KORCE-Një sasi prej 307 kg e 750 gram lëndë narkotike e llojit kanabis sativa është sekuestruar sot nga Policia e Korcës. Strukturat kundër narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme kanë finalizuar me sukses mëngjesin e sotëm operacionin e koduar "Stafeta " në fshatin Pojan të Korçës, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 persona dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë. Sipas policisë droga u gjet në një banesë në fshatin Pojan dhe të arrestuarit janë Deni Shahini vjeç 34 banues në Maliq të Korcës, Aleks Kreshpanji 44 vjeç, banues në Korçë dhe Gramoz Vila 43-vjeçar, banues në fshatin Libonik.

Mësohet se 3 personat e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin transportin e lendes narkotike nga fshati Lazarat në drejtim të Korçës, ku dhe e përpunonin me qellim shpërndarjen dhe transportimin e lëndës narkotike për në shtetin grek.

Aktualisht policia identifikoi edhe dy persona të tjerë dhe i ka shpallur ata në kërkim me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes kriminale ndërsa në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 3 automjete, 9 aparate celularë, 800 euro si dhe një peshore elektronike.

(d.b/BalkanWeb)