Shqipëria e ka shprehur hapur sot mundësinë e daljes së Shqipërisë nga Konferenca Islamike, ose në mos shkëputjen totale,një rivlerësim të rolit të saj në këtë konferencë. Hapi i parë është marrë me refuzimin e ftesës për sesionin e 9-të të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI). Kuvendi i Shqipërisë nuk ka caktuar një delegacion për këtë konferencë duke e kaluar në heshtje refuzimin e ftesës. Ndërkaq një përgjigje për këtë ka ardhur nga Këshilltari për Politikën e Jashtme i zotit Meta, Ralf Gjoni.
Në një prononcim për mediat, Gjoni shpjegon se mungesa e Shqipërisë këtë vit lidhet me mungesen e buxhetit dhe axhendën e ngjeshur të kryetarit të Kuvendit.
“Ne nuk e kemi refuzuar këtë ftesë, por thjesht parlamenti nuk ka marrë dot pjesë në këtë aktivitet multilateral, ashtu siç nuk kemi marrë dot pjesë as në Asamblenë Parlamentare të Unionit për Mesdheun, që është zhvilluar në Jordani disa javë më parë, apo si nuk kemi marrë pjesë dhe në disa aktivitete të tjera. Jemi të detyruar që të jemi përzgjedhës përsa i përket pjesëmarrjes në shumë aktivitete shumëpalëshe, duke e përqëndruar kështu aktivitetin e diplomacisë parlamentare të Kuvendit në ato vende apo aktivitete që kanë prioritet imediat përsa i përket axhendës së politikës së jashtme të Shqipërisë që për momentin përqëndrohet kryesisht në marrëdhëniet tona me BE-në dhe axhendës së perspektivës europiane”, u shpreh Gjoni.
Por më tej ai bën të qartë se nuk është vetëm problem buxheti mungesa e Shqipërisë. Sipas këshilltarit Gjoni, marrëdhënia me këtë organizatë duhet rishikuar në të ardhmen, pasi Shqipëria asnjëherë nuk ka qënë 100% pjesëmarrëse në OBI:
“Ka një marrëdhënie me këtë organizatë, që ndoshta duhet riparë në të ardhmen. Me sa jam i informuar ne jemi vend anëtar pas kërkesës sonë në 1992-n, për t’u anëtarësuar në këtë OBI, por pjesëmarrja e Shqipërisë në të nuk është ratifikuar asnjëherë nga parlamenti shqiptar, gjë që krijon disa pikëpyetje dhe hedh disa dyshime lidhur me anëtarësinë 100% të Shqipërisë në OBI”-tha ai.
Dule folur në emër të Kryetarit të Kuvendit, Gjoni shtoi se “mendoj se kjo duhet trajtuar në të ardhmen nga diplomacia shqiptare dhe nga vetë qeveria shqiptare për të parë se ku jemi me këtë organizatë dhe çfarë lloj anëtarësimi do të dëshironim në të ardhmen”.
Shqipëria është që prej vitit 1992, anëtare e Organizatës së Konferencës së Vendeve Islamike.
MAPO
Krijoni Kontakt