lart, u takuan edhe drejtuesit e PD-së dhe deputetët Agostin Shqarrsi, Ali Spahia etj., ndërsa Azem Hajdari ishte përsëri duke u folur të pranishmëve nga kati i dytë i selisë. Nga fjala e tij, pjesëmarrësit entuziazmoheshin edhe më shumë, por më pas Azemi u sëmur dhe u largua. Me largimin e tij, njerëzit u qetësuan dhe u shpërndanë në qendër të qytetit grupe-grupe. Rreth orës 15:45, të gjithë qytetarët që ishin në shesh u drejtuan para Komitetit të PPSH-së, me thirrje “Liri-Demokraci”, “PPSH të japë dorëheqjen”, “Shkodra Republikë”, “Poshtë komunistët”, “Poshtë Xhelil Gjoni”, “O Gjeli, o shkërdhatë, nuk e ke jetën të gjatë” etj.
    Para godinës së PPSH-së, ata u shtuan shumë, 15-20 mijë dhe kanë qëndruar duke thirrur deri në orën 21:30. Gjatë kësaj kohe që qëndruan të grumbulluar, herë afroheshin te dera e Komitetit e herë largoheshin në trotuare. Disa herë kanë qëlluar me gurë në drejtim të godinës ku thyen një xham. Për këto veprime ndërhynin për t’i parandaluar vetë të pranishmit, se bëheshin kryesisht nga familjarët. Në disa raste, me kërkesën tonë, të pranishmëve u bënë thirrje për shpërndarje edhe deputetët e PD-së, Pjetër Arbnori e Ali Spahia, por ata nuk u shpërndanë. Në fund, këtë gjë ia kërkuan që ta bënte anëtari i PD-së, Nikolin Thana, i cili, pas kërkesës sonë telefonoi në selinë e PD-së, ku i pyeti se çfarë të bënte. U tha që të lidheshin me liderët e PD-së në Tiranë e t’i kthenin përgjigje që të ishin të një mendjeje se si do të vepronin. Nga selia mori përgjigje në vend dhe për 3-4 minuta ai u bëri thirrje njerëzve që të shpërndaheshin, por ata përsëri nuk e dëgjuan. Në fund, demonstruesit u shpërndanë vetë me thirrje, që të dilnin përsëri ditën tjetër. Që nga ora 10:00 deri në orën 21:30, demonstruesit kanë hedhur disa parulla të paligjshme. Nga policia nuk u përdor forca për shpërndarje, por vetëm u bë thirrje. Për shkeljet e ligjit, në datën 02.04 1991, në mëngjes, u njoftua zyrtarisht dega e PD-së në Shkodër me kërkesën për të ndikuar që ngjarjet të mos përsëriteshin më datën 02.04.1991, pasi pjesëmarrësit në grumbullimet e paligjshme ishin pjesëtarë dhe simpatizantët e tyre. Në fund u cilësua se, në të kundërt, ne do të zbatonim ligjin. Për këtë u vu në dijeni edhe kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit, shoqja Terezina Marubi.
    Më datë 02.04.1991, grumbullimi i paligjshëm i njerëzve filloi përsëri para selisë së PD-së, në orën 7:30, me një grup deri 30 veta. Ata u takuan nga shefi dhe zëvendësshefi i policisë dhe u këshilluan si një ditë më parë që të mos vepronin në kundërshtim me ligjin, por u përgjigjën se do të vazhdojmë të grumbullohemi e të bërtasim edhe sikur të na vrisni, po nuk dha dorëheqjen PPSH-ja. Ata bënin thirrje si një ditë më parë. U takuan përsëri drejtues e deputetë të PD-së për t’u kërkuar ndihmë, por pretendonin se nuk u dëgjohej fjala dhe ata ishin kundër këtyre veprimeve. Në orën 8:15 u bë një takim i drejtuesve të PD-së e policisë te kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit, ku u diskutua se si do të parandaloheshin ngjarjet. Edhe këtu, drejtuesit e PD-së, si Pjetër Arbnori, Xhelal Uruçi e Eduart Perjaku thanë se pjesëmarrësit në miting nuk ishin organizuar prej tyre, ata vetë nuk ishin dakord me këtë formë dhe se kishin konsumuar një ditë më parë me ta dhe se nuk u dëgjohej fjala për t’i shpërndarë. Pa përfunduar takimi në Komitetin Ekzekutiv të K.P. të rrethit, para komitetit të PPSH-së u grumbulluan shumë njerëz e sidomos të rinj, nxënës të shkollës “Jordan Misja” etj. Ata me thirrje e parulla të kundërligjshme u afruan deri te shkallët e Komitetit, u paralajmëruan me megafon nga vetë zëvendësshefi i policisë që të shpërndaheshin, por filluan të qëllonin me gurë në drejtim të forcave të rendit. Në këtë moment, pas paralajmërimeve të përsëritura, rreth orës 8:40 filloi shpërndarja e tyre duke përdorur shkopinjtë e gomës. Shpërndarja e grumbullimi u bë 4-5 herë, të shoqëruara me goditje me gurë dhe sende të tjera nga demonstruesit. Ky proces vazhdoi deri në orën 10:00. Në këtë moment, megjithëse disa pjesëtarë në manifestimet e paligjshme u përpoqën që të mos i linim të afroheshin, demonstruesit thyen me gurë të gjithë xhamat e katit të parë të Komitetit të PPSH dhe disa xhama të bibliotekës. Turma u shtua vazhdimisht deri rreth 20 mijë veta dhe u bë e papërballueshme nga forcat e rendit, 7-8 prej të cilëve ishin plagosur me mjete të forta. Demonstruesit filluan të hidhnin shishe me lëndë djegëse në katin e parë të godinës dhe tentuan disa herë të hynin brenda, hodhën shishe me benzinë në drejtim të automjeteve të policisë, qëlluan edhe me zjarr. Në këtë situatë, policë dhe ushtarë pa urdhër filluan që të qëllonin në ajër për të zmbrapsur turmën, e cila tërhiqej përkohësisht dhe sulmonte përsëri. Rreth orës 11:00 u përdorën edhe autoblinda për të shpërndarë turmën, njëra prej të cilave pësoi defekt dhe iu vu zjarri nga demonstruesit, ndërsa tjetra pas disa xhirove u ndalua pranë Komitetit të PP së Shqipërisë për të mos shtypur një grua që i doli përpara. Në këtë çast demonstruesit hipën mbi të dhe pastaj i vunë zjarrin. Demonstruesit përdorën edhe dinamit kundër autoblindës dhe tentonin t’i hidhnin edhe në objekt. Armët u përdorën kryesisht ku kryheshin akte diversioniste. Gjithashtu u plaçkit biblioteka e rrethit dhe tentuan t’i vënë zjarrin.
    Rreth orës 11:30 morëm vesh se ishte vrarë një person, të cilin e sollën nga spitali në vendin e ngjarjes, e pak më vonë edhe për dy të tjerë. Pas vrasjes së parë, ata që shoqëronin kufomën u bënë presion forcave tona duke u thënë: “Kot e keni, pse nuk dorëzoheni, sepse Tirana është dorëzuar”, disa vazhdonin thirrjet kundër PPSH-së, presidentit dhe kërkesat “Shkodra Republikë”. Të tjerë thoshin se Xhelil Gjoni është vrarë, Xhelil Gjoni ka arrestuar Ramiz Alinë etj., parulla këto që i nxisnin më tepër demonstruesit për veprime vandale.
    Rezistenca e forcave të rendit vazhdoi deri rreth orës 12:30, pastaj u detyruan që të tërhiqeshin, pasi demonstruesit, të shumtë në numër, tentuan të merrnin armët. Disa persona që i prinin turmës kërkonin të largoheshin ushtarët e armatosur dhe policët. Sipas tyre, ata kishin bërë edhe vrasjet dhe nuk garantuan rendin, por turma u fut me forcë në Komitetin e PPSH-së. Vandalistët i vunë zjarrin dhe dinamitin edhe 4 makinave të policisë, si dhe 4-5 makinave të Komitetit të PPSH-së.
    Godina e Komitetit të PPSH-së u dogj plotësisht. Rreth orës 13:00, vandalistët u grumbulluan para Radio Shkodrës, ku rreth 20 minuta u mbajti fjalim Azem Hajdari, i cili ka thënë se qeveria në Tiranë është rrëzuar dhe se në 5 qytete, si në Vlorë, Durrës, Korçë, Elbasan, Kavajë demokracia arriti qëllimin e vet, prandaj na mbeti edhe Shkodra për ta fituar. Disa pjesëtarë të turmës, duke qenë edhe nën presionin e forcave të rendit, e penguan turmën të futej në radio. Nga përleshjet te Komiteti i Partisë së Punës u plagos shefi i policisë, të cilit i morën pistoletën e kërkonin ta vrisnin 10-15 huliganë, komandanti i repartit të policisë së qytetit, 4 oficerë të tjerë, si dhe 21 policë e ushtarë, prej të cilëve me armë u plagos edhe sekretari i Komitetit të Partisë Punës, Xhorxhi Grabova. U vranë me armë 3 qytetarë: Arben Broci, inxhinier në fabrikën e cigareve, anëtar i PD-së, vjeç 24; Besnik Cepa, vjeç 29, punëtor në NSHRAK dhe Bujar Bishanaku, vjeç 22, i pazënë në punë, anëtar i PD-së. Në datën 04.04.1991, njoftohemi se në spitalin e Tiranës ka vdekur edhe Nazmi Kryeziu, rreth 33 vjeç, i plagosur rëndë, punëtor në Uzinën e Blojës, i dënuar 7 vjet për kontrabandë. Gjithashtu janë plagosur edhe qytetarë të tjerë.
    Demonstruesit ngritën barrikada në dy vende në rrugën kryesore të qytetit, si dhe thyen xhamat e 4-5 njësive të shitjes e tregtisë, të një librarie dhe bibliotekës së qytetit, veprime të cilat në datën 2 vazhduan deri në orët e mbrëmjes.
    Më datë 03.04.1991, si rezultat i thirrjes së bërë nga sindikata e pavarur e punëtorëve dhe Partia Demokratike, shumica e punonjësve të qytetit, nxënësit e shkollave etj., që në orën 9:00 lanë punën dhe u grumbulluan në qytet për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të tre të vdekurve.
    Me përjashtim të thyerjeve të disa xhamave në mëngjes, në datën 03.04.1991 nuk pati ndonjë shqetësim tjetër serioz. Rreth orës 14:30, të tria kufomat u shoqëruan para selisë së Partisë Demokratike, ku u grumbulluan rreth 30 000 persona, ku foli lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili u tha të pranishmëve se të vrarët janë heronjtë e demokracisë, ata do të rrojnë, vrasësit do të vdesin, komunizmit i erdhi fundi. Pak a shumë kështu janë zhvilluar ngjarjet edhe në varreza, ku kufomat u shoqëruan në këmbë nga rreth 10 000 veta. Pas kthimit nga varrimi, në dy mjete transporti që janë kthyer para turmës, janë hedhur parulla të kundërligjshme si “Poshtë Ramiz Alia”, “Poshtë komunizmi” etj. Më pas nuk ka pasur ngjarje të tjera, njerëzit janë shpërndarë normalisht.
    Për këto probleme që trajtuam, hetuesia ka filluar e po vazhdon hetimet.
    Sot përsëri ka grumbullime para ish-Komitetit të PPSH-së, ku pjesëmarrësve u foli Azem Hajdari dhe njerëzit po shtoheshin vazhdimisht.
    Po marrim masa për normalizimin e gjendjes, e cila është akoma e tensionuar.
    Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Çapajev Taçi.

    Mangësitë e raportit për ngjarjen dhe përgjegjësitë konkrete
    Pasi u njoha me raportin, pyeta nëse kishte të dhëna të tjera nga Dega e Punëve të Brendshme, Komiteti i Partisë së Punës, Partia Demokratike etj., të cilat lidheshin direkt me ngjarjen.
    Komiteti i Partisë së Punës nuk funksiononte, pas djegies së ndërtesës. Sekretari i parë, Xhemal Dymylja, ishte larguar nga zyra me ndihmën e shoqëruesve, duke zbritur me shkallë nga jashtë, nga kati i dytë, kur manifestuesit u drejtuan te sheshi i komitetit.
    Nga Partia Demokratike nuk kishte pasur reagime në hetuesi.
    Edhe nga Komiteti Ekzekutiv nuk ishte bërë ndonjë njoftim me shkrim.
    -Ka prova dhe fakte të tjera të dërguara nga Dega e Punëve të Brendshme, për të vërtetuar të dhënat e raportit? – pyeta Kostën.
    -Jo, shoku kryetar. Më paraqitën vetëm raportin. U kemi kërkuar të dhëna, por nuk i japin. Nuk kemi, thonë.
    U largova për në Komitetin Ekzekutiv, si organi i vetëm shtetëror që kishte mundur të kishte një veprimtari qoftë edhe të kufizuar, si dhe në Degën e Punëve të Brendshme. Me mua erdhën edhe Kosta Karanxha dhe Besnik Imeri. Besnikun e kisha dërguar menjëherë, më datë 2 prill kur ndodhi ngjarja, që të ndihmonte konkretisht hetuesit.
    Kur dolëm në rrugë, u thashë të shkojmë fillimisht në Degën e Punëve të Brendshme.
    vijon…

    QEMAL LAME

    Panorama
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 10-03-2014 më 16:09

  5. #25
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame rrëfen për historinë

    Ngjarja e 2 prillit, Dega e Brendshme: Azemi nxiti demonstratën

    Takimi në Shkodër me drejtuesit lokalë për ngjarjen e 2 prillit

    Qemal Lame: Raporti nuk bazohet në prova. S’kemi asnjë të dhënë tjetër veç konkluzioneve

    Ceremonia e varrimit të Nazmi Kryeziut dhe shkatërrimi i arkivit të PPSH

    Përplasja me Sabit Brokajn në mbledhjen e qeverisë


    Situata në Shkodër vazhdonte të ishte e rënduar. Dega e Punëve të Brendshme kishte hartuar një raport ku fajësonte Partinë Demokratike si nxitëse të demonstratave dhe në veçanti Azem Hajdarin. Ishte dita e varrimit të Nazmi Kryeziut dhe nuk vonoi që njerëzit të pushtonin sheshin. Thirrjet kundër Partisë së Punës dhe komunizmit dëgjoheshin brenda zyrës, ku ish-kreu i Hetuesisë së asaj kohe, Qemal Lame, po zhvillonte mbledhje me përfaqësuesit lokalë. Në librin e tij me kujtime, “Kur shembeshin themelet”, botimet “Onufri”. Lame kthehet pas në kohë, për të na treguar për ngjarjen e 2 prillit dhe çka e pasoi atë: raportet e Degës së Brendshme, vështirësitë në hetime, raportimet në qeveri, që asokohe drejtohej nga Fatos Nano dhe përplasjet me disa ministra të kabinetit, mes të cilëve edhe Sabit Brokajn, i cili ndonëse në pozicionin e ministrit të Shëndetësisë, sipas Lames po tregohej shumë i ashpër për masat që duheshin marrë në zbutjen e situatës…

    Takimi në Degën e Punëve të Brendshme për rendin dhe zbatimin e ligjit
    Në Degën e Punëve të Brendshme ishte qetësi. Disa qytetarë prisnin te zyra e oficerit të rojës, në hyrje të territorit të degës. U përshëndetëm me ta dhe u ngjitëm në katin e dytë. Kur hyra në zyrën e kryetarit të degës, ndër mend më shkoi se kjo ndërtesë më parë kishte qenë institucioni human i Komitetit të Murgeshave. Ndërsa tani organi i punëve të brendshme, me të cilin qytetarët nuk pajtoheshin me veprimet e dhunës që kryheshin.
    Në zyrë ishte Çapajev Taçi, kryetari dhe Naim Reçi, nënkryetari.
    Çapajevi u ngrit nga karrigia e tij dhe u nxi në fytyrë sapo më pa. Më vështronte me urrejtjen që besnikët e Partisë shikonin armiqtë e Partisë dhe popullit. Zylyftar Ramizi më kishte akuzuar në disa mbledhje se sabotoja Sigurimin e Shtetit, ndërsa të tjerët, si edhe Çapajevi, nuk kishin aq pushtet sa Zylyftari që të deklaronin hapur mendimin e tyre dhe reagonin me qëndrimet dhe mimikë të pakënaqur.
    Pasi u përshëndetëm, biseduam duke iu treguar mirëkuptimin tim për gjendjen e rëndë të situatës dhe vështirësitë e forcave të rendit. Pastaj u ndalëm në veprimet e nevojshme që duhet të bëheshin, që të plotësoheshin kërkesat ligjore për veprimet e kryera nga forcat e rendit gjatë ngjarjes.
    Çapajevi nuk u përmbajt dhe i tensionuar tha:
    -Shoku Qemal, kështu nuk shkohet më. Jemi në tension prej shumë kohësh. Të vihet dorë. Këtë e ka bërë Partia Demokratike. Azem Hajdari e nxiti popullin. Është deputet, por të përgjigjet. Të vihet dorë për ta arrestuar. Të shkohet deri në fund. Çështja duhet të shkojë deri në fund. Ju jeni kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme. Bisedoni me shokun Ramiz. Unë nuk kam çfarë të bëj. Kështu nuk mund të punoj dot.
    Reagova me kujdes që të qetësohej dhe të reagonte pozitivisht për detyrat që dilnin:
    -Unë kam për detyrë të kërkoj se si është zbatuar ligji dhe të hetoj veprat penale të kryera, në bazë të provave dhe fajësisë së fajtorëve. Këto kërkojnë procedurën ligjore të parashikuar nga procedura e hetimit. Imuniteti i deputetit është garanci kushtetuese. Megjithatë, kjo nuk pengon policinë dhe as hetuesinë për të evidentuar drejt rrethanat e ngjarjes dhe provat për cilindo që ka kryer një vepër penale. Kemi për detyrë të veprojmë në bazë të ligjit dhe me prova.
    -Për ne është e vërtetuar kush e shkaktoi ngjarjen. Kam bërë raportin. E paraqita sot edhe në hetuesi. Të vendoset në fillim për drejtuesit e Partisë Demokratike.
    -Ka prova për drejtuesit e Partisë Demokratike?
    -Unë paraqita raportin me përfundimet që kemi ne si Degë e Punëve të Brendshme. Më shumë nuk kemi.
    -Raporti nuk bazohet në prova, – u përpoqa ta sqaroj edhe një herë për kërkesat e nevojshme procedurale. – Nuk kemi asnjë të dhënë tjetër veç konkluzioneve. Nuk jepen të dhëna për persona konkretë, për veprimet e paligjshme të kryera. Raporti përmend emrat e deputetëve dhe të drejtuesve të Partisë Demokratike, thirrjet e tyre kundër komunizmit dhe drejtuesve të Partisë së Punës. Kjo është propagandë e një partie të ligjshme dhe e përfaqësuar në Kuvendin Popullor. Nga ana tjetër, ata kanë bërë edhe thirrje që të qetësohet gjendja dhe të shpërndahen manifestuesit. Nuk kemi të dhëna për nxitjen e manifestuesve. Ky është konkluzion logjik, por kërkohet të kemi prova, për të akuzuar për organizimin e manifestimeve të paligjshme.
    -Të kuptojmë drejt, shoku Qemal. Ke të drejtë. Por neve nuk na jep njeri kallëzime. Nuk pranojnë të dalin dëshmitarë.
    -Vështirësitë janë të mëdha. E kuptoj gjendjen. Megjithatë, organet e punëve të brendshme dhe hetuesia janë përgjegjëse për respektimin e kërkesave të ligjit. Është e domosdoshme që secili organ të realizojë detyrat e tij dhe të bashkëpunojmë për zbulimin dhe evidentimin e provave dhe sqarimin e plotë të ngjarjeve. Është e domosdoshme të bashkëpunohet, të forcohet rendi për të garantuar qetësinë e qytetarëve dhe të krijohen kushtet për të hetuar. Këto nuk mund të kërkohen për t’u kryer vetëm nga disa hetues që nuk kanë asnjë mbrojtje ligjore dhe fizike. Situata politike kërkon angazhimin konkret të Partisë së Punës dhe të Partisë Demokratike. Zgjedhjet e lira krijuan Kuvendin Popullor me forca të reja politike. Hidhen bazat e sistemit demokratik të shtetit. Gjendja e rëndë kërkon zgjidhje me konsensus për situatën politike. Ne jemi organe të depolitizuara dhe kemi për detyrë rendin publik, ku çdo grupim politik ka detyrat e veta për të na ndihmuar. Puna jonë është në shërbim të tyre…
    -Keni të drejtë, shoku Qemal. Por kemi vështirësi të panumërta. Gjendja politike dhe shoqërore vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Tani do të bëhet varrimi i Nazmi Kryeziut. Kemi marrë masa të mos ndodhin ngjarje. Ka të dhëna se pas varrimit mund të acarohet më tej situata. Punonjësit i kemi çuar nëpër detyra të veçanta.
    U ndamë me drejtuesit e Degës së Punëve të Brendshme, duke theksuar edhe një herë nevojën e bashkëpunimit dhe realizimin sa më shpejt që të ishte e mundur të detyrave për sqarimin e ngjarjes së 2 prillit dhe normalizimin e situatës dhe të qetësisë së rendit publik. Edhe një herë theksova nevojën e mbështetjes së Hetuesisë nga Policia dhe Sigurimi i Shtetit.

    Takimi në Komitetin Ekzekutiv për gjendjen politike dhe të pushtetit
    Për të vajtur në Komitetin Ekzekutiv, kaluam nga Kolegji Françeskan, ish-vendi ku Gjergj Fishta kishte zhvilluar veprimtarinë e tij kishtare, letrare dhe atdhetare. Pas çlirimit, ajo kishte shërbyer si institucioni ku ishin vendosur dhe kishin vepruar me radhë Dega e Punëve të Brendshme, Gjykata dhe Prokuroria e rrethit. Kur po shkonim në drejtim të Komitetit Ekzekutiv, kaloi me biçikletë një djalë, rreth 25 vjeç, dhe hodhi në tokë një tesër të anëtarit të Partisë së Punës. E mori Besniku dhe e pa. Ishte e paplotësuar, e re. Më thanë se janë vjedhur dokumentet e arkivit të Partisë së Punës. Janë hedhur nëpër rrugë teserat e reja, që gjendeshin në Komitetin e Partisë së Punës dhe ishin shpërndarë. Te sheshi para Komitetit të Partisë së Punës kishte shumë njerëz të grumbulluar. Vazhdonte djegia e ndërtesës dhe shkatërrimi i saj.
    Pritet të bëhet prapë grumbullimi për varrimin e Nazmi Kryeziut, që vdiq në mëngjes, në orën 2:00 në Tiranë. “Do të varroset në orën 14:00″, më thanë Kosta dhe Besniku.
    Në zyrën e kryetares së Komitetit Ekzekutiv, u takuam me nënkryetarin, sekretaren Esma Ulqinaku dhe një shef seksioni. Aty gjeta edhe Rrapi Minon, i cili sapo kishte mbërritur. Nënkryetari, sekretarja dhe shefi i seksionit na vunë në dijeni për situatën e rëndë në Rrethin e Shkodrës …
    …Ndërkohë u dëgjua zhurmë nga jashtë. Oshëtimë e fortë thirrjesh kundër komunizmit dhe pushtetit popullor.
    Kortezhi i njerëzve që ishin mbledhur për varrimin e Nazmi Kryeziut kishte kaluar në sheshin para Komitetit të PP-së. Dëgjoheshin thirrjet: “Komunizmin nuk e duam! Jo! Jo! Jo!”, “Poshtë pushteti popullor”, “Poshtë Ramiz Alia” etj. Thirrjet ishin të fuqishme dhe me sinkronizim të zërit që shprehte urrejtje dhe zemërim të thellë. Gumëzhinte i gjithë qyteti nga thirrjet masive të mijëra njerëzve të kortezhit.
    Nuk kishte më arsye për të vazhduar bisedën. Ju thashë se duhet të kthehesha. Kur u ngrita, u shtuan edhe më tej zhurma dhe jehona e thirrjeve të kortezhit.
    -Ku do të dalësh, – më thanë të pranishmit. – Ka rrezik. Të ikin më parë njerëzit e kortezhit.
    -Më duhet të shpejtoj. Më vjen keq që ju lë në këtë gjendje, por duhet të kthehem në Tiranë. Në orën 18:00 është mbledhja e Qeverisë dhe më presin të shkoj të vë në dijeni për situatën në Shkodër dhe masat që duhet të merren. Do të takohemi përsëri. Do të kthehem prapë të takohemi dhe të bisedojmë për masat që mund të marrim.
    -Prit, – tha Rrapi. – Të ikin njerëzit nga sheshi dhe pastaj ikim bashkë. Të qetësohet pak.
    -Nuk ka shqetësim për ne, – u thashë për t’i qetësuar. – Ata do të shkojnë në varrim. Nuk na shqetëson njeri.
    U takova me të pranishmit dhe u largova me kryetarin e hetuesisë dhe drejtorin, Kostën dhe Besnikun….
    Para ndërtesës së Gjykatës më priste makina.
    U takova me kryetarin e Hetuesisë, duke e porositur të ndihmonte bashkë me hetuesin zëvendëskryetarin dhe grupin e hetuesve dhe të punonin së bashku. Drejtori, Besniku, erdhi me mua për në Tiranë.
    Ndalova direkt në selinë e Këshillit të Ministrave. Ishte pak pas orës 18:00. Sapo kishte filluar mbledhja. Rrapi erdhi pas afro një gjysmë ore.
    Pasi mbaroi pika e parë e sapofilluar, u kalua në analizën për gjendjen në Shkodër.
    Na raporto ti, shoku Qemal, për gjendjen dhe çështjen hetimore, – tha Fatosi.
    Gjendja vazhdon të jetë e tensionuar dhe është shumë e vështirë për të vendosur qetësinë dhe rendin publik. Hetimet sapo kanë filluar. Mora takim me drejtuesit e Degës së Punëve të Brendshme dhe ata të Komitetit Ekzekutiv. Masat për rregullimin e gjendjes janë së pari të karakterit më të rëndësishëm shtetëror dhe të kompetencës së organeve më të larta shtetërore, duke filluar nga Kuvendi Popullor. Së dyti, duhet konsensus i gjerë politik, që të qetësohet populli dhe të fillojë funksionimi i shtetit dhe i rendit në Shkodër. Me anë të shtypit është bërë një njoftim nga Ministria e Brendshme dhe pas tij, njoftimi i përbashkët i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit Presidencial. Prandaj është mirë që të jepet një raport informues me të dhënat e deritanishme nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe pastaj nga unë. Duke i dëgjuar në mënyrë kronologjike, do të mund të krijohet një përfytyrim më i mirë për situatën dhe masat që duhen marrë.
    -Po ti ishe në vend, – tha menjëherë Fatosi.
    -Pikërisht, për këtë do të flas, pasi e përjetova sadopak gjendjen. Por është mirë që analiza të fillojë me raportimin e drejtuesit të forcave të rendit. Në vend duhej të kishte vajtur më parë ministri i Punëve të Brendshme. Situata dhe ngjarja shumë e rëndë e 2 prillit kanë ndikuar që të mos ndihet prania e rendit dhe e veprimtarisë shtetërore.
    -Fol ti, ministër i Drejtësisë, – tha Fatosi, duke iu drejtuar Dashamirit.
    -Të flasë ministri i Brendshëm, – iu përgjigj Dashamiri.
    -Mirë, po flas unë, – ndërhyri dhe e mori fjalën Gramozi dhe filloi të lexojë raportin e dërguar nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme edhe në Hetuesinë e rrethit.
    Pasi mbaroi leximin, Gramozi bëri disa komente për gjendjen e krijuar dhe vuri në dukje disa kritika që bëheshin nga drejtues në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Shkodër, për bashkëpunimin me Hetuesinë.
    E mora unë fjalën:
    -Raporti i Degës së Punëve të Brendshme është i vetmi material kallëzues i ardhur në Hetuesi. Bëhet informim për ngjarjen, nuk janë bërë ndalime dhe nuk janë paraqitur prova për shkeljet e ligjit dhe pasojat për vrasje dhe shkatërrimet e pronës. Nuk jepen të dhëna dhe prova se kush ka shkelur ligjin dhe kush dyshohet të jetë fajtor. Policia duhet të kryejë detyrat e saj ligjore. Hetuesit, të paktë në numër, kanë shumë vështirësi, po nuk u ndihmuan nga policia. Moskryerja e veprimeve të domosdoshme ligjore nga policia, që në fillim për dokumentimin e ngjarjes dhe pas ngjarjes, tërheqja e forcave të rendit nga detyrat në rendin publik, kanë krijuar vështirësi objektive për hetuesinë për të mundësuar kryerjen e hetimeve. Për të përballuar këtë gjendje, caktova një grup hetuesish për hetimin dhe nga prokurori i Përgjithshëm u caktua një grup prokurorësh për të kontrolluar hetimet. Por në rast se tërhiqet përsëri policia, siç është vepruar deri tani edhe në çështjet e rëndësishme, hetimet nuk mund të kryhen normalisht. Ndalimet dhe akuzat ndaj personave që mund të dyshohen për veprat penale të kryera kërkohet të bazohen në prova të ligjshme. Provat duhet të sillen në hetuesi nga organet e punëve të brendshme, si dhe vetë hetuesia të veprojë me iniciativë për gjetjen dhe administrimin sipas rregullave procedurale. Kërkohet të goditen fajtorët dhe të çohet çështja deri në fund. Për këtë jemi të gatshëm. Por duhet që secili organ të realizojë detyrimet e tij. Në situatën e krijuar kërkohet vetëm nga hetuesia për të vepruar konkretisht, kur dihet se Hetuesia nuk ka akoma të dhënat e nevojshme për të vendosur me përgjegjësi.
    Në qytet ekziston një gjendje me të vërtetë si pas një beteje lufte. Nuk mund ta përfytyrosh realisht, në rast se nuk e ke përjetuar direkt në Shkodër. Unë nuk u ndesha në vështirësi apo presione. Mua nuk më krijoi njeri ndonjë problem. Por rendi nuk funksionon në marrëdhëniet e përditshme. Populli nuk sheh konkretisht forcat e rendit dhe nuk ka prani të tyre publike në mosmarrëveshjet që krijohen midis qytetarëve. Vazhdon para syve të njerëzve djegia e Komitetit të PP-së dhe asnjeri nuk tregon interesim të veprohet për mbrojtjen e pronës publike. Ka ankesa për vjedhje të organizuara të dyqaneve shtetërore. Njerëzit nuk kanë siguri dhe rrezikohen nga keqbërësit, që veprojnë të inkurajuar nga tërheqja e forcave të rendit.
    Detyrë imediate është vendosja e rendit, kontaktet me partitë politike, sidomos me Partinë Demokratike, deputetët dhe grupimet shoqërore, me njerëzit me të cilët mund të bisedohet dhe të qetësohet sadopak situata që të vihen në funksionim aparati i Komitetit Ekzekutiv, i Degës së Punëve të Brendshme, i Prokurorisë dhe i Gjykatës etj.
    Zgjedhjet e lira hodhën bazat demokratike me demokracinë parlamentare që duhet të funksionojë. Duhet konsensus politik dhe mbarëpopullor për qetësimin e gjendjes, normalizimin e veprimtarisë shtetërore dhe të forcave të rendit. Në bazë të ligjit dhe me angazhimin konkret të forcave politike, kërkohet të veprohet për të rimarrë besimin e popullit dhe për të vepruar sipas interesave të tij.
    Hetimi dhe vënia e personave fajtorë para përgjegjësisë do të qetësonte situatën. Por edhe kjo mbetet relative, pasi kuptohet se situata e rënduar politike kërkohet të mbahet e tensionuar për të arritur objektivat politike të ndryshimit të raportit të krijuar me zgjedhjet e lira dhe ardhjen në fuqi të Partisë Demokratike.
    Në këto drejtime, merr rol me përgjegjësi qëndrimi i Partisë Demokratike. Drejtuesit e saj dhe deputetët e Shkodrës duhet të kontribuojnë për ngjarjen. Propaganda politike e Partisë Demokratike kundër komunizmit ndikon në ngjarjet. Kur ngjarja tensionohet, liderët dhe deputetët demokratë shprehen për qetësimin e gjendjes dhe shpërndarjen e manifestuesve. Pastaj gjendja përsëritet me intensitetin më të lartë. Nuk dokumentohet veprimtari në kundërshtim me ligjin. Pakënaqësitë për rezultatin e zgjedhjeve që ka Partia Demokratike dhe gjendja e krijuar, shtrojnë nevojën e analizave në organet e larta shtetërore. Problemet duhen zgjidhur në organet përfaqësuese të popullit në Kuvend. Forcat e rendit nuk mund të përballen dot me gjendjen pa mbështetjen e partive parlamentare.
    Pas meje foli Rrapi Mino. Edhe ai vuri në dukje gjendjen e rëndë, duke miratuar problemet e parashtruara nga unë…
    Fjala ime dhe e Rrapit ndryshonin nga ajo e Gramozit. Këto ndryshime nxitën pyetje dhe diskutime nga anëtarët e kabinetit qeveritar.
    Menjëherë konstatova se kërkohej që zgjidhja të arrihej me shtimin e dhunës së paligjshme shtetërore.
    Një pjesë e ministrave do të tregoheshin militantë nga më besnikët e udhëheqjes së Partisë së Punës dhe personalisht të presidentit të ri, që i zgjodhi me kujdes. Pyetjet e para dhe qëndrimi direkt ishte në theksin që iu dha kritikave për liberalizëm në hetuesi dhe në prokurori. Emërimi i Qeverisë së re ishte bërë me konceptin e emërimit të besnikëve për të zbatuar udhëzimet dhe mbajtur qëndrime të ashpra. Qeveria, nga e cila pritej bërja e reformave, do të ishte edhe më konservatore se e mëparshmja që të mbahej pushteti nga Partia e Punës. Kishte të drejtën për qeverinë pasi fitoi zgjedhjet, por zgjedhjet e lira u bënë për realizimin e reformave demokratike dhe jo të ruajtjes së sistemit të vjetër.
    Pati edhe ndonjë ministër që nuk kishte njohuri për punën në drejtësi, por si besnik i Partisë në mendimet e tij ngriti zërin me kritikë të thellë:
    -Kur do të na i japë rezultatet hetuesia, – tha Sabit Brokaj, ministër i Shëndetësisë. – Për ngjarjet në Shkollën e Bashkuar, s’u bë gjë. U lanë të lirë fajtorët. U lanë të lirë edhe ata të rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Tani nuk veprohet për vandalistët e terroristët në Shkodër. Ku do të vemi kështu? Kështu nuk mbahet pushteti. Po na ikën nga duart!
    E çuditshme, që një ministër i Shëndetësisë të mendonte, analizonte dhe të jepte konkluzione, si një militant partie me një nivel të tillë politik dhe kulturor. Një ministër i një sektori të rëndësishëm human dhe me rol të posaçëm për jetën dhe mirëqenien e njeriut, fliste si një militant ekstremist, që mbështeste dhe zbatonte verbërisht dhunën shtetërore.
    Nuk mund ta lejoja më shumë që të diskutonte në mënyrë kaq të papërgjegjshme dhe i ndërhyra, duke i ndërprerë fjalën, po me ton të ashpër:
    -Ku e njeh ti punën e Hetuesisë, shoku ministër i Shëndetësisë. Në punën tënde ti ke përcaktuar diagnoza dhe ke ndjekur terapi për zemrën, si specialist i mirë që dihet se ke qenë, nuk e besoj të kesh punuar ndonjëherë në organe të drejtësisë apo të Hetuesisë. Por, gjithsesi, ne të dyve na lidh në profesionet tona dimensioni human. Humanizmi im qëndron në zbatimin me përpikëri dhe drejtësi të ligjit, ndërsa yti në përcaktimin e diagnozës dhe shpëtimin e pacientit. Diskutimi yt më krijon mendimin se je ndikuar në mendimet për shkak të presionit që bëhet ndaj Hetuesisë dhe merren në mbrojtje me qëllime të caktuara gabimet me paramendim të organeve të punëve të brendshme. Ti nuk e njeh dhe nuk mund të gjykosh me këto mendime për të bërë vlerësime për Hetuesinë. Hetuesia bën hetime. Hetuesi zbaton ligjin. Hetuesia nuk shkel ligjin për të kënaqur interesat e njëanshme politike. Hetuesia nuk është as Sigurimi i Shtetit, as Policia dhe as zëvendëson punën e tyre, kur ato nuk zbatojnë ligjin dhe për përgjegjësitë që kanë, spostojnë vëmendjen padrejtësisht duke akuzuar Hetuesinë. Hetuesia, si organ i drejtësisë, i ka të përcaktuara me ligj detyrat për hetimin e veprave penale. Me një numër të vogël hetuesish, që në mënyrë figurative mund të thuhet “me një grusht hetuesish” që ka në organikë, nuk mund të zëvendësojë Sigurimin e Shtetit dhe Policinë, që janë një armatë e madhe potenciale…

    QEMAL LAME

    Panorama

  6. #26
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame rrëfen për historinë

    “Si i shpëtoi Gudar Beqiraj burgut për agjitacion e propagandë”

    Dosja e fizikanit në Hetuesi dhe akuzat për “veprimtari armiqësore”

    Emri:  gudar-beqiraj.jpg

Shikime: 579

Madhësia:  4.5 KB
    Gudar Beqiraj

    -Shumë raste të mëparshme do më sillnin në kujtesë edhe Aleksandër Kondon, rekordmenin e famshëm në peshëngritje, i cili u arratis në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe familja e tij u internua si ndëshkim i pashmangshëm i asaj kohe. Por, përveç familjes së tij, Sigurimi nuk mundej të mos bënte kurban të tjerë, jo vetëm me internim, por edhe me burgim. Këtë fat do të kishte edhe profesori i shquar i matematikës, Gudar Beqiraj, vetëm pse ishte mik i afërt dhe pasionant i sportit të peshëngritjes dhe Aleksandër Kondos, si dhe kishte shkruar një libër për këtë sport. Në muajin maj 1985, hetuesit më paraqitën dosjen hetimore me materialet edhe në ngarkim të Gudar Beqirajt. Ai implikohej në veprimtari armiqësore të agjitacionit dhe të propagandës, siç dëshmohej kryesisht nga dëshmitë e dy peshëngritësve, si dhe nga materiale të tjera plotësuese. Mbasi kam studiuar dosjen, nuk u binda për akuzën me provat e administruara. Për këtë shkak m’u duk tepër e nxituar kërkesa për të vendosur arrestimin e tij, edhe pse më thanë se kishte biseduar vetë ministri i Brendshëm me prokurorin e Përgjithshëm dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, dhe çdo gjë ishte gati për arrestimin dhe sigurinë për dënimin e tij.
    Ju thashë:
    - Do të lexoj materialet e dosjes dhe do të njihem vetë me provat e paraqitura nga Sigurimi i Shtetit. Më lajmëroni Gudar Beqirajn, të vijë në Hetuesinë e Përgjithshme, pasi do ta pyesja vetë…”
    Të nesërmen erdhi Gudari. Ai kishte menduar se mund ta kishin thirrur për ndonjë problem shkencor për informatikën. Hetuesit i kishin thënë: “Nuk është problem për informatikën. Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme do të të pyesë personalisht vetë për një problem me shumë rëndësi në ngarkimin tënd…
    Gudari ishte ndier i frikësuar me të drejtë.
    E pyeta në zyrën time.
    Pyetjet i kisha menduar dhe përgatitur që më parë. Ai duhej të dinte përse akuzohej. Por kjo nuk mund t’i thuhej direkt dhe menjëherë. Prandaj, ndërtova me radhë pyetjet, në mënyrë të detajuar, që Gudari të orientohej, të reflektonte në mendimet që do të jepte dhe të shpjegonte drejt episodet për të cilat akuzohej nga personat që Sigurimi i Shtetit kishte marrë kallëzimet dhe ishin pyetur nga hetuesit me cilësinë e dëshmitarit. Gudari, me zgjuarsi, e kuptoi menjëherë përse akuzohej dhe dha me korrektësi shpjegimet për të gjitha provat e administruara për akuzën. Thëniet e tij ishin të drejta dhe bindëse. Nuk kishte mendime armiqësore dhe nuk kishte kryer veprime të kundërligjshme. Pas pyetjes dhe sqarimit të episodeve për të cilat akuzohej nga dëshmitarët, bisedova me hetuesit për tablonë e gjithanshme të akuzës dhe provave. Arsyetova konkretisht mendimin tim, se nuk kishte elemente të anës subjektive për agjitacion dhe propagandë. Pranoheshin nga Gudari bisedat e bëra, por nuk kishte vepër penale të agjitacionit dhe propagandës, apo ndonjë vepër tjetër penale. Tërhiqte vëmendjen fakti përse Sigurimi kërkonte me insistim që ai të arrestohej dhe dënohej?! Gudari ishte një matematikan, pedagog, po jepte provimet për kandidat shkencave, sportist, intelektual me njohje dhe vlerësim pozitiv në opinionin shoqëror. Për këto arsye mendova se nuk kishte elemente të veprës penale. Dhashë urdhër që të mos arrestohet dhe të pushohet çështja penale në ngarkim të tij. Bisedova dhe sqarova vendimin tim personalisht me ministrin e Brendshëm, prokurorin e Përgjithshëm dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë.
    Gudar Beqiraj ishte miratuar për të shkuar në një specializim pasuniversitar në Francë, për gjashtë muaj. Ai nuk kishte kryer veprimtari armiqësore dhe duhej të lihej i lirë për të shkuar jashtë shtetit. Në këtë rast delikat, me shumë përpjekje, munda ta shpëtoj këtë profesor dhe intelektual të shquar, duke e bindur ministrin e Brendshëm dhe drejtuesit e Sigurimit të Shtetit se: “Në ngarkim të Gudar Beqirajt nuk kishte asnjë provë për veprimtari armiqësore. Ta linin të qetë në punën e tij shkencore dhe edukative. T’i linin rrugën e lirë për specializim në Francë (pasi i ishte miratuar një specializim i tillë pak ditë para arratisjes së Aleksandër Kondos) dhe kjo do t’i shërbente Shqipërisë më shumë se të shpallej armik, kur ai me mendimet dhe qëndrimet e tij nuk ishte i tillë…”

    QEMAL LAME

    Panorama

  7. #27
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame dëshmon për historinë

    “Debati me Nanon, donte të manipulonte hetimet për 2 prillin”

    Bllokimi i hetimeve në Shkodër, në mungesë të dëshmitarëve

    Lame: Ramiz Alia dhe Nano kërkonin të “manipulonin” hetimet

    “Telefonatat me Kryeministrin, ndërsa ai ishte në shtëpinë e kreut të PPSH-së dhe i jepte vetes rëndësi”

    Bilanci tragjik i 2 prillit dhe dhuna prej policisë


    Në një kohë kur institucionet e shtetit ende nuk kishin vendosur autoritetin e tyre mbi popullsinë dhe vlerësimet në vendngjarje ishin tepër të vështira, hetimet për ngjarjen e 2 prillit 1991 dukej se kishin ngecur. Megjithatë, deri diku, hetuesia e kishte të qartë se si kishin ndodhur ngjarjet në Shkodër, që nga grumbullimet e paligjshme, te dalja e situatës nga kontrolli, te tejkalimi i kompetencave nga ana e policisë dhe pamundësia e ekzaminimit të kufomave të katër të vrarëve. Të gjitha këto raportoheshin pranë Kryeministrit të kohës, Fatos Nanos dhe Ramiz Alisë. Ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, në librin e tij me kujtime “Kur shembeshin themelet” (“Onufri”) tregon situatën e ndezur gjatë atyre ditëve, takimet me krerët e lartë të shtetit, përplasjet mes institucioneve. Lame tregon se si Nano e Alia po përpiqeshin të “menaxhonin” situatën në favor të tyre, duke “manipuluar” hetimet.

    TAKIM NË SHKODËR ME PARTITË POLITIKE
    Hetimi i çështjes së 2 prillit 1991 nuk ecte me ritmet dhe shpejtësinë e kërkuar. Disa herë gjatë ditës lidhesha me telefon me zëvendësin dhe kryetarin e Hetuesisë në Shkodër. Zëvendësi më vinte në dijeni për veprimet hetimore që kryheshin.
    Çdo herë zëvendësi e fillonte raportimin me ankesat për vështirësitë në kryerjen e veprimeve hetimore. Nuk paraqiteshin dëshmitarët e kërkuar. Nuk paraqiteshin as të plagosurit dhe ata me dëmtime të tjera trupore dhe të shëndetit. Nuk kishte të dhëna të sakta në spitalin civil, pasi urgjenca kishte punuar me intensitet të madh, për shkak se rastet e urgjencës ishin rritur shumë dhe nuk përballohej dot me mjekët që ishin në dispozicion.
    Porosia ime e vazhdueshme ishte që të mos pritej në zyrë, në hetuesi. Me gjithë vështirësitë e njohura të mungesës së rendit, hetuesit të shkonin vetë në vend, të kërkonin dëshmitarët dhe të administronin sa më parë provat e tjera. Të kërkonin ndihmën e Degës së Punëve të Brendshme, komitetit ekzekutiv, partive politike etj…

    KËRKESË E KRYEMINISTRIT PËR NJOFTIM NGA HETUESIA PËR MEDIAN

    Emri:  fatos-nano-ramiz-alia.jpg

Shikime: 434

Madhësia:  6.5 KB
    Fatos nano dhe ramiz alia

    Isha në zyrë duke punuar, kur në orën 20:30, pas revistës televizive me ngjarjet kryesore të ditës, mori në telefon Fatos Nano.
    -Pse nuk jepni njoftim në RTV? – pyeti.
    -Kemi dhënë një njoftim dy ditë më parë. Nuk kemi gjë tjetër për të informuar. Të bëhen hetime, të administrojmë të dhëna të reja dhe të japim njoftim të ri.
    -Pse, ne do të plotësojmë të metat tuaja?!
    -Çfarë të metash, shoku Fatos? Për çfarë mendoni?
    -Ja për njoftimin.
    -Fatos! Unë dhashë një sqarim për t’u mirëkuptuar. Edhe një herë e përsëris. Ne e dhamë njoftimin në RTV dhe në shtypin e përditshëm. Nuk kemi për të dhënë tjetër, pa bërë hetime.
    -Ai është njoftimi që bëra unë, – tha Fatosi.
    Dihej se, në atë orë, Fatosi ishte në shtëpinë e Ramizit, ku takoheshin për konkluzionet e ditës. Ky fakt përforcohej edhe nga biseda me telefonin sekret. Në shtëpinë ku vazhdonte të banonte akoma, ai nuk kishte telefon me dy numra. Kuptohej se fliste në praninë e Ramizit dhe i jepte më shumë rëndësi pozicionit të tij. Megjithatë, duhej t’i përgjigjesha.
    -Ne bashkë me Prokurorinë kishim bërë njoftimin. Ju kërkuat të bëhej i përbashkët.
    -Jo! Njoftimin e bëra unë.
    -Njoftimin që ju korrigjuat dhe firmosët, e përgatitëm në zyrën e Aleks Luarasit, me një grup pune të përbashkët. Ju bëtë plotësime, pasi ishte bërë formulimi. Në bazë të atij formulimi u vendos qëndrimi në njoftimin e përgatitur më parë nga unë dhe Rrapi.
    Pas këtij sqarimi, Fatosi nuk e zgjati më tej.
    -Veproni më shpejt. Duhet një njoftim për opinionin publik.
    Me kaq e përfundoi bisedën telefonike.
    Pavarësi dhe bashkëpunim i ngushtë në shërbim të situatës politike
    Pushteti ekzekutiv dhe ai gjyqësor vepronin të pavarura dhe njëkohësisht bashkëpunonin ngushtë për të përballuar dinamikën e madhe që impononte situata e rëndë politike dhe shoqërore.
    Këshilli i Ministrave, si organ i pushtetit ekzekutiv, nuk kishte të drejtë të kërkonte raport dhe nuk kishte të drejtë të jepte urdhra në marrëdhëniet me organet e drejtësisë, ku përfshihej Gjykata, Hetuesia dhe Prokuroria.
    Në situatën e rëndë të krijuar, kishte rëndësi bashkëpunimi për zgjidhjen në kohë të problemeve të rënda që dilnin dhe marrjen me përparësi të masave nga secili organ për rregullimin e gjendjes, mbrojtjen e rendit juridik dhe garantimin e sigurisë e të qetësisë së shtetasve.
    Për rëndësinë e mbrojtjes së interesave të larta kombëtare dhe të veprimtarisë sa më të efektshme dhe me shpejtësi të organeve shtetërore, duke u respektuar pavarësia kushtetuese e secilit organ të ekzekutivit dhe të drejtësisë, u vendosën raporte më të afërta dhe të përditshme për informimin reciprok dhe koordinimin e masave të përbashkëta.

    * * *
    U ktheva në Tiranë rreth orës 19:30. Ndalova te Këshilli i Ministrave. Aleksin e gjeta në zyrë duke punuar. Ishte bashkë me Rrapi Minon. Biseduam për mbledhjen dhe e lamë të niseshim të nesërmen, në orën 7:00, pasi mbledhja ishte caktuar në orën 9:00.
    Në orën 22:30, kur isha akoma në zyrë, mori në telefon Aleksi.
    -Shoku Qemal, nesër, në orën 8:00 ju pret në zyrën e tij shefi i madh (me këtë emërtim nënkuptohej Ramiz Alia)…
    Mora në telefon në Shkodër për t’u interesuar për raportin që duhej të përgatiste zëvendësi, Feriti, për hetimet e zhvilluara. Nuk gjeta njeri në zyrë.
    Në mëngjes, në orën 7:00, vajta në zyrë. Mora në telefon në Shkodër. Zëvendësi, Feriti, në raportoi se kishte përgatitur raportin për mbledhjen me partitë politike.
    Takimi me Ramiz Alinë për çështjen e Shkodrës
    Në orën 7:30 vajta te sekretari i përgjithshëm, Aleksi, në zyrën e tij. Rrapi priste në zyrën e vet.
    Bashkë me Aleksin shkuam në Komitetin Qendror për t’u takuar me Ramiz Alinë. Ishte një zgjidhje e mirë emërimi i Aleksit në këtë post të lartë në Kryeministri. Ai ishte njeri i drejtë, me karakter, mbante marrëdhënie të mira me secilin, ndërmjetësonte dhe pritej me kënaqësi mendimi i tij, si një nga juristët më të mirë. Bashkë ruanim marrëdhëniet e mira që nga Fakulteti Juridik, ku ai vetë u interesua që të bëhesha anëtar i katedrës së Teorisë së Shtetit dhe të së Drejtës, që drejtonte.
    Pritëm në paradhomë, pasi nuk kishte ardhur akoma në zyrë.
    - Pas pak do të vijë, – na tha ndihmësi, Nexhmedin Dumani.
    Pas orës 8:00 erdhi Ramiz Alia. U përshëndetëm dhe hymë në zyrë.
    -Çfarë keni menduar për të thënë në Shkodër? – pyeti.
    -Do të dëgjohet raporti i Hetuesisë dhe i Prokurorisë, – u përgjigj Aleksi. Do të vijë edhe Prokurori i Përgjithshëm, veç dy ministrave që u bisedua.
    Ndërkohë erdhi Fatos Nano dhe u ul në karrigen përballë. Unë isha majtas dhe Aleksi djathtas, në tavolinën e Ramizit.
    Ndërkohë hyri në zyrë ndihmësi, Nexhmedini, dhe tha se:
    -Shoku Rrapi Mino pyet për shokun Aleks, se kur do të nisemi për në Shkodër.
    -Ku e di Rrapi që ti Aleks je këtu! – pyeti Ramizi.
    -Nuk e di. Do të ketë pyetur ndoshta.
    -I the ti Nexhmedin se është këtu?
    -Jo.
    -Rrapi do të thotë që ju ishit këtu. Do të merret vesh që biseduam më parë. I thuaj Rrapit se nuk është këtu Aleksi.
    Pas kësaj ndërprerjeje, Ramizi u drejtua nga unë.
    -Qemal, më shpjego se si shkon hetimi i çështjes.
    Relatova gjendjen e hetimit, pyetjen e dëshmitarëve, ekspertimet, marrëdhëniet me Partinë Demokratike për hetimin etj. Pastaj theksova disa shqetësime që kishte në popull:
    1. Hetimet janë në fazën e mbledhjes së provave. Kemi një tablo të përgjithshme të ngjarjes, e cila kërkohet të hetohet në mënyrë të gjithanshme për të mundur të kalohet në fazën e nxjerrjes së konkluzioneve për shkeljet ligjore dhe fajësinë e personave të dyshuar.
    2. Në pikëpamje të shkeljeve ligjore, ka shkelje nga manifestuesit për grumbullimet e paligjshme. Grumbullimet kanë qenë të paligjshme. Presionet ndaj forcave të rendit kanë qenë të mëdha. Është kërkuar disa herë shpërndarja, është kërkuar ndihma e drejtuesve të Partisë Demokratike dhe e deputetëve demokratë. Këta kanë reaguar drejt me thëniet për shpërndarje. Por, pas çdo shpërndarjeje, është shtuar më tej grumbullimi i njerëzve dhe thirrjet kundër komunizmit dhe kundër pushtetit popullor…
    3. Manifestuesit dhe forcat e rendit kanë humbur kontrollin. Situata është acaruar në kulm para Komitetit të Partisë së Punës. Manifestuesit donin të hynin në godinë. Forcat e rendit kanë vepruar për t’i zmbrapsur. Në këtë kundërveprim të dyanshëm është përdorur dhunë reciproke.
    4. Dhuna është përshkallëzuar dhe është kaluar në përleshje të armatosura. Janë përleshur, janë bërë goditjet e para me gurë nga manifestuesit, janë hedhur lëndë eksplozive. Kur janë dëgjuar të shtëna armësh, kanë qëlluar në ajër edhe forcat e rendit për të zmbrapsur manifestuesit që sulmonin. Situata ka dalë nga kontrolli. Ky është varianti që jepet nga Policia. Nga ana tjetër, dëshmitarët thonë se policia qëlloi e para dhe pastaj u përkeqësua situata. Ky është varianti që mbron Partia Demokratike dhe akuzon direkt se policët qëlluan direkt ndaj manifestuesve dhe u vranë katër persona.
    5. Ka tejkalime të kompetencave për përdorimin e armëve, grabitje të armëve, plagosjen dhe marrjen e armës së zëvendësshefit të policisë.
    6. Pasojat janë të rënda. Kanë ndodhur katër vrasje, 13 civilë të tjerë, nga të cilët 10 me armë zjarri, djegie të dy mjeteve të blinduara dhe 7 automjeteve. Nga forcat e rendit janë plagosur 7 policë, nga të cilët një me armë zjarri dhe një me lëndë eksplozive, si dhe 13 të tjerë të lënduar. Pas kësaj, forcat e rendit janë tërhequr. Është djegur me benzinë dhe shkatërruar me lëndë eksplozive godina etj.
    8. Nuk janë zbatuar në kohë rregullat procedurale për veprat e kryera në flagrancë. Nuk janë bërë ndalime të personave që kanë vepruar aktivisht dhe kanë shkaktuar vrasje, plagosje, shkatërrime dhe dëmtime etj.
    10. Nuk është krijuar akoma baza ligjore për të vlerësuar shkeljet e ligjit, veprat e kryera dhe përgjegjësinë konkrete të personave që dyshohen dhe evidentohen prova për fajësinë e tyre…
    -Këto i di të tëra. I kam lexuar nga informacionet dhe dëgjuar më parë edhe në lajmet nga njoftimet e bëra. Tani më krijohet një tablo më komplekse për ngjarjen dhe masat që duhen marrë.
    -Mendim të keq ka krijuar largimi i Xhemal Dymyles, me anë të shkallëve nga kati i dytë prapa godinës së Komitetit.
    -Xhemali të paktën nuk ka qëlluar. Ç’të bënte tjetër!
    -Në Shkodër është hapur edhe një mendim tjetër, në formën e një thashethemi. Flitet se vrasja e katër personave, të cilët janë me fe myslimane, janë bërë nga katolikët.
    -Kot përhapen, – ndërhyri menjëherë.
    -Ky problem ka dalë nga pyetja e dëshmitarëve dhe do të sqarohet në hetim, në masat që po merren dhe verifikimin e versioneve të mundshme hetimore, sipas provave, për zbulimin e autorëve të ngjarjes. Kështu siç flitet, në mënyrë të përgjithshme, nuk mund ta marrim të mirëqenë një thashethem, apo një dëshmi që nuk vërtetohet me prova gjatë hetimit.
    Problemi më i madh është pakënaqësia në popull për ngjarjet e rënda, sidomos të vrasjeve. Organet e punëve të brendshme vlerësohen fajtore për pasojat e ardhura dhe kërkohet të merren nën përgjegjësi penale personat që urdhëruan të qëllohet dhe personat që kryen vrasjen e katër manifestuesve dhe disa të plagosur.
    Opinioni shoqëror nuk i koncepton dot shkeljet e ligjit për manifestimet e paligjshme. Nuk kemi akoma prova dhe të dhëna konkrete për problemet e ngritura nga Dega e Punëve të Brendshme, ku akuzohet Partia Demokratike për nxitjen, thirrjet dhe organizimin e manifestimeve. Akuzat ndaj Partisë Demokratike dhe deputetëve që kanë marrë pjesë në manifestimet kanë vështirësinë tjetër të dokumentimit ligjor, pasi nuk ka dëshmitarë që ta vërtetojnë. Nga njëra anë del se publikisht drejtuesit e Partisë Demokratike dhe deputetët, me kërkesën e policisë, kanë reaguar duke bërë thirrje për shpërndarje dhe qetësi. Kjo vë në dukje edhe interesimin e tyre. Nga ana tjetër, pa u paraqitur të dhëna dhe prova të Hetuesisë, mbrohet dyshimi nga Sigurimi i Shtetit dhe Policia, se po këta persona me rëndësi kanë organizuar me strukturat dhe simpatizantët e tyte pjesëmarrjen masive të popullit në manifestime, daljen e nxënësve të shkollave, të punëtorëve, duke lënë punën dhe mësimin. Këto nuk janë bërë në mënyrë spontane.
    Me këto qëndrime është përsëritur e njëjta situatë, si në rastin e hetimeve të çështjes para Shkollës së Bashkuar.
    E metë që ndikon negativisht është moskryerja e ndalimeve dhe vënia para përgjegjësisë e fajtorëve, sidomos për vrasjet. Kjo ndikon që të nxitet mendimi se çështja po manipulohet, që të mbyllet dhe të mos vihen fajtorët para përgjegjësisë penale, por t’u kalojë përgjegjësia atyre që organizuan manifestimet e paligjshme.
    Problem ligjor dhe shoqëror është pamundësia e këqyrjes ligjore të kufomave. Nuk kemi të dhëna konkrete për plagët e shkaktuara, me çfarë janë shkaktuar, plumba apo mjete të tjera të mundshme që kanë shkaktuar vrasjen. Familjarët nuk pranuan këqyrjen e kufomave. Pa këqyrjen e kufomave, nuk mund të vërtetohet se si janë vrarë, cilat ishin armët ose mjetet e përdorura etj. Hetuesia do të kërkojë ekzumimin e kufomave. Realizimi i kësaj detyre shumë delikate përbën problemin e madh të komunikimit me familjarët, të rolit që do të luajë Partia Demokratike, si dhe reagimit të popullit. Këtë do të përpiqemi, me të gjitha mundësitë për komunikim dhe mirëkuptim, ta realizojmë.
    Këto janë problemet kryesore ku Hetuesia ballafaqohet me kërkesën për zbatimin e ligjit dhe kryerjen e hetimeve të plota e të gjithanshme, duke synuar mirëkuptimin dhe mbështetjen nga populli dhe forcat e rendit.
    Zbulimi i së vërtetës kërkon bashkëpunim me organet e punëve të brendshme dhe Prokurorinë. Drejtuesit e Degës së Punëve të Brendshme bëjnë përgjegjëse Partinë Demokratike dhe vënë në dukje se forcat e rendit bënë detyrën, duke u sakrifikuar me pasojat e plagosjes së zëvendësshefit të policisë dhe policëve. Këto mendime ndikojnë që të vlerësohen të njëanshme dhe kundër Policisë dhe Sigurimit të Shtetit kërkesat e Hetuesisë për shkeljen e ligjit për përdorimin e armëve, tejkalimin e kompetencave etj.
    Ramizi kërkoi mendim për masat që mund të merren…
    Ramiz Alia dhe Fatos Nano në këtë rast vlerësuan masat që unë parashtrova për rregullimin e gjendjes. Të dy u shprehën duke mbajtur qëndrim pozitiv për zbulimin e së vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë të fajtorëve. Por nuk u treguan të sinqertë. Me manovrën e vlerësimit të hetimit për zbulimin e së vërtetës, ata donin në të vërtetë të sugjestiononin dhe në mënyrë të kamufluar të impononin mendimet e tyre, që hetimet të përqendroheshin në situatën kur përleshja midis demonstruesve dhe forcave të rendit doli jashtë kontrollit dhe të dyja palët nuk përmbaheshin. Gjatë konfrontimit fizik, policët kanë përdorur armët, duke tejkaluar kompetencat e tyre dhe shkaktuan pasojat e vrasjeve.
    Nga afërsia që treguan me mua dhe mendimet e kujdesshme që jepnin, kuptohej se ata donin që të zbehej përgjegjësia e policisë dhe të mos thellohej hetimi për të kërkuar përgjegjësinë për urdhrin e dhënë nga lart. Me qëllim, theksuan se duhej sqaruar me anë të hetimit se si ishte vepruar në ato momente të vështira, të kundërvënieve dhe përleshjeve midis forcave të rendit dhe demonstruesve, të daljes jashtë kontrollit të situatës dhe kryerjes së veprimeve në kushtet e tejkalimit të kompetencave nga policët që qëlluan kundër demonstruesve.
    Në këtë manovër të menduar me kujdes, Ramizi kërkoi të përfshiheshin edhe forcat politike dhe të bëhej një deklaratë e përbashkët. Kjo u arsyetua se do t’i shërbente qetësimit të gjendjes politike. Me këtë argument, ai kërkonte që përfaqësuesit e forcave politike të ndikoheshin nga konkluzionet që jepeshin nga lart, të thoshin publikisht mendimin e tyre pro dhe të përfshiheshin në realizimin e masave për përmirësimin e gjendjes. Duke u shkruar një dokument i përbashkët forcave politike të përfshira në këtë marrëveshje të publikuar, do të duhej t’u përmbaheshin konkluzioneve të përbashkëta dhe nuk do të mundeshin të vazhdonin më tej luftën politike të njëanshme dhe të hiqnin dorë nga kërkesa për të vënë para përgjegjësisë fajtorët kryesorë që urdhëruan për të qëlluar. Kështu, nuk do të kërkohej më përgjegjësia për urdhëruesit nga lart. Përdorimi i armëve do të vlerësohej si veprim në kushtet e flagrancës, për shkak të daljes jashtë kontrollit të situatës dhe të tejkalimit të kompetencave nga drejtuesit e Degës së Punëve të Brendshme
    Në fund të bisedës, Ramizi theksoi porositë për t’u përqendruar në problemet kryesore të hetimit dhe masat për rivendosjen e rendit publik, marrëdhëniet me popullin, marrëdhëniet me partitë politike, qetësimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit.
    -Unë, – theksoi ndërmjet të tjerave, – vlerësoj vështirësitë… grumbullimi është i paligjshëm. Është qëlluar ndaj forcave të rendit… Mund të ketë tejkalim kompetencash. Ka pasoja nga të dyja palët… Në përfundim, të bëhet një deklaratë që të firmoset nga forcat politike dhe drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv.
    -Ke detyrë të vështirë, Qemal. Besojmë se do ta zgjidhësh me sukses.
    U përshëndetëm me Ramizin dhe Fatosin dhe dolëm.

    vijon…

    QEMAL LAME

    Panorama

  8. #28
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame dëshmon për historinë

    Debati me partitë politike: Hetimi, një mashtrim

    Takimi me përfaqësuesit e partive në Shkodër për 2 prillin

    Lame: Akuzat ndaj PD-së për organizimin e demonstratave dhe mbrojtja e Policisë

    Zbardhja e fakteve të reja për urdhrin që iu dha Policisë për të qëlluar

    “Në 2 prill 1991 janë përdorur snajperë”


    Bashkëpunimi me partitë politike, atë Demokratike, Republikane, por edhe sindikatat, dilte si domosdoshmëri për kryerjen e hetimeve në lidhje me ngjarjen e 2 prillit 1991. Pas përplasjeve të vazhdueshme mes Hetuesisë dhe Degës së Punëve të Brendshme, kërkesave të vazhdueshme nga Fatos Nano e Ramiz Alia për ecurinë e hetimeve, më në fund u ra dakord që të zhvillohej një takim në Shkodër me përfaqësues të institucioneve përkatëse dhe të partive politike. Ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, rrëfen se si u zhvillua ky takim. Në librin e tij “Kur shembeshin themelet”, ai tregon debatin mes të pranishmëve për relacionet e sjella nga ana e Hetuesisë dhe Prokurorisë. Përfaqësuesit e partive politike kundërshtuan me forcë raportin e lexuar, ku në një farë mënyre fajësoheshin ata si nxitës të demonstratave, duke akuzuar se organet e hetimit nuk donin të zbardhej e vërteta. Lame tregon se për herë të parë në këtë mbledhje dolën disa të vërteta, si urdhri i dhënë policisë “për të vepruar” dhe vendosja e snajperëve mbi ndërtesat në qendër të Shkodrës.

    Mbledhja e parë e zgjeruar me forcat politike dhe sindikatat
    Mbledhja filloi pasi u prit që të vinte Aleksi. Ishin ftuar dhe morën pjesë përfaqësuesit e partive politike, kryetarja dhe sekretarja e Komitetit Ekzekutiv, një përfaqësues i Partisë së Punës, dy ministra, unë, Rrapi, hetuesit e prokurorët.
    Mbledhjen e hapi Aleks Luarasi. Theksoi problemet kryesore të dala dhe qëllimin e mbledhjes për t’u njohur me rezultatet e hetimit dhe masat që duhen marrë për normalizimin e situatës.
    Pastaj iu dha fjala Ferit Sulës, që të informonte për hetimet e bëra deri atë ditë.
    Më datë 1 prill 1991 ka pasur grumbullime të paligjshme. Edhe më datën 2 prill 1991, në mëngjes, u bënë grumbullime të paligjshme. Në fillim janë mbledhur te Partia Demokratike dhe pastaj janë nisur dhe tubuar te sheshi para Komitetit të Partisë së Punës. Dega e Punëve të Brendshme, me shkresë, ka kërkuar nga Partia Demokratike që të qetësohet gjendja. Janë grumbulluar 20-30 mijë njerëz. Kanë qëlluar me gurë e me lëndë plasëse në drejtim të policisë dhe pastaj policia është përgjigjur me të shtëna me armë për vetëmbrojtje.
    Këto të dhëna të hetimit ngjallën menjëherë reagime dhe polemikë të ashpër. U bënë sqarime se këto ishin të dhëna të administruara në hetim dhe nuk vazhdonte hetimi. Qëllimi ishte informimi transparent dhe pa paragjykim. Duke informuar, kërkohej që secili të jepte mendime që të thelloheshin hetimet, të zbulohej e vërteta dhe të qetësohej situata.
    Çdo sqarim vlerësohej i qëllimshëm dhe si tendencioz, për të mos u zbuluar e vërteta.
    Ali Spahia dhe Xhemal Uruçi, nga Partia Demokratike, Reshat Rrapishta, kryetar i Partisë Republikane, përfaqësuesi i sindikatave të pavarura, kundërshtuan kategorikisht të dhënat hetimore të relatuara. Protestonin me zë të lartë:
    Hetimi është mashtrim. Tani po del qartë se nuk po zbulohet e vërteta. Ju po e mbyllni. Ky është version i padrejtë. Nuk vihet para përgjegjësisë policia, por nxënësit e shkollave dhe populli. Protestojmë!
    Reagimet kundër relatimit të bërë shkaktuan prishjen e mbledhjes
    Zëvendësi im, Feriti, kishte relatuar si një punonjës i Degës së Punëve të Brendshme dhe jo si një hetues.
    I tërhoqa vëmendjen disa herë që të fliste duke pasur parasysh më parë reagimet e mundshme, por ai ishte i pozicionuar në qëndrimin e tij. Nuk paraqiti problemet, duke i kushtuar vëmendje paanësisë së hetimeve dhe përpjekjeve publike të bëra nga Partia Demokratike, për shpërndarjen e demonstruesve dhe qetësimin e situatës, për kundërshtimet për rezultatin e zgjedhjeve. Duke u ndalur kryesisht në reagimet e Degës së Punëve të Brendshme dhe duke mos u përmendur reagimi pozitiv, në prani të policisë, i drejtuesve të Partisë Demokratike dhe deputetëve të saj, u krijua mendimi se po akuzohej Partia Demokratike.
    Ky ishte një gabim i rëndë, që dëmtoi mbledhjen dhe qëllimin për të cilin ishte organizuar. Duhej gjetur një mundësi për konsultime dhe zgjidhje për përmirësimin e gjendjes. Nuk duhej vënë theksi te gabimet e pjesëmarrësve.
    Megjithatë, mbledhja vazhdoi. Feriti u mundua të reagojë, por me shumë vonesë. Ai nuk dëgjohej më nga të pranishmit. Nuk kishte asnjë mendim, as edhe për vështirësitë objektive.
    Pas Feritit, raportoi Kiço Koçi, drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Ligjshmërisë në Hetime, në Prokurorinë e Përgjithshme. Edhe Kiçoja parashtroi konkluzionet e prokurorëve me të njëjtat probleme e mendime, si edhe Feriti. Që në fjalën e parë tha:
    Jam dakord me konkluzionet e shokut Ferit.
    Ky referim i Prokurorisë me konkluzione të njëjta me Hetuesinë, nuk u pranua dhe shtoi më tej protestën. Reagimi ishte edhe më i ashpër. U bënë të njëjtat akuza për Hetuesinë dhe për Prokurorinë. U theksua prej tyre se:
    - Ka marrëveshje midis Hetuesisë, Prokurorisë dhe Degës së Punëve të Brendshme për të mbyllur procesin dhe për të mos zbuluar të vërtetën. Hetimet e zhvilluara nuk janë të plota dhe lënë të kuptohet se ata duan që të akuzojnë Partinë Demokratike. Nuk flitet për përgjegjësinë e policisë që vrau katër njerëz…
    U kërkua të bëheshin pyetje për raportimet e bëra. Pyetjet u shoqëruan me akuza të rënda për mbylljen me qëllim të hetimeve.
    Në kushtet e një konfuzioni të plotë, nuk mund të vazhdohej më.
    U bë pushim.
    Bisedohej në grupe të ndryshme, nga drejtuesit e Partisë Demokratike dhe deputetët, hetuesit dhe prokurorët, Dega e Punëve të Brendshme, përfaqësuesi i Partisë Republikane dhe i sindikatave dhe, në ndonjë rast, Ali Spahia me Aredin Shytin.
    Feriti iu përgjigj pyetjeve të bëra, duke sqaruar hetimet dhe të dhënat e administruara. Por mënyra se si ai foli, krijoi reagim, duke u theksuar fodullëku dhe njëanshmëria në vlerësimin e problemeve.
    Niveli politik dhe kultura e komunikimit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe të Partisë Republikane, si mjekë, inxhinierë, pedagogë etj., ndikonte që argumentet e tyre të ishin më të plota, në krahasim me shpjegimet thjesht juridike të Hetuesisë dhe Prokurorisë. Argumentet që parashtruan këta përfaqësues të partive politike në opozitë, si dhe të sindikatave, ndihmuan të sqaroheshin disa probleme kryesore:
    U kërkua me forcë që të mos arrestohen policë, por drejtuesit dhe ata që kishin dhënë urdhër. U insistua të mos bëhen ndalime dhe keqtrajtime të qytetarëve, siç kishte ndodhur në çdo rast të manifestimeve të bëra në Shkodër.
    Aredin Shyti pranoi se ngjarja e ndodhur nuk është informuar sa duhet:
    Duhet të pranojmë se ngjarja ka ndodhur ndryshe nga sa është njoftuar. Në fillim kanë qenë forcat e policisë që kanë përdorur armët, por ato kanë qëlluar në ajër. Insistoj se ato kanë qëlluar në ajër. Pasi qëlloi policia, është sulmuar nga personat e grumbulluar në drejtim të Komitetit të Partisë së Punës e janë bërë djegiet e shkatërrimet.
    Dilaver Papare diskutoi njëlloj si edhe Aredini për zhvillimin e ngjarjes. Për përgjegjësinë e tij direkte, për urdhrin “veproni”, e tha vetë kur ishte në zyrën e kryetares. Pas insistimit nga Xhemal Uruçi, ai shpjegoi:
    Meqenëse thua ti, Xhemal, unë e pranoj se kam thënë: “veproni”! Por nuk e mbaj mend mirë.
    Për herë të parë dëgjova në këtë mbledhje se në Shkodër ishin vënë në përdorim snajperë, në lartësi, në datën 2 prill 1991 në mëngjes, për të parandaluar ngjarje të tjera. Kjo e dhënë nuk ishte deklaruar në materialet që Dega e Punëve të Brendshme kishte dërguar në Hetuesi dhe as pjesëtarët e forcave të rendit që pyeta nuk kishin dhënë shpjegime. Personeli i hotel “Rozafës” kishte protestuar energjikisht dhe snajperët ishin hequr sapo ishin vendosur. Në Radio Shkodra nuk kishin pranuar të viheshin snajperë. Megjithatë, Aredini dhe Dilaveri nuk pranuan që snajperët të kenë vepruar më datën 2 prill 1991. U insistua që nuk ishte qëlluar me snajper në drejtim të manifestuesve dhe vdekjet nuk janë shkaktuar prej tyre.
    Terezina Marubi dha shpjegime për problemet që kishte dijeni nga problemet e dërguara nga Dega e punëve të Brendshme. Pastaj kritikoi hetimin e çështjes dhe kontrollin e prokurorit, që nuk kishin sqaruar akoma ngjarjen. Në fund kërkoi të shpejtohej hetimi i çështjes.
    Pas Terezës, e mora unë fjalën.
    U ndala në detyrat për të thelluar hetimin e plotë e të gjithanshëm dhe kryerjen shpejt të veprimeve hetimore. Mbajta qëndrim kritik për relatimin që bëri Feriti, i cili nuk sqaroi mirë mënyrën e zhvillimit të ngjarjes, sidomos të acarimit të situatës pasi policia qëlloi dhe jo pasi qëlluan nga radhët e manifestuesve. Me të drejtë pranova kritikën që bënë përfaqësuesit e Partisë Demokratike për mekanizmin e ngjarjes, sidomos të acarimit të situatës për shkak të përdorimit të armëve nga policia.
    Jam i pikëlluar për ngjarjen tragjike, të dhimbshme dhe të padëshiruar! Janë vrarë katër persona, plagosur mbi 23 të tjerë. Megjithatë nuk është arritur të vërtetohet se kush është fajtor për këto pasoja të rënda (Sapo fillova diskutimin me këto fjalë, pashë se përfaqësuesit e partive politike e ndien veten më të qetësuar dhe treguan interesim. Asnjë personalitet shtetëror nuk kishte shprehur pikëllim për ngjarjen.)
    Shqetësimin që ka populli për ngjarjen dhe zbulimin e së vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë penale të fajtorëve e vlerësoj të drejtë. Për këtë vlerësoj edhe përgjegjësinë që kemi si Hetuesi, që nuk kemi vënë akoma para përgjegjësisë penale fajtorët. Hetimi do të shkojë deri në fund, për të zbuluar të vërtetën dhe vënë para përgjegjësisë fajtorët. Është e drejtë kritika që policët e thjeshtë të mos ndalohen dhe arrestohen, por drejtuesit që kanë dhënë urdhër për përdorimin e armëve. Kërkoj ndihmën e partive politike, të sindikatave, të personaliteteve të njohura, të intelektualëve, për kryerjen e veprimeve hetimore, pyetjen e dëshmitarëve, denoncimin në hetuesi të atyre që kanë shkelur ligjin, të atyre që kanë qëlluar dhe shkaktuar vrasjet, zgjidhjen e problemit të shkakut dhe të mënyrës së vrasjeve, armëve të përdorura. Hetuesia do të shpejtojë hetimet në shërbim të qetësimit të gjendjes dhe plotësimit të kërkesave që ka populli dhe partitë politike, organet shtetërore. Ka rëndësi që të gjithë të kontribuojmë në qetësimin e situatës. T’i japim popullit sigurinë dhe të garantojmë rendin për një jetë normale. Në këtë drejtim është e domosdoshme që me mirëkuptim dhe me konsensus të zgjidhim mosmarrëveshjet, të gjejmë mënyrën dhe masat më të efektshme për të funksionuar shteti, të zbatohet ligji, të luftohet kriminaliteti që është shtuar shumë dhe ka krijuar shqetësime në popull.
    Pas meje, e mori fjalën Rrapi Mino.
    Edhe unë e vlerësoj shqetësimin për hetimin e çështjes, si edhe shoku Qemal. Po punojmë bashkërisht që hetimet të bëhen shpejt, të zbulohet e vërteta dhe fajtorët të vihen para përgjegjësisë penale. Prokuroria do të veprojë me të gjitha mundësitë që ligji të zbatohet, në hetimin e çështjes. Po kështu do të kërkohet edhe përgjegjësia për shkeljet e ligjit. Kërkojmë që të bëhen kallëzime në Hetuesi dhe të ndihmohet që të paraqiten dëshmitarët që kanë dijeni për vrasjet dhe shkeljet e ligjit, dëmtimet dhe shkatërrimet.
    Në fund e mori fjalën Aleks Luarasi, për të bërë konkluzionet e mbledhjes.
    Vlerësoi ngjarjen të rëndë, kritikoi raportin e Hetuesisë dhe të Prokurorisë:
    Gjendja është e dhimbshme dhe e padëshirueshme. Të metat në hetim nuk duhet të kishin ndodhur. Raporti i Hetuesisë dhe i Prokurorisë i paraqitur nga dy shokët që folën, nuk ishte përgatitur mirë. Me të drejtë u bënë shumë kritika. Mendoj që nga mbledhja të dilet me një mendim të përbashkët dhe ta nënshkruajmë.
    Parimisht të gjithë ishin dakord me këtë mendim.
    Pasi u arrit ky konsensus, Aleksi parashtroi:
    Të parashtrojmë problemet kryesore për grumbullimet e paligjshme, goditjen e forcave të policisë, tejkalimin e kompetencave. Këto t’i formulojmë në pesë pika, sipas mendimit që arritëm (Në fakt, ato ishin problemet që u orientuan nga Ramizi).
    Argumentet e paraqitura për mendimin e përbashkët u kundërshtuan me forcë nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe asaj Republikane, sindikatat. Thanë disa herë se nuk ishin dakord. Menduam se u morëm vesh, por kjo paska qenë e padobishme.
    Pas shumë replikash, më në fund u la që redaktori i televizionit, gazetari Alfons Gurashi dhe telekronistët të japin njoftim vetë duke pasqyruar në mënyrë objektive konkluzionet e mbledhjes në mënyrë të parakohshme, në pritje të konkluzioneve të hetimit të çështjes.
    Kështu përfundoi kjo mbledhje me rëndësi, rreth orës 17:00, pas 5 orësh diskutime.
    Vlerësimi pozitiv dhe të metat e organizimit të mbledhjes
    Mbledhja ishte e domosdoshme të bëhej. Pati dëshirë për të çuar deri në fund punën për zbulimin e së vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë të fajtorëve kryesorë.
    Iu kushtua me të drejtë rëndësi faktit se kush qëlloi i pari me armë dhe u pranua me konsensus se policia kishte qëlluar e para me armë. Kjo vërtetoi pretendimin e Partisë Demokratike dhe hodhi poshtë të dhënat e informacionit të Degës së Punëve të Brendshme, se përdorimi i armëve nga policia u shkaktua si reagim, pasi nga manifestuesit u përdorën armë dhe u hodhën lëndë eksplozive.
    U kërkua me të drejtë përgjegjësia e personave kryesorë që kishin kompetenca për të dhënë urdhër dhe u bë diferencimi i policëve që kishin zbatuar urdhrin e dhënë nga lart.
    Mbledhja nuk do të arrinte qëllimin e saj, pasi ajo nuk u përgatit me kujdesin e duhur.
    Secila palë kishte ardhur kryesisht me vlerësime të paragjykuara. Interesat e njëanshëm politikë dhe përgjegjësia për pasojat e rënda ndikonte që të zbehej dëshira për të diskutuar së bashku shqetësimet dhe me konsensus të parashikoheshin masat përkatëse për rregullimin e gjendjes shumë të tensionuar.
    Nuk u koordinua mirë midis Hetuesisë, Prokurorisë dhe Degës së Punëve të Brendshme. Raportimet ishin përgatitur dhe u bënë në formën e një mbledhjeje për analizën e hetimit. Nuk u tërhoq vëmendja për gjendjen dhe problemet e përbashkëta, për të lehtësuar hetimet dhe zbulimin e së vërtetës. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe statusi i tyre i deputetit kërkonte vlerësim që të evidentohej edhe roli pozitiv, që kishin luajtur në ngjarje. Kjo nuk u theksua dhe ndikoi negativisht, kur u vunë në dukje vetëm shkeljet e ligjit për manifestimet.
    Qëndrimet kryesore për ndalimet e paligjshme dhe shkaqet që çuan në acarimin e situatës, u vlerësuan në mënyrë të njëanshme, për të shmangur përgjegjësinë për ngjarjen.
    Çdo organ që kishte detyra ligjore, që lidheshin me ngjarjen, përqendronte vëmendjen dhe kërkonte të njiheshin shkeljet ligjore të kryera nga të tjerët. Pak pranoheshin gabimet. Edhe për shkeljet në flagrancë gjendeshin pretendime për të mënjanuar fajësinë e një subjekti politik ose të forcave të rendit dhe kalimin e përgjegjësisë te forcat e tjera politike. Kështu nuk vihej sa duhej në pah shqetësimi për zbulimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të fajtorëve për vrasje, plagosjet dhe shkatërrimet. Nuk u tregua gatishmëri për mirëkuptim dhe bashkëpunim për të ndihmuar pa paragjykime për zbulimin e shpejtë të së vërtetës dhe vënien e personave fajtorë para përgjegjësisë penale.

    vijon…

    QEMAL LAME

    Panorama

  9. #29
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame dëshmon për historinë

    Lame: Si u korrigjua njoftimi për 2 prillin me ndërhyrjen e Nanos

    Përgatitja e njoftimit të Këshillit të Ministrave për Shkodrën

    Alia shtoi frazën: Policia ka qëlluar sipas rregullave. Ka pasur tejkalim kompetencash nga disa punonjës

    Relacioni përfundimtar i Hetuesisë së Përgjithshme për 2 prillin

    Ramizi s’pranoi dhënien e urdhrit nga lart, ua la policëve

    Për udhëheqjen e lartë, e rëndësishme ishte që të mos pranohej publikisht që urdhri për të qëlluar mbi protestuesit më 2 prill të vitit 1991, në Shkodër, ishte dhënë nga lart. Në njoftimin e përgatitur me këtë qëllim, vetë Ramiz Alia shkroi me dorën e vet se “Policia ka qëlluar sipas rregullave. Ka pasur tejkalim kompetencash nga disa punonjës”. Jo vetëm kjo deklaratë, por edhe imunitetit që gëzonin udhëheqësit e lartë të shtetit, nuk lejonte që të kryheshin hetime kundrejt tyre, kështu që hetimi do të përqendrohej në nivelet më të ulëta. Pas ditë të tëra hetimesh, më në fund do të dilej me një qëndrim dhe raportim zyrtar, që do të jepej edhe në Televizionin Shqiptar. Në librin e tij me kujtime (“Onufri”) ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, tregon se si u përgatit njoftimi i Këshillit të Ministrave për mbledhjen e Shkodrës, interesin e drejtpërdrejtë të Fatos Nanos e Ramiz Alisë, të cilët bënë vërejtjet dhe korrigjimet e duhura.

    Të nesërmen, më 13 prill 1991, në orën 8:00, shkova në zyrën e Aleks Luarasit, për të përgatitur njoftimin për mbledhjen e djeshme në Shkodër. Vajtëm së bashku për të biseduar me Fatos Nanon.
    Përse janë vonuar hetimet, – pyeti në mënyrë kritike Fatosi.
    Hetimet janë bërë me aq mundësi sa kanë pasur hetuesit, – e sqarova. – Hetuesit kanë vepruar me përgjegjësi dhe nuk janë tërhequr nga vështirësitë dhe kërcënimet direkte edhe për jetën e tyre. Vonesa nga Hetuesia nuk ka.
    Aleksi më raportoi se Hetuesia nuk ka punuar mirë.
    Në mbledhjen e djeshme u bënë vërejtje me të drejtë. Reagime të menjëhershme pati për raportimin e bërë nga Ferit Sula, që parashtroi versionin zyrtar të deritanishëm, të provokimit të forcave të rendit nga demonstruesit dhe pastaj të reagimit, në përgjigje nga forcat e rendit. Unë e kisha orientuar në qëndrimin e kujdesshëm për vënien në dijeni të hetimeve të bëra dhe vështirësive që konstatoheshin, për të tërhequr vëmendjen në detyrat për zbulimin e së vërtetës dhe kontributin që pritej nga forcat politike për hetimin e shpejtë dhe qetësimin e situatës. Kjo nuk u bë prej tij, pasi nuk tregoi aftësi që të japë tablonë e hetimeve dhe qëndrimeve të forcave të rendit, pasojave të ndodhura, të parashtronte detyrat për shpejtësinë e hetimit dhe zbulimin e së vërtetës, si dhe të parashikonte reagimet e forcave politike, për të dhënë kontributin e tyre. Kjo detyrë e vështirë nuk arriti të realizohej. Mbledhja ishte menduar mirë që të organizohej, por përgatitja për rezultatin pozitiv të asaj që kërkohej, nuk u bë e mundur të arrihej. Kjo është përgjegjësia e Hetuesisë. Por vonesa për hetimin në kuptimin e vërtetë nuk ka. Hetuesit objektivisht kanë bërë çfarë kanë mundur. Problemet janë shumë komplekse. Zgjidhja e tyre kërkon angazhim të të gjithë aktorëve politikë dhe forcave të rendit e të drejtësisë, besim reciprok dhe transparencë në evidentimin e përgjegjësive për pasojat e rënda dhe krijimin e besimit te familjarët dhe në popullin e Shkodrës, për përpjekjet e gjithanshme për zbulimin e së vërtetës.
    Kundërshtova mendimin për vonesat në hetimin e çështjes, pasi duhej të kuptohej mirë detyra e Hetuesisë dhe vështirësitë që kishin hetuesit. Ky sqarim, duke vënë në dukje përgjegjësinë për rezultatin jo të dëshiruar të mbledhjes me forcat politike në Shkodër, kishte rëndësi që të dilte qartë puna e Hetuesisë dhe e organeve të punëve të brendshme. E njëjta kritikë ishte bërë edhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, më 4 prill 1991, kur akoma Hetuesia nuk kishte pasur mundësi objektive për të kryer veprime hetimore, për shkak të gjendjes së rëndë të pasigurisë në Shkodër, pamundësisë së këqyrjes së vendit të ngjarjes, mosruajtjes së vendit të ngjarjes nga forcat e rendit dhe mosdërgimin prej tyre të dokumenteve dhe provave me rëndësi, në zbatim të kërkesave ligjore për kallëzimin e veprave penale në hetuesi.
    Fatosi dhe Aleksi treguan mirëkuptim për sqarimin e bërë nga unë.
    Në fund, Fatosi porositi që të bëhej njoftimi. Deri në orën 12:00 të hartohej teksti i njoftimit dhe ta shikonim bashkërisht.
    Punuam së bashku me Aleks Luarasin, Rrapi Minon, Aredin Shytin dhe një punonjës të aparatit të Kryeministrisë.
    Siç e kishim lënë më parë, në orën 12:00 vajtëm bashkë me Aleksin dhe shokët e tjerë te Fatosi. Atje gjetëm edhe Gramoz Ruçin.
    Shkëmbyem mendime për njoftimin.
    Kërkova disa të dhëna të fundit për njoftimin. Nga paradhoma e Kryeministrit u lidha me telefon me Flamur Çaton, në Hetuesinë e Përgjithshme. Pastaj kërkova të lidhem me Ferit Sulën dhe Kosta Karanxhën në Shkodër, por nuk ishin në zyrat e Hetuesisë.
    Pasi u bënë disa plotësime, u rishtyp përsëri njoftimi.
    Interesimi i Ramiz Alisë për njoftimin në televizion dhe radio
    Gjatë kohës që po përgatisnim tekstin përfundimtar, mori në telefon Ramiz Alia. Kërkoi të lexonte tekstin e përgatitur.
    Bashkë me Fatos Nanon dhe Rrapi Minon u nisëm për te Ramiz Alia.
    Te dera e zyrës së Kryeministrit, doli për të na përcjellë Gramoz Ruçi dhe na uroi suksese.
    Takimi me Ramiz Alinë për njoftimin
    Ramizi u njoh me materialin e përgatitur për njoftimin në media.
    Ai filloi të bënte disa redaktime. Erdhi edhe Xhelil Gjoni. U bënë shumë mendje për këtë material.
    Unë kisha përgatitur tekstin e parë dhe përmbajtja qëndroi, me gjithë redaktimet e bëra. Ramizi bëri një ndryshim dhe me shkrimin e tij shtoi frazën: “Policia ka qëlluar sipas rregullave. Ka pasur tejkalim kompetencash nga disa punonjës.”
    Aredini e tha mirë idenë e kompetencave, – tha Ramizi. – Se si e tha edhe një formulim tjetër!
    Mori në telefon dhe i doli Gramoz Ruçi.
    Aty e ke Aredinin? – e pyeti.
    Po, shoku Ramiz,-iu përgjigj Gramozi.
    Aredini doli në telefon.
    Aredin! Si e the ti atë fjalën e përdorimit të armës? Bëre një formulim të përshtatshëm.
    Tejkalim kompetencash, shoku Ramiz.
    Këtë e kam parasysh. E kam shkruar. Por një fjalë tjetër sikur më ke thënë. Një term ushtarak.
    Kjo është, shoku Ramiz. Tejkalim kompetencash.
    Mirë, – e përfundoi bisedën Ramizi.
    Biseda telefonike dëgjohej nga të pranishmit, pasi telefoni kishte mikrofon dhe audio. Biseda telefonike nuk mund të dëgjohej kur receptori ngrihej, stakohej automatikisht mikrofoni dhe altoparlanti dhe biseda vazhdonte vesh më vesh.
    Kaluan më shumë se dy orë, duke diskutuar për formulimin dhe kuptimet e ndryshme që mund të bëheshin.
    Rreth orës 15:00, Ramizin e morën në telefon nga shtëpia e tij dhe i thanë se e prisnin për të ngrënë drekën së bashku. Iu tha se nuk do të vonohej.
    Kur u arrit teksti përfundimtar, thirri Nexhmedinin dhe e pyeti se kush mund ta shtypte, pasi në orën 14:00 punonjësit kishin përfunduar orarin e punës.
    Do ta zgjidhim, shoku Ramiz. Do të dërgoj një makinë të marrë sekretaren.
    Të bëhet shpejt, se do të jepet njoftimi në televizion në orën 18:00. Tani është ora 16:20.
    Ramizi u ngrit, na dha dorën mua dhe Rrapit dhe u larguam së bashku.
    U ndalëm në korridor, në pritje sa të shtypej njoftimi dhe ta dërgonim në televizion.
    Unë po lëvizja nëpër korridor.
    Kaloi Xhelili dhe na përshëndeti: “Drekën e mirë!”.
    Pastaj doli Fatosi nga dera e paradhomës së zyrës së Ramizit dhe na përshëndeti edhe ai: “Drekën e mirë!”.
    Po prisnim bashkë me Rrapin, deri sa të rishtypej njoftimi.
    E dëgjove çfarë tha Fatosi pak më parë? – më pyeti Rrapi.
    Jo. Po bëja xhiro. Nuk isha i koncentruar në përshëndetjen e Fatosit.
    I tha Nexhmedinit: “Pse edhe për të shtypur, ne do t’jua shtypim materialin? Pak se jua përgatitëm”.
    Ne bëmë detyrën tonë, Rrapi. Rishtypja e njoftimit në Këshillin e Ministrave u bë pas redaktimit me mendimet e Fatosit. Nuk mund të vihej te Ramizi me tekstin e korrigjuar.
    Tani së fundi, Ramizi kishte mendime për plotësime dhe me dorën e tij bëri një ndryshim. Rregulli i Arkivit në Komitetin Qendror është që dorëshkrimet dhe shënimet origjinale të Sekretarit të Parë mbeten në Komitetin Qendror. Prandaj edhe Ramizi kërkoi ndihmësin dhe i dha porosinë për t’u organizuar shtypja e njoftimit.
    Pas këtij sqarimi, bëra edhe një herë një përmbledhje të punës së kryer, që të përforcoheshin disa konkluzione paraprake të hetimit dhe masave për ta çuar deri në fund zbulimin e së vërtetës.
    Po japim kontributin tonë të mundshëm, me gjithë gjendjen e jashtëzakonshme që vazhdon të jetë në Shkodër, për të realizuar detyrën ligjore për hetimin, si dhe për të ndikuar në përmirësimin e gjendjes politike dhe rivendosjen e rendit publik.
    Teksti që ramë dakord së bashku, bazohej në të dhënat e administruara në mënyrë ligjore në çështjen hetimore. Ligjshmëria e veprimeve të kryera është kërkesë për sqarimin e të gjithë ngjarjes, që nga fillimi, humbjen e kontrollit dhe mospërmbajtjen nga manifestuesit dhe forcat e rendit, përdorimin e forcës në mënyrë reciproke, vënien në përdorim të lëndëve eksplozive dhe të armëve, shkaktimin e pasojave të rënda të vrasjeve, plagosjeve dhe shkatërrimin e ndërtesës etj. Është i qartë për të gjithë tejkalimi i kompetencave dhe rëndimi i ngjarjes nga urdhri për përdorimin e forcës dhe reagimin deri edhe me armë zjarri. Forcat e rendit kanë vepruar me urdhër nga lart.
    Këto konkluzione paraprake ndikuan që të pranohet se policia ka vepruar sipas rregullave dhe ka tejkalim kompetencash. Më parë thuhej vetëm se manifestuesit e paligjshëm provokuan acarimin e situatës dhe bëheshin përgjegjës për pasojat e ardhura. Tani po pranohet edhe përgjegjësia për tejkalim kompetencash nga forcat e rendit.
    Nuk pranohet publikisht urdhri i kërkuar dhe dhënia e këtij urdhri nga organet më të larta. Mospranimi i urdhrit nga lart, kuptohet se bëhet për t’iu shmangur përgjegjësisë politike që kanë urdhëruesit. Po të pranohet urdhri, atëherë populli dhe partitë politike opozitare do të kërkojnë dorëheqjen e Presidentit dhe të Qeverisë. Ballafaqimi midis dy forcave kryesore politike do të jetë më i ashpër. Pikërisht për të shmangur këtë përgjegjësi politike, u kërkua të njihej materiali nga Ramizi. Me anë të njoftimit nga Hetuesia e Përgjithshme, që është kompetente në bazë të ligjit për hetimin e çështjes, do të spostohet vëmendja e opinionit publik kryesisht te hetimet, policia merret në mbrojtje se ka zbatuar rregullat, udhëheqja nuk pohon publikisht dhënien e urdhrit, përgjegjësia për tejkalimin e kompetencave mbetet tek oficerët dhe policët e thjeshtë që përdorën armët kundër manifestuesve.
    Është e para herë që Ramizi po bisedon konkretisht me kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme dhe me prokurorin e Përgjithshëm, për një njoftim zyrtar. Po kështu, është hera e parë që për një çështje hetimore bëhet njoftim zyrtar për opinionin publik, në televizion, radio dhe në gazeta.
    Po të analizohet se çfarë tërhoqi vëmendjen në formulimin e bërë më parë, si dhe mendimi që u dha për korrigjime, konstatohet pikërisht se iu kushtua vëmendje shmangies nga përgjegjësia politike, për urdhrin e dhënë policisë. Sekretari i Parë, kryeministri dhe drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë pasur të njëjtin mendim dhe e futën në njoftim.
    Fatosi donte të njihej me njoftimin e dha mendime në mbështetje të forcave të rendit.
    Ramizi kërkoi, po kështu, të njihej me tekstin e përgatitur dhe bëri një plotësim, duke theksuar se “Policia ka qëlluar sipas kompetencave. Ka pasur tejkalim kompetencash, nga disa punonjës”.
    Ti e dëgjove vetë, që këto dy fraza kishin qenë mendim i ardhur nga Ministria e Punëve të Brendshme.
    Konkluzioni dhe mesazhi është i qartë për mua:
    1. Policia ka vepruar në bazë të kompetencave.
    2. Policia ka qëlluar sipas kompetencave.
    3. Ka pasur tejkalim kompetencash.
    Edhe kaq sa u pranua për tejkalimin e kompetencave, ndikon si orientim dhe kërkesë për hetimin, që të kërkohet përgjegjësia për shkeljen e rregullave dhe të ligjit.
    Hetuesia dhe Prokuroria kërkohet të kenë parasysh këto tri probleme që dalin nga konkluzioni që u theksua për kompetencat ligjore.
    Me anë të këtij formulimi lihet të kuptohet qartë nga të gjithë se policia ka zbatuar detyrat e saj sipas ligjit dhe ka reaguar, po në bazë të ligjit, ndaj demonstruesve që kishin marrë pjesë në një grumbullim të paligjshëm dhe kishin përdorur dhunë ndaj forcave të policisë. Shkaktarë për acarimin e situatës bëhen manifestuesit e dhunshëm. Pasojat e vrasjes kanë ardhur nga përdorimi i armëve. Pranohet se ka pasur tejkalim kompetencash nga disa punonjës. Por nuk thuhet qartë se kush ka qëlluar dhe vrarë manifestuesit. Nuk thuhet qartë se policia veproi në bazë të urdhrit nga lart, siç përcaktohet në rregulloren e policisë, të miratuar nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
    Për hetimin, këto konkluzione kanë shumë rëndësi. Së pari, ka një ndryshim pozitiv në qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshillin e Ministrave dhe në Komitetin Qendror. Pranohet se policia ka vepruar sipas rregullave. Ky pohim të referon në kërkesat e ligjit. Policia ka zbatuar rregulloren. Rregullorja është e miratuar nga organi më i lartë ushtarak, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Së dyti, policia ka kërkuar, sipas shkallës hierarkike, urdhër për të vepruar. Kërkesa është transmetuar. Pasi është analizuar gjendja nga komanda më e lartë, komandanti i Përgjithshëm ka marrë vendim dhe ka urdhëruar forcat e rendit për të vepruar sipas rregullave për mbrojtjen e rendit dhe përdorimin e armëve në rast nevoje.
    Zbatimi i rregullave nga policia, do të thotë se është vepruar në bazë të ligjit. Tejkalimi i kompetencave nga disa punonjës do të thotë se, ata që kanë vrarë, kanë përgjegjësi penale. Policia merret në mbrojtje, për arsye se ka zbatuar ligjin. Ata që kanë tejkaluar kompetencat, kanë shkelur ligjin me veprimet e tyre aktive dhe do të merren në përgjegjësi penale. Organet më të larta ushtarake nuk mund të akuzohen, pasi argumentohet se policia ka vepruar sipas rregullave.
    Me këtë argumentim jepet baza ligjore e urdhrit të kërkuar dhe të dhënë nga lart. Pra, është vepruar në bazë të ligjit dhe të rregulloreve ushtarake nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe zëvendësministri, Aredin Shyti, ministri Gramoz Ruçi, kryeministri Fatos Nano dhe komandanti i Përgjithshëm, Ramiz Alia. Në bazë të Kushtetutës, komandanti i Përgjithshëm, si dhe ministri që është deputet, kanë imunitet parlamentar dhe ndaj tyre nuk mund të bëhen ndjekje penale. Ky është një argument tjetër ligjor. Në mbledhjen në Shkodër u kërkua që të vihen para përgjegjësisë kryesorët, ata që kanë urdhëruar. Qëllimi i tyre ishte që të akuzohen urdhëruesit dhe jo policët e thjeshtë që kanë zbatuar urdhrin. Hetuesia do të bëjë hetimet e nevojshme për të sqaruar urdhrin. Por zbatimi i kompetencave, ligjshmëria e veprimeve dhe kërkesat e imunitetit bëjnë që hetimi të mbetet detyrimisht, në nivelin më të ulët, tek ata që kanë qëlluar dhe vrarë, duke tejkaluar kompetencat.

    Njoftim i Hetuesisë së Përgjithshme
    Në zbatim të detyrës së rëndësishme dhe me përgjegjësi, të shtruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, Këshilli Presidencial dhe Këshilli i Ministrave për hetimin e plotë, të shpejtë dhe objektiv të rrethanave të ngjarjeve tragjike që ndodhën në qytetin e Shkodrës, më datë 2 prill 1991, Hetuesia e Përgjithshme ngriti një grup hetimor për të zbuluar shkaqet dhe personat fajtorë, për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale. Hetimet zhvillohen nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Prokurorisë së Përgjithshme. Grupi i posaçëm hetimor i është kushtuar me ndjenjë përgjegjësie në kryerjen e detyrës së ngarkuar, pavarësisht nga vështirësitë e ndryshme që janë ndeshur. Deri në ditët e fundit janë marrë dëshmi nga 184 persona, janë kryer 43 ekspertime të ndryshme, janë bërë 20 veprime të tjera të posaçme hetimore dhe vazhdon ekspertimi i të plagosurve dhe i armëve të zjarrit të përdorura. Nga hetimet e deritanishme del se më datën 2 prill 1991 në mëngjes, një grup i madh personash të grumbulluar në qendër të qytetit të Shkodrës është nisur dhe vendosur në sheshin përpara Komitetit të Partisë së Punës. Me ta janë bashkuar grupe të tjera nxënësish të shkollave të mesme të qytetit, duke e çuar numrin e të grumbulluarve në mijëra veta, të cilët hidhnin parulla të ndryshme. Grumbullimi dhe parullat kanë qenë në kundërshtim me kërkesat e Dekretit Nr. 7408, datë 31.07.1990 “Për mbledhje, grumbullime dhe manifestime të shtetasve në vende publike”. Për këtë arsye, organet e mbrojtjes së rendit të qytetit të Shkodrës kanë kërkuar disa herë që manifestuesit të shpërndaheshin, për të ruajtur rendin publik, qetësinë dhe stabilitetin në qytet. Me gjithë këto përpjekje, ata nuk u shpërndanë. Në këto rrethana dhe në zbatim të ligjit, forcat e rendit ndërhynë me forcë, duke përdorur shkopinjtë e gomës për shpërndarjen e të grumbulluarve. Por këta u grumbulluan përsëri në afërsi të Komitetit të Partisë së Punës dhe disa prej tyre kanë qëlluar me gurë dhe objekte të tjera në drejtim të forcave të rendit. Në kushtet e tensionimit të situatës, nga pjesëtarë të forcave të rendit është hapur zjarr paralajmërues në ajër, sipas rregullave. Megjithatë, në kundërshtim me kërkesat e dekretit Nr. 7449, datë 5.1.1991, “Për përdorimin e armëve të zjarrit”, disa prej tyre kanë qëlluar edhe në drejtim të personave të grumbulluar, duke kapërcyer kompetencat. Kështu, mbeti i vrarë i riu Arben Broci dhe u plagos rëndë Nazmi Kryeziu, i cili vdiq më vonë në spital. Më pas kanë rezultuar të vrarë të rinjtë Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka, si dhe një numër të plagosurish. Nga procesi i hetimeve deri tani janë evidentuar me akte mjekoligjore 14 civilë të plagosur, nga të cilët 10 me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
    Me përhapjen e lajmit të vrasjes së Arben Brocit, gjendja është rënduar dhe acaruar më tej. Në këto kushte, persona të ndryshëm, duke përdorur shishe me benzinë dhe lëndë eksplozive, dogjën dy mjete të blinduara e 7 automjete, i vunë zjarrin godinës së Komitetit të Partisë së Punës të rrethit, rrahën dhe plagosën sekretarin e këtij komiteti.
    Nga grupi hetimor janë evidentuar edhe 7 të plagosur nga pjesëtarë të forcave të ruajtjes së rendit, nga të cilët një me armë zjarri dhe një me lëndë eksplozive, si dhe 13 të tjerë të lënduar.
    Grupi hetimor vazhdon me intensitet punën për të zbuluar plotësisht rrethanat e zhvillimit të ngjarjeve tragjike të 2 prillit dhe për të vërtetuar fajësinë e personave konkretë për vrasjet, plagosjet, shkatërrimet, si dhe veprimet e tjera të paligjshme.
    Për hetimin sa më shpejt mbi këto probleme, grupi hetimor po përballon vështirësi objektive e pengesa të shumta, siç janë pamundësia për këqyrjen në kohë të vendit të ngjarjes e kryerjen e autopsisë së viktimave, mosparaqitja e dëshmitarëve të drejtpërdrejtë okularë, e disa të plagosurve që nuk kanë marrë ndihmën mjekësore në institucionet shëndetësore, si dhe hezitimin e dëshmitarëve të ndryshëm për të dhënë dëshmi të plota. Kështu, asnjë dëshmitar nuk ka identifikuar persona konkretë nga forcat e rendit që kanë qëlluar me armë në drejtim të manifestuesve, ashtu sikurse asnjë dëshmitar nuk ka identifikuar asnjë person të përdorë shishe me benzinë apo lëndë eksplozive, me të cilat u shkatërruan objektet e përmendura.
    Për t’u zbuluar deri në fund e në kohë e vërteta për këto ngjarje të dhimbshme, që kanë tronditur mbarë opinionin tonë publik, organet e hetimit mirëpresin bashkëpunimin e qytetarëve të Shkodrës dhe të forcave të ndryshme politike e shoqërore, siç u kërkua edhe në takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e tyre më datë 12 prill 1991, në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit, takim ky i organizuar me iniciativën e Këshillit të Ministrave.
    Hetuesia e Përgjithshme, 13.04.1991

    Teksti botohet i plotë, siç u publikua në gazetën “Zëri i Popullit”.

    QEMAL LAME

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •